AKTUALITET

Të dënuar në Itali, të pafajshëm në Tiranë: Dosja e dështimit të një hetimi pasuror

Piranjat Përditësimi i fundit 24 Shkurt 2026, 08:35

Të dënuar në Itali, të pafajshëm në Tiranë:

Më 3 janar 2018, një bankë në Shqipëri refuzoi transferimin e 250 mijë eurove nga një llogari bankare drejt një llogarie tjetër në Holandë, me arsyetimin e kontrolleve të brendshme. Por vetëm gjashtë ditë më pas, pothuajse e njëjta shumë u tërhoq cash nga e njëjta llogari bankare.

Transaksionet u identifikuan më vonë si pjesë e një procedimi penal për veprën e pastrimit të parave, i regjistruar në emër të shtetasit Ylli Seferi dhe rrethit të tij familjar.

Pak javë pas transaksioneve, në fund të janarit 2018, Seferi, atëherë 46 vjeç, dhe bashkëshortja e tij u arrestuan nga policia italiane gjatë tentativës për t’u arratisur jashtë Italisë. Seferi, i identifikuar në Itali me nofkën “Daja”, kërkonte t’i shmangej operacionit antidrogë “Rexton”, që goditi dy rrjete trafiku të lidhura mes tyre: një grup i përbërë kryesisht nga shqiptarë, mes të cilëve edhe familjarë të Seferit, dhe një tjetër me marokenë, bashkëpunëtorë të ngushtë.

Dy muaj pas arrestimit në Itali, ndaj Seferit nisën hetime penale edhe në Shqipëri. Në prill 2018, Prokuroria e Krujës nisi një procedim penal për pastrim parash ndaj Seferit, bashkëshortes së tij dhe të birit.

Hetimet e krimit ekonomik dokumentuan një seri transaksionesh të dyshimta dhe lëvizje të pazakonta fondesh. Kur dosja u regjistrua në gjykatë në korrik 2020, prokuroria pretendonte një qarkullim transaksionesh mbi 1 milion euro, ku përfshiheshin huatë e dy kompanive fasone me vlerë totale 250 mijë euro, tentativa e dështuar për transferimin e 250 mijë eurove drejt Holandës dhe tërheqja e mëvonshme e 255 mijë eurove cash.

Dy proceset, ai në Itali për trafik narkotikësh dhe ai në Shqipëri për pastrim parash, nisën thuajse paralelisht, por përfunduan në drejtime të kundërta.

Në Itali, Seferi, i biri dhe persona të lidhur me ta u gjetën fajtorë. Seferi u dënua me 11 vjet e 10 muaj burg dhe dënimi u bë përfundimtar në nëntor 2021, pasi Gjykata e Kasacionit në Itali rrëzoi edhe rekursin e palëve.

Në Shqipëri, çështja u regjistrua fillimisht në Krujë dhe me ndryshimin e hartës gjyqësore, u transferua në Tiranë. Në shkurt 2023, Gjykata e Tiranës i dënoi në mungesë Seferin, bashkëshorten dhe të birin me nga 5 vjet burg secilin.

Por në nëntor 2025, Gjykata e Apelit e rrëzoi vendimin dhe i shpalli të akuzuarit të pafajshëm, me argumentin se mungonte vepra bazë që do të provonte aktivitetin dhe burimin kriminal të parave.

“Nuk ka asnjë vendim penal të formës së prerë që të konfirmojë kryerjen e një vepre penale bazë”, thuhet në vendimin e Apelit, pavarësisht se në Itali, dënimi i formës së prerë ishte marrë gjashtë vjet më parë.

Të dhënat e mbledhura nga BIRN, përfshirë vendimet e aksesueshme online të Gjykatës së Kasacionit në Itali, sugjerojnë se prokuroria shqiptare nuk e solli vendimin italian në dosje dhe nuk siguroi prova për pastrim parash përtej gjurmës së transaksioneve, një boshllëk që duket se u bë vendimtar në Apel, duke i dhënë pafajësinë familjes, e cila u gjet fajtore në Itali për trafikimin e qindra kilogramëve drogë, përfshirë kokainë, hashash dhe kanabis. Vendimet e gjykatave tregojnë gjithashtu se nuk pati përpjekje për të sekuestruar pasuritë e familjes.

Bledar Valikaj, prokurori i Tiranës që ndoqi çështjen në shkallën e parë, këmbënguli se dosja s’kishte pasur mangësi sa kohë ai e kishte fituar çështjen në Gjykatën e Faktit.

“Unë jam prokuror pranë gjykatës së shkallës së parë të juridiksionit të përgjithshëm Tiranë, ku dhe është dhënë një vendim fajësie mbi bazën e provave dhe argumentimit të bërë nga ana e prokurorisë. Komente të tjera nuk kam!”, shkroi Valikaj në përgjigje të pyetjeve të BIRN.

Por prokurori i Apelit, Genti Xholi, pranoi për BIRN se hetimi kishte pasur mangësi, por ai i kishte duart e lidhura.

“Ne në Apel gjykojmë vetëm mbi bazën e akteve që ka dosja penale dhe është Shkalla e Parë ajo që realizon hetimin dhe mbledhjen e dokumentacionit,” tha Xholi.

Ai shtoi se ende nuk kishte vendim nëse do të bëhej apo jo rekurs në Gjykatën e Lartë.

“Krimi mëmë” që humbi rrugës

Të dhënat nga policia italiane e fajësonin grupin e Seferit dhe ortakët marokenë për trafikimin dhe shpërndarjen e mbi 10 tonëve hashash dhe mbi 140 kilogramëve kokainë në tre vjet, në një rrjet që përfshinte Spanjën, Holandën dhe Italinë. Në operacione të ndryshme gjatë këtyre viteve, të dënuarve në këtë dosje iu kapën mbi 1.2 ton hashash, 22 kilogramë kokainë dhe 77 kilogramë kanabis, ndërsa u bllokuan edhe gati 200 mijë euro cash.

Sipas përshkrimit në vendimin e Gjykatës së Kasacionit të nëntorit 2021, të akuzuarit operonin në dy grupe kryesore që bashkëpunonin me njëri-tjetrin. Grupi i parë përbëhej nga shtetas marokenë, i drejtuar nga një person i quajtur Jaber Redouane, i cili organizonte importimin e sasive të mëdha të hashashit dhe i shpërndante ato përmes bashkëpunëtorëve të tij. Grupi i dytë, i njohur në vendimin e gjykatës si “Grupi Shqiptar”, drejtohej nga Ylli Seferi. Vendimi thotë se Seferi e menaxhonte trafikun e drogës në bashkëpunim me grupin e parë, duke përdorur një rrjet të ngushtë familjar, konkretisht djalin, nipin dhe kunatin.

Bazuar në përgjimet telefonike, ndjekjet në terren dhe drogën e kapur, gjykatat italiane e dënuan Seferin me 11 vjet e 10 muaj burg dhe kunatin e tij me më shumë se 10 vjet.

Mes të dënuarve në këtë rast është edhe Bujar Sefa nga Kruja, i arrestuar së fundmi në Dubai dhe i shpallur në kërkim nga SPAK për përfshirjen në organizatën kriminale të narkotrafikut të familjes Rraja, që përfshin djalin dhe të afërm të tjerë të ish-deputetit të Partisë Socialiste, Rrahman Rraja.

Të pakënaqur me këto vendime, të dënuarit bënë rekurs në Gjykatën e Kasacionit në Itali. Nga ana e “Grupit Shqiptar”, avokatët e Ylli Seferit dhe familjarëve të tij pretenduan se Gjykata e Apelit kishte gabuar duke i konsideruar ata si një “organizatë kriminale”. Mbrojtja theksoi se ata ishin thjesht familjarë që ndihmonin njëri-tjetrin dhe se kjo lidhje gjaku nuk vërtetonte ekzistencën e një strukture kriminale të mirëfilltë. Gjithashtu, ata kundërshtuan provat si përgjimet e bisedave, përdorimin e makinave të përbashkëta apo pasjen e një baze në Holandë, duke i quajtur ato rrethana jo bindëse.

Gjykata e Kasacionit i hodhi poshtë të gjitha këto pretendime, duke arsyetuar ndër të tjera se fakti që anëtarët e një organizate janë familjarë, nuk e përjashton ekzistencën e saj.

“Krijimi i një organizate kriminale nuk përjashtohet nga fakti se ajo është e përqendruar kryesisht rreth anëtarëve të së njëjtës familje; sepse, përkundrazi, marrëdhëniet farefisnore ose bashkëshortore, duke iu shtuar lidhjes së grupit, e bëjnë atë edhe më të rrezikshme,” thuhet në arsyetimin e Gjykatës së Kasacionit në Itali që rrëzoi rekursin.

Gjykata arsyetoi se kishte prova të forta për ekzistencën e organizatës, të tilla si përdorimi i një kodi të fshehtë komunikimi, baza logjistike, udhëtime të shpeshta dhe mjete të konsiderueshme financiare. Ajo i shpalli të papranueshme të 11 rekurset.

Hetimi pasuror në Shqipëri nisi në prill 2018, pak muaj pas arrestimit të Ylli Seferit dhe bashkëshortes në Itali, të cilëve iu gjetën 60,000 euro cash të fshehura në makinë gjatë një tentative për t’u arratisur.

Procedimi u bazua në faktin që Seferi ishte arrestuar në vendin fqinj dhe akuzohej atje për trafik narkotikësh. Verifikimet e policisë gjetën shpejt një sërë transaksionesh të dyshimta, përfshirë përpjekjen e dështuar për të dërguar 250 mijë euro në Holandë, pak javë para arrestimeve në Itali, ku sipas drejtësisë italiane grupi kishte një bazë prej nga siguronte kokainën. Hetimet gjetën se pas dështimit të transfertës, paratë u tërhoqën cash nga banka.

Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë, në shkurt të vitit 2023, i gjeti pretendimet e prokurorisë të drejta dhe e dënoi Ylli Seferin, bashkëshorten e tij dhe të birin me nga 5 vite burg secilin për pastrim parash.

Në argumentet e tij, gjyqtari Lazër Sallaku veçon tentativën e dështuar për transferim fondesh në Holandë dhe tërheqjen masive cash si një përpjekje të grupit për të fshehur të ardhurat, pasi me gjasë ishin në dijeni të hetimit ndaj tyre.

“Të pandehurit kanë qenë në dijeni të proceseve penale apo kontrolluese të autoriteteve të huaja në lidhje me veprimtarinë e tyre”, arsyeton gjykata duke iu referuar këtij fakti. Mungesa e vendimit të formës së prerë pranohet në vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë, por gjyqtari aty nuk e ka cilësuar të rëndësishme.

Megjithatë, procesi u përmbys tërësisht në Gjykatën e Apelit. Trupi gjykues i përbërë nga Genti Shala, Brikena Ukperaj dhe Dritan Hasani rrëzoi akuzën, duke theksuar mungesën e një vendimi penal — një mangësi thelbësore të dosjes së prokurorisë. Sipas Apelit, aktiviteti kriminal i cili do t’i detyronte të akuzuarit të kryenin pastrim parash, nuk ishte provuar me vendim gjykate.

“Në përfundim, gjykata e Apelit vlerëson se, duke u mbështetur në provat e administruara, deklarimet e të pandehurve, për shkak të mungesës së veprës penale bazë, mungesës së dijenisë dhe qëllimit të autorëve dhe vlerës së dokumentuar të pasurisë, nuk ekziston përgjegjësia penale,” thuhet në arsyetim.

Pjesa tjetër e argumenteve, përfshirë përpjekjen e dështuar të transferimit të parave në Holandë, u rrëzuan po ashtu bazuar në këtë arsyetim dhe pretendimin e familjes se kishte pasur mbi 800 mijë euro të ardhura të ligjshme nga puna në Itali, mjaftueshëm për të justifikuar shumën që prokuroria pretendonte se ishte pastruar.

Por, ndryshe nga sa thonë gjykatat, vendimi penal ekzistonte. Ai kishte marrë formë të prerë prej vitit 2020 dhe ishte lënë në fuqi edhe nga Gjykata e Kasacionit në Itali në vitin 2021. Megjithatë, për 5 vite me radhë, Prokuroria e Tiranës nuk e kishte përditësuar fashikullin e gjykimit me vendimet e drejtësisë italiane, duke i lejuar avokatit të Seferit të pretendonte në Apel se ndaj tij nuk kishte vendim të formës së prerë.

Dy prokurorët që ndoqën çështjen në shkallë të parë dhe në Apel  kanë qëndrime të ndryshme sa i përket hetimeve mbi rastin.

Prokurori Valikaj këmbënguli se provat ishin të mjaftueshme. “Fakti që personat janë arrestuar në posedim të shumë kg kokaine në Itali, besoj mjafton të quhet veprimtari kriminale”, tha Valikaj. Ai shtoi se prokuroria kishte paraqitur “çdo akt e vendim që vërtetonte këtë fakt dhe për këtë arsye në shkallë të parë këta shtetas janë dënuar”.

Prokurori i Apelit, Genti Xholi thotë se rezultati tregon se dosja ka pasur probleme.

“Për rastin edhe një herë ju them se Gjykata e Apelit gjykon me atë që ka dosja; ne nuk bëjmë hetime. Në rast se gjendja është e tillë, rreziku është që vendimmarrja të jetë siç është rasti”, tha Xholi.

Ai tha se dosja duhet të jetë e plotë para se të shkohej në gjykatë, ndërsa kaloi një pjesë të përgjegjësisë te Policia, që sipas tij i zvarrit këto hetime në kohë pa rezultat.

Xholi shtoi se hetimet pasurore në Shqipëri ishin të vështira edhe për shkak të mungesës së deklarimeve financiare periodike që lejonin tjetërsimin e pasurisë dhe regjistrimin nën emra të të tretëve, dhe se për këtë vendimi penal bëhej i domosdoshëm.

“Në një shoqëri informale si e jona, në mendimin tim, duhet një vendim penal për të pasur sukses në hetim pasuror,” përfundoi ai./BIRN

Artikuj te sugjeruar

video

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 16

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 16

Gruaja me dy identitete që premton “shërim” me ujin e kufomave në Pejë

A ka Shqipëria një Nicola Gratteri?

Katër nëna në kërkim të fëmijeve/ Bisedat që zbuluan rrjetin e errët

Flamur Gjuzi, i dënuar për"shpërdorim detyre" sot drejtor i Policisë Bashkiake, sërish shkel ligjin?

Pallatet u zhytën“Durrës Marina" dhe Autoriteti Portual bëjnë veprimin e papritur përballë skandalit

Ekskluzive/ Nicola Gratteri çmonton skemën e pastrimit të parave të ndërtimit në Tiranë

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 15

Enkel Demi duke luftuar paragjykimet për shqiptarët. (kamera e fshehtë)

Milva Ekonomi i firmosi miliona euro Vilma Nushit, kjo e fundit i investoi te kulla e Ervin Matës

Ajo çfarë mund të na mësojë Kosova.

Laboratorë “copy-paste”/ I njëjti mjek firmos analiza në disa pika, skema që ngre pikëpyetje

Rrjeti i ‘errët’ i vajzave të zhdukura! Bisedat tronditëse si funksiononte grupi.

Bleu 300 m2 tokë në vitin 2004, kthehet nga emigrimi dhe gjen aty vilë 3-katëshe.

“Na detyruan nga Dubai”/ Konstruktori i Durrës Marina zbulon pse u zhytën pallatet

Drejtori që tregon sjellje të pahijshme me nxënësen: Jam i fortë edhe në parti

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 14

Turisti zemërgjerë nga Italia dhe patatinat falas

Aksidentet “pushtojnë” oborrin e familjes në Klos, banori: Një ditë do ndodhë tragjedi

Lidhja jashtëmartesore që përfundoi në makth /32-vjeçarja rrëfen shantazhin me video intime

Sherr në terminalin e Peshkopisë, shoferi: Mos më vidh pasagjerët! Shko ha bukë te pjesa jote

Artisti dhe Frika

Si u kthye në urrejtje dashuria mes ish-bashkëshortëve dhe ‘lufta’ për 200 mijë euro!

14-vjeçare me dr*gë dhepro*titucion, rrjeti i errët i minoreneve të zhdukura

Zhytja e pallateve te Alabarit/ IKMT pranon anomalitë në “Durrës Marina”: Janë zhytur 28 cm

"Ederlezi", festa e veçantë e komunitetit rom.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 13

Do t’i fus duart edhe nëse bërtet, motra e 13 vjeçares rrëfen tmerrin e mesazheve që mësuesi ia çon

“Inspektori gjobëvënës” i bashkisë terrorizon qytetarët

Pagat e mohura të druvarëve në Navaricë! Miliona lekë për të marrë dhe kërcënime

Rruga Thumanë–Kashar/ 1 miliard euro dhe “5 lekëshi” që po merret nga xhepat e qytetarëve

Me viza turistike ose kontrata futbolli drejt Europës/ Kush fshihet pas skemës së trafikimit?

Nënat denoncojnë ikjet nga shtëpia dhe jetën e dyshimtë të adoleshentëve

Për mediat dhe fëmijët

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 12

Muzikanti i rruges “vjedh” koleget. Banka e fundit

Dajak për 50 metra rrugë në Dibër, kushërinjtë në ’luftë’ për pronën.

Fisnik Syla, “BAMIRËS” apo shantazhues

A janë "idiotë "shqiptarët e Maqedonisë së Veriut? Çfarë do të thoshte Arbën Xhaferraj?

Presidenti i FSHP reagon për deklaratat e Erkand Qerimaj: Lajthita atëherë, tani kam reflektuar

Nga jetimorja te humbja e kujdestarisë. Rrëfen nëna që kërkon bashkimin me vajzën pas 13 vitesh

Tigrat e Vlorës: energjia që prodhohet 6 herë më shtrenjtë se sa shitet.

Skandali i zhytjes së pallateve në Durrës Marina / Ndërhyn IKMT.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 11

Dhjetëra punonjës fasonerie pa marrë pagat: Blerimi mori lekët dhe u zhduk! Pronari premton zgjidhje

Hapet filial i bankës turke në “zemër” të Bllokut, reklamat vendosen pa leje

Energji për brezin tim

Nga ‘Viola’ tek Dorina: Si përfundoi në borxh një histori dashurie në distancë

Firma “Trade Minerals Al” po shkatërron mjedisin dhe infrastrukturën e fshatit Gjegjan në Kukës

Nga shpërthimi i drejtorit te prapaskenat e ushqimit në institucionin privat në Elbasan