Momente paniku u regjistruan të dielën, më 8 shkurt, në një fluturim të nisur nga Anglia me destinacion Tel Avivin, në Izrael.
Stafi i bordit dyshoi për një kërcënim të vërtetë terrorist, por më pas u zbulua se bëhej fjalë “vetëm” për një shaka nga një prej pasagjerëve, i cili dyshohet s e ndryshoi emrin e hotspot-it WiFi të telefonit të tij në “Terrorist”.
Sipas mediave lokale, ai thuhet se kishte dashur t’u bënte një shaka prindërve të tij, por një çift pasagjerësh pa emrin në telefonin e djaloshit dhe njoftoi menjëherë stafin.
Prej aty u aktivizua emergjenca, duke bërë që autoritetet izraelite të vendosnin ngritjen në ajër të dy avionëve luftarakë të forcave ajrore.
Avioni, me 220 pasagjerë në bord, u shoqërua deri në tokë dhe u detyrua të ulej në një zonë të izoluar të aeroportit Ben-Gurion. Pas disa orësh kontrollesh të imtësishme në avion, ndaj pasagjerëve dhe bagazheve të tyre, të cilat rezultuan negative, alarmi fatmirësisht u mbyll.
Vetëm atëherë u zbulua se gjithçka kishte nisur nga ndryshimi i emrit të hotspot-it WiFi të njërit prej pasagjerëve. Një “shaka e shëmtuar”, siç e cilësoi Autoriteti izraelit i Aeroportit.
Trafiku ajror, pas një pezullimi të përkohshëm, u rikthye në normalitet, por nuk përjashtohet që për djaloshin të ketë pasoja për shkak të alarmit të rremë dhe bllokimit të operacioneve të fluturimit. /PiranjatNews/