POLITIKE

Ditmir Bushati kritika të forta Ramës: Reformat pa përmbajtje, pengesë serioze për rrugën drejt BE

Piranjat Përditësimi i fundit 13 Nëntor 2025, 08:02

Ditmir Bushati kritika të forta Ramës: Reformat pa përmbajtje,

Ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, në një analizë të botuar nga Fondacioni Friedrich-Ebert-Stiftung Tirana, ka shprehur kritika të forta ndaj mënyrës se si po ecën procesi i reformave dhe integrimit europian të vendit.

Në shkrimin me titull “Frikë, poshtërim, shpresë”, Bushati argumenton se Shqipëria ka mbetur peng e formës dhe jo e përmbajtjes së reformave, ndërsa paralajmëron se mungesa e një reforme të vërtetë politike dhe zgjedhje të lira mund të bëhen pengesë serioze për rrugën drejt Bashkimit Europian.

Sipas tij, vlerësimet pozitive për SPAK-un dhe institucionet e reja të drejtësisë “janë të pamjaftueshme nëse nuk përkthehen në qeverisje me integritet dhe transparencë”, ndërsa lufta kundër korrupsionit nuk mund të mbështetet vetëm tek ndëshkimi, por kërkon një sistem të qëndrueshëm parandalues.

Bushati i referohet edhe pozicionit të politikës së jashtme shqiptare, duke e cilësuar “të çuditshëm” qëndrimin që Shqipëria mori ndaj BE-së në raport me presionin ndaj Serbisë për sanksionet kundër Rusisë, dhe nënvizon se linjëzimi i qartë gjeopolitik me BE-në është kusht për besueshmëri dhe integrim të vërtetë.

Në përfundim, ish-ministri kërkon që Komisioni Europian dhe qeveria shqiptare të kalojnë nga optimizmi deklarativ në veprime konkrete që rikthejnë besimin e qytetarëve, duke e parë integrimin europian si proces transformues të shoqërisë dhe jo si listë teknike detyrash.

Shkrimi i plotë i Ditmir Bushatit


FRIKË, POSHTËRIM, SHPRESË
Teksa po lexoja raportet vjetore të Komisionit Europian për vendet që synojnë anëtarësimin në BE, së bashku me komunikatën për procesin e zgjerimit, m’u kujtua rrëfimtari i shquar dhe mjeshtri letrar i palodhur Gabriel Garcia Marquez, i cili, në një intervistë, pati thënë dikur se: “Në fund të fundit, letërsia nuk është gjë tjetër veçse zdrukthëtari. Të shkruash diçka është pothuajse aq e vështirë sa të bësh një tavolinë. Me të dyja po punon me realitetin, një material po aq i fortë sa druri. Të dyja janë plot me truke dhe teknika. Në thelb, përfshihet shumë pak magji dhe shumë punë e palodhur.”

Megjithëse raportet e Komisionit Europian janë larg së qeni letërsi apo zdrukthëtari, e njëjta logjikë vlen edhe për to. Përmbajtja e tyre synon gjetjen e një balance të drejtë mes pasqyrimit të realitetit në vendet që synojnë anëtarësimin dhe inkurajimit për të vijuar me procesin e reformave. Në të njëjtën kohë, për Komisionin Europian është e rëndësishme që të ruajë besueshmërinë në raport me taksapaguesit europianë, por edhe me qytetarët e vendeve që aspirojnë anëtarësimin në BE, aq më tepër kur dihet se për më shumë se dy dekada politika e zgjerimit, edhe pse pranohet gjerësisht si një prej politikave më të suksesshme të BE-së, nuk ka prodhuar rezultate të prekshme për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Për vetë mjedisin e sigurisë me të cilin përballet Europa, si pasojë e agresionit rus në Ukrainë, dy vitet e fundit Komisioni Europian po përpiqet ta paraqesë zgjerimin si një mjet kyç gjeopolitik për BE-në për të bindur në radhë të parë vendet anëtare të BE-së, se përmes tij është e mundshme që t’u përgjigjet disa prej sfidave me të cilat përballet Europa. Nga ana tjetër, vendet anëtare i kanë krijuar mundësinë Komisionit Europian për të mbajtur gjallë shpresën e anëtarësimit, përmes akteve simbolike që pasqyrohen në njohjen e perspektivës së anëtarësimit për Ukrainën dhe Moldavinë, ritmin më të shpejtë të hapjes të kapitujve të bisedimeve me Shqipërinë, dhe mbylljen e disa kapitujve me Malin e Zi.

Në fjalimin për Gjendjen e Unionit të shtatorit të këtij viti, Presidentja e Komisionit Europian foli për "ribashkimin e ardhshëm të Europës" dhe përshkroi një BE të zgjeruar me Ballkanin Perëndimor, Ukrainën dhe Moldavinë si "një garanci sigurie për të gjithë ne".
Për shkak të mjedisit gjeopolitik asgjësues BE-ja është në proces transformimi nga një komunitet që fillimisht kishte në fokus tregtinë dhe ekonominë, në një projekt gjeostrategjik. Nga një influencues i butë në ndërtimin e institucioneve demokratike në një ushtrues të pushtetit të fortë, duke vendosur theksin tek siguria, energjia, sanksionet e madje tek politikat industriale dhe autonomia strategjike.

Është e vërtetë se ky mjedis gjeopolitik ka hapur një dritare mundësie për zgjerimin e BE-së. Megjithatë, perspektiva e kësaj politike mbetet e paqartë. Nëse u referohemi vlerësimeve të Komisionit Europian në paketën e zgjerimit, anëtarësimi i vendeve të reja brenda mandatit të këtij Komisioni duket një mision tejet i vështirë. Pavarësisht optimizmit të zyrtarëve të lartë të Komisionit Europian për të ringjallur një proces të fjetur prej kohësh, dy vija të kuqe do të jenë të pakalueshme për vetë Komisionin në lidhje me progresin e vendeve kandidate drejt anëtarësimit në BE: linjëzimi gjeopolitik dhe reformat e qëndrueshme në lidhje me sundimin e së drejtës në ekonomi.

Thelbi, jo forma, për një shteg të ri

Në paketën e zgjerimit të këtij vihet re një përpjekje nga ana e Komisionit Europian për t’u shkëputur nga trashëgimia e hidhur e politikës së ‘mbylljes së syve’ përballë regresit demokratik në Serbi. Megjithëse e vonuar, kjo është një qasje që duhet përshëndetur. Megjithatë, po sipas vlerësimit të Komisionit Europian, fakti që Kosova, edhe pse nën masa të padrejta shtrënguese nga BE-ja dhe me aplikim për anëtarësim që ka vite që pret të shqyrtohet, sërish shënoi progres në shumë fusha, vendos në pikëpyetje efektivitetin e politikës së ndjekur deri tani nga BE-ja.

Prej kohësh kam argumentuar se BE-ja duhet të eksplorojë një shteg të ri në rajonin tonë, atë të rrethimit demokratik të Serbisë me histori suksesi. Mali i Zi dhe Shqipëria mund dhe duhet të hapin këtë shteg të ri, pasi nuk përballen me sfida të patejkalueshme. Dhe mbi të gjitha, natyra e çështjeve të pazgjidhura me fqinjët në BE është më pak e ndërlikuar, krahasuar me shtetet e tjera të rajonit. Mirëpo, që ky shteg të kthehet në një rrugë të pakthyeshme për anëtarësimin në BE, historitë e suksesit duhet të jenë të vërteta, reformat të qëndrueshme. Komisioni duhet të kthehet nga predikues në kërkues e nxitës i jetësimit të standardeve demokratike dhe vlerave europiane në rajonin tonë.

Për shembull, raporti i OSBE-ODIHR për zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025 në Shqipëri vizaton hartën e ndikimit të krimit, përdorimit të aseteve shtetërore, administratës publike dhe medias në zgjedhje. Ndërkohë që një raport i ngjashëm kritik i OSBE-ODIHR për zgjedhjet parlamentare të vitit 2023 në Serbi, pengoi ecurinë e procesit të kësaj të fundit drejt BE-së, në rastin e Shqipërisë, Komisioni Europian duhet ta trajtojë me përparësi e vendosmëri reformën politike që ka lidhje funksionimin e të gjitha institucioneve, për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme. Për të mos lejuar kësisoj që mungesa e një reforme të vërtetë të kthehet në pengesë për përmbushjen e standardeve që kanë lidhje me sundimin e së drejtës dhe funksionimin e institucioneve demokratike.

Po kështu, vlerësimet pozitive për punën e SPAK-ut në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar nga ana e Komisionit Europian duhen shoqëruar me vlerësime konkrete përsa i përket impaktit në qeverisjen e mirë të vendit dhe raportit me integritetin e jetës publike dhe standardin që imponon procesi i anëtarësimit në BE. Efekti ndëshkues i strukturave të specializuara në luftën kundër pandëshkueshmërisë mbetet i kufizuar, përsa kohë elementët parandalues dhe korrektues varen kryesisht prej qeverisjes dhe adaptimit të praktikave që garantojnë integritetin e jetës publike dhe mirëadministrimin e buxhetit të shtetit.

Ndërkohë që drejtësia është përgjegjëse për identifikimin e përgjegjësisë penale të zyrtarëve të lartë apo të grupeve kriminale, qeverisja dhe organet e saj duhet të jenë diga që na mbron nga “përmbytjet” e korrupsionit e krimit.

Në rast se në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar do të mjaftohemi vetëm me punën e SPAK-ut, kam frikë se si ne ashtu dhe Komisioni Europian do të përsërisim gabimin që u bë me reformën në drejtësi, që më shumë u përqendrua në numrin e prokurorëve dhe gjyqtarëve që humbën vendin e punës si pasojë e procesit të verifikimit, sesa në elementët e tjerë që janë gjithaq të rëndësishëm për një sistem drejtësie efikas.

Krahas listimit të zyrtarëve të lartë apo grupeve kriminale që përballen me drejtësinë, jemi ende larg përqafimit të praktikave të mira e transparente qeverisëse që sigurojnë garë të ndershme në jetën publike dhe ekonomike. Sikundër, lufta ndaj krimit të organizuar dhe ndikimi i tij në jetën publike dhe ekonomike duhet të jetë përparësi e të gjitha strukturave të shtetit. Dhe madje përparësi shoqërore.
Linjëzimi gjeopolitik

Sikurse dihet, përtej një korpusi normash që duhen përmbushur, të njohura ndryshe si kriteret e Kopenhagenit, zgjerimi funksionon edhe si një mjet politik. Nëse analizojmë historikun e zgjerimit të BE-së, do të arrijmë në përfundimin se vendimet shpesh janë nxitur nga konsiderata gjeopolitike dhe normative, më shumë sesa nga përmbushja e pastër e kritereve të BE-së. Për shembull, anëtarësimi i Greqisë, Spanjës dhe Portugalisë në vitet ’80, apo zgjerimi i madh i viteve 2004 dhe 2007 u motivuan kryesisht nga ndryshimet gjeopolitike dhe aspiratat për të mbështetur tranzicionin demokratik.

Edhe pse arsyet e situatës së tanishme gjeopolitike janë të ndryshme nga ato të mësipërmet, sërish jemi në një udhëkryq ku përplasen nevoja e BE-së për t’u pozicionuar si një aktore me peshë globale përkundrejt aktorëve të tjerë, me vetë thelbin e procesit të zgjerimit, i cili bazohet në meritën individuale të secilit shtet duke siguruar transformim demokratik dhe zhvillim ekonomik të qëndrueshëm.
Këtë vit Komisioni Europian e theksoi edhe më fort se linjëzimi gjeopolitik me BE-në është i një rëndësie strategjike, për shkak të mjedisit gjeopolitik. Madje Komisionerja e Zgjerimit paralajmëroi se në BE nuk janë të mirëpritur “kuajt e Trojës”, një aludim ky për pozicionin që ka Serbia në raport me Rusinë.

Në pamje të parë duket sikur linjëzimi gjeopolitik me BE-në është një proces i jashtëm që nuk ka të bëjë me zhvillimet e politikës së brendshme. Në fakt nuk është kështu. Një nga gjërat që kam përjetuar nga eksperienca ime si në politikë ashtu edhe në politikën e jashtme është se gjithmonë ka pasur një kufi artificial midis të dyjave. Ndërsa sot ky kufi nuk ekziston. Sepse mënyra se si qeverisen vendet projektohet edhe përmes politikës të jashtme që ato ndjekin. Politika e jashtme është një pasqyrim mjaft i saktë i psikikës së kombit dhe asaj që ndodh në trupin politik në një moment të caktuar.

Arsyetimet e Serbisë që përpiqet të gjejë raste të ngjashme brenda BE-së për të justifikuar mosvendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë nuk qëndrojnë. Sikundër pozicioni i çuditshëm i Shqipërisë, që i kërkonte publikisht BE-së “të mos ushtronte presion ndaj Serbisë për t’iu bashkuar sanksioneve ndaj Rusisë”, rezultoi i gabuar. Pasi BE-ja nuk ka asnjë arsye të tolerojë braktisjen e parimeve që e mbajnë në këmbë atë, sidomos në kushtet që imponon mjedisi i sigurisë në Europë.

Dilemat që kërkojnë përgjigje
Paqartësia e të ardhmes së procesit të zgjerimit nuk vjen vetëm për shkak të stadit të reformave dhe linjëzimit gjeopolitik në vendet që synojnë anëtarësimin, por para së gjithash nga vetë vendet anëtare të BE-së. Për shkak të dilemave të tyre, që edhe pse besojnë se zgjerimi dhe konsolidimi i projektit europian është i nevojshëm dhe i pashmangshëm, nuk janë ende gati për të mbështetur një plan të qartë anëtarësimi, të shoqëruar me veprime të dyanshme, është lehtësisht e kuptueshme se përse Komisioni Europian nuk paraqiti javën e shkuar raportin e shumëpritur të para-anëtarësimit. Ky raport do të përcaktojë drejtimet dhe reformat kryesore që BE-ja duhet të ndërmarrë për t'u përgatitur për zgjerimin.

Është e qartë se një BE e zgjeruar do të nxiste një ripërcaktim të linjave më të mëdha buxhetore, ndryshime në politikën bujqësore dhe atë të kohezionit social, procesit të vendimmarrjes dhe mbi të gjitha do të ndryshonte kufijtë e saj. Nëse në Ballkanin Perëndimor, më shumë se sa për zgjerim të BE-së bëhet fjalë për konsolidim të saj, pasi vendet e rajonit tonë rrethohen nga ato të BE-së, në rastin e Ukrainës dhe Moldavisë, për shkak të fqinjësisë me Rusinë, luftës që vazhdon dhe faktit që një pjesë të territoreve të tyre janë nën pushtimin rus, situata bëhet më e ndërlikuar.

Ndërkohë që sfidat mbeten BE-ja duhet t'u ofrojë kandidatëve të saj një perspektivë të besueshme anëtarësimi, përtej optimizmit të zyrtarëve të lartë europianë. BE-së i duhet të mposhtë frikën që karakterizon një pjesë të vendeve anëtare ndaj një BE-je me 30 apo 33 anëtarë, përsa i përket vendimmarrjes dhe funksionimit. Asaj i duhet të korrigjojë përmes veprimesh konkrete ndjenjën e poshtërimit që vihet re tek disa vende që edhe pse kanë përparuar me reformat nuk janë shpërblyer në këtë proces. Dhe sigurisht BE-ja duhet të ngjallë shpresë dhe optimizëm popullor që buron nga ndërtimi i një të ardhmeje më të mirë dhe përqendrimi tek transformimi demokratik dhe zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik.

Artikuj te sugjeruar

video

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 5

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 5

3 vite pa licencë: Si u punësua psikologia në Vorë dhe kush mban përgjegjësi?

Flet i dyshuari i Masakrës së Beratit: Çfarë zbulon Kudret Zhuka?

Ne jemi me ju, gjatë gjithë vitit!

Zëri ynë për çdo grua që lufton sot!

Konflikti familjar në Klos që përfundoi në dhunë: Çfarë ndodhi mes Fluturës dhe të afërmve?

Kalvari i Anxhelës: Si u kthye një histori dashurie në një makth të vërtetë?

"Doktor Shkencash": Çfarë fshihet pas titullit akademik të Ulsi Manjës?

Unë e njoh atë djalin e shtrirë përtokë.

4 ditë revolte, gjenerata e re flet ndryshe.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 4

Vendimi që ngre dyshime: Çfarë e detyroi gjyqtaren e Shkodrës të vendosë për 42-vjeçarin?

Nga t*rturat te ekzekutimi barbar: Masakra e ’97-ës që nuk u zbardh kurrë.

I pastrehu kërkon ndihmë, Bashkia e Korçës i “ofron” një rrenoje.

Paguaj që të punosh: Zbërthehet skema e mashtrimit me "punën nga shtëpia"

Skandali me tunelin e Skërficës: Pas dështimit 23-milionësh, ARRSH thërret policinë për "Piranjat"

Ermal Pashaj: "Jam këtu kundër mediokërve, kriminelëve dhe dështimit 13-vjeçar të kësaj politike"

Manastirliu, kandidatja për Bashkinë e Tiranës, plagjiatura e radhës.

Patronazhistët e Ogerta Manastirliut gjatë Pranisë Besnike

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 3

Shantazh në emër të dashurisë, 40-vjeçari terrorizon gruan e martuar.

Faturat e avokatit. Si u zhdukën mijëra euro pa bërë asnjë punë?

Nga tritoli te kërcënimet me jetë: Çfarë po ndodh me policin Altin Preka?

Saranda e fëmijërisë sime, sot mes plumbave

Nga mësuese filloreje në drejtoreshë gjimnazi. Historia që na vjen nga Ishmi i Durrësit.

Rilindësit me plagjiaturë / Piranjat kapin ish-ministren e Arsimit. Si do të justifikohet ajo?

Prania besnike, një strategji djallëzore për të eliminuar praktikat institucionale.

Fshije videon! Mos shkatërro një jetë.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 2

Nga burgu në arrest shtëpie: Eduard Limaj rikthehet te përndjekja e grave!

Haris Vongli: Dua të kthehem në Shqipëri për Davidin, tim bir.

Fyerje ndaj nxënësve, ngacmime e shkelje rregulloreje: Kush është nëndrejtori problematik?

Institucionet në shërbim të krimit: Pse hesht kryeministri për skandalet?

Nga tritoli te kërcënimet me jetë: Çfarë po ndodh me policin Altin Preka?

Porti i Durrësit po mbyllet, investimet në infrastrukturë vazhdojnë. Cili është justifikimi i APD?

Skandali me doktoraturën e Taulant Ballës: Piranjat zbulojnë mashtrimin!

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 1

“Dua 120 mijë euro”/ Si u zaptua prona në rrugën e Durrësit, zbardhet skema e mashtrimit

Tmerri i 40-vjeçares / Si u shndërrua njohja e re në përndjekje, shantazh dhe denigrim në rrjet

Pesë muaj pa të birin/ Nëna kërkon zbatimin e vendimit të gjykatës

TEC-et lundruese dhe mbetjet e rrezikshme/ KESH paguan edhe për trajtimin e mbetjeve të “Tigrave”

Liria nuk burgoset, as në Hagë, as në Beograd

“Ministrja kopjace”/ Klodiana Spahiu në krye të Shëndetësisë, punimi i diplomës rezulton plagjiaturë

“Nuk duam të ikim nga Shqipëria, por nga ju”/ Monologu i një brezi që nuk ju ka frikë

Flamingot që “zgjuan” një popull kundër qeverisë/ Revolta më e madhe qytetare në 30 vite

E premte | ? 20:45 | ???? Syri TV

Çdo të premte | ? 20:45 | ???? Syri TV

Si u tentua të shantazhohej me 100 mijë euro shefi i kabinetit të Përparim Ramës përmes mediave

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 16

Gruaja me dy identitete që premton “shërim” me ujin e kufomave në Pejë