AKTUALITET

A mund ta bëjë BE-ja Shqipërinë një vend më të aksesueshëm?

Piranjat Përditësimi i fundit 16 Shtator 2026, 08:37

A mund ta bëjë BE-ja Shqipërinë një vend më

Katerina Jaupaj e kuptoi që e vogël se nuk mund t’i hidhte hapat pa menduar për pasojat. Ishte vetëm një vjeç e gjysmë dhe sapo kishte filluar të ecte kur theu këmbën për herë të parë.

Më vonë, mjekët e diagnostikuan me osteogenesis imperfecta, një çrregullim i rrallë gjenetik që ndikon në prodhimin e kolagjenit dhe i bën kockat veçanërisht të brishta. Të njohur shpesh si “fëmijët e qelqtë”, personat me këtë sëmundje përballen me një rrezik të lartë frakturash edhe nga goditje apo lëvizje që për të tjerët do të ishin të zakonshme.

Frika nga dëmtimet e shoqëroi Katerinën gjatë gjithë fëmijërisë. Bashkëmoshatarët, të porositur nga prindërit e saj që të tregoheshin të kujdesshëm, e trajtonin “si princeshë”, kujton ajo.

Rreth klasës së katërt, Katerina filloi të përdorte një karrige me rrota. Por mjeti që duhej t’i jepte më shumë liri në lëvizje u kthye shpejt në një burim tjetër ankthi. Në Patos, qytetin e vogël ku u rrit, ishte e vështirë të gjeje goma apo pjesë këmbimi për karrigen, ndërsa rampat në shkolla, institucione dhe hapësira publike pothuajse nuk ekzistonin. Për aksesueshmërinë, kujton Katerina, “thuajse nuk bëhej fare fjalë”.

Pavarësisht pengesave, Katerina vazhdoi shkollën, u zhvendos në Tiranë dhe shkoi në universitet. Sot në moshën 23-vjeçare, ajo punon në një agjenci publike për promovimin e politikave rinore dhe ndjek studimet master për Punë Sociale. Kryeqyteti i ofroi më shumë mundësi se qyteti ku u rrit, por jo domosdoshmërisht më shumë pavarësi.

Shumë nga barrierat mbetën të njëjta.

Në përpjekje për të garantuar të drejtat e personave me aftësi të kufizuar dhe pjesëmarrjen e tyre të plotë në shoqëri, si dhe për të përafruar legjislacionin shqiptar me atë të Bashkimit Evropian, Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale publikoi më 1 shtator për konsultim publik projektligjin “Për përfshirjen dhe aksesueshmërinë e personave me aftësi të kufizuara”.

Projektligji transpozon në legjislacionin shqiptar Aktin Evropian për Aksesueshmërinë dhe vendos standarde të reja për një gamë të gjerë produktesh dhe shërbimesh, veçanërisht ato digjitale. Ai zgjeron gjithashtu detyrimet e institucioneve shtetërore dhe bizneseve private për t’i bërë produktet dhe shërbimet e tyre të aksesueshme.

Aktivistët e konsiderojnë projektligjin një hap të rëndësishëm drejt standardeve evropiane. Por hendeku mes ambicies së tij dhe realitetit në terren i bën skeptikë: a mund të kalojë Shqipëria te standardet e aksesueshmërisë digjitale, kur ende nuk ka arritur të garantojë aksesin fizik në ndërtesat publike dhe private?

“Është një hap pozitiv, por shumë i vështirë për t’u zbatuar,” tha Suela Lala, drejtuese e Fondacionit “Së Bashku”, duke nënvizuar se në Shqipëri ka ende spitale, qendra shëndetësore, shkolla dhe rrugë të paaksesueshme, ose rampa që nuk përmbushin standardet bazë.

“Të kalosh nga këto mangësi te aksesueshmëria digjitale e bankave, bankomateve, dyqaneve dhe shërbimeve të tjera, publike dhe private, është një kapërcim shumë i madh,” shtoi ajo.

Barrierat fizike dhe institucionale

Sipas Censit të vitit 2023, 6.5 për qind e popullsisë shqiptare mbi pesë vjeç jeton me të paktën një aftësi të kufizuar, të përkufizuar nga INSTAT si pamundësi e plotë në të paktën një nga gjashtë funksionet bazë: shikimi, dëgjimi, ecja, përqendrimi, kujdesi për veten dhe komunikimi.

Aftësia e kufizuar lidhet fort me moshën. Gati 60 për qind e personave të identifikuar nga Censi janë mbi 65 vjeç, ndërsa prevalenca është më e lartë mes grave, 7.2 për qind, krahasuar me 5.9 për qind mes burrave.

Megjithëse personat me aftësi të kufizuara përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të popullsisë, për shumë prej tyre pjesëmarrja e barabartë në jetën publike vazhdon të pengohet nga barriera fizike dhe institucionale. Legjislacioni kërkon prej vitesh eliminimin e këtyre pengesave, por ndërtesat publike, shkollat, qendrat shëndetësore, rrugët dhe transporti mbeten shpesh të paaksesueshme. Edhe aty ku janë ndërtuar rampa, ato jo gjithmonë përmbushin standardet bazë.

Për Katerina Jaupajn, një dalje e zakonshme nga shtëpia mund të shndërrohet shpejt në një varg pengesash. Sfida mund të nisë te dera e pallatit, nëse godina nuk ka rampë apo ashensor, të vazhdojë në trotuaret e ngushta e të bllokuara dhe të përfundojë përpara shkallëve të një banke, dyqani apo kafeneje ku ajo nuk mund të hyjë pa ndihmën e dikujt tjetër.

“Mund të nisë që nga pallati ku banon. Mund të mos ketë rampë dhe të mos kesh mundësi të dalësh vetë nga shtëpia. Pastaj vazhdon me rrugën, bankën, dyqanin e kështu me radhë,” tha 23-vjeçarja, e cila studion për master në Punë Sociale. “Edhe për të pirë një kafe, shpesh nuk mund të shkosh vetë. Duhet të kesh gjithmonë një shoqërues.”

Në Tiranë, trotuaret e zëna nga ndërtimet apo pengesa të tjera e detyrojnë shpesh Jaupajn të lëvizë me karrigen me rrota në të njëjtën hapësirë me makinat.

“Dhe aty, normalisht, rrezikon,” tha ajo.

Jaupaj e ka provuar edhe një realitet tjetër gjatë një periudhe që jetoi në Gjermani, ku infrastruktura e përshtatur, sipas saj, i dha mundësi të ishte shumë më pak e varur nga ndihma e të tjerëve. Ndryshimi ishte veçanërisht i dukshëm në transportin publik.

“Në Gjermani, autobusët dhe metrotë janë të përshtatura. Edhe nëse një person është vetëm, mund të lëvizë,” tha ajo. “Diferenca është shumë e madhe,” shtoi Jaupaj.

Të njëjtin hendek sheh dhe Suela Lala, drejtuese e Fondacionit “Së Bashku”. Sipas saj, problemi kryesor nuk qëndron te mungesa e legjislacionit, por te dështimi për ta zbatuar atë, ndërsa vë re se, edhe vetë Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale pranon se një pjesë e institucioneve në varësi të saj vazhdojnë të jenë të paaksesueshme për personat me aftësi të kufizuara.

Ajo e cilëson ligjin ekzistues një “dështim total”, pasi më shumë se një dekadë pas miratimit, ndryshimet në terren mbeten të pakëta.

“Kur flasim për aksesueshmëri, shumica e njerëzve dhe institucioneve kuptojnë vetëm atë rampën në hyrje,” tha ajo. “Nuk kuptojnë elementët për personat që nuk shikojnë, mënyrën si mobilohet dhe organizohet mjedisi, tualetet e aksesueshme apo ndriçimin.”

Për të kapërcyer këtë hendek mes ligjit dhe realitetit, organizatat e personave me aftësi të kufizuara kanë kërkuar ngritjen e një agjencie kombëtare që të monitorojë zbatimin e standardeve, të vendosë sanksione, por edhe të informojë institucionet shtetërore dhe subjektet private mbi detyrimet e tyre. Sipas saj, mangësitë shpesh dëshmojnë jo vetëm mungesë zbatimi, por edhe moskuptim të vetë konceptit të aksesueshmërisë.

Projektligji i ri synon të zëvendësojë ligjin nr. 93/2014 “Për përfshirjen dhe aksesueshmërinë e personave me aftësi të kufizuara”, duke zgjeruar ndjeshëm detyrimet, veçanërisht për bizneset dhe ofruesit e shërbimeve.

Ndryshimi kryesor është kalimi nga një kuadër i përqendruar kryesisht te mbështetja e personave me aftësi të kufizuara, drejt vendosjes së standardeve të detyrueshme për produkte dhe shërbime, në përputhje me Aktin Evropian të Aksesueshmërisë.

Në praktikë, kërkesat e reja do të prekin një gamë të gjerë produktesh teknologjike – nga kompjuterët, telefonat inteligjentë dhe pajisjet elektronike te bankomatet, terminalet e pagesave, makinat e biletave dhe kioskat elektronike. Detyrime të ngjashme vendosen për shërbimet bankare, transportin, komunikimet elektronike, mediat audiovizive, librat elektronikë, tregtinë online dhe shërbime të tjera digjitale.

Risia është se përgjegjësia nuk mbetet vetëm te institucionet publike. Prodhuesit, importuesit, distributorët dhe ofruesit privatë të shërbimeve duhet të sigurojnë aksesueshmërinë përgjatë gjithë ciklit të produktit ose shërbimit – nga projektimi dhe prodhimi deri te hedhja në treg dhe përdorimi nga konsumatori. Projektligji parashikon gjithashtu rregulla të reja për aksesueshmërinë në prokurimet publike dhe mundësinë e tërheqjes nga tregu të mallrave që nuk përmbushin kërkesat.

“Projektligji përbën një hap të rëndësishëm përpara,” thotë Blerta Cani, drejtuese e Fondacionit Shqiptar për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara. (ADRF), ndërsa shtoi se ndryshe nga ligji aktual ai vendos detyrime konkrete për aksesueshmërinë e mallrave dhe shërbimeve dhe e shtrin më qartë këtë përgjegjësi edhe te sektori privat, nga bankat dhe bankomatet te tregtia elektronike, transporti dhe komunikimet. “Sfida kryesore mbetet kalimi nga parimet në zbatim,” shtoi ajo.

Një tjetër ndryshim lidhet me kontrollin dhe sanksionet. Mbikëqyrja ndahet mes disa ministrive dhe institucioneve rregullatore, përfshirë Bankën e Shqipërisë, AKEP-in dhe AMA-n. Projektligji zgjeron gjithashtu konceptin e jetesës së pavarur, duke parashikuar asistencë personale, vendimmarrje të mbështetur dhe financim për mjete ndihmëse. Personit me aftësi të kufizuara i njihet një rol më i madh në zgjedhjen dhe menaxhimin e mbështetjes që merr, përfshirë zgjedhjen dhe udhëzimin e ndihmësit personal.

Sistemi i ri parashikon shqyrtimin e ankesave, kontrolle periodike dhe masa korrigjuese, ndërsa gjobat mund të arrijnë deri në 5 milionë lekë ose në 0.1 për qind të xhiros vjetore për shoqëritë tregtare.

“Kjo qasje shfrytëzon ekspertizën e institucioneve sektoriale, por kërkon koordinim të fortë, kapacitete teknike dhe një mekanizëm të thjeshtë e të aksesueshëm për paraqitjen e ankesave,” tha Cani.

Ajo shtoi se masat konkrete të gjobave, afatet që do t’u lihen operatorëve për korrigjimin e shkeljeve dhe raportimi publik mbi kontrollet duhet të përcaktohen qartë, në mënyrë që ligji të zbatohet njësoj nga institucionet e ndryshme.

Edhe sistemi i vlerësimit për personat me aftësi të kufizuar ndryshon drejt një qasjeje multidisiplinare, ku nuk merret parasysh vetëm gjendja shëndetësore e individit, por edhe barrierat sociale dhe mjedisore që kufizojnë pjesëmarrjen e tij. Institucionet qendrore dhe vendore ngarkohen të planifikojnë gradualisht fonde për eliminimin e pengesave në shërbimet publike, ndërsa personave me aftësi të kufizuara dhe organizatave të tyre u forcohet roli në konsultimin dhe monitorimin e politikave.

“Standardet specifike dhe një pjesë e procedurave do të përcaktohen me akte nënligjore brenda 18 muajve,” shpjegoi Cani. “Prandaj është e rëndësishme që këto akte të hartohen në kohë dhe me pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë të personave me aftësi të kufizuara dhe organizatave të tyre,” shtoi ajo.

Projektligji për aksesueshmërinë vjen në kohën kur Shqipëria ka përshpejtuar përafrimin e legjislacionit vendas me direktivat dhe standardet e Bashkimit Evropian, si pjesë e negociatave të anëtarësimit. Ritmi i ri po sjell standarde më të larta në legjislacion, por njëkohësisht po ngre pikëpyetje mbi kostot dhe kapacitetet e vendit për t’i zbatuar ato në praktikë.

Gledis Gjipali, drejtor ekzekutiv i Lëvizjes Europiane në Shqipëri (EMA), vlerëson se presioni për të përmbushur afatet e negociatave nuk është shoqëruar me të njëjtin intensitet nga debati mbi faturën financiare që përafrimi do të ketë për shtetin, bizneset dhe qytetarët.

“Procesi po zhvillohet kryesisht nën presionin e afateve për përafrimin formal të legjislacionit, ndërsa debati publik dhe vlerësimet e konsoliduara mbi kostot e këtij procesi për institucionet, biznesin dhe qytetarët mbeten shumë të kufizuara,” tha Gjipali.

Sipas tij, analizat e ndikimit dhe përllogaritjet financiare që shoqërojnë ligjet e reja shpesh mungojnë ose nuk arrijnë të pasqyrojnë plotësisht investimet që do të kërkohen në infrastrukturë, burime njerëzore dhe përshtatjen e bizneseve.

“Rreziku është që shpejtësia e miratimit të ligjeve të mbizotërojë ndaj kapacitetit për zbatimin e tyre real,” shtoi Gjipali. “Përmbushja e standardeve të BE-së kërkon jo vetëm legjislacion të harmonizuar, por edhe mjete financiare, institucione funksionale dhe kohë të mjaftueshme përshtatjeje”, theksoi ai.

Projektligji i ri për aksesueshmërinë e personave me aftësi të kufizuara e vendos këtë dilemë në terma konkretë. Ai synon të sjellë në legjislacionin shqiptar kërkesat e Aktit Evropian për Aksesueshmërinë, duke vendosur detyrime të reja për institucionet publike dhe një gamë të gjerë operatorësh privatë. Por ndërsa standardet që duhet të arrihen janë përcaktuar, fatura e zbatimit mbetet e paqartë.

Një prej sektorëve që pritet të preket drejtpërdrejt është ai bankar, ku kërkesat e reja shtrihen nga bankomatet te shërbimet dhe kanalet digjitale. Por ndërsa projektligji është ende në konsultim, bankat nuk kanë një përllogaritje të kostos së përshtatjes.

Spiro Brumbulli, sekretar i përgjithshëm i Shoqatës Shqiptare të Bankave, tha për BIRN se sektori është ende duke shqyrtuar kërkesat e projektligjit.

“Jemi në fazën e shqyrtimit dhe diskutimit me bankat,” theksoi ai.

Blerta Cani vëren se relacioni që shoqëron projektligjin e pranon nevojën për financim, por nuk tregon se sa do të kushtojë zbatimi. “Projektligji e pranon se zbatimi do të kërkojë financim dhe parashikon mbështetje nga Buxheti i Shtetit dhe planifikim në programet buxhetore afatmesme, por në relacionin e publikuar nuk paraqitet shifra e kostos totale,” tha ajo, ndërsa shtoi se dokumenti thotë se kostot janë përllogaritur në Raportin e Vlerësimit të Ndikimit. “Në fund suksesi i ligjit do të varet nga aktet nënligjore, buxheti dhe monitorimi i vazhdueshëm”, përfundoi Cani./ BIRN

Artikuj te sugjeruar

video

Çdo të premte | ? 20:45 | ???? Syri TV

Çdo të premte | ? 20:45 | ???? Syri TV

Si u tentua të shantazhohej me 100 mijë euro shefi i kabinetit të Përparim Ramës përmes mediave

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 16

Gruaja me dy identitete që premton “shërim” me ujin e kufomave në Pejë

A ka Shqipëria një Nicola Gratteri?

Katër nëna në kërkim të fëmijeve/ Bisedat që zbuluan rrjetin e errët

Flamur Gjuzi, i dënuar për"shpërdorim detyre" sot drejtor i Policisë Bashkiake, sërish shkel ligjin?

Pallatet u zhytën“Durrës Marina" dhe Autoriteti Portual bëjnë veprimin e papritur përballë skandalit

Ekskluzive/ Nicola Gratteri çmonton skemën e pastrimit të parave të ndërtimit në Tiranë

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 15

Enkel Demi duke luftuar paragjykimet për shqiptarët. (kamera e fshehtë)

Milva Ekonomi i firmosi miliona euro Vilma Nushit, kjo e fundit i investoi te kulla e Ervin Matës

Ajo çfarë mund të na mësojë Kosova.

Laboratorë “copy-paste”/ I njëjti mjek firmos analiza në disa pika, skema që ngre pikëpyetje

Rrjeti i ‘errët’ i vajzave të zhdukura! Bisedat tronditëse si funksiononte grupi.

Bleu 300 m2 tokë në vitin 2004, kthehet nga emigrimi dhe gjen aty vilë 3-katëshe.

“Na detyruan nga Dubai”/ Konstruktori i Durrës Marina zbulon pse u zhytën pallatet

Drejtori që tregon sjellje të pahijshme me nxënësen: Jam i fortë edhe në parti

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 14

Turisti zemërgjerë nga Italia dhe patatinat falas

Aksidentet “pushtojnë” oborrin e familjes në Klos, banori: Një ditë do ndodhë tragjedi

Lidhja jashtëmartesore që përfundoi në makth /32-vjeçarja rrëfen shantazhin me video intime

Sherr në terminalin e Peshkopisë, shoferi: Mos më vidh pasagjerët! Shko ha bukë te pjesa jote

Artisti dhe Frika

Si u kthye në urrejtje dashuria mes ish-bashkëshortëve dhe ‘lufta’ për 200 mijë euro!

14-vjeçare me dr*gë dhepro*titucion, rrjeti i errët i minoreneve të zhdukura

Zhytja e pallateve te Alabarit/ IKMT pranon anomalitë në “Durrës Marina”: Janë zhytur 28 cm

"Ederlezi", festa e veçantë e komunitetit rom.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 13

Do t’i fus duart edhe nëse bërtet, motra e 13 vjeçares rrëfen tmerrin e mesazheve që mësuesi ia çon

“Inspektori gjobëvënës” i bashkisë terrorizon qytetarët

Pagat e mohura të druvarëve në Navaricë! Miliona lekë për të marrë dhe kërcënime

Rruga Thumanë–Kashar/ 1 miliard euro dhe “5 lekëshi” që po merret nga xhepat e qytetarëve

Me viza turistike ose kontrata futbolli drejt Europës/ Kush fshihet pas skemës së trafikimit?

Nënat denoncojnë ikjet nga shtëpia dhe jetën e dyshimtë të adoleshentëve

Për mediat dhe fëmijët

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 12

Muzikanti i rruges “vjedh” koleget. Banka e fundit

Dajak për 50 metra rrugë në Dibër, kushërinjtë në ’luftë’ për pronën.

Fisnik Syla, “BAMIRËS” apo shantazhues

A janë "idiotë "shqiptarët e Maqedonisë së Veriut? Çfarë do të thoshte Arbën Xhaferraj?

Presidenti i FSHP reagon për deklaratat e Erkand Qerimaj: Lajthita atëherë, tani kam reflektuar

Nga jetimorja te humbja e kujdestarisë. Rrëfen nëna që kërkon bashkimin me vajzën pas 13 vitesh

Tigrat e Vlorës: energjia që prodhohet 6 herë më shtrenjtë se sa shitet.

Skandali i zhytjes së pallateve në Durrës Marina / Ndërhyn IKMT.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 11

Dhjetëra punonjës fasonerie pa marrë pagat: Blerimi mori lekët dhe u zhduk! Pronari premton zgjidhje

Hapet filial i bankës turke në “zemër” të Bllokut, reklamat vendosen pa leje

Energji për brezin tim

Nga ‘Viola’ tek Dorina: Si përfundoi në borxh një histori dashurie në distancë