AKTUALITET

Qeveria u "futet turistëve në shtrat", si referenca po çorodit turizmin

r.ll Përditësimi i fundit 30 Mars 2025, 08:02
Qeveria u "futet turistëve në shtrat", si referenca po
foto ilustruese

TIRANË- Qeveria vendosi dy referenca për efekt taksimi të hoteleve duke pasur parasysh dy periudha të ndryshme të vitit. Në prill-tetor, kjo referencë do të jetë 30% dhe në maj-shtator, 65%. Shoqatat e turizmit dhe strukturat akomoduese gjykojnë se kjo referencë, sidomos për periudhën jashtë pikut, nuk është reale dhe rrezikon që përveç rritjes së kostove apo mbylljes së strukturave për muaj të tërë, të ndikojë në një krizë të re të forcës punëtore. Kjo e fundit mund të orientohet drejt angazhimeve në fusha të tjera më të stabilizuara duke bërë që para sezonit, bizneset e sektorit të vihen në presionin e mosplotësimit të nevojave për staf.

Qeveria synon që taksimi i hoteleve të bëhet mbi bazë të vlerave referencë, llogaritur në dy periudha.

Vendimi që specifikon detajet e kësaj praktike u miratua në datë 12 mars, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave dhe zbardhja e tij duket se nxiti një reagim njëzëri të operatorëve turistikë, shoqatave por dhe strukturave akomoduese të cilat kanë rezervat e tyre mbi këtë hap.

Konkretizimi i referencës me një vendim nuk erdhi në fakt si një rrufe në qiell të hapur. Përfaqësues të qeverisë, por sidomos kryeministri, kanë folur herë pas here për një mospërputhje të “bumit” turistik të Shqipërisë me okupancën (zënien reale) e dhomave që raportohet nga strukturat.

“E kemi vënë me bindje TVSH 6% për hoteleri. Ju keni fituar shumë më tepër, ne s’kemi marrë atë që na takon si shtet në arkën e të ardhurave që na duhet për këto gjërat e tjera. Me çfarë do t’i bëjmë deri në fund gjithë infrastrukturat e nevojshme.

Me çfarë do ta rrisim fondin e trajnimeve profesionale, me të ardhura. Në Shqipëri, këtë vit, nuk ka pasur asnjë dhomë bosh, me miq që më kanë kërkuar dhomë kudo që të ishte.

Si shpjegohet që te deklarimet keni qenë plot me dhoma bosh. Mirë një fundjavë keni sjell vjehrrin, një fundjavë krushqit, një tjetër shokët e fëmijërisë. Vitin e ardhshëm do të keni një referencë dhe shteti do ta marrë atë që mendon se i takon, nën atë s’ka shans.

Një referencë e thjeshtë, e krijuar mbi bazën e tregut. E dimë shumë mirë se sa janë dhomat. Vitin e ardhshëm nuk do të pranojmë që keni pasur dhoma bosh, një dhomë bosh për vjehrrin dhe vjehrrën do t’ua lëmë, por kur janë plot janë plot”, – do të shprehej kryeministri Edi Rama në tetor 2023.

Në fund të atij viti, numri i turistëve shënoi 10.1 milionë duke u bërë viti më i mirë historik deri në atë moment, një shifër që do të thyej sërish në vitin 2024, kur numri i të huajve që hynë në Shqipëri ishte 11.7 milionë.

Tashmë, në fillim të këtij viti, kur sërish numri i hyrjes së të huajve është në rritje, qeveria ka vendosur që të vërë hotelet para përgjegjësisë dhe të gjejë turistët që kanë “humbur”.

Çfarë parashikon vendimi i qeverisë për vendosjen e referencave

Vendimi i qeverisë për referencat përfshin si pjesë të këtij taksimi të gjithë strukturat akomoduese, sipas kategorisë:

b) “Bllok apartamentesh”;

ç) “Fjetje dhe mëngjes”;

dh) “Hotel i shpërndarë”;

ë) “Strukturë akomoduese e trashëgimisë kulturore”.

Periudha e shfrytëzimit është ndarë në dy të tilla duke parashikuar pjesën më të mirë të vitit kur është dhe piku dhe atë më të dobët, që kryesisht përfshin muajt e ftohtë.

“Periudhë e shfrytëzimit është periudha e ndarë në dy periudha sezonale, përkatësisht, nga data 1 maj deri në datën 30 shtator dhe nga data 1 tetor deri në datën 30 prill të çdo viti. Në përllogaritjet, për efekt të kapacitetit të shfrytëzimit, ditët që merren në konsideratë janë ditët kalendarike gjatë kësaj periudhe.

Niveli i shfrytëzimit të strukturave akomoduese bazohet në të dhënat e deklaruara nga sipërmarrësi i strukturës akomoduese për shfrytëzimin e kapacitetit të saj.

Ky nivel llogaritet duke marrë në konsideratë numrin e përgjithshëm të dhomave të shfrytëzuara gjatë periudhës së shfrytëzimit në raport me kapacitetin e plotë të strukturës akomoduese gjatë kësaj periudhe”, – thuhet në vendim.

Konkretisht niveli minimal i shfrytëzimit të strukturës akomoduese është: a) jo më pak se 65% e kapacitetit të strukturës akomoduese për periudhën nga data 1 maj deri në datën 30 shtator; b) jo më pak se 30% e kapacitetit të strukturës akomoduese për periudhën nga data 1 tetor deri në datën 30 prill. Kjo vlerë llogaritet si mesatare e nivelit minimal të shfrytëzimit gjatë periudhës së shfrytëzimit.

Vendimi përcakton se sipërmarrësit mund të zgjedhin të deklarojnë këtë nivel minimal shfrytëzimi, i cili në sitën e Tatimeve vlerësohet nga zyra ose të deklarojë një tjetër që e parashikojnë vetë, që në rast se është më i ulët se minimali, do të bëhet objekt vlerësimi nga ana e autoriteteve për të parë saktësinë duke përfshirë të dhëna alternative nga terreni.

Sipas vendimit, sipërmarrësi për strukturat akomoduese, deklaron pranë ministrisë përgjegjëse për turizmin, brenda muajit janar të çdo viti, kapacitetin e shfrytëzimit dhe nivelin e shfrytëzimit të strukturës akomoduese.

Në rastet kur ka ndryshime të kapacitetit të strukturës akomoduese, sipërmarrësi ka detyrimin të deklarojë ndryshimet e kapacitetit të strukturës akomoduese, brenda 15 ditëve kalendarike nga data e ndryshimit të kapacitetit të strukturës.

“Zgjedhja e një prej formave të nivelit të deklarimit të shfrytëzimit nuk mund të ndryshohet brenda vitit kalendarik. Ministria përgjegjëse për turizmin, brenda muajit shkurt të çdo viti, u dërgon Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe njësisë së qeverisjes vendore, që administron territorin ku ndodhet struktura akomoduese, të dhënat e deklaruara nga sipërmarrësi, sipas parashikimeve të pikës 10, të këtij vendimi.

Në rast të ndryshimit nga ana e sipërmarrësit të kapacitetit të strukturës akomoduese, ministria përgjegjëse për turizmin, brenda 15 ditëve nga marrja e njoftimit, ua dërgon Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe njësisë së qeverisjes vendore, që administron territorin ku ndodhet struktura akomoduese, të dhënat e deklaruara nga sipërmarrësi”, – thuhet në vendim.

Aty përcaktohet se përjashtimisht, për vitin 2025, deklarimi i sipërmarrësit pranë ministrisë përgjegjëse për turizmin bëhet brenda 30 ditëve nga momenti i hyrjes në fuqi të këtij vendimi dhe ministria përgjegjëse për turizmin u dërgon Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe njësisë së qeverisjes vendore, që administron territorin ku ndodhet struktura akomoduese, të dhënat e deklaruara nga sipërmarrësi brenda 30 ditëve nga përfundimi i afatit të deklarimit nga sipërmarrësi.

Rritje e kostove dhe rrezik i humbjes së stafit, dy efektet negative që pret sektori

Struktura akomoduese kanë rezervat e tyre lidhur me nismën e fundit të qeverisë për vendosjen e referencës për efekt të taksimit.

Ato shohin që kjo, përveçse një rritje kostosh, sidomos për periudhën e muajve të ftohtë, kur shumica operon me humbje, por për të mbajtur të angazhuar stafin, mund të kërcënojë stabilitetin e tyre në kapitalin human.

Blerim Norja, Drejtor i Përgjithshëm i hoteleve “Royal G”, tha se referenca 65% për periudhën e verës është e pranueshme dhe shumica e hoteleve të bregdetit mund ta arrijnë, por jashtë sezonit, vendosja e referencës 30% nuk është realiste.

“Vendosja e një reference 65% në sezon është brenda kufijve të pak a shumë gjithë hoteleve të bregdetit, por jashtë këtij sezoni nuk arrijnë 30%.

Të gjithë hotelet e Durrësit nga Ura e Dajlanit dhe deri në Qerret nuk arrijnë asnjëherë referencën 30% nga tetori në prill. Pra askush nuk ka 30% të dhomave të zëna në këtë nivel.

Është e pamundur. Shumica e hoteleve luhaten mes 10% deri në 20% në raste të caktuara, por mesatarja më logjike për të gjithë do të ishte vlera 15%. Nga një nismë e tillë, kostoja do të jetë te hotelet e mëdha.

Një strukturë që ka 300 dhoma i bie të deklarojnë 100 dhoma në ditë të zëna, diçka që nuk është reale. Kjo do të sjellë një efekt zinxhir në mbylljen e tyre gjatë periudhës së dimrit”, – tha z. Norja.

Ai shpjegon se një pjesë e strukturave gjatë muajve të ftohtë qëndrojnë hapur në një përpjekje për të mbajtur të angazhuar stafin dhe për të mos ta humbur atë, sepse kjo do të krijonte një problem të madh në fillim të sezonit.

Pra preferojnë të operojnë me një humbje por të kenë të sigurt fuqinë punëtore, mbi të cilën edhe investojnë me trajnime. Sipas tij, të paktën 90% e strukturave në këtë periudhë janë me humbje.

“Një masë si kjo pritet të ketë efektet e saj, ku së pari do të jenë kostot e shtuara e për rrjedhojë, pjesa më e madhe e strukturave do vendosë mbylljen gjatë dimrit.

Nga tetor-prilli, vetëm tetori mund të ketë 30% dhe këtu flasim për Durrësin, zona e Vlorës apo gjithë Jugut është edhe më e ulët. Madje sezoni për këtë pjesë të bregdetit nis në mes të qershorit deri në mes të shtatorit.

Është një periudhë më e shkurtër sepse në Durrës luajnë rol kontratat me garanci dhe charterat që vijnë më herët që në mes të majit. Përtej rritjes së kostove, mendoj që problemi më i madh i hoteleve është rreziku për të humbur forcën punëtore.

Punonjësit do të preferojnë të gjejnë një punë tjetër ndoshta dhe më pak të paguar, por që ka stabilitet më të lartë sesa të presin punësimin sezonal në strukturat akomoduese, pavarësisht trajtimit financiar që mund të marrin nga këto të fundit në sezon.

Mendoj se kjo do të na krijojë si sektor një problem të madh, që duhet adresuar, sepse nëse nuk ke stafin e duhur nuk ke si ofron as shërbim cilësor.

Nuk mundet që përpara çdo sezoni, biznesi të vihet nën presionin e gjetjes së stafit që është problem edhe aktualisht, pa ndikimet shtesë që mund të sjellë kjo politikë”, – tha z. Norja.

Ai sugjeron që teksa për periudhën nga maji në shtator, referenca 65% të mbetet në fuqi, ndoshta për periudhën prill deri në tetor të vlerësohet një nivel 15%.

Kasa: Referenca 30% jashtë sezonit nuk është reale

Kryetari i Unionit Turistik Shqiptar, Rrahman Kasa, gjykon se rritja e turizmit, edhe pse e dukshme, ka nevojë që të ketë shifra më reale ku mund të bazohen më pas edhe politikat.

Thënë këtë, z. Kasa gjykon se 11.7 milionë turistët e pretenduar në fakt janë hyrje të shtetasve të huaj në vendin tonë, por kjo shifër duhet pastruar nga disa grupe që nuk konsumojnë ndonjë shërbim turistik, ose konsumojnë një pjesë të tyre, ku nuk bën pjesë akomodimi.

“Aktualisht, në shifrën prej 11.7 milionë turistësh të publikuar për vitin 2024, në fakt duhej të përcaktohej si 11.7 milionë hyrje ose prani turistike, pasi këtij numri duhet t’i zbriten rreth 3.5 milionë tranzitime ose ekskursione ditore, të cilat nuk duhen llogaritur si turistë.

Pra, numri i turistëve realë që kanë gjeneruar para në ekonominë tonë është rreth 8.2 milionë, nga të cilët rreth 60% kanë shfrytëzuar struktura të ndryshme akomoduese (përfshirë dhe diasporën)”, – pohon z. Kasa. Sipas tij, nga 8 milionë turistë realë, rreth 4 milionë janë me kombësi shqiptare (nga Kosova, Italia, Greqia, Maqedonia e Veriut, Gjermania, Anglia, SHBA, etj.).

Ndërsa rreth 4 milionë janë turistë me kombësi dhe shtetësi të huaj, nga të cilët rreth 40% kanë fjetur nëpër Airbnb, bujtina, “guest house”, etj.

“Referuar të dhënave të INSTAT, por edhe të dhënave nga hotelet e bregdetit, veçanërisht atyre të Jugut, në muajin qershor dhe gjysmën e muajit korrik ka pasur një reduktim që varion rreth 20% krahasuar me vitin 2023.

Shkaktarët kryesorë të këtij reduktimi ishin rritja e pajustifikuar e çmimeve dhe liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës, gjë që tregohet edhe nga shifrat e INSTAT.

Jam absolutisht dakord që, referuar numrit total, ku përfshihen të gjitha kategoritë e turizmit (turizmi malor, turizmi kulturor, agroturizmi, turizmi qytetas, etj.), kemi pasur një rritje që ka kompensuar këtë rënie të turizmit bregdetar.

Megjithatë, kjo nuk ka kompensuar humbjen që pësuan bizneset e bregdetit të Jugut në fillim të sezonit të kaluar, e cila, krahas zhvlerësimit të Euros, dha një goditje për ekonominë e këtyre bizneseve”, – vlerëson z. Kasa.

Vendosja e referencës, sipas tij, është si një lloj gjobëvënieje për hotelet, pasi vetëm ato me emër mund ta shfrytëzojnë një fundjavë gjatë periudhës jashtë sezonit, që i bie katër ditë në muaj, ja maksimumi gjashtë.

Hotelet e mëdha, sipas tij, nuk e plotësojnë kurrë shfrytëzimin 30% të kapacitetit të vendosur nga qeveria./MONITOR

Artikuj te sugjeruar

video

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 16

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 16

Gruaja me dy identitete që premton “shërim” me ujin e kufomave në Pejë

A ka Shqipëria një Nicola Gratteri?

Katër nëna në kërkim të fëmijeve/ Bisedat që zbuluan rrjetin e errët

Flamur Gjuzi, i dënuar për"shpërdorim detyre" sot drejtor i Policisë Bashkiake, sërish shkel ligjin?

Pallatet u zhytën“Durrës Marina" dhe Autoriteti Portual bëjnë veprimin e papritur përballë skandalit

Ekskluzive/ Nicola Gratteri çmonton skemën e pastrimit të parave të ndërtimit në Tiranë

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 15

Enkel Demi duke luftuar paragjykimet për shqiptarët. (kamera e fshehtë)

Milva Ekonomi i firmosi miliona euro Vilma Nushit, kjo e fundit i investoi te kulla e Ervin Matës

Ajo çfarë mund të na mësojë Kosova.

Laboratorë “copy-paste”/ I njëjti mjek firmos analiza në disa pika, skema që ngre pikëpyetje

Rrjeti i ‘errët’ i vajzave të zhdukura! Bisedat tronditëse si funksiononte grupi.

Bleu 300 m2 tokë në vitin 2004, kthehet nga emigrimi dhe gjen aty vilë 3-katëshe.

“Na detyruan nga Dubai”/ Konstruktori i Durrës Marina zbulon pse u zhytën pallatet

Drejtori që tregon sjellje të pahijshme me nxënësen: Jam i fortë edhe në parti

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 14

Turisti zemërgjerë nga Italia dhe patatinat falas

Aksidentet “pushtojnë” oborrin e familjes në Klos, banori: Një ditë do ndodhë tragjedi

Lidhja jashtëmartesore që përfundoi në makth /32-vjeçarja rrëfen shantazhin me video intime

Sherr në terminalin e Peshkopisë, shoferi: Mos më vidh pasagjerët! Shko ha bukë te pjesa jote

Artisti dhe Frika

Si u kthye në urrejtje dashuria mes ish-bashkëshortëve dhe ‘lufta’ për 200 mijë euro!

14-vjeçare me dr*gë dhepro*titucion, rrjeti i errët i minoreneve të zhdukura

Zhytja e pallateve te Alabarit/ IKMT pranon anomalitë në “Durrës Marina”: Janë zhytur 28 cm

"Ederlezi", festa e veçantë e komunitetit rom.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 13

Do t’i fus duart edhe nëse bërtet, motra e 13 vjeçares rrëfen tmerrin e mesazheve që mësuesi ia çon

“Inspektori gjobëvënës” i bashkisë terrorizon qytetarët

Pagat e mohura të druvarëve në Navaricë! Miliona lekë për të marrë dhe kërcënime

Rruga Thumanë–Kashar/ 1 miliard euro dhe “5 lekëshi” që po merret nga xhepat e qytetarëve

Me viza turistike ose kontrata futbolli drejt Europës/ Kush fshihet pas skemës së trafikimit?

Nënat denoncojnë ikjet nga shtëpia dhe jetën e dyshimtë të adoleshentëve

Për mediat dhe fëmijët

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 12

Muzikanti i rruges “vjedh” koleget. Banka e fundit

Dajak për 50 metra rrugë në Dibër, kushërinjtë në ’luftë’ për pronën.

Fisnik Syla, “BAMIRËS” apo shantazhues

A janë "idiotë "shqiptarët e Maqedonisë së Veriut? Çfarë do të thoshte Arbën Xhaferraj?

Presidenti i FSHP reagon për deklaratat e Erkand Qerimaj: Lajthita atëherë, tani kam reflektuar

Nga jetimorja te humbja e kujdestarisë. Rrëfen nëna që kërkon bashkimin me vajzën pas 13 vitesh

Tigrat e Vlorës: energjia që prodhohet 6 herë më shtrenjtë se sa shitet.

Skandali i zhytjes së pallateve në Durrës Marina / Ndërhyn IKMT.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 11

Dhjetëra punonjës fasonerie pa marrë pagat: Blerimi mori lekët dhe u zhduk! Pronari premton zgjidhje

Hapet filial i bankës turke në “zemër” të Bllokut, reklamat vendosen pa leje

Energji për brezin tim

Nga ‘Viola’ tek Dorina: Si përfundoi në borxh një histori dashurie në distancë

Firma “Trade Minerals Al” po shkatërron mjedisin dhe infrastrukturën e fshatit Gjegjan në Kukës

Nga shpërthimi i drejtorit te prapaskenat e ushqimit në institucionin privat në Elbasan