BOTA

"Kush po fiton?" The Economist: Kina dhe Amerika, garë për Inteligjencën Artificiale

M.B. Përditësimi i fundit 24 Maj 2025, 08:06

"Kush po fiton?" The Economist: Kina dhe Amerika, garë për

SHBA- Kina dhe Amerika po garojnë për Inteligjencën Artificiale më të mirë. Kush po fiton? Gara është më e fortë se sa pandehin shumica e amerikanëve, shkruan The Economist. Cili shtet do të ndikojë më tepër në teknologjinë e së ardhmes: Amerika apo Kina? Gara është e fortë. Kompania më e famshme në botë e Inteligjencës Artificiale, OpenAI, është amerikane. Modelet e prodhuara nga rivali kinez DeepSeek janë pothuajse po aq të mira dhe më të lira.

Megjithatë, fituesi i vërtetë i garës së Inteligjencës Artificiale, mund të mos jetë vendi që krijon modelet më të mira. Ka më shumë gjasa që të jetë vendi ku qeveritë, bizneset dhe njerëzit e zakonshëm, e përdorin rregullisht Inteligjencën Artificiale çdo ditë. Përhapja e teknologjisë ka më shumë rëndësi se risia teknologjike, në çdo fushë, nga rritja ekonomike te fuqia ushtarake. Gara për këtë teknologji është më e ngushtë se sa mendojnë shumë amerikanë.

Në Perëndim, një pikëpamje popullore është se Kina është më e aftë në shpikjen e teknologjive të reja, sesa në zbatimin e tyre. Vendi ka investuar shumë në institutet kërkimore, duke arritur përparime të mëdha shkencore. Në vitet 2010, Kina ishte përgjegjëse për rreth gjysmën e patentave të reja në botë. Por nuk ka qenë shumë e zonja në zbatimin e tyre.

Në një studim të fundit, Jeffrey Ding në Universitetin George Washington, përdori të dhënat e vitit 2020 të botuara nga Organizata Botërore e Pronësisë Intelektuale (WIPO), një grup tregtar, dhe doli në përfundimin se Kina është novatorja e 14-të më e mirë e teknologjisë në botë. Por për sa i përket zbatimit të teknologjisë, është në vend të 47-të.

“Kina nuk është aspak një superfuqi e shkencës dhe teknologjisë”, thotë zoti Ding. Vendi është treguar i ngadaltë në zhvillimin e lidhjes midis akademisë dhe industrisë.

Kina mbetet e mbyllur për ekspertizën e huaj. Disa nga shkaktarët janë sistemi i turbullt politik, shmangia e rrezikut dhe mungesa e stimujve të tregut. Nga ana tjetër, Amerika historikisht ka shkëlqyer në risi dhe përhapjen e teknologjisë së re, nga energjia elektrike te makinat. Shumë mendojnë se zbatimi i Inteligjencës Artificiale në masë në Kinë, do të jetë i ngadaltë. Ekonomia kineze është më e varur nga prodhimi dhe bujqësia sesa ajo amerikane dhe prandaj ka më pak kompani që mund të përfitojnë nga teknologjia.

Sistemi kompjuterik cloud përdoret më pak nga firmat kineze sesa ato amerikane. Rezultati i Amerikës në “indeksin e gatishmërisë së përdorimit të Inteligjencës Artificiale” të FMN-së është 20% më i lartë se ai i Kinës. Në tetor, firma këshillimore Capital Economics, përgatiti një renditje të ngjashme, duke e vendosur Amerikën në vend të parë dhe Kinën shumë më mbrapa. Banka Goldman Sachs parashikon se 30% e firmave kineze do të kenë përdorur Inteligjencën Artificiale deri në vitin 2030 krahasuar me 40% të kompanive amerikane.

Sidoqoftë, përparësia e Amerikës ndaj Kinës nuk është aq e qartë sa pandehin shumë amerikanë. Kina po arrin të zbatojë me shpejtësi teknologjinë e re. Sipas shifrave të fundit nga agjencia WIPO, Kina renditet e 32-ta në botë për përhapjen e teknologjisë së Inteligjencës Artificiale, duke u ngritur me 15 vende që nga viti 2020. Nga automjetet elektrike te kodet QR dhe robotët që mundësojnë shërbim në dhomë, konsumatori kinez ka në dispozicion një teknologji më të sofistikuar se konsumatori amerikan. Disa figura të shquara të teknologjisë tani besojnë se Kina dhe jo Amerika do të jetë shteti që do të zbatojë më shpejt teknologjinë e Inteligjencës Artificiale.

Siç argumentoi Han Jizhong nga Akademia Kineze e Shkencave në vitin 2023, “Ne i kemi tejkaluar amerikanët në shumë teknologji. Kjo ka ndodhur jo për shkak të përparimeve pioniere teknologjike, por falë aftësive për t’i zbatuar ato, që i kemi marrë nga tregu ynë i madh”.

Investitorët kanë filluar të mendojnë të njëjtën gjë. Një numër bankash, duke përfshirë Goldman Sachs dhe Morgan Stanley, kanë nxjerrë indekse të çmimeve të aksioneve të kompanive që do të përfitonin nga një produktivitet më i lartë falë zbatimit të Inteligjencës Artificiale. Për shembull, indeksi për Amerikën, përfshin kompani si Walgreens Boots Alliance, një farmaci që dëshiron të përdorë Inteligjencën Artificiale për menaxhimin e recetave. Indeksi i bankës Morgan Stanley për Kinën përfshin firmën China Literature, një botues që ndihmon shkrimtarët, dhe Transsion Holdings, një prodhues celularësh që ka shtuar një asistent të Inteligjencës Artificiale në pajisjet e tij.

Kompanitë amerikane që pritet të përfitojnë më shumë nga Inteligjenca Artificiale, kohët e fundit nuk kanë pasur ecuri të mirë ekonomike në tregun vendas, ndërsa ato kineze kanë tejkaluar pritshmëritë. Të dhënat vendase për zbatimin e Inteligjencës Artificiale janë të pamjaftueshme. Por duke vëzhguar shumën e shpenzuar nga kompanitë e mëdha për teknologjinë, dalim në përfundimin se Amerika është përpara Kinës. Kompanitë amerikane janë blerës të mëdhenj të softuerit për shërbime si burimet njerëzore dhe aplikacionet e kontabilitetit.

Shumë shitës të këtij softueri, si Salesforce dhe Microsoft, po përfshijnë Inteligjencën Artificiale në produktet e tyre. Tregu i softuerëve të Kinës është sa një e dhjeta e madhësisë së Amerikës dhe “jo aq i gjallë”, siç u shpreh në nëntor Chi Ping Lau, presidenti i kompanisë gjigante teknologjike kineze Tencent, teksa po shpjegonte pse shitjet e Inteligjencës Artificiale të firmës së tij janë më të vogla se ato të rivalëve amerikanë.

Sidoqoftë, shitjet e Inteligjencës Artificiale mund të fryjnë epërsinë e Amerikës, sepse një dollar i shpenzuar për shërbimet kineze të Inteligjencës Artificiale është investim më i madh se një dollar i shpenzuar për shërbimet amerikane. Çmimet në Kinë janë më të ulëta për shkak të luftës së çmimeve që po shpërthen midis kompanive që përdorin teknologjinë kompjuterike cloud në vend, si dhe faktit që shumica e modeleve kineze të Inteligjencës Artificiale janë me burim të hapur.

Vitin e kaluar, ByteDance, një kompani e madhe teknologjike kineze, uli çmimin e chatbot-it të saj Doubao, duke e bërë atë 99% më të lirë se ChatGPT i firmës amerikane OpenAI. Një mënyrë tjetër për të vërejtur nivelin e zbatimit të Inteligjencës Artificiale janë të dhënat e sondazhit. Vitin e kaluar, një studim nga firma teknologjike amerikane IBM, zbuloi se 50% e kompanive kineze përdornin Inteligjencën Artificiale, në krahasim me një të tretën e atyre amerikane.

Studimet nga firma këshillimore McKinsey tregojnë se 19% e kinezëve e përdorin Inteligjencën Artificiale në punë, në krahasim me 12% të amerikanëve. Një studim nga qeveria japoneze ka zbuluar se një pjesë shumë më e madhe e firmave kineze kanë krijuar një politikë për përdorimin e Inteligjencës Artificiale, në krahasim me firmat amerikane.

Në krye të robotëve

Përdorimi i Inteligjencës Artificiale në Kinë duket se është i përqendruar në tri pjesë të ekonomisë: sektori publik, teknologjia e konsumatorit dhe pajisjet e biznesit. Marrim së pari shtetin, i cili është përgjegjës për afërsisht gjysmën e kërkesës për shërbimet e Inteligjencës Artificiale të modelit DeepSeek. Me nxitje nga Partia Komuniste, qeveritë lokale tashmë po e përdorin Inteligjencën Artificiale për shumë gjëra, duke filluar nga administrimi i të dhënave spitalore, deri te përgjigjja e pyetjeve të qytetarëve dhe gjetja e personave të zhdukur. Mbështetja e shtetit mund të frymëzojë të tjerët për të përdorur gjithashtu Inteligjencën Artificiale. Për sa i përket grupit të dytë, konsumatorëve, këta duken më të etur për të eksperimentuar me Inteligjencën Artificiale në Kinë sesa në Amerikë.

Një arsye është sërish çmimi: konkurrenca e ashpër ka ulur çmimin e shumicës së chatbot-eve kineze. Një arsye tjetër është besimi. “Njerëzit në Kinë kanë qenë më optimistë për mënyrën si kjo teknologji mund të përmirësojë jetën e tyre… pjesërisht sepse Kina nuk ka shumë kujtime nostalgjike të epokave parateknologjike”, argumenton Tilly Zhang nga shoqëria këshillimore Gavekal Dragonomics.

Besimi përforcohet edhe nga fakti se disa modele të njohura të Inteligjencës Artificiale në Kinë, si R1 e platformës DeepSeek, a tregojnë përdoruesit rrugën e arsyetimit, duke ulur frikën nga ndonjë lajthitje teknologjike. Edhe rritja e veçorive që mundëson Inteligjenca Artificiale është më e vështirë në Amerikë sesa në Kinë. Një sipërmarrës që përpiqet t’u shesë veçori të kësaj teknologjie kompanive amerikane, ankohet se pengohet nga avokatët, të cilët shtrojnë çështje si mbrojtja e të dhënave dhe shkelja e të drejtave të autorit.

“Nuk ka asnjë praktikë gjyqësore për Inteligjencën Artificiale gjeneruese… kështu që avokatët ndjekin një qasje që mbulon gjithçka”, thotë ai. Ankesa të tilla janë më pak të zakonshme në Kinë, ku e drejta e autorit dhe mbrojtja e të dhënave zbatohen dobët.

Teknologji si pagesa me kodin QR, që shpesh kërkon qasje në të dhënat vetjake, janë miratuar gjerësisht, dhe konsumatorët kinezë me sa duket i dorëzojnë pa shqetësim të dhënat e tyre qoftë edhe për të blerë një kafe. Sidoqoftë, mjedisi i lirshëm rregullator mund të ndryshojë shpejt, në rast se ndonjë produkt i Inteligjencës Artificiale provokon një goditje nga qeveria. Me më shumë kërkesë dhe furnizim më të lehtë, konsumatorët kinezë kanë shumë mundësi të larmishme për sa i përket Inteligjencës Artificiale. Vitin e kaluar, ByteDance hodhi në treg shtatë aplikacione me Inteligjencë Artificiale.

Kompania Tencent ka reklamuar chatbot-in e saj në platformën WeChat. Jo vetëm ato: edhe firmat amerikane të teknologjisë, nga Google te Meta, po i pajisin produktet e veta me shërbime të Inteligjencës Artificiale. Por konsumatorët kinezë duken më të vetëdijshëm për këto ndryshime sesa ata në Perëndim: 81% e tyre e dinë se cilat lloje produktesh kanë Inteligjencë Artificiale, në krahasim me 39% të amerikanëve, sipas firmës së anketimit Ipsos.

“Robotët e shitjes online” që qarkullojnë nëpër platformat e transmetimit, janë aq efikasë, sa miliona influencues VIP të Kinës janë të shqetësuar se do të humbasin të ardhurat. Pas shtetit dhe konsumatorëve, sektori i prodhimit është klienti i tretë i madh për shërbimet kineze të Inteligjencës Artificiale. Kjo shifër është shumë më e lartë se në Amerikë. Sipas firmës së të dhënave PitchBook, vitin e kaluar, 3% e shumës së kapitalit sipërmarrës të Amerikës në Inteligjencë Artificiale, shkoi për sektorin e prodhimit.

Në Kinë, kjo shifër ishte 43%. Disa industrialistë në Azi mendojnë se prodhimi është sektori ku Kina mund të shkëputet shumë nga Amerika për sa i përket përdorimit të Inteligjencës Artificiale. Kryeministri kinez Li Qiang ka bërë thirrje që vendi të “ndërthurë teknologjitë dixhitale me fuqitë e prodhimit dhe tregut të vendit”. Tashmë Kina zë një pjesë prej gati 30% të prodhimit global, nga 20% në vitin 2011.

Ka më shumë robotë industrialë për punëtorë prodhues, se pothuajse çdo shtet tjetër i pasur. Tani po depërton në fusha të reja. Në shkurt, kompania kineze e prodhimit të automjeteve BYD, paraqiti një teknologji të përparuar të ndihmës së shoferit, pa asnjë kosto shtesë (Tesla, kampioni i Amerikës për automjetet elektrike, tarifon rreth 9,000 dollarë për makinë).

Kompani si Unitree dhe EngineAI prodhojnë robotë që kërcejnë dhe bëjnë kung-fu. Investitorët janë magjepsur. Aksionet e kompanive më të mëdha kineze në fushën e robotikës humanoide, janë rritur me një të tretën këtë vit. Inteligjenca Artificiale është veçanërisht e dobishme për t’u mbrojtur ndaj sanksioneve të Amerikës dhe pengesat që ajo i ka vënë Kinës në blerjen e teknologjisë së lartë.

Në vitet 2019-23 (të dhënat më të fundit të disponueshme), importet kineze të pajisjeve amerikane ranë me më shumë se 20% në terma realë, dhe kompanive kineze iu bllokua qasja në pajisjet e teknologjisë më të fundit. Por softueri më i mirë, i mundësuar nga Inteligjenca Artificiale, i lejon ata të përfitojnë më shumë nga kompleti i vjetër. Për shembull, sensorët e Inteligjencës Artificiale mund të zbulojnë kur hardueri është gati për t’u prishur; mjete të tjera ndihmojnë në uljen e konsumit të energjisë.

Nga të dhënat ekonomike kineze, ne vlerësojmë se sektori i prodhimit të Kinës blen dy herë më shumë softuerë sesa një dekadë më parë. Amerika ka ende përparësi kryesore: fuqinë më të madhe ekonomike. Këtë vit, kompanitë e mëdha amerikane si Amazon, Alphabet, Microsoft dhe Meta, do të investojnë rreth 300 miliardë dollarë në teknologji të reja, ku shumë prej tyre lidhen me Inteligjencën Artificiale.

Kompanitë kineze si Alibaba, Baidu, ByteDance dhe Tencent, do të investojnë rreth një të gjashtën e kësaj shifre. Sipas të dhënave nga firma analitike Dell’Oro Group, shpenzimet amerikane në serverët e Inteligjencës Artificiale, tejkaluan pothuajse me katërfish investimet kineze vitin e kaluar. Amerika ka dhjetë herë më shumë qendra të dhënash se Kina. E gjithë kjo mund të ndihmojë Amerikën për të pasur aftësi më të sofistikuara se Kina, në Inteligjencën Artificiale.

Por platforma kineze DeepSeek, që arriti aftësi të jashtëzakonshme me një çmim shumë më të ulët se versionet amerikane, tregon se fuqia e zjarrit financiar ka kufijtë e veta. Shumë ekspertë kinezë të Inteligjencës Artificiale, përfshirë shefin e kompanisë Alibaba, Joe Tsai, kryetarin e Alibaba, mendojnë se Amerika po shpenzon më tepër se ç’duhet. Në mars, Tsai paralajmëroi se ritmi i ndërtimit të qendrave të të dhënave në Amerikë mund të tejkalojë kërkesën fillestare për shërbimet e Inteligjencës Artificiale.

Gara e Inteligjencës Artificiale nuk do të fitohet në selitë e teknologjisë së lartë si Palo Alto ose Hangzhou. Ajo do të fitohet në vende si Dayton dhe Zhengzhou, ku kompanitë dhe konsumatorët e zakonshëm po përdorin teknologjinë e Inteligjencës Artificiale për të bërë gjëra të jashtëzakonshme. Kina ende përballet me shumë pengesa për zbatimin e kësaj teknologjie: qasja në të dhëna është e vështirë dhe shumë nga kompanitë e saj nuk janë ende të dixhitalizuara.

Por nuk mund të themi me siguri se Amerika do të përfitojë më shpejt se Kina nga teknologjia e Inteligjencës Artificiale. Edhe nëse Amerika ka modelet më të mira të Inteligjencës Artificiale, çfarë dobie kanë ato nëse nuk përdoren nga mjaftueshëm njerëz?/ The Economist

ia

Artikuj te sugjeruar

video

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 16

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 16

Gruaja me dy identitete që premton “shërim” me ujin e kufomave në Pejë

A ka Shqipëria një Nicola Gratteri?

Katër nëna në kërkim të fëmijeve/ Bisedat që zbuluan rrjetin e errët

Flamur Gjuzi, i dënuar për"shpërdorim detyre" sot drejtor i Policisë Bashkiake, sërish shkel ligjin?

Pallatet u zhytën“Durrës Marina" dhe Autoriteti Portual bëjnë veprimin e papritur përballë skandalit

Ekskluzive/ Nicola Gratteri çmonton skemën e pastrimit të parave të ndërtimit në Tiranë

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 15

Enkel Demi duke luftuar paragjykimet për shqiptarët. (kamera e fshehtë)

Milva Ekonomi i firmosi miliona euro Vilma Nushit, kjo e fundit i investoi te kulla e Ervin Matës

Ajo çfarë mund të na mësojë Kosova.

Laboratorë “copy-paste”/ I njëjti mjek firmos analiza në disa pika, skema që ngre pikëpyetje

Rrjeti i ‘errët’ i vajzave të zhdukura! Bisedat tronditëse si funksiononte grupi.

Bleu 300 m2 tokë në vitin 2004, kthehet nga emigrimi dhe gjen aty vilë 3-katëshe.

“Na detyruan nga Dubai”/ Konstruktori i Durrës Marina zbulon pse u zhytën pallatet

Drejtori që tregon sjellje të pahijshme me nxënësen: Jam i fortë edhe në parti

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 14

Turisti zemërgjerë nga Italia dhe patatinat falas

Aksidentet “pushtojnë” oborrin e familjes në Klos, banori: Një ditë do ndodhë tragjedi

Lidhja jashtëmartesore që përfundoi në makth /32-vjeçarja rrëfen shantazhin me video intime

Sherr në terminalin e Peshkopisë, shoferi: Mos më vidh pasagjerët! Shko ha bukë te pjesa jote

Artisti dhe Frika

Si u kthye në urrejtje dashuria mes ish-bashkëshortëve dhe ‘lufta’ për 200 mijë euro!

14-vjeçare me dr*gë dhepro*titucion, rrjeti i errët i minoreneve të zhdukura

Zhytja e pallateve te Alabarit/ IKMT pranon anomalitë në “Durrës Marina”: Janë zhytur 28 cm

"Ederlezi", festa e veçantë e komunitetit rom.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 13

Do t’i fus duart edhe nëse bërtet, motra e 13 vjeçares rrëfen tmerrin e mesazheve që mësuesi ia çon

“Inspektori gjobëvënës” i bashkisë terrorizon qytetarët

Pagat e mohura të druvarëve në Navaricë! Miliona lekë për të marrë dhe kërcënime

Rruga Thumanë–Kashar/ 1 miliard euro dhe “5 lekëshi” që po merret nga xhepat e qytetarëve

Me viza turistike ose kontrata futbolli drejt Europës/ Kush fshihet pas skemës së trafikimit?

Nënat denoncojnë ikjet nga shtëpia dhe jetën e dyshimtë të adoleshentëve

Për mediat dhe fëmijët

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 12

Muzikanti i rruges “vjedh” koleget. Banka e fundit

Dajak për 50 metra rrugë në Dibër, kushërinjtë në ’luftë’ për pronën.

Fisnik Syla, “BAMIRËS” apo shantazhues

A janë "idiotë "shqiptarët e Maqedonisë së Veriut? Çfarë do të thoshte Arbën Xhaferraj?

Presidenti i FSHP reagon për deklaratat e Erkand Qerimaj: Lajthita atëherë, tani kam reflektuar

Nga jetimorja te humbja e kujdestarisë. Rrëfen nëna që kërkon bashkimin me vajzën pas 13 vitesh

Tigrat e Vlorës: energjia që prodhohet 6 herë më shtrenjtë se sa shitet.

Skandali i zhytjes së pallateve në Durrës Marina / Ndërhyn IKMT.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 11

Dhjetëra punonjës fasonerie pa marrë pagat: Blerimi mori lekët dhe u zhduk! Pronari premton zgjidhje

Hapet filial i bankës turke në “zemër” të Bllokut, reklamat vendosen pa leje

Energji për brezin tim

Nga ‘Viola’ tek Dorina: Si përfundoi në borxh një histori dashurie në distancë

Firma “Trade Minerals Al” po shkatërron mjedisin dhe infrastrukturën e fshatit Gjegjan në Kukës

Nga shpërthimi i drejtorit te prapaskenat e ushqimit në institucionin privat në Elbasan