POLITIKE

Presioni për votën: Si u eksportua sistemi i patronazhimit drejt diasporës në Perëndim

Piranjat Përditësimi i fundit 2 Dhjetor 2025, 15:38

Pas shumë vitesh diskutime, shqiptarët jashtë kufijve e fituan të drejtën e votës për herë të parë pas rënies së regjimit komunist në zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025. Mes shqiptarëve të diasporës u regjistruan për të votuar rreth 246 mijë persona dhe votuan gati 200 mijë prej tyre përmes sistemit postar.

Edhe pse u konsiderua si risia kryesore e zgjedhjeve, vota e diasporës ndoqi të njëjtin trend si vota brenda vendit, madje me një përqindje më të lartë në favor të mandatit të katërt të kryeministrit Edi Rama dhe Partisë Socialiste.

Përfaqësuesit e opozitës dhe vëzhgues të sistemit zgjedhor e shpjegojnë këtë rezultat me taktikën e ndjekur nga mazhoranca për të ngritur një sistem patronazhimi edhe përtej kufijve të Shqipërisë. Sipas tyre, kjo u bë e mundur përmes presionit të ushtruar ndaj punonjësve të administratës për të garantuar pesë, dhjetë ose më shumë vota mes rrethit të tyre familjar apo shoqëror në diasporë.

Ted Kopliku, koordinator i diasporës për Partinë Demokratike në qarkun e Shkodrës, i tha BIRN se shumë punonjës të administratës i ishin ankuar gjatë fushatës elektorale se ishin vënë nën presion për të siguruar vota në favor të Partisë Socialiste.

Për këtë qëllim, sipas Koplikut, Partia Socialiste kishte krijuar edhe një aplikacion të quajtur “Vendi im”, ku nëpunësit publikë vendosnin emrat e personave që u kishin premtuar votën.

Kopliku thotë se e kishte testuar vetë aplikacionin dhe ishte bindur se ai ushqehej automatikisht nga sete të dhënash personale në pronësi të shtetit shqiptar për t’u siguruar se emrat e patronazhuar ishin të saktë.

“Ky aplikacion ishte i aksesueshëm vetëm për ata që merrnin linkun nga Partia Socialiste dhe në këtë llogari, secili nga punonjësit e administratës detyrohej që të plotësonte listën e tij,” tha Kopliku.

“Ky është rasti më flagrant ku PS ka lënë gjurmë dhe SPAK do të duhej të kishte nisur tashmë një hetim për këtë krim elektoral,” theksoi ai.

Edhe bashkëdrejtuesi i lëvizjes “Diaspora për Shqipërinë e Lirë”, Florian Haçkaj, i tha BIRN se presioni ka qenë i gjithëpërhapur dhe pati një efekt domino nga punonjësit e administratës tek të afërmit e tyre që jetojnë jashtë vendit. Por Haçkaj shtoi se marrëdhënie të tilla ishin shumë të vështira për t’u denoncuar.

”Njërit prej nesh, djali i xhaxhait i kërkoi konfirmimin e votës pasi ishte në presion për ta hequr nga puna. Ka të tjerë që janë ndeshur me kërkesa të tilla nga familjarë, por edhe nga miq, shokë, apo komshinj,” tha Haçkaj për BIRN.

“Kam kërkuar t’i denoncojmë publikisht… por në raste të tilla vjen ajo përgjigja: Po jo se nuk dua t’i vijë e keqja nga unë,” shtoi ai.

Në një rast, “Diaspora për Shqipërinë e Lirë” denoncoi në Prokurorinë e Posaçme një listë në Bashkinë e Lushnjes, përmes së cilës njerëz brenda administratës detyroheshin që të plotësonin një numër të caktuar personash të gatshëm për të votuar Partinë Socialiste nga diaspora.

Në një rast të dytë, lëvizja denoncoi ndërtimin e kishës së Vermoshit në këmbim të votave nga diaspora.

“Për mendimin tim ky është korrupsion i pastër dhe drejtësia duhet të kishte vepruar,” thotë Haçkaj i zhgënjyer nga hetimet.

Rrjete të tilla i shembën kufijtë dhe e zgjeruan praktikën e votës së porositur edhe jashtë vendit, duke zhgënjyer pritshmëritë për të votë të lirë dhe të pavarur nga diaspora.

Ermal Hasimja, pedagog dhe studiues i shkencave politike i tha BIRN se në zgjedhjet e 11 majit munguan gjithashtu garancitë e plota për numërimin e saktë të votës së diasporës.

“Me aq sa kam vënë re, ka patur një angazhim të konsiderueshëm të patronazhistëve edhe në diasporë,” tha Hasimja.

“Angazhimi i tyre për të ndikuar votën nuk është i paligjshëm, por shqetësues është fakti që është përdorur edhe presioni i familjarëve të punësuar në administratë,” shtoi ai.

Presioni për votën  

Presioni për votën: Si u eksportua sistemi i patronazhimit drejt

Përgjatë tre dekadave të trazicionit, qeveritë e majta dhe të djathta në Shqipëri kanë dështuar me pak përjashtime që të organizojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Në zgjedhjet e 11 majit, misioni vëzhgues i OSBE-ODIHR vërejti një sërë parregullsish, të cilat kryesohen me përdorimin e administratës publike për të mbledhur vota në favor të partisë në pushtet.

“Partia në pushtet përfitoi nga përdorimi i gjerë i burimeve administrative gjatë fushatës, duke krijuar një avantazh të padrejtë të pushtetit. U raportuan gjithashtu shumë raste presioni ndaj votuesve, sidomos ndaj punonjësve publikë,” thuhet në raport, ku vërehet gjithashtu se zgjedhjet u mbajtën në një situatë të polarizuar politike.

Shijen e hidhur të presionit e provuan edhe shumë emigrantë shqiptarë, të cilët vazhdojnë të ruajnë lidhje të ngushta me të afërmit e tyre në Shqipëri.

Xhenis Shehu po studionte fushatën elektorale në Rumani, vendin ku jeton prej dhjetë vitesh, kur mori një mesazh intimidues për zgjedhjet në vendin e saj të origjinës. Studiuese dhe eksperte e shkencave politike, Shehu u targetua si një votuese potenciale nga diaspora për zgjedhjet parlamentare të 11 majit në Shqipëri.

Përmes mesazhit, një i njohur i saj i kërkonte një nder; të votonte Partinë Socialiste në pushtet për shkak të lidhjeve të tij miqësore me një kandidat. Shehu i tha BIRN se u ndje e fyer dhe e zemëruar.

“Sigurisht që ndjeva irritim të madh,” kujton ajo për BIRN disa muaj më pas.

“Pretendoja të tregohej më tepër respekt për punën time dhe të kuptohej që vota ime ishte e pamanipulueshme, pikërisht për faktin se e di sa e vlefshme është shprehja e lirë e votës,” shtoi ajo.

Mbi 1500 kilometra në Perëndim të Rumanisë, Sokoli* u ndje gjithashtu i frustruar në prag të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, kur nisi të merrte telefonata gjithnjë e më të shpeshta nga prindërit e tij – pronarë të një biznesi të vogël në një qytezë në qarkun e Fierit.

Emigrant prej 10 vitesh në Gjermani, Sokoli i tha BIRN se gjatë gjithë fushatës zgjedhore prindërit e tij ishin kontaktuar nga persona të njohur, të cilët kërkonin me ngulm që djali i tyre emigrant të regjistrohej në zgjedhje dhe të votonte në favor të Partisë Socialiste.

Ai theksoi me keqardhje se prindërit dhe ai vetë iu nënshtruan presionit nga frika e ndonjë hakmarrjeje të mundshme ndaj biznesit.

“Sa herë shkonin te dyqani i prindërve kërkonin votën në mënyrë të pacipë. Ne ndjemë presion për të votuar kë donin ata, pasi dihet që votuesit monitorohen dhe dihet kush pritet te votojë kë, në një qytet të vogel jashtë Tiranës,” tha Sokoli për BIRN.

“Ndjesia ishte një acarim i brendshëm dhe frustrim, se qeverisja e padrejtë ishte po ashtu një arsye pse e lashë Shqipërinë,” shtoi ai.

Nga Britania e Madhe, Besa ndjeu një presion të një lloji tjetër.

Besa i tha BIRN se ishte larguar e zhgënjyer nga Shqipëria pas shumë përpjekjesh për të kontribuar në qytetin e saj të lindjes, në Gramsh. Në fushatën e zgjedhjeve të 11 majit, ajo nisi të merrte telefonata dhe mesazhe nga persona të panjohur në numrin e saj privat.

Njëri prej mesazheve vinte nga një numër i panjohur, por në foton e profilit kishte logon e Partisë Socialiste.

“U kontaktova në WhatsApp nga një numër që pretendonte të ishte Partia Socialiste, dega Elbasan. Më pyetën nëse e kisha dorëzuar votën dhe kur i përgjigja që e kisha dorëzuar më uruan ditën e mirë,” tha ajo.

Duke e përjetuar telefonatën si intimidim, Besa tha se e kishte pyetur personin përtej telefonatës se nga e kishte gjetur numrin e saj, duke e vënë në dijeni se përdorimi i numrit të telefonit pa lejen e saj përbënte shkelje.

Ajo shkoi edhe më tej, duke dorëzuar një ankesë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për shkelje të të dhënave personale, por përgjigja që mori ishte gjithashtu zhgënjyese.

“Kërkonin më shumë informacion brenda 24 orëve, informacion që unë e kisha dorëzuar njëherë kështu që nuk e ndoqa më tej,” shtoi ajo për BIRN.

Mes shqiptarëve të diasporës me të cilët BIRN komunikoi, jo të gjithë kishin përshtypje negative nga procesi i votimeve.

Kelvin Zifla, resident në Austri tha se kishte votuar i lirë dhe i pandikuar nga ndonjë parti apo kandidat për orientimin e votës, ndonëse kishte dëgjuar nga shumë të njohur që ishin ndeshur me presione.

Edhe Luan Zyka, i cili jeton prej 20 vitesh në Greqi, thotë se nuk e ka kontaktuar askush para zgjedhjeve, pasi siç thotë ai, “njerëzit dhe miqtë i dinë idetë e mia”.

“Unë nuk jam emigrant. Ikja ime është protestë ndaj politikës dhe mentalitetit otoman shqiptar,” tha Zyka me një përvojë zhgënjyese si një zyrtar i lartë i administratës shqiptare në vitet 2002-2004.

“Mua askush nuk më ka kontaktuar, por dëgjova nga të njohur të mitë se ndodhte ky fenomen,” shtoi ai.

‘Partia ka punuar për ty”  

Pa filluar ende fushata për zgjedhjet parlamentare të 11 majit, qindra punonjës të administratës në role të larta drejtuese udhëtuan drejt diasporës për të angazhuar mbështetësit e tyre.

Por fushata e Partisë Socialiste u përqendrua kryesisht në Greqi dhe Itali, dy vendet fqinje që kanë strehuar numrin më të madh të emigrantëve shqiptarë ndër vite.

Pa asnjë hezitim për shkelje të ligjit dhe etikës së nëpunësit civil, një pjesë e drejtuesve të administratës u shfaqën me foto dhe video në rrjetet sociale ndërsa bënin fushatë për votën e diasporës.

Njëri prej tyre, zyrtar në Bashkinë e Matit i tha BIRN në kushtet e anonimatit se gjatë një periudhe tre mujore përpara zgjedhjeve parlamentare kishte udhëtuar çdo fundjavë drejt Athinës në Greqi për të mobilizuar komunitetit matjan që jetonte atje.

Zyrtari i tha BIRN se angazhimi i tij kishte filluar pas një urdhri të eprorit, i cili i kishte thënë: “Partia ka punuar për ty, tani është radha t’ia kthesh me vota”.

Me shpenzimet e tij, ai udhëtoi shpesh drejt Greqisë, ku ngriti një shtab elektoral edhe me ndihmën e të afërmve të tij që jetonin në vendin fqinj.

“Nuk kam ndikuar në orientimin e votës, vetëm se kam ndihmuar qindra emigrantë që të regjistrohen për zgjedhjet e 11 majit,” i tha zyrtari BIRN.

“Angazhova edhe familjarët e mi në Greqi, duke krijuar një shtab elektoral në funksion të kandidatit të mazhorancës,” përfundoi ai./Reporter.al

Artikuj te sugjeruar

video

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 6

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 6

Me buzëqeshje e revoltë: Gen Z po e dridh pushtetin e Ramës!

Pa numër identifikimi e me shpërblim në xhep: Policët fshihen nga kamera e Piranjave!

Krah për krah për humanizëm: Aktivistët shpëtojnë jetë e mjekojnë uniformat blu!

Studentët kanë të drejtë!

Arroganca e pushtetit përballë krizës: Studentët i thonë "JO" Edi Ramës!

Pedagogët braktisin auditoret e bashkohen me studentët: Ultimatumi për grevë urie!

Trupi i fëmijës është i shenjtë.

Shoqërime masive e presion në shesh: Ish-policët denoncojnë skandalin e uniformave blu!

"Po t'i thyhej këmba fëmijës tuaj?": Piranjat "gozhdojnë" deputetët!

20-vjeçari rrëfen tmerrin që ndodh pas atyre dyerve.

Hiqe atë gur nga dora!

Si parashikoi Rama 13 vite më parë atë që po bën sot?

Gen Z/ Zëri i revoltës që po dridh pushtetin.

Ju lutem kujdes me veprimet, mos e provokoni policinë! ????

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 5

3 vite pa licencë: Si u punësua psikologia në Vorë dhe kush mban përgjegjësi?

Flet i dyshuari i Masakrës së Beratit: Çfarë zbulon Kudret Zhuka?

Ne jemi me ju, gjatë gjithë vitit!

Zëri ynë për çdo grua që lufton sot!

Konflikti familjar në Klos që përfundoi në dhunë: Çfarë ndodhi mes Fluturës dhe të afërmve?

Kalvari i Anxhelës: Si u kthye një histori dashurie në një makth të vërtetë?

"Doktor Shkencash": Çfarë fshihet pas titullit akademik të Ulsi Manjës?

Unë e njoh atë djalin e shtrirë përtokë.

4 ditë revolte, gjenerata e re flet ndryshe.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 4

Vendimi që ngre dyshime: Çfarë e detyroi gjyqtaren e Shkodrës të vendosë për 42-vjeçarin?

Nga t*rturat te ekzekutimi barbar: Masakra e ’97-ës që nuk u zbardh kurrë.

I pastrehu kërkon ndihmë, Bashkia e Korçës i “ofron” një rrenoje.

Paguaj që të punosh: Zbërthehet skema e mashtrimit me "punën nga shtëpia"

Skandali me tunelin e Skërficës: Pas dështimit 23-milionësh, ARRSH thërret policinë për "Piranjat"

Ermal Pashaj: "Jam këtu kundër mediokërve, kriminelëve dhe dështimit 13-vjeçar të kësaj politike"

Manastirliu, kandidatja për Bashkinë e Tiranës, plagjiatura e radhës.

Patronazhistët e Ogerta Manastirliut gjatë Pranisë Besnike

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 3

Shantazh në emër të dashurisë, 40-vjeçari terrorizon gruan e martuar.

Faturat e avokatit. Si u zhdukën mijëra euro pa bërë asnjë punë?

Nga tritoli te kërcënimet me jetë: Çfarë po ndodh me policin Altin Preka?

Saranda e fëmijërisë sime, sot mes plumbave

Nga mësuese filloreje në drejtoreshë gjimnazi. Historia që na vjen nga Ishmi i Durrësit.

Rilindësit me plagjiaturë / Piranjat kapin ish-ministren e Arsimit. Si do të justifikohet ajo?

Prania besnike, një strategji djallëzore për të eliminuar praktikat institucionale.

Fshije videon! Mos shkatërro një jetë.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 10 EPISODI 2

Nga burgu në arrest shtëpie: Eduard Limaj rikthehet te përndjekja e grave!

Haris Vongli: Dua të kthehem në Shqipëri për Davidin, tim bir.

Fyerje ndaj nxënësve, ngacmime e shkelje rregulloreje: Kush është nëndrejtori problematik?

Institucionet në shërbim të krimit: Pse hesht kryeministri për skandalet?

Nga tritoli te kërcënimet me jetë: Çfarë po ndodh me policin Altin Preka?

Porti i Durrësit po mbyllet, investimet në infrastrukturë vazhdojnë. Cili është justifikimi i APD?