AKTUALITET

Trazirat e '91-shit në Laç: Rrëfimi dramatik i njeriut që shpëtoi Bankën e Shtetit

Piranjat Përditësimi i fundit 14 Korrik 2026, 07:55

Trazirat e '91-shit në Laç: Rrëfimi dramatik i njeriut

Plot 35 vite të shkuara, në fundin e dhjetorit 1991 dhe fillimin e janarit 1992, kur regjimi komunist i Ramiz Alisë po kalonte në agoni, qyteti i vogël i Laçit (sot Bashkia Kurbin), me rrethinat, u përfshinë në disa trazira të papara ndonjëherë. Në një ditë dhe orë të paralajmëruar që më parë, u sulmuan, plaçkitën, shkatërruan dhe dogjën magazina të mëdha, dyqane, zyra, stalla e ambiente të tjera ndërmarrjesh dhe institucionesh shtetërore. Për disa ditë me radhë në atë qytet flakët dhe tymi pushtuan qiellin duke mos munguar dhe viktimat. I vetmi që shpëtoi pa u grabitur asokohe në atë qytet, ishte filiali i Bankës së Shtetit, paratë e të cilit dhe një pjesë e dokumentacionit u evaduan në orët e vona të asaj nate, për në qytetin e Krujës.

Lidhur me ato ngjarje tragjike që nuk janë shuar ende nga kujtesa e banorëve të atij qyteti, na njeh ish-drejtori asaj banke, Divin Abazaj (Xhevitaj), i cili mundi ta shpëtonte atë filial që e drejtonte prej 25 vjetësh.

Zoti Divin, a kishit informacione se do të sulmohej Banka e Laçit?

Gjatë gjithë atyre ditëve në Laç qarkullonin fjalë nga më të ndryshmet ku thuhej se në qytetin tonë dhe në Mamurras do të sulmoheshin magazinat e mëdha të Tregtisë, Rezervave të Shtetit, Komunales, Hekurudhës, Parkut të Mallrave, Kombinatit Kimiko-Metalurgjik e shumë ndërmarrjeve të tjera nacionale që kishte asokohe rajoni i Laçit.

Bashkë me këto, thuhej se do të sulmohej edhe filiali i Bankës së Shtetit, ku unë isha drejtor. Të gjitha ato fjalë fliteshin hapur kudo dhe që që në fillim u dukën si një thashethemnajë, rezultuan të vërteta, pasi pikërisht në ditën dhe orën e caktuar që u fliste prej ditësh, ato u sulmuan dhe u grabitën nga turma të mëdha njerëzish.

Si e kujtoni ngjarjen kur u sulmua filiali i bankës suaj?

Ajo ngjarje në mos gaboj ka ndodhur në fundin e dhjetorit 1991, apo fillimin e janarit 1992, kur vendi drejtohej nga qeveria e Stabilitetit e kryesuar prej Ylli Bufit. Pas fjalëve të përhapura se do të sulmohej edhe filiali i bankës sonë, unë vura në dijeni rajonin e policisë së Laçit, duke u thënë që të merrnin masa për mbrojtjen e saj.

Krahas kësaj për dy tre ditë bëra evadimin e pjesës më të mëdha të parave që kishim asokohe gjendje në bankë dhe lashë aty vetëm 11 milion lekë të reja, që ishin minimumi i mundshëm për funksionimin e saj. Duke i konsideruar ato fjalë si një thashethemnajë, unë nuk e njoftova Drejtorinë e Bankës së Shtetit në Tiranë, pasi as që mund ta mendonte njeri të ndodhte ajo gjë. Ku kishte ndodhur deri në atë kohë që të sulmohej një bankë, dukej çmenduri edhe ta mendoje atë.

Por siç thashë më lart ditën dhe orën e paralajmëruar, filloi sulmi ndaj të gjitha magazinave, zyrave dhe dyqaneve në të njëjtën kohë. Më kujtohet si tani ajo ditë pasi ishte një ditët më të ftohtat që kishte parë qyteti i Laçit. Temperaturat ishin disa gradë nën zero dhe bënte një acar i paparë prej vitesh, i cili ia shtonte më shumë zymtësinë asaj dite. Sulmi mbi magazinat dhe dyqanet filloi aty rreth orës 6.30 të mbrëmjes.

Sapo dëgjova zhurmat që vinin prej magazinave të Tregtisë dhe atyre të Pjesëve të Këmbimit të Makinerive të cilat i kisha vetëm disa metra afër pallatit ku banoja, u vesha menjëherë dhe para se të dilja njoftova në telefon policinë, që të merrte masa për ruajtjen e bankës. Me nxitim u nisa për tek banka dhe aty erdhën menjëherë edhe të gjithë punonjësit e mi, të cilët i kisha lajmëruar me telefon. Përpara filialit të bankës sonë dhe në krah të saj ku ndodheshin me radhë dyqanet e lokalet e Tregtisë e Komunales, ishin një turmë e madhe prej qindra vetash që po plaçkitin gjithçka që gjenin aty.

Po tek Banka kishte tentativa nga turma për të hyrë brenda?

Edhe aty ishte grumbulluar një turmë e madhe gati për ta sulmuar por si të thuash kishte një ngurrim nga që filiali jonë ishte i siguruar me hekura të cilat duhej kohë e mjete për t’i shkatërruar. Bashkë me disa policë që ndodheshin aty unë iu bëra thirrje turmës që të mos afroheshin, duke u thënë: Kush nga ju e merr përsipër që të futet këtu dhe të shpërndajë paratë që janë brenda. Por turma nuk donte t’ja dinte nga thirrjet tona dhe presioni sa vinte dhe bëhej më i madh.

Një turmë e madhe njerëzish qëndronte para bankës duke qëlluar me gurë në xhamat e saj dhe nga pas turmës qëllohej në ajër me breshëri automatiku, duke na bërë presion që ne të largoheshim që andej. Pas kësaj turma u afrua tek dera e bankës dhe me leva tentoi disa herë që ta hapte atë, por nuk ia arritën dhe u zmbrapsën disa herë nga ndërhyrjet e policisë.

Sa para kishte gjendje në Bankë atë natë dhe çfarë ndodhi më pas?

Në Bankë kishte vetëm 11 milion lekë të reja, por ato nuk ishin gjë fare para dokumentacionit të kreditit i cili llogaritej në qindra miliona lekë të reja. Po të dëmtohej ai dokumentacion me kreditë shtetërore dhe private që kishte dhënë filiali ynë, ajo bankë nuk mund të funksiononte më. Unë isha gati që të jepja ato 11 milionë lekë që kishim aty, vetëm për të shpëtuar dokumentacionin. Aty nga ora 11.00 unë mora në telefon shefin e Krimeve të Policisë së Laçit, Arben Dashin dhe i thashë që të më ndihmonte të evadonim paratë nga Laçi, në mënyrë që t’u thoshim njerëzve që nuk ka para aty.

Beni, (siç thirrej nga tifozët në Laç, pasi ishte dhe futbollist me ekipin e “Industrialit”, një njeri dhe oficer model, që nderohej e respektohej nga i gjithë qyteti), u tregua shumë i gatshëm dhe në ora 24.00 erdhi aty bashkë me shtatë policë dhe një makinë të vogël tip fuoristradë. Në atë orë kishte rënë disi qetësia, por nëpër rrugë kishte përsëri njerëz dhe një fadromë bënte ecejake afër bankës sonë. Unë me një arkëtare hapëm kasafortat dhe bashkë me Arben Dashin, filluam të mbushnim thasët me para, pa i numëruar fare. Bashkë me paratë unë mora me vete dhe dokumentet ku tregohej gjendja e parave që kishte banka.

Sa lidhëm grykat e 11 thasëve, u nisëm drejt rajonit të Policisë së Laçit dhe aty pritëm të gjenim një automjet tjetër sepse ajo makinë e vjetër, nuk mund të shkonte dot deri në Krujë. Ndërsa prisnim, Arben Dashi bëri një veprim prej oficeri policie profesionist. Ai nisi një makinë bosh deri në Fushë-Krujë, për të testuar rrugën në se do sulmohej ajo nga bandat grabitëse.

Ndërkohë ne i sistemuam thasët me para në një makinë zjarrfikëse dhe u nisëm për në Krujë, sapo u kthye makina tjetër që ishte nisur bosh e cila na tha se rruga nuk kishte shumë probleme. Para nisjes, Arben Dashi i porositi policët që të qëndronin mbi thasët me para dhe ato mund t’i lëshonin, vetëm të vdekur. Kështu unë me arkëtaren dhe 10 policë udhëtuam për në Krujë, duke qëndruar mbi thasët me para dhe në Degën e Brendshme të atij qyteti, mbërritëm rreth orës 1 e 30 të natës.

Aty na liruan një dhomë për të siguruar paratë dhe rreth orës 6.00 të mëngjesit, erdhi shefi i llogarisë së Bankës së Krujës, Fatmir Seseri, i cili do të merrte paratë në dorëzim. Bëmë numërimin dhe paratë dolën fiks sa shënohej në pasqyrën e dokumentacionit të bankës të ditës së fundit. Pas kësaj ato para u dërguan në Bankën e Krujës pa asnjë problem, pasi ndryshe nga Laçi e Mamurrasi, ku flakët e zjarrit ishin në qiell, ai qytet ishte krejt i qetë.

A e njoftuat Drejtorinë tuaj në Bankën e Shtetit në Tiranë, për atë veprim që bëtë?

Sapo mbërrita në Laç me makina të rastit, unë u lidha me telefon me shefat e mi në Tiranë, të cilët i njoftova se nuk do ta hapja bankën për një afat të pacaktuar. Ata u habitën dhe kujtonin se po bëja shaka dhe nuk donin ta besonin, për sa u tregoja se kishte ndodhur. Edhe pse çuditërisht kisha presione nga Tirana për të hapur bankën, unë e hapa atë vetëm pas 15 ditësh, kur ishte qetësuar disi ajo situatë tejet e rëndë prej së cilës kishim shpëtuar pa u prekur vetëm ne.

Abazaj: “Një përgjegjës sektori i Fermës së Mamurrasit, në mbledhjen e Komitetit akuzoi: ‘Ju të pushtetit, i organizuat vetë sulmet mbi magazinat e dyqanet’”

Situata e rëndë që kaloi qyteti i Laçit me rrethinat e tij në dhjetorin e ’91-it ku u plaçkitën të gjitha magazinat e dyqanet që kishte ai rajon, u mor në analizë në një mbledhje të Komitetit Ekzekutiv të rrethit të Krujës, prej nga varej ai qytet jo pak problematik në atë kohë. Në atë mbledhje mori pjesë edhe drejtori i filialit të Bankës së Laçit, Divin Abazaj, i cili kujton: “Në atë analizë që u bë në Krujë, u raportua edhe mbi shumën e dëmeve që ishin shkaktuar nga trazirat e ndodhura në Laç, e cila ishte rreth 200 milionë lekë të reja.

Gjatë debateve që po bëheshin se si dhe pse kishin ndodhur ato ngjarje, u ngrit tepër i revoltuar një djalë i ri me profesion veterinar, i cili ishte përgjegjës sektori i blegtorisë në Fermën e Mamurrasit. Ai iu drejtua titullarëve të lartë të Komitetit Ekzekutiv dhe Partisë së rrethit, me këto fjalë: ‘Çfarë kërkoni ju më tepër të dini, unë po iu them se atë natë më erdhën tek stallat e viçave në Mamurras këta persona (i përmendi emër e mbiemër), të armatosur, efektiva të forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë në Ndrojë dhe më kërcënuan duke më thënë që të largohesha urgjent që aty, pasi atë natë ai kompleks do të sulmohej për t’u vjedhur dhe sipas tyre unë duhej të ikja, që të mos rrezikoja kokën.

Pra unë po iu tregoj emrat, ju na thoni se kush i ka bërë ato trazira. Për sulmet dhe grabitjet mbi magazina, stalla dhe dyqane u fol disa ditë më parë dhe ju nuk morët asnjë masë për t’i mbrojtur. Ju të pushtetit i keni organizuar vetë të gjitha ato dhe mos ia kërkoni askujt tjetër’. Pas fjalëve të tij ajo mbledhje formale u mbyll dhe shkaktarët e vërtetë të atyre trazirave nuk u gjetën dhe as u ndëshkuan kurrë”./ Memorie.al

Artikuj te sugjeruar

video

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 16

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 16

Gruaja me dy identitete që premton “shërim” me ujin e kufomave në Pejë

A ka Shqipëria një Nicola Gratteri?

Katër nëna në kërkim të fëmijeve/ Bisedat që zbuluan rrjetin e errët

Flamur Gjuzi, i dënuar për"shpërdorim detyre" sot drejtor i Policisë Bashkiake, sërish shkel ligjin?

Pallatet u zhytën“Durrës Marina" dhe Autoriteti Portual bëjnë veprimin e papritur përballë skandalit

Ekskluzive/ Nicola Gratteri çmonton skemën e pastrimit të parave të ndërtimit në Tiranë

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 15

Enkel Demi duke luftuar paragjykimet për shqiptarët. (kamera e fshehtë)

Milva Ekonomi i firmosi miliona euro Vilma Nushit, kjo e fundit i investoi te kulla e Ervin Matës

Ajo çfarë mund të na mësojë Kosova.

Laboratorë “copy-paste”/ I njëjti mjek firmos analiza në disa pika, skema që ngre pikëpyetje

Rrjeti i ‘errët’ i vajzave të zhdukura! Bisedat tronditëse si funksiononte grupi.

Bleu 300 m2 tokë në vitin 2004, kthehet nga emigrimi dhe gjen aty vilë 3-katëshe.

“Na detyruan nga Dubai”/ Konstruktori i Durrës Marina zbulon pse u zhytën pallatet

Drejtori që tregon sjellje të pahijshme me nxënësen: Jam i fortë edhe në parti

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 14

Turisti zemërgjerë nga Italia dhe patatinat falas

Aksidentet “pushtojnë” oborrin e familjes në Klos, banori: Një ditë do ndodhë tragjedi

Lidhja jashtëmartesore që përfundoi në makth /32-vjeçarja rrëfen shantazhin me video intime

Sherr në terminalin e Peshkopisë, shoferi: Mos më vidh pasagjerët! Shko ha bukë te pjesa jote

Artisti dhe Frika

Si u kthye në urrejtje dashuria mes ish-bashkëshortëve dhe ‘lufta’ për 200 mijë euro!

14-vjeçare me dr*gë dhepro*titucion, rrjeti i errët i minoreneve të zhdukura

Zhytja e pallateve te Alabarit/ IKMT pranon anomalitë në “Durrës Marina”: Janë zhytur 28 cm

"Ederlezi", festa e veçantë e komunitetit rom.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 13

Do t’i fus duart edhe nëse bërtet, motra e 13 vjeçares rrëfen tmerrin e mesazheve që mësuesi ia çon

“Inspektori gjobëvënës” i bashkisë terrorizon qytetarët

Pagat e mohura të druvarëve në Navaricë! Miliona lekë për të marrë dhe kërcënime

Rruga Thumanë–Kashar/ 1 miliard euro dhe “5 lekëshi” që po merret nga xhepat e qytetarëve

Me viza turistike ose kontrata futbolli drejt Europës/ Kush fshihet pas skemës së trafikimit?

Nënat denoncojnë ikjet nga shtëpia dhe jetën e dyshimtë të adoleshentëve

Për mediat dhe fëmijët

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 12

Muzikanti i rruges “vjedh” koleget. Banka e fundit

Dajak për 50 metra rrugë në Dibër, kushërinjtë në ’luftë’ për pronën.

Fisnik Syla, “BAMIRËS” apo shantazhues

A janë "idiotë "shqiptarët e Maqedonisë së Veriut? Çfarë do të thoshte Arbën Xhaferraj?

Presidenti i FSHP reagon për deklaratat e Erkand Qerimaj: Lajthita atëherë, tani kam reflektuar

Nga jetimorja te humbja e kujdestarisë. Rrëfen nëna që kërkon bashkimin me vajzën pas 13 vitesh

Tigrat e Vlorës: energjia që prodhohet 6 herë më shtrenjtë se sa shitet.

Skandali i zhytjes së pallateve në Durrës Marina / Ndërhyn IKMT.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 11

Dhjetëra punonjës fasonerie pa marrë pagat: Blerimi mori lekët dhe u zhduk! Pronari premton zgjidhje

Hapet filial i bankës turke në “zemër” të Bllokut, reklamat vendosen pa leje

Energji për brezin tim

Nga ‘Viola’ tek Dorina: Si përfundoi në borxh një histori dashurie në distancë

Firma “Trade Minerals Al” po shkatërron mjedisin dhe infrastrukturën e fshatit Gjegjan në Kukës

Nga shpërthimi i drejtorit te prapaskenat e ushqimit në institucionin privat në Elbasan