AKTUALITET

Çfarë fshihet pas fasadës së investimit të huaj në Zvërnec?

Piranjat Përditësimi i fundit 2 Qershor 2026, 16:26

Çfarë fshihet pas fasadës së investimit të huaj

Për projektin e zhvillimit në Pishë Poro dhe Zvërnec, rreth Lagunës së Nartës, dihet pak pasi nuk është bërë publik asnjë dokument, ndërkohë që çdo informacion është paraqitur në mënyrë propagndistike. Për të plotësuar këtë boshllëk dhe për të çmontuar disa keqkuptime rreth tij, më poshtë po përmbledhim faktet dhe informacionin që dihet publikisht deri më tani.

Informacioni është mbledhur nga burime zyrtare dhe hetime mediatike, ndër të cilët një hetim i thelluar nga Reporter, pjesë e rrjetit BIRN.

Vendndodhja dhe shtrirja

Projekti do të shtrihet në zonën e Lagunës së Nartës, nga Zvërneci deri në Pishë-Poro. E prekur  do të jetë një sipërfaqe prej rreth 437 hektarësh, prej të cilëve pjesa e zhvillimit — përfshirë ndërtimet — do të zërë rreth 251 hektarë.

Zona e zhvillimit do të ketë një gjatësi prej rreth 6 kilometrash dhe një gjerësi prej rreth 1,6 kilometrash. Gjatësia e vijës bregdetare përgjatë sipërfaqe së zhvillimit është rreth 15 kilometra.

Çfarë fshihet pas fasadës së investimit të huaj

Ndërtimet

Leja e ndërtimit nuk është dhënë ende. Nga leja e zhvillimit e miratuar, nga studimi i ndikimit në mjedis dhe nga një leje ndërtimi për rrugëkalimet brenda pronës, mësohet se zhvillimi përfshin ndërtimin e një kompleksi shumëfunksional banimi, argëtimi dhe shërbimesh.

Sipas dokumentacionit publik, projekti pritet të përfshijë:

vila;
hotele;
apartamente banimi;
objekte argëtimi;
një marinë.
Ndërtesat do të variojnë nga 1 deri në 8 kate.

Të dhëna të tjera të publikuara sugjerojnë se projekti mund të përfshijë më shumë se 1,000 vila, mbi 10,000 vende akomodimi hotelier dhe disa mijëra apartamente.

Çfarë fshihet pas fasadës së investimit të huaj

Çfarë fshihet pas fasadës së investimit të huaj


Pronësia e tokës

Pretendimi i qeverisë dhe kompanisë zhvilluese është se ndërtimi do të bëhet në tokë private.

E vërteta është se toka është shtënë në dorë të pesonave që nuk banojnë dhe nuk kanë lidhje me zonën, ndërsa është e paqartë se si kompania ka rrethuar dhe vënë nën kontroll pjesën e bregut të detit, që i përket gjithmonë shtetit.

Ajo që dihet është pronësia e rreth 250 hektarëve që do të përdoren për zhvillim, si më poshtë.

Gati 1,1 milionë m² (mbi 108 hektarë) i përkasin Artur Shehut dhe familjes së tij. Kjo tokë u përfitua nga familja në vitin 2007, me vendim gjykate, si kthim pronash të sekuestruara nga regjimi komunist. Megjithatë, ligjshmëria e këtij procesi vazhdon të jetë objekt gjykimi.

Në vitin 2020, Gjykata e Vlorës dënoi ish-avokatin e familjes Pëllumb Petritaj për falsifikim dokumentesh në procedurat për përftimin e këtyre pronave nga familja Shehu, pasi prokuroria vertetoi falsifikimin dhe faktin që familja Shehu nuk ka patur asnjë pronë të sekuestruar nga regjimi komunist.

Vendimi u rrëzua më pas nga Apeli, por Gjykata e Lartë e ktheu çështjen për rigjykim, duke vlerësuar se falsifikimi i dokumenteve ishte fakt i provuar. Gjykata e Lartë ka kthyer për rigjykimin edhe vendimin gjyqësor civil që i njohu pronat fillimisht familjes Shehu. Të dyja proceset janë në pritje për të filluar.

Artur Shehu, i cili banon në Florida (SHBA) është akuzuar në një sërë raportimesh të mediave të huaja për përfshirje në veprimtari kriminale, por nuk është dënuar asnjëherë për ndonjë krim.

Një hetim nga OCCRP, botuar nga Miami Herald, e ka akuzuar atë për trafik ndërkombëtar droge. Emisioni hetues (Hot)Spot Albanese i RAI 3 e ka akuzuar për lidhje me grupe kriminale italiane dhe për një tjetërsim pronash në Vlorë në favor të një ish-koloneli të korruptuar të Policisë Financiare italiane. Gazetarit kryesor të këtij emisioni iu vendos eksploziv në makinë, dhe një nga të hetuarit, sipas mediave italiane, është Shehu. Media belge dhe italiane e kanë akuzuar Shehun edhe për organizimin e një takimi të eksponentëve të krimit shqiptar në botë, me qëllim koordinimin e investimit të parave të krimit në projekte zhvillimi në Shqipëri.

Rreth 78 mijë m² janë në pronësi të Feriare Ndreut (Petritaj), vajzës Pëllumb Petritajt, të përmendur më sipër. Në vitin 2020, Petritaj u dënua nga Gjykata e Vlorës me 15 vjet burg (ulur në 10 vjet për shkak të gjykimit të shkurtuar) për falsifikimin e dokumenteve që i dhanë familjes Shehu (më sipër) mbi 180 hektarë në zonën e Nartës. Vendimi u rrëzua në apel por Gjykata e Lartë e ka kthyen çështjen për rigjykim në shkallën e parë. Petritaj është dënuar në disa procese të tjera fallsifikimi pronash.

Rreth 25 mijë m² janë në pronësi të kompanisë AM-Invest. Kjo kompani zotërohet 25% nga Alaudin Malaj — ish-kryetar i Gjykatës së Apelit Tiranë, i shkarkuar nga vetingu për mosjustifikim të një pasurie mbi 1,7 milionë euro — ndërsa pjesa tjetër është në pronësi të babait dhe vëllait të tij.

Sipas Reporterit, Malaj është gjyqtari i apelit që, si relator dhe anëtar i trupit gjykues, rrëzoi vendimin e dënimit në shkallë të parë të Petritajt (më sipër) për falsifikimin e dokumenteve me të cilat familja Shehu përfitoi pronat.

Rreth 95 mijë m² ishin në pronësi të kompanisë Ferdinant, pronari i së cilës, Bujar Nasufi, u vra në fillim të vitit 2025 për një konflikt pronësie në Tiranë.

Rreth 1,2 milionë m² zotërohen nga kompania South Adriatic Development, në pronësi të Smart Construction Invest, e gjitha në pronësi të Redi Strugës. Struga — një inxhinjer nën hetim nga SPAK për disa kontrata projektimi rrugësh — i ka blerë këto prona nga grupi Balfin i Samir Manes dhe disa sipërmarrës të tjerë. Mbetet e paqartë se si Balfin dhe kompanitë e tjera u bënë pronarë në një zonë ,në atë kohë, të mbrojtur.

Një pjesë e pronave të mësipërme janë blerë nga kompania Albania Land Development, e cila është në pronësi të kompanisë Sazan Land Holding, e regjistruar në Katar. Kjo e fundit zotërohet nga një sërë kompanish të tjera, që në fund kanë si pronarë fundorë miliarderët sirianë, vëllezërit Mohamadmoataz dhe Ramez Alkhayyat. Vëllezërit janë persona me dritë-hije për përfshirje të në veprimtari të dyshimta politike dhe biznesi.

Në fund, duhet theksuar gjithashtu se, përveç procesit gjyqësor për pronat e familjes Shehu, edhe një sërë pronash të tjera nga ato të përmendura më sipër janë duke u hetuar nga SPAK, për shkak të dyshimeve se janë përfituar në mënyrë të paligjshme.

Kush do ta zhvillojë Pishë-Poron dhe Zvërnecin?
Zyrtarisht, zhvillimi do të kryhet nga kompania Zvërnec South Adriatic Development (ZSAD) shpk (ZSAD). Kjo shoqëri me përgjegjësi të kufizuar është regjistruar në Qendrën e Biznesit më 5 gusht 2024, me një kapital 5 milionë lekësh (rreth 55 mijë dollarë).

Kjo shoqëri është në pronësi të një sërë kompanish guackë të regjistruara të gjitha në Hollandë:

ZSAD është 100% në pronësi Universal Properties Project B.V.—kompani që nuk ushtron asnjë aktivitet të sajin, pra është kompani-guackë.
Universal Properties Project B.V. është 100% në pronësi të kompanisë guackë Interroyal B.V.
Interroyal B.V. është në pronësi të kompanisë guackë Blue Industries Investment Holding B.V.
Blue Industries Investment Holding B.V. menaxhohet nga Dutch Trust Management B.V.— kompani e specializuar për regjistrimin (në Holandë) dhe përfaqësimin e kompanive për klientë ndërkombëtarë. Është pikërisht kjo kompani që ka ngritur gjithë zinxhirin e guackave, deri te shoqëria e regjistruar në Tiranë, ZSAD.
Pronarët e vërtetë të kompanisë që do të kryejnë zhvillimin në Shqipëri fshihen, në fund të zinxhirit, tek kompania Blue Industries Investment Holding B.V.

Ligji holandez nuk i bën publikë pronarët e kompanive, por vetëm drejtorët apo anëtarët e bordit të tyre. Prandaj, në vend të pronarëve të Blue Industries Investment Holding, ne njohim publikisht punonjësit e Dutch Trust Management të ngarkuar me përfaqësimin e saj.

Për këtë arsye, por në shkelje me ligjit shqiptar, si pronarë përfitues të ZSAD-së janë deklaruar dy punonjës të Dutch Trust Management B.V.: Nikita Vinogradov (shtetas rus, i lindur më 1991) dhe Zoya Gyurova (shtetas bullgare, i lindur më 1988).

Por, pavarësisht pretendimeve në median shqiptare, Vinogradov dhe Gyurova nuk kanë asnjë lidhje pronësie me Zvërnecin — ata janë thjesht ekspertë fiskalë të ngarkuar me krijimin e kompanisë që kontrollon gjithë zinxhirin e kompanive guackë deri në Tiranë.

Pyetja, pra, mbetet: kush fshihet pas ZSAD-së? Ose, më saktë, kush janë pronarët e kompanisë mëmë, Blue Industries Investment Holding B.V.?

Një nga ortakët e kësaj kompanie është bërë i ditur në studimin për ndikimin në mjedis: kompania Assets Group, e njërit prej vëllezërve miliarderë sirianë Al-Khayyat. Në aplikimin për leje mjedisore pohohet se Assets Group është aksioneri më i madh i projektit dhe se ka “rolin kyç në drejtimin strategjik të projektit, strukturimin financiar dhe mbikëqyrjen e përgjithshme të zhvillimit”.

Me shumë gjasa, një nga aksionerët e tjetrë është Grupi Kastrati. Në hetimin e tij, Reporter pohon se Kastrati ka pasur rol kyç në negociatat me banorët dhe marrëveshjet në terren. Po ashtu, Reporter ka raportuar se Kastrati ka zhvilluar negociata dhe me banorët që të mos protestojnë kundër ndërtimit. Vetë kryeministri Rama e përmendi Kastratin — pa e përcaktuar se çfarë nënkuptonte — gjatë mbrojtjes që i bëri projektit në një dalje publike të hënën e kaluar.

Një tregues tjetër për mundësinë e përfshirjes së Kastratit është fakti se i njëjti ekspert fiskal, rusi Vinogradov, ka krijuar një tjetër strukturë kompanish guackë të quajtura Dutch Global Maintenance, dega shqiptare e të cilave e kanë selinë në hotelin MAK Albania në Tiranë.

Po cilët janë pronarët e tjerë që fshihen pas zhvillimit në Zvërnec, nëse ka të tjerë? A ka kompani apo persona të lidhur me krimin? Po politikanë? Po pronarë toke? Për momentin, këto pyetje mbeten pa përgjigje.

A investojnë Xhared Kushner e Ivanka Trump?
Përgjigja është thuajse e sigurt: jo. As Kushner, as Tramp, as kompanitë e tyre nuk do të jenë pjesë e investimit. Me sa duket, Ivanka Trump ka mbajtur këto kohë rolin e konsulentes në këtë projekt — për ta promovuar dhe dhënë legjitimitet.

Me gjasa, ajo dhe Kushner kanë ndërmjetësuar afrimin e vëllezërve Al-Khayyat te ky investim. Ata janë njohur me vëllezërit pasi këta të fundit janë përpjekur (pa sukses) të marrin të drejtën e markës “Tramp” për disa ndërtime të tyre në Siri (me qëllim joshjen e administratës së Trampit për të hequr sanksionet ndaj Sirisë).

A ka izraelitë të përfshirë në projekt?
Çdo pretendim për përfshirjen e kompanive apo sipërmarrësve izraelitë në këtë zhvillim është i pabazë. Me gjasa, ky pretendim ka qenë keqinformim i qëllimshëm për ta pikturuar kundërshtimin popullor ndaj ndërtimeve në Zvërnec si reagim racist apo fetar dhe jo si kundërshtim legjitim i banorëve e qytetarëve kundër shkatërrimit të pasurive të natyrës.

Struktura e financimit
Plani i investimit dhe struktura e financimit të projektit nuk janë publike. Pa dhënë sqarime, kompania zhvilluese dhe kryeministri Rama janë shprehur se në Zvërnec do të investohen 4 miliardë euro. Në vështrim të parë, kjo shumë duket e ekzagjeruar.

Sidoqoftë, një vlerë e tillë investimi vështirë se mund të vijë nga investitorë të huaj apo të financohet nga kredi bankare — shuma është tepër e madhe dhe investimi në një vend si Shqipëria bart rreziqe që çdo investitor dhe institucion bankar serioz do t’i peshonte me kujdes.

Kjo ide përforcohet nga gati-falimentimi i zhvillimit të marinës së Durrësit—zhvillimi ka ngecur dhe ka zëra të pakonfirmuar se sipërmarrësi saudit po kërkon ta shesë të drejtën e zhvillimit të Marinës Durrës.

Në këto kushte një hamendësim i arsyeshëm është se edhe zhvillimi i Zvërnecit do të financohet në pjesën më të madhe nga shitja e të drejtës së ndërtimit tek nënkontrakotrë të tjerë dhe nga parashitjet e objekteve (vila e apartamente). Këtë hamendësim e përforcon fakti se Assets Group ka filluar tashmë — ende pa marrë lejen e ndërtimit — të rekrutojë një forcë shitjeje.

Kjo hipotezë justifikohet edhe nga fakti që zhvilluesit e projektit janë fshehur pas kompanive guackë: nëse do të shfaqen do të jenë nën presionin që të bëjnë transfarencën e financimit—të fshehur mund të kanilizojnë para bga çdo bruim duke e shitur si investim i huaj.

Përfundim
Në fund të këtij sqarimi ka mbetur pa përgjigje pyetja: pse për investimin, e pretenduar më të madh në historinë e vendit, nuk ka as transparencë mbi pronësinë, as konsultim publik, as strukturë financimi të deklaruar — por vetëm një rrjet kompanish-guackë që fshehin investitorët që supozohet se do të rrezikojnë shuma marramëndëse?

A është Zvërneci, në të vërtetë, një plan i nisur dhe ndërtuar nga interesa lokale biznesi maskuar pas një fasade si investim i huaj? A është Zvërneci Durrës Marina numër 2? A rrezikon që në këtë investim të depërtojë para kriminale?

Qeveria e ka të lehtë dhe detyrim të sqarojë të gjitha këto pyetje./exit.al

Artikuj te sugjeruar

video

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 6

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 6

Me buzëqeshje e revoltë: Gen Z po e dridh pushtetin e Ramës!

Pa numër identifikimi e me shpërblim në xhep: Policët fshihen nga kamera e Piranjave!

Krah për krah për humanizëm: Aktivistët shpëtojnë jetë e mjekojnë uniformat blu!

Studentët kanë të drejtë!

Arroganca e pushtetit përballë krizës: Studentët i thonë "JO" Edi Ramës!

Pedagogët braktisin auditoret e bashkohen me studentët: Ultimatumi për grevë urie!

Trupi i fëmijës është i shenjtë.

Shoqërime masive e presion në shesh: Ish-policët denoncojnë skandalin e uniformave blu!

"Po t'i thyhej këmba fëmijës tuaj?": Piranjat "gozhdojnë" deputetët!

20-vjeçari rrëfen tmerrin që ndodh pas atyre dyerve.

Hiqe atë gur nga dora!

Si parashikoi Rama 13 vite më parë atë që po bën sot?

Gen Z/ Zëri i revoltës që po dridh pushtetin.

Ju lutem kujdes me veprimet, mos e provokoni policinë! ????

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 5

3 vite pa licencë: Si u punësua psikologia në Vorë dhe kush mban përgjegjësi?

Flet i dyshuari i Masakrës së Beratit: Çfarë zbulon Kudret Zhuka?

Ne jemi me ju, gjatë gjithë vitit!

Zëri ynë për çdo grua që lufton sot!

Konflikti familjar në Klos që përfundoi në dhunë: Çfarë ndodhi mes Fluturës dhe të afërmve?

Kalvari i Anxhelës: Si u kthye një histori dashurie në një makth të vërtetë?

"Doktor Shkencash": Çfarë fshihet pas titullit akademik të Ulsi Manjës?

Unë e njoh atë djalin e shtrirë përtokë.

4 ditë revolte, gjenerata e re flet ndryshe.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 4

Vendimi që ngre dyshime: Çfarë e detyroi gjyqtaren e Shkodrës të vendosë për 42-vjeçarin?

Nga t*rturat te ekzekutimi barbar: Masakra e ’97-ës që nuk u zbardh kurrë.

I pastrehu kërkon ndihmë, Bashkia e Korçës i “ofron” një rrenoje.

Paguaj që të punosh: Zbërthehet skema e mashtrimit me "punën nga shtëpia"

Skandali me tunelin e Skërficës: Pas dështimit 23-milionësh, ARRSH thërret policinë për "Piranjat"

Ermal Pashaj: "Jam këtu kundër mediokërve, kriminelëve dhe dështimit 13-vjeçar të kësaj politike"

Manastirliu, kandidatja për Bashkinë e Tiranës, plagjiatura e radhës.

Patronazhistët e Ogerta Manastirliut gjatë Pranisë Besnike

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 3

Shantazh në emër të dashurisë, 40-vjeçari terrorizon gruan e martuar.

Faturat e avokatit. Si u zhdukën mijëra euro pa bërë asnjë punë?

Nga tritoli te kërcënimet me jetë: Çfarë po ndodh me policin Altin Preka?

Saranda e fëmijërisë sime, sot mes plumbave

Nga mësuese filloreje në drejtoreshë gjimnazi. Historia që na vjen nga Ishmi i Durrësit.

Rilindësit me plagjiaturë / Piranjat kapin ish-ministren e Arsimit. Si do të justifikohet ajo?

Prania besnike, një strategji djallëzore për të eliminuar praktikat institucionale.

Fshije videon! Mos shkatërro një jetë.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 2

Nga burgu në arrest shtëpie: Eduard Limaj rikthehet te përndjekja e grave!

Haris Vongli: Dua të kthehem në Shqipëri për Davidin, tim bir.

Fyerje ndaj nxënësve, ngacmime e shkelje rregulloreje: Kush është nëndrejtori problematik?

Institucionet në shërbim të krimit: Pse hesht kryeministri për skandalet?

Nga tritoli te kërcënimet me jetë: Çfarë po ndodh me policin Altin Preka?

Porti i Durrësit po mbyllet, investimet në infrastrukturë vazhdojnë. Cili është justifikimi i APD?