AKTUALITET

Dëshmia e rrallë e ish-të burgosurit politik: Pas ’90-ës, hetuesin tim e dërguan diplomat

Nga Nebil Çika Përditësimi i fundit 19 Maj 2026, 07:56

Dëshmia e rrallë e ish-të burgosurit politik: Pas

Në emisionin “Rrno për me tregue” të realizuar vite më parë në Shijak TV, gazetari dhe moderator i njohur, Nebil Çika, ka pasur të ftuar edhe ish-të burgosurin politik, Gëzim Peshkëpia, intelektual i njohur dhe pinjoll i një familje të madhe e shumë të njohur në Shqiperi, me kontribut që nga fillimet e idesë së shtetit shqiptar, deri në ditët e sotme. Ish i burgosur politik dhe i biri i njërit prej të pushkatuarve në masakrën e bombës në Legatën Sovjetike në Tiranë në vitin 1951, ku u pushkatuan pa gjyq 22 intelektuale të njohur të kryeqytetit.

NEBIL ÇIKA: Gëzim, kam këtu një kopje të vendimit të internimit tuaj. Më bën përshtypje një shënim në fund, ku thuhet: “Interesohuni për sistemimin e tyre në një ndërtesë, gjithashtu t’i gjendet një pune sa për të mbajtur frymën gjallë”! Shumë cinik, makabër…?!

GËZIM PESHKËPIA: Dhe ka një emër aty poshtë, që për ironi quhet Kasapi, Kiço Kasapi. E denjë për një fjalor që mund ta përdorin kasapët. Bëhet fjalë për një tmerr të vërtetë.

NEBIL ÇIKA: A u realizua kjo porosi e Kasapit?

GËZIM PESHKËPIA: Po, deri në fund. Natën e parë e kaluam në një han, pastaj na çuan në kalanë e Beratit, ku kemi ndenjur në shtëpinë e Miti Sanijes. Miti Sanija ishte një karrocier, një burrë shumë i mirë, një familje shumë e nderuar, që ju vinte keq sepse shikonin sesa i pakuptimtë ishte internimi i një plake si gjyshja ime, i një gruaje me dy fëmijë të vegjël, ndërkohë, kur babai jonë ishte pushkatuar.

Aty më përpara kishte qenë familja e Markagjonit dhe me ata mund të kishin një farë arsyetimi, se kishin një të arratisur që mund të vinte nga jashtë, por për ne, ne s’përbënim asnjë rrezik, s’kishte kush të na vinte më, kryefamiljarët ishin të pushkatuar.

Kemi qenë ne, ka qenë dhe familja e Fadil Dizdarit dhe familja e Hekuran Trokës, bashkë me një grua të vetme që quhesh Maria Rashkoviç, gruaja e Lluka Rashkoviçit. Në internim privoheshim nga e drejta e lëvizjes nga qyteti. Kishim të drejtë (të lëviznim) deri në Urën Vajgurore. Për çdo lëvizje duhet të njoftonim Degën e Brendshme.

Duhet të paraqiteshim dy herë në ditë te kryetari i Këshillit Popullor. Pasi e bëmë këtë dy dite, ai ishte një njeri shumë i mirë, tha që të mos lëviznim se do vinte vetë në shtëpi të na shihte, se ishte e pakuptimtë.

Nga një anë ishte një grua lehonë me një fëmijë të vogël, siç ishte e shoqja e Hekuran Trokës që rrinte me një plakë, me të shoqen e Lluka Rashkoviçit, nga ana tjetër ishte një plakë që rrinte me nusen e djalit të vet dhe dy fëmijë të vegjël, qe s’përbënin asnjë rrezik. Ka dhe një aspekt që më ka mbetur në mendje:

Një herë, një natë gjetëm në derë një bukë, që tani s’është asgjë, po në atë kohë gëzimi jonë ishte i jashtëzakonshëm. E vramë mendjen se kush mund ta këtë bërë këtë, e dënim këtë se i zoti i shtëpisë herë pas here na dhuronte ndonjë gjë fëmijëve të vegjël, por prapë ishte jashtë mundësisë së vet.

Buka ishte dy triska e gjysëm. Hamendja ime është se kjo ishte nga kryetari i Këshillit, sepse të tjerët e kishin pak të vështirë për të na u afruar. Njerëz të thjeshtë na kanë dashur, na kanë përkrahur dhe në një farë mënyrë kjo ishte dhe shfaqje e disidencës.

NEBIL ÇIKA: Pas Beratit ku shkoi familja juaj Gëzim?

GËZIM PESHKËPIA: Familja ime më pas shkoi në Kavajë.

NEBIL ÇIKA: Prapë ju internuan?

GËZIM PESHKËPIA: Aty quheshim në një formë tjetër, “të urbanizuar”. Edhe atje duhet të merrnim leje në Degën e Brendshme, në qoftë se do iknim në Durrës apo Tiranë.

NEBIL ÇIKA: Ndryshoi situata juaj në Kavajë?

GËZIM PESHKËPIA: U jam shumë borxhli kavajasve. Kemi gjetur një ambient të mrekullueshëm. Kemi qenë disa familje.

NEBIL ÇIKA: Si ambient të mrekullueshëm?

GËZIM PESHKËPIA: Ambient të mrekullueshëm për shkak të njerëzve të ngrohtë, këtë quaj ambient. Ishim ne, familja e Anton Delhysës, ishte Shyrete Jegeni me fëmijët, ishte Nadire Kasoruho me të birin, Amikun, ishte dhe familja e Fadil Dizdarit.

NEBIL ÇIKA: Të ndalemi pak te xhaxhai juaj, një figurë shumë e njohur, një nga krerët e ideologët e Ballit Kombëtar, dhe me një aktivitet që nuk e pushoi asnjëherë në diasporë. Me sa kam lexuar ishte dhe anëtar i Asamblesë së Organizatës së Kombeve të Robëruar, një organizatë që përmblidhte gjithë vendet nën komunizëm?

GËZIM PESHKËPIA: Po, ashtu është. Deri në një farë kohe ka qenë dhe përfaqësues i Shqipërisë pranë kësaj asambleje. Ai ka qenë dhe anëtar i Komitetit “Shqipëria e Lirë”. Kjo përsa i përket anës politike, e cila e ka zanafillën qe në periudhën e fashizmit, kohë në të cilën ai ishte arsimtar në Tiranë dhe bashkë me babain refuzuan të vishnin kamishat e zeza, siç u dha urdhër për të gjithë nëpunësit atëherë.

Për këtë u internuan në Elbasan, megjithëse në profesionet përkatëse punuan dhe atje. As atje nuk reshti aktiviteti politik i tyre, për këtë dhe u arrestua xhaxhai. Nga protestat e mëdha u detyruan ta lirojnë. “Në burg, – më tha Dashnor Mamaqi – ai na organizoi ne kundër fashizmit”. Kurse një herë, në një deklaratë që bëri njëri nga këto birbot e veteranëve, e quante fashist. Ai qe antifashist.

NEBIL ÇIKA: Sa ndikonte aktiviteti i xhaxhait kundër qeverisë komuniste shqiptare, në trajtimin tuaj brenda Shqipërisë.

GËZIM PESHKËPIA: Shumë e lidhin aktivitetin e xhaxhait dhe me vrasjen e babait, por dhe qëndrimi i babait ka qenë prej nacionalisti dhe nuk dua ta minimizoj për ta nxjerrë më shumë viktimë, sesa martir.

NEBIL ÇIKA: Aktiviteti i Nexhatit vazhdoi gjatë, edhe pas vrasjes së babait, dhe qëndrimi ndaj familjes suaj u ashpërsua. A ndikonte kjo?

GËZIM PESHKËPIA: Natyrisht. Kontingjenti më i predispozuar për burgjet komuniste ishim ne, bijtë e tyre.

NEBIL ÇIKA: Z. Gëzim, presioni që bënin komunistët ndaj jush, a synonte të frenonte xhaxhain?

GËZIM PESHKËPIA: Natyrisht. Unë di një shokun tim (fëmija Maçi), i cili i shkruante të atit që, po të jetë për ne, vazhdo atë linjë që ke, mos bëj kompromis. E thirrën një herë gruan e xhaxhait tim në Degën e Brendshme dhe i thane; “shkruaji një letër Nexhatit që të kthehet”. Letrën e përpiloi babai im. Ata e kuptonin aq gjë, pak kohë para se të ri arrestohej. Kjo ishte një histori e dhimbshme….! Kur m’u dha rasti, u mundova t’ua tregoj kur dola jashtë Shqipërisë, u është dukur e pabesueshme…!

Si mund të vritet një poet?! Vetëm këtu tek ne ndodh kjo! Një njeri që s’ka mbajt një pushkë në dorën e vet, ti e merr nga shtëpia dhe e pushkaton dhe i çon lajm shtëpisë, se u vra si terrorist. Terrorin e bënte tjetër kush, persekutorët dhe jo të persekutuari. Kjo masë terrori ishte u ndje shumë në Tiranë. Tirana atëherë ishte e vogël dhe të arrestosh 150 vetë dhe të pushkatosh 22 për një natë, ishte terror i pastër. Nata e Shën Bertolomeut (shqiptar).

NEBIL ÇIKA: Gëzim, dua të qëndroj te fati juaj. Duket se nuk mjaftuan internimet po u arrestuat edhe vetë për krime politike, si kundërshtar i regjimit.

GËZIM PESHKËPIA: Bëja pjesë në kontingjentin më të mundshëm për goditje. Kjo erdhi në vitin 1974-1975, kur u bë goditje në masë.

NEBIL ÇIKA: Ku ndodheshe në atë kohë?

GËZIM PESHKËPIA: Atë kohë punoja si piktor në OMT (mbase gjejmë emrin e gjatë), sapo isha martuar, kisha tre muaj kur u arrestova. U dënova 8 vjet dhe më dërguan në burgun e Ballshit.

NEBIL ÇIKA: Për çfarë u akuzuat?

GËZIM PESHKËPIA: Për agjitacion e propagandë në fushën e artit dhe të kulturës.

NEBIL ÇIKA: Çfarë akuze kishe konkretisht?

GËZIM PESHKËPIA: Gjetën ca libra të Fishtës në shtëpinë time, ndër to dhe “Lahutën e Malësisë”.

NEBIL ÇIKA: Mjaftonte Fishta për të dënuar…?!

GËZIM PESHKËPIA: U thur një legjendë, doli dikush që tha; “na mere, se ky është libri i poetit tonë të vërtetë”, etj. Dola si propaganduesi më i madh i Fishtës si poet. Ajo është e pamohueshme, por ata mund të thurnin akuza të paimagjinueshme. Ata të bënin poli-agjent etj.

NEBIL ÇIKA: Tetë vjet për Gjergj Fishtën?!

GËZIM PESHKËPIA: Nuk ishte vetëm Fishta, gjoja kisha folur dhe për piktorë, të cilët ishin dekadentë apo për letërsinë, si p. sh. për librin “Dasma” të Kadaresë, sikur kisha thënë që ky libër është sikur të lexoje gazetën. Në fakt unë këtë kisha thënë, por në pikëpamje të stilit letrar të atij libri.

NEBIL ÇIKA: Ishin njerëz të njohur ata që dëshmuan kundër teje?

GËZIM PESHKËPIA: Jo, akuzën e mbështetën nja dy njerëz pa personalitet.

NEBIL ÇIKA: Hetuesia si ju kaloi?

GËZIM PESHKËPIA: Hetuesia ka qenë çnjerëzore. Unë kam denoncuar disa herë sjelljen e hetuesve Nasho Gjikopulli dhe Kosta Gazeli. Kosta Gazeli më ka torturuar, më ka godit, më ka gjakos dhe me gjithë denoncimin tim, në vend që të vihesh në bankën e të akuzuarve, e çuan diplomat. Ai ishte personi numër 2 në Athinë, pas vendosjes së demokracisë. Më vonë u fut në Partinë e të Drejtave të Njeriut.

Të dy (ishin) greqishtfolës. Më dënonin mua sikur të isha armiku i atdheut tim në atë hetuesi, ku njeri me tjetrin flisnin greqisht. Ishte një paradoks, jo sikur të ishe në zyrat e shtetit tënd. Bashkë me to në atë “kor” puqej dhe kryekrimineli Kadri Ismailati, dhe ai greqishtfolës. Më kanë lënë në mes të dimrit, me një përparëse doku të hollë, e cila u bë shkak për një proces pulmonar.

NEBIL ÇIKA: Jeni personazh (në kujtimet) e disa njerëzve që kanë shkuar nëpër burgje, duke filluar që nga bashkëvuajtësi juaj Patër Zef Pllumi, por dhe të tjerë. Edhe ju në librat tuaj keni përmendur disa personazhe të shquar të historisë së sotme. Çfarë kujtoni nga këta shokë të burgut?

GËZIM PESHKËPIA: Unë veçova Patër Zefin, sepse me të më lidhi një miqësi e ngushtë, e cila vazhdoi deri në ditët e fundit të jetës së tij, një miqësi e pastër, mes dy njerëzve që ndoshta nuk i lidhte besimi fetar, por një lidhje shpirtërore jashtë koncepteve të fesë dhe bindjeve politike, që në burg merr një formë të tillë miqësie të pakrahasueshme.

NEBIL ÇIKA: Të kthehemi pak te Patër Zef Pllumi, çfarë figure ishte?

GËZIM PESHKËPIA: Me Pater Zef Pllumin u njoha që kur isha në burgun e Tiranës, më pati folur Patër Aleks Baqli. Unë njihesha me françeskanët, kisha mik At Viktor Volaj që ka qenë shërbestar në Kepin e Rodonit, ku kisha qenë arsimtar. Më vonë, Patër Aleksi ma përshkroi (At Zef Pllumin) si hero, si njeri të papërkulur, i përmasave jonjerëzore, përsa i përket durimit të vuajtjeve dhe ashtu doli se gjatë gjithë periudhës së burgut, pata shumë biseda të karakterit të ndryshëm, ku mund të them se pak gjëra të reja kam lexuar në librat e tij, sepse ishin thënë e stërthënë në bisedat që kishim bërë bashkë.

Kishte fusha ku dëgjoja tamam si një nxënës, nuk mund të debatoja me të, sepse ishte unik, nuk mund të flisja për Fishtën me Pater Zef Pllumin, sepse ai kishte njohuri të bollshme. Siç dihet, Kleri Katolik, sidomos ai françeskan, kishte përfaqësuesit më të mëdhenj në letërsinë shqiptare.

NEBIL ÇIKA: Në këtë libër më bën përshtypje që ai flet pak ose aspak për veten. Kështu ka qenë edhe atje?

GËZIM PESHKËPIA: Ashtu është, ata ishin të përkushtuar pas idealit të tyre dhe nuk ishte gjë e papritur qëndrimi që bënin ata. Unë kam përmendur një episod në librin tim te Aleks Baqlit që ishte mik i ngushtë i Pater Zefit, kur e urdhëroi komisari që të thyente statujën e Krishtit dhe t’i copëtonte rruzaret.

Ai refuzoi. Ishte një moment aq i thjeshtë, po aq heroik sa na befasoi të gjithëve. Ishte kontakti i parë që patëm ne me burgun, me ata që e kuptonin drejt se çfarë ishte disidenca, ç’është kundërshtimi. Ato ishin gati të martirizoheshin./ Memorie.al

Artikuj te sugjeruar

video

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 16

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 16

Gruaja me dy identitete që premton “shërim” me ujin e kufomave në Pejë

A ka Shqipëria një Nicola Gratteri?

Katër nëna në kërkim të fëmijeve/ Bisedat që zbuluan rrjetin e errët

Flamur Gjuzi, i dënuar për"shpërdorim detyre" sot drejtor i Policisë Bashkiake, sërish shkel ligjin?

Pallatet u zhytën“Durrës Marina" dhe Autoriteti Portual bëjnë veprimin e papritur përballë skandalit

Ekskluzive/ Nicola Gratteri çmonton skemën e pastrimit të parave të ndërtimit në Tiranë

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 15

Enkel Demi duke luftuar paragjykimet për shqiptarët. (kamera e fshehtë)

Milva Ekonomi i firmosi miliona euro Vilma Nushit, kjo e fundit i investoi te kulla e Ervin Matës

Ajo çfarë mund të na mësojë Kosova.

Laboratorë “copy-paste”/ I njëjti mjek firmos analiza në disa pika, skema që ngre pikëpyetje

Rrjeti i ‘errët’ i vajzave të zhdukura! Bisedat tronditëse si funksiononte grupi.

Bleu 300 m2 tokë në vitin 2004, kthehet nga emigrimi dhe gjen aty vilë 3-katëshe.

“Na detyruan nga Dubai”/ Konstruktori i Durrës Marina zbulon pse u zhytën pallatet

Drejtori që tregon sjellje të pahijshme me nxënësen: Jam i fortë edhe në parti

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 14

Turisti zemërgjerë nga Italia dhe patatinat falas

Aksidentet “pushtojnë” oborrin e familjes në Klos, banori: Një ditë do ndodhë tragjedi

Lidhja jashtëmartesore që përfundoi në makth /32-vjeçarja rrëfen shantazhin me video intime

Sherr në terminalin e Peshkopisë, shoferi: Mos më vidh pasagjerët! Shko ha bukë te pjesa jote

Artisti dhe Frika

Si u kthye në urrejtje dashuria mes ish-bashkëshortëve dhe ‘lufta’ për 200 mijë euro!

14-vjeçare me dr*gë dhepro*titucion, rrjeti i errët i minoreneve të zhdukura

Zhytja e pallateve te Alabarit/ IKMT pranon anomalitë në “Durrës Marina”: Janë zhytur 28 cm

"Ederlezi", festa e veçantë e komunitetit rom.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 13

Do t’i fus duart edhe nëse bërtet, motra e 13 vjeçares rrëfen tmerrin e mesazheve që mësuesi ia çon

“Inspektori gjobëvënës” i bashkisë terrorizon qytetarët

Pagat e mohura të druvarëve në Navaricë! Miliona lekë për të marrë dhe kërcënime

Rruga Thumanë–Kashar/ 1 miliard euro dhe “5 lekëshi” që po merret nga xhepat e qytetarëve

Me viza turistike ose kontrata futbolli drejt Europës/ Kush fshihet pas skemës së trafikimit?

Nënat denoncojnë ikjet nga shtëpia dhe jetën e dyshimtë të adoleshentëve

Për mediat dhe fëmijët

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 12

Muzikanti i rruges “vjedh” koleget. Banka e fundit

Dajak për 50 metra rrugë në Dibër, kushërinjtë në ’luftë’ për pronën.

Fisnik Syla, “BAMIRËS” apo shantazhues

A janë "idiotë "shqiptarët e Maqedonisë së Veriut? Çfarë do të thoshte Arbën Xhaferraj?

Presidenti i FSHP reagon për deklaratat e Erkand Qerimaj: Lajthita atëherë, tani kam reflektuar

Nga jetimorja te humbja e kujdestarisë. Rrëfen nëna që kërkon bashkimin me vajzën pas 13 vitesh

Tigrat e Vlorës: energjia që prodhohet 6 herë më shtrenjtë se sa shitet.

Skandali i zhytjes së pallateve në Durrës Marina / Ndërhyn IKMT.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 11

Dhjetëra punonjës fasonerie pa marrë pagat: Blerimi mori lekët dhe u zhduk! Pronari premton zgjidhje

Hapet filial i bankës turke në “zemër” të Bllokut, reklamat vendosen pa leje

Energji për brezin tim

Nga ‘Viola’ tek Dorina: Si përfundoi në borxh një histori dashurie në distancë

Firma “Trade Minerals Al” po shkatërron mjedisin dhe infrastrukturën e fshatit Gjegjan në Kukës

Nga shpërthimi i drejtorit te prapaskenat e ushqimit në institucionin privat në Elbasan