AKTUALITET

"Kanë zgjedhur emigracionin për të ardhmen e tyre?" Analiza: Të rinjtë, “porta” e vetme e prosperitetit

M.B. Përditësimi i fundit 5 Janar 2025, 07:59

"Kanë zgjedhur emigracionin për të ardhmen e tyre?"

TIRANA- Gjatë 34 viteve të tranzicionit të dëshpëruar nga mungesa e mundësive për punësim, arsimi i papërshtatshëm, korrupsioni i lartë, mungesa e meritokracisë dhe kostot e larta të strehimit, të rinjtë shqiptarë kanë humbur shpresën, duke zgjedhur emigracionin si zgjidhje për të ardhmen e tyre. Në periudhën ndërmjet dy censeve, nga 2011 deri më 2023, popullsia e vendit shënoi rënie me rreth 14%, ndërsa të rinjtë (15-29 vjeç) u pakësuan me 39%. Rinia shqiptare vuan mungesën e një arsimi të përshtatshëm dhe për pasojë, mungesën e përfshirjen në tregun e punës.

Në vitin 2023, një e katërta e të rinjve 15-29 vjeç nuk ishin as të punësuar dhe as duke ndjekur shkollën apo ndonjë formim profesional, teksa papunësia është në rritje. Rritja ekonomike e vendit nuk ka përmirësuar pozitat e të rinjve në arsim dhe në tregun e punës. Këshillat e të rinjve që po ndërtojnë një karrierë të suksesshme sugjerojnë shkollim të mirë dhe më shumë dashuri për vendin. Ekspertët sugjerojnë se investimi tek të rinjtë në këtë moment të Shqipërisë është zgjidhja e vetme për zhvillimin e qëndrueshëm.

Historia ka treguar se kombet që investojnë në arsimin, shëndetin dhe punësimin e të rinjve kanë zhvillim të qëndrueshëm në afat të gjatë dhe më shumë shanse për të rritur mirëqenien se vendet e tjera që zgjedhin p.sh. të investojnë në infrastruktura fizike. Gjermania është shembulli më i prekshëm. Nëpërmjet një strategjie në sistemin e arsimit profesional nxiti dhe krijoi një ekonomi të fuqishme dhe të specializuar në industri.

Sistemi gjerman përgatiti të rinjtë për pozicione pune të mirëpaguara bazuar në shkollimin teorik dhe praktikën në çka e bëri vendin konkurrues në botë për prodhime industriale me vlerë të lartë. Vende të tjera si Koreja e Jugut, Finlanda, Singapori dhe Kanadaja kanë përjetuar zhvillim të shpejtë ekonomik, falë fokusit te të rinjtë. Por Shqipëria, e cila trashëgoi nga komunikimi ndoshta kapitalin më të çmuar, “dividentin demografik” një popullsi të re në moshë, nuk e shfrytëzoi me maturi këtë potencial.

Gjatë 34 viteve të tranzicionit të dëshpëruar nga mungesa e mundësive për punësim, arsimi i papërshtatshëm, korrupsioni i lartë, mungesa e meritokracisë dhe kostot e larta të strehimit të rinjtë shqiptarë kanë humbur shpresën përderisa kanë zgjedhur në mënyrë masive emigracionin, si zgjidhje për të ardhmen e tyre. Të dhënat e cens 2023 tregojnë se grupet reja në moshë kanë shënuar rënie drastike në raport me popullsinë e përgjithshme. Në periudhën ndërmjet dy censeve, nga 2011 deri më 2023, popullsia e vendit shënoi rënie me rreth 14%, ndërsa të rinjtë (15-29 vjeç) u pakësuan me 39%.

Emigracioni i lartë dhe rënia e lindjeve po reduktojnë popullsinë e re në moshë, duke rritur më tej sfidat në të gjitha fushat e jetës në vend. Tregu i punës, skema pensioneve, cilësia e demokracisë kanë nisur të shfaqin simptomat e para të “sëmundjeve” që po krijon mungesa e të rinjve. Përveç pakësimit në numër, rinia shqiptare që jeton në Shqipëri vuan mungesën e një arsimi të përshtatshëm dhe për pasojë, mungesën e përfshirjen në tregun e punës. Në vitin 2023, një e katërta e të rinjve 15-29 vjeç nuk ishin as të punësuar dhe as duke ndjekur shkollën apo ndonjë formim profesional.

Papunësia në popullsinë e përgjithshme ishte 10.7%, ndërsa, ndërsa tek të rinjtë shkalla zyrtare e papunësisë ishte 22%. Anketa të tjera që kanë matur emigracionin potencial, kanë treguar se vështirësitë në punësimin e të rinjve janë shkaktari kryesor për emigrimin e tyre. Gati 80% e personave që largohen nga vendi janë të rinj nën 30 vjeç dhe arsyet e largimit lidhen me përpjekjet për të përmirësuar gjendjen e tyre ekonomike.

Raporti Global për Lumturinë, që u publikua në mars të këtij viti, renditi Shqipërinë në vendin e 66-të në mesin e 140 vendeve për nivelin e lumturisë për personat poshtë 30 vjeç. Të rinjtë shqiptarë ishin më të palumturit në Europë, duke lënë pas vetëm Turqinë. Ekonomia e Shqipërisë vuan nga mungesa e konkurrencës dhe incentivat për të rinjtë për t’i përfshirë ata në biznes. Vendi ka një kuadër ligjor dhe një strategji për zhvillimin e të rinjve, gjithashtu ka edhe një Ministër Shteti për Fëmijët dhe të Rinjtë, por zhvillimet reale tregojnë për jo në favor të perspektivës së tyre.

Brendi Hoti, një i ri që është kthyer nga studimet jashtë vendit dhe tani bashkëmenaxhon kompaninë PikHost, inovatore në qiradhënien në platforma, thotë se në Shqipëri, mbështetja institucionale për të rinjtë që duan të hapin një biznes është ende e kufizuar dhe se ata përballen me sfida të konsiderueshme.

“Ka shumë konkurrencë, veçanërisht nga kompanitë e mëdha që dominojnë tregun, dhe kjo e bën më të vështirë hapjen e mundësive për biznese të reja. Për më tepër, shpeshherë institucionet preferojnë të bashkëpunojnë me aktorë të mëdhenj, që kanë më shumë mundësi dhe resurse”, tha z. Hoti.

Po humb pasuria më e çmuar, të rinjtë

Drini një 16-vjeçar nga Tropoja, që la në mes gjimnazin për të udhëtuar me gomone drejt Britanisë së Madhe tre vite më parë, ka dy muaj që është depërtuar në Shqipëri. Ende pa u çmallur me familjen po bëhet gati të emigrojë drejt Gjermanisë. Familja e tij jeton në fshat dhe të gjithë banorët janë mbi 55 vjeç, edhe në qytet ka shumë pak rinj, ose aspak gjatë dimrit. “Edhe sikur të kem një punë të mirë, nuk kam asnjë shok.

Në Tiranë, paga 50 mijë lekë që më ofruan nuk më mjafton as për qiranë. Kam gjetur një kontratë pune në Gjermani dhe mendoj të lëviz para festave”, – thotë Drini, djali i vetëm i familjes. Prindërit e tij janë të dëshpëruar, por Drinin nuk ka asgjë që e mban në Shqipëri. Historia e Drinit është ajo e shumë të rinjve që kanë zgjedhur emigracionin si ëndrrën e jetës. Në vitin 2023, censi numëroi rreth 430 mijë të rinj të moshës 15-29 vjeç nga më shumë se 704 mijë që ishin në vitin 2011 dhe më shumë se 920 mijë që ishin në vitin 2023.

Në 1989 një vit para se të rrëzohej regjimi diktatorial, të rinjtë përbënin 30% të popullsisë dhe në vitin 2023 përbënin vetëm 18% të saj. Shqipëria ka humbur pasurinë më të çmuar të saj, rininë. Rënia e numrit të të rinjve është përshpejtuar në vitet e fundit kryesisht pas emigracionit të lartë me heqjen e regjimit të vizave. Ndërmjet 1989 dhe 2011, popullsia në grupmoshën 15-29 vjeç shënoi rënie me 23,4%. Nga 2011 deri më 2023, kjo grupmoshë shënoi rënie me 39%.

Si rrjedhojë e ikjes masive të të rinjve, popullsia e vendit u plak me 7 vite. Grupmosha 15-19 vjeç kishte tkurrjen më të madhe. Kur u zhvillua censi 2011, në të gjithë vendin u numëruan 268,756 të rinj 15-19 vjeç, por në censin 2023, numri i tyre u përgjysmua me vetëm 142,943 persona, me rënie 47%. Kjo grupmoshë kishte rënien më të madhe në periudhën ndërmjet censeve si në numër dhe në përqindje. Popullsia e përgjithshme pësoi rënie me 14.8%, ndërsa në grupet e reja, ky raport ishte tre herë më i lartë.

Ekspertët e statistikave e shpjegojnë këtë rënie me emigracionin e lartë të të rinjve dhe familjeve me fëmijë pas vitit 2016, nëpërmjet formës së re të emigracionit, azilit ekonomik. Rënie mbi 40% pësuan edhe grupmoshat 10-14 vjeç (41%) dhe 20-24 vjeç (41%). Në krahun tjetër, rritjen më të fortë në popullsinë e përgjithshme e kishin 90-vjeçarët. Grupi i popullsisë 85-89 vjeç arriti në 26,443 persona në censin 2023, nga 14,738 të tillë më 2011, me rritje 79%. Struktura e popullsisë tregon rënie dyshifrore në moshat 0 deri në 54 vjeç.

Ndërsa rritja nis për grupmoshat 55 deri në 100 vjeç. Të dhënat tregojnë se popullsia në moshë pensioni është rritur me ritme shumë të larta. Popullata 65+ arriti në 473 mijë persona, sipas cens 2023 me rritje 49% nga censi 2011. Piramida e popullsisë me censin 2023 i ngjan më shumë një peme ku grupmoshat e reja të popullsisë kanë pësuar rënie, duke formuar trungun, teksa është rritur ndjeshëm popullsia në moshë pensioni që formon kurorën e pemës.

Kjo hartë e re demografike sugjeron se vendi duhet të investojë më shumë në drejtim të një infrastrukture për popullsi më të plakur dhe të përmirësojë në mënyrë radikale sistemin arsimor, që të prodhojë një forcë pune me aftësi të larta për të përballuar nevojat për shërbime të popullsisë me të vjetër.

Qarqet që u braktisën më shumë nga të rinjtë

Numri i të rinjve në shkallë vendi ka rënë drastikisht, por në disa qarqe fenomeni ka qenë më agresiv. Të dhënat e Cens 2023 tregojnë se Gjirokastra, Fieri, Lezha dhe Elbasani kishin rënien më të madhe të të rinjve që nga viti 2011. Gjirokastra që është edhe qarku më i plakur i vendit u përball me rënien më të fortë të numrit të të rinjve ndërmjet dy censeve me 55%. Në vitin 2023 në këtë qark u numëruan rreth 7 mijë persona në grupmoshën 15-29 vjeç nga rreth 17 mijë që ishin në vitin 2011.

Në Qarkun e Fierit, rënia ishte 53.5%, duke e çuar numrin e tyre në 38 mijë më 2023 nga 71 mijë që ishin në 2011. Lezha gjithashtu kishte rënie me 49%, i ndjekur nga Elbasani po në këtë masë. Në anën tjetër, Qarku i Tiranës, Beratit dhe Durrësit kishin ritmet më të ulëta të rënies së të rinjve. P.sh. në Qarkun e Tiranës ku dominon popullsia e kryeqytetit ka zhvillime paradoksale. Nga 2011-2023, popullsia e Qarkut të Tiranës është rritur me 1,2%, ndërsa të rinjtë (15-29 vjeç) kanë pësuar rënie me 22%, në Qarkun e Durrësit rënia ishte 36,5%.

Humbja e të rinjve mbetet shqetësuese edhe për Kryeqytetin, i cili prej më shumë se 30 vitesh është shndërruar në qendër graviteti për të rinjtë e qarqeve të tjera. Tirana është furnizuar me të rinj nga shpërngulja e familjeve me gjithë fëmijë nga qarqet e tjera dhe nga studentë, të cilët pasi mbaronin studimet e larta, nuk riktheheshin më në rrethe. Pakësimi i rinisë në kryeqytet lidhet kryesisht me emigracionin e lartë.

Shtrenjtimi i kostos së jetesës për strehim dhe rritjen e fëmijëve po bën që shumë të rinj pasi përfundojnë studimet zgjedhin të emigrojnë drejt vendeve me politika sociale për familjet e reja, kryesisht Francë dhe Gjermani. Normat e emigrimit të të rinjve në Shqipëri në 10 vitet e fundit kalojnë edhe vendet që kanë përjetuar lufta të përgjakshme, atyre që jetojnë në diktuara ekstreme dhe vendeve tmerrësisht të varfra.

Të dhënat e Eurostat tregojnë se nga viti 2013 deri në 2023 në vendet e Bashkimit Europian kërkuan azil 64.2 mijë shqiptarë nën 18 vjeç. Në vlerë absolute, kjo shifër ishte e pesta në botë, por, në raport me popullsinë, Shqipëria kishte normën e dytë më të lartë në botë të azilkërkuesve nën 18 vjeç në BE, me 241 të rinj për 10 mijë banorë.

Përveç Sirisë, Shqipëria ka një diferencë me vendet që e pasojnë në renditje. Eritrea, një vend diktatorial në Afrikë, kishte një normë emigrimi 162.3 persona nën 18 vjeç për 10 mijë banorë, më pas në renditje vjen Gjeorgjia me 100 të rinj azilantë nën 18 vjeç për 10 mijë banorë, Iraku me 38 azilantë për 10 mijë banorë dhe Somalia me 32.

Ndonëse me një popullsi të vogël ndër vendet e origjinës së emigrantëve Shqipëria kryeson renditjen globale të azilkërkuesve të rinj në Europë edhe në numër personash. Të dhënat e Eurostat tregojnë se gjatë 10-vjeçarit të fundit, 64,215 mijë të rinj nën 18 vjeç nga Shqipëria kërkuan azil në një nga vendet e BE-së, duke e renditur vendin tonë të katërtin në botë pas Sirisë (590 mijë), Afganistanit (358 mijë), Irakut (170 mijë) dhe Turqisë (64.2 mijë), të cilat kanë qenë në luftë (përveç Turqisë) dhe kanë popullsi shumë më të madhe se Shqipëria.

Emigrimi në Shqipëri ka marrë përmasat e një hemorragjie që nuk po ndalon. Të dhënat tregojnë se vendet e tjera që kanë përjetuar flukse të larta të azilantëve në grupet e reja janë në luftë dhe prag lufte, ndërsa në vendin tonë fenomeni është sistematik dhe po vijon, edhe pse Shqipëria është vend demokratik dhe me rritje ekonomike. Flukset më të larta të emigrimit të 18-vjeçarëve shqiptarë kulmuan në vitin 2015 kur rreth 22 mijë të rinj nën 18 vjeç kërkuan azil në një vend të BE-së, shumica e të cilëve ishin pjesë përbërëse e familjeve, të cilat braktisën vendin në atë kohë.

Pritshmëritë nga anketat mbi potencialet e migracionit tregojnë se flukset do të vijojnë. Vitin e fundit, teksa norma e përgjithshme e papunësisë ka ardhur në rënie, papunësia tek të rinjtë është rritur. Një anketë e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal më 2023 tregoi se, 31% e shqiptarëve planifikojnë të largohen nga vendi. Por më rëndësishmja është se, 18% e tyre tashmë kanë plane dhe kanë gjetur mënyrat për të ikur. Rezultatet tregojnë se emigracioni në Shqipëri është më agresiv se në vendet e tjera pasi, në një përqindje më të madhe shqiptarët nuk dëshirojnë të emigrojnë përkohësisht por përgjithmonë.

“Shumë gjëra duhen ndryshuar. E para është fryma që në Shqipëri, që mund të kesh një jetë të qetë, mund të kesh siguri, mund të kesh marrësh një shërbim cilësor, mund të zgjedhësh një problem që e ke, apo që mund të shërohesh dhe jo sorollatesh nëpër spitale publike.

Këto janë aspekte shumë të rëndësishme për një individ, sepse ai jeton si pjesë e shoqërisë, dhe si i tillë duhet të ketë një shoqëri të shëndoshë që dhe ai të bëjë një jetesë së denjë. Të gjitha këto aspekte sociale e bëjnë një individ që të mos zgjedhë që të zhvillojë karrierën e tij në Shqipëri, por të zgjedhë një vend tjetër”, tha Ilir Brasha, një i ri nga Kukësi që ka vendosur të zhvillohet në karrierë në Shqipëri në një kohë që të gjithë moshatarët e tij emigruan.

Të rinjtë paguhen më pak

Një nga arsyet kryesore që po i shtyn të rinjtë të largohen nga vendi janë pagat e ulëta. Për shkak të mungesës së përvojës, por edhe të modelit ekonomik të vendit tonë që nuk prodhon punë me paga të mira, të rinjtë shqiptarë kanë paga më të ulëta se grupmoshat e tjera në marrëdhënie pune.

Një anketë e INSTAT e publikuar në nëntor 2024 tregoi se pagat për të punësuarit nën 30 vjeç ishin më të ulëta se punonjësit mbi këtë moshë. Paga mesatare për punonjësit poshtë të tridhjetave ishte 36 mijë lekë në muaj bruto në vitin 2022 në ndërmarrjet me mbi 10 të punësuar.

INSTAT verifikoi se niveli i pagës ishte më i lartë për grupmoshën 40-49 vjeç, me rreth 44 mijë lekë në muaj. Madje edhe personat mbi 60 vjeç kishin paga 10% më të larta se të rinjtë, poshtë të tridhjetave.

Grupet e të rinjve, përveçse vuajnë nga normat e larta të papunësisë, edhe ata që punojnë kanë paga të ulëta në raport me pjesën më të vjetër të popullatës që punon.

Brasha thotë se sfida kryesore që përballen të rinjtë, sidomos në fillim është paga e ulët dhe kostoja e lartë e jetesës. Pikë tjetër është mospromovimi i individëve, pra meritokracia, që në pjesën e shtetit gjendet shumë rrallë.

“Tanimë për të pasur të ardhura të mjaftueshme, kam zgjedhur që të punoj në sektorin privat, dhe të mbaj si punë të dytë punë si analist në organizata joqeveritare”, tha ai.

Rritja e PBB-së nuk prodhon punësim për të rinjtë

Papunësia tek të rinjtë në vendin tonë është shumë më e lartë se në grupmoshat e tjera, më shumë se dyfishi. Në 2023, vendi kishte një shkallë papunësisë 10.7%, ndërsa në grupet e të rinjve 15-24 vjeç ishte 25.6%.

Krahasuar me vitin paraardhës, norma e papunësisë për këtë grupmoshë u rrit me 0,7 pikë përqindje, edhe pse tregu i punës po shfaq kërkesë për punonjës. Kompanitë në të gjithë vendin po furnizohen nga jashtë vendit me punonjës të huaj, teksa shihet se hapësirat për të rinjtë janë ngushtuar më shumë.

Modeli ekonomik i vendit bazohet ende në krahun intensiv të punës me paga të ulëta, ndërkohë që të rinjtë zgjedhin të largohen jashtë vendit që të punojnë në vend me këto kushte.

Papunësia e të rinjve vjen në paradoks me zhvillimet ekonomike të vendit. Vitet e fundit, PBB u rrit me ritme më të larta se mesatarja e dekadës që shkoi, por kjo rritje nuk ka prodhuar punësim, teksa shihet të ketë ndodhur e kundërta.

Papunësia afatgjatë shënoi rritje të ndjeshme në vitin 2023 në 14.3% tek të rinjtë, me rritje 2 pikë % në raport me të njëjtën periudhë të vitit 2021.

Ka një paradoks ndërmjet bizneseve që kërkojnë punonjës dhe të rinjve që duan të punojnë. Një hotel në zonën e Shëngjinit në Lezhë po kërkonte 10 punonjës të rinj kameriere, picajol, recepsion etj.

Mirëpo për Arditin 23 vjeç ,që sapo ka përfunduar studimet e larta në Tiranë këto oferta nuk janë të përshtatshme. “Me pagë bruto 50 mijë lekë më kërkojnë të punoj më shumë se 12 orë në ditë.

Më i mirë e kam të punoj 3 muaj në Gjermani se sa tre muaj në Shëngjin” thotë i riu. Të rinjtë e sotshëm nuk pranojnë të shfrytëzohen në punë me orë të gjata dhe pa asnjë ditë pushim, ashtu si prindërit kanë punuar në rininë e tyre. Gjithnjë e më shumë, të rinjtë kërkojnë të respektohet kodi i punës për pagesa më të larta jashtë orarit dhe ditët e pushimit.

Bizneset edhe pse janë bërë më fleksibël, sërish janë larg të ofrimit të punës dinjitoze për t’i bërë vendet e punë tërheqëse për të rinjtë.

Të dhënat e INSTAT referojnë se në tremujorin e tretë të vitit të kaluar, 74,507 të rinj të moshës 15-29 vjeç ishin të papunë me një shtesë 5300 persona, që nga e njëjta periudhë e vitit 2022.

Një e katërta e të rinjve rri kot, as në punë as në shkollë

Në Shqipëri, nevojat e sektorit të arsimit dhe tregu i punës kanë një hendek të madh që akumulohet në vend që të shoshitet. Arsimi i lartë prodhon një forcë pune që nuk e kërkon tregu. Ky rezultat dekurajon të rinjtë që gjithnjë e më shumë zgjedhin të mos studiojnë dhe as të mos punojnë në kulmin e moshës.

Të dhënat zyrtare referojnë se gjatë vitit të kaluar, 24.6% e të rinjve 15-29 vjeç nuk ishin as të punësuar dhe as duke ndjekur shkollën apo ndonjë formim profesional. Në këtë grup 49,4% e të rinjve janë të papunë.

Pjesa tjetër janë jashtë tregut të punës për arsye se janë të dekurajuar (2,0%), duke përmbushur detyra dhe përgjegjësi familjare (13,4%), ose për arsye të tjera (35,3%).

Duke analizuar të rinjtë, të cilët nuk janë të punësuar, nuk janë duke ndjekur shkollën apo trajnim profesional sipas gjinisë dhe statusit të tyre në tregun e punës, vihet re se meshkujt janë më aktivë në treg sesa femrat (60.9% e meshkujve janë në kërkim të një pune dhe të gatshëm për të punuar, ndërsa tek femrat kjo përqindje është 39,0%).

Shqipëria ka nivelin më të lartë te të rinjve as në punë dhe as në shkollë pas Kosovës.

Në Bashkimin Europian, mesatarja e të rinjve as në punë dhe as në shkollë ishte 11.2% në 2023, në nivele që varionin nga 4.8% në Holandë deri në 19.3% në Rumani.

Në rajon, p.sh. në Serbi, ky tregues ishte 12% më 2023, në Maqedoninë e Veriut ishte 24%, në Bosnjë 17%. Këto rezultate tregojnë për sfida të vazhdueshme në përfshirjen e të rinjve në arsim ose tregun e punës, veçanërisht në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe kjo është më e theksuar në Shqipëri.

Vendet e Rajonit përballen me nivele të larta papunësie dhe sisteme edukimi që shpesh nuk janë në përputhje me nevojat e tregut të punës. Në BE, ndërkohë, fokusi është në uljen e këtyre shifrave në nivelin 9% deri në vitin 2030.

Të rinjtë shpesh përballen me vështirësi në gjetjen e punës për shkak të mungesës së përvojës ose aftësive të përshtatshme për tregun e punës. Kontratat e përkohshme dhe informaliteti janë gjithashtu më të përhapura te të rinjtë duke ndikuar në stabilitetin e punësimit, thotë një studim i Fondit Europian të Trajnimeve.

Arsimi profesional dhe trajnimet në vendin tonë nuk janë të zakonshme për të rinjtë ose nuk janë të zhvilluara mjaftueshëm.

Mungesa e perspektivës ekonomike dhe pagat e ulëta nxisin migracionin e të rinjve ose lënien e shkollës, duke i bërë ata më të prirur për të qëndruar jashtë arsimit dhe punës. Ky është rasti tipik i të rinjve shqiptarë, të cilët preferojnë të përgatiten për emigrim se sa të punojnë ose studiojnë në Shqipëri.

Pandemia përkeqësoi situatën duke ndërprerë arsimin, duke rritur papunësinë dhe duke krijuar pasiguri shtesë për të rinjtë, sidomos ata në pozita të pasigurta pune

Këto faktorë shpesh ndërlidhen, duke e bërë të vështirë për shumë të rinj të dalin nga cikli i papunësisë dhe izolimit.

Arsimi në përkeqësim

Shqipëria doli nga komunizmi me një rrjet arsimor që kishte frekuentim të lartë, tregues që vijoi edhe më pas, por që u përkeqësua ndjeshëm pas pandemisë Covid-19, sidomos për vajzat.

Arsimi, i cili është sektori më i madh ku investohet në kapitalin njerëzor, po përkeqësohet në disa tregues, në vend që të ecet përpara.

Gjatë vitit 2022, rreth 10% e vajzave në moshë shkollore nuk e ndjekin arsimin e detyrueshëm 9-vjeçar. Në vitin 2014, ky tregues ishte më pak se 2%. INSTAT raportoi se, niveli i pjesëmarrjes bruto në arsimin e detyrueshëm është 96,9% për djemtë dhe 90,4% për vajzat.

Edhe pjesëmarrja në nivelin e mesëm të studimeve është më e lartë për djemtë se për vajzat, përkatësisht 95,7% dhe 90,2%, ndërsa në nivelin universitar, raporti përmbyset, ku pjesëmarrja është më e lartë për vajzat, me 74,7% krahasimisht me djemtë me 51,5%.

Një kthim pas i treguesit që përfaqëson braktisjen e shkollës lajmëron një perspektivë jo të mirë për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.

UNICEF vlerëson se braktisja e shkollës në Shqipëri ka si shkak varfërinë e skajshme, nivelin e ulët të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe me komunitetin, dukuritë negative brenda shoqërisë, lëvizjet e popullatës, migrimet etj.

Ndikim në braktisjen e shkollës ka niveli arsimor i prindërve të fëmijëve, lëvizjet demografike gjatë dhjetëvjeçarëve të fundit, emigracioni individual e familjar, prindërit e shkurorëzuar, dhuna në familje, humbja e njërit prej prindërve apo e të dyve, mentaliteti i prindërve për arsimimin e vajzave.

Studimet tregojnë se ushtrimi i dhunës në shkollë çon në braktisjen e shkollës nga nxënës të cilët janë shpesh viktima të dhunës së ushtruar nga bashkëmoshatarët, por edhe të atyre që ushtrojnë dhunë.

Edhe braktisja e fshehtë favorizon braktisjen shkollore. Lënia në hije, duke mos i aktivizuar të gjithë nxënësit, sidomos ata me vështirësi në të nxënë, i shkurajon nxënësit, i bën ata të humbasin besimin

Një studim i Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal vë në dukje se Shqipëria ka përqindjen më të madhe të braktisjes së hershme të arsimit në rajon. Të dhënat krahasuese tregojnë se në vitin 2021 gati 17% e popullsisë të moshës 18-24 vjeç nuk ishin as në arsim dhe as në trajnim.

Kjo përqindje e lartë e 20-vjeçarëve pa asnjë angazhim në arsim ishte gati tre herë më e lartë se mesatarja evropiane. Në Bosnjë vetëm 4.7% e të rinjve 18-24 vjeç nuk ishin as në arsim as në trajnim, në Malin e Zi 6.7%, në Maqedoninë e Veriut 4.6% dhe në Serbi 6.2%.

Gjithashtu Shqipëria mori rezultate shumë të dobëta në Vlerësimin Ndërkombëtar të Nxënësve (PISA) që u krye më 2022, por mësuesit dhe ekspertët e arsimit paralajmërojnë se në testimin e radhës rezultatet mund të jenë edhe më të përkeqësuar.

Shqipëria ka bërë dy dekada pas në sektorin e arsimit, sipas testimit të kryer në vitin 2022 me nxënësit 15-vjeçarë. Në matematikë, ata morën 368 pikë, 69 pikë më pak se në testin e 2018 dhe 21 pikë më pak se më 2012.

PISA është test vlerësimi ndërkombëtar i nxënësve, një hulumtim ndërkombëtar në nivel botëror, i cili bëhet nga Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) në vendet anëtare dhe jo-anëtare të shteteve ku vlerësohen performancat e nxënësve në matematikë, shkencë dhe lexim.

Teksti nisi të aplikohet në vitin 2000 me një interval përsëritje në çdo tre vjet, me qëllim që vendet të përmirësojnë politikat arsimore. Në rezultatet e vitit 2022, Shqipëria ka shënuar rënien më të madhe në rezultate me vetveten në të gjithë historinë e PISA.

Autorët e raportit të vlerësimeve janë përpjekur të gjejnë arsye për të shpjeguar këtë rënie të paprecedentë, por të gjitha faktet tregojnë se aftësitë kanë shënuar rënie.

Rezultatet e dobëta të vendit në arsim kaluan në heshtje, por një sërë mësuesish dhe ekspertësh, që ushtrojnë profesionin në arsimin parauniversitar, pranojnë se rezultatet kanë rënë, duke dhënë edhe arsyet. Ndryshimi i kurrikulës, përdorimi i gabuar i teknologjisë, mungesa e motivimit për mësuesit, rënia e nivelit profesional të mësuesve, notat fiktive dhe mendësia mes prindërve dhe nxënësve se shkolla nuk të bën të suksesshëm, janë disa nga shkaktarët e rezultateve të dobëta.

Ekspertët lajmërojnë se rezultatet janë përkeqësuar pasi të gjitha arsyet e renditura po përkeqësohen, teksa niveli i mësuesve të rinj është më i dobët. Financimet e ulëta për arsimin dhe sidomos pagat e ulëta të mësuesve po çojnë gjithnjë e më shumë nxënës, studentë të dobët, në degët e mësuesisë, duke vënë në diskutim cilësinë e arsimit në vijim.

Investimi tek të rinjtë, rruga e vetme për të ecur përpara

Prej dekadash, qeveritë shqiptare i kanë orientuar burimet financiare nga buxheti i shtetit në asete fizike, teksa sektori i arsimit, themeli që siguron zhvillimin e qëndrueshëm ka qenë sistematikisht i nënfinancuar.

Teksa ekonomia e vendit u zgjerua dhe buxheti arkëtoi më shumë të ardhura, shpenzimet publike për sektorët prioritarë të vendit, arsimin dhe shëndetësinë kanë shënuar ulje në vitin 2023 në raport me shpenzimet e përgjithshme buxhetore.

Të dhënat zyrtare të INSTAT tregojnë se, në vitin 2023 shpenzimet publike në sektorin e arsimit ishin 2,9% e PBB-së. Krahasuar me vitin 2021, shpenzimet publike në arsim, shprehur si përqindje ndaj PBB-së, kanë shënuar ulje me 0,2 pikë përqindje, ndërkohë shprehur si përqindje ndaj shpenzimeve publike gjithsej, kanë shënuar rënie me 0,1 pikë përqindje.

Financimet në arsim kanë kthyeshmëri të lartë në krahasim me sektorët e tjerë, pasi rrisin kualitetin dhe aftësitë e kapitalit human. Një forcë pune e mirarsimuar është në gjendje të çojë përpara një model më të avancuar ekonomik.

Menaxheri i Bankës Botërore në vendin tonë, Emanuel Salinas, mendon se, Shqipëria tani është e detyruar të investojë te të rinjtë. Në një intervistë të dhënë më parë për Monitor ai tha se “Kapitali njerëzor i Shqipërisë është zemra e trajektores së zhvillimit të vendit, aftësisë së tij për të përparuar drejt anëtarësimit në BE dhe përafrimit të standardeve të të ardhurave dhe jetesës me mesataren e Bashkimit Europian.

Për ta thënë thjesht, Shqipëria nuk mund të bëhet një vend i fortë, i avancuar dhe me të ardhura më të larta pa angazhuar një kapital njerëzor po aq të fortë dhe produktiv”. Por, nuk mund të kemi vetvetiu një kapital njerëzor më të fortë dhe të mirë-përdorur, sipas tij.

“Që të arrihet kjo, duhen politika të menduara mirë dhe kjo kërkon që ky kapital të jetë prioriteti i investimeve aktuale dhe të ardhshme dhe gjithashtu kërkon reforma të mëdha në institucione dhe sektorë si arsimi.

E gjithë kjo nuk do të ndodhë brenda natës dhe do të kërkojë përpjekje dhe burime, por është investimi i vetëm i rëndësishëm që nuk mund ta shpërfillim. Sa më shpejt të fillojmë me të gjitha këto, aq më shpejt do të mund ta trajtojmë këtë rrezik madhor për Shqipërinë”, thotë zyrtari i lartë i BB-së.

Kapitali njerëzor mund të përmirësohet, duke rritur investimet në arsim dhe shëndetësi.

Z.Salinas përllogarit se popullsia shqiptare mund të rrisë me 40% produktivitetin e vet gjatë gjithë jetës, nëpërmjet përmirësimeve në shëndetësi dhe arsim. Në të vërtetë, që njerëzit të kenë akses në punë më të mira, nuk është thelbësore vetëm të kenë aftësitë dhe njohuritë që kërkohen në ekonomi, por edhe mirëqenie fizike, mendore dhe sociale, u shpreh ai.

Në mënyrë krahasimore, në lidhje me shpenzimet në arsim si përqindje e PPB-së, treguesi i Shqipërisë është poshtë vendeve të rajonit që financojnë 4-5% të PBB për arsimin dhe poshtë vendeve të OECD që financojnë 6-7% të PBB-së tyre për arsimin.

Sektori i arsimit po tkurret si rrjedhojë e rënies së lindjeve dhe emigracionit të lartë që ka çuar në uljen e nxënësve në klasa. Hapësirat financiare po zgjerohen dhe ekspertët e shohin si mundësi të artë për rritjen e financimeve, sidomos për universitetet dhe kërkimin shkencor.

Gjatë tri dekadave të tranzicionit, sektorit i arsimit në vend u tkurr me rreth 35%, nga rënia e numrit të nxënësve. Zhvillimet demografike lajmërojnë se gjatë dekadës në vijim do të kemi sërish rënie dhe do të ketë përgjysmim të studentëve.

Rënia e lindjeve, emigracioni i përqendruar në moshat e reja pritet të çojë numrin total të studentëve që regjistrohen në vit të parë jo më shumë se 10 mijë në vitin 2032 dhe jo më shumë se 50-60 mijë studentë gjithsej në universitete, nga rreth 120 mijë që ishin në vitin akademik 2022-2023./ Monitor

emigracioni

video

Drejtori i ardhshëm i administratës.

Drejtori i ardhshëm i administratës.

Premtimet e Edi Ramës në Berat

Thonë se tragjedia dhe komedia ecin bashkë: Rilindja nisi si humor i zi, po mbaron si dramë mavi.

Një studim shkencor ka vërtetuar se tallavaja është muzika qe rrit sasine e qumështit tek delet.

Premtimet e Edi Ramës në Tepelenë.

Premtimet e Edi Ramës për Memaliaj.

PIRANJAT SHOW SEZONI 7 - EPISODI 13

PS-PD, flasin dy zonja Tirone

Beteja e premtimeve për 'kapjen' e pensionistëve

Ku ka përfunduar bursa e 17 vjeçares

A po na përgjojnë me 'DPI'

Arsimi sot!

Çështja Mcgonigal dhe lobimet okulte

Kush po e shkatërron Tiranën?

Rama mitingu në Kukës

Afera e 'Tigrave' dhe heshtja e zonjës Balluku

PIRANJAT SHOW SEZONI 7 - EPISODI 12

Paralajmërimi i Piranjave

Gënjeshtrat e kryeministrit për energjinë

Mbeturinat e shijakut 'infektojnë' Fushë-Krujën

Ndërtimet abuzive në velipojë

Gjuha vulgare e një kryeministri

Ti nuk je vetem nje vote!

Dherat dhe inertet 'pushtojnë' Tiranën

Performanca e Zegjinesë së Roskovecit

Homazh per Papa Franceskon nga Dom Mark Pashkja

PIRANJAT SHOW SEZONI 7 - EPISODI 11

Një hormon i rrezikshëm në tavolinën tonë

Monologu: Pensionistët në 2025-ën

Mitingjet e PS dhe administrata në aksion

Fasulet që parashikojnë fatin

Landfilli i paligjshëm i Shijakut

1... ditë me Doktorin

Edi Rama - Cirku i fundjavës

PIRANJAT SHOW SEZONI 7 - EPISODI 10

PS-PD, beteja për Elbasanin

Nga premtimi për punë tek kërcënimi me jetë

Makthi i urgjencës së QSUNT 2

Rruga e bllokuar dhe premtimi i kryetares

Misioni i devijuar i Crimson Finance Fund Albania

E ardhmja e fëmijëve, peng i një firme

Roskoveci High-Tech dhe memoria e kryetares

Edi Rama hap fushaten ne studion e Piranjave duke prezantuar per herë te pare pasaporten biometrike

PIRANJAT SHOW SEZONI 7 - EPISODI 9

Gjithçka...për një celular

A na duhet vërtet pasaporta e BE-së

Në kërkim të Habibes

Ngjarja e Lushnjes dhe indiferenca e shoqërisë

Triumfi i Anisës

Helikopteri i Gjestit dhe mashtrimi i madh