BOTA

A po i shet Serbia armë Izraelit? Fluturimet misterioze ngrenë dyshime

Piranjat Përditësimi i fundit 11 Mars 2026, 12:38

A po i shet Serbia armë Izraelit? Fluturimet misterioze ngrenë dyshime

Nga Tel Avivi në Beograd dhe më pas përsëri në Tel Aviv. Ky ishte itinerari i një avioni izraelit të transportit më 5 mars, konstatoi Radio Evropa e Lirë përmes një analize të faqeve të specializuara për ndjekjen e fluturimeve.

Avioni ishte i destinuar për transportimin e ngarkesave të rënda dhe të rrezikshme, siç janë armët.

Megjithatë, nuk është e qartë se çfarë ka transportuar, pasi institucionet përgjegjëse nuk kanë dhënë sqarime.

Kjo nuk është hera e vetme që një avion transporti i kompanisë private izraelite “Challenge Airlines IL” ka ateruar në Beograd gjatë muajit të fundit.

REL-i ka zbuluar se gjatë shkurtit dhe në fillim të marsit, dy avionë transporti të kësaj kompanie kanë kryer së paku nëntë fluturime mes Serbisë dhe Izraelit, në të dyja drejtimet.

Dy prej këtyre fluturimeve u regjistruan pas përshkallëzimit të konfliktit në Lindjen e Mesme më 28 shkurt, kur Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli nisën sulmet ndaj Iranit.

Radio Evropa e Lirë pyeti ministritë serbe të Mbrojtjes, Punëve të Jashtme dhe Tregtisë për këto fluturime dhe për atë se çfarë është transportuar me to, por nuk mori përgjigje.

Përgjigje nuk ktheu as kompania izraelite që është pronare e avionëve transportues.

Serbia pezulloi eksportin e armëve në fund të qershorit të vitit të kaluar, pas një udhëzimi të presidentit Aleksandar Vuçiq.

Kjo ndodhi në kulmin e konfliktit izraelito-iranian dhe mes akuzave nga Moska se Serbia, përmes ndërmjetësve, po eksportonte municion drejt Ukrainës.

Por, sipas informacioneve të konfirmuara për Radion Evropa e Lirë nga dy fabrika shtetërore të armëve, eksporti i armëve jashtë Serbisë ka rifilluar sërish në shkurt.

Me gjithë përpjekjet e vazhdueshme të REL-it, institucionet shtetërore në Serbi nuk kanë zbuluar se çfarë eksportojnë, kujt dhe në çfarë kushtesh.

Sipas Zyrës së Statistikave të Republikës së Serbisë, në vitin 2025, Serbia eksportoi armë dhe municione me vlerë rreth 50 milionë dollarë.

Kjo është gjysma e shumës së regjistruar në vitin 2024, kur eksportet, sipas të dhënave të njëjta, tejkaluan 104 milionë dollarë.

Megjithatë, këto nuk janë shuma përfundimtare, pasi të dhënat e sakta nuk janë të disponueshme publikisht.

Serbia, prej vitesh tashmë, nuk publikon se çfarë armësh dhe pajisjesh ushtarake eksporton, kujt dhe në çfarë sasie.

Aeroporti “Nikolla Teslla” i Beogradit nuk jep detaje për atë që është transportuar nga aeroplanët e mallrave që fluturuan nga Beogradi në Tel Aviv dhe anasjelltas, në shkurt dhe në mars.

Në përgjigjen dhënë Radios Evropa e Lirë thuhet se aeroporti u lejon linjave ajrore të përdorin infrastrukturën e tij “në përputhje me rregulloret ndërkombëtare dhe kombëtare që rregullojnë transportin e pasagjerëve dhe llojeve të ndryshme të ngarkesave në trafikun ajror”.

Nuk është e qartë se kush e ka angazhuar linjën ajrore private izraelite, pasi ministritë përkatëse nuk u janë përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë.

“Challenge Airlines” e Izraelit e përshkruan veten si linjë ajrore e specializuar në transportin e “ngarkesave jostandarde”.

Sipas të dhënave nga ueb-faqja e saj, ajo zotëron tre aeroplanë Boeing të destinuar për trafik mallrash.

Kompania thuhet se ofron shërbime të rregullta midis Tel Avivit dhe vendeve evropiane, si dhe në Shtetet e Bashkuara, nëpërmjet Aeroportit të Liezhit në Belgjikë.

Ajo gjithashtu thotë se ka licenca të ndryshme sigurie për transportin ajror të mallrave, të lëshuara nga Bashkimi Evropian, SHBA-ja, Kina dhe vende të tjera.

Thekson se është e trajnuar për të transportuar një sërë mallrash - nga ushqimet tek eksplozivët, barnat dhe makineritë e mëdha.

Që nga shpërthimi i konfliktit në Lindjen e Mesme në fund të shkurtit, një pjesë e madhe e trafikut ndërkombëtar ajror në atë rajon është pezulluar dhe fluksi i mallrave është zvogëluar ndjeshëm.

Megjithatë, “Challenge Airlines” vazhdon të fluturojë për në Izrael dhe të ofrojë shërbime mallrash.

Më herët, në nëntor të vitit 2024, mediat belge raportuan se kjo linjë ajrore ka paraqitur ankesa kundër rregulloreve federale dhe rajonale në Belgjikë, që kufizojnë transportin e armëve dhe pajisjeve ushtarake në Izrael.

Sipas tyre, “Challenge Airlines” ka mohuar atëkohë se po transportonte armë, duke pretenduar se po dërgonte ndihmë humanitare dhe ushqime në Izrael.

Radio Evropa e Lirë monitoroi fluturimet e dy aeroplanëve mallrash të kompanisë “Challenge Airlines”, me shenja regjistrimi 4X-IAJ dhe 4X-ICK, të cilët mbërritën në Aeroportin e Beogradit.

Njëri prej tyre, aeroplani 4X-ICK, u ul në Beograd në qershor të vitit 2025, në kohën e futjes së embargos së eksportit të armëve.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, refuzoi atëkohë t’u përgjigjej pyetjeve në lidhje me këtë aeroplan, duke deklaruar: “Nuk më shkon ndërmend të them se çfarë u ngrit dhe çfarë u ul”.

Faqja e internetit “Flight Radar” regjistroi historinë e fluturimeve të këtij aeroplani gjatë gjithë vitit të kaluar.

Përveç në Beograd, i njëjti aeroplan mallrash ka fluturuar edhe në qytete tjera evropiane dhe në Shtetet e Bashkuara në muajt e fundit.

Shtetet e Bashkuara janë eksportuesi më i madh i armëve në Izrael - me dërgesa me vlerë prej miliarda dollarësh. Dy të tretat e importeve të armëve të Izraelit janë nga SHBA-ja.

Nga Serbia, sipas pohimeve të Vuçiqit, dërgesa e municioneve është rritur që nga tetori i vitit 2023.

Në atë kohë, Izraeli u sulmua nga Hamasi - organizatë palestineze që SHBA-ja dhe BE-ja e konsiderojnë terroriste.

Izraeli, më pas, nisi një ofensivë tokësore në Rripin e Gazës, e cila çoi në vrasje masive të civilëve palestinezë, shkatërrim qytetesh dhe krizë humanitare.

Kombet e Bashkuara e kanë akuzuar Izraelin për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut dhe krime lufte.

Edhe para se autoritetet e Beogradit të pranonin se dërgesat e armëve në Izrael janë përshpejtuar, ekipet ndërkombëtare të gazetarëve hulumtues kanë raportuar se eksportet e armëve nga Serbia në Izrael janë rritur për 30 herë që nga tetori i vitit 2023.

Vuçiq më pas u bë cak i kritikave nga një pjesë e opozitës dhe publikut në Serbi, sipas të cilëve, ai - në këtë mënyrë - është rreshtuar me autoritetet izraelite.

Megjithatë, pas sulmit të Izraelit ndaj Iranit në qershor të vitit 2025, Vuçiq vlerësoi se të dyja vendet ishin “miqësore” me të, ndërsa Ministria e Mbrojtjes e Serbisë njoftoi se eksporti i armëve dhe pajisjeve ushtarake, sipas udhëzimeve të presidentit, është pezulluar.

“Një degë e tërë e industrisë është ndaluar, që nga qershori e këndej, pa bazë ligjore... sepse dikush dëshiron kështu”, thotë analisti ushtarak serb, Aleksandar Radiq.

Ai shton se, përveç njoftimit të Ministrisë së Mbrojtjes dhe deklaratave të Vuçiqit, nuk është publikuar asnjë dokument zyrtar për këtë “embargo”.

Shteti serb nuk konfirmon se “moratoriumi” mbi eksportet është hequr, por punonjës të dy fabrikave shtetërore armësh në Serbi e pohojnë një gjë të tillë.

Ata thonë se në shkurt të vitit 2026 kanë marrë një letër, ku thuhej se, pas një ndalimi tetëmujor, eksportet jashtë vendit do të rifillonin.

“Sindikata mori informacion nga udhëheqja se shteti ka miratuar një pjesë të eksportit të armëve ushtarake”, thotë për Radion Evropa e Lirë Aleksandar Tadiq, kryetar i sindikatës në fabrikën “Zastava Oruzhja” në Kragujevc.

“Ne nuk e dimë zyrtarisht se kush janë blerësit, nga cilat vende, por ky është hapi i parë dhe i mirë për fabrikën, sepse ishte në një situatë të vështirë, për shkak të ndalimit të eksportit”, thotë Tadiq.

Ai shton se dërgesat e armëve sportive të gjuetisë, të cilat prodhohen gjithashtu në këtë fabrikë në Serbinë qendrore, kanë filluar “shumë kohë më parë” drejt Shteteve të Bashkuara, të cilat janë ndër partnerët kryesorë për këto dërgesa.

Udhëheqja e fabrikës “Zastava oruzhja” nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë në lidhje me eksportet.

Në Uzhicë, në Serbinë perëndimore, ku ndodhet selia e fabrikës së armëve “Prvi Partizan”, punëtorët morën të njëjtin lajm.

“Ne morëm informacion rreth një muaj më parë se eksportet kanë filluar; nuk kemi ide se ku ose çfarë do të shkojë”, thotë për Radion Evropa e Lirë një prej pjesëtarëve të sindikatës së kompanisë “Prvi Partizan”, duke folur në kushte anonimiteti.

Administrata e kësaj fabrike nuk e konfirmoi këtë informacion për Radion Evropa e Lirë.

Përgjigje nuk kthyen as selitë e kompanive të tjera shtetërore të prodhimit dhe tregtisë së armëve, të cilat janë anëtare të Industrisë Serbe të Mbrojtjes.

Ngjashëm, as Ministria e Mbrojtjes e Serbisë nuk tregoi nëse eksportet e armëve jashtë vendit kanë rifilluar dhe në çfarë kushtesh.

“Që nga qershori i vitit të kaluar ka prova të forta se eksporti ka vazhduar, në disa situata të jashtëzakonshme, kur dikush ka vendosur ta bënte atë”, thotë analisti ushtarak, Aleksandar Radiq.

Këtë e vërteton edhe fakti se, derisa në Serbi ishte në fuqi ndalesa për eksportin e armëve, sipas udhëzimeve të presidentit, Azerbajxhani dhe Qiproja krenoheshin me armë artilerie nga fabrikat serbe.

Vitin e kaluar, Azerbajxhani shfaqi obusët vetëlëvizës “Nora”, ndërsa Qiproja shfaqi raketahedhësit “Tamnava”.

“Të dyja sistemet u shfaqën për herë të parë në gjysmën e dytë të vitit 2025 dhe është shumë e mundur që ato të jenë eksportuar pas shpalljes së ‘moratoriumit’”, thotë për Radion Evropa e Lirë Katarina Gjokiq nga Instituti Ndërkombëtar i Kërkimeve për Paqen në Stokholm (SIPRI).

Serbia është e detyruar të raportojë eksportin e armëve të rënda dhe të lehta, në përputhje me konventat ndërkombëtare. Këto raporte ndërkombëtare publikohen në mes të vitit, për vitin paraprak.

“Por, pjesa më e madhe e eksporteve nuk është e dukshme atje, sepse sasi të mëdha municionesh (të cilat nuk u nënshtrohen këtyre deklarimeve) po nxirren nga Serbia. Vlera dhe vëllimi i eksporteve të municioneve nuk mund të shihen nga këto deklarime”, thotë Radiq.

Sipas ligjit, lejet për eksportin e armëve dhe pajisjeve ushtarake lëshohen nga Ministria e Tregtisë së Brendshme dhe të Jashtme e Serbisë.

Ato kërkojnë pëlqimin e ministrive të Punëve të Jashtme, të Brendshme, të Mbrojtjes dhe të Agjencisë së Sigurisë dhe Inteligjencës. Gjithashtu kërkohet edhe një certifikatë e Përdoruesit Fundor, e vërtetuar nga një organ zyrtar i vendit të këtij përdoruesi.

Gjatë lëshimit të një leje tregohet kujdes që eksporti të mos shkelë sanksionet ndërkombëtare, të mos kërcënojë respektimin e të drejtave të njeriut në vendin e destinacionit përfundimtar dhe të mos mundësojë shpërthimin ose vazhdimin e konflikteve të armatosura dhe të tjera në vendin e përdorimit përfundimtar./REL

Artikuj te sugjeruar

video

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 5

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 5

3 vite pa licencë: Si u punësua psikologia në Vorë dhe kush mban përgjegjësi?

Flet i dyshuari i Masakrës së Beratit: Çfarë zbulon Kudret Zhuka?

Ne jemi me ju, gjatë gjithë vitit!

Zëri ynë për çdo grua që lufton sot!

Konflikti familjar në Klos që përfundoi në dhunë: Çfarë ndodhi mes Fluturës dhe të afërmve?

Kalvari i Anxhelës: Si u kthye një histori dashurie në një makth të vërtetë?

"Doktor Shkencash": Çfarë fshihet pas titullit akademik të Ulsi Manjës?

Unë e njoh atë djalin e shtrirë përtokë.

4 ditë revolte, gjenerata e re flet ndryshe.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 4

Vendimi që ngre dyshime: Çfarë e detyroi gjyqtaren e Shkodrës të vendosë për 42-vjeçarin?

Nga t*rturat te ekzekutimi barbar: Masakra e ’97-ës që nuk u zbardh kurrë.

I pastrehu kërkon ndihmë, Bashkia e Korçës i “ofron” një rrenoje.

Paguaj që të punosh: Zbërthehet skema e mashtrimit me "punën nga shtëpia"

Skandali me tunelin e Skërficës: Pas dështimit 23-milionësh, ARRSH thërret policinë për "Piranjat"

Ermal Pashaj: "Jam këtu kundër mediokërve, kriminelëve dhe dështimit 13-vjeçar të kësaj politike"

Manastirliu, kandidatja për Bashkinë e Tiranës, plagjiatura e radhës.

Patronazhistët e Ogerta Manastirliut gjatë Pranisë Besnike

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 3

Shantazh në emër të dashurisë, 40-vjeçari terrorizon gruan e martuar.

Faturat e avokatit. Si u zhdukën mijëra euro pa bërë asnjë punë?

Nga tritoli te kërcënimet me jetë: Çfarë po ndodh me policin Altin Preka?

Saranda e fëmijërisë sime, sot mes plumbave

Nga mësuese filloreje në drejtoreshë gjimnazi. Historia që na vjen nga Ishmi i Durrësit.

Rilindësit me plagjiaturë / Piranjat kapin ish-ministren e Arsimit. Si do të justifikohet ajo?

Prania besnike, një strategji djallëzore për të eliminuar praktikat institucionale.

Fshije videon! Mos shkatërro një jetë.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 2

Nga burgu në arrest shtëpie: Eduard Limaj rikthehet te përndjekja e grave!

Haris Vongli: Dua të kthehem në Shqipëri për Davidin, tim bir.

Fyerje ndaj nxënësve, ngacmime e shkelje rregulloreje: Kush është nëndrejtori problematik?

Institucionet në shërbim të krimit: Pse hesht kryeministri për skandalet?

Nga tritoli te kërcënimet me jetë: Çfarë po ndodh me policin Altin Preka?

Porti i Durrësit po mbyllet, investimet në infrastrukturë vazhdojnë. Cili është justifikimi i APD?

Skandali me doktoraturën e Taulant Ballës: Piranjat zbulojnë mashtrimin!

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 1

“Dua 120 mijë euro”/ Si u zaptua prona në rrugën e Durrësit, zbardhet skema e mashtrimit

Tmerri i 40-vjeçares / Si u shndërrua njohja e re në përndjekje, shantazh dhe denigrim në rrjet

Pesë muaj pa të birin/ Nëna kërkon zbatimin e vendimit të gjykatës

TEC-et lundruese dhe mbetjet e rrezikshme/ KESH paguan edhe për trajtimin e mbetjeve të “Tigrave”

Liria nuk burgoset, as në Hagë, as në Beograd

“Ministrja kopjace”/ Klodiana Spahiu në krye të Shëndetësisë, punimi i diplomës rezulton plagjiaturë

“Nuk duam të ikim nga Shqipëria, por nga ju”/ Monologu i një brezi që nuk ju ka frikë

Flamingot që “zgjuan” një popull kundër qeverisë/ Revolta më e madhe qytetare në 30 vite

E premte | ? 20:45 | ???? Syri TV

Çdo të premte | ? 20:45 | ???? Syri TV

Si u tentua të shantazhohej me 100 mijë euro shefi i kabinetit të Përparim Ramës përmes mediave

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 16

Gruaja me dy identitete që premton “shërim” me ujin e kufomave në Pejë