Ish-mbrojtësi i Tottenhamit dhe i Kombëtares së Zvicrës, Ramon Vega, ka bërë të ditur se synon të kandidojë përballë Gianni Infantinos në zgjedhjet presidenciale të FIFA-s në vitin 2027.
Vega, 55 vjeç, është bërë kështu një nga emrat e parë që ka dalë publikisht përballë kreut aktual të organizatës botërore të futbollit. Kandidatura e tij vjen në një periudhë tensionesh mes FIFA-s dhe drejtuesve të futbollit evropian.
Ish-futbollisti zviceran ka kritikuar mënyrën e qeverisjes së FIFA-s nën drejtimin e Infantinos, duke argumentuar se përplasjet dhe mungesa e besimit kanë dëmtuar marrëdhëniet brenda futbollit ndërkombëtar.
“Futbolli duhet të jetë gjithmonë në qendër. Për një kohë shumë të gjatë, përçarja ka dëmtuar familjen e futbollit”, është shprehur Vega.
Ai ka deklaruar se kandidon me synimin për të bashkuar komunitetin e futbollit në të gjithë botën, për të sjellë reforma dhe për të rikthyer stabilitetin dhe besimin te institucionet drejtuese.
Vega nuk është një emër i panjohur në politikën sportive. Në vitin 2015 ai kishte tentuar të hynte në garën për drejtimin e FIFA-s, por kandidatura e tij nuk arriti të avancojë deri në fazën përfundimtare.
Zgjedhjet e ardhshme presidenciale të FIFA-s pritet të zhvillohen në vitin 2027. Kandidatët duhet të plotësojnë disa kritere, përfshirë përvojën në futboll gjatë dy prej pesë viteve të fundit, mbështetjen e të paktën pesë federatave kombëtare dhe kontrollet e përshtatshmërisë nga FIFA.
Në të njëjtën kohë, në Evropë po zhvillohen diskutime mbi mënyrën se si UEFA dhe federatat anëtare do të pozicionohen përballë Infantinos. Presidenti i UEFA-s, Aleksander Čeferin, ka kritikuar publikisht disa prej vendimeve të FIFA-s dhe ka bërë thirrje për ndryshime.
Takimet mes federatave evropiane pritet të përcaktojnë hapat e ardhshëm në raport me drejtimin e FIFA-s, ndërsa Vega tashmë ka bërë publik synimin e tij për të garuar për postin më të lartë të institucionit botëror të futbollit.