AKTUALITET

Enver Hoxha bashkëpunoi me nazistët gjermanë? Takimet me oficerët e Wehrmacht dhe marrëveshja e fshehtë e shtatorit ‘44!

PROF.DR.ELMAS LECI Përditësimi i fundit 5 Dhjetor 2025, 08:03

Enver Hoxha bashkëpunoi me nazistët gjermanë? Takimet me

“Gjermanët shkuan e kërkuan kompromis me Lëvizjen Nacionalçlirimtare dhe kjo ndodhi për herë të parë, kur trupat gjermane hynë në Shqipëri më 9 shtator të vitit 1943”. Materiali që cituam bazohet në dokumente arkivore britanike (SOE), por edhe gjermane, madje edhe shqiptare, si dhe në analiza të historianëve modernë. Thuhet në dokumentet e SOE-as se Komanda Gjermane i propozoi Shtabit të Përgjithshëm, Enver Hoxhës “për dorëzimin e pushtetit dhe krijimin e një qeverie shqiptare me kushtin që forcat gjermane të mos sulmoheshin sa kohë që do të qëndronin në Shqipëri”. Moment i dytë i bërjes së takimeve të Enver Hoxhës me oficerë të lartë të forcave pushtuese gjermane në Shqipëri, pasi ka pasur disa takime të tilla gjatë Luftës Antifashiste, është edhe ai në shkurtin e vitit 1944 në Helmës të Skraparit.

Qazim Malaj, me origjinë nga fshati Tërbaç i Vlorës, ish-truproja personal i Enver Hoxhësi që nga viti 1943 e deri në vitin 1974 kur doli në pension, në kujtimet e tij na sjell në vëmendje disa fakte interesante rreth atij takimi: “Spiro Moisiu dhe Enver Hoxha na njoftuan ne të shërbimit të merrnim masa, pasi aty do të vinte për bisedime një gjeneral gjerman i shoqëruar nga dy oficerë të tjerë. Pasi mbaruan bisedimet që zgjatën disa orë, Enver Hoxhë dhe anëtarët e tjerë të Shtabit, shtruan një darkë për nder të gjeneralit gjerman. Të nesërmen në mëngjes, gjenerali gjerman bashkë me dy oficerët shoqërues morën rrugën për andej nga kishin ardhur të shoqëruar nga rojet tona partizane.

Pas ikjes së tyre u dha urdhri që Shtabi të zhvendosej nga Helmësi për në fshatin Panarit të Korçës, pasi nuk i dihej se gjermanët mund edhe të bombardonin. Pak ditë më vonë, teksa kishim shkuar e ndodheshim në fshatin Panarit, na sollën përsëri në Shtab një oficer tjetër gjerman…”. Pas këtij oficeri gjerman, që në fakt u ishte dorëzuar vetë forcave të Brigadës së 5-të, po në mars të vitit 1944 Komanda e Lartë Gjermane kërkoi e dërgoi në Panarit të Korçës një oficer të lartë për bisedime në Shtabin e Përgjithshëm me Enver Hoxhën, me synimin për të nënshkruar një marrëveshje mes Shtabit partizan shqiptar e Komandës gjermane në Shqipëri.

Gjermanët i kërkuan Enver Hoxhës “të mos sulmoheshin e të mos pengoheshin trupat e tyre që të kalonin nëpër Shqipëri me destinacion Greqinë” dhe në këmbim ata do t’i dorëzonin Lëvizjes Nacionalçlirimtare “gjithë pushtetin politik e ushtarak”.67). Kjo në këtë rast, por edhe në kërkesat e tjera pasi nuk ka dokumentacione, siç konkludohet ishin kërkesat gjermane. Po qëndrimi i Enver Hoxhës cili ishte? A pati vërtetë marrëveshje mes gjermanëve dhe Enver Hoxhës? Ta shohim në vijim. Ata kot nuk erdhën tek Enver Hoxha! As erdhën për qejf e për të ngrënë një darkë, siç ndodhi në Helmës. Do bëjmë deduksionet e nevojshme, por duhet theksuar se marrëveshjet nuk bëhen vetëm me shkrim e nuk bëhen vetën drejtpërsëdrejti, por bëhen edhe me gojë, edhe me “delegime” kompetencash, edhe me udhëzime e porosi si ajo që psh., “filani i tha filanit” apo “ti do bësh këtë apo atë punë” ose “thuaj atij të mos e prekë atë” ashtu siç ka ndodhur edhe me Enver Hoxhën në Tiranë në fund të prillit të vitit 1942, kur Man Kukuleshi urdhëronte “mos ma luani Enverin se është i yni”!68). Këto të tilla quhen marrëveshje të fshehta.

Deduksionet të çojnë se të tilla, Enver Hoxha ka pasur si më parë me fashistët e me administratën kuislinge, madje që më herët me shërbëtorët e fashizmit këtu në Tiranë, ashtu më vonë edhe me gjermanët. Prefekti i Tiranës, më 6 maj të vitit 1942 i kishte thënë Ramazan Xhepës (mikut të ngushtë të Qemal Stafës), që ka deklaruar se Qemalin e vrau Enveri, ndërsa për Enver Hoxhën ka deklaruar se: “ky është i yni”, pra i Qazim Mulletit. Enver Hoxha gjatë pushtimit fashist strehohej në shtëpinë e Bahri Omarit, e cila ishte e ngjitur me shtëpinë e Man Kukaleshit, i cili ishte shef i policisë fashiste. Mani me Bahriun dhe Enveri luanin shpesh poker në verandën e shtëpisë së Bahriut. Ata të policisë fashiste e dinin fare mirë se cili ishte Enver Hoxha, por ishte marrëveshja mbrojtëse e Bahri Omarit.

Edhe për qëndrimin në Labinot Mal në vitin 1943, ku Enver Hoxha gjatë Luftës ka qëndruar mjaft kohë, patjetër që kishte “marrëveshje”. Shtëpinë e madhe e Bahollëve në Labinot Mal, që u bë për shumë kohë rezidenca e Partisë Komuniste dhe e Shtabit të Përgjithshëm, nuk ishte as 3 km nga rruga kryesore automobilistike Elbasan-Bixë, rrugë që nga Elbasani nuk ishte më shumë se 20 km. Megjithatë, as fashistët, as nazistët, as milicia e policia shqiptare “nuk ranë asnjëherë në gjurmët e Enver Hoxhës”! Çudi! Nuk ranë e nuk kishte si të binin sepse Enver Hoxha kishte “bërë” marrëveshje me ta, jo direkt por inkonjito. Dorëzanë ishin “miqtë”, Vërlaci e Bahollët. Enver Hoxha rrinte serbes në Tiranë më shumë te Bahriu (kunati i tij, të cilin e vrau menjëherë pas marrjes së pushtetit), se sa në mal. Por edhe kur rrinte te Bahollët në Labinot Mal, ishte mëse i sigurt, ngaqë ata ishin miq të Biçakçinjëve, të Esat Dishnicës. Dihen lidhjet e Enver Hoxhës me Dishnicët.

Po përse Vërlacët që e dinin se ku rrinte Enver Hoxha në Labinot, përse e mbronin?! Në atë kohë, i biri i Aqif Pashë Elbasanit firmëtar i Pavarësisë e për të tjera veprimtari atdhetare të atij burri të madh, Ibrahim Biçaku ishte kryeministri shqiptar nën pushtimin gjerman. Po ashtu, Esat Dishnica, punëdhënësi i Enver Hoxhës në Tiranë ishte nipi i Aqif Pashës. Esat Dishnica dhe Ymer Dishnica e kishin financuar dhe mbështetur shumë Enver Hoxhën. Nga ana tjetër, Bahollët ishin të lidhur në miqësi me Bungot. Nexhmija e Enverit qe kushërirë e kësaj familjeje. Demir Bungo, si bej i lidhur me Lëvizjen, çonte në Labinot Mal, tek Enver Hoxha ushqime, veshmbathjeje, medikamente, pse jo edhe florinj. Ky Demir Bungo kishte miqësi me Biçakçinjtë, pra me Aqif Pashë Elbasanin. Këta ishin me gjermanët dhe e dinin që Enver Hoxha rrinte në çifligun e Bahollëve në Labinot Mal. Mirëpo pas çlirimit si Demir Bungos ashtu edhe Ibrahim Biçakçiut, Enver Hoxha ua “shpërbleu mirë dhe bukur” me burgime të rënda! Pas Çlirimit, Demir Bungon e “çoi” në Maliq dhe atje vdiq në burg, ndërsa djalin e Aqif Pashë Elbasanit, ishkryeministrin shqiptar, Ibrahim Biçakun, e dënoi si kriminel lufte dhe pas burgut, njeriun e shquar me disa gjuhë të huaja e universitet në Gjermani, Enver Hoxha e caktoi të punonte si varrmihës në komunale dhe pastrues banjash në qytetin e Elbasanit. Më keq akoma Enver Hoxha u soll me Bahri Omarin, kunatin e vet, që e mbajti dhe i shpëtoi kokën gjatë luftës, të cilin e ekzekutoi edhe këtë po si kriminel lufte.

Për “kompromisin” e Beratit ka deponuar vetë Gjin Marku – “kapiteni gjerman mbërriti me makinë i vetëm tek unë në Berat dhe kërkoi të furnizohej me bukë në furrat e qytetit”. Këtë e kujton në disa intervista të pasviteve ‘90 edhe Nexhmi Ballka, që ishte interlokutori për palën shqiptare dhe një nga drejtuesit e Luftës në Berat. Të tjerë drejtues kryesorë të Luftës në qark ishin edhe Kahreman Ylli e Myqerem Fuga, të cilët e miratuan marrëveshjen me gjermanët. Thelbi i “kompromisit” ishte “që gjermanët të mos shtinin në dorë rezervat gjigante që u ishin zënë nga partizanët italianëve, apo që i kishin lënë italianët pas kapitullimit”, ndaj u gjykua dhe ata u lejuan për disa ditë të bënin pazar në Berat. Ishte një pakt gojor provizor, i diktuar nga rrethanat dhe që u leverdiste të dyja palëve, por sidomos partizanëve. Për “marrëveshjen” ishte vënë në dijeni dhe e kishte miratuar edhe Enver Hoxha e Shtabi i Përgjithshëm. Ekzistojnë informacionet si për materialet e mëdha të italianëve dhe ashtu edhe për “lirinë” që u jepnin partizanët gjermanëve. 70).

Në një rrëfim tjetër të bërë nga vetë Gjin Marku në lidhje me atë situatë, ai dëshmonte se: … Në shtator të vjetit 1943 italianët kapitulluen e na partizanët muerëm pushtetin në atë qytet. Gjermanët kur erdhën nuk na luftuen, por shkuen e u ngulën në nji pikë strategjike jashtë Beratit. Ata thoshin se nuk kishin qëllim me luftue shqiptarët, kushdo t’ishin ata, porse donin të siguronin rrugët e ushtrisë që ishte shpërndarë gjithandej, drejt Greqisë dhe Jugosllavisë. Ata vinin në Berat për treg e na lanë të lirë, mbasi nuk na luftonin. Kjo punë me miratimin direkt të Enver Hoxhës e të Shtabit na u duk e mirë. Më pa kjo ngjarje erdh tue u hulumtue ndër shtabe të ndryshme; tue e konsiderue skandal e jo fitore. N’atë kohë m’erdh nji letër prej Shtabit partizan që urdhëronte të mësynte gjermanët. Përgatitëm sulmin… Në emër të Komitetit Qendror, Enver Hoxha kishte firmosur një qarkore, duke bërë të paditurin, ku shkruhej se “kompromisi me gjermanët është një nga punët më të këqija”72). Vite më pas, “kompromisin” e Beratit Enver Hoxha e përdori si një rast për ta spostuar Gjin Markun nga udhëheqja e lartë e Partisë, duke e quajtur situatën si kompromis e bashkëpunim me gjermanët dhe Gjin Markun (jo veten Enver Hoxha), si përgjegjësin kryesor të asaj marrëveshje, sepse “Gjin Marku kishte një reputacion dhe një famë ushtarake që e shqetësonte Enver Hoxhën”. Në antitezë, Enver Hoxha për shërbimet e vyera, veçanërisht për Beratin ku Gjin Marku “mori çdo përgjegjësi mbi vete” dhe nuk e nxori Enver Hoxhën si miratues të “kompromisit” me gjermanët, ja “shpërbleu” disa vite më vonë, duke e dënuar gjithë jetën me burg në Burrel e me internim në Zvërnec, por me gjithë këto “për besën” nuk e la asnjëherë pa shpërblim monetar.

Lidhur me “marrëveshjen” me gjermanët ka edhe një konkluzion fondamental të analistit Kastriot Dervishi, i cili thekson se “në shtator të vitit 1944, Enver Hoxha ka qenë në marrëveshje me forcat gjermane për një dorëzim të qetë të pushtetit. Ibrahim Biçakçiu ka pranuar të jetë Kryeministër, me dëshirën se do të bënte kalimin e butë të pushtetit te komunistët, natyrisht i nxitur nga kushëriri i parë Esat Dishnica, shok i ngushtë i Enver Hoxhës. Biçakçiu është bërë ndërmjetës midis gjermanëve në ikje, dhe komunistëve në ardhje”74). Veç Ibrahim Biçakçiut, në “marrëveshjen me gjermanët” kanë gisht edhe figurat e rëndësishme të Luftës, Omer Nishani, Sheqet Beja dhe Esat Dishnica. Marrëveshja mes këtyre dhe gjermanëve, që mban datën 17 shtator 1944 përbëhet nga 7 pika. Në thelb, komunistët garantonin se nuk do t’i godisnin forcat gjermane gjatë largimit të tyre dhe Ibrahim Biçakçiu do ia dorëzonte pushtetin komunistëve. Gjermanët nuk do të merrnin asgjë përveç mjeteve të zakonshme të jetesës. Largimi nga Tirana i gjermanëve do të bëhej më 20 dhe 21 tetor 1944.

Mirëpo kjo marrëveshje ra në duart e britanikëve e më pas të amerikanëve. Britanikët (për këtë marrëveshje) jo vetëm e informuan por edhe e kërcënuan Enver Hoxhën se Qeveria e tij nuk do të njihej nëse gjermanët nuk luftoheshin deri në fund.75) Si rezultat i presionit aleat, marrëveshja e mësipërme nuk u zbatua. Të indinjuar nga moszbatimi i marrëveshjes, gjermanët në Tiranë deshën të implikonin qeverinë kuislinge dhe Këshillin e Naltë, duke i detyruar që t’i çonin në Gjermani. Mirëpo këto institucione më 25 tetor 1944 dhanë dorëheqjen, duke deklaruar se pas dorëheqjes ishin persona privatë e nuk mund të evakuoheshin në Gjermani. Enver Hoxha nën presionin e anglo-amerikanëve dhe i instruktuar nga të dërguarit jugosllavë, “urdhëroi” “çlirimin” e Tiranës pikërisht në ditën e dytë të pas nënshkrimit të marrëveshjes, në kohën kur gjermanët po largoheshin nga Shqipëria. Personi mbi të gjithë, që u “autorizua” nga Enver Hoxha për organizimin dhe anën operacionale “të çlirimit” ishte majori jugosllav Vojo Todoroviç. Emri i tij gjendet në telegramin e datës 30 tetor 1944.

Për bashkëpunimin e Enver Hoxhës me gjermanët përveç “kompromisit” të Beratit, madje para kësaj, sipas Bedri Spahiut, ekziston edhe një marrëveshje tjetër, që lidhet me vizitën sekrete të majorit gjerman Hanz në selinë e udhëheqjes së Luftës që në atë kohë (mars 1944) që gjendej në Skrapar. Gjermanët arritën atje me partizanët një marrëveshje dhe është fakt, që për tre ose katër muaj pas asaj vizite e marrëveshje, as komunistët nuk i sulmuan gjermanët dhe as këta të fundit nuk ndërmorën ndonjë operacion kundër tyre76). Ka edhe një fakt të mëtejshëm “të pasuksesshëm” për bashkëpunimin e Enver Hoxhës me gjermanët. Ishte Operacioni i Dimrit i vitit 1944. Një grup gjermanësh hynë në lidhje me Enver Hoxhën për një bashkëpunim, por që Enver Hoxha desh e hëngri, desh e ekzekutuan, se grupi gjerman qenë zbulues.

Në vijim është edhe një tjetër fakt bashkëpunimi siç ishte edhe ai i “lëshimit të 3 vajzave gjermane zënë robër nga partizanët”, për të cilat Enver Hoxha ra dakord që dorëzimi i tyre të bëhej me partizanë që i kishin zënë gjermanët. Vartësit e Enver Hoxhës, nuk i u përmbajtën marrëveshjes së shkëmbimit dhe gjermanët më 23 tetor të vitit 1944 pushkatuan në kampin e Prishtinës 104 të burgosur shqiptar. Në fakt marrëveshja ishte bërë që Shtabi i Përgjithshëm tu dorëzonte gjermanëve 3 vajzat dhe gjermanët të lironin 10 partizanë. Kjo marrëveshje, sipas fjalëve që qarkullonin në kampin e Prishtinës, nuk u arrit të realizohej sepse Shtabi i Përgjithshëm nuk i liroi 3 vajzat gjermane dhe gjermanët në shenjë hakmarrje, pushkatuan 104 të burgosur. Kjo jo vetëm për moslirimin e vajzave por edhe në shenjë hakmarrje ndaj 16 gjermanëve të plagosur, që u sulmuan e u vranë nga guerilet e Tiranës, në Rrugën e Dibrës.

Është thënë se për ndërmjetësimin e marrëveshjes për shkëmbimin e tri vajzave gjermane me dhjetë komunistët e burgosur asokohe në kampin e Prishtinës, shkoi Kapiten Petraq Pekmezi (Petraqi ishte vëllai i dëshmorit Trajan Pekmezi), që shërbente si përkthyes i Gestapos. Petraqi pavarësisht se ishte oficer i Gestapos, ka ndërmjetësuar disa herë pozitivisht në marrëveshje mes Shtabit të Përgjithshëm dhe Komandës gjermane. Por partizanët sipas “pabesisë” së Enver Hoxhës dy-tri ditë para çlirimit të Tiranës e pushkatuan në oborrin e shtëpisë. Ishte një vendim i pa merituar, pasi Petraq Pekmezi u kishte bërë shumë punë komunistëve dhe duke e ndjerë veten të pastër, nuk pranoi të largohej nga Shqipëria me gjermanët. Por forcat e Enver Hoxhës e vranë pa gjyq, ndofta se ai arkivonte edhe shume gjëra që komprementonin rëndë Enver Hoxhën. Për kompromiset gjatë luftës me gjermanët ka edhe plot fakte të tjera lokale.

*Autori, Drejtor Ekzekutiv Instituti i Sigurisë dhe Mbrojtjes

Artikuj te sugjeruar

video

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 16

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 16

Gruaja me dy identitete që premton “shërim” me ujin e kufomave në Pejë

A ka Shqipëria një Nicola Gratteri?

Katër nëna në kërkim të fëmijeve/ Bisedat që zbuluan rrjetin e errët

Flamur Gjuzi, i dënuar për"shpërdorim detyre" sot drejtor i Policisë Bashkiake, sërish shkel ligjin?

Pallatet u zhytën“Durrës Marina" dhe Autoriteti Portual bëjnë veprimin e papritur përballë skandalit

Ekskluzive/ Nicola Gratteri çmonton skemën e pastrimit të parave të ndërtimit në Tiranë

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 15

Enkel Demi duke luftuar paragjykimet për shqiptarët. (kamera e fshehtë)

Milva Ekonomi i firmosi miliona euro Vilma Nushit, kjo e fundit i investoi te kulla e Ervin Matës

Ajo çfarë mund të na mësojë Kosova.

Laboratorë “copy-paste”/ I njëjti mjek firmos analiza në disa pika, skema që ngre pikëpyetje

Rrjeti i ‘errët’ i vajzave të zhdukura! Bisedat tronditëse si funksiononte grupi.

Bleu 300 m2 tokë në vitin 2004, kthehet nga emigrimi dhe gjen aty vilë 3-katëshe.

“Na detyruan nga Dubai”/ Konstruktori i Durrës Marina zbulon pse u zhytën pallatet

Drejtori që tregon sjellje të pahijshme me nxënësen: Jam i fortë edhe në parti

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 14

Turisti zemërgjerë nga Italia dhe patatinat falas

Aksidentet “pushtojnë” oborrin e familjes në Klos, banori: Një ditë do ndodhë tragjedi

Lidhja jashtëmartesore që përfundoi në makth /32-vjeçarja rrëfen shantazhin me video intime

Sherr në terminalin e Peshkopisë, shoferi: Mos më vidh pasagjerët! Shko ha bukë te pjesa jote

Artisti dhe Frika

Si u kthye në urrejtje dashuria mes ish-bashkëshortëve dhe ‘lufta’ për 200 mijë euro!

14-vjeçare me dr*gë dhepro*titucion, rrjeti i errët i minoreneve të zhdukura

Zhytja e pallateve te Alabarit/ IKMT pranon anomalitë në “Durrës Marina”: Janë zhytur 28 cm

"Ederlezi", festa e veçantë e komunitetit rom.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 13

Do t’i fus duart edhe nëse bërtet, motra e 13 vjeçares rrëfen tmerrin e mesazheve që mësuesi ia çon

“Inspektori gjobëvënës” i bashkisë terrorizon qytetarët

Pagat e mohura të druvarëve në Navaricë! Miliona lekë për të marrë dhe kërcënime

Rruga Thumanë–Kashar/ 1 miliard euro dhe “5 lekëshi” që po merret nga xhepat e qytetarëve

Me viza turistike ose kontrata futbolli drejt Europës/ Kush fshihet pas skemës së trafikimit?

Nënat denoncojnë ikjet nga shtëpia dhe jetën e dyshimtë të adoleshentëve

Për mediat dhe fëmijët

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 12

Muzikanti i rruges “vjedh” koleget. Banka e fundit

Dajak për 50 metra rrugë në Dibër, kushërinjtë në ’luftë’ për pronën.

Fisnik Syla, “BAMIRËS” apo shantazhues

A janë "idiotë "shqiptarët e Maqedonisë së Veriut? Çfarë do të thoshte Arbën Xhaferraj?

Presidenti i FSHP reagon për deklaratat e Erkand Qerimaj: Lajthita atëherë, tani kam reflektuar

Nga jetimorja te humbja e kujdestarisë. Rrëfen nëna që kërkon bashkimin me vajzën pas 13 vitesh

Tigrat e Vlorës: energjia që prodhohet 6 herë më shtrenjtë se sa shitet.

Skandali i zhytjes së pallateve në Durrës Marina / Ndërhyn IKMT.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 11

Dhjetëra punonjës fasonerie pa marrë pagat: Blerimi mori lekët dhe u zhduk! Pronari premton zgjidhje

Hapet filial i bankës turke në “zemër” të Bllokut, reklamat vendosen pa leje

Energji për brezin tim

Nga ‘Viola’ tek Dorina: Si përfundoi në borxh një histori dashurie në distancë

Firma “Trade Minerals Al” po shkatërron mjedisin dhe infrastrukturën e fshatit Gjegjan në Kukës

Nga shpërthimi i drejtorit te prapaskenat e ushqimit në institucionin privat në Elbasan