Bosnja dhe Hercegovina dhe Serbia janë ndër 12 shtetet që më 24 shkurt në Uashington iu bashkuan nismës amerikane për forcimin e furnizimit energjetik të rajonit, kanë konfirmuar zyrtarë të të dyja vendeve.
Ministri i Punëve të Jashtme i Bosnjës dhe Hercegovinës, Elmedin Konakoviq, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se, në emër të Bosnjës, më 24 shkurt në Uashington ka nënshkruar Deklaratën e përbashkët për forcimin e sigurisë së furnizimit me gaz natyror në Evropën Qendrore dhe Lindore.
Siç tha ai, bëhet fjalë për një nismë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me të cilën vendet nënshkruese – Bosnja dhe Hercegovina, Greqia, Bullgaria, Hungaria, Serbia, Polonia, Rumania, Sllovakia, Moldavia, Ukraina, Kroacia dhe Sllovenia – shprehin përkushtimin e përbashkët për diversifikimin e burimeve dhe rrugëve të furnizimit, forcimin e infrastrukturës rajonale, përmirësimin e marrëveshjeve komerciale, si dhe stabilitetin afatgjatë energjetik.
“Bëhet fjalë për të ashtuquajturin korridor vertikal, një koncept i shpërndarjes të gazit të lëngshëm natyror [LNG] përmes infrastrukturës që tashmë ekziston në Evropë ose që duhet të ndërtohet, me dëshirën dhe synimin e SHBA-së që realisht të dominojë këtë treg si në aspektin gjeopolitik, ashtu edhe në atë ekonomik, gjë që për Bosnjën dhe Hercegovinën është shumë e përshtatshme”, tha Konkoviq për REL-in.
“Ne e kemi vendin tonë në këtë nismë për shkak të interesit për ndërtimin e Ndërlidhjes Jugore, me ç’rast jo vetëm që do t’i zgjidhnim problemet tona dhe do të kishim mundësi të siguronim burime të tjera gazi, përveç atij rus, por do të bëheshim në njëfarë mënyre edhe një korridor përmes të cilit gazi LNG do të mund të transportohej drejt Evropës Juglindore dhe disa pjesëve të tjera të Evropës. Prandaj, vërtet kemi fat që ekziston interes amerikan, gjë që ekonomikisht për ne do të thotë shumë”, shtoi ai.
Ministrja e Minierave dhe Energjisë e Serbisë, Dubravka Gjedoviq Handanoviq, njoftoi se Serbia e ka mbështetur iniciativën e SHBA-së, e cila synon forcimin e qëndrueshmërisë së tregut të gazit natyror dhe arritjen e objektivit rajonal të sigurisë së furnizimit me gaz.
“Diskutuam mbi masat që mund të ndërmarrim për të siguruar që furnizimi me gaz të jetë i besueshëm, si harmonizimi i bursave të gazit, investimet, ndërtimi i infrastrukturës së re të gazit dhe stabiliteti afatgjatë i tregtisë me gaz natyror. Kjo nuk do të thotë të kthehemi plotësisht tek një furnizues i vetëm, por rritjen e sigurisë energjetike”, tha ajo.
Deklarata u nënshkrua në kuadër të Samitit Transatlantik për Sigurinë e Gazit, të cilin e udhëhoqën sekretari amerikan i Brendshëm Doug Burgum dhe ai i Energjisë Chris Wright.
Ndërkaq, ministrja e Ekonomisë së Kosovës, Artane Rizvanolli, ka njoftuar përmes një postimi në Facebook se në Uashington është takuar me sekretarët Wright dhe Burgum, pas takimit ministror për partneritet të qëndrueshëm transatlantik. Ajo ka publikuar një fotografi me dy zyrtarët e lartë amerikanë, por nuk ka dhënë detaje të tjera për këtë takim.
Shtetet e Evropës Juglindore importojnë gaz rus përmes tubacionit Rrjedha Turke, që transporton gazin rus përmes Detit të Zi drejt Turqisë, e më pas përmes Bullgarisë dhe Serbisë arrin në Hungari.
Një fokus i veçantë në samit ishte zvogëlimi i varësisë nga burimet energjetike ruse, zgjerimi i infrastrukturës dhe marrëveshjeve komerciale përgjatë rrugëve ekzistuese energjetike në Evropë, si dhe rritja e rrjedhjes së LNG-së amerikane drejt Evropës Lindore.
Ministri Elmedin Konakoviq thekson se “nuk dyshon në qëllimet e mira të vendeve të tjera nënshkruese” dhe se ishte “veçanërisht intriguese të shihje nënshkrimet e Hungarisë dhe Serbisë, të cilat deri tani kishin një qasje tjetër”.
“Nënshkrimi i deklaratës së sotme është një paralajmërim për një kthesë që sjell shumë për Bosnjën dhe Hercegovinën. Sa më shumë prezencë amerikane dhe sa më pak prezencë ruse në rajonin tonë do të thotë stabilizim për Bosnjën dhe Hercegovinën. Ajo që kemi nga Rusia është një ndikim malinj. Ata ngadalësojnë rrugën e të gjithë rajonit drejt Bashkimit Evropian”, tha Konakoviq.
Me nënshkrimin e kësaj deklarate, Bosnja bëhet pjesë e një korridori të ri që do të zvogëlojë varësinë nga energjia ruse.
Sipas Ambasadës së SHBA-së, ndërtimi i tubacionit Ndërlidhja Jugore mund të fillojë gjatë vitit 2026. Ai do t’i mundësonte Bosnje e Hercegovinës të merrte gaz direkt nga terminali LNG në ishullin Kërk në veri të Adriatikut, duke siguruar diversifikim të burimeve. Rreth 60% e gazit në terminalin e Kërkut vjen nga SHBA-ja, ndërsa pjesa tjetër nga Lindja e Mesme.
Rruga e Ndërlidhjes Jugor do të fillonte në Travnik në qendër të Bosnjës, do të kalonte përmes Tomislavgradit dhe Posushjes në Hercegovinë Perëndimore, do të kalonte kufirin tek Imotski dhe do të lidhej me rrjetin gazifikues kroat pranë Makarskës, me vazhdim drejt Splitit.
Aktualisht, Bosnja merr 100% të gazit nga Rusia, dhe kjo përmes terminalit të vetëm të vendit, Shepak, në kufi me Serbinë.
Serbia aktualisht mbulon mbi 80% të nevojave ditore për gaz nga Rusia, përmes tubacionit Rrjedha e Ballkanit, që është pjesë e Rrjedhës Turke.
Serbia nuk arriti të sigurojë një kontratë të re afatgjatë me Gazpromin rus vitin e kaluar, ndërsa marrëveshja afatshkurtër e arritur në dhjetor skadon më 31 mars. Serbia gjithashtu blen gaz nga Azerbajxhani, përmes Bullgarisë, ndërsa ndërtimi i tubacionit drejt Maqedonisë së Veriut, që do t’i mundësonte Serbisë qasje në LNG nga Greqia, pritet të nisë këtë vit.
“Me ndërtimin e interkoneksioneve gazi drejt Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë në dy vjetët e ardhshme, së bashku me interkoneksionin ekzistues Serbi-Bullgari, do të kemi kapacitet për transport rreth katër miliardë metra kub gaz në vit”m tha Dubravka Gjedoviq Handanoviq.
Ajo shtoi se Deklaratën e përbashkët në Uashington e nënshkruan edhe fqinjët e Serbisë, dhe u dakorduan të konsultohen rregullisht për të arritur objektivat dhe siguruar alternativa në rast të ndërprerjeve ose pasigurisë së re.
Serbia është i vetmi vend kandidat për anëtarësim në BE në Ballkanin Perëndimor që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës. /Rel
Artikuj te sugjeruar
BOTA
24 Shkurt22:54
VIDEO/ Momenti kur kalimtarët përplasen dhunshëm me grabitësit e bizhuterive
Ky është momenti tronditës kur kalimtarë heroikë përdorin një sharrë dhe një furçë kopshti për t...
BOTA
24 Shkurt22:54
Stuhia e dëborës bllokon SHBA-në, anulohen mbi 2 mijë fluturime
Një stuhi e fuqishme dëbore goditi bregun lindor të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke sjellë reshje rekord që shka...
BOTA
24 Shkurt22:34
Zbardhet dëshmia tronditëse e një prej viktimave të Epstein: Më mashtruan dhe më izoluan në ishull
Një nga gratë që ka folur publikisht për përvojën e saj me financierin amerikan Jeffrey Epstein, Juliette Bryant, ka rrëfyer ...
BOTA
24 Shkurt22:17
Shtyhet dënimi për “mbretëreshën e ketaminës”, rrezikon 65 vite burg
Dënimi i trafikantes së drogës në Los Angeles, e njohur si "Mbretëresha e Ketaminës", është shtyrë nga 25 shkurti n...
BOTA
24 Shkurt22:17
Pas vdekjes së “El Mencho”, kush janë kartelët meksikanë më të kërkuar të drogës
Meksika po përballet me një kapitull të ri në luftën kundër krimit të organizuar pas vdekjes së Nemesio Oseguera Cervant...
BOTA
24 Shkurt21:56
Tarifa e re e Trump hyn në fuqi me një çmim më të ulët se sa pritej
Tarifat e reja globale të Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, kanë hyrë në fuqi me 10%, pavarësisht një premtimi p&eum...
BOTA
24 Shkurt21:42
Djali i princeshës së kurorës së Norvegjisë nën akuzë për 38 krime, përfshirë përdhunime
Ish-partneri i Marius Borg Høiby, djalit të princeshës së kurorës së Norvegjisë, i ka thënë gjykatës se e ki...
BOTA
24 Shkurt21:23
Tronditëse/ Gruaja 45-vjeçare dhunohet brutalisht nga partneri i saj, vetëm disa minuta pasi del nga diskoteka
Imazhet e sulmit brutal dhe rrahjes që një grua 45-vjeçare u dhunua nga partneri i saj jashtë një klubi nate në Kallithea ,...
BOTA
24 Shkurt21:17
Zelenskiy: Nuk jam në dijeni të afatit të korrikut të raportuar nga SHBA për marrëveshjen e paqes
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy tha të martën (24 shkurt) se nuk ishte në dijeni të afatit të 4 korrikut të SHBA-së p...
BOTA
24 Shkurt21:14
Vrasja e marokenit ndez krizë të re politike në Itali, oficeri në pranga: Gabova
Arrestimi i një oficeri policie në Itali, pas vrasjes së një marokeni, ka shkaktuar polemika pasi opozita akuzoi qeverinë e të dja...