Planet për ndërtimin e një resorti luksoz nga familjarët e presidentit amerikan, Donald Trump, në zonën piktoreske të Zvërnecit po anashkalojnë banorët e zonës dhe të drejtat e tyre të pronësisë, ndërkohë që po përballen në një konflikt të gjatë gjyqësor me biznesmenin kontrovers, Artur Shehu.
Vladimir Karaj | BIRN
Përgjatë dy ditëve të vrenjtura më 21 dhe 22 janar, zona piktoreske e Zvërnecit buzë lagunës së Nartës në Vlorë u kthye në tokën e Ivanka Trump – vajzës së presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Fshati u rrethua nga forca të shumta policie, ndërkohë që Trump e shoqëruar nga një grup i madh arkitektësh dhe biznesmenësh, u filmuan teksa lëviznin me një eskortë makinash të larta nëpër zonë.
Ivanka Trump vizitoi dy herë gjatë qëndrimit manastirin e vjetër të Shën Mërisë në ishullin e Zvërnecit, ku bëri foto dhe ndezi qirinj.
Ajo u takua gjithashtu disa herë me kryeministrin Edi Rama, me të cilin u filmua edhe gjatë një darke.
Por stacioni kryesor ishte plazhi me rërë të bardhë i Porta Novës, ku grupi ngriti çadra dhe shpenzoi shumicën e kohës.
Megjithatë, banorët e fshatit të Zvërnecit i ndoqën ngjarjet nga televizori.
“Nuk u thirr njeri”, thotë me zemërim Kostaq Konomi, kryeplaku i fshatit Zvërnec. “Ata qëndruan dy-tre ditë atje, por nuk të linin të afroheshe”.
Komuniteti i vogël i Zvërnecit jeton prej vitesh nën tensionin e humbjes së pronave për shkak të një konflikti të gjatë gjyqësor me Artur Shehun – një biznesmen kontrovers i pasurive të patundshme në Vlorë, i cili jeton prej dy dekadash në Florida të Shteteve të Bashkuara.
Por planet e dhëndrit të presidentit Trump, Jared Kushner dhe bashkëshortes së tij, Ivanka Trump për ndërtimin e një resorti luksoz në Zvërnec, e kanë sjellë këtë rrezik më afër.
Banorët e fshatit të Zvërnecit, të cilët pretendojnë se janë pronarë të tokës mbi të cilën po planifikohet të bëhet investimi, ankohen se po përjashtohen nga çdo informacion dhe vendimmarrje.
“Pse kjo heshtje këtu, nuk e di çfarë bëhet? Këtu lë shumë dyshim, lë shumë dyshim”, tha Konomi, duke ironizuar edhe mediat që në orë të tëra transmetimi televiziv, askush nuk i përmendi banorët e zonës që e kanë lidhur jetën me tokën.
I pyetur nga BIRN për projektin e Kushner dhe Ivanka Trump në Zvërnec, kryeministri Edi Rama, tha përmes një zëdhënësi se qeveria nuk ishte e përfshirë.
“Zona në fjalë është pronë private dhe qeveria s’është palë në asnjë marrëveshje”, tha kryeministri përmes zyrës së shtypit.
“Projekti do të trajtohet si të gjithë projektet e tjerë që kalojnë në rrugën institucionale deri në pajisjen me leje”, shtoi ai.
Edhe ministri i Turizmit, Blendi Gonxhe, tha se ministria e tij nuk ishte e përfshirë në planet e Kushner për të ndërtuar në Shqipëri.
Të pyetur nga BIRN mbi konfliktin e pronësisë, përfaqësuesit e kompanisë së Kushner nuk u përgjigjën deri në publikimin e këtij shkrimi.
Projekti mbi tokën e kontestuar
Projektet e Jared Kushner dhe Ivanka Trump në Shqipëri përfshijnë një resort ultra-luksoz në ishullin e Sazanit dhe një kompleks të dytë turistik në zonën e Zvërnecit.
Projekti i Sazanit u bë zyrtar në fund të vitit 2024, kur pak para se Donald Trump të inaugurohej për herë të dytë president i SHBA-së, qeveria e kryeministrit Edi Rama i dha atij statusin e investitorit strategjik.
Megjithatë, interesi kryesor duket se është devijuar drejt Zvërnecit, pavarësisht se projekti nuk ka kaluar ende nëpër hallkat burokratike të miratimit.
Sipas projektit të bërë publik, resorti parashikohet të shtrihet nga plazhi i Dajlanit drejt atij të Porta Novës, rreth një ligatine dhe një pylli të dendur në kufi me lagunën e mbrojtur të Nartës.
Pak ditë përpara vizitës së Ivanka Trump në Vlorë, banorët e Zvërnecit u alarmuan nga një njoftim i Kadastrës së Vlorës.
Sipas dokumenteve që BIRN i disponon, Artur Shehu kishte bërë një kërkesë të re në Kadastër për t’u pajisur me “dublikatë” certifikate pronësie për një pasuri pylli prej 51,944 m² – tokë e cila shtrihet sipas banorëve në gjurmët e projektit dhe që ndodhet në proces gjyqësor. Në kërkesë, Shehu pretendonte se dokumenti kishte humbur.
Sipas kryeplakut Konomi, kjo kërkesë nuk ishte thjesht një procedurë administrative, por sinjali i radhës se konflikti i vjetër me banorët e zonës po hynte në një fazë të re, për shkak të interesit për investimet luksoze në zonë.
Konomi dhe një tjetër banor iu drejtuan Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, duke kërkuar refuzimin e kërkesës së Shehut për shkak se prona ndodhej në një konflikt gjyqësor.
“Pasuria e pretenduar nga shtetasi Artur Shehu është pronë e banorëve të fshatit Zvërnec, të cilën e kanë përfituar atë nëpërmjet ligjit nr. 7501, datë 19.07.1991, ‘Për tokën’,” shkruajnë ata.
Çështja e tokave në Zvërnec, që përfshijnë kullota, ullishta, toka bujqësore dhe sipërfaqe djerrë buzë detit, është një konflikt që ilustron amullinë në të cilën ndodhet e drejta e pronës në Shqipëri prej vitesh.
Banorët e kanë përfituar atë në bazë të ligjit 7501 dhe disponojnë aktet e marrjes së tokës në përdorim, AMTP, por Konomi thotë se shumica u kujdes që ndarjet pas viteve ’90 të shkonin sipas kufijve të vjetër.
“Unë mora ullinjtë e babait tim,” thotë ai në oborrin e shtëpisë së tij në Zvërnec.
Në vitin 2012, banorët mësuan se e njëjta tokë u ishte njohur edhe trashëgimtarëve të familjes Shehu, me Artur Shehun si një nga përfituesit.
Të alarmuar, banorët e Zvërnecit u bënë bashkë dhe bënë padi në Gjykatë. Katërmbedhjetë vjet më vonë, ata janë ende në proces gjyqësor, pasi çështja është rikthyer disa herë për rigjykim.
Konflikti i stërzgjatur civil për pronësinë nuk është i vetmi.
Për tokat në Zvërnec ka një seri procesesh penale të nisura nga prokuroritë e Vlorës dhe Tiranës me të dyshuar ish-përfaqësuesin ligjor të Shehut, të cilat janë gjithashtu ende në shqyrtim nëpër gjykata. Sipas një vendimi të Gjykatës së Lartë, njëri prej dokumenteve të përdorura nga familja Shehu është provuar si i falsifikuar.
Për banorët, vizita e Trump dhe e arkitektëve në Zvërnec nuk do të ishte një lajm i zymtë nëse pronat do t’u njiheshin atyre.
“Le të vijnë të investojnë, do hapin punë për rininë,” thotë një burrë rreth të 60-ave, i cili këmbëngul gjithashtu që investimi të mos jetë zaptues.
Edhe Konomi shprehet i habitur se si banorët që jetojnë prej shekujsh në këtë zonë nuk llogariten.
“Diskutohet Zvërneci, Zvërneci, Zvërneci, Zvërneci dhe askush nuk e përmend që ka ca njerëz aty, që ka një konflikt prone që vijon prej vitit 2006,” tha ai.
Shqetësime mjedisore
Përtej konflikteve të pronësisë, projekti i Kushner në Zvërnec përballet me kundërshti dhe kritika nga aktivistët mjedisorë, të cilët janë të shqetësuar për ndikimin që ai do të ketë mbi zonën e mbrojtur dhe lagunën e Nartës – një prej habitateve më të rëndësishme për jetën e shpendëve të egër në Europë.
Artikuj te sugjeruar
AKTUALITET
2 Shkurt13:08
Rruga në Luz të Fushë-Krujës, e mbushur me gropa dhe pellgje uji, kthehet në vështirësi për banorët
Rruga kryesore e fshatit Luz, vetëm disa kilometra larg qendrës së Fushë-Krujës, është kthyer në një pengesë...
AKTUALITET
2 Shkurt13:05
BIRN: Vizita e Ivanka Trump rindez konfliktin e pronësisë për Zvërnecin
Planet për ndërtimin e një resorti luksoz nga familjarët e presidentit amerikan, Donald Trump, në zonën piktoreske të Zv&eu...
AKTUALITET
2 Shkurt12:59
Përshtatja me klimën, Shqipëria përgatitjen më të dobët në rajon
Shqipëria ka përgatitje nën nivelin bazë dhe shumë më pas rajonit në përshtatjen e sistemit të saj arsimor dhe tr...
AKTUALITET
2 Shkurt12:36
Shqiptarët rekord me blerjet e makinave! Në 10 vite dyfishuan numrin duke kaluar 1 milion
Në vitin 2014, në Shqipëri qarkullonin rreth 490 mijë automjete. Dhjetë vite më vonë, në vitin 2025, ky numër ka ...
AKTUALITET
2 Shkurt12:33
Shembja në aksin Librazhd-Qafë Thanë/ Çudit kreu i ARRSH: Mali ka pirë shumë ujë!
Kreu i ARRSH-së, Ami Kozeli, teksa ka folur për mediat pas rrëshqitjeve të dherave në aksin Librazhd-Qafë Thanë, deklaroi s...
AKTUALITET
2 Shkurt11:48
''Plasaritje dhe çarje në muret e betonit në tunelin e Murrizit''/ Gazetari Almer Toska kallëzon në SPAK Belinda Ballukun
Gazetari Almer Toska ka depozituar një kallëzim penal në Prokurorinë e Posaçme në lidhje me zëvendës kryeministren d...
AKTUALITET
2 Shkurt11:49
Kamionçina thyen barrierat dhe përfundon në plazh, një i plagosur rëndë
Një aksident është shënuar në zonën e Kalasë në Vlorë paraditen e kësaj të hëne. Një kamion&c...
AKTUALITET
2 Shkurt11:48
Atentati/ Zbardhet dëshmia e policit që ishte në berberhane
Polici i cili ishte i pranishëm gjatë atentatit në berberhanen në Lezhë, ku u plagos me armë zjarri Sokol Daci, ka dhën&eum...
AKTUALITET
2 Shkurt11:45
Akuzohet për shpërdorim detyre, kalon për gjykim dosja e kryetarit të bashkisë Tropojë
Kryetari i Bashkisë Tropojë, Rexhë Byberaj, do të përballet me Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit t&e...
Nga Borja Mendez
AKTUALITET
2 Shkurt11:42
Gazeta spanjolle: Kjo është familja shqiptare që ka përmbytur Spanjën me drogë dhe që korrupton policët
Biznesi i drogës është ciklik dhe çdo herë shfaqet një aktor i ri që dëshiron të dominojë skenën. K&e...