AKTUALITET

Çfarë kërkuan shqiptarët në Google gjatë fushatës elektorale?

Besar Likmeta Përditësimi i fundit 10 Maj 2025, 09:57
Çfarë kërkuan shqiptarët në Google gjatë
foto ilustruese

TIRANË- Në një fushatë të dominuar nga videot e shkurtra dhe mesazhet emocionale të shpërndara në media sociale, kryeministri Edi Rama i dha një kthesë të papritur dhe tërësisht personale komunikimit politik me 21 mars, gjatë një mitingu në bregdetin e Kavajës.

“Gjithë ky zdap siç më kishte bërë nëna,” tha ai me një buzëqeshje të zgjatur dhe ton ironik, ndërsa rikujtoi një episod nga zgjedhjet për Bashkinë e Tiranës të vitit 2007.

“I keni në Google në qoftë se jeni kurioz,” vijoi ai. “Shkruani ‘Edi Rama nudo’ dhe del aty,” shtoi kryeministri, duke krijuar hutim dhe shkaktuar të qeshura në radhët e një grupi mbështetësish të rinj në moshë.

Brenda pak orësh, togfjalëshi ‘Edi Rama nudo’ u kthye në meme, tituj portalesh dhe, sipas të dhënave të regjistruara nga ‘Google Trends’, u ngjit në majën e termave më të kërkuar për politikën shqiptare gjatë gjithë fushatës zgjedhore.

Opozita reagoi duke e akuzuar Ramën për shkelje të etikës dhe një strategji perverse për të shmangur vëmendjen nga sfidat me të cilat përballet vendi, duke përdorur batuta.

“Rama tregoi që është në gjendje të përdorë edhe fëmijët në mënyrën më vulgare dhe banale të mundshme,” komentoi Igli Cara, kandidat për Partinë Demokratike në qarkun Durrës.

Megjithatë, deklarata provokuese e Edi Ramës nuk është e para e këtij lloji. Prej vitesh, politika shqiptare nuk shpërfaqet më si një garë idesh, por si një ndeshje për klikime, ku edhe lakuriqësia përdoret për të tërhequr vëmendjen kolektive.

Në një kontekst politik ku fushatat zgjedhore zhvillohen paralelisht në rrugë dhe në hapësirën digjitale, Google shërben si një ‘polaroid’ e asaj që ngacmon kuriozitetin e votuesve dhe dominon axhendën publike të momentit.

Kërkimet për liderët politikë

Google Trends është një mjet analitik i ofruar nga Google që tregon se sa shpesh është kërkuar një term i caktuar në motorin e kërkimit të Google gjatë një periudhe të caktuar kohore dhe në një zonë të caktuar gjeografike. Ai nuk tregon numrin absolut të kërkimeve, por paraqet të dhënat në një shkallë relative nga 0 në 100, ku 100 përfaqëson kulmin e interesit për atë term.

Google Trends ndihmon për të identifikuar tendencat në kohë reale, për të krahasuar popullaritetin e temave të ndryshme dhe për të kuptuar se ku është përqendruar interesimi i përdoruesve në aspektin gjeografik. Për studiues, gazetarë apo aktorë politikë, ky mjet ofron një pasqyrë të dobishme për të ndjekur ritmet e opinionit publik dhe zhvillimeve të momentit.

Studiuesit e mediave sociale i përdorin të dhënat e Google Trends për të parashikuar rezultate të ndryshme, nga shitjet e makinave dhe destinacionet turistike, deri te referendumet dhe rezultatet e zgjedhjeve. Megjithatë, duhet theksuar se suksesi i këtyre parashikimeve është relativ.

Të dhënat e Google Trends tregojnë se pohimi i Ramës në Kavajë ka nxitur kërshërinë e publikut, duke e bërë atë politikanin më të kërkuar në motorin e kërkimit Google gjatë fushatës zgjedhore.

Përveç kërkimeve për fotot djaloshare të kryeministrit në një plazh në Francë, kërkimet e lidhura me emrin e tij tregojnë një interesim të internautëve për moshën, gjatësinë, shfaqjet në emisione televizive dhe faqen e tij në platformën Facebook.

Kryeministri shqiptar ndiqet ngushtë në kërkime nga rivali i tij kryesor, Sali Berisha, i cili udhëheq Koalicionin për një Shqipëri Madhështore, një grupim opozitar me në krye Partinë Demokratike.

Kërkimet e lidhura me Sali Berishën përfshijnë kërkesa për moshën e tij, statusin ‘non-grata’ nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, presidentin amerikan Donald Trump, si dhe liderin e Partisë Mundësia, Agron Shehaj.

Kryeministri mund të ketë një avantazh në kërkime në Google në krahasim me Sali Berishën, por dy partitë e mëdha kanë interes më të përafërt të shfaqur gjatë periudhës së zgjedhjeve. PS ka një mesatare të përllogaritur nga Google Trends si 61 nga 100 dhe PD si 53 nga 100.

Në nivel rajonesh, Partia Socialiste udhëheq në Jug dhe Shqipërinë e Mesme, përfshirë qarqet Tiranë, Durrës, Fier, Vlorë dhe Dibër. Ndërsa Partia Demokratike është më e forta në Veri dhe Juglindje, përfshirë qarqet Shkodër, Kukës, Lezhë dhe Korçë.

Mes liderëve të partive të reja garuese në zgjedhje, kërkime më të shumta në Google Trends ka regjistruar Agron Shehaj, kreu i Partisë Mundësia, i ndjekur nga Lulzim Basha i Partisë Koalicioni Euro-Atlantik, Adriatik Lapaj, i cili udhëheq koalicionin Nisma Shqipëria Bëhet, Arlind Qori i Lëvizjes Bashkë dhe Enkelejd Alibeaj nga Djathtas për Zhvillim.

Për Agron Shehaj është regjistruar një interes më i lartë në Tiranë, Fier dhe Vlorë, për Lulzim Bashën në Tiranë, Korçë dhe Shkodër, për Adriatik Lapaj në Tiranë, Korçë dhe Berat, për Arlind Qorin në Tiranë dhe Enkelejd Alibeaj në Lezhë.

Sipas Institutit Kombëtar të Statistikave, INSTAT, 86.2% e individëve e përdorin internetin disa herë në javë dhe 99.9% e shqiptarëve zotërojnë telefona celularë inteligjentë, çka u jep mundësinë të aksesojnë informacion online, nëpërmjet medias sociale dhe motorëve të kërkimit.

Në Shqipëri, motori më i përdorur i kërkimit është Google, i cili dominon ndjeshëm tregun. Sipas të dhënave të Statcounter për prillin 2025, Google zotëron 94% të tregut të motorëve të kërkimit në internet për Shqipërinë.

Megjithëse kërkimet për kryeministrin Edi Rama kanë shënuar një rritje 200% sipas të dhënave të Google Trends, ai është larg të qenit mes termave më të kërkuar, që kryesisht përfshijnë aplikacione utilitare, kursin e këmbimit, ndeshje futbolli dhe faqe interneti pornografike.

Për sa i përket temave më të kërkuara gjatë fushatës që lidhen ngushtë me zgjedhjet, pensionet kanë dominuar kërkimet, ndjekur nga arsimi, rrogat dhe shëndetësia.

Tema e pensioneve është diskutuar shumë gjatë fushatës dhe partitë e kanë pasur rritjen e tyre një prej premtimeve kryesore elektorale.

Kërkimet më të larta për temën e pensioneve janë regjistruar në qarkun e Vlorës, për arsimin në Berat dhe për rrogat në qarkun e Tiranës, i cili ka dhe përqendrimin më të madh të administratës shtetërore në vend./Reporter.al

fushata elektorale ne shqiperi

video

Drejtori i ardhshëm i administratës.

Drejtori i ardhshëm i administratës.

Premtimet e Edi Ramës në Berat

Thonë se tragjedia dhe komedia ecin bashkë: Rilindja nisi si humor i zi, po mbaron si dramë mavi.

Një studim shkencor ka vërtetuar se tallavaja është muzika qe rrit sasine e qumështit tek delet.

Premtimet e Edi Ramës në Tepelenë.

Premtimet e Edi Ramës për Memaliaj.

PIRANJAT SHOW SEZONI 7 - EPISODI 13

PS-PD, flasin dy zonja Tirone

Beteja e premtimeve për 'kapjen' e pensionistëve

Ku ka përfunduar bursa e 17 vjeçares

A po na përgjojnë me 'DPI'

Arsimi sot!

Çështja Mcgonigal dhe lobimet okulte

Kush po e shkatërron Tiranën?

Rama mitingu në Kukës

Afera e 'Tigrave' dhe heshtja e zonjës Balluku

PIRANJAT SHOW SEZONI 7 - EPISODI 12

Paralajmërimi i Piranjave

Gënjeshtrat e kryeministrit për energjinë

Mbeturinat e shijakut 'infektojnë' Fushë-Krujën

Ndërtimet abuzive në velipojë

Gjuha vulgare e një kryeministri

Ti nuk je vetem nje vote!

Dherat dhe inertet 'pushtojnë' Tiranën

Performanca e Zegjinesë së Roskovecit

Homazh per Papa Franceskon nga Dom Mark Pashkja

PIRANJAT SHOW SEZONI 7 - EPISODI 11

Një hormon i rrezikshëm në tavolinën tonë

Monologu: Pensionistët në 2025-ën

Mitingjet e PS dhe administrata në aksion

Fasulet që parashikojnë fatin

Landfilli i paligjshëm i Shijakut

1... ditë me Doktorin

Edi Rama - Cirku i fundjavës

PIRANJAT SHOW SEZONI 7 - EPISODI 10

PS-PD, beteja për Elbasanin

Nga premtimi për punë tek kërcënimi me jetë

Makthi i urgjencës së QSUNT 2

Rruga e bllokuar dhe premtimi i kryetares

Misioni i devijuar i Crimson Finance Fund Albania

E ardhmja e fëmijëve, peng i një firme

Roskoveci High-Tech dhe memoria e kryetares

Edi Rama hap fushaten ne studion e Piranjave duke prezantuar per herë te pare pasaporten biometrike

PIRANJAT SHOW SEZONI 7 - EPISODI 9

Gjithçka...për një celular

A na duhet vërtet pasaporta e BE-së

Në kërkim të Habibes

Ngjarja e Lushnjes dhe indiferenca e shoqërisë

Triumfi i Anisës

Helikopteri i Gjestit dhe mashtrimi i madh