Vrasja e policit dhe plagosja e një tjetri, Hita zbret në Korçë, analizë ngjarjes dhe planit operacional!
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita ka mbërritur në Drejtorinë e Policisë së Kor&cce...
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita ka mbërritur në Drejtorinë e Policisë së Kor&cce...
Prokuroria e Posaçme ka vijuar hetimet ndaj ish-zv-kryeministres Belinda Balluku. Në një njoftim zyrtar, SPAK ka bërë të ditur...
Një ngjarje e rëndë ka tronditur vendin ditën e sotme, ku një efektiv policie humbi jetën në krye të detyrës, nd&...
Bordi i Transparencës ka vendosur sot (4 qershor) çmimet e reja për shitjen e karburanteve në treg. Sipas njoftimit, nafta ësht&eu...
Revolta kundër ndërtimeve në Zvërnec nuk është kufizuar vetëm brenda Shqipërisë. Dje dhe sot, shqiptarë që...
Violand Braçellari, 43-vjeçari që vrau efektivin e forcave “Shqiponja” Enea Mekolli dhe plagosi tjetrin Edison Adri gjatë ...
Një ngjarje e rëndë raportohet të ketë ndodhur paraditen e kësaj të enjte, në një mal në Kopaçez n&eu...
Një aksident i rëndë ka ndodhur sot (4 qershor), në aksin Krutje-“Pushimi i shoferit”, në rrugën Lushnjë-Fier. ...
Një shpërthim me lëndë të dyshuar plasëse është regjistruar në orët e para të mëngjesit të so...
Personi në foto, efektivi i ‘Shqiponjave’ Edison Adri, i cili mbeti i plagosur gjatë operacionit policor të zhvilluar në zon&e...
TIRANË- Sektori bankar konfirmoi një cikël pozitiv dhe një reagim të mirë ndaj zhvillimeve makroekonomike sfiduese edhe në vitin 2023. Kreditë dhe depozitat u rritën, ndërsa raporti i kredive me probleme pësoi përsëri rënie, pavarësisht ngadalësimit të rritjes ekonomike dhe normave më të larta të interesit. Rritja e normave të interesit dhe përmirësimi i cilësisë së aktiveve rritën përfitueshmërinë, duke kontribuar në forcimin e mëtejshëm të kapitalizimit. Kanalet dixhitale po përdoren gjithnjë e më shumë nga klientët e sektorit.
Viti i kaluar pritej të ishte përsëri delikat për sektorin bankar, sidomos për shkak të efekteve të mundshme të rritjes së normave të interesit dhe ngadalësimit të rritjes ekonomike. Por, efektet e këtyre zhvillimeve rezultuan të ishin shumë më të dobëta nga sa pritej. Depozitat, kredia dhe totali i aktiveve vazhduan rritjen, ndërsa raporti i kredive me probleme u ul më tej në një nivel të ri minimal, që prej vitit 2008.
Performanca relativisht e mirë e ekonomisë në raport me mjedisin e përgjithshëm global luajti sigurisht një rol të rëndësishëm, të mbështetur sidomos nga një cikël pozitiv në turizëm, shërbime dhe pasuritë e paluajtshme. Efektet e rritjes së normave të interesit ishin kryesisht pozitive, duke rritur të ardhurat neto nga interesat. Forcimi i Lekut ndihmoi në ruajtjen e aftësisë paguese të huamarrësve dhe në mbajtjen e normave më të ulëta të interesit për monedhën vendase, faktor që më tej ndikoi në një rritje të fortë të kredisë së re.
Një zhvillim shumë i rëndësishëm i vitit të kaluar ishte zhvendosja e mëtejshme e shërbimeve bankare drejt kanaleve dixhitale. Tashmë, pjesa më e madhe e transfertave bankare kryhen nëpërmjet kanaleve elektronike. Në aspektin më të dukshëm, ky është një tregues i modernizimit të tregut dhe i rritjes së shpejtësisë dhe komoditetit në marrjen e shërbimeve bankare për publikun.
Por, dixhitalizimi është i rëndësishëm edhe për optimizimin e kostove dhe shfrytëzimin më të mirë të burimeve njerëzore, në një moment kur largimi i profesionistëve është bërë një problem edhe në tregun financiar. Burimet njerëzore po përdoren gjithnjë e më pak për procese bazë, si arkëtimi i pagesave apo kryerja e transfertave dhe gjithnjë e më shumë për shërbime më të specializuara, sidomos të lidhura me këshillimin dhe forcimin e marrëdhënies me klientët.
Marrëdhënia me bankën, më dixhitale
Veprimet nëpërmjet kanaleve elektronike dominuan strukturën e transfertave bankare për të dytin vit radhazi në 2023. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, nga rreth 13.4 milionë transferta kreditimi të kryera nga klientët e sektorit bankar, më shumë se 57% e tyre, ose rreth 7.7 milionë veprime në total, u kryen në formë jo-letër.
Transfertat në formë jo-letër përfshijnë transferta që kryhen pa praninë fizike të klientit në bankë, nëpërmjet shërbimeve të internet banking dhe mobile banking. Krahasuar me një vit më parë, klientët e sektorit bankar e rritën numrin e veprimeve bankare në distancë me 22.1%, ose me 1.4 milionë veprime më shumë.
Pesha e tyre specifike është rritur me ritme të shpejta në vitet e fundit. Në vitin 2018, pagesat në formë jo-letër përbënin më pak se 34% të totalit, ndërsa brenda pesë viteve, pesha e tyre ka arritur në më shumë se 57%. Pjesa e veprimeve dixhitale është rritur dukshëm edhe në vlerë. Vitin e kaluar, vlera e transfertave bankare të ekzekutuara në formë jo-letër përbënte 34% të totalit, nga rreth 21% që zinte në vitin 2018.
Në vitin 2023, transaksionet me para fizike të kryera nga klientët në sportelet e bankave pësuan rënie jo vetëm në peshë specifike ndaj totalit të transaksioneve, por edhe në vlerë absolute. Veprimet cash në banka ranë me 2.1% në numër dhe 0.2% në vlerë, krahasuar me vitin 2022.
Përdorimi i kanaleve online kursen kohë dhe është një zhvillim i rëndësishëm për shmangien e radhëve të klientëve në sportelet e bankave, duke i shfrytëzuar këto sportele vetëm për marrjen e atyre shërbimeve dhe produkteve ku prania fizike është vërtet e domosdoshme. Në fund të vitit 2023, numri i llogarive bankare të lidhura me internetin arriti në pothuajse 1.1 milionë, në rritje vjetore me pothuajse 25%.
Vlerësohet se tashmë 34% e llogarive bankare aktive janë të aksesueshme nga interneti, nga 28.2% që kishte qenë ky tregues në fund të vitit 2022. Më shumë se 90% e numrit të llogarive bankare të rezidentëve të lidhura me internetin u takojnë individëve. Megjithatë, rritja më e madhe e llogarive të lidhura me internetin vitin e kaluar u shënua në segmentin e bizneseve, me 25% më shumë krahasuar me një vit më parë.
Për çdo individ apo subjekt që zotëron një llogari bankare, pjesa dërrmuese e pagesave dhe transfertave mund të kryhet nëpërmjet internetit, pa qenë më nevoja për të shkuar fizikisht në bankë. Përdorimi i pagesave nga kanalet elektronike është lehtësuar edhe nga Banka e Shqipërisë. Që prej qershorit të vitit 2020, të gjitha transfertat ndërbankare deri në vlerën e 20 mijë lekëve që kryhen nëpërmjet kanaleve elektronike duhet të ofrohen nga bankat pa asnjë komision.
Për shumat më të mëdha, transfertat elektronike kanë komisione të paktën 50% më të lira krahasuar me ato që kryhen nga sportelet e bankave. E njëjta politikë u ndoq edhe në rregulloren për transfertat kombëtare në Euro, ku komisionet për transfertat elektronike duhet të jenë maksimalisht sa 50% e komisioneve të pagesave që kryhen në degët e bankave.
Aktualisht, të gjitha bankat tregtare në Shqipëri ofrojnë shërbimet e bankingut në distancë. Kjo nënkupton se çdo klient i sektorit bankar ka në dispozicion një kanal alternativ për kryerjen e pagesave dhe marrjen e shërbimeve të tjera, pa qenë nevoja për të shkuar domosdoshmërisht në degë.
Dixhitalizimi i shërbimeve bankare është një nga arsyet që kanë sjellë edhe rënie të numrit të degëve të bankave në vitet e fundit. Përditësimi i legjislacionit për identifikimin dhe nënshkrimin elektronik pritet të shtojë numrin e shërbimeve dhe produkteve bankare që do të mund të ofrohen në distancë.
Po paguhet më shumë me kartë
Ulja e shkallës së lartë të përdorimit të parasë fizike është një sfidë e madhe për ekonominë shqiptare. Me gjithë rritjen me ritme të pagesave elektronike, përdorimi i parasë fizike në ekonominë shqiptare mbetet një fenomen mbizotërues, i cili mbart kosto të larta për ekonominë.
Sipas Bankës së Shqipërisë, raporti i parasë jashtë bankave ndaj parasë likuide (agregatit monetar M1) vitin e kaluar ishte përsëri në nivel mjaft të lartë, 51%, megjithëse në rënie nga niveli prej 52.7% i një viti parë.
Përdorimi i lartë i parasë cash përcakton shkallë më të lartë informaliteti dhe evazioni fiskal, që ul mundësitë e buxhetit të shtetit për të rritur cilësinë e shërbimeve publike.
Pjesa më e madhe e njerëzve, nga ana tjetër, e ka të vështirë ta kuptojë se përdorimi i parasë cash nuk është metodë pagese pa kosto, por përkundrazi është e kushtueshme për një ekonomi, nëse merren në konsideratë shpenzimet për pranimin e këtyre pagesave, kostot e ruajtjes dhe transportimit të parasë dhe nëse kuantifikohet rreziku operacional i lidhur me paranë fizike.
Për këtë arsye, rritja e përdorimit të pagesave dixhitale jo vetëm për të zëvendësuar transaksionet bankare, por edhe pagesat në pikën e shitjes është shumë e rëndësishme për ekonominë.
Këto pagesa vazhdojnë të kenë kartat bankare, si instrumentin e tyre kryesor, megjithëse në vitet e fundit kanë filluar të përdoren edhe pagesat me teknologji alternative të parasë elektronike.
Verën e kaluar, Komisioni Europian i rekomandoi Shqipërisë vendosjen e një shume tavan për pagesat me para fizike.
Në raportin e fundit të analizës së përputhshmërisë së Shqipërisë me kuadrin ligjor dhe rregullator komunitar, Komisioni Europian vlerësonte se vendi ynë është vetëm pjesërisht në përputhje me kuadrin e Bashkimit Europian për sa i përket hetimit të pastrimit të parave.
Pavarësisht progresit të fundit, legjislacioni i Shqipërisë është pjesërisht i përafruar me atë të BE-së në këtë fushë.
Një kërkesë e ngjashme për vendosjen e një tavani për pagesat cash është shprehur prej vitesh edhe nga Shoqata Shqiptare e Bankave. Sipas Shoqatës së Bankave, ulja e parasë fizike në qarkullim dhe në transaksionet tregtare është një sfidë dhe kërkesë për një ekonomi më të organizuar, më të matshme, më të disiplinuar dhe më të qëndrueshme.
Sipas Shoqatës së Bankave, vendosja e një tavani për pagesat cash të individëve do të ndihmonte në uljen e evazionit fiskal dhe do të ndihmonte në luftën kundër pastrimit të parave dhe krimit financiar në përgjithësi.
Gjithashtu, Shoqata e Bankave i ka kërkuar qeverisë që bizneset në Shqipëri të detyrohen të pranojnë të paktën një metodë alternative pagese, përveç parasë fizike.
Pagesat me kartë bankare regjistruan përsëri rritje të fortë vitin e kaluar dhe prekën vlerat më të larta historike në numër dhe në vlerë transaksionesh. Sipas statistikave nga Banka e Shqipërisë, gjatë vitit 2023, pagesat me kartë në terminalet POS (pikat elektronike të shitjes) arritën në pothuajse 14.5 milionë, me rritje prej 35% krahasuar me një vit më parë.
Në vlerë transaksionesh, pagesat me kartë vitin e kaluar arritën në 64.1 miliardë lekë, 26.6% më shumë krahasuar me vitin 2022. Për vitin 2023, volumi i pagesave në terminale POS përbënte 14.5% të vlerës totale të veprimeve me karta, nga 13.9% që kishte qenë pesha e këtyre veprimeve një vit më parë.
Pagesat me kartë po nxiten sidomos nga rritja rekord e turizmit hyrës. Kërkesa nga turistët e huaj për të paguar me kartë po shtyn një numër më të madh biznesesh të pranojnë pagesa me këto instrumente. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, numri i terminaleve POS për pranimin e pagesave me kartë, në fund të vitit të kaluar, arriti shifrën rekord prej 19 184, në rritje me 18.2% krahasuar me një vit më parë.
Numri i kartave bankare aktive në fund të vitit 2023 arriti në 1.43 milionë, në rritje me 4.6% krahasuar me një vit më parë. Numri i kartave të debitit arriti në 1.24 milionë, në rritje vjetore me 5%. Ky produkt ngelet dominues dhe përbën pothuajse 87% të numrit të përgjithshëm të kartave bankare. Karta e debitit është një instrument bazë pagese, i lidhur me llogaritë rrjedhëse të bizneseve dhe individëve.
Viti 2023 ishte pozitiv edhe në segmentin e kartave të kreditit. Në fund të vitit të kaluar, sektori bankar raportonte pothuajse 120 mijë karta krediti aktive, me rritje vjetore prej 6.6%. Megjithëse zhvillimi i këtij produkti në tregun shqiptar ngelet ende i dobët, numri i kartave të kreditit ka arritur shifrën më të lartë historike.
Vitin e kaluar, dy gjigantët globalë Visa dhe Mastercard dominuan plotësisht tregun e kartave bankare në Shqipëri, ndërsa American Express doli plotësisht nga tregu, së bashku me kartat e tjera të lëshuara nga subjektet lokale. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në fund të vitit 2023, bankat tregtare shqiptare kishin mbi 729 mijë karta aktive të lëshuara me markën e Visa, shifër kjo në rritje me 3.8% krahasuar me fundin e vitit 2022.
Megjithatë, pjesa e tregut e Visa ka rënë në 50.9% të numrit total të kartave aktive në Shqipëri, nga 51.3% që mbante në fund të vitit 2022. Mastercard, në fund të 2023, raportonte pothuajse 704 mijë karta aktive. Numri i kartave Mastercard është rritur me 5.4% më shumë krahasuar me vitin 2022.
Kartat e lëshuara me markën Mastercard përbënin 49.1% të numrit total të kartave aktive, në rritje nga niveli prej 48.7% që zinin një vit më parë. American Express, vitin e kaluar, ka dalë nga tregu shqiptar dhe sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë nuk rezultonte më asnjë kartë aktive e lëshuar në emër të saj.
Dalja nga tregu e American Express erdhi pas shkrirjes së Alpha Banka Albania, banka e fundit tregtare në Shqipëri që lëshonte ende karta të kësaj kompanie. Në dhjetor të vitit 2022, Alpha Banka Albania u bashkua ligjërisht me Bankën OTP Albania. Edhe kartat lokale, që gjithsesi kishin qenë në shifra të papërfillshme, vitin e kaluar kanë dalë plotësisht nga tregu.
Depozitimet e parave në ATM janë rritur me katër herë që nga viti 2020
Përdorimi i lartë i parasë cash në ekonomi është një realitet që do të kërkojë ende kohë për të ndryshuar. Megjithatë, edhe në veprimet me paranë cash, teknologjia ofron mundësi automatizimi, në mënyrë që depozitimi i parasë në banka të bëhet me më pak kosto dhe në një kohë më të shpejtë.
Depozitimet e parave në bankomate u rritën për të gjashtin vit radhazi në 2023. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, për vitin 2023 klientët e sektorit bankar kryen më shumë se 769 mijë depozitime automatike në ATM, në rritje me 34% krahasuar me një vit më parë. Që nga viti 2020, veprimet e depozitimit të parasë cash në ATM janë rritur me katër herë. Rritja e transaksioneve është e ndjeshme edhe në vlerë. Për vitin 2023, depozitimet cash në ATM kishin vlerën e 37.9 miliardë lekëve, në rritje me 27% krahasuar me një vit më parë. Edhe vlera e depozitimeve të parasë në ATM është rritur më shumë se katër herë që nga viti 2020.
Rritja po mbështetet edhe nga zgjerimi i vazhdueshëm i infrastrukturës së pajisjeve që mundësojnë këtë lloj shërbimi. Numri i bankomateve me funksionin e depozitimit të parasë fizike po rritet, fakt që dëshmon shtimin e investimeve të sektorit bankar për të automatizuar ofrimin e shërbimeve bankare.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se numri i pajisjeve ATM që mundësonin depozitimin e parasë cash në fund të vitit 2023 arriti në 370, me rritje prej 21% krahasuar me vitin 2022. Afërsisht 40% e numrit të përgjithshëm të ATM-ve në vend ofrojnë shërbimin e depozitimit të parasë cash.
Shtimi i ATM-ve me funksionin e depozitimit të parasë është një zhvillim i rëndësishëm për lehtësimin e ofrimit të shërbimeve bankare. Shqipëria mbetet një ekonomi me përdorim të lartë të parasë cash në transaksionet ekonomike. Kjo krijon nevojën e depozitimeve periodike të parasë në llogaritë bankare dhe veprimet me paranë cash në arkë ngelen një nga arsyet kryesore të fluksit të klientëve në degët e bankave.
Automatizimi i këtij shërbimi nëpërmjet ATM-ve ndikon në uljen e flukseve, pakësimin e radhëve dhe përdorimin e degëve të bankave vetëm për ato raste ku ofrimi i shërbimit nga stafi është i domosdoshëm. Në fund të muajit shtator, sektori bankar shqiptar ofronte shërbim nëpërmjet 925 ATM-ve aktive, në rritje me 8% krahasuar me një vit më parë. Numri i ATM-ve kishte rënë vazhdimisht në periudhën 2015-2019, sidomos për shkak të uljes së numrit të degëve, por edhe për shkak të pakësimit të numrit të përgjithshëm të bankave tregtare.
Por, duke filluar nga viti 2020, edhe nën shtysën e pandemisë, bankat shtuan numrin e ATM-ve (kryesisht të vendosura në mjedise jashtë degëve), me qëllim lehtësimin e flukseve të operacioneve në sportele. Paralelisht, shtimi i ATM-ve po shoqërohet edhe me përditësim të teknologjisë dhe të shërbimeve të ofruara prej tyre.
Numri i llogarive bankare u rrit me 4.2%
Numri i llogarive në sektorin bankar u rrit për të tretin vit radhazi në 2023. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se numri total i llogarive bankare në fund të vitit të kaluar arriti 3.24 milionë, me rritje 4.2% krahasuar me një vit më parë.
Gjatë vitit të kaluar, numri i llogarive aktive në sektorin bankar është zgjeruar me afërsisht 127 mijë të tilla. Numri i llogarive bankare në Shqipëri arriti numrin më të lartë në vitin 2016, me pothuajse 3.5 milionë. Në periudhën 2016-2020, numri i tyre pati pësuar rënie të vazhdueshme, sidomos për shkak të uljes së numrit të bankave, si rezultat i procesit të konsolidimit të sektorit. Megjithatë, pas vitit 2021, po shënohet një tendencë e re në rritje.
Numri i llogarive bankare të subjekteve rezidente në Shqipëri vitin e kaluar u rrit në segmentin e individëve, por ndërkohë pësoi rënie për bizneset. Llogaritë e individëve rezidentë arritën në afërsisht 2.94 milionë, me një rritje vjetore prej 4.4%. Edhe numri i llogarive të individëve, megjithëse i është kthyer rritjes, ndodhet ende larg nivelit maksimal prej 3.24 milionë, që ishte regjistruar në vitin 2016.
Vitin e kaluar, numri i llogarive të bizneseve rezidente pësoi rënie. Pasi arriti nivelin më të lartë historik në vitin 2022, me 239 mijë llogari, vitin e kaluar, numri i llogarive bankare u tkurr, me 3% më pak. Mbyllja e një banke tjetër me përmasa të konsiderueshme, si Alpha Banka Albania dhe bashkimi i saj me OTP Albania, mund të ketë pasur ndikim në numrin e përgjithshëm të llogarive të biznesit.
Ndërsa numri i llogarive të jorezidentëve u rrit me ritme të larta edhe vitin e kaluar, me 20% më shumë krahasuar me një vit më parë. Numri i përgjithshëm i tyre arriti në më shumë se 60 mijë dhe llogaritë jorezidente përbëjnë rreth 1.9% të numrit të përgjithshëm të llogarive në bankat shqiptare. Llogaritë e jorezidentëve dominohen kryesisht nga individët, me 97% të totalit.
Edhe rritja e vitit të kaluar erdhi kryesisht nga individët, ndërsa numri i llogarive të bizneseve jorezidente ishte në nivele të përafërta me vitin 2022. Megjithëse numri i llogarive bankare në Shqipëri është më i lartë në krahasim me numrin e përgjithshëm të popullsisë, në vetvete kjo nuk ka domethënie shumë të madhe për të kuptuar depërtimin e llogarive bankare në shoqëri. Ndërsa shumë shqiptarë kanë disa llogari bankare, një pjesë e madhe e popullsisë në moshë madhore ende nuk e ka një të tillë.
Në analizat e fundit, Banka e Shqipërisë vlerëson se numri i individëve në moshë madhore që zotërojnë një llogari bankare ka arritur në 70%, nga rreth 40% që vlerësohej ky tregues në vitin 2017. Me gjithë rritjen e ndjeshme në vitet e fundit, një pjesë e konsiderueshme e shqiptarëve në moshë madhore nuk zotërojnë ende një llogari bankare.
Megjithatë, ndryshimet e fundit ligjore pritet të sjellin rritje të ndjeshme të numrit të shqiptarëve që zotërojnë një llogari bankare. Në fillim të muajit prill, hyri në fuqi ligji “Për llogarinë e pagesave me shërbime bazike”, që u miratua nga Kuvendi i Shqipërisë në fund të vitit 2023.
Sipas ligjit, llogaria e pagesave me shërbime bazë do t’iu ofrohet konsumatorëve në Republikën e Shqipërisë nga të gjitha bankat, pavarësisht nivelit të të ardhurave, statusit të punësimit dhe historikut të aftësisë paguese. Për mbajtësit e kësaj llogarie, bankat duhet të ofrojnë disa shërbime bazë të pagesave, pa aplikuar tarifa ose kundrejt një tarife të arsyeshme.
Metodologjia e përllogaritjes së tarifës së arsyeshme nga bankat do të përcaktohet me akt nënligjor të Bankës së Shqipërisë, duke konsideruar të paktën nivelin e të ardhurave kombëtare dhe tarifat mesatare të aplikuara nga bankat për shërbimet e pagesave të ofruara në llogaritë e pagesave.
Megjithatë, bankat duhet ofrojnë të gjitha shërbimet bazë të pagesave me tarifë zero, për kategoritë të cilat përfitojnë nga programet dhe politikat për skemat e ndihmës ekonomike dhe sociale, sipas legjislacionit përkatës në Republikën e Shqipërisë.
Këtu përfshihen përfituesit e pagesës së papunësisë; familjet dhe individët, të cilët trajtohen me ndihmë ekonomike; përfituesit e pagesës së aftësisë së kufizuar dhe ndihmësit personalë të tyre; individët përfitues të statusit të invalidit dhe ndihmësit personalë të tyre; individët përfitues të statusit të të verbrit dhe ndihmësit personalë të tyre; invalidët e punës; jetimët; përfituesit e masës së financimit për fëmijën e vendosur në familje kujdestare me vendim gjykate; përfituesit e pensionit social; përfituesit e pensionit të pleqërisë; përfituesit e invaliditetit, si dhe përfituesit e pensionit të invaliditetit të përhershëm për shkak të aksidentit në punë dhe sëmundjeve profesionale; përfituesit e pensionit familjar; përfituesit e ndihmës ekonomike për arsimin e lartë.
Qeveria ka paralajmëruar se së shpejti, pagesa e pensioneve do të bëhet në llogaritë bankare, megjithëse për këtë nuk janë përcaktuar ende qartë afatet dhe mënyrat.
Letrat me vlerë, grupi më i madh i aktiveve në bilance
Totali i aktiveve të sektorit arriti vlerën e 1.97 trilionë lekëve, në rritje me 5.1% krahasuar me një vit më parë. Aktivet e sektorit u rritën me 5%, pavarësisht efektit të shtuar negativ statistikor nga zhvlerësimi i valutave të huaja në raport me Lekun.
Të dhënat sipas IFRS tregojnë se investimet në letra me vlerë ishin më i madhi ndër grupet kryesore të aktiveve të sektorit bankar edhe për vitin 2023. Sipas shifrave të Shoqatës së Bankave, këto investime në fund të vitit të kaluar arritën në 789 miliardë lekë, në rritje me 11% krahasuar me një vit më parë.
Letrat me vlerë përbëjnë 40% të totalit të aktiveve të sektorit bankar, nga afërsisht 38% që zinin në fund të vitit 2022. Investimet në letra me vlerë përfshijnë kryesisht titujt e borxhit të qeverisë shqiptare dhe të emetuesve të huaj publikë dhe privatë. Rritja e peshës së letrave me vlerë në bilance duket se ka ardhur kryesisht nga lëvizja e fondeve të bankave që mbaheshin në llogari dhe depozita në banka të tjera.
Vlera e vendosjeve ka zbritur në 168 miliardë lekë, 13% më shumë krahasuar me një vit më parë. Rritja e yield-eve, veçanërisht në valutë të huaj, i nxiti bankat të zhvendosnin një pjesë të madhe të fondeve të tyre nga zëri i vendosjeve drejt investimit në letra me vlerë të borxhit.
Pesha e vendosjeve brenda bilancit zbriti në 8.5% të totalit të aktiveve, nga 10.2% që kishte qenë një vit më parë. Zëri i dytë më i madh në bilancin e sektorit bankar është kredia, për një portofol total prej 718.6 miliardë lekësh, sa 36.5% e totalit të aktiveve.
Pesha e kredisë në bilanc ka rënë nga niveli prej 36.9% i vitit 2022, por në një masë të madhe, kjo ka ndodhur për shkak të efektit të kursit të këmbimit.
Kursi i këmbimit “kafshon” rritjen e kredisë
Kreditimi nga sektori bankar vijoi rritjen edhe për vitin 2023, por rritja u ngadalësua për të dytin vit radhazi. Statistikat e Shoqatës së Bankave tregojnë se portofoli i kredisë për ekonominë në fund të vitit të kaluar arriti në afërsisht 719 miliardë lekë, në rritje me 3.9% krahasuar me një vit më parë.
Për vitin 2022, madhësia e portofolit të kredisë ishte rritur gati dy herë më shumë.
Megjithatë, ngadalësimi i rritjes është ndikuar në një masë të madhe nga efekti i kursit të këmbimit. Në fund të vitit 2023, kursi i këmbimit Euro-Lek ishte në rënie me më shumë se 9% krahasuar me një vit më parë.
Kjo rënie ka dhënë efekt të qartë negativ mbi portofolin e kredisë në valutë të huaj, duke qenë se afërsisht gjysma e portofolit të kredisë së sektorit bankar është në valutë të huaj dhe kryesisht në Euro.
Të dhënat sipas IFRS nuk ofrojnë informacione më të detajuara për ndarjen e kredisë, sipas valutave dhe segmenteve të klientëve. Megjithatë, sipas standardeve të Bankës së Shqipërisë, kredia e re e dhënë nga sektori bankar për vitin 2023, arriti vlerën rekord të pothuajse 319 miliardë lekëve, në rritje me 14.5% krahasuar me vitin 2022.
Rritja vjetore e kredisë së re gjithashtu u përmirësua ndjeshëm krahasuar me nivelin prej 5.3% të vitit të mëparshëm.
Shifrat e kredisë së re duhen interpretuar me rezerva, duke qenë se ato përfshijnë edhe rifinancime të kredive të maturuara, ose zhvendosje të kredive ekzistuese në banka të tjera.
Të dhënat tregojnë se kreditimi e mbylli vitin e kaluar me ecuri befasuese dhe me një rritje përtej pritshmërive, në kushtet e një ekonomie në ngadalësim dhe normave më të larta të interesit. Ekspertët mendojnë se pikërisht frenimi i rritjes së normave të interesit vitin e kaluar ka mbështetur një rritje me ritme relativisht të larta të kredisë.
Banka e Shqipërisë e rriti vetëm dy herë normën bazë gjatë vitit 2023 dhe ky tregues ngelet në nivelin 3.25%, ndër më të ulëtit në Europë dhe ndjeshëm poshtë asaj që vlerësohet se është norma neutrale e interesit, çka nënkupton se normat e interesit janë ende në një territor stimulues.
Jo rastësisht, rritja e kredisë së re erdhi e gjitha në Lekë. Vitin e kaluar, sektori bankar disbursoi 179.7 miliardë lekë kredi të reja në monedhën vendase, me rritje prej pothuajse 35% krahasuar me një vit më parë. Veç kredidhënies së re, shifrat e kredisë në Lek përfshijnë edhe një vlerë të konsiderueshme të huave në valutë që kredimarrësit vendosin t’i konvertojnë në monedhën vendase, për shkak të kursit të ulët të këmbimit dhe normave më të favorshme të interesit.
Sipas segmenteve kryesore të tregut, kredia e re shënoi rritje si për ndërmarrjet private, edhe për individët. Kredia e re për bizneset vitin e kaluar arriti vlerën e 217 miliardë lekëve, në rritje me 16% krahasuar me vitin 2022.
Edhe kredia për individët vazhdoi rritjen dhe arriti një vlerë vjetore disbursimesh prej 91.9 miliardë lekësh, në rritje me 7.1% krahasuar me vitin 2022. E matur si tepricë portofoli, rritja vjetore e portofolit total për bizneset ishte 2.5%, ndërsa për individët, 8.7%. Me gjithë një ngadalësim të rritjes së kredisë së re, portofoli i individëve vazhdon të ketë ritme më të larta të rritjes vjetore, për shkak të një strukture më të qëndrueshme, të mbështetur sidomos te kreditë afatgjata për blerje banesash.
Kreditë me probleme, në nivelin më të ulët që prej vitit 2008
Raporti i kredive me probleme në fund të vitit të kaluar zbriti në nivelin më të ulët të 15 viteve të fundit. Sipas informacioneve nga Banka e Shqipërisë, raporti i kredive me probleme në dhjetor ra në 4.7%, nga 5.1% që ishte në nëntor dhe 5% që kishte qenë në fund të vitit 2022. Ky tregues ka prekur nivelin më të ulët që prej tetorit të vitit 2008.
Ecuria e kredive me probleme vitin e kaluar ishte ndjeshëm më e mirë se pritshmëritë. Në fillim të vitit, projeksionet e Bankës së Shqipërisë dhe të bankave tregtare orientoheshin drejt një rritjeje të lehtë të raportit të kredive me probleme, për shkak të ngadalësimit të rritjes ekonomike dhe rritjes së normave të interesit. Por, një gjë e tillë nuk ndodhi.
Të dhënat paraprake të INSTAT treguan se ekonomia u rrit me 3.44% gjatë vitit 2023 (nga 4.8% një vit më parë), por megjithatë kjo nuk solli përkeqësim të portofolit të kredisë bankare. Ekspertët mendojnë se efekti i kufizuar i sektorit të turizmit mbi rritjen ekonomike mund të shpjegohet edhe me një shkallë mjaft të lartë të informalitetit.
Përtej asaj që tregojnë statistikat zyrtare, sektori i turizmit vlerësohet të ketë pasur një efekt të rëndësishëm në kërkesën për mallra dhe shërbime dhe në shëndetin e sektorit privat të ekonomisë.
Ndikim të rëndësishëm në rënien e raportit të kredive me probleme besohet se dha rritja e vogël e normave të interesit nga Banka e Shqipërisë vitin e kaluar, por edhe forcimi i Lekut në kursin e këmbimit. Banka e Shqipërisë e rriti normën bazë të interesit vetëm dy herë në 2023 dhe niveli prej 3.25% është ndër më të ulëtit në Europë, larg prej normave të aplikuara nga bankat qendrore në Europë dhe në rajon. Kjo bëri që yield-et dhe normat e interesit të kredive të qëndronin në nivele të ulëta, madje duke e korrigjuar në një masë të madhe rritjen e fortë të fundit të vitit 2022.
Normat e ulëta të interesit ndikuan edhe një ecuri më të mirë se parashikimet të kreditimit. Zmadhimi i portofolit të kredisë ndihmoi gjithashtu në uljen e peshës specifike të portofolit të kredive me probleme.
Kursi i këmbimit luajti një rol të rëndësishëm në ruajtjen e aftësisë paguese të huamarrësve në valutë, por me të ardhura në Lekë. Në fund të vitit 2023, kursi i këmbimit Euro-Lek ishte në rënie vjetore me 9.1%, por në periudha të veçanta të vitit, rënia vjetore e kursit arriti deri në 14%.
Tregtia ngelet sektori më i kredituar, rriten pasuritë e paluajtshme
Sipas statistikave nga Banka e Shqipërisë, kredia e re për biznesin u rrit me 16% vitin e kaluar dhe arriti në 217 miliardë lekë. Të dhënat tregojnë që, mes sektorëve me peshë të konsiderueshme, rritjen më të lartë e shënuan aktivitetet e pasurive të paluajtshme, transporti dhe tregtia.
Tregtia mbetet dominuese në strukturën e kredisë për ekonominë, me pothuajse 37% të volumit total të disbursimeve të reja. Në vlerë, kredia e re për tregtinë në 2023 arriti në 80 miliardë lekë, në rritje me 27% krahasuar me vitin 2022.
Megjithëse kërkesa e brendshme ka shfaqur sinjale dobësie, edhe për shkak të rritjes së ndjeshme të çmimeve pas vitit 2022, shtimi i numrit të turistëve të huaj duket se e ka kompensuar pjesërisht këtë efekt.
Sektori i dytë më i kredituar i ekonomisë edhe vitin e kaluar ishte ndërtimi, me një vlerë kredie të re prej 39.6 miliardë lekësh, ose sa 18.2% e totalit. Kredia për ndërtimin megjithatë u rrit me ritme më të ngadalta, 6.7% më shumë krahasuar me vitin 2022.
Kredia për ndërtimin po përjeton një cikël të ri rritjeje, i nxitur nga zhvillimet në sektorin e pasurive të paluajtshme, sidomos në kryeqytet dhe bregdet. Rritja e çmimeve të pronave në vitet e fundit ka nxitur edhe sistemin bankar të mbështesë investimet në këtë sektor, megjithëse një pjesë e portofolit mund të jetë e lidhur edhe me kredinë për firmat kontraktore të investimeve në infrastrukturë.
Sektori i tretë më i kredituar i ekonomisë ishte industria përpunuese, me 24.8 miliardë lekë, ose sa 11.4% e totalit. Kredia e re për industrinë përpunuese u rrit me 17% krahasuar me vitin 2022. Rritje të lartë të kreditimit shënoi sektori i aktivitetit të pasurive të paluajtshme, me 164% krahasuar me vitin 2022 dhe ai i transportit dhe magazinimit, me 88% më shumë.
Një sektor që pësoi rënie të ndjeshme të kreditimit vitin e kaluar ishte energjia elektrike, me 32% më pak krahasuar me vitin 2022. Sektori i bujqësisë, edhe vitin e kaluar, shënoi kreditim në vlera modeste, me 2.7 miliardë lekë në total, me një rritje prej 5.6% krahasuar me një vit më parë.
Kreditimi i bujqësisë nuk po arrin të ndonjë hov domethënës, pavarësisht aplikimit të skemave të ndryshme të lehtësimit të financimit dhe diskutimeve të herëpashershme rreth nevojës për të rritur mbështetjen e këtij sektori me hua.
Sipas ekspertëve të bankave tregtare, problemet më të mëdha në kreditimin e bujqësisë lidhen me mungesën e garancive dhe kolateraleve për huatë, mungesën e informacionit, njohurive teknike dhe aftësive menaxheriale të fermerëve, fragmentimi i lartë i tokës (fermat e vogla) e si pasojë, mungesa e ekonomive të shkallës dhe mungesa e kooperimit mes fermerëve për të siguruar kontrata të mëdha porosie, shfrytëzimit të përbashkët të magazinave, etj.
Në përgjithësi, të dhënat e kredisë së re përputhen me tendencat ekonomike të viteve të fundit, që tregojnë rritje të peshës së sektorit të pasurive të paluajtshme dhe shërbimeve në ekonomi.
Kredia për shtëpi u rrit për të katërtin vit radhazi
Kredia për shtëpi u rrit për të katërtin vit radhazi në 2023. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se kredia e re për blerje banesash arriti rekordin e ri historik prej 48.5 miliardë lekësh, ose rreth 466 milionë euro. Kredia e re për banesa u rrit me 5.2% krahasuar me vitin 2022.
Vlera e portofolit aktiv ose tepricës së kredisë për shtëpi, në fund të vitit 2022, arriti në pothuajse 177.2 miliardë lekë, me rritje vjetore prej 6.3%. Ritmet e rritjes janë ngadalësuar krahasuar me vitin 2022, por pjesërisht kjo i detyrohet efektit të kursit të këmbimit dhe zhvlerësimit të Euros ndaj Lekut.
Normat relativisht të ulëta të interesit kanë bërë që kredia për shtëpi të rritet sidomos në monedhën vendase. Kredia e re për shtëpi në Lek, vitin e kaluar, arriti në 30.2 miliardë lekë, në rritje me 36% krahasuar me një vit më parë.
Kredia në monedhën vendase përbënte më shumë se 62% të disbursimeve të reja për këtë produkt.
Në total, ekspozimi i sektorit bankar në kredi për pasuri të paluajtshme arriti në 342 miliardë lekë, ose pothuajse 3.3 miliardë euro në fund të vitit të kaluar. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, portofoli i kredisë për pasuri të paluajtshme u rrit me pothuajse 23% gjatë vitit 2023. Kjo shifër përfshin të dyja segmentet e klientëve, biznese dhe individë.
Pjesa më e madhe e portofolit u takon individëve, me afërsisht 53% të ekspozimit total në hua për pasuri të paluajtshme, ndërsa diferenca prej 47% është kredi e dhënë për bizneset. Aktualisht, kredia për pasuri të paluajtshme përbën 48% të portofolit total të kredisë së dhënë për sektorin privat të ekonomisë.
Në vitet e fundit, sektori bankar ka rritur ndjeshëm portofolin e kredisë për prona, si për bizneset, ashtu edhe për individët. Vlerësohet se kreditimi ka qenë faktor shumë i rëndësishëm në mbështetjen e kërkesës në tregun e pasurive të paluajtshme.
Normat e ulëta të interesit e kanë bërë kredinë për shtëpi tërheqëse për huamarrësit, ndërsa paralelisht, cikli i rritjes së çmimeve të pasurive të paluajtshme në vitet e fundit ka rritur edhe kërkesën për kredi për shtëpi nga familjet, duke shtuar perceptimin se blerja e një prone është një investim i mirë për të ardhmen.
Rritja e çmimeve ka ndikuar në vlera më të mëdha të kredive të marra nga individët për të blerë banesa, duke kontribuar ndjeshëm edhe në rritjen e volumeve të përgjithshme të këtij produkti.
Por, nga ana tjetër, kjo ka rritur edhe ekspozimin e sektorit bankar kundrejt ecurisë së tregut të pasurive të paluajtshme.
Në shumicën dërrmuese të rasteve, kreditë për pasuri të paluajtshme janë të siguruara me prona të lëna si kolateral në favor të bankave (në rastin më tipik, vetë prona e blerë me kredi).
Një krizë e mundshme në tregun e pasurive të paluajtshme do të ulte vlerën e kolateralit dhe do t’i ekspozonte bankat ndaj rreziqeve për humbje nga kreditë.
Në tetor të vitit të kaluar, Banka e Shqipërisë miratoi rregulloren “Për raportimin e të dhënave, identifikimin dhe monitorimin e treguesve mbi kredidhënien dhe investimet për prona të paluajtshme”.
Sipas Bankës së Shqipërisë, kjo rregullore formalizon, standardizon si dhe zgjeron të dhënat që mblidhen nga bankat dhe subjektet kredidhënëse lidhur me treguesit e standardeve që ato përdorin për ekspozimin ndaj pronave të paluajtshme rezidenciale dhe tregtare.
Gjithashtu, rregullorja ofron mundësinë që Banka e Shqipërisë t’i përdorë këta tregues si instrumente të politikës makroprudenciale, kur është e nevojshme për të zbutur rreziqet që shoqërojnë këto ekspozime nëse vlerësohen në nivele të larta.
Në rastin e huave për pasuri të paluajtshme rezidenciale, subjektet huadhënës duhet të sigurojnë detajimet dhe klasifikimet e nevojshme të të dhënave për çdo hua të tillë, në mënyrë që të identifikojnë dhe të monitorojnë treguesit e ekspozimit të tyre, ndaj tregut të pasurive të paluajtshme rezidenciale.
Në deklaratën e fundit të janarit 2024, Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) i sugjeronte Bankës së Shqipërisë vendosjen e një shtese kundërciklike kapitali për sektorin bankar.
Bordi Ekzekutiv i FMN në deklaratë vlerësonte se vendosja e një shtese kundërciklike në raportin e mjaftueshmërisë së kapitalit për bankat tregtare mund të merret në konsideratë në afatin e mesëm, për të forcuar më tej stabilitetin financiar.
Interesat e ulëta sollën “joshje” nga Leku
Sipas statistikave nga Banka e Shqipërisë, norma mesatare e interesit të portofolit të kredisë për blerje banesash nga individët në monedhën Lek, në dhjetor të vitit të kaluar, ishte 4.85%. Ky nivel është vetëm 0.2 pikë përqindje më i lartë krahasuar me fundin e vitit 2022.
Normat e interesit, veçanërisht në gjysmën e dytë të vitit 2023, ndoqën një tendencë të vazhdueshme në rënie, duke nxitur rritje të ndjeshme të kreditimit në monedhën vendase.
Frenimi i rritjes së normave të interesit nga Banka e Shqipërisë gjatë vitit të kaluar ndikoi në korrektimin e rritjes tepër të lartë që yield-et e bonove dhe obligacioneve kishin shënuar në gjysmën e dytë të vitit 2022.
Yield-et pësuan rënie në gjysmën e parë të vitit 2023, ndërsa ishin në përgjithësi të qëndrueshme në pjesën e dytë, sidomos për instrumentet afatshkurtra. Kjo solli ndikim direkt edhe në interesat e kredive në Lek, që në përgjithësi kuotohen mbështetur mbi interesin e bonove të thesarit.
Norma mesatare e interesit të portofolit të kredisë për blerje banesash nga individët në monedhën Euro arriti në 5.2% në dhjetor 2023, nga 4.44% që kishte qenë në fund të vitit 2022.
Te kredia në Euro, gjatë vitit të kaluar, u vërejt një tendencë në rritje graduale e normave, duke reflektuar shtrëngimin monetar të Bankës Qendrore Europiane dhe rritjen e treguesit benchmark, Euriborit 12-mujor.
Diferenca mes normës mesatare të interesit për kreditë në Euro dhe ato në Lek arriti nivelin më të lartë historik, me 0.35 pikë përqindje më shumë.
Sidoqoftë, për huamarrësit me të ardhura në Lek, rritja e normave të interesit të Euros është balancuar nga zhvlerësimi i monedhës europiane në kursin e këmbimit. Në fund të vitit 2023, kursi i këmbimit Euro-Lek shënoi rënie vjetore me 9.1%.
Historikisht, normat e interesit për kreditë në Euro kanë qenë më të ulëta se ato në Lek, duke reflektuar sidomos normat më të ulëta që ka aplikuar Banka Qendrore Europiane. Por, vitin e kaluar, raportet ndryshuan.
Banka Qendrore Europiane ndërmori një rritje agresive të normave të interesit deri në nivelin maksimal historik prej 4.5%. Banka e Shqipërisë e ngadalësoi rritjen dhe e mbylli vitin në nivelin 3.25%.
Depozitat, përsëri në rritje
Depozitat në sektorin bankar shqiptar u rritën për të pestin vit radhazi në 2023, madje shkalla e rritjes u përmirësua krahasuar me vitin 2022.
Statistikat e Shoqatës së Bankave tregojnë se në fund të vitit të kaluar, vlera totale e depozitave arriti në 1.65 trilionë lekë, në rritje me 5.4% krahasuar me një vit më parë.
Rritja e depozitave ishte pak më e lartë se niveli prej 4.9% i një viti më parë, pavarësisht efektit të fortë negativ të kursit të këmbimit mbi depozitat në valutë të huaj.
Të dhënat sipas IFRS nuk japin informacion më të detajuar për strukturën e rritjes së depozitave. Megjithatë, po t’u referohemi statistikave paralele të Bankës së Shqipërisë, rritja e depozitave të sektorit në 2022 ishte pak më e lartë, me 5.7%,
Në segmentin e individëve, rritja shënoi nivelin 3.2%, ndërsa për bizneset, rritja ishte ndjeshëm më e lartë, me 15.5% krahasuar me një vit më parë.
Të ndara sipas valutave, rritja ishte pak më e lartë për Lekun, me 6.4% krahasuar me një vit më parë, depozitat në valutë të huaj (të raportuara në Lek) shënuan rritje më të ngadaltë, me 4.1%. Kjo rritje është sidoqoftë e tkurrur ndjeshëm nga efekti negativ i kursit të këmbimit.
Nëse shohim statistikat për depozitat në Euro (të raportuara pa u konvertuar në Lek), rritja e tyre gjatë vitit 2023 arriti në 15.9%.
Mbi këto të dhëna paralele, mund të arrihen disa konkluzione lidhur me tendencën e rritjes së depozitave. Kjo rritje ka qenë më e lartë te bizneset, duke reflektuar një ecuri të mirë të shitjeve, efektet pozitive të rritjes së çmimeve dhe, pjesërisht, edhe rritjen e ndjeshme të kredisë për biznese gjatë vitit 2023.
Në veçanti, rritja e lartë e depozitave në Euro vazhdon të tregojë një tendencë rritëse të prurjeve valutore në ekonomi, që duket e lidhur me rritjen e të ardhurave nga turizmi e shërbimet dhe me flukset e mëdha të investimeve të subjekteve të huaja në tregun e pasurive të paluajtshme.
Një faktor tjetër që mund të ketë ndikuar pozitivisht ecurinë e depozitave në monedhën vendase ishte rënia e yield-eve të titujve qeveritarë, që e uli disi interesin e investitorëve për titujt e borxhit të qeverisë, pas dyndjes drejt këtyre instrumenteve që u vërejt në vitin 2022, veçanërisht në gjysmën e dytë të tij.
Të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) treguan se për vitin 2023, blerjet e individëve në tregun primar të bonove dhe obligacioneve arritën në 37.5 miliardë lekë, në rënie me 24.5% krahasuar me vitin 2022.
Interesat e depozitave, rritje e vogël në vitin 2023
Normat e interesit të depozitave u rritën në përmasa të vogla për vitin e kaluar. Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në muajin dhjetor 2023, norma mesatare e interesit të depozitave të reja në Lek ishte 1.64%, nga 1.43% në fund të vitit 2022.
Frenimi i rritjes së normave të interesit nga Banka e Shqipërisë dhe rënia e yield-eve uli stimujt për rritjen e interesave të depozitave bankare për pjesën më të madhe të vitit të kaluar.
Megjithatë, normat e interesit të depozitave të reja shënuan një rritje veçanërisht pas muajit gusht dhe arritën nivelin më të lartë vjetor në muajin nëntor, në 1.78%.
Kjo mund të shpjegohet me stanjacionin e depozitave në monedhën vendase dhe me ngushtimin e tepricave të likuiditetit të sektorit bankar gjatë pjesës më të madhe të vitit 2023.
Një rol të rëndësishëm luajti sidomos politika fiskale shtrënguese e ndjekur nga qeveria shqiptare. Vetëm pas muajit nëntor, me rritjen e shpenzimeve publike, depozitat bankare iu rikthyen rritjes.
Politika monetare e Bankës së Shqipërisë ka ndihmuar ruajtjen e çmimeve të favorshme për kreditimin e ekonomisë, por nga ana tjetër nuk ka dhënë shumë stimuj për të rritur kursimet dhe përfitimet prej tyre.
Një ritëm i ngjashëm i rritjes së normave të interesit të depozitave vitin e kaluar është regjistruar edhe për monedhën Euro. Sipas Bankës së Shqipërisë, norma mesatare e interesit për depozitat e reja në Euro në muajin dhjetor ishte 0.99%, nga 0.71% në fund të vitit 2022.
Rritja e interesit të depozitave në Euro nuk e ka ndjekur shumë ritmin e rritjes së normave të interesit të depozitave në tregjet europiane. Në tregun shqiptar, përcjellja e lëvizjeve të politikës monetare të BQE-së ka qenë mjaft e kufizuar.
Kjo mund të shpjegohet me ofertën e lartë të fondeve në Euro dhe me mungesën e alternativave të investimit financiar në këtë monedhë. Depozitat në monedhën europiane u rritën me më shumë se 6% vitin e kaluar.
Gjithashtu, normat e ulëta të interesit të depozitave në Euro lidhen edhe me politikat rregullatore të Bankës së Shqipërisë. Banka qendrore nuk u paguan bankave remunerim për rezervën e detyruar në këtë monedhë, përveçse kërkon një nivel më të lartë të kësaj rezerve, krahasuar me Lekun.
Kjo rrit kostot e ndërmjetësimit në Euro për sektorin bankar dhe ndikon direkt në mbajtjen e normave më të ulëta të interesit për depozitat.
Rritet fitimi dhe kthimi nga kapitali
Sipas të dhënave paraprake të publikuara nga Shoqata Shqiptare e Bankave, fitimi i përbashkët i bankave tregtare me Standardet Ndërkombëtare të Raportimit Financiar (IFRS) arriti në 27.9 miliardë lekë, më i larti i regjistruar ndonjëherë.
Fitimi i sistemit është rritur me 17%, krahasuar me vitin 2022.
Rritja e fitimeve të sektorit bankar erdhi sidomos nga rritja e normave të interesit në valutë të huaj dhe nga rënia e mëtejshme e raportit të kredive me probleme, pavarësisht parashikimeve më pesimiste për vitin 2023.
Banka Qendrore Europiane vijoi me rritjen agresive të normave të interesit gjatë vitit 2023 dhe kjo u reflektua në normat e interesit të tregjeve ndërkombëtare dhe në kthime më të larta nga aktivet në valutë të sektorit.
Këtu përfshihen sigurisht edhe kreditë në Euro, që në pjesën më të madhe jepen me norma të ndryshueshme interesi, mbështetur në ecurinë e Euriborit (zakonisht atij 12-mujor). Rritja e Euriborit gjatë vitit të kaluar solli edhe rritjen e të ardhurave nga interesat, megjithëse efekti i kursit të këmbimit e konsumoi pjesërisht këtë rritje, të shprehur në Lek.
Të dhënat e deritanishme sipas IFRS nuk janë të detajuara në nivel të zërave të veçantë të të ardhurave dhe shpenzimeve, por megjithatë disa konkluzione të përgjithshme mund të nxirren, duke analizuar të dhënat mbështetur në standardet paralele të raportimit të Bankës së Shqipërisë.
Sipas standardeve lokale, në vitin 2022, sektori bankar arriti një fitim neto prej 32.5 miliardë lekësh, në rritje me gati 50% krahasuar me një vit më parë. Sektori regjistroi rritje të ndjeshme të të ardhurave neto nga interesi, fakt që dëshmon se cikli i rritjes së normave të interesit ka dhënë një efekt të dukshëm pozitiv në bilancet e bankave. Të ardhurat neto nga interesi (të ardhura nga interesat minus shpenzimet për interesa) arritën në 69.5 miliardë lekë, me rritje vjetore prej 28%.
Edhe të ardhurat jo nga interesat kanë shënuar rritje të lartë në 18.6 miliardë lekë, në rritje me 41% krahasuar me një vit më parë. Rritja ka ardhur sidomos si rrjedhojë e përmirësimit të rezultatit nga instrumentet financiare. Për vitin 2022, ky rezultat kishte qenë negativ, për shkak të rritjes së shpejtë të yield-eve, ndërsa gjatë vitit 2023 u kthye në territor pozitiv.
Ndërkohë, shpenzimet për provigjione (sipas standardeve lokale) u rritën ndjeshëm me 153%, por ato ngelën në vlerë absolute të ulët, rreth 3.8 miliardë lekë, duke bërë që efekti i rritjes së tyre mbi rezultatin financiar të ishte i kufizuar. Rritja e rezultatit financiar është reflektuar dukshëm edhe në treguesit e rentabilitetit të sektorit bankar. Kthimi mesatar neto nga kapitali për 2023 arriti nivelin e 21.67%, nga 14.25% që kishte qenë një vit më parë.
Përmirësimi i kthimit nga kapitali ka ardhur sidomos nga rritja e fitimeve, por edhe nga disa shpërndarje dividendësh të kryera nga banka të veçanta vitin e kaluar. Shpërndarja e dividendëve e ka ngadalësuar rritjen e kapitalit aksioner dhe ka dhënë efekt pozitiv mbi kthimin nga kapitali. Ndërsa kthimi mesatar neto nga aktivet u rrit në nivelin 1.4%, nga 1.3% që kishte qenë një vit më parë.
Euroizimi i kredive dhe depozitave u ul
Euroizimi i kredisë për ekonominë pësoi rënie të ndjeshme vitin e kaluar. Sipas shifrave të Bankës së Shqipërisë, në fund të vitit 2023, kredia në valutë të huaj përbënte 47.1% të portofolit total të sektorit bankar. Krahasuar me një vit më parë, pesha e kredisë në valutë të huaj ka rënë me pothuajse pesë pikë përqindje.
Kjo shënon edhe rënien më të madhe të peshës së kredisë në valutë në harkun e një viti, që nga nisja e strategjisë së deeuroizimit nga Banka e Shqipërisë, në vitin 2017. Treguesi i kredive në valutë, në raport me totalin e kredive, ka shënuar rënie për pjesën më të madhe të bankave të sistemit, me përjashtim të dy prej tyre. Krahasuar me fundin e dhjetorit 2016, ky tregues është ulur për 10 nga 11 bankat e sistemit.
Teprica e kredive në valutë të pambrojtura nga kursi i këmbimit, ku kreditë në Euro zënë rreth 91%, ka shënuar rënie të mëtejshme të peshës ndaj totalit të kredive në valutë. Në fund të dhjetorit 2023, këto kredi shënuan 25.7% të kredive në valutë, ose 12% të totalit të kredisë.
Në terma absolutë vërehet një rënie me 8.6% e kredive të pambrojtura ndaj kursit të këmbimit, krahasuar me fundin e vitit 2022. Megjithatë, Banka e Shqipërisë thekson se kjo rënie e ndjeshme reflekton edhe disa ndryshime strukturore në klasifikim nga një numër i vogël bankash, e lidhur kjo me strategjinë e brendshme të bankave.
Kreditë e ekspozuara ndaj rrezikut të kursit të këmbimit, domethënë rastet kur të ardhurat e subjektit huamarrës janë në monedhë të ndryshme nga monedha e dhënies së kredisë, janë ato me profilin më të lartë të rrezikut. Për këtë arsye, ky tregues mbart një rëndësi të veçantë në monitorimin e masave të uljes së euroizimit. Në fund të gjashtëmujorit të dytë 2023, treguesi që mat peshën e depozitave në valutë ndaj totalit të depozitave, shënoi nivelin 54.3%. Raporti pësoi rënie me 0.7 pikë përqindje krahasuar me një vit më parë.
Shpërndarja sipas bankave e peshës së depozitave në valutë të huaj luhatet mes niveleve 47.15% deri në 59.52%. Rezulton se 10 nga 11 bankat që operojnë në sistemin bankar regjistrojnë një vlerë të këtij treguesi mbi 50%, e cila potencialisht i bën ato subjekt të normës së rezervës së detyrueshme prej 20%. Treguesit e monitoruar nga Banka e Shqipërisë janë raportuar të zhveshur nga efekti i luhatjeve në kursin e këmbimit të monedhës kombëtare ndaj monedhave kryesore të huaja.
Në analizën periodike të ecurisë së treguesve, që janë objekt i strategjisë së deeuroizimit, Banka e Shqipërisë vlerëson se këta tregues kanë lëvizur në kahun e duhur për të arritur objektivat e synuar nga masat e uljes së euroizimit, ndonëse madhësia e ndryshimit është relativisht e vogël.
Sipas Bankës së Shqipërisë, kjo ecuri nxjerr në pah nevojën për ruajtjen e një fokusi afatgjatë në vlerësimin e efekteve të masave të uljes së euroizimit dhe larminë e faktorëve ekonomikë e socialë, që mund të ndikojnë ecurinë e treguesve të përzgjedhur.
Në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2023, mbiçmimi i Lekut ndaj valutave kryesore ka qenë i ndjeshëm dhe më i shpejtë se në periudhat e mëparshme. Megjithatë, edhe kur korrektohen për këtë ecuri të kursit të këmbimit, ecuria e treguesve që monitorohen për të vlerësuar efektet e masave të deeuroizimit ka qenë përgjithësisht në përputhje me objektivat e synuar.
“Ndryshimet strukturore në ekonomi gjatë viteve të fundit, ku veçohet rritja e fortë e të ardhurave nga turizmi dhe zhvillimet inflacioniste, janë shoqëruar me ndryshime të politikave ekonomike dhe monetare, si dhe të sjelljes së agjentëve të ekonomisë reale. Për këto arsye, dallimi i efekteve që lidhen ngushtë me masat e deeuroizimit, mbetet një proces i vështirë.
Gjithsesi, këto masa kanë efekt frenues në ecurinë e euroizimit dhe në mungesë të tyre, madhësia e lëvizjes së ndonjërit prej treguesve, apo edhe kahu i saj, do të ishte i ndryshëm” – thuhet në analizën e Bankës së Shqipërisë. Në vitin 2017, Banka e Shqipërisë nënshkroi një memorandum me Ministrinë e Financave dhe Autoritetin e Mbikëqyjres Financiare, me qëllim zgjerimin e përdorimit të monedhës kombëtare në sistemin financiar dhe në ekonominë shqiptare.
Deri tani, vetëm Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë masa rregullatore konkrete, që tentojnë të rrisin përdorimin e monedhës vendase në sektorin bankar. Këto masa tentojnë të rrisin kostot e ndërmjetësimit financiar në valutë dhe paralelisht t’i ulin ato për Lekun.
Marrë nga Monitor
Foto ilustruese Dashi Për kënaqësitë tuaj më të madhe Venusi do ua bëjë ditën të jashtëzakonshme so...
Anne Hathaway SHBA- Aktorja Jennifer Aniston mund të ketë deklaruar se nuk dëshiron të përdorë kurrë TikTok, por An...
Taylor Swift SHBA- Këngëtarja e njohur Taylor Swift besohet se është e lidhur familjarisht me një sundimtar famëkeq fra...
Mrs. Doubtfire SHBA- Fëmijët e filmit ikonë “Mrs. Doubtfire” dukeshin krejtësisht të panjohur pasi u ribashkuan 3...
Kendall, Kim dhe Kylie SHBA- Emocioni është i dukshëm ndërsa bota e modës po përgatitet për Met Galan e shumëp...
Priscilla dhe Garcia SHBA- Djali i Priscilla Presley, Navarone Garcia, i jep merita nënës së tij që e ndihmoi të mposhte bete...
Ines dhe Brad SHBA- Pas divorcit episodik me Angelina Jolie, aktori Brad Pitt duket se ka gjetur gruan e jetës së tij tek Ines de Ramon. &Cc...
foto ilustruese SHBA- Yjet duke përfshirë Rihanna, Kate Moss, Chrissy Teigen, John Legend dhe shumë të tjerë ecën mbi ta...
Dua Lipa SHBA- Katër vite pas “Future Nostalgia”, albumi i tretë i këngëtares me origjinë shqiptare Dua Lipa m&eu...
foto ilustruese GJENEVË- Organizatorët e Eurovision Song Contest thanë të enjten se rezervojnë të drejtën të h...