BOTA

Parlamenti i Malit të Zi miraton marrëveshjet me Emiratet mes kritikash dhe kundërshtimesh

r.ll Përditësimi i fundit 23 Prill 2025, 09:21
Parlamenti i Malit të Zi miraton marrëveshjet me Emiratet mes
parlamenti i malit te zi

PODGORICA- Kuvendi i Malit të Zi i ka miratuar me procedurë të përshpejtuar ligjet që ratifikojnë Marrëveshjen për bashkëpunim ekonomik dhe Marrëveshjen për bashkëpunim në fushën e turizmit dhe zhvillimit të pasurive të paluajtshme me Emiratet e Bashkuara Arabe.

Miratimi, me kërkesë të Qeverisë së kryeministrit Milojko Spajiq, ishte i domosdoshëm që marrëveshjet - të cilat Spajiq i nënshkroi më 28 mars me zyrtarët e Emirateve - të hynin në fuqi.

Marrëveshjet e kundërshtuan nga deputetët shqiptarë.

Por, ato u mbështetën nga deputetët e shumicës parlamentare – Lëvizja Evropa Tani e Spajiqit, Demokracia e Re Serbe e kryetarit të parlamentit Andrija Mandiq, Demokratët dhe Partia Boshnjake.

Debati, gjatë të cilit u hodhën poshtë të gjitha amendamentet e deputetëve, zgjati mbi 12 orë dhe përfundoi një orë pas mesnatës, më 23 prill.

Nga 81 deputetë, Marrëveshjen për bashkëpunim ekonomik e mbështetën 50, ndërsa atë për bashkëpunim në turizëm dhe pasuri të paluajtshme e mbështetën 46 deputetë. Dhjetë ishin kundër të dyja marrëveshjeve, ndërsa një pjesë e opozitës e braktisi sallën para votimit.

Një pjesë e aktivistëve dhe sektorit joqeveritar konsideron se me miratimin e këtyre Marrëveshjeve është “pezulluar” Kushtetuta dhe një pjesë e ligjeve të Malit të Zi.

Në fakt, marrëveshjet ndërmjet shtetesh që u miratuan kanë përparësi ndaj legjislacionit vendas në rast të ndonjë mosmarrëveshjeje.

Ato nuk parashikojnë respektimin e dispozitave vendore për prokurime publike dhe tenderë, megjithëse Kushtetuta përcakton treg të lirë dhe ndalon shtrembërimin e konkurrencës dhe nxitjen e monopoleve.

Edhe pse në marrëveshje nuk specifikohet vendndodhja e investimeve, Qeveria ka njoftuar më herët se ato lidhen me investimet e biznesmenit arab Mohamed Alabbar në Plazhin e Madh të Ulqinit, ndaj të cilave ka kundërshtime të ashpra nga komuniteti lokal, ekologët dhe opozita.

Bëhet fjalë për një qira 99-vjeçare të një pjese të Plazhit të Madh, që së bashku me hapësirën përreth përfshin rreth 20 milionë metra katrorë, ku do të ndërtoheshin objekte turistike dhe banimi, ka bërë të ditur disa herë kryeministri Spajiq.

Në fillim të prillit, ai deklaroi në Kuvend se Alabbar është i gatshëm t’i investojë rreth 35 miliardë euro. Më vonë, ai e relativizoi këtë deklaratë duke thënë se bëhet fjalë për potencialin e tërheqjes së investimeve në atë shumë.

Marrëveshja e detyron Qeverinë në Podgoricë të përgatisë dokumentacionin planifikues në përputhje me dëshirat e investitorëve arabë, të ndërtojë infrastrukturën për projektet dhe të marrë përsipër kostot e eksproprijimit.

Nuk ka ndonjë vlerësim të qartë se sa do t’i kushtojë kjo Malit të Zi.

Alabbar ka qenë i përfshirë edhe në ndërtimin e projektit “Beogradi në ujë”.

Përveç Kuvendit Komunal të Ulqinit, të gjithë deputetët e Kuvendit të Malit të Zi nga ky qytet kanë qenë kundër kësaj marrëveshjeje.

Para debatit, kryetari i komunës, Genc Nimanbegu, tha se deputetët që do të mbështesin ligjet e propozuara “do të bëhen armiq të Ulqinit”.

“Njëzet milionë metra katrorë të Plazhit të Madh të Ulqinit po jepen me qira për 99 vjet. Si i shkoi dikujt në mendje ta bëjë këtë pa diskutim publik, pa përfshirjen e pushtetit lokal dhe publikut profesional?”, tha Nimanbegu.

Deputeti Mehmet Zenka, gjatë debatit për marrëveshjen, deklaroi se “në 100 vitet e fundit, nuk ka ndodhur një fatkeqësi më e madhe për Ulqinin”.

Kryetari i URA-s, Dritan Abazoviq, tha se me këtë marrëveshje po mundësohet shitja e Malit të Zi dhe po cenohet Kushtetuta, pasi “po planifikohet konfiskimi i pronës së qytetarëve pa ndonjë arsyetim se ku qëndron interesi publik”.

“Si mund të jenë interes publik apartamentet për shitje dhe hotel-kondot?”, pyeti Abazoviq, duke iu referuar dispozitës që e cilëson projektin si interes publik.

Më 17 prill, ai njoftoi se URA ka dorëzuar një kallëzim penal në Prokurorinë Speciale kundër Spajiqit dhe personave të panjohur për shkak të nënshkrimit të marrëveshjes.

Deputeti i Aleancës Shqiptare, Ilir Çapuni, i mbështetur nga partitë e tjera shqiptare, deklaroi se marrëveshja cenon të drejtat e pakicave, duke u mbështetur në Ligjin për të Drejtat dhe Liritë e Pakicave.

Në emër të Qeverisë, si propozues, u përgjigj ministrja e Administratës Publike, Majda Adxheviq, e cila tha se kërkesa është e pabazë, pasi në marrëveshje nuk përmendet asnjë qytet apo komunë.

Partia më e madhe opozitare, Partia Demokratike e Socialistëve (DPS), ka paraqitur disa arsye pse është kundër kësaj marrëveshjeje.

“Arsyet kryesore kanë të bëjnë me: procedurat jotransparente, mungesën e komunikimit të mjaftueshëm me publikun dhe përmbajtjen e vetë marrëveshjes”, tha deputeti i DPS-it, Nikolla Rakoçeviq.

Kolegu i tij i partisë, Ivan Vukoviq, deklaroi se në mënyrë figurative, kemi të bëjmë me një “tentativë për grabitjen e Malit të Zi”.

“Qeveria, e mbështetur nga shumica, synon të dhurojë tokë në vlerë prej 20 miliardë eurosh, të përgatisë dokumentacionin planifikues, të pastrojë juridikisht pronën në emër të interesit publik, të sjellë energji elektrike, ujë, kanalizim… gjë që do të kushtojë qindra miliona euro", tha ai.

Ai pyeti pse përmendet Alabbar nëse nuk dihet kush është investitori, dhe pse kryeministri përmend Ulqinin nëse nuk dihet vendndodhja konkrete.

“Të gjithë ata që e mbështesin këtë marrëveshje do të japin llogari një ditë", tha Vukoviq.

DPS e braktisi sallën para votimit për marrëveshjet.

Deputeti i Socialdemokratëve opozitarë, Boris Mugosha, tha se askush nuk është kundër investimeve, por se duhet të respektohet Kushtetuta e Malit të Zi.

“Si edhe legjislacioni kombëtar, interesat e komunitetit lokal dhe detyrimet në rrugën drejt BE-së", tha ai.

Edhe presidenti i shtetit, Jakov Millatoviq, konsideron se marrëveshja e Qeverisë me Emiratet e Bashkuara Arabe është “e paligjshme”, pasi “pezullon” ligjet e Malit të Zi. Ai ka kërkuar nga Komisioni Evropian një opinion mbi përputhshmërinë e saj me standardet juridike evropiane.

Deputetët e Lëvizjes Evropa Tani të Spajiqit morën mbështetjen më të madhe nga partia Demokracia e Re Serbe, presidenti i së cilës është edhe kryetar i Kuvendit, Andrija Mandiq.

Ai deklaroi se për herë të parë në historinë e shtetit “po na paraqitet një investim kaq i madh dhe një mundësi për të rilindur këtë vend”.

Deputeti i partisë së tij, Marko Kovaçeviq, tha se opozitës i pengon fakti që pushteti do të arrijë një marrëveshje të tillë me investitorë të huaj.

Ai shtoi se “kurrë nuk kemi votuar për tradhtinë e vendit dhe nuk do ta bëjmë as tani”.

Deputetja e lëvizjes së Spajiqit, Jellena Nedoviq, deklaroi se në vend që të ndihet “gëzim për një investitor të besueshëm”, Mali i Zi po dëgjon sot histori të ndryshme, manipulime dhe sulme ndaj deputetëve.

Ajo tha se investitori potencial, Mohamed Alabbar, është i besueshëm.

Ajo gjithashtu theksoi se gjithçka është bërë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet.

Siç ishte paralajmëruar më herët, kryeministri Millojko Spajiq nuk mori pjesë në debat, pasi ndodhet në një vizitë zyrtare në SHBA.

Në vend të tij, marrëveshjet para deputetëve i prezantoi ministrja e Punëve Publike, Majda Adxheviq.

Ajo vlerësoi se votimi kundër marrëveshjes mund të sjellë vetëm një rezultat – ndërprerje të përhershme të bashkëpunimit me Emiratet në fushën e turizmit.

“Lajmi për refuzimin e ratifikimit të marrëveshjes do të ishte një lloj shuplake diplomatike", tha Adxheviq.

Sipas saj, investimi nuk do të realizohet në komunat që nuk e dëshirojnë, përfshirë Ulqinin, por Qeveria nuk do të heqë dorë – ajo do të mbështesë komunat që janë të interesuara për investime.

Ministria e Punëve Publike, e cila është bartësja kryesore e projektit të Qeverisë, u formua këtë muaj.

Adxheviq u zgjodh ministre më 14 prill.

Edhe rrjeti joqeveritar MANS, i cili për dekada ka luftuar kundër korrupsionit – theksoi se marrëveshja e përjashton investitorin nga juridiksioni i gjyqësorit vendor dhe pezullon Kushtetutën dhe ligjet, sidomos në fushën e prokurimeve publike dhe tenderëve.

Ata paralajmëruan për rrezikun e lartë të shpëlarjes së parave, duke qenë se të dhënat për pronarët realë të kompanive të regjistruara në Emirate nuk janë të qasshme publikisht, kështu që Qeveria nuk do të mund të verifikojë se kujt po ia jep pasurinë shtetërore.

Ekologët paralajmëruan gjithashtu se ndërtimet e planifikuara në Plazhin e Madh të Ulqinit do të dëmtonin rëndë mjedisin e Sollanës. Sollana është një nga vendbanimet më të rëndësishme të shpendëve në Evropë./REL

Artikuj te sugjeruar

video

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 16

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 16

Gruaja me dy identitete që premton “shërim” me ujin e kufomave në Pejë

A ka Shqipëria një Nicola Gratteri?

Katër nëna në kërkim të fëmijeve/ Bisedat që zbuluan rrjetin e errët

Flamur Gjuzi, i dënuar për"shpërdorim detyre" sot drejtor i Policisë Bashkiake, sërish shkel ligjin?

Pallatet u zhytën“Durrës Marina" dhe Autoriteti Portual bëjnë veprimin e papritur përballë skandalit

Ekskluzive/ Nicola Gratteri çmonton skemën e pastrimit të parave të ndërtimit në Tiranë

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 15

Enkel Demi duke luftuar paragjykimet për shqiptarët. (kamera e fshehtë)

Milva Ekonomi i firmosi miliona euro Vilma Nushit, kjo e fundit i investoi te kulla e Ervin Matës

Ajo çfarë mund të na mësojë Kosova.

Laboratorë “copy-paste”/ I njëjti mjek firmos analiza në disa pika, skema që ngre pikëpyetje

Rrjeti i ‘errët’ i vajzave të zhdukura! Bisedat tronditëse si funksiononte grupi.

Bleu 300 m2 tokë në vitin 2004, kthehet nga emigrimi dhe gjen aty vilë 3-katëshe.

“Na detyruan nga Dubai”/ Konstruktori i Durrës Marina zbulon pse u zhytën pallatet

Drejtori që tregon sjellje të pahijshme me nxënësen: Jam i fortë edhe në parti

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 14

Turisti zemërgjerë nga Italia dhe patatinat falas

Aksidentet “pushtojnë” oborrin e familjes në Klos, banori: Një ditë do ndodhë tragjedi

Lidhja jashtëmartesore që përfundoi në makth /32-vjeçarja rrëfen shantazhin me video intime

Sherr në terminalin e Peshkopisë, shoferi: Mos më vidh pasagjerët! Shko ha bukë te pjesa jote

Artisti dhe Frika

Si u kthye në urrejtje dashuria mes ish-bashkëshortëve dhe ‘lufta’ për 200 mijë euro!

14-vjeçare me dr*gë dhepro*titucion, rrjeti i errët i minoreneve të zhdukura

Zhytja e pallateve te Alabarit/ IKMT pranon anomalitë në “Durrës Marina”: Janë zhytur 28 cm

"Ederlezi", festa e veçantë e komunitetit rom.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 13

Do t’i fus duart edhe nëse bërtet, motra e 13 vjeçares rrëfen tmerrin e mesazheve që mësuesi ia çon

“Inspektori gjobëvënës” i bashkisë terrorizon qytetarët

Pagat e mohura të druvarëve në Navaricë! Miliona lekë për të marrë dhe kërcënime

Rruga Thumanë–Kashar/ 1 miliard euro dhe “5 lekëshi” që po merret nga xhepat e qytetarëve

Me viza turistike ose kontrata futbolli drejt Europës/ Kush fshihet pas skemës së trafikimit?

Nënat denoncojnë ikjet nga shtëpia dhe jetën e dyshimtë të adoleshentëve

Për mediat dhe fëmijët

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 12

Muzikanti i rruges “vjedh” koleget. Banka e fundit

Dajak për 50 metra rrugë në Dibër, kushërinjtë në ’luftë’ për pronën.

Fisnik Syla, “BAMIRËS” apo shantazhues

A janë "idiotë "shqiptarët e Maqedonisë së Veriut? Çfarë do të thoshte Arbën Xhaferraj?

Presidenti i FSHP reagon për deklaratat e Erkand Qerimaj: Lajthita atëherë, tani kam reflektuar

Nga jetimorja te humbja e kujdestarisë. Rrëfen nëna që kërkon bashkimin me vajzën pas 13 vitesh

Tigrat e Vlorës: energjia që prodhohet 6 herë më shtrenjtë se sa shitet.

Skandali i zhytjes së pallateve në Durrës Marina / Ndërhyn IKMT.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 11

Dhjetëra punonjës fasonerie pa marrë pagat: Blerimi mori lekët dhe u zhduk! Pronari premton zgjidhje

Hapet filial i bankës turke në “zemër” të Bllokut, reklamat vendosen pa leje

Energji për brezin tim

Nga ‘Viola’ tek Dorina: Si përfundoi në borxh një histori dashurie në distancë

Firma “Trade Minerals Al” po shkatërron mjedisin dhe infrastrukturën e fshatit Gjegjan në Kukës

Nga shpërthimi i drejtorit te prapaskenat e ushqimit në institucionin privat në Elbasan