KOSOVA

Nga Facebook-u te fruthi/ Skepticizmi që ndikon në vaksinimin e fëmijëve në Kosovë dhe rajon 

Piranjat Përditësimi i fundit 25 Shkurt 2026, 23:38
Nga Facebook-u te fruthi/ Skepticizmi që ndikon në vaksinimin e

A i keni vaksinuar fëmijët? Pse, ose pse jo?

Kjo pyetje, e shtruar nga Radio Evropa e Lirë në një grup për nënat në Faceboook, nxiti 23 përgjigje dhe disa replika.

Me dyshime mbi përbërjen e vaksinave dhe efektin e tyre, disa nëna treguan se nuk i kanë dërguar fëmijët për të marrë vaksinat.

Ligji për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve Ngjitëse në Kosovë kërkon që çdo fëmijë që regjistrohet në çerdhe apo shkolla, të pajiset me dëshmi të vaksinimit. Por, komentet e disa nënave sugjerojnë se ky kriter nuk po respektohet plotësisht.

“Fëmija nuk e ndjek shkollën, është ende në kopsht. Fëmijës tjetër, më i madh, që e përfundon tani shkollën, nuk i janë kërkuar [dëshmitë e vaksinave]. Përkundrazi, kur është dashur t’i marrë në shkollë, nuk e kam dërguar atë ditë”, komentoi një nënë, e cila tha se fëmijët e saj nuk kanë marrë asnjë vaksinë.

REL-i e parashtroi këtë pyetje nxitur nga një raport i Komisionit Evropian, që evidentonte përhapjen e bindjeve konspirative në Kosovë, përfshirë besimin se kura për kancerin mbahet e fshehur për përfitime financiare dhe se viruset prodhohen qëllimisht për kontroll të shoqërisë.

Mbi 60 për qind e banorëve të Kosovës pajtohen me këto dy besime, sipas raportit të publikuar në shkurt të vitit të kaluar nga Komisioni Evropian.

Ai raport, i bazuar në intervista të bëra sy-më-sy me respondentë nga vendet evropiane, tregon se niveli i lartë i skepticizmit mbetet i ngjashëm në pothuajse të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.

Raporti shpërfaqi edhe besimin në rënie në Kosovë për efektin e vaksinave.

Në Kosovë, vaksina e parë kundër COVID-19 - që sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë i ka shpëtuar mbi 1.4 milion jetë në Evropë - është dhënë më 29 mars të vitit 2021. Që atëherë, janë administruar mbi 1.8 milion doza.

Por, pikërisht sëmundja COVID-19, e shkaktuar nga një koronavirus, ka ndikuar që të rriten dyshimet për efektin e vaksinave, thonë nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) për Radion Evropa e Lirë.

“Pandemia e COVID-19 e përforcoi këtë skepticizëm, sidomos për shkak të shpejtësisë së zhvillimit të vaksinave dhe debatit të madh publik rreth masave kufizuese”, thonë nga IKSHPK-ja.

Paul Offit, pediatër dhe ekspert i vaksinave, thotë për REL-in se, kur shpërthejnë epidemi, vaksinimi i detyrueshëm është mënyra më efektive për t’i frenuar ato. Por, shumë njerëz, shton ai, e perceptojnë këtë si tejkalim të kompetencave nga ana e qeverisë.

“E di që në Shtetet e Bashkuara, njerëzit që vijnë nga Evropa Lindore, ku shoqëritë ndoshta kanë qenë më të shtypura, janë më të shpejtë për të refuzuar çdo gjë që qeveria u thotë të bëjnë”, thotë Offit, bashkëzhvillues i vaksinës kundër rotavirusit dhe drejtor i Qendrës për Edukimin mbi Vaksinat në Spitalin e Fëmijëve të Filadelfias.

Ai shton se debati shpesh përplaset mes idesë së “lirisë mjekësore”, ku individi vendos vetëm për veten, dhe shëndetit publik, që kërkon përgjegjësi edhe ndaj të tjerëve.

Sipas IKSHPK-së, këto debate kanë çuar në atë që OBSH-ja e quan infodemi, për shkak të përhapjes së informacioneve të pasakta nga “burime joprofesionale që kanë krijuar narrativë të pasaktë”.

Së fundi, një kosovar me rreth 150 mijë ndjekës në Facebook postoi se të gjithë ata që nuk janë vaksinuar për COVID-19, duhet të jenë krenarë me veten, që i rezistuan një “propagande prej qindra miliona dollarësh”.

Rreth një muaj më parë, Policia e Kosovës arrestoi Arianit Sllamnikun, figurë që gjithashtu kishte krijuar një ndjekje në llogarinë e tij në Facebook, nën dyshimet se ushtronte kundërligjshëm veprimtari mjekësore dhe eksperimente me ilaçe.

Sllamniku, pa ekspertizë mjekësore, raportohet t’u ketë kërkuar mijëra euro prindërve mbi pretendimin se shëron autizmin te fëmijët.

Autizmi është çrregullim i zhvillimit neurologjik që ndikon në komunikim, ndërveprim social dhe sjellje, duke u shfaqur zakonisht në fëmijërinë e hershme. Për të nuk ka kurë, por ka mbështetje dhe ndërhyrje terapeutike që mund të ndihmojnë në zhvillimin e aftësive.

Frika nga autizmi është përmendur edhe nga nënat që komentuan në postimin e REL-it në Facebook, si arsye pse nuk i vaksinojnë fëmijët e tyre.

Vaksina për të cilën ka më së shumti mosbesim, është ajo që u jepet fëmijëve kur i mbushin 1 vjet, e njohur si MMR. Kjo është një vaksinë e kombinuar që mbron kundër tri sëmundjeve ngjitëse: fruthit, shytave dhe rubeolës.

Kjo mbetet vaksina e vetme për të cilën është shënuar rënie e mbulueshmërisë në Kosovë. Nga 89 për qind në vitin 2024, përqindja e fëmijëve të vaksinuar zbriti në 82 për qind në vitin 2025.

Vetëm katër nga gjithsej 20 dozat në kalendarin e vaksinimit të fëmijëve në Kosovë kanë arritur të paktën nivelin e mbulueshmërisë prej 95 për qind, që OBSH-ja e përshkruan si nivelin e nevojitur për të parandaluar shpërthimet epidemike.

Rënia e vaksinimit kundër fruthit është përcjellë me rritje të numrit të rasteve të identifikuara me këtë sëmundje.

Në raportin e IKSHPK-së për vitin 2025 thuhet se vendi ndodhet në “një situatë epidemiologjike të ngjashme me atë të rajonit, i cili është përballur me shpërthime epidemike”.

Vetëm gjatë muajit janar, IKSHPK-ja raportoi dy raste me fruth, në Prizren dhe në Vushtrri, dhe një rast me rubeolë në Prishtinë. Të gjithë fëmijët e infektuar ishin të pavaksinuar.

Në Maqedoninë e Veriut, ku Komisioni Evropian thotë se bindjet konspirative kanë përhapjen më të madhe në rajon, nivelin e rekomanduar të mbulueshmërisë prej 95 për qind të popullsisë nuk e arrin asnjë nga vaksinat në kalendarin e imunizimit.

Në popullsinë prej rreth 1.8 milion banorësh, vetëm pak mbi 876 mijë persona janë pajisur me të paktën një dozë të vaksinës kundër COVID-19.

Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik në Maqedoninë e Veriut (IJZ), Marija Andonovska, thotë për REL-in se, ngjashëm si në Kosovë, edhe atje ka ndikuar përhapja e dezinformatave gjatë pandemisë COVID-19.

Ajo tregon se stafi shëndetësor në Maqedoni të Veriut po shkon tani në dyert e shtëpive të banorëve në komunitetet me mbulueshmëri më të ulët, për të folur me prindërit dhe kompensuar dozat e humbura të vaksinave.

“Ne do ta vazhdojmë angazhimin, me fokus më të madh te lufta kundër dezinformatave, forcimi i aktiviteteve lokale dhe komunikimi i koordinuar mes institucioneve përgjegjëse për vaksinimin”, shton Andonovska.

Në Serbi, vendin e Ballkanit Perëndimor që qëndron më së miri sa u përket besimeve konspirative sipas Komisionit Evropian, mbulueshmëria me vaksinën MMR është 84.3 për qind - pak më e lartë se në Kosovë dhe Maqedoni të Veriut.

Megjithatë, sipas raportit të fundit të Institutit të Shëndetit Publik “Millan Jovanoviq Batut”, nga viti 2023, vetëm një nga 25 dozat në programin për imunizimin e fëmijëve ka arritur nivelin e dëshiruar të mbulueshmërisë prej 95 për qind.

Në raportin e Institutit “Millan Jovanoviq Batut” thuhet se në këtë nivel vaksinimi, kanë ndikuar pjesërisht “lobi kundër vaksinimit”, refuzimi dhe shtyrja e vaksinimit, si dhe disa mospërputhje në aktet ligjore.

Në vitin 2018, pediatri Tomisllav Stevanoviq nga Zrenjanini - qytet në veri të Serbisë - dhe disa mjekë e prindër kanë ngritur padi penale kundër 43 figurave publike, për shkak të deklarimeve publike kundër vaksinës MMR dhe përhapjes së panikut.

Ai beson se prindërit nuk kanë aq shumë frikë nga vaksina MMR, e cila ka qenë subjekt i teorive konspirative për dekada të tëra, sa nga e panjohura.

“Mosbesimi ndaj vaksinës MMR është përhapur nga profesorë, mjekë dhe politikanë të caktuar në Serbi, dhe dënimet për mosvaksinimin e fëmijëve nuk zbatohen”, thotë Stevanoviq për Radion Evropa e Lirë.

Ai shton se kundërshtarë të vaksinimit ka edhe në sistemin e drejtësisë - gjë që dëmton edhe më shumë besimin në vaksinim.

Sipas tij, Zyra e Prokurorit në Serbi nuk reagoi ndaj raporteve që ai dhe mjekë të tjerë paraqitën në vitin 2018 kundër figurave publike për përhapjen e panikut dhe teorive të konspiracionit në lidhje me vaksinimin.

Më herët, as Radio Evropa e Lirë nuk mori përgjigje nga Zyra e Prokurorit të Lartë Publik në Beograd rreth procedurave të lartpërmendura, të cilat u zhvilluan në vitin 2018.

Në fund të vitit 2017 dhe më 2018 u regjistruan rastet e para në 20 vjet të vdekjeve të shkaktuara nga fruthi në Serbi.

Stevanoviq thotë se ndikimi i mjekëve që janë kundërshtarë të vaksinimit, është shumë më i madh se ai i mediave sociale.

“Ato grupe në mediat sociale janë heshtur disi, por problemi qëndron me disa profesorë të pediatrisë”, thotë ai.

Ai deklaron se në Serbi ekziston edhe problemi i mospërputhjes së kuadrit ligjor, që përdoret nga kundërshtarët e vaksinimit.

“Nga njëra anë, në ligj shkruan se vaksinimi është i detyrueshëm, por, nga ana tjetër, shkruan se asnjë ndërhyrje nuk mund të kryhet pa pëlqimin e pacientit. Kjo është diçka që kundërshtarët e vaksinimit e përdorin dhe përhapin frikë”, përfundon Stevanoviq.

Offit tregon se problemi i njëjtë është identifikuar edhe në SHBA. Vitin e kaluar, SHBA-ja shënoi vdekjet e para të raportuara nga fruthi që nga viti 2015 dhe numri i rasteve vazhdon të shënojë rritje rekorde, raporton CNN.

“Njerëzit udhëhiqen më shumë nga frika sesa nga arsyeja. Dhe, ndoshta, kjo është ajo që do të duhet: më shumë fëmijë duhet të vuajnë, të shtrihen në spital dhe të vdesin, para se t’i shohim përsëri njerëzit duke pranuar vaksinat”, thotë Offit.

Sipas tij, meqë vaksinat kanë qenë të suksesshme dhe i kanë bërë sëmundjet të rralla, kombinimi i mungesës së frikës dhe qasjes së lehtë në keqinformim i ka bërë njerëzit më pak të prirë për t’u vaksinuar.

Pretendimi se vaksina MMR shkakton autizëm buron nga një studim i vitit 1998 në revistën mjekësore, The Lancet, i udhëhequr nga Andrew Wakefield, që më vonë u tërhoq, për shkak të manipulimit të të dhënave, shkeljeve etike dhe konfliktit të interesit.

Që atëherë, studime të mëdha ndërkombëtare që përfshijnë miliona njerëz dhe analiza sistematike, i kanë dëmtuar pretendimet se ka një lidhje mes vaksinës MMR dhe autizmit.

Por, me gjithë konsensusin e organizatave kryesore shëndetësore botërore se vaksina është e sigurt dhe nuk shkakton autizëm, dyshimet te shumë njerëz vazhdojnë.

“Kjo, thjesht, nuk zhduket, sepse mendoj se është shumë e vështirë ta ‘zhbësh’ një alarm, pasi është dhënë. Kur e ke frikësuar dikë një herë, është e vështirë t’ia largosh frikën”, thotë Offit.

Ai shton se mungesa e një shkaku apo kure të qartë për disa çrregullime, lë hapësirë për frikë dhe pasiguri, duke krijuar kështu territor më pjellor për përhapjen e pretendimeve kundër vaksinave.

Në përgjigjen për REL-in, IKSHPK-ja thotë se ajo është duke e adresuar hezitimin ndaj vaksinimit me shpërndarjen e informacione shkencore dhe bashkëpunimin e ngushtë me mjekët dhe profesionistët shëndetësorë, veçanërisht në zonat ku hezitimi mbetet më i lartë se mesatarja kombëtare.

Sipas Planit të Veprimit për Vaksinim, shkalla e vaksinimit në mesin e komuniteteve rom, ashkali dhe egjtipian mbetet më e ulët, “për shkak të faktorëve të ndryshëm shëndetësorë, arsimorë, mjedisorë e socialë”.

Për Offitin, zgjidhja është e thjeshtë: të zhvillohen biseda mes ekspertëve shëndetësorë dhe skeptikëve dhe të bëhet e qartë se zgjedhja për të mos marrë vaksinën, nuk është zgjedhje pa rrezik, por zgjedhje për një rrezik tjetër dhe më serioz”.

“Ata e kanë nuhatur tymin dhe, thjesht, duan të dinë nëse ka ndonjë zjarr”, përfundon Offit.

Artikuj te sugjeruar

video

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 16

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 16

Gruaja me dy identitete që premton “shërim” me ujin e kufomave në Pejë

A ka Shqipëria një Nicola Gratteri?

Katër nëna në kërkim të fëmijeve/ Bisedat që zbuluan rrjetin e errët

Flamur Gjuzi, i dënuar për"shpërdorim detyre" sot drejtor i Policisë Bashkiake, sërish shkel ligjin?

Pallatet u zhytën“Durrës Marina" dhe Autoriteti Portual bëjnë veprimin e papritur përballë skandalit

Ekskluzive/ Nicola Gratteri çmonton skemën e pastrimit të parave të ndërtimit në Tiranë

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 15

Enkel Demi duke luftuar paragjykimet për shqiptarët. (kamera e fshehtë)

Milva Ekonomi i firmosi miliona euro Vilma Nushit, kjo e fundit i investoi te kulla e Ervin Matës

Ajo çfarë mund të na mësojë Kosova.

Laboratorë “copy-paste”/ I njëjti mjek firmos analiza në disa pika, skema që ngre pikëpyetje

Rrjeti i ‘errët’ i vajzave të zhdukura! Bisedat tronditëse si funksiononte grupi.

Bleu 300 m2 tokë në vitin 2004, kthehet nga emigrimi dhe gjen aty vilë 3-katëshe.

“Na detyruan nga Dubai”/ Konstruktori i Durrës Marina zbulon pse u zhytën pallatet

Drejtori që tregon sjellje të pahijshme me nxënësen: Jam i fortë edhe në parti

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 14

Turisti zemërgjerë nga Italia dhe patatinat falas

Aksidentet “pushtojnë” oborrin e familjes në Klos, banori: Një ditë do ndodhë tragjedi

Lidhja jashtëmartesore që përfundoi në makth /32-vjeçarja rrëfen shantazhin me video intime

Sherr në terminalin e Peshkopisë, shoferi: Mos më vidh pasagjerët! Shko ha bukë te pjesa jote

Artisti dhe Frika

Si u kthye në urrejtje dashuria mes ish-bashkëshortëve dhe ‘lufta’ për 200 mijë euro!

14-vjeçare me dr*gë dhepro*titucion, rrjeti i errët i minoreneve të zhdukura

Zhytja e pallateve te Alabarit/ IKMT pranon anomalitë në “Durrës Marina”: Janë zhytur 28 cm

"Ederlezi", festa e veçantë e komunitetit rom.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 13

Do t’i fus duart edhe nëse bërtet, motra e 13 vjeçares rrëfen tmerrin e mesazheve që mësuesi ia çon

“Inspektori gjobëvënës” i bashkisë terrorizon qytetarët

Pagat e mohura të druvarëve në Navaricë! Miliona lekë për të marrë dhe kërcënime

Rruga Thumanë–Kashar/ 1 miliard euro dhe “5 lekëshi” që po merret nga xhepat e qytetarëve

Me viza turistike ose kontrata futbolli drejt Europës/ Kush fshihet pas skemës së trafikimit?

Nënat denoncojnë ikjet nga shtëpia dhe jetën e dyshimtë të adoleshentëve

Për mediat dhe fëmijët

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 12

Muzikanti i rruges “vjedh” koleget. Banka e fundit

Dajak për 50 metra rrugë në Dibër, kushërinjtë në ’luftë’ për pronën.

Fisnik Syla, “BAMIRËS” apo shantazhues

A janë "idiotë "shqiptarët e Maqedonisë së Veriut? Çfarë do të thoshte Arbën Xhaferraj?

Presidenti i FSHP reagon për deklaratat e Erkand Qerimaj: Lajthita atëherë, tani kam reflektuar

Nga jetimorja te humbja e kujdestarisë. Rrëfen nëna që kërkon bashkimin me vajzën pas 13 vitesh

Tigrat e Vlorës: energjia që prodhohet 6 herë më shtrenjtë se sa shitet.

Skandali i zhytjes së pallateve në Durrës Marina / Ndërhyn IKMT.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 11

Dhjetëra punonjës fasonerie pa marrë pagat: Blerimi mori lekët dhe u zhduk! Pronari premton zgjidhje

Hapet filial i bankës turke në “zemër” të Bllokut, reklamat vendosen pa leje

Energji për brezin tim

Nga ‘Viola’ tek Dorina: Si përfundoi në borxh një histori dashurie në distancë

Firma “Trade Minerals Al” po shkatërron mjedisin dhe infrastrukturën e fshatit Gjegjan në Kukës

Nga shpërthimi i drejtorit te prapaskenat e ushqimit në institucionin privat në Elbasan