SHBA pezulloi dialogun strategjik me Kosovën për shkak të veprimeve të qeverisë në detyrë të udhëhequr nga Albin Kurti. Reagimet nga opozita janë të ashpra.
Në Kosovë pati reagime të ashpra pas vendimit të SHBA-së që të pezullojë dialogun strategjik me Kosovën për shkak të veprimeve të qeverisë në detyrë të udhëhequr nga Albin Kurti, veprime këto të cilat, sipas SHBA-së, "kanë rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë, duke e vështirësuar bashkëpunimin në prioritetet e përbashkëta”.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, shprehu keqardhje dhe tha se është e shqetësuar thellë për vendimin e SHBA-ve për pezullimin e dialogut strategjik me Kosovën. Osmani tha se "çështja e aleancës me SHBA-në është çështje strategjike që kërkon unitet politik dhe angazhim të të gjithëve në Kosovë”.
"Qytetarët e Kosovës e dinë se liria e tyre u bë realitet edhe me ndihmën vendimtare të SHBA-së dhe se pa këtë miqësi historike nuk do të kishim arritur kurrë këtu ku jemi sot. Presidentja e Republikës së Kosovës do të vazhdojë të punojë ngushtë me Shtetet e Bashkuara në të gjitha fushat e interesit të përbashkët: forcimin e paqes dhe stabilitetit në rajon, demokratizimin e mëtejshëm të vendit tonë, ndërtimin e një të ardhmeje euroatlantike, si dhe mbrojtjen e vazhdueshme të sovranitetit, integritetit territorial dhe rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”, tha Osmani në një deklaratë. Sipas saj, "siguria e Kosovës është e lidhur me mbështetjen e SHBA-së”, dhe bëri thirrje që "secili duhet ta marrë me seriozitetin dhe përgjegjësinë maksimale ruajtjen e kësaj aleance të shenjtë”.
VV: I mirëpresim kritikat
Kryeministri në detyrë Albin Kurti, nuk e ka komentuar vendimin e SHBA-së për pezullimin e dialogut strategjik me Kosovën, por zëdhënësi i tij, Përparim Kryeziu, tha "i mirëpresin edhe kritikat, kurdo që ato janë konkrete”.
"Ne përpiqemi maksimalisht të përmirësojmë dhe korrigjojmë hapat e veprimet tona. Ne mbetemi të përkushtuar për të avancuar interesat e përbashkëta që ndajnë Shtetet e Bashkuara dhe populli i Kosovës”, tha zëdhënësi i qeverisë Kryeziu.
Ftesë për partitë opozitare në ambasadën e SHBA-së
Tre liderët e partive të deritashme opozitare, ai i Partisë Demokratike të Kosovës, PDK, Memli Krasniqi, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës LDK, Lumir Abdixhiku dhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, AAK, Ramush Haradinaj, mësohet se u ftuan në mbrëmjen e së premtes nga ambasada amerikane në Prishtinë në takime të ndara dhe larg syrit të mediave. Nuk u tha se çfarë është biseduar në takim me të ngarkuarën në ambasadën amerikane, Anu Prattipati. Por liderët e opozitës së deritashme menjëherë pas vendimit të SHBA-së, kritikuan ashpër kryeministrin në detyrë Albin Kurti.
PDK: Veprime të papërgjegjshme të qeverisë
Memli Krasniqi, kryetar i PDK-së, tha se "ky zhvillim i rëndë është pasojë e drejtpërdrejtë e veprimeve të pamatura dhe të papërgjegjshme të qeverisë në largim dhe kryeministrit në largim, Albin Kurti”.
"Sjellja e tij ka cenuar besimin dhe partneritetin me aleatin tonë më të madh dhe më të rëndësishëm strategjik, SHBA-në, vendin që ka qenë dhe mbetet mbështetësi më i madh i lirisë, pavarësisë dhe shtetndërtimit të Kosovës. Ky është dëmi më i madh politik, diplomatik dhe strategjik që i është shkaktuar Republikës së Kosovës në 25 vitet e lirisë së saj, duke cenuar drejtpërdrejt raportet me aleatin tonë kryesor dhe duke e vënë në pikëpyetje besueshmërinë ndërkombëtare të shtetit tonë”, tha Krasniqi.
Moment i rëndë
Kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku, tha se "pezullimi i dialogut strategjik të SHBA-së me Kosovën është momenti më i rëndë në marrëdhëniet mes dy vendeve”.
"Suspendimi i dialogut strategjik me SHBA-të paraqet pikën më të ulët të relacioneve të Kosovës me aleatin tonë strategjik dhe ekzistencial; si shtet i pavarur e sovran”, shkroi Abdixhiku, duke e akuzuar qeverinë në detyrë se "ka ndërtuar rrugëtimin e saj mbi krizën dhe përçarjen” dhe e cilësoi atë "shkatërruese të shtetit dhe shkelëse të Kushtetutës e ligjit”.
E kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj, tha se "Kosova po i kalon ditët më të errëta në historinë e vet”. "Ka një kohë të gjatë që unë dhe Aleanca kemi tërhequr vërejtjet tona për sjelljet e papërgjegjshme dhe destruktive të Kurtit dhe qeverisë së tij. Ndërsa sot gjendemi në një situatë që nuk ka mundur të paramendohet për Kosovën. I ftoj të gjitha forcat politike dhe gjithë shoqërinë kosovare që urgjentisht të reflektojmë për situatën në të cilën gjendemi”, tha Haradinaj.
Reagime nga biznesi dhe shoqëria civile
Edhe përfaqësuesit e ekonomisë dhe biznesit në Kosovë shprehën shqetësimin e thellë pas vendimit të SHBA-së për pezullimin e Dialogut Strategjik me Kosovën. Oda Ekonomike e Kosovës "apelon për rikthimin sa më të shpejtë të Dialogut Strategjik me SHBA dhe konsolidimin e politikave ekonomike, në mënyrë që të rikthehet besimi i investitorëve dhe të krijohen kushte të qëndrueshme për zhvillim”.
Reagime kishte edhe nga shumë organizata të shoqërisë civile, të cilat njëzëri kërkojnë unitet të spektrit politik kosovar dhe rikthim të dialogut strategjik me SHBA-në.
Pse u pezullua dialogu strategjik?
Vendimi i Shteteve të Bashkuara për të pezulluar dialogun strategjik me Kosovën ndodhi në ditën kur autoritetet kosovare e ndaluan punën e Fondit për Sigurim Shëndetësor dhe Fondit për Sigurim Invalidor e Pensional që funksionojnë sipas sistemit të Serbisë në Mitrovicë të Veriut. Po ashtu, një ditë më parë, autoritetet kosovare morën nën kontroll objektet e postës në Graçanicë dhe Shtërpcë, ku operonte Posta e Serbisë përmes sistemit paralel. Si rrjedhojë edhe e këtyre veprimeve pasoi dhe vendimi i SHBA-së për pezullimin e dialogut strategjik.
Dialogu strategjik, të cilin SHBA-ja e pezulloi të premten me Kosovën, është një proces që Departamenti Amerikan i Shtetit në shumicën e rasteve zhvillon me vende të ndryshme të botës me synim avancimin e marrëdhënieve bilaterale. Ky proces përfshin diskutime të nivelit të lartë mes dy vendeve që zhvillohen ose në Uashington, ose në vendin përkatës, mbi një gamë të gjerë temash si mbrojtja, siguria, mjedisi, energjia, bashkëpunimi ekonomik, etj.
Javët e fundit, kryeministri në detyrë Albin Kurti dhe zyrtarë të lartë të partisë së tij, e kanë kritikuar edhe Gjykatën Kushtetuesepër siç thonë "njëanshmëri”, duke theksuar se "Gjykata Kushtetuese është e afërt me partitë shqiptare që mandatin e kaluar ishin në opozitë”.
Lëvizja Vetëvendosja përmes përfaqësuesve të saj në KQZ, po ashtu, ka bërë përpjekje të pasuksesshme që t'i ndalojë Listës Srpska pjesëmarrjen si në zgjedhjet parlamentare të shkurtit të këtij viti dhe po ashtu në ato lokale që mbahen më 12 tetor. Gjykata Kushtetuese dhe ambasadorët e vendeve të QUINT-it, por edhe Bashkimi Evropian e kanë dënuar presionin e Kurtit dhe partisë së tij ndaj Gjykatës Kushtetuese dhe sistemit të drejtësisë në tërësi./DW
Artikuj te sugjeruar
BOTA
13 Shtator08:10
Çfarë po ndodh? Ukrainë: Prodhim i përbashkët armësh me SHBA dhe Gjermaninë
Kievi u ka kërkuar partnerëve të tij perëndimorë mbështetje për zgjerimin e industrisë vendase të prodhimit të...
BOTA
13 Shtator07:56
Rusia shkundet nga tërmeti 7.4 ballë, jepet alarm për cunami
Qendra e Paralajmërimit për Cunami në Paqësor ka lëshuar një paralajmërim urgjent për cunami, pasi një tërmet ...
BOTA
12 Shtator23:40
Skandali në SHBA/ Pronari i shtëpisë funerale ‘abuzoi’ me mbi 190 kufoma. Ndërsa çifti bënte jetë luksi, familjeve u jepnin...
Pronari i një shtëpie funerale në Kolorado, i cili pranoi abuzimin me 191 kufoma pritet të dalë në gjyq, pasi një gjyqtar hod...
BOTA
12 Shtator22:47
Kosovë, makinat me targa të huaja nuk mund të qëndrojnë më shumë se 3 muaj. Ja kur hyn në fuqi vendimi
Policia e Kosovës për rajonin e veriut ka njoftuar se, nga 1 nëntori, pronarët e automjeteve me targa të huaja nuk do të mund t&eu...
BOTA
12 Shtator21:02
Trump paralajmërim të fortë për Georg Soros: Gati padia federale kundër Sorosit për agjitacion
Nga Tim Hains, RealClearPolitics
Presidenti Trump i tha “FOX & Friends” të premten në mëngjes se dëshiron që Departame...
BOTA
12 Shtator19:02
Pse Shtetet e Bashkuara vendosën të pezullojnë nisjen e dialogut strategjik me Kosovën?
Pasojat për Kosovën shkaku i veprimeve të Qeverisë në detyrë kohëve të fundit veçse u paralajmëruan të ...
BOTA
12 Shtator16:56
Kush është Tyler Robinson? Vrasësi, 22 vjeçar i cili e urrente Charlie Kirk
Robinson është identifikuar si i dyshuari pas vrasjes tronditëse të influencuesit të krahut të djathtë Charlie Kirk. 22-vje...
BOTA
12 Shtator16:08
SHBA pezulloi dialogun strategjik me Kosovën, reagon qeveria: Kur kritikat janë konkrete i korrigjojmë
Shtetet e Bashkuara të Amerikës sot kanë pezulluar dialogun e planifikuar strategjik me Kosovën për shkak të veprimeve të q...
BOTA
12 Shtator15:58
Zbardhen detaje: Tyler Robinson, vrasësi 22-vjeçar është djali i një oficeri
Zbulimi i Donald Trump në lidhje me identitetin e të dyshuarit kryesor në vrasjen e Charlie Kirk u konfirmua për CNN&n...
BOTA
12 Shtator14:52
Donald Trump: I dyshuari për vrasjen e Charlie Kirk është arrestuar dhe po merret në pyetje
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, në një intervistë për Fox News ka bërë me dije...