AKTUALITET

Çfarë shikojnë shqiptarët: Argëtimi me abonim apo me biletë?

Piranjat Përditësimi i fundit 15 Gusht 2026, 08:07

Çfarë shikojnë shqiptarët: Argëtimi me abonim apo me

Në një kohë kur filmi shihet gjithnjë e më shpesh nga divani, me telekomandë në dorë dhe abonim mujor në platforma streaming, kinemaja në Shqipëri po përpiqet të rifitojë vendin e saj jo thjesht si ekran i madh, por si përvojë sociale.

Mes Netflix-it që hyn çdo mbrëmje në shtëpi me pak euro në muaj dhe sallave që kërkojnë të dalësh nga shtëpia, biletë, kohë dhe shpenzim shtesë, tregu i argëtimit po ndahet mes komoditetit digjital dhe nevojës për të përjetuar diçka jashtë rutinës.

Në këtë përplasje të heshtur mes divanit dhe sallës së errët, industria e filmit në Shqipëri po hyn në një fazë të re transformimi. Blockbuster-at ndërkombëtarë (njihen ndryshe filmat më të suksesshëm që vendosin rekorde), prodhimet shqiptare, netët tematike, koncertet live në sallë dhe rikthimi i familjeve apo brezit Gen Z po ndryshojnë mënyrën si frekuentohet kinemaja.

Ajo nuk po tenton më të mbijetojë vetëm si vend ku shfaqet një film, por si event social, i lidhur me qendrat tregtare, kohën e lirë dhe shpenzimin spontan.

Ndryshe nga Netflix, që mbetet një abonim individual dhe i heshtur në shtëpi, kinemaja po shitet gjithnjë e më shumë si përvojë. A mund të mbijetojë biznesi i kinemasë në një treg ku ekrani i vogël është bërë më i lirë, më i afërt dhe gjithmonë i disponueshëm?

Ndërsa streaming ka demokratizuar aksesin te përmbajtja dhe ka shtuar ndjeshëm ofertën, ai nuk e ka zhdukur dëshirën për përjetime kolektive. Suksesi i disa filmave shqiptarë, sallat e mbushura në premierat më të mëdha dhe rritja e eventeve alternative tregojnë se publiku vazhdon të kërkojë emocione që nuk mund të riprodhohen në shtëpi.

Që nga janari 2016, kur Netflix u përhap globalisht dhe Shqipëria hyri për herë të parë në hartën e tij të tregjeve, platforma ka kaluar nga një shërbim “premium” i përdorur nga një grup i kufizuar njerëzish, në një shpenzim të konsoliduar të ekonomisë së familjeve shqiptare.

Dhjetë vite më vonë, në shkurt 2026, të dhënat e Start.io e vlerësojnë audiencën aktive të Netflix në Shqipëri në 37,773 përdorues aktivë.

Në aspektin e çmimeve, Shqipëria mbetet një nga tregjet relativisht të përballueshme në Europë. Pas uljes së çmimeve në Ballkan në vitin 2023, planet aktuale lëvizin nga 4.99 euro për paketën bazë, 7.99 euro për standardin dhe 9.99 euro për premium.

Kjo krijon një çmim mesatar teorik prej 7.66 eurosh në muaj për abonent, nëse supozojmë një shpërndarje të barabartë të përdoruesve mes tre paketave.

Nga kjo pikë nis edhe vlera e tregut. Për 37,773 përdoruesit aktivë me çmimin mesatar 7.66 euro, del një treg mujor prej rreth 289,100 eurosh. Në terma vjetorë, kjo përkthehet në afro 3.47 milionë euro qarkullim potencial vetëm për Netflix në Shqipëri.

Ky është një treg më i madh sesa duket në pamje të parë. Në një ekonomi ku shpenzimet mujore të familjeve janë ende të ndjeshme ndaj çmimeve të ushqimeve, qirasë dhe energjisë, fakti që një platformë argëtimi arrin të mbledhë mbi 3 milionë euro në vit tregon se abonimet digjitale janë kthyer në një zë të qëndrueshëm të konsumit urban.

Praktikisht, Netflix po sillet si domosdoshmëri e re e klasës së mesme, në të njëjtin nivel psikologjik me internetin e shtëpisë, telefoninë celulare apo paketat sportive.

Shqipëria ka një nga normat më të larta të aksesit në internet në rajon, me rreth 98% të familjeve të lidhura online sipas Eurostat, çka krijon infrastrukturën e përsosur për zgjerimin e abonimeve OTT dhe video-on-demand.

Kjo do të thotë se kufiri i rritjes nuk është më infrastruktura, por gatishmëria për të paguar dhe konkurrenca me YouTube, IPTV-të lokale, Disney+, Prime Video dhe piraterinë.

Sipas administratorit të Kinemasë Millenium, Altin Elezaj, një nga vështirësitë kryesore është konkurrenca e fortë nga platformat e transmetimit të filmit online dhe pirateria. Shumë njerëz tani zgjedhin të shikojnë filmat në shtëpi, duke iu shmangur kinemave fizike.

“Përveç kësaj, kostot e operimit të një kinemaje janë të larta, duke përfshirë blerjen e biletave të filmave dhe pagesat për licencat e filmave të huaj. Kjo mund të bëjë që biznesi i kinemave të jetë i vështirë për t’u mbajtur.

Ne kemi bërë disa përpjekje për t’u përshtatur me këto sfida. Për të përballuar konkurrencën online, kemi investuar në teknologji të avancuar audio-vizuale dhe përvojë të përmirësuar për klientët tanë. Gjithashtu, kemi krijuar bashkëpunime me distributorët e filmave për të siguruar një repertor të gjerë dhe të përshtatshëm për audiencën tonë.

Kemi përdorur strategji marketingu kreative për të rritur interesin e publikut dhe për të rritur frekuentimin në kinemanë tonë”, – thotë z. Elezaj.

Për drejtuesin e marketingut të Cineplexx Albania, Klemi Sinakoli, ndikimi i platformave streaming është i dukshëm, por jo aq i fortë sa të zëvendësojë përvojën e kinemasë. Sipas tij, Netflix, Disney+ apo Prime Video kanë ndryshuar mënyrën se si publiku konsumon përmbajtje, por nuk kanë arritur të zëvendësojnë përvojën kolektive që ofron salla e kinemasë.

“Platformat streaming kanë ndikim real dhe kanë ndryshuar mënyrën se si publiku konsumon përmbajtje, por nuk e kanë zëvendësuar kinemanë. Ato janë më shumë një alternativë për shikim në shtëpi, ndërsa kinemaja ofron një eksperiencë kolektive, emocionale dhe teknologjikisht superiore”, thotë z. Sinakoli.

Sipas tij, konkurrenca me platformat online i ka detyruar operatorët e kinemave të fokusohen më shumë tek eksperienca dhe jo vetëm te filmi. “Konkurrenca ekziston, por nuk e shoh si shkatërruese; përkundrazi, na ka shtyrë të fokusohemi më shumë tek eksperienca, eventi, emocioni dhe sjellja e teknologjive më të fundit në rajon”, shton ai.

Z. Sinakoli vëren se rikthimi i blockbuster-ëve ndërkombëtarë, rritja e prodhimeve shqiptare dhe organizimi i eventeve speciale kanë ndihmuar në rikthimin gradual të publikut në sallat e kinemasë. Madje, sipas tij, viti 2026 pritet të jetë më i suksesshëm se viti 2019, që konsiderohet si viti rekord për Cineplexx Albania

A po reziston kinemaja si biznes?

Një nga operatorët më të vjetër të tregut shqiptar të kinemasë, Kinema Agimi, mbylli dyert në vitin 2021. Sot tregu i kinemave komerciale dominohet nga dy aktorë kryesorë, Cineplexx Albania dhe Kinema Millennium.

Cineplexx operon me disa komplekse kinemaje dhe gjithsej 11 salla, ndërsa Millennium vazhdon aktivitetin me një sallë të vetme në qendër të Tiranës. Përtej këtyre operatorëve dhe disa nismave të izoluara lokale, Shqipëria mbetet një nga vendet me rrjetin më të kufizuar të kinemave në rajon.

Të dhënat financiare tregojnë se rikuperimi pas pandemisë ka vazhduar edhe gjatë viteve të fundit. Sipas bilanceve të depozituara në Qendrën Kombëtare të Biznesit, Cineplexx Albania realizoi të ardhura prej 246.9 milionë lekësh në vitin 2022, 371.4 milionë lekë në vitin 2023 dhe 398.8 milionë lekë në vitin 2024.

Krahasuar me vitin 2022, të ardhurat janë rritur me rreth 61.5% në vetëm dy vite, duke iu afruar nivelit rekord prej 409.7 milionë lekësh të regjistruar në vitin 2019, para pandemisë.

Rritja konfirmon rikthimin gradual të publikut në sallat e kinemasë, një tendencë që sipas operatorëve lidhet jo vetëm me ofertën e filmave blockbuster, por edhe me nevojën për eksperienca sociale dhe argëtim jashtë shtëpisë.

Në vitin 2024, Cineplexx ishte vetëm rreth 2.6% larg rekordit historik të vitit 2019, duke treguar se tregu pothuajse është rimëkëmbur plotësisht goditjen e pandemisë.

Nga ana tjetër, Kinema Millennium mbetet një operator shumë më i vogël. Sipas bilanceve, të ardhurat e saj arritën në 4.36 milionë lekë në vitin 2022, 5.63 milionë lekë në vitin 2023 dhe 5.67 milionë lekë në vitin 2024.

Edhe pse në rritje krahasuar me vitet e pandemisë, aktiviteti mbetet larg niveleve të dikurshme. Viti më i mirë në historinë e kompanisë mbetet 2016, kur të ardhurat arritën në rreth 96.1 milionë lekë.

Kjo tregon se rikuperimi i tregut nuk ka qenë i njëtrajtshëm për të gjithë operatorët dhe se shkalla e aktivitetit vazhdon të varet fort nga madhësia, vendndodhja dhe kapaciteti i investimit të secilës kinema. 

Netflix vazhdon të mbetet një nga platformat më të përdorura të transmetimit në botë, por çmimet e abonimit janë rritur gradualisht në vitet e fundit.

Në tregjet europiane, paketa me reklama nis nga rreth 6.99 deri në 8.99 euro në muaj, ndërsa paketa standarde pa reklama kushton mesatarisht 13.99 deri në 19.99 euro në muaj.

Paketa Premium, që ofron cilësi 4K dhe përdorim në disa pajisje njëkohësisht, arrin deri në 21.99 euro në muaj në disa vende europiane.

Disney+ gjithashtu ka rritur tarifat në Europë. Aktualisht, abonimi standard kushton rreth 9.99 euro në muaj, ndërsa paketa Premium, që përfshin cilësi më të lartë video dhe më shumë përdorues njëkohësisht, arrin në rreth 13.99 deri në 15.99 euro në muaj.

Abonimet vjetore variojnë nga rreth 99 deri në 160 euro, në varësi të paketës dhe tregut.

Amazon Prime Video mbetet një nga alternativat relativisht më të lira. Në tregjet europiane, abonimi Prime zakonisht kushton rreth 4.49 deri në 8.99 euro në muaj, ose rreth 45 deri në 90 euro në vit, sipas vendit.

Megjithatë, në disa tregje Amazon ka nisur të tarifojë shtesë për versionin pa reklama, duke e rritur koston totale të shërbimit.

Sa u përket kinemave në Shqipëri, çmimet janë rritur më pak krahasuar me platformat streaming. Në Millennium Cinema, biletat për filmat 2D zakonisht variojnë nga 500 deri në 700 lekë, ndërsa për filmat 3D nga 700 deri në 1.000 lekë, në varësi të ditës dhe premierave.

Në Cineplexx, çmimet standarde për filmat 2D lëvizin zakonisht nga 600 deri në 800 lekë, ndërsa për filmat 3D mund të arrijnë në 750 deri në 1.000 lekë. Tarifat mund të ndryshojnë sipas orarit, eventeve speciale apo formateve premium të sallave.

Përtej modelit tradicional të sallës së mbyllur, Tirana ka eksperimentuar vitet e fundit edhe me forma alternative të shfaqjes së filmave, duke ndjekur një trend që është përhapur gjerësisht në qytetet europiane.

Kinematë verore, që dikur konsideroheshin një koncept nostalgjik, janë rikthyer si hapësira sociale ku filmi kombinohet me argëtimin, gastronominë dhe përvojën në natyrë.

Një nga modelet më të njohura është Open Air Tirana, e vendosur pranë Liqenit Artificial. Koncepti është i ngjashëm me kinematë verore që gjenden në shumë kryeqytete europiane: një ekran i madh në ambient të hapur, ulëse të tipit bean bag, muzikë, pije dhe ushqim.

Aktiviteti zhvillohet pothuajse çdo mbrëmje gjatë sezonit veror dhe është kthyer në një destinacion të dashur për të rinjtë, çiftet dhe grupet e miqve. Çmimi i biletës zakonisht varion nga 500 deri në 1.000 lekë, në varësi të filmit apo eventit të organizuar.

Një tjetër shembull është Cinespia 67, një projekt më i vogël dhe me karakter më alternativ.

Ndryshe nga modeli më komercial i Open Air Tirana, ky koncept krijon atmosferën e një oborri artistik ku filmi shoqërohet me aktivitete kulturore dhe sociale. Kapaciteti është më i kufizuar, ndërsa publiku synon më shumë eksperiencën sesa thjesht ndjekjen e filmit. Edhe këtu biletat zakonisht luhaten në intervalin 500 deri në 1.000 lekë.

Ndërkohë, Amfiteatri i Tiranës pranë Liqenit Artificial ka shërbyer herë pas here si një hapësirë për projeksione filmash, festivale apo aktivitete kulturore në natyrë.

Ndonëse nuk është një kinema e posaçme, kapaciteti i tij është shumë më i madh se ai i nismave private dhe e bën të përshtatshëm për aktivitete masive. Në shumë raste, projeksionet e organizuara aty kanë qenë pa pagesë ose me tarifa simbolike.

Këto eksperimente tregojnë se publiku shqiptar është i gatshëm të konsumojë filmin edhe jashtë sallës tradicionale. Megjithatë, tregu mbetet ende në një fazë fillestare.

Ndryshe nga qytete si Athina, Milano apo Barcelona, Tirana nuk ka ende një rooftop cinema të mirëfilltë, ku filmi të kombinohet me darkën, koktejet dhe një eksperiencë premium urbane.

Modelet ekzistuese janë më afër konceptit të parkut veror sesa një destinacioni lifestyle. Kjo sugjeron se, përtej rikthimit të kinemasë klasike, ekziston ende hapësirë për forma të reja investimi që e trajtojnë filmin jo vetëm si produkt kulturor, por edhe si eksperiencë sociale dhe turistike.

Protestat ulin frekuentimin në kinema

Një tjetër faktor i përkohshëm që ka ndikuar në uljen e frekuentimit të kinemave janë edhe protestat e mbrëmjes në qendër të Tiranës. Orari i tyre përkon me fashën më të rëndësishme të shfaqjeve, pas punës dhe shkollës, duke ndryshuar planet e daljes për shumë qytetarë.

Përveç trafikut dhe vështirësive në lëvizje, vëmendja publike është zhvendosur drejt zhvillimeve në shesh, duke prekur jo vetëm kinematë, por edhe forma të tjera argëtimi në qytet.

Një kinema e re në hartën e Tiranës

Ndërsa tregu i kinemave në Shqipëri dominohet nga Cineplexx dhe Millenium, prej vitit 2026 publiku ka edhe një alternativë tjetër: kinemanë “Drita”, pranë Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit (AQSHF), e drejtuar nga Eljan Tanini.

Sipas AQSHF-së, hapësira synon të shërbejë jo vetëm si sallë shfaqjesh, por edhe si pikë e turizmit kulturor, ku vizitorët mund të njihen me historinë e kinematografisë shqiptare.

Tarifat e biletave në Kinema “Drita”:

100 lekë – fëmijë deri në 18 vjeç
200 lekë – të rritur
300 lekë – vizitë me guidë në AQSHF
500 lekë – vizitë + shfaqje filmi
Salla mund të merret me qira edhe për aktivitete të ndryshme, me tarifë 20 mijë lekë në orë. Kinemaja organizon gjithashtu shfaqje të filmave shqiptarë, filmave të restauruar dhe aktivitete që lidhen me trashëgiminë filmike shqiptare.

Në një treg me vetëm pak salla aktive kinemaje, sipas drejtuesit të “Drita”, kjo formë kinemaje përfaqëson një model ndryshe: më shumë kulturore sesa komerciale./Monitor

Artikuj te sugjeruar

video

Si u tentua të shantazhohej me 100 mijë euro shefi i kabinetit të Përparim Ramës përmes mediave

Si u tentua të shantazhohej me 100 mijë euro shefi i kabinetit të Përparim Ramës përmes mediave

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 16

Gruaja me dy identitete që premton “shërim” me ujin e kufomave në Pejë

A ka Shqipëria një Nicola Gratteri?

Katër nëna në kërkim të fëmijeve/ Bisedat që zbuluan rrjetin e errët

Flamur Gjuzi, i dënuar për"shpërdorim detyre" sot drejtor i Policisë Bashkiake, sërish shkel ligjin?

Pallatet u zhytën“Durrës Marina" dhe Autoriteti Portual bëjnë veprimin e papritur përballë skandalit

Ekskluzive/ Nicola Gratteri çmonton skemën e pastrimit të parave të ndërtimit në Tiranë

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 15

Enkel Demi duke luftuar paragjykimet për shqiptarët. (kamera e fshehtë)

Milva Ekonomi i firmosi miliona euro Vilma Nushit, kjo e fundit i investoi te kulla e Ervin Matës

Ajo çfarë mund të na mësojë Kosova.

Laboratorë “copy-paste”/ I njëjti mjek firmos analiza në disa pika, skema që ngre pikëpyetje

Rrjeti i ‘errët’ i vajzave të zhdukura! Bisedat tronditëse si funksiononte grupi.

Bleu 300 m2 tokë në vitin 2004, kthehet nga emigrimi dhe gjen aty vilë 3-katëshe.

“Na detyruan nga Dubai”/ Konstruktori i Durrës Marina zbulon pse u zhytën pallatet

Drejtori që tregon sjellje të pahijshme me nxënësen: Jam i fortë edhe në parti

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 14

Turisti zemërgjerë nga Italia dhe patatinat falas

Aksidentet “pushtojnë” oborrin e familjes në Klos, banori: Një ditë do ndodhë tragjedi

Lidhja jashtëmartesore që përfundoi në makth /32-vjeçarja rrëfen shantazhin me video intime

Sherr në terminalin e Peshkopisë, shoferi: Mos më vidh pasagjerët! Shko ha bukë te pjesa jote

Artisti dhe Frika

Si u kthye në urrejtje dashuria mes ish-bashkëshortëve dhe ‘lufta’ për 200 mijë euro!

14-vjeçare me dr*gë dhepro*titucion, rrjeti i errët i minoreneve të zhdukura

Zhytja e pallateve te Alabarit/ IKMT pranon anomalitë në “Durrës Marina”: Janë zhytur 28 cm

"Ederlezi", festa e veçantë e komunitetit rom.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 13

Do t’i fus duart edhe nëse bërtet, motra e 13 vjeçares rrëfen tmerrin e mesazheve që mësuesi ia çon

“Inspektori gjobëvënës” i bashkisë terrorizon qytetarët

Pagat e mohura të druvarëve në Navaricë! Miliona lekë për të marrë dhe kërcënime

Rruga Thumanë–Kashar/ 1 miliard euro dhe “5 lekëshi” që po merret nga xhepat e qytetarëve

Me viza turistike ose kontrata futbolli drejt Europës/ Kush fshihet pas skemës së trafikimit?

Nënat denoncojnë ikjet nga shtëpia dhe jetën e dyshimtë të adoleshentëve

Për mediat dhe fëmijët

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 12

Muzikanti i rruges “vjedh” koleget. Banka e fundit

Dajak për 50 metra rrugë në Dibër, kushërinjtë në ’luftë’ për pronën.

Fisnik Syla, “BAMIRËS” apo shantazhues

A janë "idiotë "shqiptarët e Maqedonisë së Veriut? Çfarë do të thoshte Arbën Xhaferraj?

Presidenti i FSHP reagon për deklaratat e Erkand Qerimaj: Lajthita atëherë, tani kam reflektuar

Nga jetimorja te humbja e kujdestarisë. Rrëfen nëna që kërkon bashkimin me vajzën pas 13 vitesh

Tigrat e Vlorës: energjia që prodhohet 6 herë më shtrenjtë se sa shitet.

Skandali i zhytjes së pallateve në Durrës Marina / Ndërhyn IKMT.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 11

Dhjetëra punonjës fasonerie pa marrë pagat: Blerimi mori lekët dhe u zhduk! Pronari premton zgjidhje

Hapet filial i bankës turke në “zemër” të Bllokut, reklamat vendosen pa leje

Energji për brezin tim

Nga ‘Viola’ tek Dorina: Si përfundoi në borxh një histori dashurie në distancë

Firma “Trade Minerals Al” po shkatërron mjedisin dhe infrastrukturën e fshatit Gjegjan në Kukës

SOCIALE 6 Gusht17:27

Tre vite pa fondet IPARD në bujqësi

Në fillim të vitit, ministri i Bujqësisë, Andis Salla, deklaroi se fondet e programit IPARD III do të hapeshin brenda gjashtëmujor...