AKTUALITET

Dosja e plotë Prokurorisë, si u zhdukën paratë e ndihmës ekonomike nga Posta Shqiptare e Durrësit! (Skema që përdorte drejtoresha si "mushkë" e miliona eurove)

Piranjat Përditësimi i fundit 18 Korrik 2026, 20:06
Dosja e plotë Prokurorisë, si u zhdukën paratë e

Detaje nga dosja e Prokurorisë për skemën e dyshuar të përvetësimit të 69 milionë lekëve në Filialin e Postës Shqiptare në Durrës, ku nën hetim janë drejtoresha Elisabeta Mataj, shefja e financës Valbona Duni dhe arkëtarja Paola Dana. Sipas dosjes hetimore, skema është zhvilluar gjatë muajve prill-maj 2026, përmes prerjes së një serie mandat-pagesash që në dokumente rezultonin si transferta të ligjshme drejt degëve postare të Shijakut dhe Krujës.Në sistemin kontabël, këto veprime regjistroheshin si dalje fondesh nga arka e Postës Durrës dhe hyrje në arkat e dy degëve.

Megjithatë, verifikimet e kryera nga grupi i kontrollit i Postës Shqiptare zbuluan se paratë nuk kishin mbërritur kurrë në degët përkatëse. Në total rezulton se janë prerë 11 mandat-pagesa me vlerë rreth 69 milionë lekë, të cilat nuk janë pasqyruar si hyrje në arkat e Shijakut dhe Krujës, duke krijuar një mungesë të pajustifikuar fondesh.

Një nga provat kryesore të Prokurorisë janë pamjet e kamerave të sigurisë. Sipas tyre, në disa raste shefja e financës Valbona Duni merrte thasë ose pako me para nga arka dhe i çonte fillimisht në zyrën e saj. Më pas, paratë kalonin në zyrën e drejtoreshës Elisabeta Mataj, e cila, sipas pamjeve, largohej nga ambientet e institucionit me çantë ose qese menjëherë pas marrjes së tyre.

Në dosje përfshihet edhe dëshmia e Valbona Dunit, e cila pranon se ka përgatitur mandat-pagesat, por pretendon se gjithçka është bërë me urdhër verbal të drejtoreshës Elisabeta Mataj. Ajo deklaron se Mataj merrte paratë, i fuste në çantën personale dhe largohej nga institucioni, me argumentin se do t'i dërgonte vetë në degët postare, pasi kompania e transportit të vlerave kishte tejkaluar numrin e rrugëve të planifikuara.

Vjedhja e mbi 700 mijë € në Postën e Durrësit, dëshmia e një prej arkëtareve: Drejtoresha fuste paratë në çantë dhe largohej!
Sipas Dunit, skema u zbulua vetëm kur Dega e Shijakut refuzoi të kryente një transfertë, duke pretenduar se Posta e Durrësit kishte ende detyrime financiare ndaj saj. Pas verifikimeve në sistem, ajo konstatoi se një pjesë e mandat-pagesave nuk figuronin në degët përkatëse dhe njoftoi drejtoreshën, e cila, sipas dëshmisë, iu përgjigj se nuk kishte dijeni për situatën.

Sipas Prokurorisë, fondet e përvetësuara ishin të destinuara për pagesën e ndihmës ekonomike dhe skemave të tjera sociale, ndërsa veprimet e dyshuara përbëjnë veprën penale "Vjedhja duke shpërdoruar detyrën, kryer në bashkëpunim".

DOSJA E PLOTË E PROKURORISË 

Në datën 14.7.2026 është depozituar në Prokurorinë  kallëzimi i subjektit "Posta Shqiptare". Në kallëzim parashtrohet se nisur nga fakti që Filiali Postës Shqiptare Durrës nuk ka vijuar me kalimin e fondeve në favor të llogarisë së Drejtorisë së Përgjithshme, duke rezultuar në diferenca negative në llogaritë kontabël të Drejtorisë së Përgjithshme të Posta Shqiptare Sh.a., ka ngritur grupin e punës me shkresën Nr.1502.Prot, Datë 09.07.2026 për kryerjen e verifikimeve përkatëse. Grupi i punës nga kontrolli në ambjentet e Filialit Durrës, Zyra qendër konstatoi se nga verifikimi i gjëndjes së arkës u konstatua se gjatë muajve Prill-Maj 2026 janë prerë mandat pagesa nga arka qendër në monedhën lekë, për llogari të Degës Postare Shijak dhe Krujë, duke kryer veprimin kontabël debi në llogarinë 186 "Lidhje të brendshme me degët" dhe në kredi të llogarisë 531 "Arka në lekë". Mandatet e mësipërme sipas të dhënave të sistemit janë të përfshira në ditarin e arkës qendër të Filialit Durrës, duke pakësuar kështu gjëndjen fizike të arkës në lekë. Vlera e këtyre mandateve duhej të bëhej hyrje në arkën në lekë të Degës Postare Shijak dhe Krujë duke shtuar kështu gjëndjen fizike të parasë në këto degë. Megjithatë nga verifikimi në sistem të ditarit analitik të arkës qendër të Degëve Shijak dhe Krujë, rezulton që këto vlera nuk janë bërë hyrje në arkat e degëve përkatëse, veprim i cili e bën të pa justifikuar daljen nga arka qendër të Filialit Durrës të vlerës rreth 69.000.000 lekë.

Referuar pamjeve filmike të administruara nga kamerat e sigurisë në ambjentet e Filialit Durrës qendër (bashkëlidhur kallëzimit), rezulton se nga ana e punonjëseve të postës lëvizjet e vlerave monetare janë kryer në kundërshtim me aktet ligjore në fuqi dhe të rregullores së brendshme të Posta Shqiptare Sh.a.

Konkretisht më datë 02.04.2026 në orën 15:28 shefja e financës Valbona Duni bashkë me specialistin e financës marrin në arkë, e pranishme Paola Dana, një thes me vlera monetare i porsaardhur 1 me eskortë shoqërimi nga banka. Specialisti financës me thesin bashkë me shefen e financës Valbona Duni shkojnë në zyrën e saj. Mbas pak shefja financës Valbona Duni thesin me vlera monetare e çon në zyrën e drejtoreshës së Filialit Elisabeta Mataj. Në orën 15:39:08 Drejtoresha e Filialit Posta Shqiptare Durrës Elisabeta Mataj largohet nga zyra me një qese të bardhë transparente me sende që nuk mund të përcaktohen. Datës 2.4.2026 i përket mandat pagesa nr. 2330, vlera 5 000 000 lekë, me përshkrim për llogarinë lidhje të brendshme dega Shijak, e nënshkruar nga Elisabeta Mataj, Valbona Duni, Paola Dana dhe Flora Nexha (arkëtare e degës Shijak e dyshuar e falsifikuar).

 Më datë 14.04.2026 në orën 13:06 shefja e financës Valbona Duni merr një thes me vlera monetare nga zyra e Arkës e pranishme Paola Dana dhe futet në zyrën e saj. Datës 14.4.2026 i përket mandat pagesa nr. 2706, vlera 10 000 000 lekë, me përshkrim për llogarinë lidhje të brendshme dega Krujë, e nënshkruar nga Elisabeta Mataj, Valbona Duni, Paola Dana dhe Valentina Guni (arkëtare e degës Krujë e dyshuar e falsifikuar).

Më datë 15.04.2026 në orën 14:13 shefja e financës Valbona Duni merr një thes me lekë nga arka e pranishme Paola Dana dhe hyn në zyrën e saj. Në orën 14:35 shefja financës del nga zyra e saj me një çantë dore dhe largohet nga ambientet e punës. Datës 15.4.2026 i përket mandat pagesa nr. 2748, vlera 10 000 000 lekë, me përshkrim për llogarinë lidhje të brendshme dega Krujë, e nënshkruar nga Elisabeta Mataj, Valbona Duni, Paola Dana dhe Valentina Guni (arkëtare e degës Krujë e dyshuar e falsifikuar).

Më datë 20.04.2026 në orën 13:39 nd/arkëtarja në prani të arkëtares Paola Dana, i jep shefes së financës Valbona Duni rreth 10 fasheta me prerje kartmonedhe 5.000 të reja në qese plastike, shefja e financës i merr dhe shkon në zyrën e saj. Datës 20.4.2026 i përket mandat pagesa nr. 2866, vlera 5 000 000 lekë, me përshkrim për llogarinë lidhje të brendshme dega Shijak, e nënshkruar nga Elisabeta Mataj, Valbona Duni, Paola Dana dhe Flora Nexha (arkëtare e degës Shijak e dyshuar e falsifikuar).

Më datë 24.04.2026 në orë 14:15 vjen punonjësi i shoqërimit të vlerave i "Nazerit" me dy thasë nga banka dhe i lë tek Arka, e pranishme Paola Dana. Në orën 14:18 njërin nga thasët e merr shefja e financës Valbona Duni dhe shkon tek zyra saj. Datës 24.4.2026 i përket mandat pagesa nr. 3002 (vendosur me shkrim dore numri 2997), vlera 5 000 000 lekë, me përshkrim për llogarinë lidhje të brendshme dega Shijak, e nënshkruar nga Elisabeta Mataj, Valbona Duni, Paola Dana dhe Flora Nexha (arkëtare e degës Shijak e dyshuar e falsifikuar)

Më datë 30.04.2026 në orën 15:08 nd/arkëtarja në prani të arkëtares Paola Dana mbush një thes me vlera dhe ia jep shefes së financës Valbona Duni e cila e merr thesin e shkon në zyrën e saj. Datës 30.4.2026 i përket mandat pagesa nr. 3104, vlera 11 000 000 lekë, me përshkrim për llogarinë lidhje të brendshme dega Shijak, e nënshkruar nga Elisabeta Mataj, Valbona Duni, Paola Dana dhe Flora Nexha (arkëtare e degës Shijak e dyshuar e falsifikuar). 

Më datë 7.5.2026, ora 14:41 shefja e financës Valbona Duni merr një thes me lekë nga Arka, e pranishme Paola Dana dhe hyn në zyrën e saj. Më pas në orën 14:42 me të njëjtin thes hyn në zyrën e drejtoreshës Elisabeta Mataj. Ora 14:43 të dy shtetaset, Valbona Duni dhe Elisabeta Mataj dalin nga zyra. Datës 7.5.2026 i përket mandat pagesa nr. 4283/6, vlera 5 000 000 lekë, me përshkrim për llogarinë lidhje të brendshme dega Shijak, e nënshkruar vetëm nga Paola Dana.

Më datë 08.05.2026 në orën 13:47 shefja e financës Valbona Duni merr një pako të madhe me kartmonedha prerje 5.000 të reja nga arka, e pranishme Paola Dana dhe shkon në zyrën e saj. Datës 8.5.2026 i përket mandat pagesa nr. 4320, vlera 5 000 000 lekë, me përshkrim për llogarinë lidhje të brendshme dega Shijak, e nënshkruar nga Elisabeta Mataj, Valbona Duni, Paola Dana dhe Flora Nexha (arkëtare e degës Shijak e dyshuar e falsifikuar).

Datës 12.5.2026 i përket mandat pagesa nr. 4403, vlera 5 000 000 lekë, me përshkrim për llogarinë lidhje të brendshme KLPB dhe lidhje e brendshme, pa specifkim dege, nga 2 500 000 secila, e nënshkruar nga Valbona Duni, Paola Dana dhe Flora Nexha (arkëtare e degës Shijak e dyshuar e falsifikuar).

Më datë 21.05.2026 në orën 15:24 shefja e financës merr rreth 12 fasheta me kartmonedha prerje 5.000 të reja nga arka, e pranishme Paola Dana dhe i çon tek zyra e drejtoreshës së Filialit. Datës 21.5.2026 i përket mandat pagesa nr. 4686, vlera 5 000 000 lekë, me përshkrim për llogarinë lidhje të brendshme dega Shijak, e nënshkruar nga Valbona Duni, Paola Dana dhe Flora Nexha (arkëtare e degës Shijak e dyshuar e falsifikuar).

Datës 29.5.2026 i përket mandat pagesa nr. 4828, vlera 3 000 000 lekë, me përshkrim për llogarinë lidhje të brendshme Shijak, e nënshkruar nga Elisabeta Mataj, Valbona Duni, Paola Dana dhe Valentina Guni (arkëtare e degës Krujë e dyshuar e falsifikuar). 

Totali 69 000 000 lekë

Drejtoria e Sigurisë Posta Shqiptare sha.a me me relacionin nr.1502/2 prot., dt. 10.7.2026 konkludon se bazuar në rregulloren për menaxhimin e vlerave monetare dhe rregullores së sigurisë të Postës Shqiptare, menaxhimin e vlerave monetare fizike e kryen vetëm arkëtarja.

DËSHMIA SHEFES SË FINANCËS 

Në lidhje me faktin e mësipërm Shefja e Financës Valbona Duni sqaron:" Në fund të Marsit 2026 kemi mbyllur bilancin vjetor 2025 të Durrësit, Shijakut, Krujës dhe ka rezultuar se nga kuadrimet e bëra kisha për t'i likujduar Shijakut vlerën e 55 000 000 lekëve, ndërsa për Krujën vlerën e 1 000 000 lekë, të cilat unë duhet t'ja ktheja pjesë pjesë. Kjo është pjesë e zakonshme e punës së postës që bëhet prej vitesh. Në muajt Janar ose Shkurt 2026 Dega Krujë më ka kaluar për efekt likujdimi me Drejtorinë e Përgjithshme Tiranë një shumë prej 22 000 000 lekësh e cila i ka kaluar kësaj të fundit me bankë. 

Për këto arsye kam filluar të kryej mandat pagesa per degën e Shijakut në vlera të ndryshme në një shumë totale prej 56 000 000 lekësh në periudhën Prill-Maj 2026. Ndërkohë që degës Krujë i kam bërë dy mandat pagesa në muajt Prill dhe Maj 2026 në shumat 10 000 000 dhe 3 000 000. Për të gjitha këto shuma monetare, sipas mandat pagesave, janë marrë dhe transferuar në degët Shijak dhe Krujë nga Drejtoresha Elisabeta Mataj. Kjo e fundit më ka thënë se këto shuma do i çojmë ne, pasi SHPSF "Nazeri" kishte tejkaluar numrin e rrugëve të parashikuara. Unë me urdhër verbal të Elisabeta Mataj kam shkuar tek arka dhe i kam thënë arkëtares Paola Dana të më bësh fondin për degët Shijak dhe Krujë duke i kërkuar prerjen e mandat pagesës për shifrën përkatëse. Arkëtarja ka bërë gati dërgesën dhe unë kam shkuar i kam marrë vlerat monetare duke i futur në zyrën time ku e pranishme ka qënë dhe shtetasja Luljeta Zela, llogaritarja e parë. Në zyrën time vinte Drejtoresha Elisabeta Mataj shikonte thesin dhe e fuste në çantën personale pasi bënte numërimin e lekëve. Ajo asnjëherë nuk e ka marrë thesin me të holla siç e kam marrë unë dorë, por të futur në çantë. Në një rast e ka marrë të mbështjellë me një xhup bezhë që e mbante në dorë. Në të shumtën e rasteve është larguar menjëherë nga institucioni. 

Në fillim të Qershorit 2026 pata një kolaps me Drejtorinë e ASHK me xhirimet dhe direkt i kërkoj Shijakut të më bëj transfertë për likujdim me Drejtorinë. Në këtë moment arkëtarja e Shijakut më thotë që më ke detyrime dhe nuk të bëj transfertë. Menjëherë hyra në sistem dhe konstatova se në zërin "llogari të brendshme të ndërmjetme" pashë se Dega Shijak kishte më pak mandate se ato që kisha prerë unë. Direkt kam lajmëruar Drejtoreshën Elisabeta Mataj. Kjo e fundit në fillim nuk foli fare. Më pas Drejtoria e Përgjithshme e Postës më ka marrë ne telefon duke më pyetur se çfarë probleme kishte me likujdimin e ASHK. Me këtë rast njoftova përsëri Elisabeta Mataj e cila me arrogancë më ka thënë se nuk di gjë shikoje vetë. Aty kam lajmëruar Drejtorinë e Përgjithshme. Në lidhje me nënshkrimin tim e konfirmoj si autentike, po ashtu nenshkrimi i Elisabeta Mataj dhe Paola Danës, ndërkohë që për arkëtaren e Shijakut Flora Nexha dhe atë të Krujës Valentina Guni nuk janë firmat e tyret. Këto mandate janë nënshkruar para se të dilnin nga zyra e Filialit Durrës nga unë, arkëtarja Paola Dana dhe drejtoresha e Fililait Durrës Elisabeta Mataj, me përjashtim të mandateve të dt. 7.5.2026, 12.5.2026, 21.5.2026, të cilat kanë ngelur pa firmë pasi nuk janë nënshkruar nga Drejtoresha. Sqaroj se mandat pagesat nënshkruhen fillimisht nga unë dhe arkëtarja dhe i çohen në zyrë Drejtoreshës Elisabeta Mataj, e cila bën nënshkrimin e tyre. Për këto mandate mesa duke nuk i ka nënshkruar. Për mandatin e dt. 7.5.2026 unë nuk e kam nënshkruar pasi kam qenë e ngarkuar me audit."

Sa më lart parashtruar rezulton evidente se arkëtarja Paola Dana, shefja e financës Valbona Duni dhe drejtoresha Elisabeta Mataj nëpërmjet përpilimit të dokumentacionit fiktiv, mandat pagese për degët Shijak dhe Krujë, kanë përvetësuar shumën e 69 000 000 lekëve nga filiali i Postës Shqiptare Durrës të cilat ishin vlera per tu paguar për ndihmën ekonomike dhe pagesa të tjera sociale. Rrjedhimisht këto shtetase dyshohet të kenë konsumuar veprën penale "Vjedhja duke shpërdoruar detyrën kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 135 e 25 të K.Penal.

Referuar sistemit TIMS, shtetasja Elisabeta Mata ka dalë nga territori i Republikës së Shqipërisë në dt. 10.7.2026 ora 19:47, me autoveturë nga PKK Kapshticë me automjetin me targa AB320ZR. Pas kësaj date nuk ka hyrje të rregullt në territor. Ndërkohë që në dt. 15.7.2026 është njoftuar për tu marrë në pyetje dhe është paraqitur. Pikërisht dalja jashtë shtetit dhe hyrja përsëri në vendin tonë pa u regjistruar në sistemin TIMS ngre dyshime për një mundësi reale të fshehjes së kësaj shtetaseje dhe shmangies së drejtësisë.

Po ashtu shtetaset Valbona Duni dhe Paola Dana kanë një risk të lartë për tu larguar duke patur parasysh rrezikshmërinë e veprës penale për të cilën dyshohen. Pikërisht referuar veprës së rëndë penale për të cilën dyshohen, vijueshmërisë në kohë të kryerjes së saj, mosregjistrimit të hyrjeve në territorin e vendit tonë, vlerësoj se rreziku i ikjes, është evident, aktual dhe i sigurt. Vepra penale “Vjedhja duke shpërdoruar detyrën kryer në bashkëpunim./VNA

Artikuj te sugjeruar

video

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 16

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 16

Gruaja me dy identitete që premton “shërim” me ujin e kufomave në Pejë

A ka Shqipëria një Nicola Gratteri?

Katër nëna në kërkim të fëmijeve/ Bisedat që zbuluan rrjetin e errët

Flamur Gjuzi, i dënuar për"shpërdorim detyre" sot drejtor i Policisë Bashkiake, sërish shkel ligjin?

Pallatet u zhytën“Durrës Marina" dhe Autoriteti Portual bëjnë veprimin e papritur përballë skandalit

Ekskluzive/ Nicola Gratteri çmonton skemën e pastrimit të parave të ndërtimit në Tiranë

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 15

Enkel Demi duke luftuar paragjykimet për shqiptarët. (kamera e fshehtë)

Milva Ekonomi i firmosi miliona euro Vilma Nushit, kjo e fundit i investoi te kulla e Ervin Matës

Ajo çfarë mund të na mësojë Kosova.

Laboratorë “copy-paste”/ I njëjti mjek firmos analiza në disa pika, skema që ngre pikëpyetje

Rrjeti i ‘errët’ i vajzave të zhdukura! Bisedat tronditëse si funksiononte grupi.

Bleu 300 m2 tokë në vitin 2004, kthehet nga emigrimi dhe gjen aty vilë 3-katëshe.

“Na detyruan nga Dubai”/ Konstruktori i Durrës Marina zbulon pse u zhytën pallatet

Drejtori që tregon sjellje të pahijshme me nxënësen: Jam i fortë edhe në parti

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 14

Turisti zemërgjerë nga Italia dhe patatinat falas

Aksidentet “pushtojnë” oborrin e familjes në Klos, banori: Një ditë do ndodhë tragjedi

Lidhja jashtëmartesore që përfundoi në makth /32-vjeçarja rrëfen shantazhin me video intime

Sherr në terminalin e Peshkopisë, shoferi: Mos më vidh pasagjerët! Shko ha bukë te pjesa jote

Artisti dhe Frika

Si u kthye në urrejtje dashuria mes ish-bashkëshortëve dhe ‘lufta’ për 200 mijë euro!

14-vjeçare me dr*gë dhepro*titucion, rrjeti i errët i minoreneve të zhdukura

Zhytja e pallateve te Alabarit/ IKMT pranon anomalitë në “Durrës Marina”: Janë zhytur 28 cm

"Ederlezi", festa e veçantë e komunitetit rom.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 13

Do t’i fus duart edhe nëse bërtet, motra e 13 vjeçares rrëfen tmerrin e mesazheve që mësuesi ia çon

“Inspektori gjobëvënës” i bashkisë terrorizon qytetarët

Pagat e mohura të druvarëve në Navaricë! Miliona lekë për të marrë dhe kërcënime

Rruga Thumanë–Kashar/ 1 miliard euro dhe “5 lekëshi” që po merret nga xhepat e qytetarëve

Me viza turistike ose kontrata futbolli drejt Europës/ Kush fshihet pas skemës së trafikimit?

Nënat denoncojnë ikjet nga shtëpia dhe jetën e dyshimtë të adoleshentëve

Për mediat dhe fëmijët

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 12

Muzikanti i rruges “vjedh” koleget. Banka e fundit

Dajak për 50 metra rrugë në Dibër, kushërinjtë në ’luftë’ për pronën.

Fisnik Syla, “BAMIRËS” apo shantazhues

A janë "idiotë "shqiptarët e Maqedonisë së Veriut? Çfarë do të thoshte Arbën Xhaferraj?

Presidenti i FSHP reagon për deklaratat e Erkand Qerimaj: Lajthita atëherë, tani kam reflektuar

Nga jetimorja te humbja e kujdestarisë. Rrëfen nëna që kërkon bashkimin me vajzën pas 13 vitesh

Tigrat e Vlorës: energjia që prodhohet 6 herë më shtrenjtë se sa shitet.

Skandali i zhytjes së pallateve në Durrës Marina / Ndërhyn IKMT.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 11

Dhjetëra punonjës fasonerie pa marrë pagat: Blerimi mori lekët dhe u zhduk! Pronari premton zgjidhje

Hapet filial i bankës turke në “zemër” të Bllokut, reklamat vendosen pa leje

Energji për brezin tim

Nga ‘Viola’ tek Dorina: Si përfundoi në borxh një histori dashurie në distancë

Firma “Trade Minerals Al” po shkatërron mjedisin dhe infrastrukturën e fshatit Gjegjan në Kukës

Nga shpërthimi i drejtorit te prapaskenat e ushqimit në institucionin privat në Elbasan