POLITIKE

PD kundërshton projektbuxhetin 2026 të Bashkisë Tiranë, Teliti zbulon 29 amendamentet e propozuara

Piranjat Përditësimi i fundit 18 Dhjetor 2025, 14:31

PD kundërshton projektbuxhetin 2026 të Bashkisë Tiranë,

Grupi i këshilltarëve të Partisë Demokratike në Këshillin Bashkiak të Tiranës ka paralajmëruar kundërshtim të fortë ndaj projektbuxhetit 2026 të Bashkisë, duke depozituar një paketë prej 29 amendamentesh që, sipas tyre, synojnë rikthimin e normalitetit fiskal dhe orientimin e shpenzimeve drejt interesit publik.

Këshilltari i PD-së, Dorjan Teliti, përmes një postimi në Facebook nga mbledhja e Këshillit Bashkiak, e cilësoi procesin e diskutimit si një projektbuxhet “njëkohësisht pa kokë dhe me shumë koka”, duke nënvizuar mungesën e qartësisë dhe përgjegjësisë në hartimin e tij. Sipas Telitit, amendamentet e propozuara adresojnë barrën e lartë fiskale për qytetarët, eficiencën e administratës dhe riorientimin e fondeve drejt shërbimeve bazë.

Paketa e amendamenteve përfshin ulje të ndjeshme taksash dhe tarifash, si ulje me 30% të taksës mbi pronën dhe tabelat reklamuese, përgjysmim të taksës së ndikimit në infrastrukturë, tarifës së pastrimit, parkimit dhe përdorimit të hapësirës publike. PD propozon gjithashtu subvencionim të plotë të ushqimit për fëmijët në çerdhe dhe kopshte publike, si dhe kompensim mujor për familjet që nuk gjejnë vend në institucionet publike për shkak të mbingarkesës.

Në fokus janë edhe politikat sociale dhe arsimi. Amendamentet parashikojnë kompensim ditor për ushqimin e nxënësve të arsimit parauniversitar, fonde për rritjen e sigurisë rreth shkollave, ndërtimin e çerdheve, kopshteve dhe shkollave të reja në zona si Astiri dhe Liqeni i Thatë, si dhe investime për konvikte publike me kapacitet për rreth 2 mijë studentë.

Në planin e shpenzimeve, PD kërkon ulje graduale të numrit të punonjësve të bashkisë gjatë dy viteve të ardhshme, reduktim të shpenzimeve operative, pezullim të financimeve për rikonstruksione zyrash dhe ndalim të pagesave për inceneratorin “që nuk ekziston”. Gjithashtu propozohet anulimi i fondeve për marketing dhe evente, duke i rialokuar ato për qendrat komunitare dhe shërbimet për të moshuarit.

Një pjesë e amendamenteve lidhen me mjedisin dhe infrastrukturën, duke përfshirë fonde për monitorimin e ndotjes së ajrit dhe zhurmës, ndërhyrje urgjente për ndalimin e ndotjes së Liqenit Artificial, vënien në funksion të impiantit të trajtimit të ujërave të zeza në Kashar dhe rehabilitimin e rrugëve në Njësinë Administrative nr. 11.

Në paketë përfshihet edhe programi “Rikthehu & Puno” për të rinjtë e diasporës, me një fond të dedikuar prej 50 milionë lekësh, si dhe digjitalizimi i aboneve studentore përmes një sistemi të integruar online.

Sipas Telitit, këto amendamente janë “tejet të nevojshme” për të orientuar buxhetin e kryeqytetit drejt shërbimeve thelbësore dhe lehtësimit të barrës për qytetarët, ndërsa pritet që mazhoranca në Këshillin Bashkiak të shprehet mbi propozimet gjatë diskutimeve të mëtejshme për projektbuxhetin 2026.

Postimi i Telitit

Live nga mbledhja e Këshillit Bashkiak Tiranë për diskutimin e projektbuxhetit 2026 të bashkisë njëkohësisht pa kokë dhe me shumë koka.
​Partia Demokratike do e kundërshtojë fuqimisht propozimin e mazhorancës, duke prezantuar 29 amendamente tejet të nevojshme për të futur në shinat e normalitetit aktin buxhetor të bashkisë së kryeqytetit.

​Më poshtë vijon lista e plotë e amendamenteve të grupit të këshilltarëve të Partisë Demokratike:
Amendamenti 1: Ulje me 30% të taksës mbi ndërtesën (pronën).
Amendamenti 2: Përgjysmimi i taksës së ndikimit në infrastrukturë për ndërtimet e reja.
Amendamenti 3: Ulje me 30% të taksës së tabelave reklamuese.
Amendamenti 4: Përgjysmimi i tarifës së pastrimit për familjarët dhe subjektet tregtare.
Amendamenti 5: Ulja me 50% të tarifave të parkimit, sidomos ato të zonës A.
Amendamenti 6: Përgjysmimi i tarifës së përdorimit të hapësirës publike.
Amendamenti 7: Subvencionimi i plotë i tarifës së ushqimit për fëmijët në çerdhe/kopshte publike.
Amendamenti 8: Kompensim mujor në masën 15 mijë lekë për çdo fëmijë të regjistruar në çerdhe/kopsht privat, në rast se aplikimi për t’u përfshirë në shërbimin e çerdhe/kopshte publike është refuzuar, për arsye të mbingarkesës, nga Drejtoria e Kopshteve dhe Çerdheve të Bashkisë Tiranë.
Amendamenti 9: Alokimi i një fondi për skemën e re të subvencioneve direkte ndaj fermerit/blegtorit të zonave rurale të kryeqytetit, në masën 500 milionë lekë në vit
Amendamenti 10: Ulja graduale gjatë 2 viteve të ardhshme, konkretisht me 15% gjatë vitit 2026 dhe 15% gjatë vitit 2027, e numrit të përgjithshëm të punonjësve, me qëllim krijimin e një administrate të vogël dhe eficiente në shërbim të qytetarëve dhe nevojave të Kryeqytetit.
Amendamenti 11: Gjatë 2026, ulje me 25% të shpenzimeve operative të përgjithshme të aparatit qendror dhe ndërmarrjeve & institucioneve të Bashkisë Tiranë.
Amendamenti 12: Gjatë vitit 2026, asnjë qindarkë financim nga buxheti i Bashkisë Tiranë për inceneratorin që nuk ekziston. Shërbimi që nuk jepet nuk mund të paguhet.
Amendamenti 13: Pezullimi i çdo shpenzimi për rikonstruksione zyrash dhe mobilime, deri në momentin ku, sipas ristrukturimit të domosdoshëm të shpenzimeve buxhetore nga ana e ekzekutivit të Bashkisë Tiranë, shpenzimet vjetore për investime publike të jenë të paktën në masën 50% të totalit të shpenzimeve të planifikuara.
Amendamenti 14: Pezullimi i të gjitha procedurave të prokurimit publik deri në ditën e ngritjes dhe fillimit të punës të Komisionit të Kontrollit të Brendshëm Financiar, detyrim ligjor dhe i rregullores së brendshme për funksionimin e Këshillit Bashkiak Tiranë. Bëjnë përjashtim prokurimet të cilat lidhen me shërbimet e mbrojtjes së jetës, pronës dhe sigurisë.
Amendamenti 15: Kompensimi nga buxheti i Bashkisë Tiranë i efekteve të rritjes së çmimit të ujit, kryer 8 vite më parë, për familjarët dhe subjektet tatimpaguese, deri në momentin e furnizimit të plotë me 24 orë ujë të familjeve dhe subjekteve tatimpaguese që operojnë në Bashkinë e Kryeqytetit.
Amendamenti 16: Kompensim ditor për ushqimin e nxënësve të sistemit parauniversitar, në masën 250 lekë/ditë mësimi për nxënësit e shkollave publike 9-vjeçare dhe 300 lekë/ditë mësimi për nxënësit e gjimnazeve dhe shkollave profesionale. Kompensimi nuk aplikohet në rast të zbatimit nga Bashkia Tiranë të projektit të ofrimit të ushqimit për nxënësit sipas angazhimit në këtë projektbuxhet.
Amendamenti 17: Anullimi i çdo fondi të planifikuar për vitin 2026 për marketing dhe evente, dhe rialokimi i tyre në buxhetin e dedikuar për qendrat komunitare dhe shërbimet për të moshuarit.
Amendamenti 18: Krijimi i një fondi të veçantë prej 100 milionë lekë për mbështetje ligjore falas për qytetarët në konflikte gjyqësore me Bashkinë Tiranë, për çështje të një natyre specifike sipas përcaktimeve në një vendim të posaçëm të Këshillit Bashkiak.
Amendamenti 19: Alokimi i një fondi prej 500 milionë lekë për ngritjen/përmirësimin e elementeve të sigurisë në zonat përreth objekteve të arsimit parauniversitar, me qëllim rritjen e sigurisë fizike dhe parandalimin e akteve të dhunës.
Amendamenti 20: Alokimi i një fondi prej 200 milionë lekë për monitorimin e ndotjes së ajrit dhe zhurmës, me qëllim ngritjen e kapaciteteve vlerësuesë dhe më pas marrjen e masave për uljen e ndotjeve tejet të larta të ajrit në Kryeqytet.
Amendamenti 21: Alokimi i një fondi prej 500 milionë lekë në buxhetin 2026 për ndërtimin, në tokë publike, të 11 tualeteve publike, nga një tualet publik për secilën njësi administrative të zonës urbane të Bashkisë Tiranë. Vlera e mbetur për financim të planifikohet në buxhetin e vitit 2027.
Amendamenti 22: Alokimi i një fondi prej 500 milionë lekë në buxhetin 2026 për ndërtimin në tokë publike në zonën e Astirit të dy çerdheve publike me kapacitet prej të paktën 150 fëmijë secila çerdhe, dy kopshteve publike me kapacitet prej të paktën 250 fëmijë secili kopsht, një shkolle 9-vjeçare publike me kapacitet prej të paktën 2.000 nxënës dhe një shkolle të mesme publike me kapacitet prej të paktën 1.000 nxënës. Vlera e mbetur për financim të planifikohet në buxhetin e vitit 2027.
Amendamenti 23: Alokimi i një fondi prej 300 milionë lekë në buxhetin 2026 për ndërtimin në tokë publike në zonën e Liqenit të Thatë të një çerdheje publike me kapacitet prej të paktën 150 fëmijë, një kopshti publik me kapacitet prej të paktën 250 fëmijë dhe një shkolle 9-vjeçare publike me kapacitet prej të paktën 1.500 nxënës. Vlera e mbetur për financim të planifikohet në buxhetin e vitit 2027.
Amendamenti 24: Alokimi i një fondi prej 600 milionë lekë për ndërtimin, brenda Qytetit Studenti apo në toka të përshtatshme publike në afërsi të objekteve të arsimit të lartë publik, të 4 godinave të reja për strehim studentor (konvikte publike), me kapacitet total strehimi për të paktën 2 mijë studentë. Vlera e mbetur për financim të planifikohet në buxhetin e vitit 2027.
Amendamenti 25: Alokimi i një fondi jo më të lartë se 5 milionë lekë për kryerjen e studimit të fizibilitetit dhe hartimin e plotë të projektit brenda 6 muajve të parë të vitit 2026 të projektit “Ndërhyrje urgjente përmes ndarjes dhe ridrejtimit të trajtimit të ujërave të zeza që derdhen në Liqenin Artificial të Tiranës”.
Amendamenti 26: Të përfshihet në PBA 2026-2028 fondet e nevojshme për vënien në funksion të impiantit të trajtimit të ujërave të zeza në Kashar, sipas planit të miratuar dhe financuar nga qeveria japoneze.
Amendamenti 27: Të përfshihet në PBA 2026-2028 fondet e nevojshme për rehabilitimin e infrastrukturës rrugore në Njësinë Administrative Nr. 11, rrugët në brendësi të lagjeve te zona e shinave të trenit dhe në zonën e Kodër Kamzës, përfshirë asfaltim, kanalizimin e ujërave të zeza, ndriçim publik dhe sinjalistikë për të përmirësuar sigurinë dhe lëvizshmërinë e banorëve të zonës. Për vitin 2026, të parashikohet vlera të paktën 200 milionë Lek. Vlera e mbetur për financim të planifikohet në buxhetet e viteve 2027-2028.
Amendamenti 28: Krijimi i programit ‘Rikthehu & Puno’ për të rinjtë e diasporës. Të parashikohet dhe të alokohet një fond i dedikuar prej 50 milionë lekë për ngritjen e programit “Rikthehu & Puno”, i cili synon të tërheqë të rinjtë shqiptarë të arsimuar ose të kualifikuar që ndodhen në diasporë, për t’u rikthyer dhe për të hapur biznes ose për t’u punësuar në Tiranë.
Amendamenti 29: Digjitalizimi i aboneve studentore. Të alokohet buxhet prej 10 milionë lek për financimin e projektit. Të krijohet një sistem i plotë digjital për abonetë studentore, duke përfshirë: aplikimin online, identifikimin me QR, verifikimin automatik në autobusa.

Artikuj te sugjeruar

video

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 16

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 16

Gruaja me dy identitete që premton “shërim” me ujin e kufomave në Pejë

A ka Shqipëria një Nicola Gratteri?

Katër nëna në kërkim të fëmijeve/ Bisedat që zbuluan rrjetin e errët

Flamur Gjuzi, i dënuar për"shpërdorim detyre" sot drejtor i Policisë Bashkiake, sërish shkel ligjin?

Pallatet u zhytën“Durrës Marina" dhe Autoriteti Portual bëjnë veprimin e papritur përballë skandalit

Ekskluzive/ Nicola Gratteri çmonton skemën e pastrimit të parave të ndërtimit në Tiranë

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 15

Enkel Demi duke luftuar paragjykimet për shqiptarët. (kamera e fshehtë)

Milva Ekonomi i firmosi miliona euro Vilma Nushit, kjo e fundit i investoi te kulla e Ervin Matës

Ajo çfarë mund të na mësojë Kosova.

Laboratorë “copy-paste”/ I njëjti mjek firmos analiza në disa pika, skema që ngre pikëpyetje

Rrjeti i ‘errët’ i vajzave të zhdukura! Bisedat tronditëse si funksiononte grupi.

Bleu 300 m2 tokë në vitin 2004, kthehet nga emigrimi dhe gjen aty vilë 3-katëshe.

“Na detyruan nga Dubai”/ Konstruktori i Durrës Marina zbulon pse u zhytën pallatet

Drejtori që tregon sjellje të pahijshme me nxënësen: Jam i fortë edhe në parti

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 14

Turisti zemërgjerë nga Italia dhe patatinat falas

Aksidentet “pushtojnë” oborrin e familjes në Klos, banori: Një ditë do ndodhë tragjedi

Lidhja jashtëmartesore që përfundoi në makth /32-vjeçarja rrëfen shantazhin me video intime

Sherr në terminalin e Peshkopisë, shoferi: Mos më vidh pasagjerët! Shko ha bukë te pjesa jote

Artisti dhe Frika

Si u kthye në urrejtje dashuria mes ish-bashkëshortëve dhe ‘lufta’ për 200 mijë euro!

14-vjeçare me dr*gë dhepro*titucion, rrjeti i errët i minoreneve të zhdukura

Zhytja e pallateve te Alabarit/ IKMT pranon anomalitë në “Durrës Marina”: Janë zhytur 28 cm

"Ederlezi", festa e veçantë e komunitetit rom.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 13

Do t’i fus duart edhe nëse bërtet, motra e 13 vjeçares rrëfen tmerrin e mesazheve që mësuesi ia çon

“Inspektori gjobëvënës” i bashkisë terrorizon qytetarët

Pagat e mohura të druvarëve në Navaricë! Miliona lekë për të marrë dhe kërcënime

Rruga Thumanë–Kashar/ 1 miliard euro dhe “5 lekëshi” që po merret nga xhepat e qytetarëve

Me viza turistike ose kontrata futbolli drejt Europës/ Kush fshihet pas skemës së trafikimit?

Nënat denoncojnë ikjet nga shtëpia dhe jetën e dyshimtë të adoleshentëve

Për mediat dhe fëmijët

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 12

Muzikanti i rruges “vjedh” koleget. Banka e fundit

Dajak për 50 metra rrugë në Dibër, kushërinjtë në ’luftë’ për pronën.

Fisnik Syla, “BAMIRËS” apo shantazhues

A janë "idiotë "shqiptarët e Maqedonisë së Veriut? Çfarë do të thoshte Arbën Xhaferraj?

Presidenti i FSHP reagon për deklaratat e Erkand Qerimaj: Lajthita atëherë, tani kam reflektuar

Nga jetimorja te humbja e kujdestarisë. Rrëfen nëna që kërkon bashkimin me vajzën pas 13 vitesh

Tigrat e Vlorës: energjia që prodhohet 6 herë më shtrenjtë se sa shitet.

Skandali i zhytjes së pallateve në Durrës Marina / Ndërhyn IKMT.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 11

Dhjetëra punonjës fasonerie pa marrë pagat: Blerimi mori lekët dhe u zhduk! Pronari premton zgjidhje

Hapet filial i bankës turke në “zemër” të Bllokut, reklamat vendosen pa leje

Energji për brezin tim

Nga ‘Viola’ tek Dorina: Si përfundoi në borxh një histori dashurie në distancë

Firma “Trade Minerals Al” po shkatërron mjedisin dhe infrastrukturën e fshatit Gjegjan në Kukës

Nga shpërthimi i drejtorit te prapaskenat e ushqimit në institucionin privat në Elbasan