POLITIKE

Nga imazhi i një zyrtari punëtor me mëngë të përveshura te shkarkimi, akuzat që i rrënuan karrierën politike Erion Veliajt

Piranjat Përditësimi i fundit 23 Shtator 2025, 17:34
Nga imazhi i një zyrtari punëtor me mëngë të

Kur oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit e shoqëruan kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, për në paraburgim të hënën e 12 shkurtit në mesditë, në bazë të një vendimi për masë arresti nga Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, televizionet po transmetonin një nga kronikat e zakonshme, ku ai shfaqej buzëqeshur me fëmijë në një kopsht në lagjen Yzberisht të Tiranës.

Sot, më shumë se 7 muaj më vonë, Veliaj jo vetëm që ndodhet në qelitë e burgut të Durrësit, por nuk është më as kryetar i Bashkisë së Tiranës. Veliaj kishte kërkuar në vijimësi lirimin nga qelitë e paraburgimit me pretendimin se ishte zgjedhur nga qytetarët e Tiranës dhe si i zgjedhur duhet të qëndronte në krye të institucionit.

Gjatë një dekade në krye të Bashkisë së Tiranës, Veliaj, 45 vjeç, kishte fabrikuar imazhin e një zyrtari punëtor, shkruante BIRN atëherë, i cili me mëngë të përveshura çdo ditë mbillte pemë, përuronte kopshte dhe shkolla apo luante me fëmijët, ndërkohë që mbështetësit e tij e thërrisnin shpesh ‘Lali Eri’ – një pseudonim popullor që synonte të theksonte afërsinë e tij me qytetarët.

Por nën këtë fasadë të kuruar me kujdes, nëpërmjet propagandës dhe ndikimit mbi mediat audivizive, fshihej sipas SPAK edhe një skemë e mirëmenduar dhe komplekse korrupsioni dhe pastrimi parash, për të përfituar ryshfete, udhëtime ose pasuri të paluajtshme nga kompani kontraktore dhe OJF përfituese të fondeve të Bashkisë së Tiranës, si dhe kompani që merrnin leje ndërtimi.

Këto ryshfete i transferoheshin familjes së kryebashkiakut kryesisht nëpërmjet një rrjeti OJF-sh dhe kompanish të kontrolluara nga bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa dhe familjarët e saj, duke mjegulluar origjinën nëpërmjet faturave fitktive.

Xoxa sipas SPAK i shpenzoi një pjesë të të adhurve të paligjshme për shpenzime luksi në internet. Ajo gjithashtu akzohet se ndihmën e kryetares së Komisionit të Ligjeve në Kuvend, Klotilda Busha, tentuan që të ‘helmojnë’ provat dhe të ndikojnë tek dëshmitarët, në përpjekje për të fshehur të vërtetën. GJKKO vendosi masën e arrest shtëpiak për Ajola Xoxën.

“Provat e grumbulluara deri në këtë fazë të hetimit ekspozojnë ekzistencën e një mekanizmi të mirëmenduar, krijuar dhe vënë në funksion nga shtetasit nën hetim me qëllim përfitimin nga fondet publike dhe pasurimin personal përmes veprimeve të kamufluara dhe të paligjshme,” shkruan Gjykata Speciale (GJKKO) në vendimin e masës së sigurisë për Veliajn. “Në lidhje me praktikat e ndjekura nga këta shtetas, siç do të prezantohet në vijim, nisur nga provat e administruara në fashikull, të paktën në 10 raste krijohet dyshimi i arsyeshëm për kryerjen e veprimeve me natyrë korruptive nga i zgjedhuri vendor, si edhe për pastrim të produkteve të veprës penale në nivelin më të lartë të qeverisjes vendore,” shton vendimi.

Përveç kryebashkiakut dhe bashkëshortes së tij, GJKKO ka vendosur masën arrest me burg për biznesmenin Elman Abule dhe masën ‘detyrim paraqitje’ për pesë biznesmenë të tjerë – mes tyre Gentian Sula, Shkëlqim Fusha dhe Fatmir Bektashi, kompanitë e të cilëve janë përfituese të mëdha të fondeve të bashkisë ose lejeve të ndërtimit në Tiranë.

Nëpërmjet një deklarate nga burgu,  të postuar në rrjetin sociale ‘Facebook’, Erion Veliaj i mohoi akuzat e SPAK, të cilat i cilësoi si tragjikomike.

“Nuk kemi asnjë lidhje unë dhe familja ime me fjalën korrupsion,” shkroi Veliaj, ndërsa sulmoi prokurorin e çështjes si një  ‘individ pervers’.

Edhe kryeministri Edi Rama e mbrojti Erion Veliajn, duke e cilësuar arrestimin e tij si antikushtetues dhe akuzat si ‘roman policesk’.

“Pra, në thelb jemi përballë një rasti që krijon dyshimin e arsyeshëm të një hetimi jashtë shinave kushtetuese dhe një ndalimi në shkelje të standardeve demokratike,” tha Rama. Ndërkohë, kryetarja e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka u ankua se po përgojohej dhe baltosej nga SPAK.

“Pyetja ime është ku hyj unë në këtë mes dhe pse duhet të më takonte, sipas SPAK-ut, balta që i shoqëron këto goditje të tij,” shkruan ajo ne Facebook. “Jam krenare edhe për miqësinë me Erjonin dhe për gjithçka ai ka bërë për Tiranën,” shtoi ajo.

Si funksiononte skema e korrupsionit?

Veliaj e nisi karrierën në vitet 2000 si drejtues i Lëvizjes Mjaft – një grup aktivistësh të mbështetur nga fonde të ofruara nga donatorët për të rritur ndërgjegjësimin e publikut të gjerë mbi problemet e shkaktuara nga korrupsioni i perceptuar si i gjithëpërhapur në kohën kur Fatos Nano udhëhiqte qeverinë dhe socialistët.

Nga aktivist kundër korrupsionit, ai bëri kapërcimin në politikë, duke u zgjedhur fillimisht deputet, ministër dhe në vitin 2015, kryebashkiak i Tiranës. Ajola Xoxa është një juriste e specializuar në sektorin e energjisë. Veliaj dhe Xoxa u martuan në vitin 2014 në një dasmë me qindra të ftuar në kështjellën e Gjirokastrës dhe janë prindër të një djali.

Sipas vendimit për masë sigurie, Prokuroria e Posaçme argumenton se ka zbuluar një mekanizëm të organizuar korruptiv, që ka lejuar kryetarin e Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj dhe bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa që të përfitojnë nga fondet publike për pasurim personal, përmes veprimeve të paligjshme dhe të kamufluara.

Skema e dyshuar korruptive e ngritur nga shtetasit nën hetim, Erion Veliaj dhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, është realizuar përmes një sërë përfitimesh të parregullta që lidhen me funksionin publik dhe favorizimin e subjekteve të ndryshme në kontrata dhe leje ndërtimi. Kjo skemë është konkretizuar në të paktën nëntë episode kryesore.

SPAK thekson se skema përfshin përveç AGI KONS, edhe kompanitë të tjera si Fusha, Rametal, One, Palushi, Kontakt, Vienna Insurance Group dhe Gerard-A”, të cilat kanë përfituara tenderë dhe leje ndërtimi nga bashkia e Tiranës, të cilat më pas kanë transferuar fonde ose pasuri tek Ajola Xoxa, familjarët e saj dhe një rrjet individësh e entitetesh të kontrolluara prej saj.

Këto fonde janë transferuar në kompani dhe organizata jofitimprurëse si “Partners Law,” “Arts Lab,” “Ava Studio,” “Nan Gallery,” “Byl-A,” “Harabel,” “Eventus” dhe “Muza.” Të ardhurat e gjeneruara nga këto subjekte kapin shifrën e rreth 110 milionë lekëve.

Një nga rastet kryesore lidhet me dhënien e përfitimeve nga kompania “Agi Kons” Shpk, përmes përfaqësuesit të saj Gentian Sula, në favor të Veliajt dhe Xoxës. Kjo kompani, gjatë kohës që dhuronte këto fonde, siguroi një kontratë të majme me Bashkinë e Tiranës për ndërtimin e shkollës “Qazim Turdiu” me vlerë mbi 362 milionë lekë, si dhe një leje ndërtimi për një kompleks banimi, e nënshkruar nga vetë kryebashkiaku Veliaj. Një tjetër rast përfshin sponsorizime dhe mbulim të shpenzimeve të udhëtimit për Veliajn dhe Xoxën nga kompania “Kontakt” Shpk e Fatmir Bektashit, pikërisht në periudhën kur kjo kompani kërkonte leje ndërtimi për një projekt në Tiranë.

Sipas SPAK, bashkëshortja e kryetarit të bashkisë ka përfitur në mënyrë të paligjshme, nëpërmjet OFJ-ve të kontrolluara prej saj, edhe nga fondet e Bashkisë së Tiranës, Ministrisë së Kulturës, Bashkimit Evropian dhe Ambasadës Amerikane.

Prokuroria argumenton se kemi të bëjmë me një sistem të organizuar korrupsioni, ku roli kyç i Veliajt ka qenë vendimtar në miratimin e kontratave publike, fondeve apo lejeve të ndërtimit.

Hetimi i SPAK ka zbuluar se shuma e përfituar përmes këtyre praktikave arrin në qindra milionë lekë, ndërsa një pjesë e këtyre fondeve janë përdorur për blerje luksi të realizuara online për një periudhë prej të paktën gjashtë vitesh. Sipas SPAK, Ajola Xoxa ka kryer blerje online në vlerën e 86.7 milionë lekëve për veshje luksoze, produkte kozmetike dhe aksesorë, duke përfshirë fustane, çanta, pallto dhe bizhuteri nga platformat e modës luksoze si Net-a-Porter, Moda Operandi, Smythson.

Vila ‘e fshehur’ në Qerret 

Hetimet dhe verifikimet e pasurive të deklaruara nga Erion Veliaj dhe familjarët e tij, duke përfshirë Ajola Xoxën, Arbër Veliajn, Valbona Xoxën dhe Shqiponjë Veliaj, kanë identifikuar disa pasuri të patundshme në emër të këtyre individëve, duke përfshirë apartamente dhe vila në Tiranë, Kavajë dhe Fier.

Erion Veliaj zotëron një apartament në rrugën “Hoxha Tahsim” në Tiranë, i blerë në vitin 2013 me një vlerë të deklaruar prej 5,1 milionë lekë, por pa dokumente që provojnë pagesën. Arbër Veliaj rezulton të ketë blerë një truall dhe vilë në Qerret për 164,000 euro, me një pjesë të pagesës të financuar përmes një kredie. Ai gjithashtu disponon dy apartamente në Selitë, të blera në vitin 2022 për një vlerë totale prej 97,407 euro.

Ajola Xoxa ka në pronësi një apartament në “Kodrën e Diellit” në Tiranë, të cilin e ka blerë në vitin 2016 për 88,641 euro, si dhe një apartament tjetër në rrugën “Brigada VIII” për 105,000 euro, të blerë në vitin 2018. Në dokumentet e pronësisë, figuron se Valbona Xoxa ka blerë një apartament në vitin 2016 për 85,232 euro, ndërsa gjithashtu ka përfituar disa pasuri me trashëgimi nga familja.

Hetimet gjithashtu kanë zbuluar një vilë vilë në Marea Resort, Qerret, e cila rezulton të jetë në pronësi të kompanisë ndërtuese Agi Kons, por që dyshohet se është pasuri e fshehur e Erion Veliaj dhe Ajola Xoxa. Këto dyshime bazohen në pagesat e kryera nga Veliaj për mirëmbajtjen e kësaj prone dhe nga analizat e tabulateve telefonike që tregojnë praninë e tyre të shpeshtë në këtë zonë, si dhe deklaratat e personave të ndryshëm, përfshirë administratorin e resortit, punonjës të familjes Veliaj-Xoxa dhe të ish-shoferit të Ajola Xoxës.

Përveç pasurive të paluajtshme, Xoxa ka një balancë bankare totale prej 618,394 euro, e cila sipas deklarimeve është krijuar nga të ardhurat nga bizneset e saj, qiradhëniet dhe trashëgimia.

SPAK ka zbuluar dhe një apartament në Sky Tower që përdorej nga Ajola Xoxa me dy dhoma të mbushura me piktura, që sipas dëshmive të një bashkëpunëtorjeje, një pjesë i përkasin bashkëshortes së kryebashkiakut dhe kapin vlera nga 600 euro në 5000 euro secila.

Hetimi i SPAK

Hetimi kundër Veliajt nisi më 19 korrik 2023, pas një denoncimi që aludonte për lidhjet e kryebashkiakut me biznesmenin Gentjan Sula, pronar i kompanisë së ndërtimit ‘Agi Kons’, e cila ka fituar disa tenderë publikë të rëndësishëm nga Bashkia Tiranë, përfshirë rehabilitimin e Parkut Rinia, ndërtimin e Teatrit të Kombëtar dhe një PPP për ndërtimin e shkollave në kryeqytet.

Nga veprimet paraprake, SPAK ka konstatuar se lidhejt e Veliajt me biznesmenin janë të vjetra dhe se ata kishin udhëtuar së bashku me avion ‘charter’ nga aeroporti i Rinasit që në vitin 2004. Hetimet paraprake gjithashtu kanë tregur se vëllai i kryebashkiakut, Arbër Veliaj, posedon një vilë në Qerret të ndërtuar nga “AGI KONS”, ndërsa bashkëshortja e Veliajt, Ajola Xoxa, ka deklaruar një apartament në rezidencën “Kodra e Diellit”, gjithashtu e ndërtuar nga e njëjta kompani.

Pas hetimeve paraprake dhe grumbullimit të provave, më 8 shkurt 2024, Prokuroria e Posaçme regjistroi procedimin penal për veprën e “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, ndërsa më 27 dhjetor 2024 hetimi u zgjerua duke përfshirë edhe akuzat për “Korrupsion aktiv”, “Pastrimin e produkteve të veprës penale” dhe “Fshehjen ose deklarimin e rremë të pasurisë”.

Në vijim, më 16 janar 2025, në regjistrin e veprave penale u shtua edhe akuza për “Deklarata të rreme para oficerit të policisë gjyqësore”, ndërsa më 24 janar 2025 u shtua vepra penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.

Si pjesë e hetimit, SPAK ka dokumentuar një seri të gjatë transaksionesh që tregojnë rrjedhjen e parasë nga bashkia e Tiranës, përmes kompanive kontraktore dhe sponsorizimeve, tek OJF-të dhe kompanitë e kontrolluara nga Ajola Xoxa. Gjithashtu, SPAK ka mbledhur dëshmitë e shumë individëve të cilët punonin dhe figuronin drejtues në këto OFJ dhe kompani, të cilat kanë treguar se ato kontrolloheshin nga Xoxa dhe se çdo veprim bëhej me miratimin e saj.

Për të dëshmur posedimin e vilës në resortin Marea, përveç pagesave dhe dëshmive të personave të lidhura, Prokuroria Speciale ka përdorur dhe qelizat e telefonit celular të kryebashkiakut. Mes provave kyçe të SPAK, është dhe dëshmia e shtetases Adela Kondakçiu – e cila ka menaxhuar financat e disa entiteteve jofitimprurëse, si dhe komunikimet e saj në aplikacionin ËhatsApp.

Gjithashtu të rëndësishme për SPAK kanë qenë dhe deklaramet e shtetases Ina Goxhaj, të cilat dëshmojnë për përpjekjen e koordinuar të Ajola Xoxës dhe Klotilda Bushkës, për të ndikuar në dëshminë e saj dhe për të fshehur faktet gjatë hetimit.

Sipas SPAK, deklarimet e Ajola Xoxës në Prokurori kanë qenë të pavërteta dhe bien në kundërshtim me provat e siguruara nga hetuesit, ndërsa kryetari i bashkisë Erion Veliaj  ka dhënë përgjigje të përgjithshme dhe shpesh është shprehur me “nuk e di” ose “nuk kam dijeni”, duke shmangur detajet rreth çështjeve që lidhen me organizatat dhe financimet publike të lidhura me bashkëshorten dhe familjarët e saj.

Pse u arrestua Veliaj

Prokuroria e Posaçme vlerëson se ekziston një rrezik real dhe i vazhdueshëm për manipulimin ose fshehjen e provave, nëse Erion Veliaj dhe Ajola Xoxa nuk i nënshtrohen kufizimeve të lirisë.

Ky rrezik buron nga funksioni i Veliajt si kryetar i Bashkisë së Tiranës, ndikimi i tij i fortë në administratë, si dhe sjellja e tij gjatë hetimeve, duke përfshirë mesazhet kërcënuese drejtuar hetuesve të BKH-së.

Sipas SPAK, ai ka ndërhyrë në proces, duke u përpjekur të ndalojë thirrjen e bashkëshortes së tij për dëshmi, duke përdorur vartësit e tij për të ndikuar te dëshmitarët.

“Sjellja e shtetasit nën hetim Erion Veliaj, kur bëhet fjalë për komunikimin e përdorur me hetuesit e BKH-së dhe “kurajon” e shfaqur nga ky shtetas për t’i lënë të shkruara mesazhet e tij intimiduese në adresë të organit procedues, dëshmon qartë për personalitetin e këtij të fundit,” shprehet SPAK.

Masat e dënimit për veprat penale në ngarkim të shtetasit Erion Veliaj, kanë luajtu gjithashtu një rol në vendimin e Gjykatës.

Neni 260 i Kodit Penal parashikon dënimin me burgim nga katër deri në dymbëdhjetë vjet, ndëra Neni 287, pagrafi 2 i Kodit Penal parashikon dënimin me burgim nga shtatë gjer në pesëmbëdhjetë vjet.

Artikuj te sugjeruar

video

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 16

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 16

Gruaja me dy identitete që premton “shërim” me ujin e kufomave në Pejë

A ka Shqipëria një Nicola Gratteri?

Katër nëna në kërkim të fëmijeve/ Bisedat që zbuluan rrjetin e errët

Flamur Gjuzi, i dënuar për"shpërdorim detyre" sot drejtor i Policisë Bashkiake, sërish shkel ligjin?

Pallatet u zhytën“Durrës Marina" dhe Autoriteti Portual bëjnë veprimin e papritur përballë skandalit

Ekskluzive/ Nicola Gratteri çmonton skemën e pastrimit të parave të ndërtimit në Tiranë

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 15

Enkel Demi duke luftuar paragjykimet për shqiptarët. (kamera e fshehtë)

Milva Ekonomi i firmosi miliona euro Vilma Nushit, kjo e fundit i investoi te kulla e Ervin Matës

Ajo çfarë mund të na mësojë Kosova.

Laboratorë “copy-paste”/ I njëjti mjek firmos analiza në disa pika, skema që ngre pikëpyetje

Rrjeti i ‘errët’ i vajzave të zhdukura! Bisedat tronditëse si funksiononte grupi.

Bleu 300 m2 tokë në vitin 2004, kthehet nga emigrimi dhe gjen aty vilë 3-katëshe.

“Na detyruan nga Dubai”/ Konstruktori i Durrës Marina zbulon pse u zhytën pallatet

Drejtori që tregon sjellje të pahijshme me nxënësen: Jam i fortë edhe në parti

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 14

Turisti zemërgjerë nga Italia dhe patatinat falas

Aksidentet “pushtojnë” oborrin e familjes në Klos, banori: Një ditë do ndodhë tragjedi

Lidhja jashtëmartesore që përfundoi në makth /32-vjeçarja rrëfen shantazhin me video intime

Sherr në terminalin e Peshkopisë, shoferi: Mos më vidh pasagjerët! Shko ha bukë te pjesa jote

Artisti dhe Frika

Si u kthye në urrejtje dashuria mes ish-bashkëshortëve dhe ‘lufta’ për 200 mijë euro!

14-vjeçare me dr*gë dhepro*titucion, rrjeti i errët i minoreneve të zhdukura

Zhytja e pallateve te Alabarit/ IKMT pranon anomalitë në “Durrës Marina”: Janë zhytur 28 cm

"Ederlezi", festa e veçantë e komunitetit rom.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 13

Do t’i fus duart edhe nëse bërtet, motra e 13 vjeçares rrëfen tmerrin e mesazheve që mësuesi ia çon

“Inspektori gjobëvënës” i bashkisë terrorizon qytetarët

Pagat e mohura të druvarëve në Navaricë! Miliona lekë për të marrë dhe kërcënime

Rruga Thumanë–Kashar/ 1 miliard euro dhe “5 lekëshi” që po merret nga xhepat e qytetarëve

Me viza turistike ose kontrata futbolli drejt Europës/ Kush fshihet pas skemës së trafikimit?

Nënat denoncojnë ikjet nga shtëpia dhe jetën e dyshimtë të adoleshentëve

Për mediat dhe fëmijët

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 12

Muzikanti i rruges “vjedh” koleget. Banka e fundit

Dajak për 50 metra rrugë në Dibër, kushërinjtë në ’luftë’ për pronën.

Fisnik Syla, “BAMIRËS” apo shantazhues

A janë "idiotë "shqiptarët e Maqedonisë së Veriut? Çfarë do të thoshte Arbën Xhaferraj?

Presidenti i FSHP reagon për deklaratat e Erkand Qerimaj: Lajthita atëherë, tani kam reflektuar

Nga jetimorja te humbja e kujdestarisë. Rrëfen nëna që kërkon bashkimin me vajzën pas 13 vitesh

Tigrat e Vlorës: energjia që prodhohet 6 herë më shtrenjtë se sa shitet.

Skandali i zhytjes së pallateve në Durrës Marina / Ndërhyn IKMT.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 11

Dhjetëra punonjës fasonerie pa marrë pagat: Blerimi mori lekët dhe u zhduk! Pronari premton zgjidhje

Hapet filial i bankës turke në “zemër” të Bllokut, reklamat vendosen pa leje

Energji për brezin tim

Nga ‘Viola’ tek Dorina: Si përfundoi në borxh një histori dashurie në distancë

Firma “Trade Minerals Al” po shkatërron mjedisin dhe infrastrukturën e fshatit Gjegjan në Kukës

Nga shpërthimi i drejtorit te prapaskenat e ushqimit në institucionin privat në Elbasan