KOSOVA

Analiza e REL: Ballkani në qendër, si e sheh SHBA rajonin?

Piranjat Përditësimi i fundit 14 Dhjetor 2025, 13:31

Analiza e REL: Ballkani në qendër, si e sheh SHBA rajonin?

Dikur pjesë e vizionit strategjik të SHBA-së, sot Kosova gati se nuk figuron në Strategjinë e saj Kombëtare. Prioritetet e Uashingtonit kanë ndryshuar, dhe Kosova nuk e ka kapitalizuar periudhën e qetësisë, duke mbetur e cenueshme.

Në fillim të këtij muaji, Shtëpia e Bardhë e presidentit Donald Trump publikoi Strategjinë e saj të Sigurisë Kombëtare – një dokument që çdo administratë amerikane nxjerr për të shpjeguar prioritetet e saj në politikën e jashtme.

Strategjia, që mban firmën e presidentit, thekson se “ditët kur Shtetet e Bashkuara mbështesnin tërë rendin botëror si Atlasi, kanë mbaruar”, se “çështjet e vendeve të tjera janë shqetësim i SHBA-së vetëm nëse aktivitetet e tyre kërcënojnë drejtpërdrejt interesat amerikane” dhe se “Shtetet e Bashkuara do të riafirmojnë dhe zbatojnë Doktrinën Monroe për të rikthyer primatin amerikan në Hemisferën Perëndimore”.

Dokumenti prej 33 faqesh, po ashtu, bën thirrje për “kultivimin e rezistencës” në Evropë, duke paralajmëruar se kontinenti po nënvlerëson demokracinë, po bllokon paqen në Ukrainë dhe po përballet me “shuarje të civilizimit”, për shkak të migracionit të lartë dhe rënies së lindjeve.

Ai fajëson edhe zyrtarët evropianë për pengimin e përpjekjeve të SHBA-së për të ndalur luftën në Ukrainë dhe akuzon qeveritë se injorojnë një “shumicë të madhe evropiane” që dëshiron paqe.

Kosova përmendet vetëm në kapitullin e “parimeve”, si një nga sukseset e presidentit Trump në arritjen e paqes mes saj dhe Serbisë.

Evropianët e pritën me shqetësim këtë strategji – “themelet e partneritetit kërkojnë respekt të ndërsjellë, veçanërisht në momentet e divergjencës politike”, tha presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa.

Në vlerësimin e Olivia Enos, nga Instituti Hudson, strategjia pranon hapur se Amerika nuk mund të merret me gjithçka, lë jashtë disa rajone dhe probleme, dhe rendit qartë prioritetet, duke filluar me Hemisferën Perëndimore, pastaj Azinë, Evropën dhe në fund Lindjen e Mesme.

Kjo zgjedhje, sipas saj, është e diskutueshme për ata që duan një politikë të jashtme më të qëndrueshme, por është e qëllimshme.

“Unë e kam lexuar si renditje të prioriteteve. Të tjerët mund të mos pajtohen, por për mua mesazhi është i qartë: kjo është hemisfera jonë, prandaj kjo ka rëndësinë më të madhe për ne. Ne do të sigurohemi që kufiri ynë të jetë i sigurt. Ky është prioriteti kryesor”, thotë Enos për Radion Evropa e Lirë.

Për kritikët, strategjia është e ngarkuar ideologjikisht.

Ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, Daniel Fried, thotë se ajo ndan vlerat nga interesat, bie ndesh me politikat tjera amerikane dhe favorizon të djathtën radikale në Evropë, në kundërshtim me vetë qëllimet strategjike të SHBA-së.

Mospërfshirja e Kosovës dhe Ballkanit në përgjithësi në strategji, sipas Friedit, reflekton si uljen e urgjencës së krizës atje, ashtu edhe pritshmërinë që Evropa të marrë rolin kryesor.

Ai shton se, me tonin ideologjik të strategjisë së re, ndoshta është edhe “më mirë” për Kosovën që të mos përmendet fare.

“Strategjia mund ta kishte shpërfillur lehtësisht Ballkanin si çështje të Evropës dhe jo të SHBA-së. E, madje, mund ta kishte kritikuar edhe fokusin tonë të mëparshëm në Ballkan… se pse jemi përfshirë për shtetndërtimin e Kosovës apo për çështjet e të drejtave të njeriut, që na kanë çuar në konflikt ushtarak”, thotë Fried për programin Expose të Radios Evropa e Lirë.

Megjithatë, sipas tij, konfuzioni është i dukshëm edhe në vetë kryeqytetin e vendimmarrjes botërore – në Uashington.

Kongresi atje po shtyn përpara Aktin e Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare, i cili bie ndesh me Strategjinë Kombëtare.

Ai synon të forcojë angazhimin ushtarak të SHBA-së në Evropë dhe të rrisë vëmendjen ndaj bashkëpunimit të Rusisë me Kinën dhe Korenë e Veriut.

Ligji garanton 76.000 trupa amerikane në Evropë, ndalon tërheqjet e mëdha të pajisjeve dhe vazhdon mbështetjen për vendet baltike, për të frenuar Rusinë.

Në pjesën për Ballkanin Perëndimor thuhet, mes tjerash, se “është në interes të përbashkët të SHBA-së dhe vendeve të këtij rajoni që ato të kenë rritje dhe zhvillim ekonomik të qëndrueshëm”.

Marrëveshjen për Rrugën drejt Normalizimit të Marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë e vlerëson si “hap pozitiv përpara në avancimin e normalizimit midis dy vendeve” dhe thekson se ato duhet të përpiqen të bëjnë përparim të menjëhershëm në zbatimin e saj.

“Shtetet e Bashkuara duhet të vazhdojnë të mbështesin një marrëveshje përfundimtare gjithëpërfshirëse midis Kosovës dhe Serbisë bazuar në njohjen reciproke”, thuhet, po ashtu, në atë dokument.

Fried thotë se gjuha në Aktin e Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare është “krejtësisht e kundërta” me atë të strategjisë.

“Ajo vendos kufij mbi aftësinë e administratës për të tërhequr trupat nga Evropa. Ky është edhe një dokument republikan. Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, e ka mbështetur atë”, thotë Fried.

Për shkak të këtyre kontradiktave, siç i quan, Fried sheh edhe “një shpresë relative” – se SHBA-ja nuk është aq e vendosur të tërhiqet nga Evropa sa mund të sugjerojë strategjia.

Për Kosovën, aleanca me SHBA-në mbetet një bosht i pathyeshëm. Pas një takimi me presidetin Trump në shtator, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, tha se e ka falënderuar atë për, siç u shpreh, angazhimin e palodhshëm për paqe.

Gjatë këtij viti, Trump e ka përmendur disa herë Kosovën, kryesisht për të theksuar rolin e tij si ndërmjetës që ka ndalur konfliktin mes saj dhe Serbisë.

Për ish-diplomatin austriak, Wolfgang Petritsch, epoka e aleancës klasike mes Evropës dhe SHBA-së – ajo që u ndërtua pas vitit 1945 – ka marrë fund.

Në Ballkan, thotë ai, roli i SHBA-së po tkurret si në aspektin strategjik, ashtu edhe në atë politik. Rajoni shihet gjithnjë e më shumë si përgjegjësi evropiane dhe shtetet e Ballkanit, veçanërisht Kosova, e cila nuk është as anëtare e OKB-së dhe as e NATO-s, duhet të përshtaten me këtë realitet.

“Ne tani jetojmë në një epokë pasigurie – pasigurie të plotë – e cila për shtetet më të vogla dhe më të brishta si Kosova, paraqet sfidë edhe më të madhe sesa për ato që tashmë janë në Bashkimin Evropian dhe që mund të përpiqen të veprojnë bashkë brenda BE-së”, thotë Petritsch për Exposenë.

Ai nuk pret shpërthim të një konflikti të ri të madh në Ballkanin Perëndimor vetëm se SHBA-ja mund të ulë nivelin e angazhimit të saj. Ai thekson se Evropa ka interes jetik të mos lejojë një luftë tjetër në pragun e saj, përtej asaj që tashmë po zhvillohet në Ukrainë.

Kampi amerikan Bondsteel në Kosovë mbetet një element kyç i sigurisë, por pesha e tij në të ardhmen, thotë Petritsch, do të varet ndjeshëm nga marrëdhëniet SHBA-Rusi.

Fried, në anën tjetër, është më paralajmërues: sipas tij, rajoni do të bëhej më i cenueshëm nëse Shtetet e Bashkuara zvogëlojnë praninë dhe angazhimin e tyre.

Ai vlerëson se Rusia dhe Kina do ta shfrytëzonin një boshllëk të tillë amerikan në mënyra të ndryshme, por plotësuese.

“Kina do të përpiqet të blejë infrastrukturën dhe nyjet kyçe, për të fituar kontroll mbi më shumë sektorë të ekonomisë. Rusia do të përpiqet t’i përdorë disa vende si agjentë, për të shfrytëzuar dobësitë e tyre dhe për të krijuar kaos sa herë të mundet. Në secilin rast, të dyja vendet do ta shohin Ballkanin si një fushë për realizimin e ambicieve të tyre më të gjera”, thotë Fried.

Një anketë e kryer nga Instituti Ndërkombëtar Republikan gjatë periudhës maj-korrik të këtij viti tregon se udhëheqësit e dy fuqive të mëdha gëzojnë mbështetje të konsiderueshme në disa vende të Ballkanit.

Në Serbi, për shembull, 50 për qind e të anketuarve kanë një opinion “shumë të favorshëm” për Vladimir Putinin e Rusisë, ndërsa 38 për qind e kanë të njëjtin opinion për Xi Jinpingun e Kinës.

Në Kosovë, vetëm 7 për qind e të anketuarve shprehin opinion “shumë të favorshëm” për Putinin dhe 6 për qind për Xinë. E, për Trumpin kjo përqindje arrin në 52.

Fried thotë se Evropa, veçanërisht BE-ja, duhet ta marrë udhëheqjen në stabilizimin e Ballkanit Perëndimor, sepse e ardhmja më e qëndrueshme e rajonit është brenda BE-së.

Ai nënvizon se BE-ja duhet ta ketë fuqinë për të frenuar elementet agresive në Beograd, që veprojnë për nxitjen e konflikteve të reja në Kosovë ose për ta mbajtur Bosnjën të ndarë përgjithmonë.

Sipas tij, kur Evropa ta marrë plotësisht këtë përgjegjësi, hapësira për Rusinë dhe aktorët e tjerë destabilizues për të luajtur lojëra në Ballkan, do të zvogëlohet ndjeshëm.

“Evropa duhet ta marrë udhëheqjen tani. Kur ka dështuar, SHBA-ja është detyruar të ndërhyjë. E kuptoj këtë, por problemi real i takon Evropës, sepse e ardhmja më e mirë e këtyre vendeve është brenda Evropës – nëse duan të arrijnë potencialin që meritojnë”, thotë Fried.

Bashkimi Evropian konfirmon vazhdimisht angazhimin e tij për perspektivën e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në BE. Samiti i radhës BE-Ballkani Perëndimor do të mbahet më 17 dhjetor në Bruksel. Prej vendeve të rajonit, vetëm Kosova nuk është ende kandidate për anëtarësim.

Petritsch thotë se Kosova gjithmonë do të ketë nevojë për marrëdhënie profesionale dhe të qëndrueshme me Uashingtonin, por ajo duhet t’i përshtasë pritjet dhe të shmangë supozimin se SHBA-ja do t’i “rregullojë” problemet rajonale si në fund të viteve 1990.

Sipas tij, siguria dhe progresi i Kosovës do të varen shumë më tepër nga integrimi evropian, stabiliteti politik i brendshëm dhe arritja e kompromisit të vërtetë me pakicat.

“Kompromisi është thelbi i demokracisë. Mendoj se ideja për të gjetur një kompromis pozitiv, nuk është ende e fortë në Kosovë. Por, tani kohët po ndryshojnë. Evropa është partneri më i rëndësishëm dhe më relevant për ndërtimin e shtetit dhe për zhvillimin ekonomik dhe politik. Ajo duhet të bëhet tani një fokus i ri dhe serioz për Prishtinën”, thotë Petritsch.

Fried thekson rëndësinë që Kosova të jetë një shtet demokratik dhe jo një projekt nacionalist, që pasqyron pjesën më të keqe të së kaluarës së Serbisë.

“Unë kam qenë pjesë e vendimit të SHBA-së për të mbështetur pavarësinë e Kosovës, dhe ky ishte vendim i duhur. Flamuri i Kosovës është i shkëlqyer: nuk përfaqëson një komb të vetëm, por të gjithë banorët e vendit, dhe është i modeluar sipas flamurit të BE-së. Ai simbolizon qartë të ardhmen e Kosovës në Evropë për të gjithë qytetarët e saj. Marrëveshja jonë me Kosovën ishte: ne do të mbështesim pavarësinë, por ju duhet të punoni për një Kosovë demokratike, jo nacionaliste. Ne nuk duam një version të vogël të Serbisë së Millosheviqit”, përfundon Fried.

Kjo lë të kuptohet se në një rajon ku koha e pritjes së garancive të jashtme po mbaron, testi i vërtetë për Kosovën është gatishmëria për të zbatuar të drejtat e premtuara për qytetarët serbë dhe për të treguar se kompromisi demokratik, jo përplasja e vazhdueshme, është rruga drejt sigurisë dhe mbështetjes më të madhe evropiane. Në të kundërtën, Kosova rrezikon të mbetet peng i vetes, duke u dhënë të drejtë skeptikëve./REL

Artikuj te sugjeruar

video

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 16

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 16

Gruaja me dy identitete që premton “shërim” me ujin e kufomave në Pejë

A ka Shqipëria një Nicola Gratteri?

Katër nëna në kërkim të fëmijeve/ Bisedat që zbuluan rrjetin e errët

Flamur Gjuzi, i dënuar për"shpërdorim detyre" sot drejtor i Policisë Bashkiake, sërish shkel ligjin?

Pallatet u zhytën“Durrës Marina" dhe Autoriteti Portual bëjnë veprimin e papritur përballë skandalit

Ekskluzive/ Nicola Gratteri çmonton skemën e pastrimit të parave të ndërtimit në Tiranë

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 15

Enkel Demi duke luftuar paragjykimet për shqiptarët. (kamera e fshehtë)

Milva Ekonomi i firmosi miliona euro Vilma Nushit, kjo e fundit i investoi te kulla e Ervin Matës

Ajo çfarë mund të na mësojë Kosova.

Laboratorë “copy-paste”/ I njëjti mjek firmos analiza në disa pika, skema që ngre pikëpyetje

Rrjeti i ‘errët’ i vajzave të zhdukura! Bisedat tronditëse si funksiononte grupi.

Bleu 300 m2 tokë në vitin 2004, kthehet nga emigrimi dhe gjen aty vilë 3-katëshe.

“Na detyruan nga Dubai”/ Konstruktori i Durrës Marina zbulon pse u zhytën pallatet

Drejtori që tregon sjellje të pahijshme me nxënësen: Jam i fortë edhe në parti

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 14

Turisti zemërgjerë nga Italia dhe patatinat falas

Aksidentet “pushtojnë” oborrin e familjes në Klos, banori: Një ditë do ndodhë tragjedi

Lidhja jashtëmartesore që përfundoi në makth /32-vjeçarja rrëfen shantazhin me video intime

Sherr në terminalin e Peshkopisë, shoferi: Mos më vidh pasagjerët! Shko ha bukë te pjesa jote

Artisti dhe Frika

Si u kthye në urrejtje dashuria mes ish-bashkëshortëve dhe ‘lufta’ për 200 mijë euro!

14-vjeçare me dr*gë dhepro*titucion, rrjeti i errët i minoreneve të zhdukura

Zhytja e pallateve te Alabarit/ IKMT pranon anomalitë në “Durrës Marina”: Janë zhytur 28 cm

"Ederlezi", festa e veçantë e komunitetit rom.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 13

Do t’i fus duart edhe nëse bërtet, motra e 13 vjeçares rrëfen tmerrin e mesazheve që mësuesi ia çon

“Inspektori gjobëvënës” i bashkisë terrorizon qytetarët

Pagat e mohura të druvarëve në Navaricë! Miliona lekë për të marrë dhe kërcënime

Rruga Thumanë–Kashar/ 1 miliard euro dhe “5 lekëshi” që po merret nga xhepat e qytetarëve

Me viza turistike ose kontrata futbolli drejt Europës/ Kush fshihet pas skemës së trafikimit?

Nënat denoncojnë ikjet nga shtëpia dhe jetën e dyshimtë të adoleshentëve

Për mediat dhe fëmijët

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 12

Muzikanti i rruges “vjedh” koleget. Banka e fundit

Dajak për 50 metra rrugë në Dibër, kushërinjtë në ’luftë’ për pronën.

Fisnik Syla, “BAMIRËS” apo shantazhues

A janë "idiotë "shqiptarët e Maqedonisë së Veriut? Çfarë do të thoshte Arbën Xhaferraj?

Presidenti i FSHP reagon për deklaratat e Erkand Qerimaj: Lajthita atëherë, tani kam reflektuar

Nga jetimorja te humbja e kujdestarisë. Rrëfen nëna që kërkon bashkimin me vajzën pas 13 vitesh

Tigrat e Vlorës: energjia që prodhohet 6 herë më shtrenjtë se sa shitet.

Skandali i zhytjes së pallateve në Durrës Marina / Ndërhyn IKMT.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 11

Dhjetëra punonjës fasonerie pa marrë pagat: Blerimi mori lekët dhe u zhduk! Pronari premton zgjidhje

Hapet filial i bankës turke në “zemër” të Bllokut, reklamat vendosen pa leje

Energji për brezin tim

Nga ‘Viola’ tek Dorina: Si përfundoi në borxh një histori dashurie në distancë

Firma “Trade Minerals Al” po shkatërron mjedisin dhe infrastrukturën e fshatit Gjegjan në Kukës

Nga shpërthimi i drejtorit te prapaskenat e ushqimit në institucionin privat në Elbasan