POLITIKE

"Sprova e fundit e së djathtës për të thyer makinerinë e PS në Durrës"/ Sako s'ka kohë për median, axhendë sekrete, Dako: Kam kthyer në mit

Piranjat Përditësimi i fundit 11 Maj 2023, 21:00
"Sprova e fundit e së djathtës për të thyer

Rruga e pluhurosur që ndan përmes Nishtullën, një lagje e varfër në periferi të Durrësit, është thuajse e shkretë mesditën e 8 majit, ndërsa zyrat elektorale të dy kandidatëve janë të mbyllura.

“Hapen pasdite nga ora pesë e gjysmë, gjashtë. Atëherë hajde t’i shohësh se si vijnë të gjithë me fuoristrada,” thotë e zonja e një dyqani rrobash të dorës së dytë, indiferente për zgjedhjet. Rreth orës 18:30 në të njëjtën ditë, zyra elektorale e kryebashkiakes aktuale, Emiriana Sako është e hapur dhe në derë shfaqet i dyzuar Jorgaq Çekani, një pensionist 74-vjeçar nga Berati, i ardhur disa vite më parë në lagjen e Nishtullës në zonën e Shkozetit.

I moshuari kërkon një zgjidhje për hipotekën e shtëpisë së tij dhe ankohet se ALUIZN-i po i zvarrit dosjen. “Ai drejtori ta marrë në dorë dosjen, t’i japë drejtim,” sugjeron me ton të ulët Çekani. “Janë duke punuar,” i përgjigjet Xhevit Mehmeti, edhe ky pensionist, por pjesë e armatës elektorale të Partisë Socialiste për zonën. Zyra elektorale ka dy kompjutera, një varg karrigesh për pritje me popullin dhe dy flamuj të ngulur në mur; njëri kuq e zi dhe tjetri me logon e Partisë Socialiste. Mbi tavolinë gjenden të printuara tre lista në fletë A4 me emra dhe të dhëna votuesish, njëra prej të cilave mban në krye emrin e një patronazhisti.

Çekani nuk është i vetmi që nxiton të zgjidhë hallin në një zyrë elektorale këto ditë të mbetura të fushatës, kur duket se administrata publike është bërë njësh me strukturat partiake.

Ndryshe nga bashkitë e tjera, fushata elektorale në Durrës nis formalisht pas orës 17:30 – kur drejtorët dhe nëpunësit e administratës zhveshin kostumin e zyrës dhe nisen në terren për takime elektorale. Para këtij orari, një duzinë zyrash elektorale të vizituara nga BIRN ishin të kyçura.

“Problemi kryesor që kanë njerëzit është punësimi,” thotë Mehmeti, pjesë e Organizatës Socialiste të zonës dhe komisioner zgjedhjesh prej vitit 1992. “Ne kemi punuar çdo ditë, gjithë ditët e vitit,” shtoi ai, duke lëvduar investimet e kryera në zonë dhe punën e bërë nga Sako.

Nishtulla është një nyje lidhëse mes plazhit dhe zonave problematike të Xhafzotajt e më tej Sukthit si dhe lagje e dhjetra familjeve të komunitetit rom, të vendosura aty që në vitet 1960. Frika nga një blerje e mundshme e tyre me para të thata i ka vendosur kampet përballë njëra-tjetrës. Në një kafene 2-katëshe përballë zyrës së Sakos, biznesmeni dhe ish-drejtori i portit të Durrësit, Eduard Ndreu dhe ish-deputeti demokrat, Rrahim Çota po bëjnë llogaritë e tyre në favor të kandidatit të opozitës, Igli Cara.

“Këtë herë po punojmë edhe ne si socialistët,” thotë me humor Çota, ndërsa shton se puna e tij është e fokusuar te takimet me komunitetin nga Librazhdi që është vendosur në Rrashbullin ngjitur.

Ndreu nga ana tjetër ankohet se kanë përballë administratën publike dhe i druhet një blerjeje të orës së fundit mes komunitetit rom të Nishtullës.

“Unë bisedoj në takime me ta dhe në fund të thonë ‘a keni ndonjë gjë për ne’. U kam thënë që për lekë shkoni të pala tjetër,” tha Ndreu, duke theksuar se shit-blerja e votës duhet ndëshkuar me dënime maksimale.

Bashkia e Durrësit është fushëbeteja kryesore e 14 majit, ku opozita shpreson të rimarrë kontrollin pas 23 vitesh me Igli Carën – një politikan i rëndësishëm i Durrësit dhe ish- deputet i Kuvendit të Shqipërisë. Partia Socialiste garon me kryebashkiaken aktuale, Emiriana Sako, një arkitekte në profesion që ka punuar më parë për gati një dekadë si drejtoreshë në bashki. Kandidatura e Carës ka mbledhur rreth vetes një aleancë të gjerë opozitare –ai mbështetet jo vetëm nga koalicioni Bashkë Fitojmë, por edhe nga Partia Demokratike zyrtare. Megjithatë, historiku i zgjedhjeve të mëparshme e mban kampin e tij të rezervuar – socialistët trashëgojnë një makineri të stërmadhe elektorale në qarkun Durrës, ku janë përfshirë në të shkuarën edhe lidhjet famëkeqe me grupet e krimit të organizuar. Fushata e Igli Carës për Durrësin është e fokusuar te takimet me qytetarët dhe larg sloganeve politike. Me një bllok shënimesh në duar të hënën në mëngjes, Cara shprehu bindjen se qytetarët e Durrësit e donin këtë herë ndryshimin.

“Bashkia është një derë e mbyllur për investime dhe shërbime. Është ujë i ndenjur për 23 vite,”- tha ai duke numëruar problemet e shumta me të cilat përballen banorët – veçanërisht ata të zonave periferike.

Por kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” thotë gjithashtu se po udhëheq një garë të pabarabartë dhe se ka përballë ‘të gjithë administratën dhe bandat’.

“Administrata është shumë e intimiduar, përballen me presion deri heqje nga puna. Njerëzit janë të trysnuar. Propaganda bashkë me bandën e Z. Dako po ndjekin të njëjtën skemë si në zgjedhjet e kaluara,”- tha Cara, pa dashur të demoralizojë votuesit.

Vangjush Dako është kryebashkiaku jetëgjatë i Partisë Socialiste në Durrës, i cili e drejtoi bashkinë e qytetit në vitet 2007-2019. Në vitin 2021, Dako u shpall i përfshirë në ‘korrupsion madhor’ nga Departamenti amerikan i Shtetit, njësoj si ish-kryeministri Sali Berisha.

I pyetur se sa i përfshirë është Dako në fushatë, Cara u përgjigj shkurt: 100%.

Por ish-kryebashkiaku Dako i tha BIRN në një bisedë telefonike se ishte “kthyer në një mit”.

“Unë jam mbështetës i Partisë Socialiste, ia kam borxh Partisë Socialiste, por nuk e drejtoj unë fushatën. Përfshihem ndonjëherë në këshillime, por vendimet i marrin të tjerët,” shtoi ai, ndërsa theksoi se nuk i ndërhynte kryebashkiakes.

Kandidatja e Partisë Socialiste, Emiriana Sako e ka përqendruar fushatën e saj te projektet e përfunduara dhe investimet e bëra nga qeveria qendrore dhe ajo lokale në bashkinë e Durrësit.

E kontaktuar përmes një zëdhënësi, Sako nuk ishte e disponueshme për intervistë. BIRN e pati gjithashtu të pamundur të ndiqte një takim elektoral të Sakos të hënën, pasi bashkia e mbajti të fshehtë axhendën.

“Axhenda ndryshon vazhdimisht,” tha zëdhënësi dhe shtoi se nuk mund të thoshte me saktësi se ku do të zhvilloheshin takimet elektorale.

Xhevdet Mehmeti, 70 vjeç, në zyrën elektorale të kandidates Emiriana Sako në Nishtullë.

“Unë dua një Durrës të ndërtuar dhe jo të shkatërruar,’- thotë Abdulla Deliallisi, kryetari 74-vjeçar i shoqatës “Durrësi Autokton”.

Por ai mendon se qyteti ka ndryshuar për keq dhe se investimet e kryera nga bashkia nuk i kanë shërbyer nxjerrjes në pah të vlerave të trashëgimisë kulturore të qytetit. Ai përmend si shembull Velierën – një masiv betoni dhe çeliku ende e papërfunduar pranë Torres Veneciane. Ai ankohet gjithashtu se projektet nuk kanë qenë të konsultuara dhe transparente.

Deliallisi i përket familjeve të vjetra durrsake tradicionalisht të djathta, por thotë se kjo nuk e ka penguar të kontaktojë disa herë bashkinë për projekte në dobi të qytetit, pa gjetur dëshirën për bashkëpunim.

“Kryetarja e bashkisë nuk është e paaftë, por nuk është e pavarur,” tha Deliallisi.

“Unë do të mbështes Carën, jo për forcën që përfaqëson, por se bashkia duhet të bëjë ndryshimin,” shtoi ai.

E megjithatë, durrsakët e vjetër dhe të rinj duket se do të shkojnë të ndarë drejt kutive të votimit.

Në një park të vogël përballë shkollës “Shaqe Mazreku”, një mësues në pension thotë se zgjedhjet do t’i fitojë ai kandidat që ka ‘partinë më të madhe nga mbrapa’. Ai vetë e ka ndarë mendjen që do të votojë për socialistët, pasi mendon se asnjë kandidat nuk mund të bëjë gjë pa qeverinë nga mbrapa.

Në Nishtullë, Jorgaq Çekani kujton rolin e Sali Berishës në trazirat e ‘97s dhe thotë gjithashtu se do të votojë për Partinë Socialiste.

“Asnjë parti nuk është e mirë, do të zgjedhim atë që është më pak e keqe,” thotë ai.

Merisa Maçi, 19 vjeç, po punon si vullnetare për fushatën e Igli Carës dhe thotë se me zor po pret që të votojë për herë të parë. Merisa beson se të rinjtë duhet të jenë të angazhuar për të bërë ndryshimin, por kur e pyet se sa interesohen miqtë e saj për politikën, ajo përgjigjet me një buzëqeshje: “Zero, ata duan të ikin jashtë”. Merisa përcjell gjithashtu frymën që mbizotëron në betejën e opozitën për të thyer pas 23 vitesh monopolin socialist mbi Durrësin.

“Po s’ia dolëm edhe me Iglin, nuk ia dalim më kurrë,” përfundoi ajo./BIRN

igli cara durre emirjana sako zgjedhjet lokale 14 maj 2023

Artikuj te sugjeruar

video

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 16

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 16

Gruaja me dy identitete që premton “shërim” me ujin e kufomave në Pejë

A ka Shqipëria një Nicola Gratteri?

Katër nëna në kërkim të fëmijeve/ Bisedat që zbuluan rrjetin e errët

Flamur Gjuzi, i dënuar për"shpërdorim detyre" sot drejtor i Policisë Bashkiake, sërish shkel ligjin?

Pallatet u zhytën“Durrës Marina" dhe Autoriteti Portual bëjnë veprimin e papritur përballë skandalit

Ekskluzive/ Nicola Gratteri çmonton skemën e pastrimit të parave të ndërtimit në Tiranë

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 15

Enkel Demi duke luftuar paragjykimet për shqiptarët. (kamera e fshehtë)

Milva Ekonomi i firmosi miliona euro Vilma Nushit, kjo e fundit i investoi te kulla e Ervin Matës

Ajo çfarë mund të na mësojë Kosova.

Laboratorë “copy-paste”/ I njëjti mjek firmos analiza në disa pika, skema që ngre pikëpyetje

Rrjeti i ‘errët’ i vajzave të zhdukura! Bisedat tronditëse si funksiononte grupi.

Bleu 300 m2 tokë në vitin 2004, kthehet nga emigrimi dhe gjen aty vilë 3-katëshe.

“Na detyruan nga Dubai”/ Konstruktori i Durrës Marina zbulon pse u zhytën pallatet

Drejtori që tregon sjellje të pahijshme me nxënësen: Jam i fortë edhe në parti

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 14

Turisti zemërgjerë nga Italia dhe patatinat falas

Aksidentet “pushtojnë” oborrin e familjes në Klos, banori: Një ditë do ndodhë tragjedi

Lidhja jashtëmartesore që përfundoi në makth /32-vjeçarja rrëfen shantazhin me video intime

Sherr në terminalin e Peshkopisë, shoferi: Mos më vidh pasagjerët! Shko ha bukë te pjesa jote

Artisti dhe Frika

Si u kthye në urrejtje dashuria mes ish-bashkëshortëve dhe ‘lufta’ për 200 mijë euro!

14-vjeçare me dr*gë dhepro*titucion, rrjeti i errët i minoreneve të zhdukura

Zhytja e pallateve te Alabarit/ IKMT pranon anomalitë në “Durrës Marina”: Janë zhytur 28 cm

"Ederlezi", festa e veçantë e komunitetit rom.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 13

Do t’i fus duart edhe nëse bërtet, motra e 13 vjeçares rrëfen tmerrin e mesazheve që mësuesi ia çon

“Inspektori gjobëvënës” i bashkisë terrorizon qytetarët

Pagat e mohura të druvarëve në Navaricë! Miliona lekë për të marrë dhe kërcënime

Rruga Thumanë–Kashar/ 1 miliard euro dhe “5 lekëshi” që po merret nga xhepat e qytetarëve

Me viza turistike ose kontrata futbolli drejt Europës/ Kush fshihet pas skemës së trafikimit?

Nënat denoncojnë ikjet nga shtëpia dhe jetën e dyshimtë të adoleshentëve

Për mediat dhe fëmijët

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 12

Muzikanti i rruges “vjedh” koleget. Banka e fundit

Dajak për 50 metra rrugë në Dibër, kushërinjtë në ’luftë’ për pronën.

Fisnik Syla, “BAMIRËS” apo shantazhues

A janë "idiotë "shqiptarët e Maqedonisë së Veriut? Çfarë do të thoshte Arbën Xhaferraj?

Presidenti i FSHP reagon për deklaratat e Erkand Qerimaj: Lajthita atëherë, tani kam reflektuar

Nga jetimorja te humbja e kujdestarisë. Rrëfen nëna që kërkon bashkimin me vajzën pas 13 vitesh

Tigrat e Vlorës: energjia që prodhohet 6 herë më shtrenjtë se sa shitet.

Skandali i zhytjes së pallateve në Durrës Marina / Ndërhyn IKMT.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 11

Dhjetëra punonjës fasonerie pa marrë pagat: Blerimi mori lekët dhe u zhduk! Pronari premton zgjidhje

Hapet filial i bankës turke në “zemër” të Bllokut, reklamat vendosen pa leje

Energji për brezin tim

Nga ‘Viola’ tek Dorina: Si përfundoi në borxh një histori dashurie në distancë

Firma “Trade Minerals Al” po shkatërron mjedisin dhe infrastrukturën e fshatit Gjegjan në Kukës

Nga shpërthimi i drejtorit te prapaskenat e ushqimit në institucionin privat në Elbasan