BOTA

Analiza: E ardhmja e rrezikuar e NIS-it pas sanksioneve amerikane

n.f Përditësimi i fundit 15 Janar 2025, 13:52
Analiza: E ardhmja e rrezikuar e NIS-it pas sanksioneve amerikane
Foto ilustruese

SERBI- Serbia ka filluar negociatat me Shtetet e Bashkuara në lidhje me Industrinë e sanksionuar të Naftës së Serbisë (NIS). Se si do të zgjidhet problemi i pronësisë ruse të këtij ish-gjigandi shtetëror serb, është ende e paqartë.

“Unë nuk mendoj se skenarët, në të cilët Rusia mbetet në NIS, janë të realizueshëm”, thotë për Radion Evropa e Lirë Igor Novakoviç nga Qendra joqeveritare për Çështjet Ndërkombëtare dhe të Sigurisë (ISAC).

Më 10 janar, Shtetet e Bashkuara e kanë vendosur NIS-in në listën e sanksioneve, për shkak të aksioneve që ka në të kompania ruse, Gazprom Neft. Qëllim i sanksioneve është ta pengojnë Rusinë që t’i përdorë të ardhurat nga energjia për luftën e saj në Ukrainë.

NIS është kompania e vetme në Serbi, e cila merret me kërkimin, prodhimin dhe rafinimin e naftës, si dhe me prodhimin e gazit natyror. Ajo zotëron më shumë se 400 pika karburantesh në Serbi dhe në vendet e rajonit - Bosnje e Hercegovinë, Rumani dhe Bullgari.

Përpunimi i naftës bruto bëhet në rafinerinë e naftës në Pançevë, e cila operon në kuadër të sistemit të NIS-it. Në vitin 2008, shteti serb ia ka shitur 51 për qind të aksioneve të NIS-it kompanisë shtetërore ruse, Gazprom Neft, për 400 milionë euro, pa tender.

Në maj të vitit 2022, për shkak të sanksioneve të reja të shpallura nga Bashkimi Evropian, Gazprom Neft i ka shitur 6 për qind të aksioneve te Gazprom-i - kompania mëmë, e cila nuk është ende nën sanksionet e bllokut evropian.

Në fillim të këtij viti, Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione kundër disa anijeve transportuese të naftës, tregtarëve dhe furnizuesve rusë të naftës, si dhe zyrtarëve rusë të energjisë, për t’i reduktuar të ardhurat ruse nga energjia.

Autoritetet në Beograd presin që pas bisedimeve me partnerët amerikanë, përfshirë administratën e ardhshme të presidentit të zgjedhur, Donald Trump, do të arrijnë t’i sigurojnë kushtet më të mira të mundshme.

Megjithatë, ministri i Jashtëm serb, Marko Gjuriq, ka pranuar për Radio Televizionin e Serbisë (RTS) më 13 janar se do të jetë shumë e vështirë për administratën e re amerikane që t’i heqë këto sanksione, pa kaluar përmes procedurave komplekse të Kongresit.

Bisedimet për kushtet me Departamentin e Thesarit amerikan kanë filluar më 13 janar, për të gjetur, sipas Beogradit, “zgjidhjen më të mirë të mundshme” për Serbinë.

Por, për Shtetet e Bashkuara, “e vetmja mënyrë për të pasur zero rrezik, është të ketë zero pronësi ruse”. Ky është qëndrimi me të cilin zhvillohen bisedimet, ka thënë ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, James O’Brien, më 12 janar.

“Ne i kemi bërë këto gjëra, më herët, me kompani të tjera ruse në vende të tjera - në Holandë, në Zvicër, në Turqi”, ka thënë O’Brien.

Zyrtarët në Beograd kanë deklaruar vazhdimisht se nuk bëhet fjalë për konfiskim të pasurisë së huaj. Ata gjithashtu pretendojnë se kanë para në llogari që Serbia ta blejë NIS-in nga Rusia.

“Opsioni më i mirë për Rusinë është të mos bëjë bujë të madhe dhe ta transferojë pronësinë”, thotë Novakoviç nga organizata ISAC.

Megjithatë, ai shton se është pikëpyetje nëse pala amerikane do ta miratojë transaksionin, sepse mund të shihet si ndihmë për ekonominë ruse në luftën kundër Ukrainës. Transformimi i pronësisë, siç është paralajmëruar, duhet të miratohet nga Zyra e Kontrollit të Pasurive të Huaja (OFAC) e Departamentit të Thesarit amerikan.

Beogradi ka paralajmëruar bisedime me partnerët e tij rusë, pas takimit me homologët e tij amerikanë. Kremlini ka thënë se Moska do t’u kundërvihet sanksioneve amerikane, që shënjestrojnë industrinë ruse të naftës, duke paralajmëruar se ato mund t’i destabilizojnë tregjet globale të energjisë.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka thënë më 13 janar se Moska do t’i monitorojë nga afër pasojat e masave dhe më pas do ta konfigurojë punën e kompanive ruse për t’i minimizuar ato pasoja.

Ai nuk i ka komentuar sanksionet kundër Industrisë së Naftës së Serbisë. Më 14 janar, ndërkaq, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka thënë se Moska është në kontakt me “miqtë e saj serbë” në lidhje me fatin e pronësisë së NIS-it. Radio Evropa e Lirë pyeti Gazprom-in se cili opsion do të ishte i pranueshëm për palën ruse.

“Bëhet fjalë për një llogaritje, sipas së cilës, Gazprom Neft nuk dëshiron t’i shesë ato aksione, sepse askush nuk dëshiron të shesë diçka me detyrim”, tha konsulenti ekonomik, Bogdan Petroviq.

Skenari nëse nuk arrihet marrëveshje me rusët, do të ishte që shteti i Serbisë ta kombëtarizonte NIS-in.

“Shteti mund të thotë se është në interes të publikut të sigurohet furnizimi me naftë dhe derivate dhe se kjo nuk është e mundur nëse NIS-i mbetet nën pronësinë ruse”, tha Petroviq.

Këtë “marrje me forcë” të aksioneve të NIS-it, sipas tij, do ta bënte Kuvendi i Serbisë, duke miratuar një ligj të posaçëm për transaksionin, që do të parashihte edhe një kompensim të caktuar për aksionet.

“Mund të kombëtarizoni një kompani edhe për një dinar, por gjëra të tilla nuk bëhen nëse nuk keni nevojë të madhe, sepse ato e vënë në pikëpyetje besueshmërinë e shtetit”, tha Petroviq.

Sipas tij, ekziston edhe mundësia që një kompani e huaj ta blejë NIS-in, por në atë rast afatet e dhëna prej 45 ditësh janë joreale.

“Duhet të kontaktoni Komisionin e Mbrojtjes së Konkurrencës për të marrë miratimin, në mënyrë që blerja të hyjë në fuqi. Nuk mund ta merrni atë për dhjetë ditë, sepse bëhet fjalë për një procedurë serioze”, shpjegoi Petroviq.

Ai nuk e përjashtoi as mundësinë që shteti ta shfuqizojë Ligjin për mbrojtjen e konkurrencës në këtë rast. Sipas tij, në rast se një kompani e huaj blen NIS-in, kërkohet një vlerësim i kompanisë, i cili zgjat gjashtë muaj.

Në ditën kur janë shpallur sanksionet amerikane, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se Serbia ka 45 ditë kohë për të përfunduar “nënshkrimin e çfarëdo kontrate dhe marrëveshjeje me palën ruse”. Pas kësaj, siç ka thënë ai, sanksionet hyjnë “plotësisht” në fuqi.

NIS-i i tha Radios Evropa e Lirë më herët se “do t’i analizojë me kujdes të gjitha implikimet për veprimtarinë e kompanisë” dhe shtoi se mbetet i fokusuar në ruajtjen e stabilitetit në tregun e brendshëm të produkteve të naftës.

“Aktivitetet e kompanisë aktualisht po kryhen pa ndërprerje, furnizimi i zinxhirit të stacioneve të benzinës të NIS-it është duke u bërë me rregull dhe Rafineria e Naftës në Pançevë është duke funksionuar në gjendje normale, duke furnizuar tregun me të gjitha derivatet e nevojshme të naftës”, thanë nga kompania më 10 janar.

Novakoviç thotë se problemi i parë është furnizimi me naftë bruto, e cila kalon përmes naftësjellësit të Adriatikut, JANAF. NIS-i është partneri më i madh i biznesit i JANAF-it, i cili zotërohet në masë të madhe nga Kroacia - vend anëtar i BE-së.

“Kroacia nuk ka nevojë të vendosë vetë që t’i zbatojë sanksionet, por këto sanksione janë aq specifike, saqë nëse bëni biznes me një subjekt që është nën sanksionet e SHBA-së, ekziston mundësia që sanksionet të zbatohen edhe ndaj jush”, thotë Novakoviç. Një gjë e tillë, sipas tij, vlen edhe për bankat.

“Kjo mund të shihet në sanksionet e SHBA-së kundër Dodikut, elitës politike në Republikën Sërpska dhe kompanive të lidhura me të. Ata kanë bërë përpjekje ta transferojnë pronësinë, t’ua transferojnë atë subjekteve të tjera, por pa sukses”, thotë Novakoviç.

Millorad Dodik, president i Republikës Sërpska në Bosnje e Hercegovinë, anëtarë të caktuar të familjes së tij dhe disa kompani janë nën sanksionet e SHBA-së. Sipas raportit vjetor të Agjencisë Shtetërore të Energjisë së Serbisë për vitin 2023, gati 80 për qind e konsumit të naftës në Serbi sigurohet nga importi.

Po sipas këtij raporti, rreth katër milionë tonë naftë janë konsumuar në vitin 2023. Atë vit, për shkak të sanksioneve të BE-së, për herë të parë në historinë e industrisë serbe të naftës, nuk ka pasur importe të naftës bruto me origjinë ruse.

Sanksionet kundër Rusisë kanë nënkuptuar ndalimin e përdorimit të infrastrukturës evropiane për transportimin dhe përpunimin e naftës bruto ruse. Në vitin 2023, Serbia ka importuar naftë kryesisht nga Azerbajxhani, Iraku, Kazakistani dhe Norvegjia. Novakoviç thotë se NIS-i është një shtyllë e ndikimit rus, sepse të gjitha aktivitetet zyrtare ruse kalojnë nëpërmjet tij.

“NIS mbështet organizatat kulturore, ka financuar përfundimin e ndërtimit të tempullit të Shën Savës, është sponsor kryesor i klubit të futbollit ‘Crvena Zvezda’”, thotë ai. Kjo, sipas tij, ka bërë që Rusia të ketë ndikim të drejtpërdrejtë, pasi që NIS-i është një nga kompanitë më të mëdha në Serbi.

“Ka edhe kompani të tjera në pronësi të firmave ruse, por ato nuk kanë aq shumë ndikim”, thotë Novakoviç.

Që nga fillimi i agresionit rus kundër Ukrainës në shkurt të vitit 2022, Serbia ka bërë përpjekje t’i diversifikojë burimet dhe rrugët e saj të furnizimit me energji. Megjithatë, ajo ende varet në masë të madhe nga importet e gazit rus. Kontrata e furnizimit skadon në mars dhe pritet të diskutohet për zgjatjen e saj.

Kjo varësi energjetike është një nga argumentet e autoriteteve serbe që nuk u janë bashkuar sanksioneve të Perëndimit kundër Rusisë. Megjithatë, zyrtarët e Shteteve të Bashkuara sigurojnë se për Serbinë nuk do të ketë pasoja ekonomike nëse hiqet pronësia ruse e NIS-it.

Sipas tyre, kjo do ta ndihmonte Serbinë t’i diversifikonte burimet e saj të energjisë dhe të bëhej e pavarur. Pasi BE-ja ka vendosur sanksione të reja tregtare ndaj Rusisë në vitin 2022, Serbia dhe Hungaria kanë rënë dakord në tetor të atij viti që të ndërtojnë një tubacion nafte, që do t’i mundësonte Serbisë të furnizohej me “naftë më të lirë nga Uralet, duke u lidhur me tubacionin Druzhba”. Ministrja serbe e Energjisë, Dubravka Gjedoviq Handanoviq, ka thënë më herët se ndërtimi i këtij tubacioni do të fillojë në gjysmën e dytë të vitit 2025./REL

Artikuj te sugjeruar

video

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 16

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 16

Gruaja me dy identitete që premton “shërim” me ujin e kufomave në Pejë

A ka Shqipëria një Nicola Gratteri?

Katër nëna në kërkim të fëmijeve/ Bisedat që zbuluan rrjetin e errët

Flamur Gjuzi, i dënuar për"shpërdorim detyre" sot drejtor i Policisë Bashkiake, sërish shkel ligjin?

Pallatet u zhytën“Durrës Marina" dhe Autoriteti Portual bëjnë veprimin e papritur përballë skandalit

Ekskluzive/ Nicola Gratteri çmonton skemën e pastrimit të parave të ndërtimit në Tiranë

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 15

Enkel Demi duke luftuar paragjykimet për shqiptarët. (kamera e fshehtë)

Milva Ekonomi i firmosi miliona euro Vilma Nushit, kjo e fundit i investoi te kulla e Ervin Matës

Ajo çfarë mund të na mësojë Kosova.

Laboratorë “copy-paste”/ I njëjti mjek firmos analiza në disa pika, skema që ngre pikëpyetje

Rrjeti i ‘errët’ i vajzave të zhdukura! Bisedat tronditëse si funksiononte grupi.

Bleu 300 m2 tokë në vitin 2004, kthehet nga emigrimi dhe gjen aty vilë 3-katëshe.

“Na detyruan nga Dubai”/ Konstruktori i Durrës Marina zbulon pse u zhytën pallatet

Drejtori që tregon sjellje të pahijshme me nxënësen: Jam i fortë edhe në parti

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 14

Turisti zemërgjerë nga Italia dhe patatinat falas

Aksidentet “pushtojnë” oborrin e familjes në Klos, banori: Një ditë do ndodhë tragjedi

Lidhja jashtëmartesore që përfundoi në makth /32-vjeçarja rrëfen shantazhin me video intime

Sherr në terminalin e Peshkopisë, shoferi: Mos më vidh pasagjerët! Shko ha bukë te pjesa jote

Artisti dhe Frika

Si u kthye në urrejtje dashuria mes ish-bashkëshortëve dhe ‘lufta’ për 200 mijë euro!

14-vjeçare me dr*gë dhepro*titucion, rrjeti i errët i minoreneve të zhdukura

Zhytja e pallateve te Alabarit/ IKMT pranon anomalitë në “Durrës Marina”: Janë zhytur 28 cm

"Ederlezi", festa e veçantë e komunitetit rom.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 13

Do t’i fus duart edhe nëse bërtet, motra e 13 vjeçares rrëfen tmerrin e mesazheve që mësuesi ia çon

“Inspektori gjobëvënës” i bashkisë terrorizon qytetarët

Pagat e mohura të druvarëve në Navaricë! Miliona lekë për të marrë dhe kërcënime

Rruga Thumanë–Kashar/ 1 miliard euro dhe “5 lekëshi” që po merret nga xhepat e qytetarëve

Me viza turistike ose kontrata futbolli drejt Europës/ Kush fshihet pas skemës së trafikimit?

Nënat denoncojnë ikjet nga shtëpia dhe jetën e dyshimtë të adoleshentëve

Për mediat dhe fëmijët

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 12

Muzikanti i rruges “vjedh” koleget. Banka e fundit

Dajak për 50 metra rrugë në Dibër, kushërinjtë në ’luftë’ për pronën.

Fisnik Syla, “BAMIRËS” apo shantazhues

A janë "idiotë "shqiptarët e Maqedonisë së Veriut? Çfarë do të thoshte Arbën Xhaferraj?

Presidenti i FSHP reagon për deklaratat e Erkand Qerimaj: Lajthita atëherë, tani kam reflektuar

Nga jetimorja te humbja e kujdestarisë. Rrëfen nëna që kërkon bashkimin me vajzën pas 13 vitesh

Tigrat e Vlorës: energjia që prodhohet 6 herë më shtrenjtë se sa shitet.

Skandali i zhytjes së pallateve në Durrës Marina / Ndërhyn IKMT.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 11

Dhjetëra punonjës fasonerie pa marrë pagat: Blerimi mori lekët dhe u zhduk! Pronari premton zgjidhje

Hapet filial i bankës turke në “zemër” të Bllokut, reklamat vendosen pa leje

Energji për brezin tim

Nga ‘Viola’ tek Dorina: Si përfundoi në borxh një histori dashurie në distancë

Firma “Trade Minerals Al” po shkatërron mjedisin dhe infrastrukturën e fshatit Gjegjan në Kukës

Nga shpërthimi i drejtorit te prapaskenat e ushqimit në institucionin privat në Elbasan