AKTUALITET

Pa mbështetje dhe nën trysni: Kriza e gazetarisë lokale në Shqipëri

b.z Përditësimi i fundit 4 Mars 2025, 08:37
Pa mbështetje dhe nën trysni: Kriza e gazetarisë lokale në
Foto ilustruese

TIRANË - Një ngjarje e rëndë kriminale në rajonin e Dukagjinit e vuri në lëvizje Bepin Kolvatajn, gazetar i televizionit kombëtar “Vizion Plus” në Shkodër. Rruga drejt rajonit të thellë malor është e pashtruar dhe gjarpëron nëpër male, thuajse e pakalueshme pa një makinë të lartë.

“Jemi detyruar të bëhemi bashkë me kolegët e tjerë dhe të marrim makinë me qira për të mbërritur atje,” kujtoi Kolvataj, ndërsa shtoi se "vështirësia kryesore ishte shkuarja në vendngjarje.”

Edhe pse gazetaria është një profesion me konkurrencë të fortë, gazetarët lokalë në Shqipëri shpesh nuk e kanë luksin e garës individuale për lajme ekskluzive, pasi mbajnë mbi shpatulla jo vetëm profesionin, por edhe kostot që ai kërkon.

Larg Tiranës, gazetaria kthehet në një profesion të sakrificës, ku mungesa e kontratave, pagat e ulëta dhe presionet nga krimi i organizuar shpesh ndikojnë linjën editoriale. Për të mbijetuar, shumë gazetarë janë të detyruar të mbajnë punë të dyta, një pjesë prej tyre në administratën lokale, duke krijuar kushtet për konflikt interesi.

Elvin Luku, profesor i gazetarisë në Universitetin e Tiranës, thekson se gazetarët në rrethe ndodhen mes dy zjarreve.

“Në rastin e korrespondentëve, kjo liri nuk është e kushtëzuar vetëm nga linja editoriale e medias ku punon, por edhe nga paga e ulët, e cila shpeshherë varion në raport me kronikat/artikujt që u kërkohet të realizojnë, çka i detyron korrespondentët të punojnë në institucionet publike lokale apo private,” tha Luku.

“Pra, liria e gazetarit të rretheve në këtë moment është inekzistente, pasi korrespondenti është në pozicion “sandëich” mes dy punëdhënësve: nga njëra anë trysnia e medias, interesi apo politikat editoriale të saj dhe, nga ana tjetër, pozicioni i shërbyesit publik,” shtoi ai.

Në Shqipëri operojnë dhjetra media audiovizive, 7 gazeta të përditshme dhe qindra portale informative online. Sipas Rrjetit për Gazetarë të Sigurt, në vitin 2023 në Shqipëri kishte 922 gazetarë, të cilët punonin me një rrogë mesatare prej 72 mijë lekësh në muaj.

Edhe pse korniza ligjore dhe ajo Kushtetuese e garanton lirinë e shprehjes dhe të medias, ndërthurja e interesave ekonomike dhe politike të pronarëve të medias, përqendrimi i lartë i tregut si dhe pasiguria dhe kushtet e këqija të punës i shtyjnë shumë gazetarë drejt vetëcensurës.

Sipas të dhënave të mbledhura nga BIRN nëpërmjet një pyetësori online, 73% e gazetarëve në rrethe i konsiderojnë kushtet e punës së tyre të këqija ose shumë të këqija.

“Të punuarit vetëm pa operator apo shofer në ngjarje me rëndësi të madhe është tepër e sikletshme, pasi duhet të ngas makinën për kilometra, ndërkohë që duhet të bëj telefonata për të mbledhur informacione paraprake dhe të shkruaj tekste paraprake,” tha për BIRN një gazetare nga Saranda,e  cila nuk dëshironte të identifikohej me emër.

Nga 37 gazetarët e anketuar nëpërmjet pyetësorit, 10 raportuan se nuk punonin me një kontratë të rregullt pune me punëmarrësin.

Paga mbetet një nga sfidat më të mëdha për gazetarët lokalë në Shqipëri, të cilët shpesh paguhen ndjeshëm më pak se kolegët e tyre në Tiranë, pavarësisht barrës së rëndë të raportimit që mbajnë mbi supe. Ata janë njëkohësisht reporterë, kameramanë dhe shoferë, duke mbuluar një gamë të gjerë temash - nga kronika e zezë te ekonomia, shpesh me burime të kufizuara dhe pa mbështetje teknike.

Sipas një pyetësori të realizuar nga BIRN, paga mesatare për gazetarët lokalë është rreth 46 mijë lekë të reja në muaj, vetëm 6 mijë lekë më shumë se sa paga minimale. Ndërsa 31% e tyre paguhen nën pragun e pagës minimale prej 40 mijë lekësh.

“Paga ka mbetur ‘thembra e Akilit' për gazetarët lokalë,” thotë Geri Emiri, drejtues i një media lokale, duke theksuar se kompensimi i ulët, i pandryshuar prej vitesh, ka krijuar vështirësi për ata që duan të ndërtojnë një karrierë në këtë profesion. “Kjo jo vetëm që e bën mbijetesën të vështirë për gazetarët me përvojë, por gjithashtu dekurajon brezin e ri nga hyrja në këtë fushë.”

Edhe Aldo Mustafa, gazetar për Report TV në Durrës, e sheh rritjen e pagave për gazetarët lokalë si një nevojë urgjente.

“Paga e ulët ka bërë që gazetarët me përvojë të humbin interesin për profesionin, ndërsa të rinjtë nuk e shohin më si një mundësi të qëndrueshme,” tha ai. “Me këto kushte, gazetaria lokale po mbetet pa brezin e ardhshëm të reporterëve,” shtoi Mustafa.

Mustafa thekson se zbatimi i Kodit të Punës mbetet një sfidë e madhe për mediat në Shqipëri.

“Gazetarëve nuk u lejohet të marrin pushimet vjetore të plota prej 28 ditësh; në shumicën e rasteve, ata mund të përfitojnë vetëm 14 ditë,” thotë ai. “Edhe pushimi javor shpesh nuk respektohet, pasi shumë media kërkojnë një angazhim të vazhdueshëm, pa marrë parasysh të drejtat ligjore të punonjësve.”

Këto shkelje, sipas Mustafës, janë shembuj të mungesës së mbrojtjes ligjore dhe neglizhencës së institucioneve për të siguruar kushte të drejta pune për gazetarët në rrethe.

Një nga shqetësimet më të mëdha për gazetarët në rrethe është përdorimi i mjeteve personale për mbulimin e lajmeve, pa mbështetje financiare për kostot e amortizimit nga mediat ku punojnë.

"Vetëm karburant marrim," shprehet Bekim Lekica, korrespondent për televizionin kombëtar ‘Top Channel' në rrethin e Kukësit.

Sipas të dhënave të mbledhura nëpërmjet pyetësorit, vetëm 41% e gazetarëve të anketuar përfitojnë pagesën e shpenzimeve nga mediat ku ata punojnë dhe vetëm 2 gazetarë që e plotësuan pyetësorin deklaruan se përfitojnë pagesa për orët shtesë.

"Duhet të na paguhet shërbimi i makinave, sepse punojmë me makina personale,” tha Albana Aliaj Dema, korrespondente e Syri TV.

Një tjetër problem është mungesa e hapësirave të dedikuara të punës për gazetarët lokalë. Një gazetare nga Elbasani, që donte të mbetej gjithashtu anonime, tha se kushtet dhe mjetet e punës për gazetarët ne rrethe nuk janë në nivelin e duhur.

"Gazetarët në rrethe punojnë në kafene ose nga shtëpia, pasi nuk kanë zyra,” tha ajo, ndërsa shtoi gjithashtu, se “mjetet e punës i kemi blerë vetë."

Presionet nga krimi dhe politika

Një nga sfidat më të mëdha për gazetarët në rrethe mbetet presioni i drejtpërdrejtë nga grupet kriminale dhe pushteti lokal. Shumë prej tyre raportojnë raste të intimidimit dhe kërcënimeve si pasojë të raportimeve të tyre.

Sipas të dhënave të mbledhura nëpërmjet pyetësorit, 51% e gazetarëve në rrethe nuk ndihen të lirë të raportojnë mbi çështje sensitive, një shifër që reflekton klimën e pasigurt për median në nivel vendor.

Presionet ekonomike, politike dhe kriminale shpesh diktojnë mënyrën se si ushtrohet gazetaria, duke kufizuar ndjeshëm hapësirën për raportime të pavarura. Kur bëhet fjalë për faktorët që ndikojnë në lirinë e raportimit, 73% e gazetarëve përmendin një kombinim të politikave editoriale të medias, interesave të pronarëve dhe presionit nga grupet kriminale si pengesat kryesore. Një tjetër 10% raportojnë se censura brenda redaksive dhe politika editoriale kufizojnë punën e tyre, ndërsa 5% e lidhin këtë presion drejtpërdrejt me pushtetin vendor dhe institucionet lokale.

Për disa të tjerë, frika nga paditë mbetet një faktor po aq frenues. Këto të dhëna sugjerojnë se gazetarët lokalë nuk përballen vetëm me censurën nga jashtë, që vjen nga institucionet apo krimi i organizuar, por edhe me kufizime të brendshme nga redaksitë dhe interesat ekonomike të pronarëve të medias.

Përtej presionit editorial, gazetarët raportojnë edhe tentativa për të ndikuar financiarisht mbi raportimet e tyre. Sipas të dhënave, 22% e të anketuarve janë përballur me oferta të tilla dhe thonë se ato vijnë nga individë të përfshirë në çështje sensitive, të cilët kërkojnë të shmangin raportimin kritik në media.

Ky fenomen tregon përhapjen e korrupsionit në mediat lokale dhe përpjekjet e vazhdueshme për të manipuluar informacionin. Për më tepër, 25% e këtyre përpjekjeve për ndikim kanë ardhur nga anëtarë të grupeve kriminale, duke nënvizuar rrezikun me të cilin përballen gazetarët.

Gazetari Aldo Mustafa nga Durrësi vë në dukje një tjetër problem shqetësues: në raste rreziku, gazetarët lokalë shpesh mbeten të pambrojtur nga mediat ku punojnë.

“Në vend të kësaj, gazetarëve thjesht u sugjerohet të bëjnë një denoncim në polici, një procedurë formale që nuk zgjidh asgjë,” tha ai. “Në fakt, është vetë media që duhet të marrë masa për mbrojtjen e tyre, në vend që ta trajtojë sigurinë si një përgjegjësi individuale”, shtoi Mustafa.

Përtej sigurisë fizike, për të përmirësuar kushtet e punës së gazetarëve në rrethe, nevojiten disa masa konkrete, sugjeron Elvin Luku.

“Së pari, duhet të ushtrohet më shumë presion ndaj institucioneve publike, si Inspektorati i Punës, për të kontrolluar operatorët mediatikë lidhur me zbatimin e kontratave të punës dhe praktikat e pagesës me dy bordero, pasi shumë gazetarë deklarohen me paga minimale, pavarësisht se fitojnë më shumë,” tha ai.

Luku thekson që vetë gazetarët duhet të jenë më të vetëdijshëm për të kërkuar kontrata të qarta dhe të sigurohen që ato të respektohen, ndërsa shton se një tjetër aspekt kyç duhet të luajnë dhe shoqatat e gazetarëve si “bilbilfryrës”, duke denoncuar rastet kur Kodi i Punës nuk zbatohet.

“Pa një kulturë të denoncimit dhe një mbështetje të organizuar, shkeljet do të vazhdojnë të jenë normë dhe jo përjashtim,” përfundoi ai./BIRN

Artikuj te sugjeruar

video

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 16

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 16

Gruaja me dy identitete që premton “shërim” me ujin e kufomave në Pejë

A ka Shqipëria një Nicola Gratteri?

Katër nëna në kërkim të fëmijeve/ Bisedat që zbuluan rrjetin e errët

Flamur Gjuzi, i dënuar për"shpërdorim detyre" sot drejtor i Policisë Bashkiake, sërish shkel ligjin?

Pallatet u zhytën“Durrës Marina" dhe Autoriteti Portual bëjnë veprimin e papritur përballë skandalit

Ekskluzive/ Nicola Gratteri çmonton skemën e pastrimit të parave të ndërtimit në Tiranë

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 15

Enkel Demi duke luftuar paragjykimet për shqiptarët. (kamera e fshehtë)

Milva Ekonomi i firmosi miliona euro Vilma Nushit, kjo e fundit i investoi te kulla e Ervin Matës

Ajo çfarë mund të na mësojë Kosova.

Laboratorë “copy-paste”/ I njëjti mjek firmos analiza në disa pika, skema që ngre pikëpyetje

Rrjeti i ‘errët’ i vajzave të zhdukura! Bisedat tronditëse si funksiononte grupi.

Bleu 300 m2 tokë në vitin 2004, kthehet nga emigrimi dhe gjen aty vilë 3-katëshe.

“Na detyruan nga Dubai”/ Konstruktori i Durrës Marina zbulon pse u zhytën pallatet

Drejtori që tregon sjellje të pahijshme me nxënësen: Jam i fortë edhe në parti

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 14

Turisti zemërgjerë nga Italia dhe patatinat falas

Aksidentet “pushtojnë” oborrin e familjes në Klos, banori: Një ditë do ndodhë tragjedi

Lidhja jashtëmartesore që përfundoi në makth /32-vjeçarja rrëfen shantazhin me video intime

Sherr në terminalin e Peshkopisë, shoferi: Mos më vidh pasagjerët! Shko ha bukë te pjesa jote

Artisti dhe Frika

Si u kthye në urrejtje dashuria mes ish-bashkëshortëve dhe ‘lufta’ për 200 mijë euro!

14-vjeçare me dr*gë dhepro*titucion, rrjeti i errët i minoreneve të zhdukura

Zhytja e pallateve te Alabarit/ IKMT pranon anomalitë në “Durrës Marina”: Janë zhytur 28 cm

"Ederlezi", festa e veçantë e komunitetit rom.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 13

Do t’i fus duart edhe nëse bërtet, motra e 13 vjeçares rrëfen tmerrin e mesazheve që mësuesi ia çon

“Inspektori gjobëvënës” i bashkisë terrorizon qytetarët

Pagat e mohura të druvarëve në Navaricë! Miliona lekë për të marrë dhe kërcënime

Rruga Thumanë–Kashar/ 1 miliard euro dhe “5 lekëshi” që po merret nga xhepat e qytetarëve

Me viza turistike ose kontrata futbolli drejt Europës/ Kush fshihet pas skemës së trafikimit?

Nënat denoncojnë ikjet nga shtëpia dhe jetën e dyshimtë të adoleshentëve

Për mediat dhe fëmijët

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 12

Muzikanti i rruges “vjedh” koleget. Banka e fundit

Dajak për 50 metra rrugë në Dibër, kushërinjtë në ’luftë’ për pronën.

Fisnik Syla, “BAMIRËS” apo shantazhues

A janë "idiotë "shqiptarët e Maqedonisë së Veriut? Çfarë do të thoshte Arbën Xhaferraj?

Presidenti i FSHP reagon për deklaratat e Erkand Qerimaj: Lajthita atëherë, tani kam reflektuar

Nga jetimorja te humbja e kujdestarisë. Rrëfen nëna që kërkon bashkimin me vajzën pas 13 vitesh

Tigrat e Vlorës: energjia që prodhohet 6 herë më shtrenjtë se sa shitet.

Skandali i zhytjes së pallateve në Durrës Marina / Ndërhyn IKMT.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 11

Dhjetëra punonjës fasonerie pa marrë pagat: Blerimi mori lekët dhe u zhduk! Pronari premton zgjidhje

Hapet filial i bankës turke në “zemër” të Bllokut, reklamat vendosen pa leje

Energji për brezin tim

Nga ‘Viola’ tek Dorina: Si përfundoi në borxh një histori dashurie në distancë

Firma “Trade Minerals Al” po shkatërron mjedisin dhe infrastrukturën e fshatit Gjegjan në Kukës

Nga shpërthimi i drejtorit te prapaskenat e ushqimit në institucionin privat në Elbasan