
Një turist rumun përjetoi një makth të vërtetë në ditën e parë të pushimeve të tij në Itali, kur u arrestua gabimisht nga autoritetet italiane dhe u mbajt në burg për gati një muaj, për shkak të një ngatërrese identiteti.
Ovidiu A., 30 vjeç nga qyteti Iași në Rumani, ishte nisur për disa ditë pushimi me familjen e tij në Caorle, pranë Venedikut. Por menjëherë pas mëngjesit në hotel, në datën 24 gusht, karabinierët e arrestuan duke e ngatërruar me një tjetër person me të njëjtin emër – një rumun i dënuar në Itali me dy vite burg për vjedhje të rëndë.
Sipas avokatit të tij, Stefano De Rosa, procedura e lirimit të Ovidiut u zvarrit për shkak të problemeve në sistemin e komunikimit mes institucioneve italiane. “Sistemet kompjuterike të policisë, karabinierëve, gjykatës dhe burgjeve nuk janë të lidhura me njëra-tjetrën,” u shpreh ai për agjencinë AFP.
“Kam pasur nevojë të kontaktoj çdo institucion veçmas për të marrë dokumentet që provonin pafajësinë e tij.”
Ovidiu qëndroi në burgun e Pordenones për gati katër javë, përpara se të lirohej më në fund, mes përqafimeve të bashkëshortes dhe vajzave të tij që e kishin pritur me ankth. “Makthi mbaroi,” tha ai për gazetarët në momentin e daljes nga burgu.
Familja ka vendosur të qëndrojë edhe për disa ditë në Itali, për të rikuperuar pjesërisht pushimet e humbura, përpara se të kthehen në Rumani. Ndërkohë, ngjarja ka ngritur pikëpyetje serioze mbi efikasitetin dhe koordinimin e institucioneve ligjzbatuese në Itali, sidomos në rastet e ndjeshme të ngatërrimeve identitare.