AKTUALITET

Motorët e ujit, rreziku që 'pushton' bregdetin e Shqipërisë

Piranjat Përditësimi i fundit 20 Korrik 2026, 10:03
Motorët e ujit, rreziku që 'pushton' bregdetin e

Ndërsa aksidentet me mjete lundruese në plazhet shqiptare po shtohen, institucionet ende dështojnë të vënë përpara përgjegjësisë operatorët e palicensuar apo të ofrojnë siguri për turistët shqiptarë dhe të huaj.

Nga Vladimir Karaj - Reporter.al

Më 11 shtator 2025, pushimet e Davidit, një 18 vjeçar nga Praga, morën një rrjedhë të papritur në gjirin e Sarandës, ndërsa ai po bënte xhiro në det me një “Jet Ski”.

Gjatë kthimit me shpejtësi të ulët drejt bregut, ku do të merrte të ëmën si pasagjere, ai u godit fuqishëm nga një mjet tjetër lundrues i drejtuar nga turistë nga Franca, duke përfunduar pa ndjenja në ujë. E ëma që po filmonte nga skela u shokua, ndërsa pa të birin të pluskonte në ujë, i mbajtur në sipërfaqe vetëm nga jeleku i shpëtimit.

“Djali im ra në ujë, duke mbetur i palëvizshëm dhe pa ndjenja,” tha ajo në një intervistë për BIRN. David dhe nëna e tij kërkuan të ishin anonimë, ndërsa i vunë në dispozicion BIRN dosjen e plotë të rastit të tyre, përfshi videon që tregonte përplasjen.

Gjatë rrugës për në spital, operatori që drejtonte biznesin e jetskive iu lut familjes të mos e përmendnin që dëmtimi kishte ndodhur nga një mjet ujor, duke pranuar se punonte pa një licencë.

Thuajse një vit më vonë, hetimet e kërkuara me këmbëngulje nga familja çeke nuk kanë dhënë asnjë rezultat, pasi fajtorët nuk u identifikuan.

Aksidente të ngjashme vijojnë të trondisin pushimet e shqiptarëve dhe të huajve në brigjet e vendit nga Shkodra në Sarandë. Të dhënat zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit tregojnë se ka një rritje të theksuar të aksidenteve me mjete motorike ujore, pavarësisht masave administrative dhe ashpërsimit të ndëshkimeve.

Nga vetëm dy incidente të rënda me pesë të lënduar në vitin 2023, bilanci është rënduar në 13 aksidente gjatë vitit 2025, duke lënë pas 17 të plagosur dhe tre viktima, përfshirë turistë të huaj.

Erdit Gega, drejtues i Federatës Shqiptare të Vrojtuesve të Plazhit dhe Shpëtimit në Ujë, thotë se edhe pse nuk renditen te shkaktarët kryesorë të vdekjeve në det, motorët e ujit mbeten një nga rreziqet shqetësuese për ata që i drejtojnë dhe për notarët e tjerë.

“Normalisht që janë të rrezikshëm,” tha Gega, ndërsa shtoi se pavarësisht vëmendjes së shtuar të policisë dhe sinjalizimeve nga vrojtuesit e plazhit, mjaft prej drejtuesve të këtyre mjeteve vijojnë të sillen me “arrogancë”. 

Incidentet me mjete lundruese mbeten një shqetësim i vazhdueshëm në plazhet e Shqipërisë edhe gjatë këtij sezoni. Në qershor të vitit 2026, një 22-vjeçar humbi jetën në Gjirin e Ksamilit pasi u përplas me Jet Ski me skafin e Policisë Kufitare.

Një vit më parë, në qershor 2025, një 34-vjeçar britanik humbi jetën dhe partnerja e tij u lëndua pasi ranë nga motori i ujit në afërsi të Shkëmbit të Kavajës në Durrës; ata nuk dinin not dhe mjeti u ishte dhënë pa asnjë verifikim të njohurive apo licencës për drejtimin e tij.

Të dhënat e siguruara përmes një kërkese për të drejtë informimi nga Policia e Shtetit tregojnë se gjatë viteve 2023-2025 u konstatuan 37 subjekte dhe individë që operonin motorë dhe varka uji tërësisht jashtë ligjit, pa licencë apo dokumentacion.

Në tre vite, numri i mjeteve të bllokuara nga policia u rrit nga 224 në vitin 2023 në 305 në vitin e kaluar për shkak të mungesës së dokumenteve nga operatorët apo për shkak se këta të fundit apo personat që i morën me qira shkelën rregullat e sigurisë. Në total, policia thotë se ka bllokuar në tre vite 794 mjete lundruese, prej të cilave 65% u ndëshkuan për shkelje të drejtpërdrejta të sigurisë, të tilla si mbingarkesa me pasagjerë apo dhënia e mjeteve personave të papërgatitur dhe pa mjete shpëtimi.

Ndërhyrjet masive të policisë dhe gjobat e rënda që variojnë nga minimumi 50 mijë lekë nuk duket se e kanë dekurajuar operimin e këtyre mjeteve në shkelje të rregullave të sigurisë. Vetëm në muajin qershor 2026, Drejtoria Vendore për Kufirin dhe Migracionin në Vlorë bëri me dije se bllokoi 66 mjete lundruese për shkelje të rregullave të sigurisë detare.

Përfaqësuesit e monitorimit të plazheve theksojnë se mjetet lundruese mbeten një rrezik real për shkak të papërgjegjshmërisë, edhe pse nuk renditen në listën e shkaktarëve kryesorë të mbytjeve në ujë.

Ai thotë se këtyre mjeteve të mëdha u është shtuar një tjetër problematikë e kohëve të fundit, që është përdorimi i “seabob-ave” (motorë të vegjël me bateri që tërheqin përdoruesit në ujë) nga fëmijët brenda zonave të notimit, në një kohë kur manualet e përdorimit e përcaktojnë moshën minimale 16 vjeç.

“Nuk ka pasur aksidente të rënda me to, por janë një shqetësim,” thotë ai.

Për Gegën, thelbi i problemit qëndron te mangësitë legjislative, pasi Kodi Detar ka vite pa u përditësuar dhe nuk reflekton realitetin e ri të turizmit ujor.

“Kodi Detar duhet përditësuar, ne kemi vite që nuk e kemi përditësuar Kodin Detar, dhe është e nevojshme që të ketë ndryshime për të rregulluar këto mjete apo për të reflektuar ndryshimet,” tha ai.

Beteja e familjes së të riut çek, i cili mbeti i lënduar rëndë pas përplasjes në Sarandë në shtator të vitit të kaluar, u zhvendos nga spitali në dyert e institucioneve të drejtësisë. Personi që shkaktoi përplasjen e dhunshme u identifikua privatisht si një shtetas me origjinë nga Kameruni dhe banues në Paris, i cili, pasi pa të riun të binte pa ndjenja në ujë, nuk bëri asnjë përpjekje për ta ndihmuar. Ashtu si Davidi, edhe ai ishte përdorues i një mjeti Jet Ski pa ndonjë licencë apo patentë.

Davidi dhe e ëma tregojnë se operatori që jepte Jet Ski-të me qira, mori përsipër privatisht të paguante shpenzimet mjekësore, përfshirë skanerin e Davidit, në një përpjekje për të shmangur regjistrimin e ngjarjes dhe përgjegjësitë e mëtejshme.

Megjithatë, kur në spitalin e Sarandës u paraqit policia, dy pushuesit e treguan të plotë atë që kishte ndodhur dhe morën garanci se përgjegjësit do gjendeshin.

Gati një vit më vonë, përpjekjet e familjes për të marrë një kopje të dosjes hetimore mbetën pa përgjigje. Një avokat që ata punësuan në Sarandë dorëzoi një sërë kërkesash formale në Prokurori, por nuk mori asnjëherë përgjigje.

Më pas, ata angazhuan një avokat të dytë nga Tirana. Ky i fundit mori një premtim nga prokurori i çështjes se dokumentet do të lëshoheshin, nëse avokati i parë paraqitej personalisht. Pavarësisht kësaj, dosja nuk iu vu në dispozicion palës së dëmtuar. Deri më sot, familja nuk ka asnjë dokument zyrtar mbi konkluzionet ligjore të ngjarjes.

Prokuroria e Sarandës nuk iu përgjigj një kërkese për të drejtë informimi dërguar nga BIRN. Edhe prokurori i çështjes, Lixhers Mali, nuk u përgjigj deri në publikimin e këtij shkrimi.

Pavarësisht traumës së përjetuar në Sarandë, familja e Davidit u rikthye sërish për pushime në Shqipëri, këtë herë në Shëngjin, ku kaluan ditë të qeta. Megjithatë, pasojat fizike dhe psikologjike të incidentit të parë mbeten të pranishme për 18-vjeçarin.

“Jam ende i tronditur dhe kam pasoja nga aksidenti,” shprehet Davidi. “Më shqetëson fakti që ende nuk ka drejtësi dhe që, pavarësisht se çfarë ndodhi, çështja mbetet e pazbardhur.”

“I shoh të njëjtët operatorë të vijojnë të japin me qira Jet Ski. I kam parë në Google, biznesi i tyre vijon si normalisht,”përfundoi ai. /BIRN/ 

Artikuj te sugjeruar

video

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 16

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 16

Gruaja me dy identitete që premton “shërim” me ujin e kufomave në Pejë

A ka Shqipëria një Nicola Gratteri?

Katër nëna në kërkim të fëmijeve/ Bisedat që zbuluan rrjetin e errët

Flamur Gjuzi, i dënuar për"shpërdorim detyre" sot drejtor i Policisë Bashkiake, sërish shkel ligjin?

Pallatet u zhytën“Durrës Marina" dhe Autoriteti Portual bëjnë veprimin e papritur përballë skandalit

Ekskluzive/ Nicola Gratteri çmonton skemën e pastrimit të parave të ndërtimit në Tiranë

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 15

Enkel Demi duke luftuar paragjykimet për shqiptarët. (kamera e fshehtë)

Milva Ekonomi i firmosi miliona euro Vilma Nushit, kjo e fundit i investoi te kulla e Ervin Matës

Ajo çfarë mund të na mësojë Kosova.

Laboratorë “copy-paste”/ I njëjti mjek firmos analiza në disa pika, skema që ngre pikëpyetje

Rrjeti i ‘errët’ i vajzave të zhdukura! Bisedat tronditëse si funksiononte grupi.

Bleu 300 m2 tokë në vitin 2004, kthehet nga emigrimi dhe gjen aty vilë 3-katëshe.

“Na detyruan nga Dubai”/ Konstruktori i Durrës Marina zbulon pse u zhytën pallatet

Drejtori që tregon sjellje të pahijshme me nxënësen: Jam i fortë edhe në parti

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 14

Turisti zemërgjerë nga Italia dhe patatinat falas

Aksidentet “pushtojnë” oborrin e familjes në Klos, banori: Një ditë do ndodhë tragjedi

Lidhja jashtëmartesore që përfundoi në makth /32-vjeçarja rrëfen shantazhin me video intime

Sherr në terminalin e Peshkopisë, shoferi: Mos më vidh pasagjerët! Shko ha bukë te pjesa jote

Artisti dhe Frika

Si u kthye në urrejtje dashuria mes ish-bashkëshortëve dhe ‘lufta’ për 200 mijë euro!

14-vjeçare me dr*gë dhepro*titucion, rrjeti i errët i minoreneve të zhdukura

Zhytja e pallateve te Alabarit/ IKMT pranon anomalitë në “Durrës Marina”: Janë zhytur 28 cm

"Ederlezi", festa e veçantë e komunitetit rom.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 13

Do t’i fus duart edhe nëse bërtet, motra e 13 vjeçares rrëfen tmerrin e mesazheve që mësuesi ia çon

“Inspektori gjobëvënës” i bashkisë terrorizon qytetarët

Pagat e mohura të druvarëve në Navaricë! Miliona lekë për të marrë dhe kërcënime

Rruga Thumanë–Kashar/ 1 miliard euro dhe “5 lekëshi” që po merret nga xhepat e qytetarëve

Me viza turistike ose kontrata futbolli drejt Europës/ Kush fshihet pas skemës së trafikimit?

Nënat denoncojnë ikjet nga shtëpia dhe jetën e dyshimtë të adoleshentëve

Për mediat dhe fëmijët

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 12

Muzikanti i rruges “vjedh” koleget. Banka e fundit

Dajak për 50 metra rrugë në Dibër, kushërinjtë në ’luftë’ për pronën.

Fisnik Syla, “BAMIRËS” apo shantazhues

A janë "idiotë "shqiptarët e Maqedonisë së Veriut? Çfarë do të thoshte Arbën Xhaferraj?

Presidenti i FSHP reagon për deklaratat e Erkand Qerimaj: Lajthita atëherë, tani kam reflektuar

Nga jetimorja te humbja e kujdestarisë. Rrëfen nëna që kërkon bashkimin me vajzën pas 13 vitesh

Tigrat e Vlorës: energjia që prodhohet 6 herë më shtrenjtë se sa shitet.

Skandali i zhytjes së pallateve në Durrës Marina / Ndërhyn IKMT.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 11

Dhjetëra punonjës fasonerie pa marrë pagat: Blerimi mori lekët dhe u zhduk! Pronari premton zgjidhje

Hapet filial i bankës turke në “zemër” të Bllokut, reklamat vendosen pa leje

Energji për brezin tim

Nga ‘Viola’ tek Dorina: Si përfundoi në borxh një histori dashurie në distancë

Firma “Trade Minerals Al” po shkatërron mjedisin dhe infrastrukturën e fshatit Gjegjan në Kukës

Nga shpërthimi i drejtorit te prapaskenat e ushqimit në institucionin privat në Elbasan