BOTA

Si po depërton mjekësia tradicionale kineze në universitetet rumune?

I.A Përditësimi i fundit 26 Gusht 2024, 08:45

Si po depërton mjekësia tradicionale kineze në universitetet

RUMANI- Ishin gjashtë muaj të ngarkuar për ambasadorin e Kinës, Han Chunlin, në Rumani. Mes institucioneve që vizitoi në këtë vend ishin edhe dy prej universiteteve më të mira mjekësore të Rumanisë, ku promovoi mjekësinë tradicionale kineze. Detajet nga diskutimet me dyer të mbyllura midis ambasadorit dhe përfaqësuesve të këtyre universiteteve nuk dihen plotësisht, por kontaktet diplomatike të Hanit dhe të Ambasadës kineze në Bukuresht janë duke arritur rezultate.

Edhe Universiteti i Mjekësisë dhe Farmacisë Carol Davila në Bukuresht (UMF Bukuresht), edhe Universiteti i Mjekësisë dhe Farmacisë Grigore T. Popa në Iasi (UMF Iasi) - që udhëheqin disa prej programeve më të njohura mjekësore të Rumanisë - kanë organizuar tash e sa vite ngjarje për mjekësinë tradicionale kineze, si për stafin, ashtu edhe për studentët, si dhe udhëtime studimore me pagesë në Kinë.

Të dyja universitetet ofrojnë, po ashtu, kurse për mjekësinë tradicionale kineze, ndërsa UMF Iasi pritet të nisë ligjërata për të në vjeshtë.

Programet e tjera mjekësore në universitetet rumune, si Universiteti i Transilvanisë i Brasovit dhe Universiteti Vasile Goldis Western i Aradit, kanë përfshirë gjithashtu mjekësinë tradicionale kineze në kurrikulat e tyre. Brasov ofron diplomë master në këtë fushë, ndërsa Arad operon me një qendër të mjekësisë tradicionale kineze në kampusin e tij.

Në këtë kontekst, angazhimi i vazhdueshëm i zyrtarëve kinezë ka sjellë një histori suksesi në përpjekjet e Pekinit për të forcuar ndikimin e tij jashtë vendit dhe për të promovuar mjekësinë tradicionale kineze, e cila përqendrohet rreth praktikave të tilla si akupunktura, tai chi dhe përdorimi i ilaçeve bimore për trajtimin e problemeve të ndryshme shëndetësore.

Në Rumani, ky ndikim në fushën e mjekësisë ka gjetur terren për shkak të fondeve të shkurtuara me vite, pagave të ulëta për mjekët dhe problemeve të tjera që e kanë minuar besimin e publikut në shërbimin kombëtar të kujdesit shëndetësor dhe e kanë lënë vendin me një nga sistemet më të dobëta në Bashkimin Evropian.

“Sistemi shëndetësor është diskredituar”, thotë për Radion Evropa e Lirë Stefan Popescu, ish-sekretar shtetëror në Ministrinë e Jashtme rumune.

“Promovimi i mjekësisë tradicionale kineze duhet parë si pjesë e një plejade më të gjerë iniciativash që [Pekini] ndërmerr për ta thelluar bashkëpunimin e tij me vendet”, thotë ai.

Në muajin prill, UMF Iasi u bë universiteti i parë mjekësor rumun që i dha hapësirë Institutit Konfuci - një qendër arsimore kulturore kineze, e cila administrohet nga një organizatë që është nën kompetencën e Ministrisë së Arsimit të Kinës.

Qëllim i deklaruar i qendrave ishte promovimi i gjuhës dhe kulturës kineze, por ato u përballën edhe me kritika për përpjekje për të kufizuar lirinë akademike dhe për të ndikuar në mënyrë të pahijshme në mësimdhënie dhe kërkime.

Duke folur gjatë lansimit të Institutit Konfuci në prill, rektori i UMF Iasi, Viorel Scripcaru, tha se përveç mësimit të gjuhës kineze, qendra mund të ndihmojë edhe në integrimin dhe zgjerimin e “aktiviteteve të trajnimit në fushën e mjekësisë tradicionale kineze”.

Këtyre deklaratave u bëri jehonë edhe Han në komentet e tij publike.

Pas inaugurimit të institutit, Han u takua në po të njëjtin muaj me Viorel Jingën, rektor në UMF Bukuresht. Sipas një deklarate me shkrim dhënë Radios Evropa e Lirë nga zyra e Jingës, dy zyrtarët biseduan për “të ardhmen e bashkëpunimit në mjekësinë tradicionale kineze”.

Ambasada e Kinës në Bukuresht nuk iu përgjigj kërkesës së Radios Evropa e Lirë për komente në lidhje me takimet apo përpjekjet e saj për të promovuar mjekësinë tradicionale kineze në këtë vend.

Rëndësia e mjekësisë tradicionale kineze për politikën e jashtme të Pekinit doli në pah gati tetë vjet më parë.

Ky lloj mjekësie, prej dekadash, ishte pjesë e ndihmave të këtij vendi, por rëndësia e saj u rrit nën mandatin e udhëheqësit kinez, Xi Jinping, i cili shpesh i referohet koleksionit të praktikave që datojnë mijëra vjet më parë, si “thesar kombëtar”.

Nën Xinë, Pekini nisi një fushatë globale në vitin 2016, e cila kulmoi me një ligj për mjekësinë tradicionale kineze, qëllim i të cilit është ta promovojë atë në të gjithë botën. Kjo përpjekje mori një shtysë të madhe në vitin 2019 kur Organizata Botërore e Shëndetësisë e përfshiu mjekësinë tradicionale kineze në përmbledhjen e saj diagnostikuese: Klasifikimi Ndërkombëtar i Sëmundjeve. Ky veprim u cilësua si antishkencor dhe potencialisht i dëmshëm nga disa. Botime të ndryshme me ndikim, si Scientific American dhe Nature, thanë se ka pak prova se kjo praktikë ofron trajtim efektiv.

Mjekësia tradicionale kineze është përfshirë në projekte të rëndësishme globale të Kinës, të tilla si Iniciativa Brezi dhe Rruga (BRI). Pekini, po ashtu, ka ndarë disa bursa për t’i ndihmuar studentët e huaj që ta studiojnë këtë disiplinë në Kinë. Ajo u përfshi, gjithashtu, në përgjigjen e Kinës ndaj pandemisë COVID-19. Promovimi i mjekësisë tradicionale kineze ka edhe një dimension komercial, që përfshin një treg prej miliarda dollarësh brenda Kinës dhe një treg ndërkombëtar në rritje.

“Strategjia e Kinës [me mjekësinë tradicionale] ka potencial të jetë shumë më efektive se përpjekjet e tjera të saj, sepse mjekësia nevojitet kudo në botë”, thotë Popesku.

Instituti i ri Konfuci në Iasi është qendra e pestë e tillë në Rumani dhe synon të bëhet platformë për promovimin e kulturës kineze në qytetin lindor rumun dhe në të gjithë vendin.

Arritja në këtë pikë është rezultat i viteve të punës së Scripcarusë, rektorit në UMF Iasi, i cili bashkëpunon me Kinën që nga viti 2019, kur edhe bëri publike një marrëveshje partneriteti me Universitetin e Mjekësisë Kineze Shaanxi.

“Shpresojmë që në UMF Iasi ta sjellim frymën e mjekësisë tradicionale kineze, e cila jo vetëm që përfshin mjekësinë, por edhe kulturën e një prej qytetërimeve më të vlefshme në botë”, tha Scripcaru atëkohë.

Gjatë viteve në vazhdim, Scripcaru punoi nga afër me zyrtarët kinezë.

Disa ditë përpara hapjes së Institutit Konfuci në prill, UMF Iasi arriti një marrëveshje tjetër me Universitetin e Mjekësisë Kunming në Kinën jugore, e cila parasheh “bashkëpunim dypalësh në fushën e arsimit dhe kërkimit”.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë, Scripcaru tha se Instituti Konfuci është pjesë e procesit të “ndërkombëtarizimit të universitetit” dhe se zgjerimi i kurseve të reja në mjekësinë tradicionale kineze është rezultat i udhëzimeve nga Federata Botërore për Edukimin Mjekësor - një OJQ e përqendruar në trajnimin dhe edukimin e mjekëve në mbarë botën, e cila e këshilloi universitetin që ta miratonte disiplinën si pjesë të kurrikulës së tij të mjekësisë alternative.

“Duke integruar mjekësinë tradicionale kineze në kurrikulë, UMF Iasi mund t’u ofrojë studentëve njohuri më të larmishme të praktikave mjekësore globale. Gjithashtu, me kalimin e kohës, më shumë se 250 studentë kanë shprehur interesimin e tyre për të mësuar gjuhën kineze dhe për të mësuar për kulturën kineze”, tha zyra e Scripcarusë përmes një deklarate me shkrim për Radion Evropa e Lirë.

“Vendimi për të hapur Institutin Konfuci dhe për të futur një kurs opsional për mjekësinë tradicionale kineze u mor vetëm nga dëshira për të pasuruar ofertën arsimore dhe për të zgjeruar horizontet akademike të studentëve dhe studiuesve tanë”, thuhet po ashtu në deklaratë.

Fushata për promovimin e mjekësisë tradicionale kineze nga UMF Iasi vazhdoi në qershor të vitit 2024 kur në këtë universitet u mbajt një konferencë, e cila ishte ngjarja e parë e madhe nën kujdesin e Institutit të ri Konfuci.

Por, organizimi i ngjarjes u bë nga Shoqata Rumune e Mjekësisë Tradicionale Kineze (SRMTC). SRMTC, që është themeluar në vitin 2008 dhe pretendon se ka 83 anëtarë, nuk ka të drejtë ligjore që nga viti 2018 për të organizuar ngjarje edukative si kongresi i qershorit në Iasi.

Me ligjin rumun, një konferencë mjekësore hyn në kategorinë e “edukimit të vazhdueshëm mjekësor” dhe vetëm ofruesit e akredituar nga Kolegji i Mjekëve mund të organizojnë ngjarje të tilla.

SRMTC-ja nuk është në këtë listë që nga viti 2018, kur Kolegji i Mjekëve vendosi ta kufizonte mënyrën se si “praktikantët e mjekësisë alternative” mund t’i ofrojnë shërbimet e tyre.

Në përgjigje të pyetjeve të Radios Evropa e Lirë, presidentja e SRMTC-së, Angela Tudor, e mbrojti organizimin e ngjarjes, duke thënë se UMF Iasi ishte organizatori kryesor i konferencës.

Tudor shtoi se në konferencë morën pjesë profesorë nga universitetet në Francë, në Itali dhe në Shtetet e Bashkuara, ku mjekësia tradicionale kineze mësohet gjithashtu si pjesë e kurrikulës.

“Mjekësia tradicionale kineze nuk ka asnjë lidhje me politikën. Praktikohet dhe studiohet në të gjitha kontinentet si një pjesë e rëndësishme e mjekësisë. Ne jemi mjekë dhe studiojmë gjithçka që mund të na bëjë më të aftë në luftën kundër sëmundjeve”, tha Tudor.

Programi në UMF Iasi është një zhvillim i kohëve të fundit, por kurset për mjekësinë tradicionale kineze kanë ekzistuar në baza fakultative në UMF Bukuresht prej vitesh.

Përmes një deklarate dhënë Radios Evropa e Lirë, një zëdhënës i zyrës së rektoratit tha se programi i mjekësisë alternative është në përputhje me udhëzimet ndërkombëtare dhe rishikohet dhe vlerësohet çdo vit.

Por, megjithatë, Ambasada kineze në Bukuresht është e përfshirë në mënyrë aktive në angazhimet e universitetit.

Më 16 maj, Han vizitoi kampusin dhe u takua me Jingën, rektorin në UMF Bukuresht.

Sipas një njoftimi për media, ata diskutuan për “bashkëpunimin e ardhshëm në fushën e mjekësisë tradicionale kineze”.

Një zëdhënës i zyrës së rektorit i tha Radios Evropa e Lirë se bisedimet midis Hanit dhe Jingës në prill prodhuan një program të ri shkëmbimi, të sponsorizuar nga Ministria e Tregtisë e Kinës.

Përmes tij, dy mjekë nga UMF Bukureshti shkuan në Kinë në muajin korrik, për një kurs të specializuar të mjekësisë tradicionale kineze.

“Qëllim i këtij kursi është t’u sigurojë pjesëmarrësve një kuptim të plotë të parimeve themelore të mjekësisë tradicionale kineze”, tha zyra e rektorit.

Viteve të fundit, universitete të tjera mjekësore në të gjithë Rumaninë kanë përqafuar, gjithashtu, mjekësinë tradicionale kineze. Universiteti qendror rumun i Transilvanisë në Brasov ofron atë që thotë se është një diplomë e veçantë master në Evropën Qendrore dhe Lindore. Ai, po ashtu, ka nisur të ofrojë kurse në anglisht përmes një partneriteti me Universitetin e Mjekësisë Tradicionale Kineze në Pekin.

Universiteti Vasile Goldis Western i Aradit, në pjesën perëndimore të vendit, është një institucion privat, nikoqir i qendrës së parë të Rumanisë për mjekësinë tradicionale kineze, ku studentët mund të praktikojnë nën mbikëqyrjen e mjekëve nga Kina, të ndjekin kurse të gjuhës kineze dhe të marrin diplomë të njohur nga Qeveria kineze. Zyrat e shtypit të Universitetit të Transilvanisë dhe atij Vasile Goldis Western nuk iu përgjigjën pyetjeve të Radios Evropa e Lirë në lidhje me programet e tyre të mjekësisë tradicionale kineze./REL

umf iasi han chunlin umf bukuresht

Artikuj te sugjeruar

video

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 16

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 16

Gruaja me dy identitete që premton “shërim” me ujin e kufomave në Pejë

A ka Shqipëria një Nicola Gratteri?

Katër nëna në kërkim të fëmijeve/ Bisedat që zbuluan rrjetin e errët

Flamur Gjuzi, i dënuar për"shpërdorim detyre" sot drejtor i Policisë Bashkiake, sërish shkel ligjin?

Pallatet u zhytën“Durrës Marina" dhe Autoriteti Portual bëjnë veprimin e papritur përballë skandalit

Ekskluzive/ Nicola Gratteri çmonton skemën e pastrimit të parave të ndërtimit në Tiranë

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 15

Enkel Demi duke luftuar paragjykimet për shqiptarët. (kamera e fshehtë)

Milva Ekonomi i firmosi miliona euro Vilma Nushit, kjo e fundit i investoi te kulla e Ervin Matës

Ajo çfarë mund të na mësojë Kosova.

Laboratorë “copy-paste”/ I njëjti mjek firmos analiza në disa pika, skema që ngre pikëpyetje

Rrjeti i ‘errët’ i vajzave të zhdukura! Bisedat tronditëse si funksiononte grupi.

Bleu 300 m2 tokë në vitin 2004, kthehet nga emigrimi dhe gjen aty vilë 3-katëshe.

“Na detyruan nga Dubai”/ Konstruktori i Durrës Marina zbulon pse u zhytën pallatet

Drejtori që tregon sjellje të pahijshme me nxënësen: Jam i fortë edhe në parti

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 14

Turisti zemërgjerë nga Italia dhe patatinat falas

Aksidentet “pushtojnë” oborrin e familjes në Klos, banori: Një ditë do ndodhë tragjedi

Lidhja jashtëmartesore që përfundoi në makth /32-vjeçarja rrëfen shantazhin me video intime

Sherr në terminalin e Peshkopisë, shoferi: Mos më vidh pasagjerët! Shko ha bukë te pjesa jote

Artisti dhe Frika

Si u kthye në urrejtje dashuria mes ish-bashkëshortëve dhe ‘lufta’ për 200 mijë euro!

14-vjeçare me dr*gë dhepro*titucion, rrjeti i errët i minoreneve të zhdukura

Zhytja e pallateve te Alabarit/ IKMT pranon anomalitë në “Durrës Marina”: Janë zhytur 28 cm

"Ederlezi", festa e veçantë e komunitetit rom.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 13

Do t’i fus duart edhe nëse bërtet, motra e 13 vjeçares rrëfen tmerrin e mesazheve që mësuesi ia çon

“Inspektori gjobëvënës” i bashkisë terrorizon qytetarët

Pagat e mohura të druvarëve në Navaricë! Miliona lekë për të marrë dhe kërcënime

Rruga Thumanë–Kashar/ 1 miliard euro dhe “5 lekëshi” që po merret nga xhepat e qytetarëve

Me viza turistike ose kontrata futbolli drejt Europës/ Kush fshihet pas skemës së trafikimit?

Nënat denoncojnë ikjet nga shtëpia dhe jetën e dyshimtë të adoleshentëve

Për mediat dhe fëmijët

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 12

Muzikanti i rruges “vjedh” koleget. Banka e fundit

Dajak për 50 metra rrugë në Dibër, kushërinjtë në ’luftë’ për pronën.

Fisnik Syla, “BAMIRËS” apo shantazhues

A janë "idiotë "shqiptarët e Maqedonisë së Veriut? Çfarë do të thoshte Arbën Xhaferraj?

Presidenti i FSHP reagon për deklaratat e Erkand Qerimaj: Lajthita atëherë, tani kam reflektuar

Nga jetimorja te humbja e kujdestarisë. Rrëfen nëna që kërkon bashkimin me vajzën pas 13 vitesh

Tigrat e Vlorës: energjia që prodhohet 6 herë më shtrenjtë se sa shitet.

Skandali i zhytjes së pallateve në Durrës Marina / Ndërhyn IKMT.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 11

Dhjetëra punonjës fasonerie pa marrë pagat: Blerimi mori lekët dhe u zhduk! Pronari premton zgjidhje

Hapet filial i bankës turke në “zemër” të Bllokut, reklamat vendosen pa leje

Energji për brezin tim

Nga ‘Viola’ tek Dorina: Si përfundoi në borxh një histori dashurie në distancë

Firma “Trade Minerals Al” po shkatërron mjedisin dhe infrastrukturën e fshatit Gjegjan në Kukës

Nga shpërthimi i drejtorit te prapaskenat e ushqimit në institucionin privat në Elbasan