AKTUALITET

Rrëfimi i të riut nga Librazhdi: Si u përfshiva në platformën XUEX dhe kush fshihet pas saj

Piranjat Përditësimi i fundit 15 Shtator 2025, 16:02

Rrëfimi i të riut nga Librazhdi: Si u përfshiva në

“Si nuk pritën dot dhe një javë këto mediat, sa të merrja edhe unë lekët…” , shfryu i riu nga Librazhdi.

Në javën e fundit të gushtit 2025, ëndrra e tij për pasurim të shpejtë, e ushqyer për muaj të tërë nga premtimet e platformës XUEX, nisi të shembet si kështjellë rëre.  Në dukje kishte zbuluar xhindin e Aladinit, që me tre “sinjale” të bënte të pasur.

Miqtë po fitonin, të njohurit dhe kushërinjtë tregonin histori mbresëlënëse. 5 mijë dollarë të tërhequra brenda pak muajsh. Në fillim nuk e besoi. Refuzoi një mikeshë që i ofroi ta fuste në platformë. Intuita i thoshte se një skemë e tillë, patjetër, do të ishte mashtrim.

Teksa muajt kalonin dhe mikesha e tij kishte gjeneruar disa mijëra dollarë, ndërsa ai asgjë, vendosi të futej. Fundja, mashtrim ose jo, njerëzit po fitonin para të thata në dorë, pa bërë asgjë. Tundimi fitoi mbi logjikën dhe në korrik 2025, i riu vendosi të “investonte” edhe vetë 1000 dollarë në XUEX, me shpresën për të hyrë në radhën e fitimtarëve.

Procesi i futjes së parave ishte më i ndërlikuar sesa dukej. Fillimisht, ai duhej t’i tërhiqte nga një bankë fizike dhe t’i kalonte në një exchange parash digjitale.

Përmes një QR kodi të dërguar nga një person nga brenda platformës, ai logohej në XUEX. Për t’u autentifikuar kërkohej ID?ja. Hapi i radhës ishte kalimi i parave nga exchange-i i kriptomonedhave në llogarinë e XUEX?ës. Sipas dëshmisë së përdoruesit nga Librazhdi, shuma minimale për t’u bërë pjesë e platformës ishte 1000 dollarë. 

Ky ishte pragu i hyrjes që i lejonte investitorit të ndiqte sinjalet e përditshme. Aplikacioni i XUEX-ës nuk ekzistonte në App apo Play Store, por vinte si një aplikacion i bazuar në link, që instalohej në telefon. Po i njëjti person që i kishte dërguar kodin, e fuste më pas në grupin e Telegramit ku ishin të gjithë përdoruesit. Sipas të riut, XUEX kishte një grup të madh me dhjetëra mijëra pjesëtarë, mbi 14 mijë kur u bë publike në media, dhe disa grupe më të vegjël sipas agjentëve, me dhjetëra anëtarë secili.

Grupi i tij kishte rreth 25 veta.

Në grupin e madh, sipas rrëfimit të të riut, administratorë ishin dy figura: Leo Smith dhe Joana.  Leo, nga gjuha dhe stili, dukej formal, i saktë dhe robotik. Mesazhet e tij përngjasonin me ato të gjeneruara nga inteligjenca artificiale. Ai identifikohej si amerikan dhe përveç njoftimeve për sinjalet, dërgonte rregullisht mesazhe motivuese për sukses e pasuri, si të ishte një “këshillues financiar i vërtetë”. 

Joana, nga gjuha, dukej si person fizik dhe mbase ishte ura lidhëse e Leos me përdoruesit shqiptarë të kësaj platforme.  As i riu dhe as miqtë e tij nuk dinin gjë për këto dy figura. Mbase Joana s’ishte fare grua, edhe nëse ishte, ndoshta përdorte një emër të rremë. Po ashtu, Leo mund të ishte një i huaj që përdorte inteligjencën artificiale për të gjeneruar përgjigjet, apo kryekëput robot IA. Por të gjitha këto dyshime, i riu thotë se nuk i interesonin, kur mendonte se do të fitonte para.

Rituali ishte i thjeshtë për një përdorues të zakonshëm si ai, që nuk kishte futur asnjë person tjetër për të marrë përfitime shtesë. Për t’u bërë agjent kërkohej të sillje të paktën pesë persona të rinj në platformë.

Agjentët shpërbleheshin me 3 deri në 4 sinjale në ditë, ndërsa përdoruesit e zakonshëm kishin vetëm dy. Kështu, agjentët fitonin më shpejt dhe kjo i shtynte të sillnin më shumë njerëz.  Çdo ditë, në grupin e Telegramit, Leo i lajmëronte për kohën e sinjaleve. I riu hynte në XUEX. Klikonte dhe shihte fitimet në faqen e tij. Çdo ditë shuma rritej e fitimi dukej më i prekshëm. Nga 1000 dollarë të hedhur, llogaria i shfaqte pothuajse 2000 kur platforma u ekspozua në media. Thotë se nuk donte ta besonte. Gjente çdo arsye për të menduar se mediat gënjenin dhe Leo kishte të drejtë, kur thoshte se “XUEX ishte e vërtetë, jo si platformat e tjera mashtruese dhe po sulmohej padrejtësisht për interesa të fshehta”. 

Agjencia Kombëtare për Sigurinë Kibernetike (AKSK) paralajmëroi publikisht se TXEX, XUEX dhe Grokrexduu ishin platforma mashtruese. 

Si ra në gjurmët e tyre?  AKSK sqaroi për Faktoje se ishte vënë për herë të parë në dijeni më 28 gusht, përmes një e-maili elektronik të deputetit të PS, Erion Braçe. Pasi identifikoi “domain-et xuexa[.]com dhe grokrcoiod8[.]com”, AKSK  ia përcolli Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) për bllokim. AKEP konfirmoi për Faktoje se kishte urdhëruar menjëherë bllokimin e domain-eve të përcjella nga AKSK: TXEX, XUEX dhe Grokrexduu. 

Sipas institucionit, operatorët kryesorë të internetit e zbatuan menjëherë urdhrin, ndërsa për të tjerët vijon monitorimi.  AKEP paralajmëroi gjithashtu se moszbatimi i bllokimit përbën shkelje ligjore dhe sjell masa administrative, përfshirë gjoba. AKSK nënvizoi se, deri në momentin e kthimit të përgjigjes për Faktoje, nuk kishte marrë asnjë raportim nga qytetarët e prekur, njësoj edhe Policia. Kjo e fundit, tha për Faktoje, se çështja është aktualisht në hetim dhe çdo informacion i mëtejshëm i takon prokurorisë.

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) njoftoi publikisht se platformat nuk kishin asnjë licencë për të operuar në Shqipëri dhe se mekanizmi i “sinjaleve të blerjes” ishte krejtësisht fiktiv. Në përgjigjen për Faktoje, AMF nuk shtoi asgjë më shumë përtej këtij njoftimi, duke rikujtuar se deri më sot nuk ka licencuar asnjë subjekt për tregje të bazuara në teknologjinë blockchain.

Banka e Shqipërisë në përgjigjen e saj zyrtare, sqaroi se nuk ka kompetencë të drejtpërdrejtë mbi këto platforma. Por theksoi se bankat tregtare janë të detyruara të raportojnë çdo transaksion të dyshimtë, sipas kuadrit ligjor për parandalimin e pastrimit të parave.

“AMF thotë ‘ne licencojmë kur na kërkohet’, pra roli i saj është pasiv. Policia aktivizohet vetëm pas një sinjalizimi, jo mbi bazë monitorimi të tregut. AKSK pret denoncime, por nuk ka mekanizma për të monitoruar në kohë reale. AKEP thirret në fund të zinxhirit për të bllokuar domain-et, por shpesh kjo nuk bëhet në mënyrë sistematike dhe disa faqe mbeten aktive edhe pasi shpallen mashtruese,” vëren për “Faktoje” ekspertja e kriptovalutave, Denisa Kele.
Sipas saj, problemi thelbësor është se askush nuk mban përgjegjësi të plotë.

“Duhet një njësi kombëtare e përhershme për mashtrimet online, që të bashkojë AMF, Policinë, AKSK dhe AKEP në një tryezë. Sinjalizimet duhet të shkojnë aty, të analizohen dhe urdhrat të dalin menjëherë. Nëse një domain shpallet mashtrues, AKEP dhe operatorët duhet të detyrohen me ligj ta bllokojnë brenda një kohe fikse, jo me vonesa, jo si rekomandim. Vetëm kështu kjo skemë mund të ndalet realisht,” thotë ajo.
Denisa Kele, eksperte në tregtinë e kriptomonedhave, zbulon më shumë mbi këtë fushë ende pak të njohur për publikun shqiptar. Që në fillim, Kele e bëri të qartë se: “Investimi në kriptomonedha nuk funksionon sipas logjikës ‘sot fut para dhe nesër i ke dyfish’. Një gjë e tillë është e pamundur. Askush nuk mund të parashikojë me saktësi kohën apo përmasën e fitimit. Premtimet për fitime të shpejta janë tregues klasikë të një skeme piramidale”

Sipas saj, ka disa elemente ku ndryshojnë platformat mashtruese nga ato të rregulluara, me licenca ndërkombëtare.

“Mashtruesit përdorin platforma demo për të të bërë të besosh se po fiton, kur në fakt gjithçka është e fabrikuar,” sqaron ajo. Në këto versione “demo” zakonisht shkruhet qartë “demo account”, nuk ka para reale dhe kur provon të bësh “Withdraw” (tërheqje) procesi nuk funksionon. Platformat mashtruese zakonisht nuk kërkojnë asnjë identifikim. Platformat reale, të licencuara kanë procedura KYC (Know Your Customer/Njih përdoruesin tënd) ku ngarkon kartën e identitetit, një foto personale dhe një selfie për regjistrim.

“Investimi në kriptovaluta është i ligjshëm dhe i pranuar gjerësisht në shumë vende të botës, por mashtrimet online po shfrytëzojnë boshllëkun e informacionit dhe mungesën e përvojës tek qytetarët,” shpjegon ekspertja. 
Megjithatë, këto skema, sipas saj, nuk janë një fenomen thjesht shqiptar. Raste të ngjashme janë evidentuar edhe në Itali e Rumani, ku shumë njerëz u mashtruan sepse nuk arritën të bëjnë dallimin mes një investimi të ligjshëm dhe një mashtrimi.

“Për të ngritur një platformë të tillë duhet të jesh ekspert i teknologjisë së informacionit. Janë grupe të organizuara me dije të thella teknologjike, jo individë të zakonshëm,” nënvizon Kele.

Në grupet e XUEX-ës, administratori Leo Smith kishte shpërndarë tre “certifikata” për të krijuar idenë e një platforme të ligjshme. Por siç sqaron ekspertja e kriptomonedhave Denisa Kele, dokumentet nuk kanë asnjë vlerë financiare.

“Janë vetëm regjistrime biznesi, jo licenca. Mund t’i marrë kushdo për pak dollarë dhe platformat mashtruese i përdorin si mbulesë legjitimiteti,” shpjegon ajo.
Në realitet, sipas saj, vetëm licencat e autoriteteve si FCA (Britani), CySEC (Qipro), BaFin (Gjermani) apo SEC (SHBA) garantojnë se një platformë është e rregulluar. 

Edhe pse emri Leo Smith tingëllon real, ai nuk ka asnjë lidhje me persona të vërtetë që mbajnë këtë emër. Në internet gjenden figura të ndryshme, një ish-drejtor financiar në New Hampshire që vetë ra viktimë e një mashtrimi kibernetik, një investitor amerikan i pasurive të paluajtshme, madje edhe muzikanti i njohur i xhazit Wadada Leo Smith, por asnjëri prej tyre nuk ka lidhje me XUEX-ën.

Në portalin EG Investment, ai prezantohet si “Anthony Leo Smith”, i lindur në vitin 1985 në SHBA, me doktoraturë në Princeton, ish-president i një shoqate financiare amerikane dhe ekspert në parashikimin e të dhënave me përvojë investimi”.

Por asnjë nga këto të dhëna nuk verifikohet në regjistrat publikë apo në ndonjë burim serioz akademik e profesional.

Në të vërtetë, jashtë kontekstit të grupeve në Telegram, faqeve false dhe raportimeve mbi mashtrimin, nuk ekziston asnjë person real që përputhet me profilin e këtij ‘profesori’. 

Në valën e të gjitha këtyre zhvillimeve, i riu nga Librazhdi ende po priste dyfishimin e shumës së tij në platformë që të mund të tërhiqte paratë. Sipas rregullave të XUEX?ës, nëse i tërhiqje paratë pa u bërë dyfishi, platforma mbante 20% të tyre. Kur shuma dyfishohej, mbahej vetëm 5%. Për këtë arsye, ai donte të besonte ende në fjalët e bukura të Leos se çdo problem me tërheqjen vinte nga bllokimet qeveritare e institucionale, jo nga mashtrimi. 

Madje, edhe pse AKSK dhe institucione të tjera deklaruan publikisht se kishin bllokuar këto platforma, ai thotë se vijonte të aksesonte XUEX?ën dhe grupin në Telegram pa asnjë lloj problemi dhe pa përdorur VPN. 

Për të, asgjë nuk kishte ndryshuar. 

Një përdoruesi të thjeshtë si ai, që s’kishte futur asnjë person tjetër e s’kishte marrë asnjë bonus, i duheshin rreth 40 ditë për ta dyfishuar shumën e futur. Kishte llogaritur se shuma do t’i dyfishohej më 2 ose 3 shtator, por ky afat nuk u arrit. Tani priste datën 8 ose 9 shtator. Por kjo pritje nuk do të zgjaste shumë. Në 4 shtator, Leo Smith dërgoi mesazhin e tij të fundit. “Paratë, tha ai, ishin bllokuar dhe do të mund të tërhiqeshin vetëm në 1 gusht 2026”.  Leo Smith vijoi të mbante të gjallë shpresën e përdoruesve me premtime për fitime dhe mbështetje. 

Që prej datës 4 shtator, ai u propozoi përdoruesve një alternativë të re: një platformë të quajtur SKLCOIN. Në grupin e Telegramit, ku sot janë rreth 8 mijë anëtarë, ai reklamon çdo ditë SKLCOIN-in.  Fitim fiks ditor prej 1.65%. Tre sinjale tregtimi çdo ditë. Mundësi tërheqjeje “në çdo kohë”, me një komision prej 20%. Për më tepër, nëse depoziton mbi 1,000 dollarë para datës 15 shtator, të ofrohet një “bonus” prej 50%. 

Deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi, Leo vazhdon të rekrutojë përdorues në këtë platformë të re.  Për të riun nga Librazhdi, humbja ishte e prekshme dhe e vërtetë. “Më ikën 1000 dollarë, rreth 90 e ca mijë lekë,” tha ai, duke pranuar se do t’i duhej të punonte jo pak për t’i bërë paratë që kishte humbur. Këmbënguli ta ndante historinë e tij me Faktoje.al, por kërkoi të mbetej anonim. Me motivin se familja e tij nuk ishte në dijeni të situatës dhe i rëndej të “dilte” publikisht si i mashtruar.

Edhe pse e përshkroi përvojën si një mësim të hidhur, ai ende nuk është larguar nga grupet e XUEX-ës në Telegram. 

Në mesazhin e tij të fundit drejtuar Faktoje.al, ai kërkoi: “Më mbani të përditësuar”/Faktoje

Artikuj te sugjeruar

video

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 16

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 16

Gruaja me dy identitete që premton “shërim” me ujin e kufomave në Pejë

A ka Shqipëria një Nicola Gratteri?

Katër nëna në kërkim të fëmijeve/ Bisedat që zbuluan rrjetin e errët

Flamur Gjuzi, i dënuar për"shpërdorim detyre" sot drejtor i Policisë Bashkiake, sërish shkel ligjin?

Pallatet u zhytën“Durrës Marina" dhe Autoriteti Portual bëjnë veprimin e papritur përballë skandalit

Ekskluzive/ Nicola Gratteri çmonton skemën e pastrimit të parave të ndërtimit në Tiranë

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 15

Enkel Demi duke luftuar paragjykimet për shqiptarët. (kamera e fshehtë)

Milva Ekonomi i firmosi miliona euro Vilma Nushit, kjo e fundit i investoi te kulla e Ervin Matës

Ajo çfarë mund të na mësojë Kosova.

Laboratorë “copy-paste”/ I njëjti mjek firmos analiza në disa pika, skema që ngre pikëpyetje

Rrjeti i ‘errët’ i vajzave të zhdukura! Bisedat tronditëse si funksiononte grupi.

Bleu 300 m2 tokë në vitin 2004, kthehet nga emigrimi dhe gjen aty vilë 3-katëshe.

“Na detyruan nga Dubai”/ Konstruktori i Durrës Marina zbulon pse u zhytën pallatet

Drejtori që tregon sjellje të pahijshme me nxënësen: Jam i fortë edhe në parti

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 14

Turisti zemërgjerë nga Italia dhe patatinat falas

Aksidentet “pushtojnë” oborrin e familjes në Klos, banori: Një ditë do ndodhë tragjedi

Lidhja jashtëmartesore që përfundoi në makth /32-vjeçarja rrëfen shantazhin me video intime

Sherr në terminalin e Peshkopisë, shoferi: Mos më vidh pasagjerët! Shko ha bukë te pjesa jote

Artisti dhe Frika

Si u kthye në urrejtje dashuria mes ish-bashkëshortëve dhe ‘lufta’ për 200 mijë euro!

14-vjeçare me dr*gë dhepro*titucion, rrjeti i errët i minoreneve të zhdukura

Zhytja e pallateve te Alabarit/ IKMT pranon anomalitë në “Durrës Marina”: Janë zhytur 28 cm

"Ederlezi", festa e veçantë e komunitetit rom.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 13

Do t’i fus duart edhe nëse bërtet, motra e 13 vjeçares rrëfen tmerrin e mesazheve që mësuesi ia çon

“Inspektori gjobëvënës” i bashkisë terrorizon qytetarët

Pagat e mohura të druvarëve në Navaricë! Miliona lekë për të marrë dhe kërcënime

Rruga Thumanë–Kashar/ 1 miliard euro dhe “5 lekëshi” që po merret nga xhepat e qytetarëve

Me viza turistike ose kontrata futbolli drejt Europës/ Kush fshihet pas skemës së trafikimit?

Nënat denoncojnë ikjet nga shtëpia dhe jetën e dyshimtë të adoleshentëve

Për mediat dhe fëmijët

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 12

Muzikanti i rruges “vjedh” koleget. Banka e fundit

Dajak për 50 metra rrugë në Dibër, kushërinjtë në ’luftë’ për pronën.

Fisnik Syla, “BAMIRËS” apo shantazhues

A janë "idiotë "shqiptarët e Maqedonisë së Veriut? Çfarë do të thoshte Arbën Xhaferraj?

Presidenti i FSHP reagon për deklaratat e Erkand Qerimaj: Lajthita atëherë, tani kam reflektuar

Nga jetimorja te humbja e kujdestarisë. Rrëfen nëna që kërkon bashkimin me vajzën pas 13 vitesh

Tigrat e Vlorës: energjia që prodhohet 6 herë më shtrenjtë se sa shitet.

Skandali i zhytjes së pallateve në Durrës Marina / Ndërhyn IKMT.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 11

Dhjetëra punonjës fasonerie pa marrë pagat: Blerimi mori lekët dhe u zhduk! Pronari premton zgjidhje

Hapet filial i bankës turke në “zemër” të Bllokut, reklamat vendosen pa leje

Energji për brezin tim

Nga ‘Viola’ tek Dorina: Si përfundoi në borxh një histori dashurie në distancë

Firma “Trade Minerals Al” po shkatërron mjedisin dhe infrastrukturën e fshatit Gjegjan në Kukës

Nga shpërthimi i drejtorit te prapaskenat e ushqimit në institucionin privat në Elbasan