AKTUALITET

Pasi u lirua nga burgu i Burrelit, ajo mori guximin dhe iu drejtua me një letër Hysni Kapos/ Historia e panjohur e vlonjates së doktoruar në Marsejë

Nga Nini Mano Përditësimi i fundit 15 Janar 2026, 07:59

Pasi u lirua nga burgu i Burrelit, ajo mori guximin dhe iu drejtua me një

Me jetën e Erifili Bezhanit lidhen histori të spikatura karakteresh shqiptare, por shumë të dhimbshme dhe tragjike të një familje me prejardhje të hershme intelektuale. Të tilla janë jetët e fëmijëve të Pavllo Bezhanit nga Vlora dhe Amalia Kolea nga Berati. Pavllo ishte bir i familjes së njohur Bezhani, familje e madhe, e pasur, me aktivitet të madh tregtar eksport-import në Vlorë, Greqi, Itali deri në Egjiptin e largët. Bezhanët njihen në historinë e zhvillimit të tregut financiar shqiptar, pasi që nga viti 1850, hapën të parën bankë private në Shqipëri, e njohur fillimisht si “Banka Pandeli & Lefter Bezhani”.

Ndërsa Amalia Kolea ishte vajza e vogël e avokatit nga Berati, Kristo Kolea, përfaqësues i Monopolit francez të duhaneve “La Regie Des Tabac” në perandorinë Otomane në territorin Shqipëri, Greqi, Maqedoni. Amalia Bezhani ka qenë poete, e para vajzë shqiptare, e cila ka botuar poezitë e saj në revistën “Bleta Shqiptare”, botim i komunitetit shqiptar të Misirit në Egjipt, në fund të shekullit XIX-të, kur jetonte me të vëllanë, patriotin Sotir Kolea.

E mbetur e ve shpejt, në vitin 1918, Amalia Bezhani me mençuri të veçantë, jo vetëm që drejtoi dhe zhvilloi biznesin e familjes brenda dhe jashtë vendit, por u kujdes për shkollimin sa më të mirë të tre fëmijëve. Ndërsa vajzat, Erifili dhe Evrinomi studiuan dhe u diplomuan në universitetet e Francës, djali Aleko studioi për Ekonomi në Romë, Itali në mes të viteve ‘30-të. Për të tre ushtrimi i profesionit në vendlindje, bashkë me idealin për të ndryshuar dhe përmirësuar bashkë me jetën, edhe konceptet e vjetra fanatike shqiptare, u ndërprenë në moshën më produktive me ardhjen e PKSH-së në fuqi.

Erifili Bezhani lindi në Vlorë në 16.11.1910. Pas mbarimit të shkollës fillore në vendlindje, e ëma e dërgoi për shkollim në Korfuz. Pas mbarimit të shkollës së mesme, shkon në Francë me të motrën, ku studion fillimisht për Letërsi Frenge dhe më pas kryen studimet në Fakultetin e Drejtësisë, në Universitetin e qytetit Alix-en-Provence, në 1939. Vazhdon me studime të mëtejshme deri sa merr edhe “Licenciee en Droit”. Ushtron dy vjet profesionin e avokates në Marsejë, në vitet 1941-‘42, ku fejohet me një avokat të njohur aristokrat francez.

Kur ishte në kulmin e lumturisë, nga një fatkeqësi e së motrës Evrinomi, e diplomuar edhe kjo si “Profesorë e D’Etudes Francaises” në të njëjtin Universitet, Erifili Bezhani lë pas gjithçka dhe e shoqëron atë për në Shqipëri. Ishte kohë lufte, dimër i vitit 1943, kur dy motrat zbritën në Portin e Vlorës për të mos u larguar më kurrë prej luftës, deri në vdekje. Pas një qëndrimi në qytetin e lindjes, së bashku me nënën, dy motrat Bezhani largohen nga Vlora dhe në vitin 1944 vendosen në Tiranë. Gjenden shumë shpejt në qendër të grupeve me intelektualë të dalluar shqiptarë, shkolluar në vende të ndryshme të Europës. Në vitet e para të çlirimit, me fillimin e pushkatimeve të nacionalistëve, Erifili kupton se ardhja e Partisë Komuniste Shqiptare në krye të vendit, nuk ishte rruga që do të vendoste sistemin pluralist demokratik.

Ajo ishte si shumë intelektualë, që bashkë me shkollimin universitar jashtë atdheut, kishin përvetësuar, për fatin e tyre të keq e tragjik, bashkë me normat e edukimit perëndimor, edhe modelin e shoqërive të vërteta demokratike. “Është një reprezalje e frikshme, jashtë shembullit të vendeve europiane, ndaj duhet ndalur”, – shprehej tek të afërmit e vet, Erifili Bezhani. Ajo aktivizohet në lëvizjen antikomuniste të grupimit “Bashkimi Demokrat”, ku bënin pjesë anëtarë të grupit të Deputetëve, Liberal-demokrateve, social-demokratët, etj.

Miqtë e saj të përhershëm me të cilët shoqërohej, ishin intelektualë të njohur të kohës si Gjergj Kokoshi, Thoma Orogollai, Doktor Isuf Hysenbegasi, Dhimitër Pasko (Mitrush Kuteli), Qenan Dibra, Musine Kokalari etj. Veterania e Luftës Nacional-Çlirimtare, Andromaqi Noçka, kujton: “Erifili ishte demokrate në shpirt, ashtu siç duhet të jenë sot politikanët.

Unë vija nga zonat e lira, rreth vitit 1945, kur takova pas shumë vitesh Erifili Bezhanin, ishte me Dhimitër Paskon, u ulëm në një lokal dhe të dy, mbaj mënd që bisedonin për politikë, rreth rrugëve për vendosjen e demokracisë. Jo vetëm në atë rast, por asnjëherë Erifili, nuk më tërhoqi vëmendjen për bindjet e mia politike, sepse dinte të respektonte çdonjëri.

I vetmi faj për të cilin u dënua Erifili, ishte se guxoi të fliste hapur, me zë të lartë vazhdimisht për vendosjen e demokracisë dhe për nevojën e pluralizmit politik në Shqipëri. Kishte një fjalor të pasur që shoqëronte argumentet rreth këtyre ideve. Aty u kapën edhe në dënimin e saj”. Për guximin dhe burrërinë që e karakterizonte Erifilin, ish-i dënuari politik, Dr. Isuf Hysenbegasi, ka lënë këtë kujtim: “Mes viteve 1945-‘46 një përfaqësues anglez bëri një takim me inteligjencën e Tiranës. Midis të tjerave, ai tha: Ne Shqipërinë nuk do ta lëmë në duart e komunistëve.

Në atë moment ndërhyri Erifili Bezhani duke thënë: Shikoni Egjiptin që po ju rrëshqet nga duart, sa për fatin e Shqipërisë, ai është përcaktuar tashmë. ‘Kush jeni ju zonjë’, e pyeti anglezi. ‘Jam një grua shqiptare’, – ju përgjigj Erifili Bezhani”. Në 16 maj 1947, pas arrestimeve të bujshme të “Grupit të Deputetëve”, të “Liberal-demokratëve”, etj., Erifili Bezhani arrestohet dhe nga fundi i vitit, dënohet me 20 vjet heqje lirie nga Gjykata Ushtarake e Tiranës. Dërgohet në burgun famëkeq të Burrelit, duke u rreshtuar në historinë e burgimeve antikomuniste në të katër femrat e para shqiptare antikomuniste, që provuan bashkë me burgimin, edhe shijen e hidhur, torturat çnjerëzore.

Ish – i burgosuri politik, vlonjati Hysni Alimerko, shkruan në kujtimet e tij: “Erifili u dënua pothuajse në të njëjtën kohë me Musine Kokolarin, Shega Këlcyrën dhe Nurie Koculin, bijë e Qazim Koculit. Ishin katër femrat e para që u futën në burgun ferrë të Burrelit. Më vonë erdhën Drita Kosturi dhe Raile Luzi. Të gjitha ishin me karakter të fortë dhe të papërkulura”. Drita Kosturi në kujtimet e saj rreth torturave që hiqnin të burgosurat gra në burgun e Burrelit, përmend qëndresën e Erifili Bezhanit dhe shoqeve të saj: “Kam takuar shumë gra të burgosura me akuza politike, gra që përmbanin brenda vetes virtyte të larta të gruas shqiptare, të ushqyera nga tradita e brezave të tërë.

Gra me karakter të fortë, me shpirt të gjerë demokratik, në të cilat krenaria mbyste dhimbjen për kushtet në të cilat ndodheshin. Janë nga ato gra të cilave lotët u gëlltiteshin nga sytë pa mundur t’u rrëshqisnin faqeve, mes tyre Musine Kokalari, Erifili Bezhani, Frida Sadedini e mjaft të tjera”. Në nëntor, 1951, kur vuante burgimin në Burrel, emri i Erifili Bezhanit përfshihet në listat e amnistisë të Presidiumit të Kuvendit Popullor, falë ndërhyrjes së miqve të vjetër të familjes, si Hysni Kapo, Kadri Hazbiu, por edhe sepse familja e saj kishte mbështetur financiarisht Luftën Nacional-Çlirimtare. Që nga kjo kohë dhe deri në vdekje, nis etapa e dytë e mundimeve të Erifili Bezhanit për mbijetesë, me shumë mundime poshtërime dhe privime.

Në vitin 1952, pas shumë ndërhyrje miqsh, hyn në Kolektivin e Avokatëve të Tiranës, ku nis punën si e para femër avokate. Thoma Haxhistasa, një nga avokatët e mbetur gjallë të brezit të vjetër, i diplomuar në Firence, Itali në vitet ‘30-të, djalë teze me Erifili Bezhanin, kujton: “Erifili ishte në ato vite e vetmja avokate femër në punë. Si femër, dallohej për qetësi, burrëri dhe elokuencë të shkëlqyer, ndërsa si profesioniste, ndiqte vijën e ashpër të logjikës juridike në argumentimin e fakteve dhe provave. Falë aftësive intelektuale të lindur dhe të kultivuar me finesë, të forcës së brendshme të veçantë, dinte të bënte mbrojtje të pakundërshtueshme. Brenda një viti në punë, u bë ndër avokatet më të kërkuara në Kolegjin e Avokatëve në Tiranë nga klientët”.

Në atë kohë u shfaqën hapur xhelozitë profesionale tek pjesa më maskiliste e kolegëve burra, që nuk mund ta konkurronin as profesionalisht. Punon vetëm një vit si avokate, pasi e përjashtojnë nga puna me motivacionin; “e pa denjë dhe e pa zonja”. Mban datën 13 tetor 1953 Promemoria, që e para avokate femër, tepër e fyer, por edhe me krenari të veçantë, i drejton Këshillit Mbikëqyrës të Avokatisë, ku me argumente logjikë, kundërshton vendimin për përjashtimin nga puna, duke kërkuar që të dëgjohet mbrojtja e saj: “Unë nuk jam e paaftë! Aftësia dhe zotësia ime provohet prej sukseseve që kam pasur unë në punë, suksese morale dhe materiale.

Kurrë nuk më është tërhequr vërejtja për punën time, për studimin e dosjeve, për përgatitjen e mbrojtjes, për paraqitjen e provave. …Prej punës sime, të gjitha paditë kanë ardhur në preferim nga njerëz të panjohur, të cilët nuk dinë as emrin tim, por vijnë e kërkojnë në Kolektivë ‘avokaten e trashë’…! Përveç punës sime si avokate, kam punuar edhe për Ministrinë, pasi të gjitha përkthimet prej shqipes në frëngjisht, i kam bërë unë jashtë orarit të punës dhe pa asnjë shpërblim. Gjithashtu jashtë orarit të punës, kam bërë edhe përkthime prej gjuhës ruse në shqip, prej nga ka përfituar e gjithë Kolektiva, si p.sh., Kodi Civil Sovjetik, që ka trajtë me të drejtën e trashëgimit. … Unë nuk jam e padenjë!

Përsa i përket moralitetit, mua më njohin shumë dhe të gjithë e dinë se kam kaluar një jetë austere dhe monastike, një jetë të pastër dhe të qetë, kushtuar vetëm studimeve. Fama ime personale nuk ka as njollën më të vogël në këtë pikë. Përsa i përket çështjeve politike, unë vërtetë kam qenë në burg, por në kolektivat e avokatëve të Shqipërisë, janë të shumtë ata që kanë qenë nëpër burgje për faje shumë më të mëdha se faji im, sepse unë me regjimet e së kaluarës nuk kam pasur asnjë lidhje dhe me okupatorët jo vetëm që nuk kam punuar, por i kam luftuar duke ndihmuar me të gjitha fuqitë e mia moralisht dhe materialisht Lëvizjen Nacional-Çlirimtare. Deri sa pushteti më rehabilitoi duke më kthyer të gjitha të drejtat, edhe të votës, nuk ka asnjë arsye që të më ndalohet e drejta e profesionit. Drejtonjësi i Kolektivës… u kishte thënë disa kolegëve, se unë u përjashtova se nuk kam triskën e Frontit…”!

Erifili Bezhanit nuk j’u dha triska e Frontit, ç’ka e shpallte në fakt “armike të popullit”, por e mbante edhe nën presionin e internimit, apo ri dënimit. Që nga vitit 1953, Erifili Bezhani nuk mundi të punojë më asnjë ditë si avokate, profesion, të cilit i kishte kushtuar studimet, si dhe përvojën 2-vjeçare si avokate në një nga qytetet më të mëdha të Francës, në Marsejë. Atë të drejtë që i dha shteti demokratik Francez, Erifili Bezhanit ja mohoi në vendlindje regjimi komunist.

Përpjekjet për t’u rifutur në Drejtësi, Erifili Bezhani nuk i rreshti deri në fund të jetës së vet. Në familjen Bezhani ruhet edhe një letër e saj e vitit 1956, drejtuar Hysni Kapos, mik i vjetër i familjes, ku i kërkon marrjen e triskave të Frontit për vete, mëmën dhe motrën, si dhe ri futjen në punë si avokate.

Pas përvojës së tmerrshme të burgjeve komuniste, aspak e frikësuar, Erifili Bezhani nuk nguron t’i drejtohet Hysni Kapos me krenari, duke i vënë në dukje të vërtetën e familjes Bezhani për ndihmën materiale për luftën Nacional-Çlirimtare si dhe aftësinë e saj profesionale si avokatja, që nuk humbi asnjë proces gjyqësor gjatë ushtrimit të profesionit:”… Unë dua që ju ta dini çështjen mirë, se nuk vij tek ju si mik i familjes për të kërkuar një favor, por si udhëheqës për t’i kërkuar që të ushtrojë influencën e Tij, me qëllim që të më jepen të drejtat që më takojnë në bazë të ligjeve të pushtetit popullor…”!

Nevoja për jetesë, kur dyert e drejtësisë ju mbyllën, e futën Erifili Bezhanin në botën e përkthimeve. Falë njohurive të shkëlqyera të disa gjuhëve, si frëngjisht, anglisht, italisht, greqisht dhe rusisht (të cilën e mësoi shkëlqyeshëm gjatë burgut), punon si përkthyese për disa institucione të ndryshme. Lidh kontrata përkthimi me Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri”, me institucione të tjera shkencore, me Legata të huaja në Tiranë. Botimi “Terminologji e Drejtësisë”, “Metoda e gjuhës shqipe për të huajt”, “Kodi Civili i BRSS”, shumë të tjera që gjenden në Ministrinë e Drejtësisë, “Studime të Akademisë Shkencave të BRSS”, “Punime të Stalinit mbi Linguistikën”; “Historia e teatrit “Balshoi”, “Historia e muzikës ruse”; recensione filmash, artikuj shtypi për Legatën Hungareze; “Kodi penal i RPSH”, Ligje të ndryshme për Legatën e Polonisë; librin “Bota e atomit”, botime në gazetën “Zëri i Rinisë” dhe në shumë organe të tjera të shtypit të kohës, mbajnë përkthimet e Erifili Bezhanit.

Shumë miq dhe dashamirës, që vlerësonin vlerat dhe mençurinë e saj, i hapën rrugën e kontratave. Por nuk ishte e thënë që të vazhdonte me përkthimet. Pas burgimit të saj, familjen e Erifilit, nënën dhe motrën, organet e pushtetit i larguan nga “Rruga e Elbasanit”, ku jetonin në një vilë dhe i çuan në bodrumet plot lagështirë të një shtëpie të vjetër në Lagjen “1 Maj”, rruga “4 Dëshmorët”, Nr.36 në një dhomë të vetme, ku me komshinjtë e tjerë përdornin të njëjtin korridor si vend për gatim dhe një çezme të vetme. Njëri prej tyre, Sh.Z., polic injorant, por që për militantizëm komunist, dinte të bënte shumë mirë luftën e klasave, i shqetësonte vazhdimisht, deri sa në mes të vitit 1958, nuk i lejoi më të përdornin as çezmën, as vendin e gatimit.

E ndjerë e privuar deri në poshtërim, Erifili Bezhani, pas shumë ankesash zyrtare në organet e pushtetit lokal, që ranë në vesh të shurdhët, nuk mundi ta përballojë atë dhe e hodhi në gjyq. Por mori vendimin vdekjeprurës më të fundit të pushtetit komunist: dënimin që të bënte punë të detyruar si fshesaxhije nëpër rrugët e Tiranës dhe vetëm në turnin e tretë! Pas 6 muajsh pune të tillë poshtëruese për nivelin e saj intelektual, sëmuret nga ulçera, shtrohet me urgjencë dhe në operim e sipër, vdes.

Ishte data 15 Shkurt, 1959 kur Erifili Bezhani mbylli sytë në në sallën e operacionit në spitalin e Tiranës. Ishte vetëm 49 vjeç, avokate, e diplomuar për Drejtësi në Francë, por jeta i rezervoi në vendlindje fat tragjik, si rrallë pak femra të shkolluara jashtë vendit. Përveçse kontributit si intelektuale në vendosjen e demokracisë pluraliste perëndimore në Shqipëri, apo dënimit politik dhe burgimit si shumë të tjerë, Erifili Bezhani vlen të kujtohet dhe njihet si shembull i rrallë emancipimi, për brezin femëror shqiptar të viteve ‘30-të. / Memorie.al

Artikuj te sugjeruar

video

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 16

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 16

Gruaja me dy identitete që premton “shërim” me ujin e kufomave në Pejë

A ka Shqipëria një Nicola Gratteri?

Katër nëna në kërkim të fëmijeve/ Bisedat që zbuluan rrjetin e errët

Flamur Gjuzi, i dënuar për"shpërdorim detyre" sot drejtor i Policisë Bashkiake, sërish shkel ligjin?

Pallatet u zhytën“Durrës Marina" dhe Autoriteti Portual bëjnë veprimin e papritur përballë skandalit

Ekskluzive/ Nicola Gratteri çmonton skemën e pastrimit të parave të ndërtimit në Tiranë

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 15

Enkel Demi duke luftuar paragjykimet për shqiptarët. (kamera e fshehtë)

Milva Ekonomi i firmosi miliona euro Vilma Nushit, kjo e fundit i investoi te kulla e Ervin Matës

Ajo çfarë mund të na mësojë Kosova.

Laboratorë “copy-paste”/ I njëjti mjek firmos analiza në disa pika, skema që ngre pikëpyetje

Rrjeti i ‘errët’ i vajzave të zhdukura! Bisedat tronditëse si funksiononte grupi.

Bleu 300 m2 tokë në vitin 2004, kthehet nga emigrimi dhe gjen aty vilë 3-katëshe.

“Na detyruan nga Dubai”/ Konstruktori i Durrës Marina zbulon pse u zhytën pallatet

Drejtori që tregon sjellje të pahijshme me nxënësen: Jam i fortë edhe në parti

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 14

Turisti zemërgjerë nga Italia dhe patatinat falas

Aksidentet “pushtojnë” oborrin e familjes në Klos, banori: Një ditë do ndodhë tragjedi

Lidhja jashtëmartesore që përfundoi në makth /32-vjeçarja rrëfen shantazhin me video intime

Sherr në terminalin e Peshkopisë, shoferi: Mos më vidh pasagjerët! Shko ha bukë te pjesa jote

Artisti dhe Frika

Si u kthye në urrejtje dashuria mes ish-bashkëshortëve dhe ‘lufta’ për 200 mijë euro!

14-vjeçare me dr*gë dhepro*titucion, rrjeti i errët i minoreneve të zhdukura

Zhytja e pallateve te Alabarit/ IKMT pranon anomalitë në “Durrës Marina”: Janë zhytur 28 cm

"Ederlezi", festa e veçantë e komunitetit rom.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 13

Do t’i fus duart edhe nëse bërtet, motra e 13 vjeçares rrëfen tmerrin e mesazheve që mësuesi ia çon

“Inspektori gjobëvënës” i bashkisë terrorizon qytetarët

Pagat e mohura të druvarëve në Navaricë! Miliona lekë për të marrë dhe kërcënime

Rruga Thumanë–Kashar/ 1 miliard euro dhe “5 lekëshi” që po merret nga xhepat e qytetarëve

Me viza turistike ose kontrata futbolli drejt Europës/ Kush fshihet pas skemës së trafikimit?

Nënat denoncojnë ikjet nga shtëpia dhe jetën e dyshimtë të adoleshentëve

Për mediat dhe fëmijët

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 12

Muzikanti i rruges “vjedh” koleget. Banka e fundit

Dajak për 50 metra rrugë në Dibër, kushërinjtë në ’luftë’ për pronën.

Fisnik Syla, “BAMIRËS” apo shantazhues

A janë "idiotë "shqiptarët e Maqedonisë së Veriut? Çfarë do të thoshte Arbën Xhaferraj?

Presidenti i FSHP reagon për deklaratat e Erkand Qerimaj: Lajthita atëherë, tani kam reflektuar

Nga jetimorja te humbja e kujdestarisë. Rrëfen nëna që kërkon bashkimin me vajzën pas 13 vitesh

Tigrat e Vlorës: energjia që prodhohet 6 herë më shtrenjtë se sa shitet.

Skandali i zhytjes së pallateve në Durrës Marina / Ndërhyn IKMT.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 11

Dhjetëra punonjës fasonerie pa marrë pagat: Blerimi mori lekët dhe u zhduk! Pronari premton zgjidhje

Hapet filial i bankës turke në “zemër” të Bllokut, reklamat vendosen pa leje

Energji për brezin tim

Nga ‘Viola’ tek Dorina: Si përfundoi në borxh një histori dashurie në distancë

Firma “Trade Minerals Al” po shkatërron mjedisin dhe infrastrukturën e fshatit Gjegjan në Kukës

Nga shpërthimi i drejtorit te prapaskenat e ushqimit në institucionin privat në Elbasan