AKTUALITET

“Flija nëpër ferra”, dy dënimet e Kolë Verrit dhe dëshmia për arratisjen përmes tunelit në Tiranë! Burgosja e gjithë familjes

Piranjat Përditësimi i fundit 15 Tetor 2026, 07:20

“Flija nëpër ferra”, dy dënimet e Kolë Verrit

Historia e familjes Verri është një nga ato histori të dhimbshme që dëshmojnë se si diktatura komuniste në Shqipëri nuk goditi vetëm individët që i konsideronte kundërshtarë politikë.

Komunizmi ndëshkoi edhe familjet e tyre, fëmijët e mitur, gratë e veja dhe të afërmit që shpesh nuk kishin kryer asnjë veprimtari politike. Ajo është historia e një familjeje të goditur nga arrestimet, burgimet, torturat, konfiskimi i pasurisë, djegia e shtëpisë, varfëria dhe përjashtimi shoqëror. Përndjekja e familjes Verri, e dokumentuar në librin “Dhimbje 5 – Kalvari i fëmijëve në kampet e përqendrimit komunist”, të autores Fatbardha Saraçi Mulleti, sjell dëshmi të forta mbi pasojat njerëzore të diktaturës. Përmes rrëfimit të Kolë Marash Verrit, të njohur edhe si Kolë Verri (Pepa), zbulojmë fatin e një familjeje që u godit rëndë për shkak të strehimit të Patër Anton Harapit dhe që, edhe pas përfundimit të burgimeve të para, vazhdoi të vuante pasojat e përndjekjes politike për shumë vite.


FILLIMI I TRAGJEDISË

Familja Verri ishte një familje e lidhur ngushtë me jetën dhe traditat e Dukagjinit. Si shumë familje të zonave malore të Shqipërisë, ajo e mbështeste jetesën te puna e tokës, blegtoria, ndihma e ndërsjellë dhe lidhjet familjare. Familja Verri u vu në shënjestër pasi kishte strehuar Patër Anton Harapin, një klerik katolik që regjimi komunist e konsideronte kundërshtar. Në këtë mënyrë, një akt strehimi u bë shkak për pasoja të rënda mbi të gjithë familjen. Nëna, vëllezërit dhe motra e Kolës u arrestuan, megjithëse tre prej fëmijëve ishin ende të mitur. Një nga pjesët më prekëse të kësaj historie është fati i Kolë Marash Verrit. Kur familja e tij u godit nga arrestimet, ai ishte vetëm 12 vjeç. Ai arriti t’i shpëtonte arrestimit në ato ditë. Kola mbeti i vetëm, pa mbështetjen e familjes dhe pa një vend të sigurt ku mund të qëndronte. Për të mos rënë në duart e forcave të ndjekjes, u detyrua të largohej nga shtëpia dhe të endej nga një vend në tjetrin. Në dëshminë e tij, Kola kujton netët kur flinte nëpër shkurre dhe ferra, i tmerruar nga ajo që mund t’i ndodhte. Ai kishte kaluar shumë net nëpër çufa ferrash, sepse kishte frikë nga njerëzit që i konsideronte xhelatë dhe nga ndëshkimet që shihte ose dëgjonte se kryheshin. Edhe njerëzit që përpiqeshin ta ndihmonin jetonin nën presionin e frikës. Disa i jepnin bukë ose ndonjë copë djathë, por e porositnin të largohej sa më shpejt, sepse kishin frikë se mos dikush i shihte duke e strehuar. Por ai nuk u dorëzua. Instinkti për të mbijetuar, kujdesi ndaj bagëtive që i kishin shpëtuar konfiskimit dhe ndihma e disa njerëzve të mirë e mbajtën gjallë. Në atë moshë, atij iu desh të merrte përgjegjësi që zakonisht u takojnë të rriturve. Kur forcat e regjimit bastisën shtëpinë e familjes Verri, morën pasurinë që gjetën, përfshirë një lopë me viçin dhe një ka. Megjithatë, këto kafshë nuk ndodheshin në vathë me të tjerat në çastin e bastisjes dhe kështu i shpëtuan konfiskimit. Ai i çoi kafshët në një shtëpi të pabanuar dhe shkonte t’i kontrollonte në orët e vona të natës. Sipas dëshmisë së tij, këtë e dinte edhe i zoti i shtëpisë, Martin Gjek Bleta. Më vonë, ai i mori bagëtitë dhe u drejtua për në bjeshkë, ku gjeti strehim pranë një fisi të tij. Aty ruante delet e familjes që e kishte pranuar, ndërsa lopën e linte të kulloste me bjeshkatarët e tjerë. Një nga njerëzit që i dha strehë ishte Pllumb Mirasha, i cili, bashkë me familjen e vet, e trajtoi Kolën si një anëtar të shtëpisë. Por kjo siguri nuk do të zgjaste përgjithmonë. Përndjekja e familjes Verri do të merrte një kthesë edhe më të rëndë.

DJEGIA E KULLËS NË PLAVËR

Një ditë, ndërsa kulloste delet e Pllumb Mirashës në Tallas, Kola ktheu kokën nga Plavra dhe pa se shtëpia e tij ishte përfshirë nga flakët. Ai e kuptoi se forcat që kishin bastisur familjen kishin vazhduar ndëshkimin, duke marrë sendet që u kishin pëlqyer dhe duke i vënë zjarrin shtëpisë. Pa humbur kohë, ai la delet në mal, lajmëroi njerëzit që e kishin strehuar dhe u nis drejt shtëpisë. Në dëshminë e tij tregon se për 30 minuta minuta arriti përpara një zjarri të madh, i cili e kishte përfshirë ndërtesën. Me shtëpinë u shkrumbuan përpjekjet e një familjeje të tërë, puna e bërë ndër breza dhe sendet që përdoreshin për jetesën e përditshme. Kur u dogj kulla, familja Verri humbi bazën e saj ekonomike. Mbeti pa një strehë të sigurt, pa pajisjet e nevojshme për jetesë dhe pa mundësinë për t’u kthyer në normalitet. Për Kolën, që tashmë kishte humbur praninë e familjes për shkak të arrestimeve, pamja e shtëpisë në flakë ishte një tjetër goditje e rëndë. Djegia e shtëpisë e thelloi pasigurinë e tij. Pas kësaj, ai nuk vazhdoi më të ruante delet për Pllumbin Mirashën.

ARRESTIMI I NËNËS DHE I FËMIJËVE

Ndërkohë që Kola përpiqej të mbijetonte larg shtëpisë, pjesëtarët e tjerë të familjes ndodheshin në duart e Sigurimit të Shtetit. Nëna e tij, Pashkë Verri, ishte një grua e ve. Përveç dhimbjes së humbjes së bashkëshortit, asaj iu desh të përballej me një tjetër tragjedi, arrestimin dhe ndarjen nga fëmijët e saj. Së bashku me të u arrestuan edhe disa prej fëmijëve, përfshirë Prekën, Gjonin, Lulën dhe Prelën. Vëllai i vogël, Gjergji, ndodhej te daja në Megull. Sipas dëshmisë së Kolës, disa prej fëmijëve ishin ende të mitur kur u arrestuan. Familja Verri u gjend e ndarë. Disa pjesëtarë ishin në burg ose në hetuesi, Gjergji ishte te të afërmit, ndërsa Kola endej në kërkim të strehimit. Askush nuk mund ta dinte me siguri se kur do të mbaronte kjo gjendje dhe nëse do të arrinin të ribashkoheshin. Sipas rrëfimit, Gjoni, Prela dhe Lula u liruan pas 18 muajsh hetuesi. Kur u kthyen në Plan, ata nuk gjetën më shtëpinë ku kishin jetuar, sepse ajo ishte djegur, dhe as sendet e nevojshme për jetesë. Ata ishin të lirë nga burgu, por mbeteshin të burgosur të varfërisë, të pasigurisë dhe të pasojave të përndjekjes. Shytan Lulashi, ishte ndër njerëzit që i qëndruan pranë Kolës kur ai ishte fëmijë dhe që e ndihmuan të mos mbetej plotësisht i braktisur. Shytani e dërgoi Kolën në shkollën me konvikt të hapur për fëmijët e Dukagjinit në qelën e Arqipeshkvisë, në fshatin Xhan. Ai i propozoi të dërgoheshin tre fëmijë nga Plani dhe Kola pranoi, me kushtin që Shytani të vinte ta takonte një herë në javë. Konvikti i dha njëfarë rregulli jetës së tij. Më vonë, nxënësit u transferuan në Theth. Sipas dëshmisë së Kolës, një nga vështirësitë ishte furnizimi me ushqime dhe miell, të cilat silleshin nga Shkodra me mushka, për rreth njëqind persona, përfshirë edhe arsimtarët. Udhëtimi zgjaste dhjetë deri në dymbëdhjetë orë. Kur Gjoni, Prela dhe Lula u liruan, ata u kthyen në Plan, por nuk kishin asnjë mundësi të sigurt jetese. Shtëpia ishte djegur dhe familja nuk kishte burime të mjaftueshme për të siguruar strehim. Shytan Lulashi u erdhi përsëri në ndihmë. Ai i mbështeti derisa familja arriti të rregullonte një dhomë të vogël, një konak që më parë përdorej për bagëtitë. Dhoma u ndërtua me mure guri pa llaç, u mbulua me rrasa guri dhe nuk kishte tavan. Dyshemeja ishte vetë toka. Kjo ishte shtëpia e re e një familjeje që dikur kishte pasur një kullë të ndërtuar me mundin e disa brezave. Edhe banorët e fshatit ndihmuan me ushqime dhe shtroje për të fjetur.

KTHIMI NGA BURGU

Sipas dëshmisë së Kolës, nëna Pashkë dhe Preka u kthyen në shtëpi më 14 janar 1948. Pas një periudhe të gjatë burgimi, ata u gjendën përballë një realiteti që nuk ngjante më me jetën që kishin lënë pas. Nëna ishte kthyer nga burgu, por nuk kishte më shtëpinë ku kishte rritur fëmijët. Pasuria familjare ishte shkatërruar ose marrë, ndërsa mundësitë për të siguruar jetesën ishin shumë të kufizuara. Një vit pas djegies së shtëpisë, familja filloi përpjekjet për ta rindërtuar atë, pa pasur të ardhura të tjera përveç punës së krahut. Por përndjekja nuk kishte përfunduar. Në fund të vitit 1948, Prekën e morën ushtar. Në ngjarjet e gushtit 1949, lidhen me të ashtuquajturat provokacione të atij viti, ai u plagos. Më pas u arrestua nën akuzën e agjitacionit dhe propagandës. Sipas rrëfimit të Kolës, Preka u keqtrajtua dhe u la pa mjekimin e nevojshëm, duke mbetur për gjithë jetën me një krah të atrofizuar. Historia e familjes Verri nuk kufizohet te nëna Pashkë, Preka dhe fëmijët e tjerë. Ajo përfshiu edhe të afërm të familjes, të cilët u përballën me akuza dhe dënime të rënda. Në dëshminë e botuar përmendet Prek Ndou, i cili në gjyqin e parë u dënua me vdekje. Më pas, dënimi iu fal dhe u la në masën 101 vjet burg. Ai u dërgua në burgun e Burrelit dhe, u lirua në vitin 1949. Përmendet gjithashtu Vatë Gjeloshi, xhaxhai i familjes, i cili u dënua fillimisht me pesëmbëdhjetë vjet burg. Më vonë, gjyqi i tij u prish, pasi nuk kishte fakte që të vërtetonin strehimin e Patër Anton Harapit.

ARRESTIMI I KOLË VERRIT

Pavarësisht se Kola i kishte mbijetuar arrestimit të parë dhe kishte kaluar një periudhë të vështirë fëmijërie, edhe ai do të përballej më vonë drejtpërdrejt me burgun. Në rrëfimin e tij, Kola shpjegon se në vitin 1951 ishte ushtar dhe se më 31 korrik 1953 u arrestua. Gjykata Ushtarake e Tiranës e dënoi me 25 vjet heqje lirie për agjitacion dhe propagandë. Me vendim nr. 174, datë 19 nëntor 1953, Gjykata Ushtarake Tiranë e deklaroi fajtor për “tradhëti ndaj atdheut” dhe e dënoi me 25 vjet heqje lirie. Me vendim nr. 189, datë 17 korrik 1954, Gjykata e Lartë (Kolegji Ushtarak) e deklaroi fajtor për “pjesëmarrje në një organizatë kundër pushtetit popullor” me qëllim arratisjen në një shtet armik dhe e dënoi me 20 vjet heqje lirie, humbjen e të drejtave elektorale për 5 vjet kohë. U arrestua më 31 korrik 1953, dhe u lirua më 8 janar 1972. F. 1, Viti 2017, D. 107, f. 46-47. Ky arrestim ishte një tjetër goditje në jetën e një njeriu që, që nga mosha dymbëdhjetëvjeçare, kishte përjetuar pasojat e përndjekjes. Akuzat për agjitacion dhe propagandë ishin pjesë e mekanizmave me të cilët regjimi komunist ndëshkonte shprehjen e mendimeve ose qëndrimet që i konsideronte armiqësore. Një vit më vonë, ai u dënua përsëri për tentativë arratisjeje nga Kampi nr. 4 në Tiranë, së bashku me një grup prej njëzet vetësh. Për këtë çështje, atij iu dhanë edhe 20 vjet të tjera burg. Kolë Verri ishte ndër të burgosurit e dënuar në lidhje me hapjen e tunelit për arratisje nga kampi.

PËRPJEKJA PËR LIRI

Por si ndodhi ngjarja fatale në Kampin nr. 4 në Tiranë, pranë zonës së njohur si Blloku i udhëheqësve. Disa të burgosur kishin menduar të hapnin një tunel nëntokësor për të kaluar rrethimin e kampit. Plani, që kërkonte përpjekje dhe bashkëpunim mes të burgosurve, u zbulua përpara se ata të arrinin të realizonin arratisjen.Pas zbulimit të tunelit, nisi procesi që do të përcaktonte fatin e personave të akuzuar. Sipas dëshmisë së Kolë Verrit, të burgosurit u përballën me një gjykim të shpejtë dhe me dënime jashtëzakonisht të rënda. Kolë Verri ishte një nga personat e dënuar në këtë proces dhe e përjetoi drejtpërdrejt atë që ndodhi pas zbulimit të tunelit. Në rrëfimin e botuar në librin “Dhimbje 5”, Kolë Verri shprehet: “Më kanë arrestuar më 31 korrik 1953 dhe Gjykata Ushtarake në Tiranë më dënoi 25 vjet burg për agjitacion e propagandë, ndërsa një vit më vonë jam dënuar për tentativë arratisjeje nga kampi nr. 4 Tiranë, me grupin prej 20 vetash dhe më dënuan me 20 vjet burg”. Më 17 korrik 1954, të akuzuarit dolën para Gjykatës së Lartë Ushtarake. Sipas rrëfimit të Kolë Verrit, procesi përfundoi me dënime të rënda, shtatë persona u dënuan me vdekje, ndërsa të tjerët morën dënime të ndryshme me burg. Në dëshminë e tij, ai shprehet: “Nga Gjykata e Lartë Ushtarake, nga ky grup, shtatë vetë u dënuan me vdekje, të tjerët, na dënuan me 20-25 vjet burg.” Nga shtatë personat e dënuar me vdekje, treve iu fal jeta. Ata ishin Nasuf Gjilaj, Niko Mali dhe Besim Latifi. Katër të tjerët, Isuf Agolli, Zyhdi Mancaku, Mark Zefi dhe Abdullah Bajrami, u pushkatuan.

JETA SI SHTETGTAR

Përndjekja e familjes Verri vazhdoi edhe pas burgimeve të para. Familjarët u detyruan të shtegtarë nga një vend në tjetrin, duke kaluar në Tropojë, në Bushnesh dhe më pas në Shkodër. Anëtarët e familjes punonin në punë krahu. Pas humbjes së pasurisë, djegies së shtëpisë dhe viteve të burgimit, ata nuk kishin mundësitë që u ishin mohuar nga rrethanat politike. Duhej të mbështeteshin te puna fizike, shpesh në kushte të vështira, për të siguruar bukën e përditshme. Kola u detyrua të përballej me një realitet që do të ishte i vështirë edhe për një të rritur pasi që në moshën 12 vjeçare, ai mbeti pa familjen pranë, pa shtëpinë dhe pa sigurinë që një fëmijë duhet të ketë. Megjithatë, Kola kërkoi mënyra për të mbijetuar, ruajti lidhjet me të afërmit dhe pranoi ndihmën e njerëzve që e trajtuan me mirësi. Familja, nga ana tjetër, nuk hoqi dorë nga përpjekja për të rifilluar jetën. Pas lirimit nga burgu, anëtarët e saj u kthyen në një shtëpi të shkatërruar, ndërtuan një dhomë të thjeshtë dhe më vonë nisën të rindërtonin banesën me punën e tyre. Përndjekja e familjes Verri nuk përfundoi me burgosjen për disa prej anëtarëve të saj. Pasojat vazhduan në ekonominë familjare, në shëndetin e njerëzve, në marrëdhëniet shoqërore dhe në mundësitë arsimore të fëmijëve.

Artikuj te sugjeruar

video

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 4

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 4

Vendimi që ngre dyshime: Çfarë e detyroi gjyqtaren e Shkodrës të vendosë për 42-vjeçarin?

Nga t*rturat te ekzekutimi barbar: Masakra e ’97-ës që nuk u zbardh kurrë.

I pastrehu kërkon ndihmë, Bashkia e Korçës i “ofron” një rrenoje.

Paguaj që të punosh: Zbërthehet skema e mashtrimit me "punën nga shtëpia"

Skandali me tunelin e Skërficës: Pas dështimit 23-milionësh, ARRSH thërret policinë për "Piranjat"

Ermal Pashaj: "Jam këtu kundër mediokërve, kriminelëve dhe dështimit 13-vjeçar të kësaj politike"

Manastirliu, kandidatja për Bashkinë e Tiranës, plagjiatura e radhës.

Patronazhistët e Ogerta Manastirliut gjatë Pranisë Besnike

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 3

Shantazh në emër të dashurisë, 40-vjeçari terrorizon gruan e martuar.

Faturat e avokatit. Si u zhdukën mijëra euro pa bërë asnjë punë?

Nga tritoli te kërcënimet me jetë: Çfarë po ndodh me policin Altin Preka?

Saranda e fëmijërisë sime, sot mes plumbave

Nga mësuese filloreje në drejtoreshë gjimnazi. Historia që na vjen nga Ishmi i Durrësit.

Rilindësit me plagjiaturë / Piranjat kapin ish-ministren e Arsimit. Si do të justifikohet ajo?

Prania besnike, një strategji djallëzore për të eliminuar praktikat institucionale.

Fshije videon! Mos shkatërro një jetë.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 2

Nga burgu në arrest shtëpie: Eduard Limaj rikthehet te përndjekja e grave!

Haris Vongli: Dua të kthehem në Shqipëri për Davidin, tim bir.

Fyerje ndaj nxënësve, ngacmime e shkelje rregulloreje: Kush është nëndrejtori problematik?

Institucionet në shërbim të krimit: Pse hesht kryeministri për skandalet?

Nga tritoli te kërcënimet me jetë: Çfarë po ndodh me policin Altin Preka?

Porti i Durrësit po mbyllet, investimet në infrastrukturë vazhdojnë. Cili është justifikimi i APD?

Skandali me doktoraturën e Taulant Ballës: Piranjat zbulojnë mashtrimin!

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 1

“Dua 120 mijë euro”/ Si u zaptua prona në rrugën e Durrësit, zbardhet skema e mashtrimit

Tmerri i 40-vjeçares / Si u shndërrua njohja e re në përndjekje, shantazh dhe denigrim në rrjet

Pesë muaj pa të birin/ Nëna kërkon zbatimin e vendimit të gjykatës

TEC-et lundruese dhe mbetjet e rrezikshme/ KESH paguan edhe për trajtimin e mbetjeve të “Tigrave”

Liria nuk burgoset, as në Hagë, as në Beograd

“Ministrja kopjace”/ Klodiana Spahiu në krye të Shëndetësisë, punimi i diplomës rezulton plagjiaturë

“Nuk duam të ikim nga Shqipëria, por nga ju”/ Monologu i një brezi që nuk ju ka frikë

Flamingot që “zgjuan” një popull kundër qeverisë/ Revolta më e madhe qytetare në 30 vite

E premte | ? 20:45 | ???? Syri TV

Çdo të premte | ? 20:45 | ???? Syri TV

Si u tentua të shantazhohej me 100 mijë euro shefi i kabinetit të Përparim Ramës përmes mediave

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 16

Gruaja me dy identitete që premton “shërim” me ujin e kufomave në Pejë

A ka Shqipëria një Nicola Gratteri?

Katër nëna në kërkim të fëmijeve/ Bisedat që zbuluan rrjetin e errët

Flamur Gjuzi, i dënuar për"shpërdorim detyre" sot drejtor i Policisë Bashkiake, sërish shkel ligjin?

Pallatet u zhytën“Durrës Marina" dhe Autoriteti Portual bëjnë veprimin e papritur përballë skandalit

Ekskluzive/ Nicola Gratteri çmonton skemën e pastrimit të parave të ndërtimit në Tiranë

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 15

Enkel Demi duke luftuar paragjykimet për shqiptarët. (kamera e fshehtë)

Milva Ekonomi i firmosi miliona euro Vilma Nushit, kjo e fundit i investoi te kulla e Ervin Matës

Ajo çfarë mund të na mësojë Kosova.

Laboratorë “copy-paste”/ I njëjti mjek firmos analiza në disa pika, skema që ngre pikëpyetje