Një cunami me lartësi të paktën një metër mund të godasë rajonin e Mesdheut brenda 30 viteve të ardhshme, sipas të dhënave dhe vlerësimeve të publikuara nga UNESCO. Ky paralajmërim rrit shqetësimet për përgatitjen e zonave bregdetare ndaj fatkeqësive natyrore.
Sipas organizatës, probabiliteti që një cunami të ndodhë në Mesdhe brenda tre dekadave të ardhshme është shumë i lartë, edhe pse valët në këtë rajon zakonisht janë më të vogla se ato që ndodhin në oqeanet e mëdha.
Një nga zonat më të rrezikuara konsiderohet Riviera franceze, ku një valë e tillë mund të arrijë brigjet brenda vetëm 10 minutash, duke kërcënuar dhjetëra mijëra njerëz, sidomos gjatë sezonit turistik.
Franca ka ngritur një sistem kombëtar paralajmërimi për cunami, i cili mund të zbulojë tërmete që mund të shkaktojnë valë të mëdha dhe të dërgojë alarme për autoritetet brenda më pak se 15 minutash. Megjithatë, ky sistem është projektuar kryesisht për tërmete larg bregut dhe mund të mos identifikojë menjëherë ngjarje lokale, si rrëshqitjet nënujore.
Sipas Frédéric Leone, studiues në Universitetin e Montpellier, zona metropolitane e Nices dhe Bregu i Kaltër është veçanërisht e ekspozuar për shkak të urbanizimit të dendur, aktivitetit intensiv turistik dhe plazheve shumë të frekuentuara.
Vlerësimet bazuar në analiza fotografike dhe modele kompjuterike tregojnë se mes 10.000 dhe 87.000 njerëz mund të ndodhen në zonat që duhet të evakuohen gjatë periudhave me numër të lartë vizitorësh. Ekspertët theksojnë nevojën për ushtrime të rregullta evakuimi dhe masa shtesë sigurie.
Ndër shenjat paralajmëruese të një cunami përfshijnë dridhje të forta ose të gjata të tokës, një zhurmë të fortë nga deti dhe ndryshime të papritura të nivelit të ujit pranë bregut. Në raste të tilla, ekspertët rekomandojnë që njerëzit të lëvizin menjëherë drejt zonave më të larta ose kateve të sipërme të ndërtesave.
Sipas të dhënave historike, rreth 20 cunami janë regjistruar përgjatë Rivierës franceze nga shekulli XVI deri në fillim të viteve 2000, me valë që në disa raste kanë kaluar dy metra lartësi. Një nga rastet më të rënda ndodhi në 1979, kur një rrëshqitje nënujore pranë një kantieri ndërtimi shkaktoi një cunami që la tetë viktima dhe shkaktoi dëme të mëdha në Antibes, Cannes dhe Nice./PiranjatNews/