POLITIKE

"Të shqetësuar për ekonominë, emigracionin, abortin dhe familjen!" VOA: Shqiptaro-amerikanët në Miçigan dhe zgjedhjet presidenciale

M.B. Përditësimi i fundit 8 Tetor 2024, 21:56

"Të shqetësuar për ekonominë, emigracionin, abortin dhe

SHBA- Miçigani është një nga shtetet që do të përcaktojë rezultatin e zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara. Sondazhet e fundit tregojnë se demokratja Kamala Harris dhe republikani Donald Trump gëzojnë mbështetje thuajse të barabartë mes votuesve të këtij shteti. Miçigani është gjithashtu edhe shteti që ka komunitetin e dytë më të madh të shqiptaro-amerikanëve në Shtetet e Bashkuara, pas Nju Jorkut. Kolegia Keida Kostreci ishte në Miçigan dhe foli me disa prej përfaqësuesve të këtij komuniteti, që ashtu si popullsia e përgjithshme e shtetit, kanë mendime të ndryshme për kandidatët.

Ndërsa afrohet dita e zgjedhjeve, Nënpresidentja Harris dhe ish-Presidenti Donald Trump kanë bërë vazhdimisht fushatë në Miçigan, një prej shteteve që pritet të përcaktojë se cili nga kandidatët do të fitojë. Shqiptaro-amerikanët, ashtu si edhe votuesit e tjerë në këtë shtet që është mbështetur tradicionalisht tek industria e makinave dhe biznesi, janë të shqetësuar për çështje si ekonomia, emigracioni, aborti dhe familja. Këndvështrimet e tyre janë të larmishme dhe ata i shohin këto çështje me lentet e kandidatëve që mbështesin. Elisa Malile është një këshilltare për partinë demokrate në Detroit.

“Bizneset janë rritur më shumë dhe në Miçigan ne kemi punuar shumë edhe me partinë këtu, kemi hapur më shumë biznese me gra për shembull, që mund të punojnë, kanë bizneset e veta. Po atje fillon hapi i parë, pastaj fillon edhe tek tavolina me familjet, domethënë si ndjehen familjet për ekonominë”, thotë ajo për Zërin e Amerikës.

Por megjithëse shifrat e punësimit janë përmirësuar dhe inflacioni është ulur ndjeshëm kohët e fundit, banorë si Aurel Ago, pronar i një restoranti në rrethinat e Detroitit, thonë se nuk po e ndjejnë një gjë të tillë.

“Nuk e di se si nuk mund t’i shohë një njeri, një familje, ndryshimet që kanë ndodhur këto katër vjet dhe mund t’i injorosh. Në katër vitet e Trump-it patëm një ngritje, patëm një jetesë mëse normale, normal me punë, me djersë me sakrifica, por që në fund shihje një rezultat”.

Afërdita Rakipi, aktiviste shqiptaro-amerikane në Miçigan, thotë se platforma demokrate ofron më shumë për qytetarët e thjeshtë, dhe ajo përmend reformën e kujdesit shëndetësor, faljen e borxheve për studentët dhe programin për taksa më të ulëta për klasën e mesme.

“Nuk mund të them se platforma e republikanëve mund të jetë më e mirë, sepse nuk kam parë ndonjë zgjidhje. Kur shoh platformën e republikanëve, ata vetëm kundërshtojnë demokratët, por nuk ofrojnë ndonjë zgjidhje”, shprehet ajo për Zërin e Amerikës.

Harris është kritikuar se nuk ka paraqitur një program të detajuar ekonomik.

Aktivisti Valentin Lumaj, i angazhuar me fushatën e zotit Trump në Miçigan, i thotë Zërit të Amerikës se si nënpresidente ajo mund të kishte punuar për përmirësimin e ekonomisë.

“Unë si republikan mbështes politikën e uljes së taksave për biznesin e madh por uljen e taksave edhe për biznesin e vogël dhe këto janë dy tipare që ish-presidenti Trump i ka premtuar”.

Emigracioni është një nga çështjet kryesore në këto zgjedhje dhe këndvështrimet e shqiptaro-amerikanëve në Miçigan duken të diktuara nga prirjet e tyre politike.

Malile thotë se demokratët ofrojnë alternativën më të mirë dhe u kujton shqiptaro-amerikanëve të mos harrojnë përvojën e tyre.

“Domethënë ta mbash mend si ke ardhur, domethënë ke punuar shumë, ke edukuar fëmijët dhe ke rritur familje këtu dhe gjithë platforma që partia ka, është që duan të të ndihmojnë që nga fillimi kur vjen në Amerikë, si t’i rritësh fëmijët, kur shkojnë fëmijët në shkollë, mbarojnë shkollën, t’i ndihmojnë dhe pastaj kur krijojnë familjet dhe të krijojnë një jetë më të mirë”, thotë ajo.

Lumaj thotë se si emigrant vetë, e kupton që kjo është çështje delikate, por thotë se kjo nuk do të thotë emigracion i pakontrolluar, për të cilën fajëson administratën e zotit Biden.

“Amerika është e ndërtuar me emigrantë. Ata janë baza, fuqia punëtore. Ato punë që nuk i bëjnë amerikanët, i bëjnë emigrantët më së pari dhe Amerikën e kanë ndërtuar emigrantët. Presidenti Trump nuk ka dalë kundër emigrimit. Ai kërkon një emigrim të kontrolluar”.

Ish-Presidenti Donald Trump, ka pretenduar se ardhja e fluksit të emigrantëve në Jug të Shteteve të Bashkuara, ka rritur kriminalitetin në Amerikë, gjë që studimet e nuk e mbështesin. Por republikanët e akuzojnë zonjën Harris se ishte në krye të politikës për gjendjen e imigracionit në kufi dhe nuk e zgjidhi atë.

“Ajo ishte detyra e saj kryesore dhe besoj që ajo duhet ta thotë vetë, të pranojë përgjegjësinë e kësaj krize emigracioni që po ndodh më së shumti në jugun e Amerikës”, thotë zoti Lumaj.

Kandidatët republikanë kanë përhapur pretendimin se emigrantët në shtetin Ohajo po hanë macet dhe qentë e banorëve. Zoti Lumaj thotë se njerëzit nuk duhet të merren me atë që thonë në fakt kandidatët por me problemin.

“Normalisht e vërtetë apo jo që ata hanë kafshë shtëpiake, perceptimi është që atje nuk ka kontroll mbi veshjen, ushqimin, akomodimin e tyre”, thotë zoti Lumaj.

Por këto pohime kanë shkaktuar kërcënime ndaj emigrantëve në atë shtet dhe demokratët e shohin me shqetësim retorikën në këtë drejtim.

“S’e di pse emigrantët anojnë nga republikanët. Kur kanë qenë republikanët më parë, qoftë me Reganin, qoftë me Bushin, qoftë me Bob Dole, me John McCain nuk kanë përdorur fjalor të këtij lloji që kemi parë tani. Nuk kam përgjigje për këtë, sepse kjo nuk është një parti që e njoh më, që e kam parë si një fëmijë e emigrantëve, lindur, rritur, edukuar në këtë vend, nuk di si t’i përgjigjem kësaj”, thotë ajo.

Shqiptaro-amerikanët duken të ndarë edhe për çështjet sociale që mbështesin. Demokratët shqetësohen për rrezikimin e të drejtave riprodhuese dhe abortin, ndërsa republikanët thonë se zoti Trump mbështet vlerat e familjes tradicionale. Si demokratët edhe republikanët e pranojnë që polarizimi është një çështje madhore, por fajësojnë njëri tjetrin për një gjë të tillë. Lumaj, thotë se zoti Trump përdor një retorikë popullore që e kuptojnë të gjithë votuesit dhe se polarizimi po shkaktohet nga demokratët.

“Unë nuk jam aspak dakord me retorikën që përdorin demokratët, një retorikë agresive, ofenduese, duke i dhënë Presidentit Trump një profil që nuk e ka dhe duke krijuar disa urrejtje në popullsinë amerikane”.

Ashtu si edhe shumë republikanë të tjerë, ai i fajëson retorikën e demokratëve për dy atentatet ndaj zotit Trump, megjithëse motivet e dy autorëve të dyshuar mbeten të paqarta. Malile thotë se situata është tepër e acaruar. Ajo kujton se si në fushatën e vitit 2008, kandidati i atëhershëm republikan, John McCain, i kundërshtoi ata republikanë që flisnin kundër kandidatit të atëhershëm demokrat Barack Obama.

“Neve tani këtë nuk e shohim më, si kanë punuar të dyja palët. Dhe (republikanët) flasin pa fakte, pa numra, flasin pa asnjë bazë që nuk ka asnjë fakt, edhe ne nuk dimë çfarë është e vërtetë, çfarë është e pavërtetë dhe kjo gjë duhet të ndryshojë, sepse është gjë e rrezikshme, siç pamë më 6 janar, domethënë që njerëzit besuan që vota ishte vjedhur nga ata, hynë në Kapitol sepse ata besuan se votat ishin të vjedhura”, thotë ajo.

Këto ndasi dhe polarizimi reflektohet edhe në komunitetin shqiptar dhe ata që nuk janë me asnjërën palë, si Joli Paparisto, një aktiviste dhe instruktore vallëzimi, thonë për Zërin e Amerikës, se politika nuk duhet të ndërhyjë në marrëdhëniet me njerëzit.

“Qytetaria është ajo që duhet të na çojë përpara të gjithëve si njerëz dhe si komunitet. Kështuqë të jemi të gjithë një çikë më tolerantë me bindjet politike që kemi gjithësecili nga ne”.

Dhe në fund të fundit, rezultati i zgjedhjeve mund të varet nga të pavendosurit dhe nëse ata që janë të painteresuar për politikën si zonja Paparisto, dalin të votojnë:

“Në momentin që gjithsekush fiton, duhet të mbajnë premtimet e veta dhe në rastin konkret kushdo që të fitojë këtu në Miçigan, do të shpresoja shumë që të mbanin premtimet që i kanë dhënë elektoratit të vet”.

Mes të pavendosurve është edhe pensionisti Hamdi Zeqiri. Dhe çfarë do ta bindte atë të votonte për njërin kandidat ose tjetrin?

“Për mua, të jenë më afër për popullin. Tani për vota po e duan, por si të marrin votën, nuk interesohen më për popullin, por interesohen për politikën”.

Miçigani, me rreth 10 milionë banorë, ka 15 vota elektorale, që pritet të jenë jetike për fituesin. Ish-Presidenti Trump fitoi në këtë shtet në vitin 2016 me pak më shumë se 10 mijë vota, ndërsa Presidenti Joe Biden fitoi katër vjet më pas me 154 mijë vota më shumë. Dhe ndërsa anketat këtë herë tregojnë se të dy kandidatët gëzojnë mbështetje pothuajse të barabartë, çdo votë, edhe mes grupeve të diasporës, është e rëndësishme.

Anketat e opinionit publik në Shtetet e Bashkuara tregojnë se Miçigani është një nga shtetet që mund të përcaktojnë rezultatin e zgjedhjeve presidenciale në nëntor. Për këtë arsye, demokratja Kamala Harris dhe rivali i saj republikan Donald Trump, e kanë vizituar shpesh këtë shtet kohët e fundit, për të shpalosur vizionin e tyre si edhe për të bërë për vete votuesit. Ashtu si edhe votuesit e tjerë të shtetit, shqiptaro-amerikanët po ndjekin me vëmendje qëndrimet e kandidatëve për çështjet që kanë rëndësi për ta. Por se cilin vizion do të zgjedhin votuesin e Miçiganit për katër vitet e ardhshme do të shihet më 5 nëntor./ VOA

shba

Artikuj te sugjeruar

video

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 16

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 16

Gruaja me dy identitete që premton “shërim” me ujin e kufomave në Pejë

A ka Shqipëria një Nicola Gratteri?

Katër nëna në kërkim të fëmijeve/ Bisedat që zbuluan rrjetin e errët

Flamur Gjuzi, i dënuar për"shpërdorim detyre" sot drejtor i Policisë Bashkiake, sërish shkel ligjin?

Pallatet u zhytën“Durrës Marina" dhe Autoriteti Portual bëjnë veprimin e papritur përballë skandalit

Ekskluzive/ Nicola Gratteri çmonton skemën e pastrimit të parave të ndërtimit në Tiranë

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 15

Enkel Demi duke luftuar paragjykimet për shqiptarët. (kamera e fshehtë)

Milva Ekonomi i firmosi miliona euro Vilma Nushit, kjo e fundit i investoi te kulla e Ervin Matës

Ajo çfarë mund të na mësojë Kosova.

Laboratorë “copy-paste”/ I njëjti mjek firmos analiza në disa pika, skema që ngre pikëpyetje

Rrjeti i ‘errët’ i vajzave të zhdukura! Bisedat tronditëse si funksiononte grupi.

Bleu 300 m2 tokë në vitin 2004, kthehet nga emigrimi dhe gjen aty vilë 3-katëshe.

“Na detyruan nga Dubai”/ Konstruktori i Durrës Marina zbulon pse u zhytën pallatet

Drejtori që tregon sjellje të pahijshme me nxënësen: Jam i fortë edhe në parti

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 14

Turisti zemërgjerë nga Italia dhe patatinat falas

Aksidentet “pushtojnë” oborrin e familjes në Klos, banori: Një ditë do ndodhë tragjedi

Lidhja jashtëmartesore që përfundoi në makth /32-vjeçarja rrëfen shantazhin me video intime

Sherr në terminalin e Peshkopisë, shoferi: Mos më vidh pasagjerët! Shko ha bukë te pjesa jote

Artisti dhe Frika

Si u kthye në urrejtje dashuria mes ish-bashkëshortëve dhe ‘lufta’ për 200 mijë euro!

14-vjeçare me dr*gë dhepro*titucion, rrjeti i errët i minoreneve të zhdukura

Zhytja e pallateve te Alabarit/ IKMT pranon anomalitë në “Durrës Marina”: Janë zhytur 28 cm

"Ederlezi", festa e veçantë e komunitetit rom.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 13

Do t’i fus duart edhe nëse bërtet, motra e 13 vjeçares rrëfen tmerrin e mesazheve që mësuesi ia çon

“Inspektori gjobëvënës” i bashkisë terrorizon qytetarët

Pagat e mohura të druvarëve në Navaricë! Miliona lekë për të marrë dhe kërcënime

Rruga Thumanë–Kashar/ 1 miliard euro dhe “5 lekëshi” që po merret nga xhepat e qytetarëve

Me viza turistike ose kontrata futbolli drejt Europës/ Kush fshihet pas skemës së trafikimit?

Nënat denoncojnë ikjet nga shtëpia dhe jetën e dyshimtë të adoleshentëve

Për mediat dhe fëmijët

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 12

Muzikanti i rruges “vjedh” koleget. Banka e fundit

Dajak për 50 metra rrugë në Dibër, kushërinjtë në ’luftë’ për pronën.

Fisnik Syla, “BAMIRËS” apo shantazhues

A janë "idiotë "shqiptarët e Maqedonisë së Veriut? Çfarë do të thoshte Arbën Xhaferraj?

Presidenti i FSHP reagon për deklaratat e Erkand Qerimaj: Lajthita atëherë, tani kam reflektuar

Nga jetimorja te humbja e kujdestarisë. Rrëfen nëna që kërkon bashkimin me vajzën pas 13 vitesh

Tigrat e Vlorës: energjia që prodhohet 6 herë më shtrenjtë se sa shitet.

Skandali i zhytjes së pallateve në Durrës Marina / Ndërhyn IKMT.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 11

Dhjetëra punonjës fasonerie pa marrë pagat: Blerimi mori lekët dhe u zhduk! Pronari premton zgjidhje

Hapet filial i bankës turke në “zemër” të Bllokut, reklamat vendosen pa leje

Energji për brezin tim

Nga ‘Viola’ tek Dorina: Si përfundoi në borxh një histori dashurie në distancë

Firma “Trade Minerals Al” po shkatërron mjedisin dhe infrastrukturën e fshatit Gjegjan në Kukës

Nga shpërthimi i drejtorit te prapaskenat e ushqimit në institucionin privat në Elbasan