AKTUALITET

Misioni sekret më 1943, si u kthye në të dënuar me vdekje Kostaq Stefa, njeriu që shpëtoi 30 amerikanë!

Piranjat Përditësimi i fundit 16 Shtator 2026, 07:34

Misioni sekret më 1943, si u kthye në të dënuar me vdekje

Kostaq Stefa, një intelektual i formuar në një prej institucioneve më të rëndësishme të arsimit shqiptar, pedagog, njohës i shkëlqyer i gjuhës angleze, u gjend në një prej episodeve më të pazakonta të Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri.

Në nëntor të vitit 1943, një avion amerikan u detyrua të ulej në territorin shqiptar. Në bord ndodheshin 30 amerikanë, mjekë, infermierë dhe pjesëtarë të ekuipazhit. Të ndjekur nga gjermanët, ata duhej të nxirreshin nga Shqipëria. Kostaq Stefa i strehoi dy infermiere në shtëpinë e tij në Mangalem dhe i shoqëroi për qindra kilometra nëpër Shqipëri, deri në kufi. Misioni iu besua nga partizanët, pasi amerikanët konsideroheshin aleatë. Por vetëm pak vite më vonë, i njëjti kontakt me amerikanët do të përdorej si akuzë kundër tij. U arrestua më 8 shtator 1947, u mbajt me muaj në hetuesi, u dënua me vdekje në një gjyq ushtarak me dyer të mbyllura dhe u pushkatua më 3 mars 1948. Eshtrat e tij u gjetën vetëm 45 vjet më vonë, në Uznovë.

Kostaq Stefa lindi në lagjen Mangalem të Beratit, në një familje që kishte dhënë kontributin e saj për atdheun dhe arsimin. Ai ishte nip i Gjergj Stefës, përfaqësuesit të Beratit në Lidhjen e Prizrenit, ndërsa jeta e tij do të lidhej që herët me dijen, arsimin dhe përpjekjen për të sjellë në Shqipëri një brez të ri intelektualësh. Pas shkollës qytetase, Kostaqi vazhdoi studimet në Shkollën Teknike “Harry Fultz”, një prej institucioneve më të rëndësishme të arsimit shqiptar të asaj kohe. Në vitin 1926 përfundoi studimet me rezultate të shkëlqyera dhe në vend që të largohej nga institucioni ku ishte formuar, u mbajt pedagog. Deri në vitin 1933 ai dha mësim në këtë shkollë, duke u bërë pjesë e atij brezi mësuesish që do të formonin një numër të madh të rinjsh shqiptarë.

Në vitin 1927 u zgjodh kryetar i organizatës së parë “Boy Scouts” të Shqipërisë. Ishte ende i ri, por formimi i tij, aftësitë dhe reputacioni që kishte krijuar bënë që t’i besohej një detyrë e tillë. Më pas vazhdoi studimet në Firence dhe qëndroi atje deri në vitin 1936. Pas kthimit në Shqipëri, Kostaq Stefa vendosi të rikthehej në vendlindje, në Berat, ku do të vazhdonte jetën e tij si intelektual dhe pedagog. Por vitet e luftës do ta vendosnin përballë një tjetër realiteti. Shqipëria ishte kthyer në një territor ku çdo udhëtim, çdo kontakt dhe çdo lidhje me të huajt mund të shndërrohej në rrezik për jetën. Kostaqi nuk qëndroi i shkëputur nga ajo që po ndodhte. Vëllai i tij i vetëm kishte dalë partizan, ndërsa ai vetë, edhe pse kishte zgjedhur rrugën e arsimit, do të përfshihej në një mision të jashtëzakonshëm që pak shqiptarë e njohin.

AVIONI ME 30 AMERIKANËT

Ishte 8 nëntor 1943 kur një avion amerikan C-53, që fluturonte nga Katania e Siçilisë drejt Barit, u gjend në vështirësi. Në bord ndodheshin 30 amerikanë, mes tyre 13 mjekë, 13 infermierë dhe katër pjesëtarë ekuipazhi. Ata po udhëtonin për të ndihmuar ushtarë amerikanë të plagosur, por kushtet e këqija atmosferike, së bashku me ndjekjen nga avionët gjermanë, e vunë avionin në një situatë kritike. Busulla ishte prishur dhe ekuipazhi nuk e dinte saktësisht se ku ndodhej.

Në fund u detyruan të bënin një ulje të detyruar në një zonë që më vonë do të identifikohej si Belshi i Elbasanit. Për 30 amerikanët fillonte një tjetër udhëtim, këtë herë në këmbë dhe nëpër një territor të panjohur. Ata duhej të shmangnin forcat gjermane dhe të gjenin një rrugë për të dalë nga Shqipëria. Pas rrëzimit të avionit, grupi u vu në lëvizje i shoqëruar nga partizanët. Në krye të tyre ishte Hasan Gina, i cili kishte qenë edhe nxënës i Kostaq Stefës. Pas disa ditësh ecjeje, grupi mbërriti në Berat. Ishte pikërisht në këtë moment që historia e 30 amerikanëve u lidh me familjen Stefa dhe me shtëpinë e tyre në Mangalem. Një mbrëmje të ftohtë të nëntorit 1943, Kostaqi u kthye në shtëpi më vonë se zakonisht. Familja ishte shqetësuar, pasi ai zakonisht lajmëronte kur nuk mund të kthehej për drekë. Në kujtimet e bashkëshortes së tij, Eleni Stefa, ky moment ka mbetur si fillimi i një prej episodeve më të pazakonta të jetës së familjes. Kostaqi u tregoi se një avion me 30 amerikanë kishte rënë në zonën e Belshit.

Ata kishin ecur për disa ditë, të udhëhequr nga korrierë partizanë, dhe tani pritej që të mbërrinin në Berat. Ishte vendosur që amerikanët të shpërndaheshin në baza të ndryshme. Dy prej infermiereve amerikane do të strehoheshin në shtëpinë e Stefajve. Sipas rrëfimit të Eleni Stefës në librin “Kostaq Stefa martir i demokracisë”, ai u shpjegoi familjarëve se amerikanët ishin aleatë në luftën kundër gjermanëve dhe se ndodheshin në rrezik të madh nëse do të kapeshin. Kështu, shtëpia e një familjeje shqiptare në Mangalem u kthye në strehë për dy infermiere të ushtrisë amerikane. Ato ishin Agnes Jensen Mangerich dhe Vilma Lytlle. Për dy gratë amerikane, ardhja në shtëpinë e Kostaqit dhe Elenit ishte një moment lehtësimi pas ditëve të vështira. Kishin kaluar nëpër terren të vështirë, kishin ecur për ditë të tëra dhe ishin nën kërcënimin e vazhdueshëm të kapjes nga gjermanët. Në shtëpinë e Mangalemit gjetën zjarrin, një shtrat të vërtetë dhe rroba të pastra. Por ajo që i bëri më shumë përshtypje Agnesit ishte anglishtja e të zotit të shtëpisë.

MISIONI I RREZIKSHËM

Kostaq Stefa fliste anglisht në mënyrë të përsosur. Agnes e pyeti nëse kishte studiuar jashtë Shqipërisë. Ai i tregoi se kishte studiuar në Firence, por anglishten e kishte mësuar në Shkollën Teknike “Harry Fultz”, ku kishte qenë fillimisht nxënës dhe më pas pedagog. Gjuha që kishte mësuar në bankat e shkollës tani do të bëhej një prej mjeteve më të rëndësishme të shpëtimit të amerikanëve. Nuk kishte dyshime se Kostaqi do të merrte përsipër edhe rolin e përkthyesit dhe shoqëruesit gjatë largimit të tyre nga Shqipëria. Amerikanët duhej të vazhdonin rrugën drejt kufirit dhe ai ishte një nga njerëzit që mund të komunikonte me ta dhe t’i ndihmonte gjatë udhëtimit.

Kështu filloi një prej misioneve më të rrezikshme të jetës së tij. Rruga që duhej të përshkonin ishte jashtëzakonisht e vështirë. Nga Berati grupi do të kalonte në Dobrushë, Vërzhezhë, Leshnije, Zhulat, Progonat, Dhoskat, Gjirokastër, Tërbaç dhe Dukat. Ishte një itinerar që do t’i çonte nëpër zona malore, në dimër, me dëborë dhe shpate të thepisura, ndërsa avionët gjermanë vazhdonin t’i kërkonin. Për amerikanët ishte një udhëtim drejt mbijetesës. Për Kostaq Stefën ishte gjithashtu një mision i rrezikshëm, pasi ai po udhëtonte me ta në një territor ku kapja nga gjermanët mund të sillte pasoja fatale. Në kujtimet e Agnes Mangerich përshkruhet vështirësia e udhëtimit. Grupi përshkoi qindra kilometra në këmbë, ndërsa në shumë raste mbështetja e banorëve të zonave ku kalonin ishte vendimtare. Fshatarët ndanin bukën e tyre me të huajt, ndërsa korrierët partizanë drejtonin grupin nëpër rrugët e vështira. Kostaq Stefa nuk ishte vetëm përkthyesi. Ai ishte pjesë e gjithë këtij udhëtimi. Ndihmonte me çfarë mundej dhe qëndronte pranë amerikanëve gjatë rrugës.

Në një rast ndihmoi edhe për rregullimin e këpucëve të njërit prej tyre, pasi gjendja e këmbës rrezikonte të përkeqësohej. Në kujtimet e tij, të përcjella nga bashkëshortja Eleni, Kostaqi e lidhte këtë mision me një prej mësimeve që kishte marrë nga Harry Fultz-i: përpjekjen për ta bërë veten dhe atdheun sa më të nderuar dhe të vlefshëm për të jetuar dhe, nëse ishte e nevojshme, edhe për të dhënë jetën për të. Pas një udhëtimi të gjatë dhe të rrezikshëm, grupi arriti në zonën kufitare nga ku amerikanët mund të largoheshin drejt Italisë. Misioni kishte përfunduar. Amerikanët u nisën drejt Italisë, ndërsa Kostaq Stefa mori rrugën e kthimit për në Berat. Ai ishte larguar nga familja për rreth dy muaj. Për të, misioni kishte përfunduar. Por historia e tij me amerikanët nuk kishte përfunduar. Në fakt, ajo sapo kishte filluar të merrte një tjetër kuptim. Fati i grupit amerikan ndiqej me interes edhe nga autoritetet amerikane. Ata ishin njerëz të humbur pas linjave të armikut dhe kthimi i tyre në siguri ishte një ngjarje me rëndësi. Por ata që kishin qenë në Shqipëri nuk do ta harronin atë që kishin përjetuar dhe as njerëzit që i kishin ndihmuar.

KOMUNISTËT NË PUSHTET

Në vitet që pasuan, jeta politike e Shqipërisë ndryshoi në mënyrë dramatike. Gjatë luftës, amerikanët kishin qenë aleatë. Pas ardhjes së komunistëve në pushtet, marrëdhëniet me Perëndimin u përkeqësuan dhe amerikanët nisën të konsideroheshin kundërshtarë. Bashkë me këtë ndryshim ndryshoi edhe mënyra se si shiheshin shqiptarët që kishin pasur kontakte me ta. Ish-nxënësit e Shkollës Teknike “Harry Fultz” u vunë veçanërisht në shënjestër. Kostaq Stefa ishte një prej tyre. Ai kishte qenë nxënës i “Harry Fultz”-it, më vonë pedagog, dinte anglisht, kishte strehuar dy infermiere amerikane, kishte shoqëruar një grup prej 30 amerikanësh nëpër Shqipëri. Dhe pikërisht këto lidhje që gjatë luftës kishin qenë arsyeja pse ai ishte zgjedhur për misionin, tani do të përdorëshin si prova kundër tij.

ARRESTIMI NË SHTËPI

Më 8 shtator 1947, Kostaq Stefa u arrestua në shtëpinë e tij. Filluan muajt e hetuesisë. Deri në mesin e janarit 1948 ai u mbajt në burg dhe, sipas dëshmive të familjes, u torturua vazhdimisht. Një nga dëshmitë më të forta për gjendjen e tij ishin rrobat e gjakosura që i dorëzoheshin familjes. Ndërkohë, akuza ndaj tij po merrte formë. Kostaq Stefa akuzohej si agjent i amerikanëve. Në mes të janarit 1948 u zhvillua gjyqi ushtarak. Ishte një gjyq me dyer të mbyllura. U zhvillua në kinemanë e Beratit dhe drejtohej nga kapiteni Bexhet Mema, i sjellë nga Gjykata Ushtarake e Elbasanit. Vendimi ishte dënim me vdekje. Kostaq Stefa dënohej si agjent i amerikanëve. Familja kërkoi faljen e jetës. Por kërkesa nuk u mor parasysh. Sipas dëshmive të familjes, pak ditë para ekzekutimit kishte ardhur edhe një vendim nga Gjykata e Lartë për faljen e jetës. Megjithatë, ai vendim nuk e shpëtoi Kostaq Stefën.

Më 3 mars 1948, ai u pushkatuat. Bashkë me të u ekzekutuan Hamit Myftiu, ish-deputet, Tajfur Haznedari dhe kleriku bektashi Bedri Cakrani. Pas pushkatimit, familjeve nuk iu dha mundësia të kishin një varr. Eshtrat u fshehën. Për Kostaq Stefën dhe familjen e tij filloi një tjetër periudhë e gjatë pritjeje, prej 45 vitesh. Vetëm më 18 janar 1993, në zonën e Uznovës, u gjetën eshtrat e katër të ekzekutuarve. Sipas dëshmive të familjes, ato ishin të lidhura me zinxhir kuajsh dhe të mbyllura me dryn. Pas 45 vitesh, Kostaq Stefa kishte më në fund një varr. Por bashkë me eshtrat u rikthye edhe historia. Një histori që kishte qenë e heshtur për dekada. Një histori që nuk përfundoi me pushkatimin. Pas rënies së komunizmit, pjesëtarë të ndryshëm të grupit amerikan nisën të kontaktonin me familjen e Kostaq Stefës. Ata nuk e kishin harruar shqiptarin që u kishte ndihmuar të shpëtonin nga Shqipëria. Për ta, Kostaqi nuk ishte “agjent i Amerikës” por njeriu që i kishte ndihmuar. Një nga dëshmitaret më të rëndësishme të kësaj historie ishte Agnes Jensen Mangerich. Ajo nuk e kishte harruar shtëpinë e Kristaqit në Mangalem.

Nuk e kishte harruar familjen Stefa. Dhe nuk e kishte harruar Kostaqin.Në vitin 1995, Agnes u kthye në Shqipëri. Shkoi në Belsh dhe më pas në Berat. U kthye në shtëpinë që e kishte strehuar gjatë luftës. Ajo dinte se Kostaqi kishte vdekur. Por nuk e dinte të vërtetën. Në kujtesën e saj, njeriu që mund ta kishte vrarë Kostaqin ishte armiku që ata kishin shmangur gjatë gjithë atij udhëtimi, gjermanët. Kur Eleni Stefa i tregoi se Kostaqin e kishin pushkatuar komunistët, Agnes mbeti e tronditur. “Po si e gjetën gjermanët Kostaqin? Ata që pastaj e vranë…”. Kjo pyetje e Agnesit është ndoshta një nga momentet më domethënëse të gjithë historisë. Sepse ajo nuk mund ta imagjinonte se njeriu që kishte rrezikuar jetën për t’i shpëtuar nga gjermanët ishte vrarë nga një regjim tjetër. Nuk mund ta kuptonte se ata që e kishin konsideruar amerikanët aleatë gjatë luftës, vetëm pak vite më vonë do ta dënonin shqiptarin që kishte ndihmuar në shpëtimin e tyre. Për Agnesin, Kostaq Stefa ishte pjesë e historisë së mbijetesës së saj. Për regjimin komunist, ai ishte “agjent”.

Historia e Kostaq Stefës është edhe historia e një prej paradokseve më të mëdha të Shqipërisë së pasluftës. Një njeri që gjatë luftës u ngarkua të ndihmonte amerikanët, pasi ata konsideroheshin aleatë, u shpall më vonë armik pikërisht për shkak të lidhjeve me ta. Kostaq Stefa ishte njeriu që në vitin 1943 u ngarkua të shpëtonte amerikanët dhe në vitin 1948 u vra si “agjent i Amerikës”. Kostaq Stefa shpëtoi nga gjermanët 30 amerikanë. Por nuk mundi të shpëtonte nga diktatura.

Artikuj te sugjeruar

video

Çdo të premte | ? 20:45 | ???? Syri TV

Çdo të premte | ? 20:45 | ???? Syri TV

Si u tentua të shantazhohej me 100 mijë euro shefi i kabinetit të Përparim Ramës përmes mediave

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 16

Gruaja me dy identitete që premton “shërim” me ujin e kufomave në Pejë

A ka Shqipëria një Nicola Gratteri?

Katër nëna në kërkim të fëmijeve/ Bisedat që zbuluan rrjetin e errët

Flamur Gjuzi, i dënuar për"shpërdorim detyre" sot drejtor i Policisë Bashkiake, sërish shkel ligjin?

Pallatet u zhytën“Durrës Marina" dhe Autoriteti Portual bëjnë veprimin e papritur përballë skandalit

Ekskluzive/ Nicola Gratteri çmonton skemën e pastrimit të parave të ndërtimit në Tiranë

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 15

Enkel Demi duke luftuar paragjykimet për shqiptarët. (kamera e fshehtë)

Milva Ekonomi i firmosi miliona euro Vilma Nushit, kjo e fundit i investoi te kulla e Ervin Matës

Ajo çfarë mund të na mësojë Kosova.

Laboratorë “copy-paste”/ I njëjti mjek firmos analiza në disa pika, skema që ngre pikëpyetje

Rrjeti i ‘errët’ i vajzave të zhdukura! Bisedat tronditëse si funksiononte grupi.

Bleu 300 m2 tokë në vitin 2004, kthehet nga emigrimi dhe gjen aty vilë 3-katëshe.

“Na detyruan nga Dubai”/ Konstruktori i Durrës Marina zbulon pse u zhytën pallatet

Drejtori që tregon sjellje të pahijshme me nxënësen: Jam i fortë edhe në parti

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 14

Turisti zemërgjerë nga Italia dhe patatinat falas

Aksidentet “pushtojnë” oborrin e familjes në Klos, banori: Një ditë do ndodhë tragjedi

Lidhja jashtëmartesore që përfundoi në makth /32-vjeçarja rrëfen shantazhin me video intime

Sherr në terminalin e Peshkopisë, shoferi: Mos më vidh pasagjerët! Shko ha bukë te pjesa jote

Artisti dhe Frika

Si u kthye në urrejtje dashuria mes ish-bashkëshortëve dhe ‘lufta’ për 200 mijë euro!

14-vjeçare me dr*gë dhepro*titucion, rrjeti i errët i minoreneve të zhdukura

Zhytja e pallateve te Alabarit/ IKMT pranon anomalitë në “Durrës Marina”: Janë zhytur 28 cm

"Ederlezi", festa e veçantë e komunitetit rom.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 13

Do t’i fus duart edhe nëse bërtet, motra e 13 vjeçares rrëfen tmerrin e mesazheve që mësuesi ia çon

“Inspektori gjobëvënës” i bashkisë terrorizon qytetarët

Pagat e mohura të druvarëve në Navaricë! Miliona lekë për të marrë dhe kërcënime

Rruga Thumanë–Kashar/ 1 miliard euro dhe “5 lekëshi” që po merret nga xhepat e qytetarëve

Me viza turistike ose kontrata futbolli drejt Europës/ Kush fshihet pas skemës së trafikimit?

Nënat denoncojnë ikjet nga shtëpia dhe jetën e dyshimtë të adoleshentëve

Për mediat dhe fëmijët

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 12

Muzikanti i rruges “vjedh” koleget. Banka e fundit

Dajak për 50 metra rrugë në Dibër, kushërinjtë në ’luftë’ për pronën.

Fisnik Syla, “BAMIRËS” apo shantazhues

A janë "idiotë "shqiptarët e Maqedonisë së Veriut? Çfarë do të thoshte Arbën Xhaferraj?

Presidenti i FSHP reagon për deklaratat e Erkand Qerimaj: Lajthita atëherë, tani kam reflektuar

Nga jetimorja te humbja e kujdestarisë. Rrëfen nëna që kërkon bashkimin me vajzën pas 13 vitesh

Tigrat e Vlorës: energjia që prodhohet 6 herë më shtrenjtë se sa shitet.

Skandali i zhytjes së pallateve në Durrës Marina / Ndërhyn IKMT.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 11

Dhjetëra punonjës fasonerie pa marrë pagat: Blerimi mori lekët dhe u zhduk! Pronari premton zgjidhje

Hapet filial i bankës turke në “zemër” të Bllokut, reklamat vendosen pa leje

Energji për brezin tim

Nga ‘Viola’ tek Dorina: Si përfundoi në borxh një histori dashurie në distancë