POLITIKE

REL: Rama në turne evropian për të mbledhur mbështetje për PS-në

M.B. Përditësimi i fundit 14 Maj 2024, 13:34
REL: Rama në turne evropian për të mbledhur mbështetje
Njerëzit bëjnë fotografi të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, teksa ai mbërrin në një stadium para emigrantëve shqiptarë, në Athinë, Greqi, 12 maj 2024.

TIRANA- Me Greqinë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, nisi një turne që synon mbledhjen e mbështetjes për Partinë e tij Socialiste edhe në mesin e diasporës shqiptare. Anëtarësime të reja në PS dhe investime në Shqipëri janë qëllime të deklaruara të Ramës. Ndalesa të radhës për to do t’i ketë: Italinë, Gjermaninë dhe Mbretërinë e Bashkuar. Në Athinë, të dielën e 12 majit, ai u takua me mijëra emigrantë, përfaqësuesit e të cilëve thonë se kishin pritje më të mëdha prej tij, në lidhje me disa probleme me të cilat përballen.

Në Shqipëri, pushteti e cilësoi takimin si të frytshëm, ndërsa opozita si “propagandë”. Gjatë takimit me emigrantët në një sallë të stadiumit “Galatsi” në kryeqytetin grek, Rama bëri thirrje për një histori të re në marrëdhëniet Shqipëri-Greqi.

“Shqipëria nuk ka asnjë pretendim tjetër ndaj Greqisë përveç respektit reciprok, kujdesit reciprok për bashkëkombësit që jetojnë në të dyja shtetet tona, marrëdhënieve reciproke të miqësisë dhe të fqinjësisë së mirë... Shqipëria e sheh Greqinë si një partner të natyrshëm strategjik”, tha Rama.

Ai pranoi se në dhjetë vjet të qeverisjes ka bërë, siç tha, edhe gabime, por “në asnjë rast nuk i ka shitur interesat e shqiptarëve”. Rama theksoi se është absurde që Greqia mban ende në fuqi ligjin e luftës me Shqipërinë - një ligj që e hoqi me Italinë.

Ai kujtoi, siç u shpreh, sakrificat e shqiptarëve nga detyrimi “për t’i ndryshuar emrat në greqisht” deri te “përballja me operacionet e largimit të atyre pa dokumente nga Greqia”.

Rama i cilësoi emigrantët si “zot të barabartë shtëpie, e jo shërbëtorë të dikurshëm të Greqisë”. Sipas tij, mes dy vendeve ka negociata dhe, së shpejti, ato pritet të pajtohen për njohjen e pensioneve të emigrantëve shqiptarë, si dhe për disa lehtësime në përfitimin e shtetësisë greke.

“Më në fund kemi arritur të çelim negociata në nivel ekspertësh për marrëveshjen e pensioneve me Greqinë. Po ashtu, kemi hapur edhe dialogun dypalësh në nivel teknik për problematikën e lejeve të qëndrimit dhe procedurën e marrjes së shtetësisë me natyralizim. Ka goxha progres dhe jam besimplotë që shumë shpejt do të merrni lajme shumë të mira”, tha Rama, por nuk dha ndonjë afat konkret.

Diaspora në Shqipëri nuk është e regjistruar, por, sipas një raporti të Institutit të Statistikave në vitin 2020, numri i emigrantëve pas viteve ’90 ka arritur në rreth 1.68 milion. Në Greqi jetojnë rreth 500 mijë shqiptarë. Përfaqësues të diasporës atje thonë se shqiptarët nuk janë të integruar si komunitet, por si individë. Mijëra shqiptarë në Greqi nuk arrijnë të përfitojnë pension, pasi nuk ka marrëveshje mes dy vendeve për t’i njohur sigurimet shoqërore.

Shqiptarët në Greqi janë përballur shpesh me probleme edhe sa i përket pajisjes me leje të qëndrimit dhe marrjes së shtetësisë. Kjo, për shkak të ndryshimeve të herëpashershme të ligjeve dhe vendimeve qeveritare, por edhe kohës së shkurtër në dispozicion për rinovimin e dokumenteve. Një gjë e tillë ka çuar edhe në kthime masive të shqiptarëve, apo moslejim të kalimit të kufirit të atyre që kanë qenë në Shqipëri në kohën kur kanë ndodhur ndryshimet.

Pushteti dhe opozita në Shqipëri janë të ndarë në qëndrime sa i përket turneut të Ramës me diasporën dhe takimit të parë në Athinë. Lavdrim Krashi, i cili u kthye nga Londra në Shqipëri dhe në vitin 2021 fitoi mandatin e deputetit të Partisë Socialiste, thotë se fjalimi i Ramës ishte i ndjerë, për shkak se edhe vetë e ka provuar emigrimin. Ai e kundërshton opozitën që e cilëson atë takim si “propagandë”.

“Nuk e vlerësoj si takim apo fjalim nacionalist, është patriotik. Do ta ftoja opozitën ta shihte jashtë kontekstit politik. Diaspora nuk i takon asnjë force politike. Qëllimi i këtij takimi nuk ishte aspak politik, nuk lidhet as me zgjedhjet që do të mbahen në Shqipëri në vitin 2025, as me zgjedhjet në Greqi. Ai foli drejtpërdrejt për disa çështje të nxehta dhe për mua politika më e mirë është ajo e drejtpërdrejtë. Nëse problemet nuk thuhen, ato nuk zgjidhen”, thotë Krashi për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tij, takimi ishte pjesë e një procesi për t’i dhënë energji Partisë Socialiste, që ka nisur prej pak kohësh në Shqipëri. Krashi thotë se diaspora nuk duhet mbajtur larg, pasi ka potenciale të mëdha që nuk janë shfrytëzuar sa duhet. Por, ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë, deputeti i Partisë Demokratike në opozitë, Tritan Shehu, thotë se takimi i “lë njollë” Shqipërisë.

“Asnjë kryeministër perëndimor nuk do ta bënte një takim të tillë. Ishte një takim që tregon se vendi ynë drejtohet apo sundohet nga një regjim tipik lindor. Ishte demonstrim i asaj që po ndodh në Shqipëri, i asaj që kanë diktatorët për të treguar forcë, për të zhvilluar politikë propagandistike, që i lë njollë vendit”, thotë Shehu.

Luan Zyka, përfaqësues i diasporës shqiptare në Greqi, thotë se takimi ishte një zhvillim pozitiv për ta, por thekson se nuk pati asnjë bashkëbisedim.

“Është gjë e mirë që kryeministri vjen këtu, por nuk pati asnjë takim me asnjë përfaqësi, pati vetëm fjalime të kryeministrit dhe ministrave, por jo dialog dhe bashkëbisedim. U thanë disa të vërteta të drejtpërdrejta, por ne këto i dimë, ne presim zgjidhje”, thotë Zyka për Radion Evropa e Lirë.

Florian Hackaj, drejtues i shoqatës “Diaspora e lirë për Shqipërinë”, thotë gjithashtu se nga një kryeministër nuk pritet vetëm të përmendë probleme, por edhe të japë zgjidhje për to.

“Për mua ishte ‘show’ [shfaqje] i kryeministrit dhe partisë që ai drejton”, thotë Hackaj.

Në lidhje me votën e diasporës, ai thotë se çdo takim me diasporën pa i mundësuar votën, është retorikë dhe propagandë boshe. Vota e diasporës ishte premtim i Ramës që nga viti 2016, por i parealizuar deri më tash. Kreshnik Spahiu, jurist, i cili jeton në Berlin, thotë se Rama nuk e ka zhvilluar takimin në Athinë pa konsultim me diplomacinë ndërkombëtare. Për të, Rama mbylli një “faqe të zezë” të historisë së inferioritetit të shtetit e popullit shqiptar në Ballkan dhe hapi një faqe të re të reciprocitetit. Por, nëse e sheh vetëm si takim me emigrantët, ai thotë se lë shumë për të dëshiruar.

“Nëse e shohim vetëm kështu... mesazhet ishin të buta në raport me pritshmëritë që kanë emigrantët dhe të drejtat kushtetuese që duhet t’i kenë ata në Greqi”, thotë Spahiu.

Deputeti socialist, Krashi, thotë se marrëdhëniet mes dy vendeve janë vërtet komplekse për disa çështje, siç janë: njohja e pensioneve apo lejet e qëndrimit. Sipas tij, kompleksiteti qëndron te numri i lartë i shqiptarëve që jetojnë në Greqi. Por, ish-ministri Shehu thekson se marrëdhëniet mes dy vendeve janë në pikën më të ulët dhe kjo, sipas tij, është shkaktuar nga “aventurat politike” të Qeverisë Rama.

“Politikat e jashtme rajonale janë aventureske si me Greqinë, si me Serbinë e [presidentit Aleksandar] Vuçiç... Rama nuk e do integrimin, kërkon të krijojë probleme me fqinjët për ta penguar integrimin”, thotë deputeti i opozitës.

Zyka, në anën tjetër, thotë se diaspora nuk e di nëse çështja e pensioneve dhe çështja e lejeve të qëndrimit janë në rrugën e zgjidhjes.

“Ajo që dimë, është se është ngritur një komision i përbashkët për t’i zgjidhur, por prej një viti ne dimë që janë pezulluar punimet, nuk ka përparim. Presim qasje të re, si do të zgjidhet, çfarë strukturash ka shteti për t’i trajtuar problemet e diasporës...”, thotë Zyka.

Spahiu, si njohës i marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Greqisë, thotë se takimi i Ramës në Athinë nuk do të ketë asnjë ndikim në këtë drejtim.

“Rama nuk kërkoi asgjë, as varreza të shqiptarëve për gjenocidin që është bërë... Nuk kërkoi të ketë një falje për gjenocidin ndaj shqiptarëve, vrasjen dhe shpërnguljet, asnjë hap konkret për kthimin e pronave të çamëve në zonat e veriut të Greqisë. Nuk kërkoi minimalen, që ata shqiptarë që kishte në sallë të bëheshin pjesë e vendimmarrjes politike të shtetit grek apo shqiptar, si turqit në Gjermani që kanë 20 vende në Parlamentin gjerman”, thotë Spahiu.

Në vitin 1994, Kuvendi i Shqipërisë vendosi që 27 qershori të njihet si “Dita e gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë nga shovinizmi grek”. Ajo i referohet 27 qershorit të vitit 1944, kur ushtria greke dëboi mijëra shqiptarë nga trojet etnike në jug të Shqipërisë - sot veriu i Greqisë. Në masakrat e ushtrisë greke u vranë 600 shqiptarë dhe rreth 2.400 të tjerë vdiqën për shkak të mungesës së ushqimit dhe vuajtjeve të tjera. Trojet shqiptare të Çamërisë u zaptuan nga Greqia gjatë Luftërave Ballkanike dhe u aneksuan në Konferencën e Ambasadorëve me vendimin e 11 gushtit të vitit 1913. Rama, prej vitesh, u bën thirrje emigrantëve që të kthehen dhe të investojnë në Shqipëri dhe këtë thirrje e përsëriti edhe në Athinë. Deputeti Krashi thotë se në vendin e tij në Dibër pjesa verilindore e Shqipërisë shumë emigrantë janë kthyer për të investuar.

“...kryesisht në agro-turizëm”, thotë ai. “Sigurisht që do të doja të kishte më shumë, por gjykoj se kjo Qeveri ka bërë shumë për diasporën”, thotë deputeti socialist, pa specifikuar më shumë.

Por, Zyka e shtron ndryshe këtë çështje. “Na fton të vijmë në Shqipëri, por nuk jep përgjigje se përse po ikin ende mijëra shqiptarë? Nëse na fton për investim, duhet të na motivosh, a ka politikë kombëtare për ta tërhequr diasporën, si do të vijë? Nuk ka asnjë gjë të re”, thotë ai.

“Propozimi do të duhej të vinte me paketë fiskale, me politika konkrete. Pse vjen tani? Sepse, të dhënat e censusit nuk kanë dalë ende dhe frika është e madhe se kemi ngelur shumë pak”, thotë në anën tjetër Hackaj.

Në frymë të ngjashme shprehet edhe Spahiu, duke thënë se një pjesë e madhe e emigrantëve “e kanë lënë Shqipërinë për shkak të keqqeverisjes së Ramës”.

“Është shumë indiferent ndaj tyre, numëron 10 milionë turistë, por është i paaftë ose nuk do ta numërojë diasporën. Ka vite që premton votën e nuk e bën. Nuk ka asnjë lehtësi për kthimin për të investuar, ka vetëm thirrje”, thotë Spahiu.

Në përpjekje për të nxitur investimin e emigrantëve në Shqipëri, Qeveria e Ramës ka organizuar tri samite të diasporës. Takimi i Ramës në Greqi nxiti reagime edhe në disa media greke, të cilat e cilësuan si “provokim”, pasi, siç u tha, u realizua në njëvjetorin e rastit të Alfred Belerit. Beleri ka garuar për kryetar bashkie në qytetin jugor shqiptar të Himarës, më 13 maj të vitit 2023, nën siglën e një partie të minoritetit grek, të lidhur me një koalicion opozitar. Beleri është arrestuar në mes të atij maji, nën dyshimet për blerje votash. Ai mbetet në burg si i dënuar. Rasti ka shkaktuar protesta të zhurmshme nga Greqia dhe akuza nga Tirana se Athina po ndërhyn në drejtësinë e Shqipërisë./ REL

edi rama ne athine

Artikuj te sugjeruar

video

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 16

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 16

Gruaja me dy identitete që premton “shërim” me ujin e kufomave në Pejë

A ka Shqipëria një Nicola Gratteri?

Katër nëna në kërkim të fëmijeve/ Bisedat që zbuluan rrjetin e errët

Flamur Gjuzi, i dënuar për"shpërdorim detyre" sot drejtor i Policisë Bashkiake, sërish shkel ligjin?

Pallatet u zhytën“Durrës Marina" dhe Autoriteti Portual bëjnë veprimin e papritur përballë skandalit

Ekskluzive/ Nicola Gratteri çmonton skemën e pastrimit të parave të ndërtimit në Tiranë

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 15

Enkel Demi duke luftuar paragjykimet për shqiptarët. (kamera e fshehtë)

Milva Ekonomi i firmosi miliona euro Vilma Nushit, kjo e fundit i investoi te kulla e Ervin Matës

Ajo çfarë mund të na mësojë Kosova.

Laboratorë “copy-paste”/ I njëjti mjek firmos analiza në disa pika, skema që ngre pikëpyetje

Rrjeti i ‘errët’ i vajzave të zhdukura! Bisedat tronditëse si funksiononte grupi.

Bleu 300 m2 tokë në vitin 2004, kthehet nga emigrimi dhe gjen aty vilë 3-katëshe.

“Na detyruan nga Dubai”/ Konstruktori i Durrës Marina zbulon pse u zhytën pallatet

Drejtori që tregon sjellje të pahijshme me nxënësen: Jam i fortë edhe në parti

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 14

Turisti zemërgjerë nga Italia dhe patatinat falas

Aksidentet “pushtojnë” oborrin e familjes në Klos, banori: Një ditë do ndodhë tragjedi

Lidhja jashtëmartesore që përfundoi në makth /32-vjeçarja rrëfen shantazhin me video intime

Sherr në terminalin e Peshkopisë, shoferi: Mos më vidh pasagjerët! Shko ha bukë te pjesa jote

Artisti dhe Frika

Si u kthye në urrejtje dashuria mes ish-bashkëshortëve dhe ‘lufta’ për 200 mijë euro!

14-vjeçare me dr*gë dhepro*titucion, rrjeti i errët i minoreneve të zhdukura

Zhytja e pallateve te Alabarit/ IKMT pranon anomalitë në “Durrës Marina”: Janë zhytur 28 cm

"Ederlezi", festa e veçantë e komunitetit rom.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 13

Do t’i fus duart edhe nëse bërtet, motra e 13 vjeçares rrëfen tmerrin e mesazheve që mësuesi ia çon

“Inspektori gjobëvënës” i bashkisë terrorizon qytetarët

Pagat e mohura të druvarëve në Navaricë! Miliona lekë për të marrë dhe kërcënime

Rruga Thumanë–Kashar/ 1 miliard euro dhe “5 lekëshi” që po merret nga xhepat e qytetarëve

Me viza turistike ose kontrata futbolli drejt Europës/ Kush fshihet pas skemës së trafikimit?

Nënat denoncojnë ikjet nga shtëpia dhe jetën e dyshimtë të adoleshentëve

Për mediat dhe fëmijët

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 12

Muzikanti i rruges “vjedh” koleget. Banka e fundit

Dajak për 50 metra rrugë në Dibër, kushërinjtë në ’luftë’ për pronën.

Fisnik Syla, “BAMIRËS” apo shantazhues

A janë "idiotë "shqiptarët e Maqedonisë së Veriut? Çfarë do të thoshte Arbën Xhaferraj?

Presidenti i FSHP reagon për deklaratat e Erkand Qerimaj: Lajthita atëherë, tani kam reflektuar

Nga jetimorja te humbja e kujdestarisë. Rrëfen nëna që kërkon bashkimin me vajzën pas 13 vitesh

Tigrat e Vlorës: energjia që prodhohet 6 herë më shtrenjtë se sa shitet.

Skandali i zhytjes së pallateve në Durrës Marina / Ndërhyn IKMT.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 11

Dhjetëra punonjës fasonerie pa marrë pagat: Blerimi mori lekët dhe u zhduk! Pronari premton zgjidhje

Hapet filial i bankës turke në “zemër” të Bllokut, reklamat vendosen pa leje

Energji për brezin tim

Nga ‘Viola’ tek Dorina: Si përfundoi në borxh një histori dashurie në distancë

Firma “Trade Minerals Al” po shkatërron mjedisin dhe infrastrukturën e fshatit Gjegjan në Kukës

Nga shpërthimi i drejtorit te prapaskenat e ushqimit në institucionin privat në Elbasan