AKTUALITET

Fundi pa lavdi, për koncesionet në hetim, buxheti ka dhënë deri tani 335 milionë euro

r.ll Përditësimi i fundit 5 Tetor 2024, 08:19
Fundi pa lavdi, për koncesionet në hetim, buxheti ka dhënë
foto ilustruese

TIRANË- Partneritetet Publike-Private (PPP), në formën e koncesioneve, ishin një nga modelet e biznesit që tërhoqën shumë sipërmarrje, për shkak të biznesit të sigurt dhe normës së lartë të fitimit.

Sa më shumë kalon koha, aq më shumë po vërtetohet se në pjesën më të madhe, ato janë skema abuzuese, ndërsa buxheti i shtetit thjesht ka humbur paratë që mbledh nga taksapaguesit. Për fat të mirë, pjesa më e madhe e tyre po shkojnë drejt fundit.

Dy koncesione, për të cilat taksapaguesit deri në fund të vitit 2023 kanë paguar 130 milionë euro gjatë dekadës së fundit, pasi u shtynë me të paktën edhe një vit, tashmë janë drejt mbylljes përfundimtare.

Kontrata e koncesionit ndërmjet Ministrisë së Financave si autoritet kontraktues dhe shoqërive “Sicpa Security Solutions S.A.” e “Sicpa Security Solutions Albania sh.p.k.”, për projektimin, financimin, dizenjimin, prodhimin dhe ngritjen e një sistemi për emetimin, shpërndarjen, gjetjen dhe monitorimin e pullave fiskale e të pullave të kontrollit të barnave përfundon në datën 31 dhjetor 2024, pasi ishte zgjatur edhe me dy vjet në janar 2023.

Në total, për 11 vjet që ky koncesion ka funksionuar (2012-2023), kompania ka pasur rreth 90 milionë euro të ardhura. Në vitin 2023, operatori raportoi të ardhura prej 809 milionë lekësh, me rënie prej 25%. Edhe fitimet ranë ndjeshëm, nga 202 milionë lekë, në 35 milionë lekë.

Nga autoritetet përkatëse nuk ka një raport kosto-përfitime se sa ka ndikuar në luftimin e evazionit ky koncesion. Nga janari 2025, ky shërbim do të ofrohet nga shteti me tarifa më të ulëta, sipas deklarimeve nga Financat. Prodhimi dhe shpërndarja e pullave do të kryhet nga Shtypshkronja e Letrave me Vlerë.

Një tjetër koncesion që ka përfunduar është ai i markimit të karburanteve që po zbatohej nga “GFI Albania”. Kontrata 10-vjeçare përfundonte më 1 gusht 2023, ndërsa qeveria vendosi ta shtyjë edhe me një vit.

Vendimi nuk i dha arsyet e shtyrjes, por thotë vetëm që kjo erdhi si rezultat i kërkesës së Autoritetit Kontraktues, pa pasur asnjë paragjykim mbi pretendimet e koncesionarit të rrjedhura nga zbatimi i Kontratës së Koncesionit. Argumenti që ka dhënë koncesionari për shtyrje lidhet me mosmarkimin e naftës bruto, e cila praktikisht është e pamundur që të kryhet sipas operatorëve të tregut.

Edhe për këtë koncesion, ka munguar një analizë kosto-përfitime se çfarë i solli tregut të hidrokarbureve ky koncesion në 11 vite dhe sa e luftoi ai kontrabandën.

Shoqata e Shoqërive të Hidrokarbureve, e cila ishte kundër shtyrjes, tha se ky koncesion nuk ka bërë asgjë për të luftuar kontrabandën, pasi shënjohet nafta që del në treg dhe ajo që nuk paguan akcizë. Në 11 vjet, kompania ka arkëtuar rreth 37 milionë euro nga ky koncesion. Në vitin 2023 “GFI Albania” deklaroi të ardhura prej 472 milionë lekësh, me rritje prej gati 10%.

Më 31 korrik 2023 përfundoi dhe kontrata me “Aleat”, që kishte me koncesion prodhimin e dokumenteve të qytetarëve shqiptarë. Pas përfundimit të periudhës së koncesionit, Shoqëria i ka kaluar Autoritetit zotërimin e vendndodhjeve të koncesionit dhe mjediset e koncesionit dhe të gjitha asetet e projektuara dhe të përdorura gjatë periudhës së koncesionit.

“S2 Albania”, e cila zbaton marrëveshjen e koncesionit të skanimit, ka raportuar të ardhura prej 1.5 miliardë lekësh, me rënie prej 6.3% me bazë vjetore. Koncesioni është miratuar në vitin 2011.

Shoqëri të reja koncesionare kanë hyrë në listën e më të mëdhave që nga viti 2018, duke reflektuar valën e re të projekteve të Partneritetit Publik-Privat, ku po angazhohet qeveria shqiptare, ndërsa të tjera vijojnë të ngjiten te më të mëdhatë.

Sipas Ministrisë së Financave, në vitin 2023 rezultojnë 10 kontrata koncesionare/PPP me mbështetje buxhetore. Pagesat faktike për vitin 2022, në total rezultuan në rreth 12.6 miliardë lekë, pothuajse në të njëjtin nivel me një vit më parë.

“GJOKA 87”, e krijuar në prill 2018, në pronësi të “Gjoka Konstruksion”, po ndërton me koncesion Rrugën e Arbrit. Kompania raportoi 2.9 miliardë lekë të ardhura (+7.6%), ndonëse punimet kryhen nga shoqëria mëmë “Gjoka Konstruksion”.

Në funksion të përmbushjes së veprimtarisë së saj sipas statutit dhe objektit të aktivitetit për të cilën është krijuar, shoqëria “Gjoka 87” sh.p.k. ka nënkontraktuar për realizimin e punimeve shoqërinë “Gjoka Konstruksion” sh.a., i miratuar nga Autoriteti Kontraktor. Sipas raportit të aktivitetit, “për vitin 2023, të ardhurat e realizuara për punimet e kryera në Rrugën e Arbrit janë 2,862,609,676 lekë.

Në total janë realizuar 87% e punimeve të parashikuara për ndërtimin e kësaj rruge. Për vitin 2023 kemi një shtim të shpenzimeve për interesa krahasuar me vitin 2022, si rezultat i rritjes së normës së interesit të huasë bankare.

Burimet e financimit për këtë projekt bazohen në gjendjen financiare të shoqërisë ‘Gjoka Konstruksion’, si dhe në financimet nga bankat e nivelit të dytë”. Kompania merr më pas pagesa vjetore nga buxheti, bazuar në kontratën koncesionare dhe parashikimet buxhetore për pagesat e koncesioneve.

“Albanian Highway Concession” ka fituar koncesionin për ndërtimin, operimin dhe mirëmbajtjen e Rrugës Milot–Morinë, me afat 30 vjet, e miratuar në vitin 2016, por zbatimi i saj nisi vetëm në shtator të vitit 2018. Ajo është një konsorcium mes dy sipërmarrjeve të mëdha, “Kastrati” dhe “Salillari” (me nga 50% secila). Kompania raportoi të ardhura 2.1 miliardë lekë në vitin 2023, me rënie prej 2.2% me bazë vjetore.

“SaniService” fitoi në vitin 2015 koncesionin për “ofrimin e shërbimeve të integruara për setin e personalizuar të instrumenteve kirurgjikale, furnizimin me material mjekësor steril njëpërdorimësh në sallat kirurgjikale, si dhe trajtimin e mbetjeve biologjike dhe dezinfektimin e sallave kirurgjikale”, me afat 10-vjeçar. Kompania deklaroi në bilanc rritje me 4%, në 1.48 miliardë lekë, duke mos hyrë në renditjen e “Monitor 200”.

Për këtë koncesion kanë nisur hetimet nga Prokuroria e Posaçme, SPAK, pas kallëzimeve se ky projekt është i panevojshëm, duke hedhur dyshime për abuzime të ndryshme financiare. Në gusht 2023, SPAK lëshoi 8 fletë arresti për persona të lidhur me këtë koncesion.

Koncesionari tjetër në shëndetësi, “3P Life Logistic”, raportoi të ardhura prej 731 milionë lekësh, pothuajse në të njëjtin nivel me një vit më parë.

Kompania tjetër “DiaVita”, e cila ofron shërbimin e dializës nëpërmjet një koncesioni, raportoi në vitin 2023 rreth 852 milionë lekë të ardhura, me rritje 5.5% me bazë vjetore. Kompania merr financime nga buxheti i shtetit për shërbimin e dializës që ajo ofron prej disa vitesh në disa qytete të vendit.

Sipas kontratës me qeverinë, “DiaVita” do të ofrojë shërbimin e dializës në 5 qendra pranë spitaleve, përkatësisht në Lezhë, Shkodër, Korçë, Vlorë dhe në Elbasan.

“Laboratory Network” ofron me koncesion shërbimin laboratorik. Të ardhurat e kompanisë, sipas bilancit zyrtar të dorëzuar në Qendrën Kombëtare të Biznesit, ishin 1.72 miliardë lekë në vitin 2023, me zgjerim vjetor 11.6%.

Ky është dhe koncesioni që po merr pagesat më të mëdha në fushën e shëndetësisë. Koncesioni laboratorik i spitaleve universitare, rajonale dhe atyre bashkiake të Sarandës dhe Lushnjës u firmos në mbledhjen e 24 prillit 2019 nga qeveria dhe hyri në fuqi në dhjetor të vitit 2019. Vlera e kontratës është 13 miliardë lekë, ose rreth 106 milionë euro, dhe afati i saj përfundon në vitin 2028.

Inceneratorët janë koncesionet më të debatuara, për shkak të abuzimeve të mëdha që po gjen hetimi i SPAK, i cili i ka bllokuar që të tria kontratat.

Koncesioni i trajtimit të mbetjeve në Elbasan (“Albtek Energy”), me kosto totale prej 5.3 miliardë lekësh, me kapacitet përpunues rreth 120-140 tonë/ditë, sipas deklarimeve zyrtare në kontratë, u pezullua në mars 2022 nga SPAK.

Kompania i kishte marrë të gjitha financimet nga buxheti para se të bllokohej. Në vitin 2022 dhe 2023, financimi ishte zero. Në total, gjatë periudhës 2017-2021, kompania ka marrë 2.4 miliardë lekë nga buxheti i shtetit.

Inceneratori i trajtimit të mbetjeve në Fier (“Integrated Technology Waste Treatment Fier”), me kosto totale prej 3.97 miliardë lekësh dhe kapacitet përpunues rreth 180-200 tonë/ditë, u pezullua nga SPAK po në mars 2022.

Për vitin 2022, Ministria e Financave ka paguar për këtë koncesion 376 milionë lekë, ose 45% më pak se viti i mëparshëm. Në 2023 nuk kishte pagesa për këtë koncesion. Në total, për periudhën 2017-2022 janë paguar gjithsej nga buxheti 4 miliardë lekë.

Projekti i tretë është Trajtimi i mbetjeve në Tiranë (“Integrated Energy B.V sh.p.k.”), me kosto totale 40 miliardë lekë dhe kapacitet përpunues rreth 550-800 tonë/ditë.

Edhe për këtë projekt, pas një procesi të gjatë hetimesh, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në Tiranë vendosi në gusht 2023 masën e sigurimit pasuror “sekuestro preventive” mbi kompaninë “Integrated Energy B.V. S.P.V.” që zotëron koncesionin e Tiranës, dhe të gjitha pasuritë e tjera në emër të kompanisë.

Akuzat janë për veprat penale të “Mashtrimit me pasoja të rënda”, në bashkëpunim, “Shpërdorimi i detyrës”, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, e kryer në bashkëpunim.

“Integrated Technology Services”, që po zbaton projektet e inceneratorëve të Tiranës, ishte edhe në vitin 2023 në listën e 200 më të mëdhave. Kompania nuk ka dorëzuar bilanc, por sipas të dhënave të Tatimeve, ka deklaruar të ardhura prej 1.8 miliardë lekësh, me rënie rreth 30% me bazë vjetore. Në total, vetëm nga buxheti i shtetit, në periudhën 2018-2023, koncesionari ka marrë 6.5 miliardë lekë.

Fillimi i hetimit për të tre inceneratorët, atë të Elbasanit që punoi vetëm një vit dhe Fierit që ka përfunduar, (por nuk është vënë asnjëherë në punë), dhe të Tiranës (ndërtimi i të cilit nuk ka filluar), vuri më tepër në dukje për shoqërinë se me inceneratorët, jo vetëm që nuk është përmirësuar situata mjedisore e plehrave në vend, por edhe kostot e buxhetit janë të larta.

Nga hetimi, SPAK ka gjetur shkelje të shumta, që fillojnë me procedurat për dhënien e koncesioneve e më pas me falsifikime dokumentesh të pronësisë, krijimin e kompanive fiktive, faturime fiktive e dhënie të pagesave për punime që nuk janë kryer.

Janë përdorur skema fiktive të kryerjes së pagesave, për të mbuluar dhe për të fshehur natyrën e vërtetë të origjinës së paligjshme të shumave monetare, natyrën e vërtetë të transferimit dhe të zhvendosjes së tyre e deri te faturimet fiktive për të rritur shpenzimet e për të ulur barrën tatimore.

Pas vitit 2015, qeveria nisi me vrull praktikën e dhënies së koncesioneve për shumë shërbime e projekte, që ajo synonte të realizonte.

Pavarësisht kundërshtimeve, që në fillim, nga institucionet financiare ndërkombëtare, të cilat kërkonin që të bëhej një analizë e qartë e kostove dhe përfitimeve, institucionet shtetërore nuk ndalën.

Në vitin 2015 u dhanë koncesioni i sterilizimit dhe i check-up. Në vitin 2016 u dha me koncesion dhe dializa, ndërsa në 2019-n, ai i laboratorëve, të gjitha në fushën e shëndetësisë.

Në vitin 2015 nisi dhe praktika e dhënies së koncesioneve të inceneratorëve, me Elbasanin, që në vitin 2017 u zgjerua me Fierin dhe në vitin 2019, me Tiranën.

Në vitin 2017 u dha me koncesion mirëmbajtja e rrugës Milot – Morinë dhe në vitin 2018 u dha me koncesion Rruga e Arbrit.

U rishikua dhe koncesioni i skanimit, i cili ishte miratuar në vitin 2013 nga qeveria në ikje e atëhershme dhe për të hequr barrën nga bizneset, qeveria mori përsipër të paguajë një pjesë të kostos nëpërmjet buxhetit.

Të gjitha koncesionet e sipërpërmendura përfitonin pagesa direkte nga buxheti i shtetit. Shtimi i këtyre pagesave detyroi qeverinë, pas presionit të FMN-së që të vendoste një rregull fiskal, sipas të cilit shuma totale e pagesave vjetore neto, që kryhen nga njësitë e qeverisjes së përgjithshme, të cilat rezultojnë nga kontrata koncesionare apo Partneriteti Publik-Privat (PPP), si rregull, nuk duhet të tejkalojë kufirin prej 5% të të ardhurave tatimore faktike të vitit paraardhës buxhetor.

Në rast tejkalimi të këtij kufiri, Këshilli i Ministrave merr masa korrektuese në krahun e të ardhurave buxhetore, të nevojshme dhe të mjaftueshme, për t’u rikthyer brenda kufirit të lejuar, gjatë dy viteve të ardhshme buxhetore.

Kufiri deri tani nuk është tejkaluar asnjëherë, por realiteti po tregon se në pjesën më të madhe, këto pagesa kanë qenë joeficiente në kosto, përderisa një pjesë e madhe e koncesioneve është tashmë nën hetim zyrtar nga SPAK, struktura e posaçme antikorrupsion.

Të dhënat e Ministrisë së Financave, në buxhetet faktike 2017-2023, të përpunuara nga “Monitor”, tregojnë se në shtatë vjet, buxheti i shtetit ka paguar në total 71 miliardë lekë (rreth 700 milionë euro) për 12 koncesione:

Rruga e Arbrit; skanimi; sterilizimi; laboratorë; Inceneratori i Tiranës; check-up; dializa; mirëmbajtja Milot-Morinë; infrastruktura arsimore; Inceneratori i Fierit; Orikum-Dukat; Inceneratori i Elbasanit.

Shuma më e lartë është dhënë për Rrugën e Arbrit (15.7 miliardë lekë), sterilizimin (11.1 miliardë lekë), skanimin (10.8 miliardë lekë), Inceneratorin e Tiranës (6.5 miliardë lekë) – shiko tabelën e plotë: Pagesat faktike nga buxheti i shtetit për koncesionet 2017-2023.

Nga këto 12 koncesione, për gjashtë prej tyre – tre inceneratorët, check-up dhe sterilizimi e laboratorët – është hapur hetim zyrtar ose kanë filluar procedurat nga SPAK me akuza për korrupsion, shpërdorim detyre e deri te pastrim parash.

Shuma totale e dhënë nga buxheti për këto pesë koncesione për periudhën 2017-2023 është 33.5 miliardë lekë (rreth 335 milionë euro), që përbën 47% të pagesave totale që janë bërë nga buxheti për të gjitha koncesionet!!

Edhe vetë Financat kanë shprehur shqetësimin se kontratat koncesionare nuk po kontrollohen dhe as monitorohen në respekt të detyrimeve ligjore dhe marrëveshjeve ndërmjet shtetit dhe privatit, që janë instrumente të detyrueshme./Monitor

koncesionet ne hetim buxheti i shtetit

koncesionet ne hetim

Artikuj te sugjeruar

video

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 16

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 16

Gruaja me dy identitete që premton “shërim” me ujin e kufomave në Pejë

A ka Shqipëria një Nicola Gratteri?

Katër nëna në kërkim të fëmijeve/ Bisedat që zbuluan rrjetin e errët

Flamur Gjuzi, i dënuar për"shpërdorim detyre" sot drejtor i Policisë Bashkiake, sërish shkel ligjin?

Pallatet u zhytën“Durrës Marina" dhe Autoriteti Portual bëjnë veprimin e papritur përballë skandalit

Ekskluzive/ Nicola Gratteri çmonton skemën e pastrimit të parave të ndërtimit në Tiranë

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 15

Enkel Demi duke luftuar paragjykimet për shqiptarët. (kamera e fshehtë)

Milva Ekonomi i firmosi miliona euro Vilma Nushit, kjo e fundit i investoi te kulla e Ervin Matës

Ajo çfarë mund të na mësojë Kosova.

Laboratorë “copy-paste”/ I njëjti mjek firmos analiza në disa pika, skema që ngre pikëpyetje

Rrjeti i ‘errët’ i vajzave të zhdukura! Bisedat tronditëse si funksiononte grupi.

Bleu 300 m2 tokë në vitin 2004, kthehet nga emigrimi dhe gjen aty vilë 3-katëshe.

“Na detyruan nga Dubai”/ Konstruktori i Durrës Marina zbulon pse u zhytën pallatet

Drejtori që tregon sjellje të pahijshme me nxënësen: Jam i fortë edhe në parti

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 14

Turisti zemërgjerë nga Italia dhe patatinat falas

Aksidentet “pushtojnë” oborrin e familjes në Klos, banori: Një ditë do ndodhë tragjedi

Lidhja jashtëmartesore që përfundoi në makth /32-vjeçarja rrëfen shantazhin me video intime

Sherr në terminalin e Peshkopisë, shoferi: Mos më vidh pasagjerët! Shko ha bukë te pjesa jote

Artisti dhe Frika

Si u kthye në urrejtje dashuria mes ish-bashkëshortëve dhe ‘lufta’ për 200 mijë euro!

14-vjeçare me dr*gë dhepro*titucion, rrjeti i errët i minoreneve të zhdukura

Zhytja e pallateve te Alabarit/ IKMT pranon anomalitë në “Durrës Marina”: Janë zhytur 28 cm

"Ederlezi", festa e veçantë e komunitetit rom.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 13

Do t’i fus duart edhe nëse bërtet, motra e 13 vjeçares rrëfen tmerrin e mesazheve që mësuesi ia çon

“Inspektori gjobëvënës” i bashkisë terrorizon qytetarët

Pagat e mohura të druvarëve në Navaricë! Miliona lekë për të marrë dhe kërcënime

Rruga Thumanë–Kashar/ 1 miliard euro dhe “5 lekëshi” që po merret nga xhepat e qytetarëve

Me viza turistike ose kontrata futbolli drejt Europës/ Kush fshihet pas skemës së trafikimit?

Nënat denoncojnë ikjet nga shtëpia dhe jetën e dyshimtë të adoleshentëve

Për mediat dhe fëmijët

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 12

Muzikanti i rruges “vjedh” koleget. Banka e fundit

Dajak për 50 metra rrugë në Dibër, kushërinjtë në ’luftë’ për pronën.

Fisnik Syla, “BAMIRËS” apo shantazhues

A janë "idiotë "shqiptarët e Maqedonisë së Veriut? Çfarë do të thoshte Arbën Xhaferraj?

Presidenti i FSHP reagon për deklaratat e Erkand Qerimaj: Lajthita atëherë, tani kam reflektuar

Nga jetimorja te humbja e kujdestarisë. Rrëfen nëna që kërkon bashkimin me vajzën pas 13 vitesh

Tigrat e Vlorës: energjia që prodhohet 6 herë më shtrenjtë se sa shitet.

Skandali i zhytjes së pallateve në Durrës Marina / Ndërhyn IKMT.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 11

Dhjetëra punonjës fasonerie pa marrë pagat: Blerimi mori lekët dhe u zhduk! Pronari premton zgjidhje

Hapet filial i bankës turke në “zemër” të Bllokut, reklamat vendosen pa leje

Energji për brezin tim

Nga ‘Viola’ tek Dorina: Si përfundoi në borxh një histori dashurie në distancë

Firma “Trade Minerals Al” po shkatërron mjedisin dhe infrastrukturën e fshatit Gjegjan në Kukës

Nga shpërthimi i drejtorit te prapaskenat e ushqimit në institucionin privat në Elbasan