Një grup kriminal në Selanik u godit nga policia greke, ndërsa akuzohet si përgjegjës për një atentat me armë zjarri në këtë qytet. Grupi dyshohet se është i përfshirë në trafik droge Shqipëri-Greqi.
Gentian Cipi 39 vjec, me precedentë penalë në Shqipëri, Enea Basholli 30 vjec dhe Kleo Topi 23 vjec, të tre nga Korça, kanë rënë në prangat e policisë helene. Ata dyshohen se në orët e para të 3 shtatorit, në zonën e Pilaias në Selanik, kanë hapur zjarr jashtë një kantine, duke tentuar të vrasin një 25-vjeçar grek, i cili u plagos rëndë duke marrë plagë në gjoks dhe dorë.
Në vendin e ngjarje policia gjeti 3 gëzhoja. Sipas policisë greke, personi që qëlloi me armë ishte Gentian Cipi, i cili rezulton kreu i një grupi kriminal qe kryen trafik droge dhe veprime të dhunshme. Pas ngjarjes, tre të dyshuarit janë larguar me automjetin në pronësi të Enea Bashollit.
Gjatë operacionit për kapjen e tyre në Selanik, Cipi dhe Topi, nuk i janë bindur urdhrit të policisë, duke u larguar me shpejtësi me automjetin e tyre, me të cilin lëviznin dhe kanë kryer manovra të rrezikshme duke përplasur një mjet të policisë. Ata kanë braktisur mjetin dhe janë larguar në këmbë, por janë kapur më pas. Pak orë më vonë, në zonën e Halkidikisë, ka rënë në pranga edhe Enea Basholli.
Gjatë kontrolleve të policisë greke, janë gjetur dhe sekuestruar 1 Kallashnikov me 30 fishekë, 3 pistoleta, silenciator, rreth 31 kg marijuanë, pasaportë false, patentë false, 23 mijë e 350 euro, celularë dhe 3 automjete.
gentian cipi enea basholli