
Arbana Osmani është sërish në epiqendrën e debatit publik pas episodit më të fundit të emisionit të saj “Mirëmbrëma Yje”, i cili ka ndezur polemika të forta në rrjet.
Në një video që është bërë virale, Arbana u shfaq duke i treguar të ftuarve Arian Konomit, Zhakut (Inida Gjatës) dhe Zhaklin Lekatarit një foto të moderatores Egla Ceno, për të cilën ata duhej të jepnin një mendim. Por momenti mori një kthesë të shëmtuar, pasi të ftuarit reaguan me komente fyese.
Zhaklina e quajti Eglën “homofobe”, Zhaku tha “kjo është idiote komplet”, ndërsa nga prapaskena u dëgjua e qeshura e dikujt tjetër. Ariani shtoi shkurtimisht: “Nuk e njoh”.
Në bisedë u përfshinë edhe komente të tjera tallëse për personazhe të tjerë publikë që nuk ishin prezentë.
Ajo që i zemëroi më shumë njerëzit ishte fakti se Arbana nuk ndërhyri fare, duke lejuar që situata të degjeneronte në ofendime të hapura.
Reagimet në rrjet: “Aspak profesionale”
Në komente, shumë përdorues kritikuan Arbanën dhe dinamikën e panelit:
• “Aspak profesionale. Nxitën komente fyese për persona të tretë dhe Arbana nuk ndërhyri.”
• “Emisioni ka humbur standardet minimale të etikës.”
• “Shumë zhgënjyese nga Arbana, sidomos kjo mënyrë talljeje në grup.”
Disa të tjerë e quanin momentin “të shëmtuar”, ndërsa disa komentonin se Arbana kishte “fiksim me Top Channel-in”, duke iu referuar thumbave të saj të vazhdueshme në këtë sezon.
Jo hera e parë me polemika
Ky incident i shtohet një serie polemikash që kanë shoqëruar sezonin e dytë të “Mirëmbrëma Yje”, që nga episodi i parë me princ Lekën dhe Blerta Celibashin, kritikat për ftesën e Feros, kunjat me Elsa Lilën, e deri te krahasimet me Ledion Liçon para Ben Blushit.
Emisioni duket se ka siguruar sërish viralitet… por jo pa një kosto të lartë reputacioni.