BOTA

Serbia u jep shtetësi rusëve të sanksionuar nga Ukraina dhe SHBA, BE paralajmëron për rreziqe sigurie

Piranjat Përditësimi i fundit 11 Qershor 2026, 14:42

Serbia u jep shtetësi rusëve të sanksionuar nga Ukraina dhe SHBA,

Që nga fillimi i këtij viti, Qeveria e Serbisë u ka dhënë shtetësi katër herë më shumë shtetasve rusë sesa të gjithë shtetasve të tjerë të huaj së bashku.

Në mesin e tyre ka edhe rusë që janë nën sanksione ndërkombëtare, ka konstatuar Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë (REL) përmes analizës së vendimeve të Qeverisë serbe. Qeveria e Serbisë i jep këto shtetësi duke i arsyetuar me “interesa” për Serbinë.

Valerij Kazikajev është shtetas i Serbisë që nga 16 janari. Ai ndodhet në listën e sanksioneve amerikane që nga prilli i vitit 2023, për shkak të lidhjeve të biznesit me oligarkun rus, Alisher Usmanov. Departamenti amerikan i Shtetit nuk e ka komentuar për REL-in vendimin e Qeverisë së Serbisë për t’i dhënë atij shtetësi.

Një tjetër bartës i ri i pasaportës serbe është shtetasi rus, Sergej Kondratenko, i cili e mori shtetësinë më 13 nëntor 2025. Ai ndodhet nën sanksionet ukrainase për “veprime në dëm të interesave kombëtare dhe sigurisë kombëtare”.

Shtetas i ri i Serbisë është edhe Igor Koljushev, inxhinier rus ndërtimi në fushën e urave. Ai është nën sanksione ukrainase që nga viti 2022.

Ministria e Jashtme e Ukrainës dhe Ambasada e Ukrainës në Beograd nuk iu përgjigjën menjëherë pyetjeve të REL-it lidhur me dhënien e shtetësisë serbe personave që janë nën sanksione ukrainase. As Qeveria e Serbisë nuk iu përgjigj pyetjeve se pse po u jep shtetësi qytetarëve rusë të sanksionuar.

Qeveria e Serbisë ka vazhduar trendin e dhënies gjithnjë e më të shpeshtë të shtetësisë për shtetas rusë, pavarësisht paralajmërimeve të Brukselit se kjo u mundëson atyre hyrje pa viza në Bashkimin Evropian.

Kjo është theksuar edhe në një non-paper të fundit të Komisionit Evropian, në të cilin REL-i ka pasur qasje. Në këtë dokument paralajmërohet se përfitimi i përshpejtuar i së drejtës për udhëtim pa viza në BE nga shtetas rusë përmes marrjes së shtetësisë serbe — numri i të cilëve është rritur — paraqet rrezik të mundshëm sigurie për BE-në.

“Serbia jo vetëm që nuk po vendos sanksione ndaj Rusisë, por në mënyra të ndryshme po e anashkalon politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së”, tha për REL-in Bojana Sellakoviq nga organizata joqeveritare Konventa Kombëtare për BE-në.

Si vend kandidat për anëtarësim, Serbia ka regjim pa viza me BE-në dhe detyrim për harmonizim të politikës së jashtme me të. Megjithatë, ajo nuk ka vendosur viza për qytetarët rusë dhe nuk u është bashkuar sanksioneve që BE-ja i ka vendosur Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës.

Kush janë personat e sanksionuar me pasaportë serbe?

Valerij Kazikajevit i janë vendosur sanksione amerikane me qëllim “pengimin e mëtejshëm të importit të teknologjive kritike që Rusia i përdor në luftën e saj kundër Ukrainës”. Këto masa iu vendosën në prill të vitit 2023 për shkak të lidhjeve të tij të biznesit me miliarderin rus, Alisher Usmanov.

Sipas të dhënave të Zyrës amerikane për Kontrollin e Pasurive të Huaja, OFAC, Kazikajev është një nga anëtarët e lartë të menaxhmentit ose bordeve drejtuese të kompanive në sektorin e metaleve dhe minierave të lidhura me Usmanovin — Metalloinvest dhe Udokan Copper. Kazikajev është, gjithashtu, pronar i kompanisë sllovake KTH Group Spol SRO. Edhe kjo kompani është nën sanksione amerikane.

Ukraina i vendosi sanksione Kazikajevit në nëntor të vitit 2023. Masat përfshijnë ngrirjen e pasurisë, ndalimin e aktivitetit të biznesit dhe një sërë kufizimesh të tjera financiare. REL-i nuk arriti të kontaktojë me Valerij Kazikajevin.

Oligarku Alisher Usmanov, i afërt me pushtetin në Kremlin, është një nga rusët më të pasur. Ai ka biznese në fushën e minierave, industrisë së metaleve, telekomunikacionit dhe teknologjisë së informacionit. Shtetet e Bashkuara e vendosën Usmanovin në “listën e zezë” në mars të vitit 2022.

Në arsyetim thuhet se ai është i afërt me disa zyrtarë të lartë rusë që janë nën sanksione amerikane, përfshirë presidentin rus, Vladimir Putin, si dhe Dmitry Medvedevin, zëvendëskryetar i Këshillit të Sigurisë së Rusisë.

Departamenti amerikan i Thesarit thotë, gjithashtu, se Usmanov ka në dispozicion një rrjet kompanish të regjistruara në të ashtuquajturat parajsa fiskale, përmes të cilave mund të kryejë transaksione financiare – çka potencialisht i mundëson anashkalimin e sanksioneve. Ai është gjithashtu nën sanksionet e Australisë, Kanadasë, BE-së, Japonisë, Zelandës së Re, Zvicrës dhe Mbretërisë së Bashkuar.

Sergej Kondratenko, një tjetër shtetas rus që ka marrë së fundmi pasaportë serbe, është sanksionuar nga autoritetet ukrainase. Autoritetet ukrainase kanë konstatuar se Kondratenko është pronari përfundimtar i kompanisë Royal Pay Europe, ndaj së cilës Ukraina vendosi sanksione në vitin 2023 për “veprime në dëm të interesave kombëtare dhe sigurisë kombëtare”.

Këtë e tregojnë të dhënat e degës ukrainase të organizatës Transparency International. Royal Pay Europe është e regjistruar në Letoni, dhe merret me pagesa elektronike dhe shërbime të tjera financiare.

Byroja Shtetërore e Hetimeve e Ukrainës nisi në vitin 2023 një procedurë penale ndaj kësaj kompanie për përvetësimin e më shumë se 30 milionë eurove, që bankat e huaja kishin ndarë për njërën nga bankat komerciale ukrainase.

“Sipas materialeve të atij hetimi, gjatë luftimeve në rajonin e Harkivit, kompania u përpoq të riregjistronte të drejtat pronësore mbi pasuritë e paluajtshme të një banke ukrainase që ishte në proces likuidimi”, thuhet nga Transparency International.

Me vendim të Gjykatës së Lartë Kundër Korrupsionit në Ukrainë në vitin 2024, kompanisë iu konfiskua pasuria në atë vend, në vlerë prej rreth 44 milionë dollarësh. Këto para u transferuan në buxhetin shtetëror të Ukrainës. Gjatë hetimit, autoritetet ukrainase të sigurisë e lidhën Kondratenkon edhe me një rrjet rus bastesh.

Sergej Kondratenko nuk iu përgjigj pyetjes së REL-it, të dërguar në një adresë elektronike, të njohur për redaksinë. Igor Koljushev, inxhinier rus i ndërtimit në fushën e urave, është nën sanksione ukrainase që nga viti 2022.

Masat ndaj tij lidhen kryesisht me ndalimin e nxjerrjes së kapitalit nga Ukraina dhe me kufizime të rrjedhave financiare. Sipas të dhënave të Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes së Ukrainës, Koljushev është drejtor teknik i Institutit Giprostroymost në Shën Petersburg.

Kjo është një nga kompanitë kryesore ruse të specializuara në projektimin e urave dhe objekteve të transportit. REL-i nuk arriti të kontaktojë as me Koljushevin.

Në prill, shtetësi serbe mori edhe Yakub Zakriyev, nip i udhëheqësit të Çeçenisë, Ramzan Kadyrov, por Qeveria e Serbisë e tërhoqi atë vendim katër ditë më vonë. Zakriyev ndodhet në listën e sanksioneve të SHBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar për shkak të përfshirjes së tij në institucionet e Rusisë.

Nën sanksione të SHBA-së dhe BE-së është edhe vetë Kadyrov, i cili prej vitesh përballet me akuza për shpërfillje të shkeljeve të rënda të të drejtave të njeriut, përfshirë rrëmbime, tortura, vrasje dhe përndjekje të pjesëtarëve të komunitetit LGBT.

Qeveria e Serbisë nuk iu përgjigj pyetjeve as për dhënien, as për anulimin e shtetësisë për nipin e Ramzan Kadyrovit.

Në shtator të vitit 2025, Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese (BIRN), raportoi se së paku katër shtetas rusë kishin marrë shtetësi serbe me vendim të Qeverisë së Serbisë, ndonëse ishin nën sanksionet e Mbretërisë së Bashkuar dhe Kanadasë.

Sipas këtyre raportimeve, shtetësi serbe morën tre menaxherë të gjigantit rus të energjisë, Gazprom.

Shtetësi mori edhe Ruslan Alisultanov, ish-zëvendësministër i Bujqësisë i Çeçenisë dhe biznesmen, i cili sot prezantohet si udhëheqës në industrinë ushqimore të Rusisë.

Portali hulumtues KRIK dhe portali rus Important Stories raportuan në prill të vitit 2025 se në mesin e personave të cilëve Qeveria e Serbisë u kishte dhënë shtetësi kishte disa rusë të lidhur me elitën politike të Kremlinit, dhe me Shërbimin Federal të Sigurisë së Rusisë, FSB.

Ata raportuan, gjithashtu, për persona të lidhur me industrinë ushtarake, për njerëz që u pasuruan gjatë luftës në Ukrainë dhe për figura të lidhura me gjigantë të tjerë të biznesit.

Për Serbinë “interes”, për BE-në “rrezik sigurie”

Analiza e REL-it tregon se vetëm gjatë pesë muajve të parë të vitit 2026, 44 shtetas rusë morën shtetësi serbe me vendim të Qeverisë së Serbisë. Nga fillimi i vitit 2022 deri në qershor të këtij viti, më shumë se 300 rusë kanë marrë shtetësi serbe. Kjo u konstatua përmes shqyrtimit të vendimeve të Qeverisë së Serbisë për dhënien e shtetësisë, të publikuara në Gazetën Zyrtare.

Ky nuk është numri përfundimtar, sepse edhe Ministria e Brendshme jep shtetësi sipas procedurës së rregullt, nëse plotësohen kushtet e caktuara. Ministria e Brendshme nuk iu përgjigj pyetjes së REL-it se sa shtetas rusë kanë marrë shtetësi serbe që nga viti 2022.

Qeveria e Serbisë mund të japë shtetësi sipas një procedure të veçantë dhe të përshpejtuar ligjore, e cila arsyetohet me “interes për Serbinë”. Megjithatë, ajo që për autoritetet serbe paraqet “interes për Serbinë”, për BE-në është një “sfidë e mundshme sigurie”.

Shtetësi serbe marrin sportistë dhe artistë rusë, por edhe biznesmenë të lidhur me Kremlinin dhe persona të sanksionuar. Qeveria e Serbisë nuk iu përgjigj pyetjeve të REL-it se çfarë do të ndërmarrë lidhur me paralajmërimet e Brukselit, e as se si e shpjegon rritjen e numrit të shtetësisë serbe të dhënë rusëve.

Marko Todoroviq nga organizata joqeveritare Qendra për Politika Evropiane, CEP, thotë se nga Serbia pritet që t’i ketë parasysh interesat e BE-së kur merr vendime që ndikojnë në sigurinë e hapësirës Shengen.

“Kur BE-ja, nga kujdesi, po shqyrton se si t’ua vështirësojë qytetarëve rusë marrjen edhe të vizave turistike, tendenca në Serbi për t’u dhënë atyre shtetësi që automatikisht ua hap derën Shengenit duket si lëvizje në drejtim krejtësisht të kundërt”, tha ai për REL-in.

Disa vende anëtare të BE-së po bëjnë presion ndaj Komisionit Evropian që të propozojë një ligj që do ta lehtësonte refuzimin e vizave turistike për shtetas rusë për shkak të pushtimit rus të Ukrainës.

Sipas të dhënave të BE-së, numri i vizave turistike të lëshuara për qytetarët rusë për hapësirën Shengen u rrit gjatë vitit 2025 në gati 480.000 — niveli më i lartë që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022.

Falë regjimit pa viza, mijëra shtetas rusë kanë kaluar nëpër Serbi pas fillimit të pushtimit rus të Ukrainës dhe vendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë. Disa ikën nga mobilizimi, të tjerë erdhën për të vazhduar pa pengesa biznesin me vendet perëndimore.

Sipas të dhënave të fundit të disponueshme të Ministrisë së Brendshme të Serbisë, të cilat REL-i i mori përmes kërkesës për qasje në informacion publik në janar të vitit 2025, pak më shumë se 48.000 shtetas rusë kishin qëndrim të përkohshëm në Serbi.

Ministria e Brendshme nuk iu përgjigj pyetjes së REL-it se sa janë aktualisht në Serbi deri në publikimin e këtij teksti.

Duke u dhënë shtetësi personave të sanksionuar, sipas Marko Todoroviqit nga CEP-i, Serbia po i rrezikon drejtpërdrejt integrimet e veta evropiane dhe po e minon komunitetin të cilit synon t’i bashkohet.

“Kjo sugjeron se ekziston ndikim rus në pjesë të aparatit politik dhe të sigurisë, të cilat i bëjnë këto ‘shërbime’ me shpresën se do të kalojnë pa u vërejtur, ose madje pa u shqetësuar fare për pasojat e mundshme politike”, vlerëson ai.

Ai thotë se non-paper-i është gjithashtu sinjal se Komisioni do ta ndjekë nga afër mënyrën se si Serbia e zbaton këtë proces, sa i hollësishëm është kontrolli dhe nëse vërtet verifikohet prapavija e aplikuesve.

Bojana Sellakoviq nga Konventa Kombëtare për BE-në thotë se rritja e numrit të shtetësive të dhëna qytetarëve rusë, përfshirë edhe personave të sanksionuar, tregon se Serbia nuk ka orientim të qartë të politikës së jashtme dhe po i ruan marrëdhëniet me Rusinë.

“E gjithë kjo nuk është në linjë me një shtet që dëshiron të bëhet anëtar i BE-së, sepse rregullat atje janë shumë strikte dhe shumë të qarta”, tha Sellakoviq.

Serbia nuk ka hapur asnjë kapitull të ri në negociatat me BE-në që nga dhjetori i vitit 2021, dhe një nga arsyet është edhe mosharmonizimi me politikën e jashtme të bllokut.

Në samitin e fundit BE-Ballkani Perëndimor, në Tivat të Malit të Zi, Serbisë iu tha se duhet të përcaktohet mes Rusisë dhe Kinës në njërën anë, dhe Bashkimit Evropian në anën tjetër.

Kancelari gjerman, Friedrich Merz, tha atëherë se Serbia duhet të vendosë se ku përket, dhe se “balancimi mes Rusisë, Kinës dhe Evropës është i papranueshëm”.

Ai sqaroi se udhëheqësit evropianë ia kishin bërë këtë të qartë presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq./REL

Artikuj te sugjeruar

video

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 16

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 16

Gruaja me dy identitete që premton “shërim” me ujin e kufomave në Pejë

A ka Shqipëria një Nicola Gratteri?

Katër nëna në kërkim të fëmijeve/ Bisedat që zbuluan rrjetin e errët

Flamur Gjuzi, i dënuar për"shpërdorim detyre" sot drejtor i Policisë Bashkiake, sërish shkel ligjin?

Pallatet u zhytën“Durrës Marina" dhe Autoriteti Portual bëjnë veprimin e papritur përballë skandalit

Ekskluzive/ Nicola Gratteri çmonton skemën e pastrimit të parave të ndërtimit në Tiranë

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 15

Enkel Demi duke luftuar paragjykimet për shqiptarët. (kamera e fshehtë)

Milva Ekonomi i firmosi miliona euro Vilma Nushit, kjo e fundit i investoi te kulla e Ervin Matës

Ajo çfarë mund të na mësojë Kosova.

Laboratorë “copy-paste”/ I njëjti mjek firmos analiza në disa pika, skema që ngre pikëpyetje

Rrjeti i ‘errët’ i vajzave të zhdukura! Bisedat tronditëse si funksiononte grupi.

Bleu 300 m2 tokë në vitin 2004, kthehet nga emigrimi dhe gjen aty vilë 3-katëshe.

“Na detyruan nga Dubai”/ Konstruktori i Durrës Marina zbulon pse u zhytën pallatet

Drejtori që tregon sjellje të pahijshme me nxënësen: Jam i fortë edhe në parti

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 14

Turisti zemërgjerë nga Italia dhe patatinat falas

Aksidentet “pushtojnë” oborrin e familjes në Klos, banori: Një ditë do ndodhë tragjedi

Lidhja jashtëmartesore që përfundoi në makth /32-vjeçarja rrëfen shantazhin me video intime

Sherr në terminalin e Peshkopisë, shoferi: Mos më vidh pasagjerët! Shko ha bukë te pjesa jote

Artisti dhe Frika

Si u kthye në urrejtje dashuria mes ish-bashkëshortëve dhe ‘lufta’ për 200 mijë euro!

14-vjeçare me dr*gë dhepro*titucion, rrjeti i errët i minoreneve të zhdukura

Zhytja e pallateve te Alabarit/ IKMT pranon anomalitë në “Durrës Marina”: Janë zhytur 28 cm

"Ederlezi", festa e veçantë e komunitetit rom.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 13

Do t’i fus duart edhe nëse bërtet, motra e 13 vjeçares rrëfen tmerrin e mesazheve që mësuesi ia çon

“Inspektori gjobëvënës” i bashkisë terrorizon qytetarët

Pagat e mohura të druvarëve në Navaricë! Miliona lekë për të marrë dhe kërcënime

Rruga Thumanë–Kashar/ 1 miliard euro dhe “5 lekëshi” që po merret nga xhepat e qytetarëve

Me viza turistike ose kontrata futbolli drejt Europës/ Kush fshihet pas skemës së trafikimit?

Nënat denoncojnë ikjet nga shtëpia dhe jetën e dyshimtë të adoleshentëve

Për mediat dhe fëmijët

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 12

Muzikanti i rruges “vjedh” koleget. Banka e fundit

Dajak për 50 metra rrugë në Dibër, kushërinjtë në ’luftë’ për pronën.

Fisnik Syla, “BAMIRËS” apo shantazhues

A janë "idiotë "shqiptarët e Maqedonisë së Veriut? Çfarë do të thoshte Arbën Xhaferraj?

Presidenti i FSHP reagon për deklaratat e Erkand Qerimaj: Lajthita atëherë, tani kam reflektuar

Nga jetimorja te humbja e kujdestarisë. Rrëfen nëna që kërkon bashkimin me vajzën pas 13 vitesh

Tigrat e Vlorës: energjia që prodhohet 6 herë më shtrenjtë se sa shitet.

Skandali i zhytjes së pallateve në Durrës Marina / Ndërhyn IKMT.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 11

Dhjetëra punonjës fasonerie pa marrë pagat: Blerimi mori lekët dhe u zhduk! Pronari premton zgjidhje

Hapet filial i bankës turke në “zemër” të Bllokut, reklamat vendosen pa leje

Energji për brezin tim

Nga ‘Viola’ tek Dorina: Si përfundoi në borxh një histori dashurie në distancë

Firma “Trade Minerals Al” po shkatërron mjedisin dhe infrastrukturën e fshatit Gjegjan në Kukës

Nga shpërthimi i drejtorit te prapaskenat e ushqimit në institucionin privat në Elbasan