AKTUALITET

10 masa sigurie të lëshuara dhe tre efektivë në pranga/ SPAK zbardh skemën e grupit kriminal në Sarandë: Kultivonin drogë dhe e trafikonin drejt Greqisë

r.ll Përditësimi i fundit 2 Mars 2025, 12:58
10 masa sigurie të lëshuara dhe tre efektivë në pranga/ SPAK
foto ilustruese

TIRANË- Prokuroria e Posaçme ka dalë me reagim zyrtar lidhur me operacionin antidrogë ku janë lë shuar 10 masa sigurie, janë arrestuar tre efektivë policie dhe një është shpallur në kërkim. 

Në njoftimin e SPAK bëhet me dije se gjatë viteve 2019-2021 në Sarandë vepronte një grup i strukturuar kriminal i cili kultivonte lëndë narkotike në ambiente të mbyllura dhe e trafikonte drejt Greqisë. Më tej thuhet se ajo që vihet re nga hetimet është se në rastet kur anëtarët e këtij grupi arrestoheshin, anëtarët e tjerë interesoheshin për t’i garantuar ndihmë ekonomike personave të arrestuar si edhe sigurimin e mbrojtjes në proceset gjyqësore.

Në pranga në kuadër të këtij operacioni ka rënë Shkëlzen Ruska, me detyrë shef krimesh në Himarë. Ruska akuzohet për kultivim kanabisi, grup i strukturuar kriminal, shpërdorim detyre dhe kryerja e veprave penale nga organizata kriminale.

Për të njëjtat akuza, në pranga ka rënë edhe shefi i Krimeve në Komisariatin e Lushnjes Ervis Alisinanaj. Këtij të fundit i rëndon edhe akuza e ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike. Alisinanaj ka qënë më herët specialist në sektorin e policisë kufitare të Vlorës, por është shkarkuar në vitin 2022 nga ky post pas tragjedisë që ndodhi në Potam ku humbi jetën një 7-vjeçare.

Gjithashtu në kuadër të operacionit i shpallur në kërkim është shefi i Komisariatit i Policisë Kufitare në Sarandë, Elvis Dërvishi i akuzuar për “trafikimi i narkotikëve”, “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal” dhe “Shpërdorim detyre”. Erdit Hazizaj është personi i katërt i arrestuar nga AMP. Hazizaj është larguar nga policia në vitin 2022 për të marrë pjesë më vonë në primaret e Partisë Demokratike.

Një njoftimin e SPAK thuhet se Hazizaj dhe Dërvishi duke shfrytëzuar pozicionin e tyre të atëhershëm si punonjës të policisë së shtetit, ndihmonin drejtuesit e grupit të strukturuar kriminal, me këshilla dhe informacione të vazhdueshme për mirëfunksionimin e veprimtarisë kriminale në lidhje me trafikimin e narkotikëve, si dhe duke u siguruar anëtarëve të tjerë të grupit të strukturuar kriminal siguri në këtë veprimtari.

Gjatë ekzekutimit të vendimeve të gjykatës është ushtruar kontroll, ku janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale sende të ndryshme si telefona, armë etj, dhe po vazhdojnë kontrolle në  banesa dhe ambiente të tjera.

NJOFTIMI I PLOTË I SPAK: 

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka regjistruar më 23.09.2022, proçedimin penal nr.169 të vitit 2022, si dhe aktualisht po vazhdon hetimet paraprake për veprat penale; “Fallsifikim i dokumentave”, “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” , “Shpërdorim i detyrës” , “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Trafikimit të lëndëve narkotikëve”, e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit atë të grupit të struktuar kriminal, “Kultivim i bimëve narkotike”, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit atë të grupit të strukturuar kriminal , “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit atë të grupit të struktuar kriminal,  “Grupi i strukturuar Kriminal”, si dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal“ , të parashikuar nga nenet 186, 245/1, 248, 283/a e 28/4, 284 e 28/4, 287 e 28/4, 333/a dhe 334  të Kodit Penal.

Në kuadër të këtij procedimi penal, Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në bashkëpunim të ngushtë me Eurojust, Europol dhe agjencitë ligjzbatuese franceze dhe greke ka zhvilluar hetime lidhur me disa shtetas shqiptarë të përfshirë në aktivitete kriminale në Shqipëri dhe Greqi. 

Gjatë hetimeve intensive të kryera nga hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), nën drejtimin e prokurorëve të posaçëm është bërë i mundur dokumentimi i aktivitetit kriminal të personave të dyshuar si dhe identifikimi i disa prej autorëve të ngjarjeve kriminale dhe veprave penale, një pjesë e të cilave është kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal si vijon:

Gjatë viteve 2019-2021, evidentohet fakti se në Sarandë ka vepruar një grup i strukturuar kriminal, i cili merrej me kultivimin dhe trafikimin e bimëve dhe lëndëve narkotike, ndërsa, krijuesi, drejtuesi dhe organizuesi i tij dyshohen se janë shtetasit nën hetim; K.Q (alias J.H, alias J.Q) dhe E.A (alias K.A).

Nga hetimi del në pah fakti se gjatë viteve 2019-2021, pjesëtarë të këtij grupi të strukturuar kriminal, kanë pasur detyra të caktuara me qëllim kultivimin e bimëve narkotike, cannabis sattiva në zonën e Sarandës dhe rrethinat e saj, duke e mbjellë në zona të caktuara dhe kultivuar në ambiente të mbyllura.

Në bashkëpunim mes tyre, anëtarët e këtij grupi të strukturuar kriminal kanë siguruar bimën narkotike, ndërsa anëtarë të caktuar, personat që do të kryenin transportin e lëndës narkotike nga Shqipëria drejt Greqisë.  Ajo që vihet re është se në rastet kur anëtarët e këtij grupi arrestoheshin nga agjencitë ligjzbatuese, anëtarët e tjerë interesoheshin për t’i garantuar ndihmë ekonomike personave të arrestuar si edhe sigurimin e mbrojtjes në proceset gjyqësore.

Përveç krijuesit, drejtuesit dhe organizuesit që dyshohen se janë shtetasit nën hetim; K.Q (alias J.H, alias J.Q) dhe E.A (alias K.A), anëtarë të tjerë të këtij grupi të strukturuar kriminal që kryente trafikimin e lëndëve narkotike nga Shqipëria në Greqi, dyshohen se janë:

Shtetasit italianë L.B dhe D.C, të cilët janë dënuar në Republikën e Greqisë për këtë veprimtari të kundraligjshme, si dhe shtetasi nën hetim B.T.

Punonjësit e policisë së shtetit E.D dhe E.H, të cilët duke shfrytëzuar pozicionin e tyre të atëhershëm si punonjës të policisë së shtetit, rezulton të kenë ndihmuar drejtuesit e grupit të strukturuar kriminal, me këshilla dhe informacione të vazhdueshme për mirëfunksionimin e veprimtarisë kriminale në lidhje me trafikimin e narkotikëve, si dhe duke u siguruar anëtarëve të tjerë të grupit të strukturuar kriminal siguri në këtë veprimtari të kundraligjshme.

Disa shtetas shqiptarë të tjerë, të paidentifikuar deri më tani nga hetimi.

Nga hetimi është arritur të dokumentohet rasti i trafikimit për në Greqi, më 07.03.2020, përmes pikës së kalimit kufitar, “Qafë Botë”, të një sasie prej 1144.9 kg cannabis sativa të papërpunuar, 4.068 kg cannabis të përpunuar (çokollatë) dhe 0.916 kg cannabis i përpunuar (vaj), me vlerë rreth 1.700.000 euro, sasi kjo që u është sekuestruar dy shtetasve italianë të dënuar në Greqi.

Përveç krijuesit, drejtuesit dhe organizuesit që dyshohen se janë shtetasit nën hetim K.Q (alias J.H, alias J.Q) dhe E.A (alias K.A), anëtarë të tjerë të këtij grupi të strukturuar kriminal në lidhje me kultivimin e bimëve narkotike, dyshohen se kanë qenë: Shtetasit nën hetim XH.N dhe SH.K;

Punonjësit e policisë së shtetit E.A dhe E.H, të cilët duke shfrytëzuar pozicionin e tyre të atëhershëm si punonjës të policisë së shtetit, rezulton të kenë ndihmuar drejtuesit e grupit të strukturuar kriminal me këshilla dhe informacione të vazhdueshme për mirëfunksionimin e veprimtarisë kriminale në lidhje me kultivimin e bimëve narkotikëve, si dhe duke u siguruar anëtarëve të tjerë të grupit të strukturuar kriminal siguri në këtë veprimtari të kundraligjshme.

Disa shtetas shqiptarë të tjerë të paidentifikuar ende deri më tani nga hetimi.

Nga hetimi, evidentohet fakti i pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale, nga të ardhura të dyshuara prej përfitimit nga trafikimi i lëndëve narkotike dhe kultivimi i bimëve narkotike nga personat nën hetim K.Q (alias J.H, alias J.Q) , E.A (alias K.A) dhe SH.K, të cilët si gjatë periudhës së veprimtarisë kriminale në trafikimin dhe kultivimin e lëndëve narkotike, ashtu dhe pas kësaj periudhe, kanë investuar në pasuri të paluajtshme dhe të luajtshme, me qëllimin e vetëm, pastrimin e produkteve të veprës penale.

Nga hetimet është evidentuar fakti se gjatë viteve 2019-2021, në zonën Tepelenë-Gjirokastër ka vepruar një grup i strukturuar kriminal i destinuar për kultivimin e bimëve narkotike, ku krijuesi, drejtuesi dhe organizuesi i këtij grupi të strukturuar kriminal dyshohet se është shtetasi nën hetim L.B (alias E.S), ndërsa anëtarë të tjerë të këtij grupi dyshohet të kenë qenë:

Punonjësi i policisë së shtetit SH.R, i cili duke shfrytëzuar pozicionin e tij të atëhershëm si punonjës të policisë së shtetit , rezulton se ka ndihmuar drejtuesit e grupit të strukturuar kriminal duke dhënë këshilla dhe informacione të vazhdueshme për mirëfunksionimin e veprimtarisë kriminale në lidhje me kultivimin e bimëve narkotikëve, si dhe duke u siguruar anëtarëve të tjerë të grupit të strukturuar kriminal siguri në këtë veprimtari të kundraligjshme.

Disa shtetas shqiptarë të tjerë të paidentifikuar deri më tani nga hetimi, të cilët nën drejtimin e krijuesit, organizatorit dhe drejtuesit të grupit të strukturuar kriminal, L.B (alias E.S), merreshin drejtëpërdrejtë me kultivimin e bimëve narkotike.
Nga hetimi është arritur të dokumentohet fakti se në datën 01.10.2020, nga shërbimet e policisë gjyqësore te Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër, në rrugën mes fshatit Dukaj dhe fshatit Salari, Tepelenë, (në një distancë rreth 1000 metra nga fshati Dukaj për në fshatin Salari), në një furgon tip “Iveco”, me ngjyrë të bardhë të mbyllur janë gjetur dhe sekuestruar bimë narkotike cannabis sattiva në formën e bimëve, me kërcell, degë, gjethe dhe boçe, në gjendje të njomë, me peshë totale 1280 (një mijë e dyqind e tetëdhjetë) kilogram dhe e përberë nga 1360 (një mijë e treqind e gjashtëdhjetë) bimë me gjatësi 30 – 120 cm.

Nga veprimet hetimore në kuadër të procedimit penal nr.169 të vitit 2022 të regjistruar në Prokurorinë e Posaçme, ka rezultuar se bimët narkotike ishin kultivuar nga grupi i strukturuar kriminal i drejtuar nga L.B (alias E.S).

Është evidentuar fakti se më datë 17.09.2020 në qytetin e Sarandës shtetasi nën hetim XH.N ka qarkulluar me një makinë në përdorim të tij, duke mbajtur pa leje të organeve kompetente shtetërore në automjet një armë zjarri e llojit pistoletë me mulli, të kalibrit 9.5 mm, si dhe 17 fishekë të kalibrit 9.5 mm, të futur në një kuti.

Është evidentuar fakti se personi nën hetim E.A (alias K.A) ka ushtruar ndikim të paligjshëm tek punonjësi i policisë personi nën hetim E.A, si dhe pas këshillave të këtij të fundit, është arritur që mbajtjen pa leje të armës së zjarrit në automjet e ka marrë përsipër një shtetasi tjetër i mitur, i cili më pas është arrestuar nga oficerët e policisë gjyqësore, ndërkohë që realisht shtetasi i mitur ka qenë duke drejtuar pa leje drejtimi, mjetin e mësipërm ku ndodhej dhe arma, mjet i cili i ishte dhënë nga shtetasi nën hetim XH.N disa çaste më parë.

Gjithashtu nga hetimet paraprake evidentohet se gjatë periudhës së viteve 2019-2021, shtetasit nën hetim E.H, E.A, E.D dhe SH.R, punonjës policie, me veprimet e tyre të kundraligjshme të kryera me dashje, kanë konsumuar veprën penale të “Shpërdorim i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i K.Penal, duke kryer/apo moskryer me dashje në vazhdimësi veprime apo mosveprime që përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës së tyre si punonjës të policisë së shtetit, i kanë sjellë një dëm të konsiderueshëm interesave të ligjshëm të shtetit, duke cënuar sigurimin e veprimtarisë së rregullt ligjore të punonjësve të policisë së shtetit, si dhe duke cënuar besueshmërinë e policisë së shtetit përpara publikut në lidhje me misionin e saj për ruajtjen e rendit dhe të sigurisë publike, garantimin e zbatimit të ligjit, në përputhje me Kushtetutën dhe aktet ndërkombëtare, sic përcaktohet dhe në ligjin nr.108/2014 dt.31.07.2014 “Për policinë e shtetit” të ndryshuar, si dhe  në aktet nënligjore “Rregullorja e Policisë së Shtetit” .

Bazuar në kërkesën e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr.17, datë 28.02.2025 ka vendosur caktimin e masave të sigurisë personale “arrest në burg” për 10 shtetas të dyshuar si autorë të kryerjes së veprave penale, konkretisht për shtetasit K.Q (alias J.H, alias J.Q) , E.A (alias K.A), B.T, SH.K, XH.B, L.B (alias E.S), E.H, E.D, SH.R dhe E.A.

Më datën 01.03.2025  nga  Agjencia e Mbikqyerjes Policore dhe Byroja Kombëtare e Hetimit, nën drejtimin e Prokurorisë së Posaçme, janë ekzekutuar urdhërat për ekzekutimin e vendimit penal nr.17, datë 28.02.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për shtetasit:

-E.H, i cili në kohën e kryerjes së veprave penale ka qenë ndër të tjera dhe punonjës policie në Drejtorinë e Forcës Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Shtetit, si dhe është larguar nga Policia e Shtetit në vitin 2022.

-SH.R, i cili në kohën e kryerjes së veprave penale ka qenë me detyrën pranë Sektorit të Luftës Kundër Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Gjirokastër, ndërsa në momentin e zbatimit të masës së sigurimit “arrest në burg” ishte me detyrën e Shefit të Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Himarë.

-E.A, i cili në kohën e kryerjes së veprave penale ka qenë me detyrën e Shefit të Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë, ndërsa në momentin e zbatimit të masës së sigurimit “arrest në burg” ishte me detyrën e Shefit të Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lushnje.

Është shpallur në kërkim punonjësi i policisë E.D, i cili në kohën e kryerjes së veprave penale ka qenë me detyrën e Shefit të Pikës së Kalimit Kufitar Qafë Botë, Sarandë , ndërsa aktualisht ishte me detyrë Shef i Komisariatit të Policisë Kufitare Sarandë.

Gjithashtu nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit në Bashkëpunim me hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit, janë kryer veprimet e mundshme proçeduriale dhe operative për lokalizimin e shtetasve të tjerë ndaj të cilëve Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr.17, datë 28.02.2025 ka vendosur caktimin e masave të sigurisë personale “arrest në burg” dhe zbatimin e masave të sigurimit, por ka rezultuar se një numër i konsiderueshëm ndodhej jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.

Gjatë ekzekutimit të vendimeve të gjykatës është ushtruar kontroll, ku janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale sende të ndryshme si telefona, armë etj, dhe po vazhdojnë kontrolle në  banesa dhe ambiente të tjera

Falenderojmë Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore dhe Byronë Kombëtare të Hetimit për profesionalizimin e treguar dhe bashkëpunimin e ngushtë, gjatë fazës së ekzekutimit të vendimeve të gjykatës.

Falenderim të veçantë për Eurojust, Europol, Autoritetet Gjyqësore Franceze dhe Greke për bashkëpunimin intensiv dhe kontributin e dhënë në kuadër të hetimeve të këtij proçedimi penal. 

Artikuj te sugjeruar

video

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 16

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 16

Gruaja me dy identitete që premton “shërim” me ujin e kufomave në Pejë

A ka Shqipëria një Nicola Gratteri?

Katër nëna në kërkim të fëmijeve/ Bisedat që zbuluan rrjetin e errët

Flamur Gjuzi, i dënuar për"shpërdorim detyre" sot drejtor i Policisë Bashkiake, sërish shkel ligjin?

Pallatet u zhytën“Durrës Marina" dhe Autoriteti Portual bëjnë veprimin e papritur përballë skandalit

Ekskluzive/ Nicola Gratteri çmonton skemën e pastrimit të parave të ndërtimit në Tiranë

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 15

Enkel Demi duke luftuar paragjykimet për shqiptarët. (kamera e fshehtë)

Milva Ekonomi i firmosi miliona euro Vilma Nushit, kjo e fundit i investoi te kulla e Ervin Matës

Ajo çfarë mund të na mësojë Kosova.

Laboratorë “copy-paste”/ I njëjti mjek firmos analiza në disa pika, skema që ngre pikëpyetje

Rrjeti i ‘errët’ i vajzave të zhdukura! Bisedat tronditëse si funksiononte grupi.

Bleu 300 m2 tokë në vitin 2004, kthehet nga emigrimi dhe gjen aty vilë 3-katëshe.

“Na detyruan nga Dubai”/ Konstruktori i Durrës Marina zbulon pse u zhytën pallatet

Drejtori që tregon sjellje të pahijshme me nxënësen: Jam i fortë edhe në parti

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 14

Turisti zemërgjerë nga Italia dhe patatinat falas

Aksidentet “pushtojnë” oborrin e familjes në Klos, banori: Një ditë do ndodhë tragjedi

Lidhja jashtëmartesore që përfundoi në makth /32-vjeçarja rrëfen shantazhin me video intime

Sherr në terminalin e Peshkopisë, shoferi: Mos më vidh pasagjerët! Shko ha bukë te pjesa jote

Artisti dhe Frika

Si u kthye në urrejtje dashuria mes ish-bashkëshortëve dhe ‘lufta’ për 200 mijë euro!

14-vjeçare me dr*gë dhepro*titucion, rrjeti i errët i minoreneve të zhdukura

Zhytja e pallateve te Alabarit/ IKMT pranon anomalitë në “Durrës Marina”: Janë zhytur 28 cm

"Ederlezi", festa e veçantë e komunitetit rom.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 13

Do t’i fus duart edhe nëse bërtet, motra e 13 vjeçares rrëfen tmerrin e mesazheve që mësuesi ia çon

“Inspektori gjobëvënës” i bashkisë terrorizon qytetarët

Pagat e mohura të druvarëve në Navaricë! Miliona lekë për të marrë dhe kërcënime

Rruga Thumanë–Kashar/ 1 miliard euro dhe “5 lekëshi” që po merret nga xhepat e qytetarëve

Me viza turistike ose kontrata futbolli drejt Europës/ Kush fshihet pas skemës së trafikimit?

Nënat denoncojnë ikjet nga shtëpia dhe jetën e dyshimtë të adoleshentëve

Për mediat dhe fëmijët

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 12

Muzikanti i rruges “vjedh” koleget. Banka e fundit

Dajak për 50 metra rrugë në Dibër, kushërinjtë në ’luftë’ për pronën.

Fisnik Syla, “BAMIRËS” apo shantazhues

A janë "idiotë "shqiptarët e Maqedonisë së Veriut? Çfarë do të thoshte Arbën Xhaferraj?

Presidenti i FSHP reagon për deklaratat e Erkand Qerimaj: Lajthita atëherë, tani kam reflektuar

Nga jetimorja te humbja e kujdestarisë. Rrëfen nëna që kërkon bashkimin me vajzën pas 13 vitesh

Tigrat e Vlorës: energjia që prodhohet 6 herë më shtrenjtë se sa shitet.

Skandali i zhytjes së pallateve në Durrës Marina / Ndërhyn IKMT.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 11

Dhjetëra punonjës fasonerie pa marrë pagat: Blerimi mori lekët dhe u zhduk! Pronari premton zgjidhje

Hapet filial i bankës turke në “zemër” të Bllokut, reklamat vendosen pa leje

Energji për brezin tim

Nga ‘Viola’ tek Dorina: Si përfundoi në borxh një histori dashurie në distancë

Firma “Trade Minerals Al” po shkatërron mjedisin dhe infrastrukturën e fshatit Gjegjan në Kukës

Nga shpërthimi i drejtorit te prapaskenat e ushqimit në institucionin privat në Elbasan