BOTA

Cili është roli i Postës së Serbisë për serbët e Kosovës?

n.f Përditësimi i fundit 6 Gusht 2024, 17:30
Cili është roli i Postës së Serbisë për
Foto ilustruese

KOSOVË- Sërgjan Gjorgjeviç, 46-vjeçar nga Mitrovica e Veriut, beson se mbyllja e degëve të Postës së Serbisë ishte e paracaktuar mes Kosovës dhe Serbisë dhe shton se nuk është i befasuar nga lëvizja e autoriteteve kosovare.

“Komenti im është se është një marrëveshje mes (Aleksandar) Vuçiqit dhe (Albin) Kurtit se si të dorëzohen institucionet serbe. Kurti vetëm po e zbaton atë për të cilën është rënë dakord”, thotë ai në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë.

Pjesëtarët e komunitetit serb në katër komuna në veri të Kosovës nuk kanë mundur të përdorin shërbimet postare dhe financiare të Postës së Serbisë që nga 5 gushti, për shkak se nëntë degë të kësaj kompanie në Mitrovicën e Veriut, Zveçan, Leposaviç dhe Zubin Potok janë mbyllur. Arsyetimi i autoriteteve kosovare është se Posta e Serbisë nuk është e licencuar për të bërë biznes në Kosovë.

Disa nga shërbimet financiare që ofron Posta e Serbisë në Kosovë janë pagesa të ndryshme me porosi të institucioneve që punojnë në sistemin serb, dërgimi i parave, pagesa e faturave në sistemin serb, pagesa e sigurimit të veturës e të ngjashme.

Gjithashtu, në sportelet e Postës, qytetarëve u janë paguar edhe disa përfitime nga buxheti i Serbisë, si përfitime sociale, kompensim për fëmijë apo pensione. Pagimi i këtyre përfitimeve ka qenë i vështirë që nga fillimi i vitit për shkak se me vendim të Bankës Qendrore të Kosovës është hequr nga përdorimi dinari, valuta zyrtare e Serbisë.

Ka edhe shërbime postare që përdoren nga qytetarët apo institucionet, si dërgimi dhe pranimi i letrave, kartolinave, telegrameve e të ngjashme. Sërgjani shton se jeta e serbëve në veri të Kosovës ka qenë e vështirë në dy vjetët e fundit dhe se shumë nga ta në rrethin e tij po planifikojnë të largohen nga Kosova për shkak të presionit që ndiejnë.

Pjesëtarët e komunitetit serb i shohin si forma presioni përpjekjet e Qeverisë së Albin Kurtit për të vendosur pushtetin në veri të Kosovës. Fjala vjen, në fund të vitit 2022, me iniciativën e Listës Serbe, serbët në veri u larguan nga institucionet e Kosovës për shkak të insistimit të Qeverisë së Kosovës që targat serbe të zëvendësohen me ato të Kosovës. Më pas, për shkak të bojkotit të zgjedhjeve, kryetarët shqiptarë u zgjodhën në krye të komunave dhe autoritetet kosovare hoqën dinarin, filluan mbylljen e institucioneve serbe në Kosovë dhe konfiskuan prona në pronësi të Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Dragan Iliq nga Mitrovica Veriore tregon se bashkëqytetarët e tij gjithnjë e më shumë vendosin të largohen për shkak të situatës së paqëndrueshme në veri të Kosovës. Ai beson se mbyllja e degëve të Postës së Serbisë në veri të Kosovës nuk çon në paqe, por në destabilizim.

“Është sikur dikush po bën thirrje për atë (destabilizimin). Pikërisht sikur po bën thirrje që këtu të fillojnë trazirat e mira, sepse populli serb nuk do ta tolerojë këtë. Për të qenë i qartë”, tha ai për REL-in.

Për Millosh Petroviçin, mbyllja e degëve të Postës së Serbisë është shenjë se autoritetet e Kosovës po vazhdojnë t’i “marrin në dorë institucionet”. Megjithatë, ai beson se do të gjendet mënyra që pjesëtarët e komunitetit serb në Kosovë të marrin shërbime postare.

“Unë nuk shoh ndonjë problem të madh në këtë. Një problem më i rëndësishëm është se njerëzit nuk mund t'i tërheqin të ardhurat e tyre (në dinarë). Për mua personalisht kjo është vështirësia më e madhe”, thotë ai.

Ish-drejtori i Postës së Serbisë në Kosovë, Rangjel Nojkiq, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë sqaron se mbyllja e këtyre zyrave do ta vështirësojë komunikimin e pjesëtarëve të komunitetit serb me Serbinë dhe shtetet tjera. Ai vëren se shërbimet e Postës në sistemin serb i kanë shfrytëzuar edhe shqiptarët dhe vlerëson se funksionimi i kësaj kompanie është dashur të zgjidhet kohë më parë me autoritetet kosovare.

Pas konfliktit në Kosovë në vitin 1999, Serbia i zhvendosi institucionet e saj në zonat ku jetojnë serbët dhe vazhdoi financimin e tyre. Supozohej se me integrimin e serbëve në sistemin e Kosovës përmes një marrëveshjeje në kuadër të dialogut, institucionet e Serbisë në Kosovë do të shfuqizoheshin. Megjithatë, kjo nuk ndodhi kurrë.

Kosova nuk i njeh këto institucione dhe i konsideron të paligjshme, por deri më tani askush nuk ka tentuar t'i mbyllë. Autoritetet e Kosovës e arsyetuan veprimin e mbylljes së degëve të Postës së Serbisë në komunat në veri duke thënë se kompania funksiononte pa licencë dhe se nuk ishte e regjistruar në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë (ARBK).

Fjala vjen, degët e Postës së Serbisë funksionojnë edhe në zonat në jug të Ibrit. Rangjel Nojkiq beson se funksionimi i Postës së Serbisë në Kosovë mund të zgjidhet nëse ka vullnet të mirë dhe një vështrim real të situatës.

“Kjo do të thotë se menaxhmenti i Postës së Serbisë në Kosovë duhet urgjentisht të kontaktojë organin rregullativ dhe institucionet në Prishtinë për ta zgjidhur këtë problem. Duhet nisur një iniciativë dhe jo vetëm të heshtet, ndodhi ajo që ndodhi”, thotë Nojkiq në një prononcim për Radion Evropa e Lirë. Ai thekson se sa ishte drejtor i Postës së Serbisë në Kosovë, ka bashkëpunuar me autoritetet kosovare për të siguruar funksionimin normal të asaj kompanie.

“Ne kurrë nuk e kemi injoruar Beogradin, gjithmonë kam raportuar tek ata se çfarë kam rënë dakord (me autoritetet e Kosovës) dhe për çfarë qëllimi”, shton Nojkiq.

Drejtor aktual i Postës së Serbisë në Kosovë është Ivan Milojeviq. Ai më herët ka marrë pjesë në punën e Qeverisë së Kosovës si pjesë e Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve të Kosovës që ka mbështetjen e Beogradit. Ai ishte drejtor i Zyrës për Komunitete në Kabinetin e Kryeministrit të Kosovës dhe ministër i Zhvillimit Rajonal.

Zoran Angjelkoviç, ushtrues detyre i drejtorit të Ndërmarrjes Publike Posta e Serbisë me qendër në Beograd, ka njoftuar më 5 gusht se në bashkëpunim me Zyrën për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, do të gjendet mënyra për të vazhduar ofrimin e shërbimeve në Kosovë.

Kompania nuk u është përgjigjur pyetjeve të REL-it nëse po i shqyrtojnë mënyrat se si do të vazhdojë funksionimin Posta e Serbisë dhe nëse do të kërkohet që kjo çështje të ngrihet në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Nuk janë përgjigjur as Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.

Drejtori i kësaj zyre, Petar Petkoviç, më herët ka thënë se me mbylljen e degëve të Postës së Serbisë, Kosova ka shkelur Marrëveshjen e Brukselit sepse është rënë dakord që kjo çështje të diskutohet në kuadër të dialogut.

Më pas BE-ja, e cila është duke ndërmjetësuar dialogun, tha se në kuadër të Marrëveshjes së Telekomunikacionit të arritur më 2013 dhe Planit të Veprimit më 2015, të dyja palët ranë dakord që të diskutojnë shërbimet postare "në një fazë të mëvonshme", duke pranuar kështu se kjo çështje mund të zgjidhet vetëm brenda dialogut.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, e quajti “të turpshëm dhe të vrazhdë” njoftimin e Bashkimit Evropian për shkak të thirrjes për gjetjen e zgjidhjes përmes negociatave në kuadër të dialogut. Ai shtoi se sjellja e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti është “përpjekje për të provokuar një konflikt armatosur”.

"Ne nuk duam luftë, ne duam të ruajmë paqen. Kurti po e bën këtë në mënyrë të qëllimshme dhe të organizuar me mbështetjen e disa fuqive perëndimore", tha Vuçiç. Dushan Janjiç nga Forumi për Marrëdhënie Etnike thotë se ekziston rreziku i krizës së sigurisë sepse takimet në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi “vetëm simulohen” në Bruksel.

“Nuk kërkohet zgjidhje. Ata (autoritetet e Kosovës) vetëm po e inkurajojnë veten për nevojat e tyre elektorale”, thotë Janjiç.

I inkurajuar është edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, shton Janjiç, sepse vendet perëndimore aktualisht nuk duan të merren me krizën në Ballkanin Perëndimor.

“Është e sigurt se në gjithë lojën ka një konflikt serioz mes menaxhmentit (të vendeve) të tjera sepse BE-ja e ka humbur ndikimin e saj. Por, tashmë gjithçka është në fazën e shtyrjes politiko-diplomatike, përveç veprimeve të menjëhershme për uljen e rrezikut. Ambasadori amerikan (Jeffrey Hovenier) nga Prishtina po e bën këtë me shumë sukses, është një shembull tekstual për ju”, thotë Janjiç.

Ambasada e SHBA-së në Prishtinë njoftoi se është thellësisht e zhgënjyer nga veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara të Qeverisë së Kosovës lidhur me mbylljen e degëve të Postës së Serbisë.

“Veprimet e pakoordinuara të Kosovës i vënë qytetarët e Kosovës dhe ushtarët e KFOR-it në rrezik të madh, promovojnë një përshkallëzim të panevojshëm të tensioneve rajonale dhe minojnë reputacionin e Kosovës si një partner i besueshëm ndërkombëtar”, thuhet në reagim.

Edhe ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë, Jorn Rohde, ka reaguar me pretendimet se veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara, jo vetëm që janë në kundërshtim me marrëveshjet në kuadër të dialogut, por edhe rrezikojnë që kërkesa e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian të mbetet e bllokuar./ REL

kosove posta serbe

Artikuj te sugjeruar

video

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 16

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 16

Gruaja me dy identitete që premton “shërim” me ujin e kufomave në Pejë

A ka Shqipëria një Nicola Gratteri?

Katër nëna në kërkim të fëmijeve/ Bisedat që zbuluan rrjetin e errët

Flamur Gjuzi, i dënuar për"shpërdorim detyre" sot drejtor i Policisë Bashkiake, sërish shkel ligjin?

Pallatet u zhytën“Durrës Marina" dhe Autoriteti Portual bëjnë veprimin e papritur përballë skandalit

Ekskluzive/ Nicola Gratteri çmonton skemën e pastrimit të parave të ndërtimit në Tiranë

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 15

Enkel Demi duke luftuar paragjykimet për shqiptarët. (kamera e fshehtë)

Milva Ekonomi i firmosi miliona euro Vilma Nushit, kjo e fundit i investoi te kulla e Ervin Matës

Ajo çfarë mund të na mësojë Kosova.

Laboratorë “copy-paste”/ I njëjti mjek firmos analiza në disa pika, skema që ngre pikëpyetje

Rrjeti i ‘errët’ i vajzave të zhdukura! Bisedat tronditëse si funksiononte grupi.

Bleu 300 m2 tokë në vitin 2004, kthehet nga emigrimi dhe gjen aty vilë 3-katëshe.

“Na detyruan nga Dubai”/ Konstruktori i Durrës Marina zbulon pse u zhytën pallatet

Drejtori që tregon sjellje të pahijshme me nxënësen: Jam i fortë edhe në parti

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 14

Turisti zemërgjerë nga Italia dhe patatinat falas

Aksidentet “pushtojnë” oborrin e familjes në Klos, banori: Një ditë do ndodhë tragjedi

Lidhja jashtëmartesore që përfundoi në makth /32-vjeçarja rrëfen shantazhin me video intime

Sherr në terminalin e Peshkopisë, shoferi: Mos më vidh pasagjerët! Shko ha bukë te pjesa jote

Artisti dhe Frika

Si u kthye në urrejtje dashuria mes ish-bashkëshortëve dhe ‘lufta’ për 200 mijë euro!

14-vjeçare me dr*gë dhepro*titucion, rrjeti i errët i minoreneve të zhdukura

Zhytja e pallateve te Alabarit/ IKMT pranon anomalitë në “Durrës Marina”: Janë zhytur 28 cm

"Ederlezi", festa e veçantë e komunitetit rom.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 13

Do t’i fus duart edhe nëse bërtet, motra e 13 vjeçares rrëfen tmerrin e mesazheve që mësuesi ia çon

“Inspektori gjobëvënës” i bashkisë terrorizon qytetarët

Pagat e mohura të druvarëve në Navaricë! Miliona lekë për të marrë dhe kërcënime

Rruga Thumanë–Kashar/ 1 miliard euro dhe “5 lekëshi” që po merret nga xhepat e qytetarëve

Me viza turistike ose kontrata futbolli drejt Europës/ Kush fshihet pas skemës së trafikimit?

Nënat denoncojnë ikjet nga shtëpia dhe jetën e dyshimtë të adoleshentëve

Për mediat dhe fëmijët

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 12

Muzikanti i rruges “vjedh” koleget. Banka e fundit

Dajak për 50 metra rrugë në Dibër, kushërinjtë në ’luftë’ për pronën.

Fisnik Syla, “BAMIRËS” apo shantazhues

A janë "idiotë "shqiptarët e Maqedonisë së Veriut? Çfarë do të thoshte Arbën Xhaferraj?

Presidenti i FSHP reagon për deklaratat e Erkand Qerimaj: Lajthita atëherë, tani kam reflektuar

Nga jetimorja te humbja e kujdestarisë. Rrëfen nëna që kërkon bashkimin me vajzën pas 13 vitesh

Tigrat e Vlorës: energjia që prodhohet 6 herë më shtrenjtë se sa shitet.

Skandali i zhytjes së pallateve në Durrës Marina / Ndërhyn IKMT.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 11

Dhjetëra punonjës fasonerie pa marrë pagat: Blerimi mori lekët dhe u zhduk! Pronari premton zgjidhje

Hapet filial i bankës turke në “zemër” të Bllokut, reklamat vendosen pa leje

Energji për brezin tim

Nga ‘Viola’ tek Dorina: Si përfundoi në borxh një histori dashurie në distancë

Firma “Trade Minerals Al” po shkatërron mjedisin dhe infrastrukturën e fshatit Gjegjan në Kukës

Nga shpërthimi i drejtorit te prapaskenat e ushqimit në institucionin privat në Elbasan