“Nëse Edi Rama do të zhvillonte zgjedhje tani, do t’i humbiste ato”. Kjo është deklarata që ish-presidenti serb Ale...
SHOWBIZ
Rosalía lë nam me këngën e re! Kuptimi i ‘Berghain’ që ka fiksuar kritikët (& internetin)
PiranjatPërditësimi i fundit 30 Tetor 2025, 16:50
Rosalía ka vendosur të nisë një kapitull të ri në karrierën e saj me “Berghain”, këngën që paralajmëron albumin “Lux”, që del më 7 nëntor.
Publikimi i “Berghain” më 27 tetor nuk ishte dhe aq i zakonshëm, ishte një sfidë e hapur ndaj gjithë kulturës së muzikës pop. Me tinguj që ndërthuren mes operës dhe elektronikës, dhe me tekste në tri gjuhë (gjermanisht, spanjisht dhe anglisht), Rosalía tregoi se e shikon muzikën si një formë arti që s’ka kufij.
Në moshën 33-vjeçare, po aq sa Krishti në momentin e kryqëzimit, Rosalía zgjedh ta paraqesë veten si figurë të rilindjes: ajo “vdes” për t’u ringjallur përmes artit, duke shndërruar çdo simbol fetar e kulturor në një rrëfim personal mbi dashurinë, plagën dhe shpëtimin.
Pse "Berghain"? “Berghain” është një klub legjendar (por i errët) në Berlin, i famshëm në gjithë botën për muzikën techno, për netët që zgjasin, dhe për rregullin e hekurt: nuk lejohet telefoni brenda. Është një hapësirë që prej vitesh shihet si tempulli i lirisë ekstreme, anonimatit dhe artit eksperimental, ku njerëzit shkojnë për të humbur veten, për t’u rilindur, ose thjesht për të mos qenë askush.
Duke zgjedhur ta titullojë këngën me këtë emër, Rosalía tregon se nuk po flet thjesht për një vend, por për një hapësirë ku njeriu hyn për t’u çliruar nga limitet që e përkufizojnë. Në thelb, duket se është një metaforë për lirimin artistik që ajo vetë po përjeton pas “Motomami”-t.
Muzika dhe teksti Në “Berghain”, Rosalía përzien elemente operistike, tinguj elektronikë të ftohtë dhe ritme industriale, duke krijuar një ndjesi tensioni e ekstaze që të kujton natën në klub, por edhe një ritual kishtar. Teksti kalon mes gjermanishtes, spanjishtes dhe anglishtes, si për të treguar se gjuha, si vetë muzika, është e lëvizshme dhe pa kufij.
Zëri i saj, herë si pëshpërimë e herë si piskamë, krijon një dualitet fantastik: e shenjtë dhe e mëkatshme, tokësore dhe hyjnore, njerëzore dhe artificiale; e gjithë fabula ndodh mes muzeut dhe klubit, e shenjtë dhe sensuale në të njëjtën kohë.
Videoklipi që po përmendet kudo Ky është territori ku ajo e tejkalon vetveten: më shumë se metamorfozë, Rosalía duket se kërkon shërim. Plaga e saj, zemra e thyer që e mban si varëse, bëhet qendra e gjithë universit simbolik të veprës, një kujtesë e fjalëve biblike: “Ruaje zemrën tënde më shumë se gjithçka tjetër, sepse prej saj burojnë burimet e jetës” (Fjalët e Urta 4:23).
Në këtë udhëtim të saj, zemra nuk shërohet kurrë plotësisht. As koha, as mjekësia, as argjendarët e orëve nuk mund ta kthejnë më zemrën e saj të mëparshme. Shërimi vjen vetëm në fund të jetës, pra me vdekjen. Rosalía e pranon këtë dhimbje dhe e kthen në muzikë.
Universi vizual i videos lëkundet midis intimitetit të shtëpisë dhe figurës publike të shenjtë, dy botë që dhe pse të ndara, frymojnë njësoj. Në skenat e para, ajo hyn në shtëpi e veshur në zi, me takat me kryq, hekuros rrobat e kuqe si gjaku, lan derisa zbardh copën.
Por brenda kësaj qetësie, shpërthen tensioni: London Symphony Orchestra hyn me madhështi, duke thyer intimitetin dhe duke pushtuar hapësirën personale. Muzika e shenjtë hyn në jetën e zakonshme dhe e përditshmja kthehet në shenjtëri.
Rosalía mishëron kontrastin mes publikes dhe privates, mes trupit dhe shpirtit. Rosalía nuk pret të shpëtohet, ajo zgjedh të kalojë përmes vdekjes simbolike për t’u rilindur vetë.
Në pjesën drejt finales, zëri i Björk shfaqet si një shpend i shkëputur nga bota e Borëbardhës (Rosalía) që e ndjek, duke përsëritur vargjet:
“E vetmja mënyrë që di është ndërhyrja hyjnore / E vetmja mënyrë që do të shpëtoj është me ndërhyrje hyjnore.” Ringjallja ndodh nëpërmjet zërit, nëpërmjet muzikës, një "lutje" moderne përmes tingullit elektronik. Në fund të videos, një pëllumb i bardhë fluturon mes dritës dhe errësirës. Zemra, e konsumuar dhe e rilindur, rreh sërish. Si në një fillim të ri.
Kritika Kritikët e kanë quajtur “Berghain” një hap të guximshëm drejt artit bashkëkohor, dhe shumë prej tyre kanë vënë re se Rosalía nuk po ndjek më trendet, por po i krijon vetë.
“Për herë të parë në karrierën time, s’kam fjalë. Rosalía po ndryshon sërish rregullat e lojës,” tha Zane Lowe, intervistuesi i mirënjohur i yjeve në Apple Music.
Por “Berghain” është vetëm hyrja. Albumi “Lux” pritet të ketë 18 këngë, dhe lista e bashkëpunimeve është e çmendur: Björk, Yves Tumor, Carminho, Estrella Morente, Silvia Pérez Cruz, Yahritza, dhe madje edhe koret e Montserratit dhe të Palau de la Música Catalana. Pra, nga flamenco e deri te muzika kishtare, Rosalía po krijon një mozaik ku çdo zë, gjuhë dhe kulturë do të bashkëjetojnë.
Dhe për ata që e kanë ndjekur që nga “Motomami”, “Lux” duket si faza më e pjekur dhe më e rrezikshme artistikisht e Rosalía-s. Më pak veta mund ta pëlqejnë, por shumë më shumë do të përjetojnë art dhe muzikë të bërë mirë.