AKTUALITET

Para BE-së, 20% e kantiereve të ndërtimit, pa standarde sigurie

Piranjat Përditësimi i fundit 28 Qershor 2026, 09:24

Para BE-së, 20% e kantiereve të ndërtimit, pa standarde sigurie

20% e kantiereve të ndërtimit nga totali i 338 prej tyre të inspektuara deri tani nga Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit nuk përmbushin kushtet teknike të sigurisë sipas standardeve të BE-së. Në fillim të procesit të përafrimit të rregullave të BE-së te sektori i ndërtimit, shoqatat e biznesit paralajmërojnë se transformimi do të shoqërohet me rritje kostosh për ndërtimin dhe rrezik për përjashtim të një pjese të kompanive për mosplotësimin e kërkesave

Pas sektorit të sigurisë ushqimore, radha për t’iu nënshtruar testit të standardeve europiane ka ardhur për ndërtimin. Kontrollet e para të Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT) tregojnë se gati 1 në 5 kantiere të inspektuara nuk respektojnë kushtet bazë të sigurisë, duke ngritur pikëpyetje mbi gatishmërinë e industrisë për tregun europian.

Deri tani nga 338 kantiere ndërtimi të inspektuara në Tiranë, Golem, Vlorë dhe Himarë, sipas të dhënave të IKMT-së, 65 subjekte apo rreth 20% e tyre janë ndëshkuar me gjoba dhe pezullim punimesh për mosrespektim të rregullave të sigurisë teknike.

Kontrollet po zhvillohen në dy faza. Fillimisht, inspektorët nxjerri në pah shkeljet dhe lënë rekomandime për përmirësimin e kushteve të sigurisë.

Dy javë më pas kryhet rikontrolli dhe në rast se rekomandimet nuk janë zbatuar, subjektet penalizohen me gjoba që variojnë nga 500 mijë deri në 5 milionë lekë, si dhe me pezullim të punimeve në varësi të shkeljeve të konstatuara.

Nga të dhënat rezulton se në territorin e Bashkisë së Tiranës janë verifikuar 219 objekte ndërtimi, prej të cilave 41 me leje të miratuara nga Këshilli Kombëtar i Territorit (janë ndërtesat me mbi 8 kate) dhe 178 me leje të dhëna nga pushteti vendor.

Pas rikontrolleve të kryera në bashkëpunim me Agjencinë e Zhvillimit të Territorit dhe Inspektoratet e Mbrojtjes së Territorit, në 45 raste apo rreth 21% e tyre janë konstatuar mangësi në zbatimin e masave të sigurisë, duke sjellë vendosjen e gjobave dhe pezullimin e punimeve.

Në zonën e Golemit janë kontrolluar 73 subjekte ndërtimi, ku 8 prej tyre apo rreth 11% janë ndëshkuar me masa administrative. Ndërkohë në Vlorë janë inspektuar 32 objekte dhe në 12 raste, apo rreth 38% e tyre, janë konstatuar shkelje të rregullave të sigurisë.

Kontrollet kanë nisur edhe në Himarë, ku deri tani janë inspektuar 14 nga 71 subjektet e planifikuara. IKMT ka paralajmëruar se procesi do të shtrihet gradualisht në të gjithë territorin e vendit.

Drejtori i IKMT-së, Afrim Qendro, sqaroi për “Monitor” se kontrollet për përmbushjen e standardeve të sigurisë teknike sipas rregullave të BE-së, do të intensifikohen në muajt në vijim. Sipas tij, aktualisht inspektimet po vijojnë në zonën e Qerretit, ndërsa pritet të shtrihen në Durrës, Lezhë, Dhërmi dhe Kamëz.

Zoti Qendro tha se pas përfundimit të inspektimeve për sigurinë në kantieret e ndërtimit, kontrollet do të fokusohen në kontrollin e materialeve të ndërtimit, përfshirë cilësinë dhe kushtet teknike të përdorimit të betonit.

Kjo fazë inspektimesh do të ndërmerret në bashkëpunim me Institutin e Ndërtimit.

Arben Shkodra, sekretari i përgjithshëm i Shoqatës së Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë, thotë se para integrimit të vendit në tregun e përbashkët të Bashkimit Europian, edhe sektori i ndërtimit do t’i nënshtrohet një procesi të gjatë dhe të vështirë transformimi, duke nisur me plotësimin e kushteve të standardeve teknike të kantiereve të ndërtimit.

Por paraprakisht, sipas tij mbështetur në analizat e kryera, vlerësohet se shumica dërrmuese e kompanive të ndërtimit janë ende shumë larg standardeve të sigurisë teknike sipas rregullave të BE-së.

“Nga njëra anë, sektorit të ndërtimit do t’i duhet të përballet me kërkesa të larta të plotësimit të standardeve për proceset ndërtimore, siç janë siguria në punë, kushtet teknike të kantiereve, makineritë dhe pajisjet e certifikuara CE, ruajtja e mjedisit etj.

Nga ana tjetër, industria e prodhimit të materialeve të ndërtimit do të duhet të plotësojë një sërë kushtesh dhe standardesh teknike, të cilat kërkojnë investime më të mëdha dhe rritje kapacitetesh të brendshme për t’i mbajtur këto standarde në vazhdimësi.

Nëse të gjithë këto elemente do të duhet të përshtaten me kërkesat e Bashkimit Europian, atëherë pritet të ketë rritje të kostos së ndërtimit në Shqipëri”.

Zoti Shkodra rekomandon se inspektimet e nisura për sektorin duhet të kenë përparësi kategorizimin e kompanive, duke ndjekur modelin e ngjashëm me atë të sigurisë ushqimore.

“Së fundi, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) ka nisur kontrollet në kantieret e ndërtimit për verifikimin e përmbushjes së standardeve të Bashkimit Europian.

Modeli i kontrollit i çdo trupe inspektuese duhet të jetë i njëjtë me atë të ndjekur për sigurinë ushqimore nga AKU, ku bizneset i nënshtrohen një procesi inspektimi, i cili bën vlerësimin dhe kategorizimin e çdo ndërmarrje në lidhje me përmbushjen e kushteve të BE-së. Vlerësimi dhe kategorizimi është një fotografi e qartë e gjendjes aktuale dhe nivelit të përgatitjes për t’u integruar në tregun e përbashkët të Bashkimit Europian.

Ashtu si për çdo sektor tjetër, edhe për sektorin e ndërtimit, duhet të organizohen tryeza dialogu dhe sesione informuese me bizneset e sektorit, me qëllim ofrimin e orientimeve dhe mbështetjes për përmbushjen e kritereve të kërkuara”, vlerëson ai.

Standardet

“Nga njëra anë, sektorit të ndërtimit do t’i duhet të përballet me kërkesa të larta të plotësimit të standardeve për proceset ndërtimore, siç janë siguria në punë, kushtet teknike të kantiereve, makineritë dhe pajisjet e certifikuara CE, ruajtja e mjedisit etj. Nga ana tjetër, industria e prodhimit të materialeve të ndërtimit do të duhet të plotësojë një sërë kushtesh dhe standardesh teknike, të cilat kërkojnë investime më të mëdha dhe rritje kapacitetesh të brendshme për t’i mbajtur këto standarde në vazhdimësi. Nëse të gjithë këto elemente do të duhet të përshtaten me kërkesat e Bashkimit Europian, atëherë pritet të ketë rritje të kostos së ndërtimit në Shqipëri”.

Në total, në vend, sipas të dhënave të publikuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve për vitin 2026 operojnë 8,784 kompani ndërtimi. 47% e kompanive e kanë të përqendruar aktivitetin e tyre  në Tiranë, 14% në Durrës, 6% në Vlorë, 6% në Fier, 5% në Elbasan, në Lezhë dhe Sarandë 4% secila etj.

Pjesa më e madhe e aktivitetit të ndërtuesve shqiptarë është e përqendruar te ndërtimi i ndërtesave rezidenciale dhe jorezidenciale, ku sipas të dhënave të tatimeve, 27% e tyre operojnë në këtë segment.

Pjesa tjetër është përqendruar për punime të specializuara ndërtimi p.k.t, duke përbërë 22% të totalit të kompanive. 6.2% e tyre e kanë të fokusuar veprimtarinë për punime hidraulike, instalime të ngrohjes dhe kondicionimit të ajrit, 5.4% për instalime elektrike, etj.

Në total, në sektor janë të punësuar 64,572 punonjës, ku 12% e punonjësve janë të deklaruar nën pagën minimale prej 40 mijë lekësh dhe 18% e tyre janë të deklaruar me pagë minimale.

6,220 apo 25% e tyre marrin paga që përfshihen në fashën e pagave 40,001 deri 50,000 lekë në muaj. 14,475 punonjës apo 22% përfshihen në fashën e pagave nga 50,001 deri në 70,000 lekë; 8,062 apo 12% e tyre janë në fashën e pagave nga 70,001 deri në 100,000 lekë; 2,156 apo 3% e totalit të punonjësve janë në fashën e pagave nga 100,001 deri në 120,000 lekë dhe vetëm 7% e tyre përfitojnë paga mbi 120 mijë lekë në muaj.

Shoqata e Ndërtuesve: Për përmbushjen e standardeve nevojiten orientime më të qartë

Teksa testimi për përmbushje standardesh para anëtarësimit në BE ka nisur me trokitjen derë më derë të inspektorëve edhe te kompanitë e ndërtimit, përfaqësues të sektorit ngrenë shqetësimin e nevojës për orientime më të qarta për përmbushjen e standardeve, dhe më shumë përgatitje.

Kryetari i Bordit Drejtues të Shoqatës së Ndërtuesve të Shqipërisë, Erjon Harizi, pohoi se sektori shqiptar i ndërtimit ka bërë hapa drejt përafrimit me standardet e Bashkimit Europian, por ende mbetet punë e konsiderueshme për t’u bërë për të garantuar tranzicionin e plotë dhe konkurrues në tregun europian.

Z. Harizi theksoi se bizneset kanë nevojë për më shumë qartësi lidhur me standardet që do të bëhen të detyrueshme në të ardhmen.

“Deri më sot ka pasur disa hapa në drejtim të përafrimit të legjislacionit dhe standardeve me ato të Bashkimit Europian, por sektori i ndërtimit ka nevojë për orientim më të qartë. Kompanitë duhet të dinë konkretisht se cilat standarde teknike do të jenë të detyrueshme për t’u zbatuar.

Aktualisht ka ende shumë punë për t’u bërë”, deklaroi z. Harizi.

Duke folur për nivelin aktual të përmbushjes së standardeve europiane nga kompanitë shqiptare, kreu i Shoqatës së Ndërtuesve tha se mungojnë të dhënat e plota kombëtare, por sipas vlerësimeve, sektori konsiderohet ende i papërgatitur.

“Shoqata e Ndërtuesve nuk disponon një databazë të plotë kombëtare që të tregojë sa kompani përmbushin standardet e BE-së.

Megjithatë, nga praktika e sektorit vërehet se ka kompani serioze që punojnë me standarde të larta, por ka edhe një pjesë të tregut që  ka nevojë për përmirësim në dokumentacionin teknik, kontrollin e cilësisë, sigurinë në kantier dhe përdorimin e materialeve më të sigurta.

Disa kompani shqiptare janë të përgatitura dhe kanë përvojë, kapacitete teknike dhe potencial për të konkurruar. Por sektori në tërësi nuk mund të konsiderohet ende plotësisht i përgatitur. Duhet një proces tranzicioni, me rregulla të qarta, certifikime, formalizim më të madh, rritje të kapaciteteve teknike dhe mbështetje institucionale”, tha ai.

Sipas kreut të Shoqatës së Ndërtuesve, integrimi europian nuk duhet parë si kërcënim për industrinë e ndërtimit, por si një mundësi për të rritur cilësinë dhe standardet e të gjithë tregut.

“Ndërtuesit nuk e shohin integrimin në BE si pengesë, por si mundësi për të ngritur standardin e gjithë tregut. Ky proces do të ketë nevojë për kohën e vet, por me rëndësi është që ndërtuesit të fillojnë që tani përgatitjet e tyre për një konkurrencë më të madhe në të ardhmen”, përfundoi z. Harizi.

Prodhuesit e materialeve të ndërtimit, përballë standardeve europiane

Ndërsa kontrollet në kantieret e ndërtimit po intensifikohen dhe kompanitë e ndërtimit kërkojnë orientime më të qarta për fillimin e përgatitjeve, prodhuesit e materialeve të ndërtimit paralajmërojnë se përmbushja e standardeve europiane do të kërkojë investime të konsiderueshme, të cilat jo të gjitha kompanitë janë në gjendje t’i përballojnë.

Ilda Baraj, anëtare e Shoqatës së Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë, thotë se kompanitë më të mëdha të sektorit kanë nisur prej vitesh investimet për përafrimin me standardet e Bashkimit Europian, veçanërisht në drejtim të mbrojtjes së mjedisit dhe modernizimit të teknologjisë së prodhimit.

Sipas saj, ende nuk ka nisur një monitorim i plotë i sektorit për të matur nivelin e përmbushjes së standardeve, por bizneset tashmë kanë orientimet dhe udhëzimet e nevojshme për të nisur procesin e përshtatjes.

“Prej 5 vitesh, që kur nisi diskutimi për investimet në teknologji për reduktimin e emetimeve të lëndëve djegëse të dëmshme për mjedisin, kompania e prodhimit të tullave K.I.D Alb sh.p.k. ka përmirësuar sistemet e filtrimit dhe teknologjinë prodhuese.

Edhe kompani të tjera serioze, përfshirë prodhuesit e çimentos, e kanë nisur tashmë këtë proces. Megjithatë, prodhuesve u është ngarkuar ndër vite një barrë fiskale e lartë krahasuar me prodhuesit e materialeve të ndërtimit në rajon, duke sjellë rritje të kostove të prodhimit.

Gjithashtu mungojnë lehtësitë për promovimin e produkteve shqiptare”.

Megjithatë, jo të gjitha kompanitë ndodhen në të njëjtën fazë.

“Disa kompani janë në proces përshtatjeje me standardet e BE-së. Por, nga ana tjetër, një pjesë e konsiderueshme e kompanive, për shkak të mungesës së kapaciteteve financiare dhe njerëzore, janë ende larg përmbushjes së këtyre standardeve”, vlerëson zonja Baraj.

Kostoja e financimit për këtë transformim, si për kompanitë zhvilluese të ndërtimit apo edhe për prodhuesit e materialeve të ndërtimit mbetet një nga shqetësimet kryesore të industrisë.

Arben Shkodra, nga Shoqata e Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë, paralajmëron se përmbushja e një sërë standardesh, që nga çështjet e sigurisë, deklarimit të pagave të punonjësve, rritja e cilësisë së materialeve të përdoruara, pritet të rrisë koston e ndërtimit në vend. Për rrjedhojë do të rriten edhe çmimet e shitjes së apartamenteve.

“Prej vitesh, sektori i ndërtimit ndodhet në një periudhë zhvillimi intensive duke kryesuar shpesh rritjen ekonomike. Në të gjithë vendin po zhvillohen kantiere të shumta ndërtimi, ndërsa nga ana tjetër, kostot e ndërtimit mbeten relativisht të ulëta krahasuar me vendet e Bashkimit Europian.

Kostoja e ulët e ndërtimit lidhet me disa faktorë kryesorë:

Së pari, proceset e ndërtimit nuk kanë përshtatur ende plotësisht standardet dhe kriteret e Bashkimit Europian në lidhje me mbrojtjen e mjedisit, sigurinë teknike të kantiereve, si dhe standardet e tjera teknike.

Së dyti, kostoja e krahut të punës mbetet ende e ulët në krahasim me vendet e BE-së, duke ndikuar në mbajtjen e një kostoje ndërtimi në nivele të pranueshme.

Së treti, kostoja e materialeve të ndërtimit mbetet shumë më e ulët krahasuar me vendet e BE-së, pasi proceset e prodhimit të këtyre materialeve nuk u nënshtrohen ende plotësisht rregullave, kritereve dhe standardeve teknike të prodhimit të aplikuara në vendet e Bashkimit Europian.

Edhe materialet e ndërtimit të importuara hyjnë në Shqipëri me një kosto relativisht të ulët, pasi në vendet e origjinës, ato nuk zbatojnë kriteret e qëndrueshmërisë në prodhim, taksat e karbonit apo edhe kosto të tjera që shpesh lehtësohen apo subvencionohen nga shtetet përkatëse.

Shpesh kjo situatë krijon probleme të konkurrencës së pandershme duke vendosur prodhuesin vendas nën një presion të vazhdueshëm të uljes së çmimeve dhe humbjes së pjesëve të caktuara të tregut të brendshëm”.

Ndërsa Ilda Baraj thotë se deri tani, rreth 90% e bizneseve prodhuese anëtare të Shoqatës së Bashkimit të Prodhuesve kanë mbuluar vetë kostot e investimeve për modernizimin e teknologjisë dhe përmirësimin e standardeve.

“Investimet janë realizuar përmes kredive bankare ose me kapitalet e vetë kompanive, ndërsa mbështetja financiare nga institucionet publike ka qenë e kufizuar. Ministria e Mjedisit ka qenë e pranishme në dhënien e direktivave, e udhëzimeve dhe monitorimit të emetimeve, por kostoja e transformimit është përballuar pothuajse tërësisht nga bizneset”, shprehet ajo.

Përfaqësuesja e Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë paralajmëron se jo të gjitha kompanitë do të mund ta përballojnë këtë proces. Sipas saj, edhe në vendet që janë anëtarësuar më herët në Bashkimin Europian, një pjesë e bizneseve nuk arritën të përmbushnin kërkesat dhe dolën nga tregu.

“Përfshirja në një treg të përbashkët nuk përbën shqetësim, pasi do të sjellë rregulla të njëjta për të gjitha kompanitë.

Shqetësuese mbetet periudha e tranzicionit, pasi deri në anëtarësimin e Shqipërisë në BE, kostot e transformimit të industrisë prodhuese do të përballohen kryesisht nga vetë bizneset.

Gjatë kësaj periudhe, për shkak të vështirësive financiare, pritet që një pjesë e kompanive të mos arrijnë të mbijetojnë dhe të falimentojnë.

Po çfarë kërkon industria nga shteti?

Përballë sfidave të integrimit, industria prodhuese kërkon ndërhyrje te politikat fiskale, me qëllim që të krijohen kushte të barabarta konkurrence me vendet e rajonit, përmes uljes së kostove të energjisë dhe rishikimit të akcizave për lëndët djegëse të përdorura në proceset industriale.

“Biznesi ka shumë nevojë të operojë në një mjedis me rregulla të barabarta loje. Siç e theksova edhe më lart, kostot e prodhimit në Shqipëri janë më të larta sesa për një prodhues në Serbi, Bosnjë-Hercegovinë apo vende të tjera të rajonit, kryesisht për shkak të kostos më të lartë të energjisë, karburanteve dhe të lëndëve të tjera djegëse.

Përveç kostove të larta të energjisë, një tjetër disavantazh janë taksat e larta, si TVSH-ja, tatimi në burim, akcizat dhe mungesa e politikave fiskale në mbështetje të prodhimit vendas.

Politika fiskale për akcizën e lëndëve djegëse duhet të rishikohet. Është e nevojshme të ulet akciza për naftën, gazin dhe burimet e tjera të energjisë që përdoren nga industria prodhuese, në mënyrë që bizneset shqiptare të përmirësojnë konkurrueshmërinë e tyre në tregjet rajonale dhe europiane”, thekson zonja Baraj.

Si përfundim, ashtu siç po ndodh edhe me sektorin e agroprodhimit, edhe prodhuesit e materialeve të ndërtimit dhe zhvilluesit e projekteve, kostot e përshtatjes me standardet e reja do të vijojnë të mbulohen kryesisht nga bizneset, ndërsa konkurrenca nga produktet e importit pritet të rritet.

Për këtë arsye, drejtuesit e shoqatave të biznesit përsërisin se kjo periudhë do të jenë vendimtare për të përcaktuar se cilat kompani do të arrijnë të përshtaten me standardet europiane dhe cilat rrezikojnë të mbeten jashtë tregut.

Sektori i radhës që do t’i nënshtrohet kontrollit për përmbushjen e standardeve do të jetë turizmi./ Monitor 

Artikuj te sugjeruar

video

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 16

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 16

Gruaja me dy identitete që premton “shërim” me ujin e kufomave në Pejë

A ka Shqipëria një Nicola Gratteri?

Katër nëna në kërkim të fëmijeve/ Bisedat që zbuluan rrjetin e errët

Flamur Gjuzi, i dënuar për"shpërdorim detyre" sot drejtor i Policisë Bashkiake, sërish shkel ligjin?

Pallatet u zhytën“Durrës Marina" dhe Autoriteti Portual bëjnë veprimin e papritur përballë skandalit

Ekskluzive/ Nicola Gratteri çmonton skemën e pastrimit të parave të ndërtimit në Tiranë

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 15

Enkel Demi duke luftuar paragjykimet për shqiptarët. (kamera e fshehtë)

Milva Ekonomi i firmosi miliona euro Vilma Nushit, kjo e fundit i investoi te kulla e Ervin Matës

Ajo çfarë mund të na mësojë Kosova.

Laboratorë “copy-paste”/ I njëjti mjek firmos analiza në disa pika, skema që ngre pikëpyetje

Rrjeti i ‘errët’ i vajzave të zhdukura! Bisedat tronditëse si funksiononte grupi.

Bleu 300 m2 tokë në vitin 2004, kthehet nga emigrimi dhe gjen aty vilë 3-katëshe.

“Na detyruan nga Dubai”/ Konstruktori i Durrës Marina zbulon pse u zhytën pallatet

Drejtori që tregon sjellje të pahijshme me nxënësen: Jam i fortë edhe në parti

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 14

Turisti zemërgjerë nga Italia dhe patatinat falas

Aksidentet “pushtojnë” oborrin e familjes në Klos, banori: Një ditë do ndodhë tragjedi

Lidhja jashtëmartesore që përfundoi në makth /32-vjeçarja rrëfen shantazhin me video intime

Sherr në terminalin e Peshkopisë, shoferi: Mos më vidh pasagjerët! Shko ha bukë te pjesa jote

Artisti dhe Frika

Si u kthye në urrejtje dashuria mes ish-bashkëshortëve dhe ‘lufta’ për 200 mijë euro!

14-vjeçare me dr*gë dhepro*titucion, rrjeti i errët i minoreneve të zhdukura

Zhytja e pallateve te Alabarit/ IKMT pranon anomalitë në “Durrës Marina”: Janë zhytur 28 cm

"Ederlezi", festa e veçantë e komunitetit rom.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 13

Do t’i fus duart edhe nëse bërtet, motra e 13 vjeçares rrëfen tmerrin e mesazheve që mësuesi ia çon

“Inspektori gjobëvënës” i bashkisë terrorizon qytetarët

Pagat e mohura të druvarëve në Navaricë! Miliona lekë për të marrë dhe kërcënime

Rruga Thumanë–Kashar/ 1 miliard euro dhe “5 lekëshi” që po merret nga xhepat e qytetarëve

Me viza turistike ose kontrata futbolli drejt Europës/ Kush fshihet pas skemës së trafikimit?

Nënat denoncojnë ikjet nga shtëpia dhe jetën e dyshimtë të adoleshentëve

Për mediat dhe fëmijët

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 12

Muzikanti i rruges “vjedh” koleget. Banka e fundit

Dajak për 50 metra rrugë në Dibër, kushërinjtë në ’luftë’ për pronën.

Fisnik Syla, “BAMIRËS” apo shantazhues

A janë "idiotë "shqiptarët e Maqedonisë së Veriut? Çfarë do të thoshte Arbën Xhaferraj?

Presidenti i FSHP reagon për deklaratat e Erkand Qerimaj: Lajthita atëherë, tani kam reflektuar

Nga jetimorja te humbja e kujdestarisë. Rrëfen nëna që kërkon bashkimin me vajzën pas 13 vitesh

Tigrat e Vlorës: energjia që prodhohet 6 herë më shtrenjtë se sa shitet.

Skandali i zhytjes së pallateve në Durrës Marina / Ndërhyn IKMT.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 11

Dhjetëra punonjës fasonerie pa marrë pagat: Blerimi mori lekët dhe u zhduk! Pronari premton zgjidhje

Hapet filial i bankës turke në “zemër” të Bllokut, reklamat vendosen pa leje

Energji për brezin tim

Nga ‘Viola’ tek Dorina: Si përfundoi në borxh një histori dashurie në distancë

Firma “Trade Minerals Al” po shkatërron mjedisin dhe infrastrukturën e fshatit Gjegjan në Kukës

Nga shpërthimi i drejtorit te prapaskenat e ushqimit në institucionin privat në Elbasan