Mandatari për formimin e Qeverisë së re të Kosovës, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka edhe dy ditë kohë ligjore për t’ua prezantuar Qeverinë anëtarëve të Kuvendit të Kosovës.
Nëse Qeveria nuk zgjidhet të dielën – pas zgjedhjeve të shkurtit dhe muajve të tërë përpjekjesh për të formuar institucionet e reja – Kosova mund të përballet me një krizë të re institucionale.
Në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje mori më shumë vota, por jo mjaftueshëm për të formuar e vetme Qeverinë.
Tani, nuk është e sigurt nëse kjo parti do të arrijë t’i sigurojë votat e deputetëve nga partitë e tjera deri të dielën.
Më herët, Lëvizja Vetëvendosje e përjashtoi mundësinë e bisedimeve me Partinë Demokratike të Kosovës, ndërsa e la derën hapur për bashkëpunim me Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Tani për tani – së paku publikisht – nuk ka informacione se një marrëveshje koalicioni është në horizont.
Në fillim të kësaj jave, Kurti la të kuptohej se mund të mos jetë në gjendje ta formojë Qeverinë e re dhe vlerësoi se zgjidhje alternative është mbajtja e zgjedhjeve të reja.
Megjithatë, Kushtetuta e Kosovës përcakton që nëse përbërja e propozuar e Qeverisë së re nuk e merr shumicën e nevojshme të deputetëve, presidenti i Kosovës duhet të emërojë një mandatar të dytë për kryeministër brenda dhjetë ditësh, i cili i ka gjasat më të mira për të formuar Qeverinë.
I mandatuari i ri për kryeministër sërish do t’i kishte 15 ditë për t’i propozuar Kuvendit përbërjen e Qeverisë dhe programin e punës.
Bazuar në vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës nga viti 2020, mandatari i dytë për kryeministër mund të jetë edhe nga partia e dytë më e madhe – në këtë rast Partia Demokratike e Kosovës.
Presidenti shpall zgjedhje të reja nëse Qeveria nuk zgjidhet për herë të dytë, dhe ato duhet të mbahen brenda 40 ditëve nga data e thirrjes.
Deri atëherë, Qeveria në detyrë do t’i kryente detyrat e saj.
Lëvizja Vetëvendosje fitoi 48 nga 120 vendet në Kuvendin e Kosovës në zgjedhjet e shkurtit, e ndjekur nga Partia Demokratike e Kosovës me 24 vende, Lidhja Demokratike e Kosovës me 20 vende dhe koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – Nisma me 8 vende.
Komuniteti serb ka dhjetë vende të garantuara në Kuvendin e Kosovës – nëntë prej të cilave i fitoi Lista Serbe, ndërsa një vend e fitoi Nenad Rashiq nga Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.
Dhjetë vende të tjera parlamentare janë të rezervuara për komunitetet e tjera minoritare, të njohura nga Kushtetuta e Kosovës: boshnjakët, turqit, goranët, romët, ashkalinjtë dhe egjiptianët.
Për të zgjedhur një qeveri të re, personi përgjegjës duhet të sigurojë së paku 61 vota.
Më 20 tetor, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, deklaroi se ka ende kohë për të arritur një marrëveshje për zgjedhjen e Qeverisë, por kritikoi Listën Serbe për “krijimin e pengesave”.
Lista Serbe iu drejtua Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për të kundërshtuar zgjedhjen e Rashiqit për nënkryetar të Kuvendit dhe është në pritje të përgjigjes.
Çka nëse Gjykata Kushtetuese vendos në favor të Listës Serbe?
Nëse Gjykata Kushtetuese e Kosovës e pranon ankesën e Listës Serbe si të bazuar, në praktikë kjo do të thoshte se Kuvendi i Kosovës nuk është konstituuar.
Kjo do ta bënte të pamundur ndërmarrjen e ndonjë hapi drejt formimit të Qeverisë dhe institucioneve të reja.
Më herët, Gjykata Kushtetuese ka vendosur në favor të Listës Serbe se Kuvendi nuk është konstituuar pa zgjedhjen e një nënkryetari nga komuniteti serb.
Më pas u zgjodh Rashiq, sepse asnjë nga nëntë kandidatët nga Lista Serbe nuk arriti t’i siguronte votat e nevojshme.
Sipas Rregullores së Punës së Kuvendit, një kandidat për nënkryetar të Kuvendit nga komuniteti serb propozohet nga shumica e deputetëve nga ai komunitet – gjë në të cilët thirret edhe Lista Serbe në ankesën e saj.
Kuvendi i Kosovës u konstituua më 10 tetor, tetë muaj pas zgjedhjeve.
Kriza politike dhe institucionale lindi fillimisht për shkak të mosmarrëveshjeve midis partive më të mëdha shqiptare për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, e më pas për shkak të zgjedhjes së një nënkryetari nga komuniteti serb.//REL
Artikuj te sugjeruar
KOSOVA
24 Tetor13:14
Wesley Clark konfirmohet si dëshmitar në mbrojtjen e Hashim Thaçit
Gjenerali i pensionuar amerikan, Wesley Clark, do të dëshmojë në mbrojtje të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaç...
KOSOVA
24 Tetor10:53
Miliona euro të hedhura për zgjedhjet në Kosovë, transparencë minimale nga raportet financiare të subjekteve politike
Gati katër milionë euro u shpenzuan nga 28 subjekte politike gjatë fushatës për zgjedhjet e 9 shkurtit për Kuvendin e Kosovë...
KOSOVA
23 Tetor17:21
Mashtruesi i pacipë shpallet në kërkim nga policia e Kosovës. Ka kryer mbi 14 vepra penale (Emri)
Policia e Kosovës ka shpallur në kërkim Edon Bytyqin, një emër i njohur në publik për mashtrim. “Hetuesit policorë...
KOSOVA
23 Tetor14:42
E pazakontë/ Sekuestrohen nga policia 50 mijë euro me thasë, të gjitha monedha metalike
Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në pikën kufitare të Vërmicës, ku zyrtarët doganorë kanë zbuluar 50,000 e...
KOSOVA
23 Tetor11:43
'Komunalet' në Kosovë/ Janë rinumëruar 10 nga 16 kutitë e votimit, ja kur pritet të përfundojë procesi
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se procesi i rinumërimit të kutive të votimit është duke vazhduar në Qendrën e N...
KOSOVA
23 Tetor11:32
"Është afruar pranë shtratit dhe e ka qëlluar"/ Prokuroria ngre aktakuzë ndaj shtetasit turk që vrau vajzën e tij me thikë
Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër M.G., shtetas turk, për shkak t&eum...
KOSOVA
22 Tetor10:23
Kurti takim me kryeministrin britanik Starmer, zbardhen diskutimet
Pas përfundimit të Samitit të 12-të të Procesit të Berlinit në Londër, Kryeministri në detyrë i Kosovës...
KOSOVA
22 Tetor09:48
Danimarka vendos kushte, ja çfarë kërkoi nga Kosova dhe Serbia në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së
Në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kosovën, përfaqësuesi i Danimarkës ka bërë ...
KOSOVA
22 Tetor09:23
Ishte duke pritur për t'u ngjitur në avion, ndërron jetë në aeroport shtetasi zviceran/ Ja çfarë dyshohet
Një shtetas zviceran ka humbur jetën mbrëmjen e së mërkurës në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës &l...