AKTUALITET

Një brez gjithnjë e më i pushtetshëm

n.f Përditësimi i fundit 19 Maj 2024, 07:19
Një brez gjithnjë e më i pushtetshëm
Foto ilustruese

TIRANË- Brezi “Z” po merr kontrollin. Në shtetet e pasura, ka të paktën 250 milionë njerëz të lindur midis viteve 1997 dhe 2012 (12 deri në 27 vjeç). Rreth gjysma e tyre tashmë janë në punë. Në një mjedis të zakonshëm pune, numri i punonjësve të rinj të brezit Z (ndonjëherë të njohur me emrin “Zoomers”) që punojnë me kohë të plotë, pritet të kalojë numrin e punonjësve që i përkasin brezit “Baby-boomers”, të lindur nga viti 1945 deri në 1964 (shih grafikun 1). Amerika tani ka më shumë se 6,000 shefa dhe 1,000 politikanë të brezit “Zoomer”. Ndërsa ky brez po ushtron gjithnjë e më shumë ndikim, kompanitë, qeveritë dhe investitorët po përpiqen ta kuptojnë atë.

Ekspertët kanë nxjerrë shumë teori në lidhje me të rinjtë e brezit Zoomer. Sipas “kërkimeve” të fundit nga kompania prodhuese e mishit Frito-Lay, të rinjtë e brezit Zoomer kanë një pëlqim të fortë për “ushqimet e shpejta që lënë thërrime te gishtat”, si për shembull, pluhuri i djathit.

Breza të ndryshëm reflektojnë dallime të thella midis tyre, pjesërisht të formuara nga sfondi ekonomik në të cilin janë rritur. Për shembull, gjermanët që arritën moshën madhore gjatë viteve 1920 me inflacion të lartë, e urrenin rritjen e çmimeve. Amerikanët që jetuan gjatë Depresionit të Madh i shmangnin investimet në bursë.

Shumë argumentojnë se një tipar kyç i brezit Z, është ankthi. Këtë ide e ka shpalosur Jonathan Haidt, një psikolog në Universitetin e Nju Jorkut, në librin e bujshëm “Brezi i ankthshëm”. Në njëfarë mënyre, të rinjtë e brezit Z janë të pazakontë.

Ata kanë më pak gjasa të krijojnë marrëdhënie sesa njerëzit e brezave të mëparshëm. Kanë më shumë gjasa të jenë në depresion ose të thonë se u është caktuar seksi i gabuar në lindje. Kanë më pak gjasa të pinë alkool, të bëjnë seks, të jenë në një lidhje romantike, apo në përgjithësi të bëjnë ndonjë gjë emocionuese. Amerikanët e moshës 15 deri në 24 vjeç, shpenzojnë mesatarisht vetëm 38 minuta në ditë në shoqërinë e miqve, nga pothuajse një orë në vitet 2000, sipas të dhënave zyrtare.

Zoti Haidt fajëson për këtë celularët smartphone dhe mediat sociale. Libri i tij ka shkaktuar një reagim të madh. Më 10 prill, Sarah Huckabee Sanders, guvernatorja e Arkansas-it, përmendi argumentet e zotit Haidt ndërsa parashtroi planet për të kontrolluar përdorimin e celularëve smartphone dhe mediave sociale nga fëmijët.

Qeveria britanike po shqyrton masa të ngjashme. Por jo të gjithë janë dakord me idenë e zotit Haidt. Dhe zhurma e madhe për ankthin e brezit Z ka errësuar një tjetër tipar që e dallon këtë brez nga të tjerët.

Nga ana financiare, brezi Z po përparon jashtëzakonisht mirë. Kjo gjë po ndryshon marrëdhënien e të rinjve me punën. Marrim parasysh grupin që i paraprin brezit Z: ky është brezi “Millenial”, që përfaqëson personat e lindur midis viteve 1981 dhe 1996.

Shumë prej tyre hynë në fuqinë punëtore, në një kohë kur bota po zhytej në krizën financiare globale të viteve 2007-09, gjatë së cilës të rinjtë vuajtën më shumë se të tjerët. Në vitet 2012-14, më shumë se gjysma e të rinjve spanjollë që dëshironin një punë nuk mund ta gjenin.

Shkalla e papunësisë së të rinjve në Greqi ishte edhe më e lartë. Mentalitetin e të rinjve “Millenial” e simbolizonte shumë mirë kënga “Work Bitch” nga Britney Spears, një hit popullor i publikuar në vitin 2013, që u përcillte të rinjve të brezit “Millenial”, një mesazh pa kompromis: se nëse doni gjëra të mira, duhet të punoni.

Të rinjtë e brezit Z, që kanë përfunduar arsimin, përballen me rrethana shumë të ndryshme. Papunësia e të rinjve në gjithë vendet e pasura (rreth 13%) nuk ka qenë kaq e ulët që nga viti 1991 (shih grafikun 2).

Shkalla e papunësisë së të rinjve në Greqi është përgjysmuar që nga kulmi. Pronarët e hoteleve në Kalamata ankohen për mungesën e fuqisë punëtore, diçka e papërfytyrueshme vetëm pak vite më parë. Këngët popullore pasqyrojnë mentalitetin e të rinjve të sotëm ndaj punës.

Në këngën “Break my soul” të vitit 2022, Beyonce këndon: “Sapo lashë punën”. Olivia Rodrigo, një këngëtare 21-vjeçare, mjaft e pëlqyer nga të rinjtë e brezit Z, ankohet se “karriera” e një ish të dashuri, “po merr hov”. Në fakt, shumë të rinj kanë zgjedhur të studiojnë degë që i ndihmojnë të gjejnë punë. Në Britani dhe në Amerikë, të rinjtë e brezit Z po shmangin shkencat humane dhe po anojnë drejt gjërave në dukje më të dobishme, si ekonomia dhe inxhinieria.

Kualifikimet profesionale janë gjithashtu gjithnjë e më popullore. Të rinjtë vazhdojnë të përfitojnë nga tregjet e shtrënguara të punës. Siç thotë edhe Beyonce, ata mund ta lënë punën dhe të gjejnë një tjetër nëse duan të fitojnë më shumë para.

Në Amerikë, rritja e pagave për orë për personat e moshës 16-24 vjeç, ka arritur në 13% në bazë vjetore, krahasuar me 6% për punonjësit e moshës 25 deri në 54 vjeç. Kjo është rritja më e lartë për të rinjtë, që nga koha kur filluan të regjistrohen të dhënat (shih grafikun 3).

Në Britani, ku paga e të rinjve matet ndryshe, paga mesatare për orë e njerëzve të moshës 18-21 vjeç, u rrit me 15% vitin e kaluar, duke tejkaluar rritjen e pagave të grupmoshave të tjera me një diferencë jashtëzakonisht të madhe.

Në Zelandën e Re, paga mesatare për orë e njerëzve të moshës 20-24 vjeç u rrit me 10%, krahasuar me një mesatare prej 6%. Rritja e fortë e pagave shton edhe të ardhurat e familjes. Një studim i ri nga Kevin Corinth në Institutin Amerikan të Ndërmarrjeve, dhe Jeff Larrimore në Rezervën Federale, vlerëson të ardhurat e familjeve amerikane sipas brezave, pas llogaritjes së taksave, transfertave qeveritare dhe inflacionit (shih grafikun 4).

Të rinjtë e brezit “Millenial” ishin disi më të pasur se të rinjtë e së njëjtës moshë të brezit X, të lindur midis viteve 1965 dhe 1980. Ndërsa të rinjtë e brezit Zoomers janë në një gjendje shumë më të mirë financiare sesa të rinjtë e brezit “Millenium” në të njëjtën moshë.

Një i ri i zakonshëm 25-vjeçar sot gëzon të ardhura vjetore familjare mbi 40,000 dollarë, 50% më shumë se të rinjtë e mëparshëm të së njëjtës moshë. Fuqia ekonomike e brezit Z u shpalos edhe në një koncert të fundit të zonjës Rodrigo në Nju Jork. Shumë fanse adoleshente dhe 20-vjeçare, kishin paguar qindra dollarë për një biletë. Radhët për të blerë bluza 50 dollarëshe për koncertin shtriheshin përtej zonës.

Zonja Rodrigo nuk do t’i ketë problem fitimet ndërsa zhvendos turneun e saj përtej Atlantikut. Sepse të rinjtë e brezit Z, që kanë hyrë në botën e punës, po fitojnë në përgjithësi mjaft para në të gjitha shtetet e pasura. Në vitin 2007, të ardhurat mesatare neto të francezëve të moshës 16-24 vjeç, ishin sa 87% e mesatares së përgjithshme. Tani kanë shkuar në 92%. Në disa shtete, duke përfshirë Kroacinë dhe Slloveninë, të rinjtë e brezit Z tani po fitojnë sa mesatarja.

Disa të rinj protestojnë, duke pretenduar se të ardhurat më të larta janë thjesht një mirazh, sepse nuk merren parasysh kostot e larta të kolegjit dhe strehimit. Në fund të fundit, çmimet globale të banesave pothuajse kanë arritur nivelet më të larta të të gjitha kohërave dhe të diplomuarit kanë më shumë borxhe se më parë. Sidoqoftë, brezi Z po ia del mbanë, sepse fiton shumë.

Në vitin 2022, amerikanët nën moshën 25 vjeç shpenzuan 43% të të ardhurave pas taksave, për strehim dhe arsim, duke përfshirë interesin e borxhit nga kolegji. Kjo shifër ishte paksa më poshtë mesatares së shpenzimeve për personat nën 25 vjeç, nga viti 1989 deri në 2019.

Falë të ardhurave më të larta, edhe numri i të rinjve të brezit Z që zotërojnë shtëpi është më i lartë se numri i pronarëve të shtëpive të brezit Millenial, në të njëjtën moshë.

Çfarë do të sjellë kjo pasuri?

Mund të duket sikur personat e brezit “Millenial” u rritën me idenë se puna ishte një privilegj dhe vepruan në përputhje me rrethanat. Ata i respektojnë shefat dhe duan të kënaqin të tjerët. Të rinjtë Zoomers, nga ana tjetër, janë rritur duke besuar se një punë është në thelb një e drejtë që u takon, çka do të thotë se ata kanë një qëndrim të ndryshëm ndaj punës.

Shumë të rinj të brezit Z përdorin shprehje si “dorëheqje e heshtur”, që nënkupton të bësh minimumin e përpjekjeve në vendin e punës, sa për të mos u pushuar. Të tjerë përdorin shprehje si “e hëna e përpjekjeve minimale”.

Ideja e një “femre drejtuese” që kërkon të ushtrojë kontrollin e saj në botën e korporatave të mbizotëruar nga meshkujt, është më e pëlqyer nga femrat e brezit “Millenial”, ndërsa ato të brezit “Z”, kanë më shumë gjasa të pëlqejnë idenë e një “vajze kërmill”, që nënkupton dikë që i merr gjërat ngadalë dhe i jep përparësi kujdesit për veten.

Ky mentalitet reflektohet edhe në të dhënat zyrtare. Në vitin 2022, amerikanët e moshës 15 deri në 24 vjeç, shpenzuan 25% më pak kohë në “punë dhe veprimtari të lidhura me punën” sesa në vitin 2007. Një studim i ri i botuar nga FMN-ja analizon numrin e orëve që njerëzit thonë se do të donin të punonin. Jo shumë kohë më parë, të rinjtë donin të punonin shumë më tepër se të moshuarit.

Tani duan të punojnë më pak. Sipas analizës nga Jean Twenge në Universitetin e San Diegos, përqindja e nxënësve amerikanë të klasës së 12-të (17 ose 18 vjeç) që e shohin punën si një “pjesë qendrore të jetës”, ka rënë ndjeshëm.

Kanë para, por nuk janë drejtues

Një pasojë tjetër është se të rinjtë e brezit Z kanë më pak gjasa të jenë sipërmarrës. The Economist vlerëson se vetëm 1.1% e të rinjve në të njëzetat në BE, drejtojnë një biznes që punëson dikë tjetër. Në fund të viteve 2000, sipas matjeve “Forbes”, më shumë se 1% e miliarderëve në botë, i përkisnin brezit “Millenial”.

Asokohe, ekspertët ishin të fiksuar pas themeluesve shumë të rinj të firmave teknologjike, si Mark Zuckerberg (Facebook), Patrick Collison (Stripe) dhe Evan Spiegel (Snapchat). Sot, përkundrazi, më pak se 0.5% e miliarderëve në listën e revistës “Forbes”, janë të brezit Zoomers. A njihni ndonjë themelues të famshëm kompanie të brezit Zoomers?

Brezi Zoomers gjithashtu po krijon më pak risi. Sipas Russell Funk nga Universiteti i Minesotës, të rinjtë kanë më pak gjasa të paraqesin patenta sesa në të kaluarën e afërt. Ose merrni parasysh Billboard Hot 100, që rendit këngët më të njohura të Amerikës.

Në vitin 2008, 42% e hiteve u kënduan nga këngëtarë të brezit “Millenial”; 15 vjet më vonë, vetëm 29% e këngëve në listë këndoheshin nga të rinj të brezit Z. Taylor Swift, kantautorja më e njohur në botë e titulloi albumin e saj më të famshëm “1989”, sipas vitit të lindjes. Bota ende është në pritje që dikush të nxjerrë një album me titull “2004”.

Kjo na bën të pyesim, sa do të zgjasë përparësia ekonomike e brezit Z? Një recesion do t’i godiste të rinjtë më shumë se të tjerët, siç ndodh gjithmonë në raste recesionesh. Inteligjenca Artificiale mund të trazojë ekonominë globale, edhe nëse të rinjtë me kalimin e kohës mund të përfitojnë më shumë nga ndryshimet.

Sidoqoftë, tani për tani, brezi Z ka shumë arsye për të qenë i lumtur. E rrethuar nga turmat në Madison Square Garden, këngëtarja Olivia Rodrigo është e ulur para pianos dhe i këshillon fansat e saj që të jenë mirënjohës për gjithçka që kanë.

“Të rritesh është diçka e mrekullueshme”, thotë ajo. “Ju keni gjithë kohën për të bërë të gjitha gjërat që dëshironi të bëni”. Kanë kohën dhe paratë.

Marrë nga Monitor

gjenerata z

Artikuj te sugjeruar

video

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 16

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 16

Gruaja me dy identitete që premton “shërim” me ujin e kufomave në Pejë

A ka Shqipëria një Nicola Gratteri?

Katër nëna në kërkim të fëmijeve/ Bisedat që zbuluan rrjetin e errët

Flamur Gjuzi, i dënuar për"shpërdorim detyre" sot drejtor i Policisë Bashkiake, sërish shkel ligjin?

Pallatet u zhytën“Durrës Marina" dhe Autoriteti Portual bëjnë veprimin e papritur përballë skandalit

Ekskluzive/ Nicola Gratteri çmonton skemën e pastrimit të parave të ndërtimit në Tiranë

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 15

Enkel Demi duke luftuar paragjykimet për shqiptarët. (kamera e fshehtë)

Milva Ekonomi i firmosi miliona euro Vilma Nushit, kjo e fundit i investoi te kulla e Ervin Matës

Ajo çfarë mund të na mësojë Kosova.

Laboratorë “copy-paste”/ I njëjti mjek firmos analiza në disa pika, skema që ngre pikëpyetje

Rrjeti i ‘errët’ i vajzave të zhdukura! Bisedat tronditëse si funksiononte grupi.

Bleu 300 m2 tokë në vitin 2004, kthehet nga emigrimi dhe gjen aty vilë 3-katëshe.

“Na detyruan nga Dubai”/ Konstruktori i Durrës Marina zbulon pse u zhytën pallatet

Drejtori që tregon sjellje të pahijshme me nxënësen: Jam i fortë edhe në parti

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 14

Turisti zemërgjerë nga Italia dhe patatinat falas

Aksidentet “pushtojnë” oborrin e familjes në Klos, banori: Një ditë do ndodhë tragjedi

Lidhja jashtëmartesore që përfundoi në makth /32-vjeçarja rrëfen shantazhin me video intime

Sherr në terminalin e Peshkopisë, shoferi: Mos më vidh pasagjerët! Shko ha bukë te pjesa jote

Artisti dhe Frika

Si u kthye në urrejtje dashuria mes ish-bashkëshortëve dhe ‘lufta’ për 200 mijë euro!

14-vjeçare me dr*gë dhepro*titucion, rrjeti i errët i minoreneve të zhdukura

Zhytja e pallateve te Alabarit/ IKMT pranon anomalitë në “Durrës Marina”: Janë zhytur 28 cm

"Ederlezi", festa e veçantë e komunitetit rom.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 13

Do t’i fus duart edhe nëse bërtet, motra e 13 vjeçares rrëfen tmerrin e mesazheve që mësuesi ia çon

“Inspektori gjobëvënës” i bashkisë terrorizon qytetarët

Pagat e mohura të druvarëve në Navaricë! Miliona lekë për të marrë dhe kërcënime

Rruga Thumanë–Kashar/ 1 miliard euro dhe “5 lekëshi” që po merret nga xhepat e qytetarëve

Me viza turistike ose kontrata futbolli drejt Europës/ Kush fshihet pas skemës së trafikimit?

Nënat denoncojnë ikjet nga shtëpia dhe jetën e dyshimtë të adoleshentëve

Për mediat dhe fëmijët

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 12

Muzikanti i rruges “vjedh” koleget. Banka e fundit

Dajak për 50 metra rrugë në Dibër, kushërinjtë në ’luftë’ për pronën.

Fisnik Syla, “BAMIRËS” apo shantazhues

A janë "idiotë "shqiptarët e Maqedonisë së Veriut? Çfarë do të thoshte Arbën Xhaferraj?

Presidenti i FSHP reagon për deklaratat e Erkand Qerimaj: Lajthita atëherë, tani kam reflektuar

Nga jetimorja te humbja e kujdestarisë. Rrëfen nëna që kërkon bashkimin me vajzën pas 13 vitesh

Tigrat e Vlorës: energjia që prodhohet 6 herë më shtrenjtë se sa shitet.

Skandali i zhytjes së pallateve në Durrës Marina / Ndërhyn IKMT.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 11

Dhjetëra punonjës fasonerie pa marrë pagat: Blerimi mori lekët dhe u zhduk! Pronari premton zgjidhje

Hapet filial i bankës turke në “zemër” të Bllokut, reklamat vendosen pa leje

Energji për brezin tim

Nga ‘Viola’ tek Dorina: Si përfundoi në borxh një histori dashurie në distancë

Firma “Trade Minerals Al” po shkatërron mjedisin dhe infrastrukturën e fshatit Gjegjan në Kukës

Nga shpërthimi i drejtorit te prapaskenat e ushqimit në institucionin privat në Elbasan