AKTUALITET

“I varur me zinxhir në dritare”- Një shaka me policët që u kthye në krim më 1947, dënimi i Petro Markos

Piranjat Përditësimi i fundit 28 Prill 2026, 07:56
“I varur me zinxhir në dritare”- Një shaka me policët

“O kujtime/ o jeta ime/ Dilni, ashtu siç u regjistruat në shpirtin tim/ Tani ju dua”

Dhërmiu, kjo perlë e rrallë e rivierës shqiptare, është një nga dhuratat më të bukura, që duket sikur vetë Zoti e ka gdhendur me duart e tij magjike, jo vetëm për banorët e këtyre anëve, por edhe për gjithë Shqipërinë. Moria e kodrave, plot lugje, përrenj e shkëmbinj të thepisur, që bien pingul mbi dallgët thinjoshe të Jonit, mbi të cilat sundojnë Qafa e Llogarasë dhe maja e Çikës, i japin peizazhit të këtyre anëve një bukuri mahnitëse. Prej këtej, sheh si në pëllëmbën e dorës pafundësinë e detit dhe të pyjeve, shtëpitë karakteristike, lokalet dhe hotelet moderne, rrugët e gurta plot zigzage, që lartësohen rrëzë shpateve të thepisura si bedena kështjellash, të cilat duken sikur notojnë në një det të gjelbër. Sheh pedonalen, e cila duke gjarpëruar buzë detit, i jep këtij vendi pamjen e një mozaiku të rrallë.

Dhërmiu është një nga fshatrat më të bukur të krahinës së Himarës. Këtë e pohojnë edhe vizitorët e huaj. Ky fshat, shkruan poeti i madh romak, Horaci, shtrihet buzë detit Jon, në shpatet e Akrokerauneve, mes gjelbërimit të ullinjve dhe agrumeve të shumta. Ndërsa udhëtari anglez, Lir, gjatë udhëtimit mes përmes Himarës shkruan se, Dhërmiu është një nga vendet më të madhërishme që kishte parë nga këto anë, i cili i ngjante shumë me Amantien. Ai shtrihet buzë plazhit mahnitës, me gjatësi prej më shumë se 5 km, që përfundon në këmbët e një kodre shkëmbore, ku ngrihet madhështor manastiri i “Shën Theodhorit”. Fshati përbëhet prej 3 lagjesh: Kondraqi (Kallami), Gjileku e Dhërmiu, që është dhe lagjja më e madhe, me emrin e së cilës është pagëzuar gjithë fshati. Ai ndodhet rreth 200 km. larg Tiranës dhe 50 km nga Vlora. Për origjinën etimologjike të emrit të këtij fshati, ka disa mendime. Disa e lidhin me fjalën greke “drimadhes” (dushk), me që në këtë zonë ka pasur shumë lisa.

Ndërsa të tjerë, e shpjegojnë me kuptimin e fjalës greke “dhromo” (udhë), me që ky fshat shtrihet buzë së rrugës për në Himarë e Sarandë. Sipas historiografisë së sotme, fshatrat e krahinës së Himarës janë banuar nga fisi Epiriot i Kaonëve. Por koha e themelimit të tyre, ende mbetet nën rrënojat e historisë së lashtë. Dihet se Filipi i Maqedonisë, në vitin 214 p.e.s, sulmoi Himarën. Ndërsa Jul Cezari, në betejat kundër Pomeput, duke kalur përmes Dhërmiut dhe Palasës, për t’u dhënë kurajë banorëve të këtyre anëve, u drejtohet me fjalët: “Mos u frikësoni nga pushtuesit, sepse me jetën tuaj është i lidhur ngushtë edhe fati i Cezarit”.

Nga fillimi i viteve 904 p.e.s, krahina e Himarës sundohej nga Bullgarët, ndërsa rreth viteve 1370, thuhet, se nipi i Gjin Bu Shpatit (kryezoti i Artës), u vendos në Dhërmi. Në ato kohëra Himara ishte një amazonë e vërtetë. Pas vdekjes së Skënderbeut, fshatrat e kësaj krahine u bënë objekt pushtimi nga të huajt, por me rezistencën e fortë të trimave himarjotë, me në krye të birin e Skënderbeut, mundën ta mbanin Himarën si pjesë të pandarë të trojeve arbërore. Ndërsa më vonë ajo do të shpallet krahinë autonome nga Porta e Lartë, por e detyruar të paguante një shumë të madhe frangash. Prej asaj kohe himarjotët nuk mundi t’i nënshtronte dot as Sulejmani i Tretë. I vetmi sundimtar që mundi ta nënshtrojë Himarën, ishte Ali Pasha (1797). Trimat e rrallë të këtyre anëve, siç ishin suljotët dhe himarjotët dhanë një kontribut të çmuaredhe për pavarësinë e Greqisë. Është kjo arsyeja që Bajroni, në poemën e tij të famshme “Çajld Harold”, shkruante: “Të bijtë e Himarës(shqipes), që s’falin as mikun / Si mund të lënë të gjallë armikun”. Pas pavarësisë, fshatrat e krahinës së Himarës u përfshinë në trojet e shtetit shqiptar.

Ndërsa, pas copëtimit të Shqipërisë nga fuqitë e mëdha, krahina e Himarës, nga që nuk e pranoi kurrë shtypjen dhe aneksimin nga të huajt, në vitin 1914 shpalli përsëri autonominë, e cila u thellua më tej në vitin 1927, kur kryepleqësia e saj përgatiti dhe firmosi me qeverinë e kohës “Protokollin e Himarës”, ku shënoheshin privilegjet dhe detyrimet e banorëve të kësaj krahine. Në shkollat e kësaj krahine, që në vitin 1930, krahas greqishtes, nisi të mësohej edhe gjuha shqipe. Në të dyja luftërat botërore, banorët e kësaj zone, kanë mbajtur anën e luftës së drejtë për liri e pavarësi, edhe pse propaganda shoviniste e vëllavrasëse, ka synuar aneksimin e këtyre trojeve autoktone shqiptare. Gjatë Luftës Çlirimtare njerëzit e këtyre anëve u rreshtuan në çetat dhe batalionet e Brigadës XII Sulmuese. Për të mos rënë preh e operacioneve pushtuese, shumë nga banorët e Dhërmiut janë shpërngulur në Vlorë, Durrës, Shkodër dhe Tiranë. Gjuha zyrtare e banorëve të këtyre anëve ka qenë shqipja. Por ata flisnin edhe greqishten dhe gjuhë të tjera të botës.

Mësimi dhe përdorimi i greqishtes së vjetër në këtë krahinë është shpjeguar në mënyra të ndryshme. Disa mendojnë se arsyeja kryesore është, se shumë banorë të kësaj krahine kanë origjine greke. Ndërsa shkrimtari i madh Petro Marko thekson, se, gjuha greke tek njerëzit e këtyre anëve ka hyrë për shkak të shpërnguljes së detyruar të tyre në trojet dhe ishujt e Greqisë, për t’u mbrojtur nga dyndjet turke dhe si nevojë e domosdoshme për të bërë tregti me fqinjët.

ZHVILLIMI I HERSHËM SOCIAL-EKONOMIK

Zhvillimi ekonomiko-social i Dhërmiut është i hershëm. Këtë e dëshmon edhe anglezi Eduart Lir, i cili, në vizitën që i bën Dhërmiut në vitin 1948, shkruan: “Qytetërimi i këtyre anëve ka qenë më i lartë, se në pjesët e tjera të Shqipërisë”. Këtu ka pasur shkollë që në vitin 1629 dhe mjekë të përgatitur në shkollat e larta të botës. Që në kohët e hershme, banorët e këtij fshati kanë pasur karave kaike dhe varka me një velë, me të cilët ata lidheshin me botën dhe bënin tregti. Në këtë fshat ka pasur dhe 16 mullinj me ujë, ku bluanin drithërat fshatrat e të gjithë krahinës. Për ta ruajtur këtë fakt të gjallë në kujtesën e njerëzve, aty, nën Dhërmiun muzeal, në një përrua të thellë, është ndërtuar kompleksi memorial i mullinjve.

Burimi kryesor i zhvillimit ekonomik të kësaj zone ka qenë tregtia e qitrove cilësore dhe agrumeve, të cilat thitheshin me shumicë nga të huajt. Në këto anë, edhe para çlirimit qarkullonin mbi 60 makina. Ndërsa emigracioni në shumë vende të botës, si në Greqi, SHBA, Francë dhe Australi, për ta ka qenë, jo vetëm burim fitimi e zhvillimi, por edhe një udhë e gjatë zhgënjimesh dhe tragjedish të dhimbshme, që i ka shoqëruar tërë jetën. Dhërmiu ishte një nga fshatrat e fundit që bëri kolektivizimin në këto anë. Banorët e këtyre anëve tregojnë me dhimbje se, kooperativat, për të çelur toka të reja buke, dëmtuan, jo vetëm pyjet me lisa, por dhe parcelat me ullinj e agrume.

Një vend të rëndësishëm për ekonominë e atyre viteve zinin lëndët e lisave, që pushtonin shpatet e maleve dhe kodrave, të cilat përdoreshin në industrinë kimike të kohës. Kushtet e vështira dhe varfëria ekonomike e banorëve të këtyre anëve, i detyronte të largoheshin drejt qyteteve të tjera. Profesionet kryesore të tyre ishin “shofer” dhe “xhenerik”. Shumë djem të këtyre anëve mbaruan shkolla të larta dhe u bënë specialistë e kuadro të zotë. Pas vite ‘90, shumica e banorëve emigroi në Greqi, SHBA dhe në shumë vende të Europës. Njerëzit, që mbetën aty, iu përkushtuan turizmit, i cili këto vite do të bëhej burimi kryesor i të ardhurave të tyre. Filloi ndërtimi i shtëpive, rrugëve, resorteve dhe vilave luksoze, plazheve dhe pedonaleve, që frekuentohen nga mijëra pushues që vinë nga shumë qytete dhe vende të botës. Besimi i banorëve të këtyre anëve, është kryesisht ortodoks. Dhërmiu ka rreth 30 objekte kulti, si manastire, kisha dhe kishëza lagjesh. Kishat me afresket më të vjetra, që datojnë në shekullin e XII janë kisha e “Shën Stefanit” dhe e “Shën Mitrit”, ndërsa dy nga kishat më të vizitua, janë kisha e ‘’Shën Hrallambit” dhe e “Shën Spiridhonit”. Në këtë zonë ekzistojnë edhe 3 manastire të hershëm.

MREKULLIA E RESURSEVE ATRAKTIVE

Deti dhe resurset e tjera atraktive turistike janë dhuratat më të bukura që Zoti ka bërë për banorët e këtyre anëve. Sapo fillon të ngjitesh drejt Qafës së Llogarasë ndjen një frymëmarrje tjetër, që vjen nga pafundësia e pyjeve me pisha, bredha e lisa dhe aroma e këndshme e luleve të natës, që kundërmojnë në këto anë. Dhërmiu, të cilit populli i këndon “Mal përpjetë dhe poshtë dallgë”, ka një bukuri të rrallë. Sapo nis të zbresësh udhën e vjetër, të bie në sy pafundësia e detit dhe madhështia e maleve dhe pyjeve, shtëpitë karakteristike të fshatit, që mezi duken nga pemët e dendura, rrugët plot kthesa mbushur me makina, që rendin duke gulçuar, mjetet e lundrimit, që vozitin si të dehura mbi dallgët e shkumëzuara, njerëzit që kanë nisur të derdhen drejt detit. Atje, çdo gjë, edhe malet e gurët, edhe deti e drurët, kanë ngjyrën e ylberit dhe erën e luleve.

Këtë bukuri të rrallë natyrore e plotësojnë plazhet e bukura dhe resurset e rralla atraktive. Atje, buzë detit shijon edhe bukurinë e rrallë të gadishullit të Karaburunit, i cili, edhe nga të huajt është quajtur perla e Rivierës Shqiptare. Shijon pedonalen e shtruar me gurë të skalitur, pemët e mbjella buzë detit, erën e këndshme të kafes, gatimet e shumëllojta me peshk e prodhime të tjera deti, bukurinë mahnitëse të perëndimit të diellit, i cili në ato çaste i ngjan një lëmshi të zjarrtë, që duket sikur zhtytet dalëngadalë në thellësitë e detit, për t’u çlodhur. Por, ajo që ia ka rritur më tej, vlerat këtij vëndi të begatë, është: “Shpella e Piratëve”, e cila është bërë e famshme, jo vetëm përmes librave e kujtimeve të Petro Markos, por dhe përmes filmit të kinostudios ‘’Shqipëria sot”, me të njëjtin emër. Për këtë shpellë të rrallë ka shkruar edhe Homeri, i cili, mes të tjerave thekson, se, ajo është vendosur në thellësitë e shkëbinjve që kanë ngjyrën e verës. Vlerat e kësaj shpelle qëndrojnë, jo vetëm tek bukuria mahnitëse, por edhe te fakti, që ajo ruan të gjalla gjurmët e Mesjetës. Edhe “Gjiri i Gjipesë” është një resurs me vlera të papërsëritshme, sepse ai dallohet për rërën e pastër. Ndërsa “Gjiri i Gramës”, që ndodhet në veri të Dhërmiut dhe të Palasës, është i pasur me shumë mbishkrime në gjuhën ilire. Siç duket, emri i këtij gjiri buron nga fjala “gramë”, me që aty gjenden shumë mbishkrime e simbole ilire, gjë që vërtetojnë origjinën dhe vazhdimësinë autoktone shqiptare të trojeve dhe banorëve të këtyre anëve.

PETRO MARKO DHE “GURËT DHE RETË”

-Më mire litarin, se tradhtinë- (P. Marko)

Nuk besoj, se gjen shqiptarë, që nuk dinë diçka për luftëtarin e internacionalist të Spanjës dhe shkrimtarin tonë të madh Petro Marko. Krahas bëmave plot sakrifica e vuajtje dhe krijimtarisë së gjerë e cilësore artistike, ai ka lënë dhe një libër me kujtime, të shkruar në formën e një interviste me vetveten dhe të vërtetën, me një titull, sa metaforik, aq dhe të trishtë, të cilin e pagëzon me titullin metaforik “Gurët dhe retë”. Për t’i bërë këto kujtime, sa më tërheqëse, ai, herë i drejtohet Petros së ri dhe herë Petros plak. Kisha dëgjuar, se në qendër të Dhërmiut, atje ku ndodhet “Shtëpia muze “e Petro Markos, ishte ngritur busti i këtij shkrimtari të madh, që e kam adhuruar tërë jetën. Prandaj, një ditë, shkova ta shihja nga afër. Aty, jashtë oborrit të shtëpisë së tij, ku ai lindi dhe u rrit, pranë një rrapi shekullor preka me dorë bustin e idhullit të shkrimtarisë dhe vuajtjes.

Në ato çaste, përmes vështrimit të tij të trishtë, si në ato vite, kur e përndiqnin dhe izolonin, m’u duk sikur belbëzoi: “Kam kohë që s’shoh njeri të kalojë këndej. Edhe pse qëndroj natë e ditë, herë në zhegun dhe vapës e herë nën drithërimat e shiut, breshrit dhe të ngricave të dimrit, askush nuk afrohet të më shohë dhe përshëndesë. Në këto çaste, si në një ekran magjik më shfaqen përpara kujtimet, sa të bukura, aq dhe të trishta të Petro Markos, që ka lënë në librin “Intervistë me veten dhe të vërtetën”, të cilin e nis me vargjet memoriale: “O kujtime, / o jeta ime. /Dilni andej nga jeni hedhur e grumbulluar! /Dilni, ashtu siç u regjistruat në shpirtin tim! /Tani ju dua”. Dhe i pari kujtim, që atij i buron natyrshëm nga shpirti, është tregimi rrënqethës i gjyshes së tij, Milla, për fatin mërgimtarëve të këtyre anëve: “Thonë se gurët e mëdhenj, atje, jashtë/ në Shqipëri/ janë burrat e kthyer/ dhe kanë vdekur në vend. Po të jesh trim /zemërbardhë e po të shkosh andej natën, / I dëgjon të dëftejnë historinë e tyre. / Po të jesh frikacak e zemërlig, nuk i dëgjon dot.’’ Kurse, ata burra që kanë vdekur në kurbet, janë bërë re / Vijnë, qajnë dhe ikin si im shoq. Dhe mbi spitharët më poshtë, afër bregut, /mblidhen lotët e tyre, siç mblidhet ujët e shiut.” (526) Ndërsa më poshtë, ajo statujë e menduar, duket sikur kërkon të zbrazë kujtimet e tij të trishta. Petro Marko kishte vite që mendonte, që këtë tregim rrënqethës të gjyshes ta kthente në roman, me titullin “Gurët dhe retë”, por nuk mundi ta përfundonte dot kurrë. Me gjithë atë, fjalën e dhënë para gjyshes e mbajti si burrat “Petro Marko nuk u tjetërsua kurrë në re, por mbeti një gur i përjetshëm në vendlindjen e tij”. Para se të kthehej në atdhe, nga Lufta e Spanjës, u vu përballë dy alternativash: Të zgjidhte, ose litarin, ose tradhtinë.

Përgjigjja e tij ishte e prerë: “Më mirë litarin, se tradhtinë”. Ai zgjodhi të kthehej në një gur stralli në atdheun e tij. Vetëm, kur u ktheva në vendin tim, tregon Potro Marko, e kuptova, se si lindin gonxhet e jetës së lirë, sepse këtu kam edhe jetën edhe varrin. Dhërmiu, për të ishte llogorja e ëndrrave dhe gëzimeve, e derteve dhe trishtimeve. Sa vura këmbën tek pragu i shtëpisë sime, vazhdon ai, m’u kujtuan vargjet e poetit të këtyre anëve, Nase Beni: “Shtatë fshatra, radhë janë/ ama trima kapedanë/ Trima, sa përball’ dyfekut, / gjoksin i trgojn’ dovletit”. I tillë trim ishte dhe kapedani Jani Kaconi, nipi Marko Boçarit. Petro Marko, me fluturimin e tij mbi male, dete dhe horizonte, guxoi të prekte edhe retë, por kurrë nuk u kthye në re. Ai mbeti një gur i rëndë në trojet e veta, ashtu siç kishte dhe emrin. U kthye për të gëzuar lirinë e agimeve të bardha të Dhërmiut piktoresk. Por, si për ironi të fatit, ai që e desh aq shumë lirinë dhe luftoi për të, pa kursyer as jetën, përzhitet përmes luftërash, furtunash, burgimesh, përndjekjesh dhe internimesh të njëpasnjëshme, që s’mbaruan kurrë. Trishtimi dhe ëndrrat e tij të madha lexohen qartë edhe në vargjet e tij brilante: “Rrëmbemë, o dallgë e bukur si pirati/ dhe më bashko me kapedanë trima, zemërdelfina/ të shpejtë si vetëtima/ Te hullia e jetës, ku na shkruhet fati/ Të derdhem, o dallgë, të hidhem në erë/ Të shoh dhe unë një ditë pranverë”. (527)

Unë, tregon Petro Marko, rrjedh nga një familje, që në Dhërmi quhet “Bua”. Shekuj më parë, në këto troje, erdhi për të banuar nipi i luftëtarit të Skënderbeut, Gjin Bue Shpata. Me kohë, ai u bë një lagje e madhe, brenda së cilës, deri vonë, nuk bëheshin lidhje martesore. Në vitin 1914, në këto anë, erdhën andartët, të cilët, jo vetëm dogjën vranë e plaçkitën, por nxitën dhe vëllavrasjen. Ekstremistët e Spiro Miles, thirrën në pritë dhe vranë pabesisht Andrea Markon (xhaxhanë e Petros), se gjoja i kishte shitur dukatasit tek të huajt. Tashti, sipas zakonit, Markot e Dhërmiut, duhet të merrnin gjakun. Por, kjo nuk ndodhi kurrë, sepse ata e kuptuan lojën vëllavrasëse. E para gjë që bëra, kur u riktheva në Dhërmi, tregon Petro Marko pajtova dukatësit me familjarët e mi.

Në takimin që bëmë për faljen e gjakut, mes lotëve dhe përqafimeve, ia morëm së bashku këngës me vargjet kuptimplote: ‘’Ç’është kështu, ç’po dëgjojmë/ qaj medet, o Vlora jonë! / italianët po zbarkojnë/ Me pamporë e me ballonë / Qaj medet, o Vlora jonë!”, këngë që u bë kushtrim për të rrëmbyer pushkën kundër pushtuesve italianë. Aty, vazhdon Petro Marko, na u ndez gjaku e shpata për të bërë betimin e madh: “Përsëri pushtuesit do t’i hedhim në det, si në vitin 1920.” Kësaj thirrjeje për liri, iu përgjigjën njëzëri shumë djem të këtyre anëve, të cilët mbushën radhët e Brigadës së Xll.S. Kur erdhën italianët, kuvendi i pleqve të Dhërmiut, u tha atyre: “Armët nuk ua japim, se me to do të mbrojmë trojet, jetën dhe nderin tonë”. Përsëri ishin ekstremistët grekomanë ata, që synonin të zhduknin Marko Janin, me akuzën se gjoja ai kishte armë të fshehura dhe bashkëpunonte me austriakët. Prandaj e arrestuan për ta syrgjynosur në burgjet e frikshme të Ustikës.

Nga qelitë e atyre burgjeve të tmerrshme, ai i shkruante me dhimbje, familjes së tij: “Ju, mos mendoni për mua, por për veten tuaj. Punoni tokat dhe vdisni mbi to”. Mendimi konstant i Petro Markos ka qenë se banorët dhe trojet e krahinës së Himarës kanë qenë dhe do të mbeten shqiptare. Për arsyet e përdorimit masiv të greqishtes së vjetër nga banorët e këtyre anëve, ai mbështet mendimin e historiografisë shqiptare, të cituar më lartë. Ai thekson, se, një nga shkaqet e tjera kryesore, që banorët e këtyre fshatrave përdorin masivisht greqishten, ka qenë propaganda e shfrenuar e grupeve ekstremiste voiroepiriste, që nëpërmjet deziformimit, kanë synuar të shtrembërojnë të vërtetën mbi autoktoninë shqiptare të trojeve, gjuhës dhe banorëve të kë tyre anëve. Por, thekson Petro Marko, ne kishim bindjen, se rrënjët e burimit të gjakut dhe të gjuhës sonë janë shqiptare.

Petro Marko, njeriu që nuk do të kursente asgjë për vendlindjen dhe trojet e tij, si për çudi, do të vinte një ditë si ajo e majit të vitit 1947, kur do të niste udhën e gjatë të kalvarit të burgimeve, përndjekjeve dhe internimeve absurde. E quajtën sabotator dhe spiun të të huajve, për të vetmin faj, se kishte bërë humor me disa policë injorantë të regjimit monist të atyre viteve. Për këtë “krim” qesharak, i kishin vajtur në mes të natës në shtëpi, e kishin lidhur këmbë e duar, për ta përplasur në qelitë e errëta, si “armik të popullit”.

Në atë birucë të akullt, tregon ai, më varën tek dritarja, me zinxhirin e rëndë në qafë, që më bënte t’i ngjaja atllasit, i cili mbante mbi shpinë globin e mundimeve, aq sa më dukej vetja si në zjarr e furtunë. Një ditë, ç’të shihja? Vërvitën brenda birucës, ku lëngoja, një skelet si Gandi, të zhveshur pothuajse fare, kockë e lëkurë. Mblodha gjithë forcat për ta parë më mirë, se ç’ishte ajo leckë-njeri. Pas pak, ai ngriti kokën, më pa, dhe për çudinë time tha: ‘’Edhe ti këtu, zoti Marko?! Unë kisha shpresë, se ju do të më ndihmonit për të shpëtuar (476). Kështu e pësuan edhe shumë atdhetarë e luftëtarë të tjerë si Petro Marko, i cili, edhe kur miq e të afërm i premtuan punë e strehim jashtë vendit, ai iu përgjigj prerë: ‘’Do të vdes në vendin tim”./ Memorie.al

Artikuj te sugjeruar

video

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 16

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 16

Gruaja me dy identitete që premton “shërim” me ujin e kufomave në Pejë

A ka Shqipëria një Nicola Gratteri?

Katër nëna në kërkim të fëmijeve/ Bisedat që zbuluan rrjetin e errët

Flamur Gjuzi, i dënuar për"shpërdorim detyre" sot drejtor i Policisë Bashkiake, sërish shkel ligjin?

Pallatet u zhytën“Durrës Marina" dhe Autoriteti Portual bëjnë veprimin e papritur përballë skandalit

Ekskluzive/ Nicola Gratteri çmonton skemën e pastrimit të parave të ndërtimit në Tiranë

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 15

Enkel Demi duke luftuar paragjykimet për shqiptarët. (kamera e fshehtë)

Milva Ekonomi i firmosi miliona euro Vilma Nushit, kjo e fundit i investoi te kulla e Ervin Matës

Ajo çfarë mund të na mësojë Kosova.

Laboratorë “copy-paste”/ I njëjti mjek firmos analiza në disa pika, skema që ngre pikëpyetje

Rrjeti i ‘errët’ i vajzave të zhdukura! Bisedat tronditëse si funksiononte grupi.

Bleu 300 m2 tokë në vitin 2004, kthehet nga emigrimi dhe gjen aty vilë 3-katëshe.

“Na detyruan nga Dubai”/ Konstruktori i Durrës Marina zbulon pse u zhytën pallatet

Drejtori që tregon sjellje të pahijshme me nxënësen: Jam i fortë edhe në parti

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 14

Turisti zemërgjerë nga Italia dhe patatinat falas

Aksidentet “pushtojnë” oborrin e familjes në Klos, banori: Një ditë do ndodhë tragjedi

Lidhja jashtëmartesore që përfundoi në makth /32-vjeçarja rrëfen shantazhin me video intime

Sherr në terminalin e Peshkopisë, shoferi: Mos më vidh pasagjerët! Shko ha bukë te pjesa jote

Artisti dhe Frika

Si u kthye në urrejtje dashuria mes ish-bashkëshortëve dhe ‘lufta’ për 200 mijë euro!

14-vjeçare me dr*gë dhepro*titucion, rrjeti i errët i minoreneve të zhdukura

Zhytja e pallateve te Alabarit/ IKMT pranon anomalitë në “Durrës Marina”: Janë zhytur 28 cm

"Ederlezi", festa e veçantë e komunitetit rom.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 13

Do t’i fus duart edhe nëse bërtet, motra e 13 vjeçares rrëfen tmerrin e mesazheve që mësuesi ia çon

“Inspektori gjobëvënës” i bashkisë terrorizon qytetarët

Pagat e mohura të druvarëve në Navaricë! Miliona lekë për të marrë dhe kërcënime

Rruga Thumanë–Kashar/ 1 miliard euro dhe “5 lekëshi” që po merret nga xhepat e qytetarëve

Me viza turistike ose kontrata futbolli drejt Europës/ Kush fshihet pas skemës së trafikimit?

Nënat denoncojnë ikjet nga shtëpia dhe jetën e dyshimtë të adoleshentëve

Për mediat dhe fëmijët

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 12

Muzikanti i rruges “vjedh” koleget. Banka e fundit

Dajak për 50 metra rrugë në Dibër, kushërinjtë në ’luftë’ për pronën.

Fisnik Syla, “BAMIRËS” apo shantazhues

A janë "idiotë "shqiptarët e Maqedonisë së Veriut? Çfarë do të thoshte Arbën Xhaferraj?

Presidenti i FSHP reagon për deklaratat e Erkand Qerimaj: Lajthita atëherë, tani kam reflektuar

Nga jetimorja te humbja e kujdestarisë. Rrëfen nëna që kërkon bashkimin me vajzën pas 13 vitesh

Tigrat e Vlorës: energjia që prodhohet 6 herë më shtrenjtë se sa shitet.

Skandali i zhytjes së pallateve në Durrës Marina / Ndërhyn IKMT.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 11

Dhjetëra punonjës fasonerie pa marrë pagat: Blerimi mori lekët dhe u zhduk! Pronari premton zgjidhje

Hapet filial i bankës turke në “zemër” të Bllokut, reklamat vendosen pa leje

Energji për brezin tim

Nga ‘Viola’ tek Dorina: Si përfundoi në borxh një histori dashurie në distancë

Firma “Trade Minerals Al” po shkatërron mjedisin dhe infrastrukturën e fshatit Gjegjan në Kukës

Nga shpërthimi i drejtorit te prapaskenat e ushqimit në institucionin privat në Elbasan